Bardhyl Berberi: “Kryetari i Bashkisë”, një leksion politike
Për ne shqiptarët kur vizitojmë Manastirin ka një emocion shumë të veçantë. Këtu kemi një ndërtesë hije rëndë ku patriotët shqiptarë themeluan Kongresin e Alfabetit tonë. Një miku im më ftoi në mbrëmje për të ndjekur një monodramë në kuadrin e Festivalit Ballkanik të monodramës që zhvillohej atje. Monodrama titullohej “Kryetari i Bashkisë”, një monodramë e tipit komedi. Në rolin e Kryetarit Bashkisë të qytetit interpretonte aktori Trajçe Ivanovski. Për 1 orë aktori nga Prilepi e ka mbajtur sallën e teatrit të Manastirit pezull të ngarkuar me emocione të fuqishme. Me dy fjalë subjekti i monodramës “Kryetari i Bashkisë është: “Një parti e konsumuar që në të kaluarën kishte abuzuar me ish-kryetarin e Bashkisë, kësaj radhe gjeti një intelektual të shquar nga shoqëria civile me reputacion, i cili falë këtij emri dhe të vlerave të tij personale i fiton zgjedhjet dhe merr postin e kryetari të Bashkisë. Por kjo partia që e zgjodhi, që ditën e parë i shkon në zyrë dhe i thotë se hapësirat e tij do të jenë të kufizuara dhe ai do të vendosë në punë njerëzit e partisë që e kandidoi. Ata i thanë se ti nuk je kryetar i gjithë Prilepit, por kryetar i partisë sonë që të ka zgjedhur. Ti duhet të punosh për ata të partisë sonë, jo për tërë popullin, do të punësosh në bashki njerëzit e partisë sonë. Por kryetari i shpërfill drejtuesit e partisë dhe kthehet në një kryetar për të gjithë popullin, zgjedh në administratën e tij ajkën e specialistëve pa dallime partiake. Kjo bën që punë t`i ecin shumë mirë ai ju rregullon ambientet publike, parqet e qytetit, menaxhon fondet në shërbim të qytetarëve dhe askush nuk guxon të abuzojë me fondet publike, i ndërron krejt faqen qytetit me korrektesë dhe me ndershmëri dhe populli e do pasi secili shikon frytet e punës së tij, madje dhe partitë e tjera kundërshtare me partinë e tij që e propozoi, flasin me superlativa. Por katër vjet kaluan shpejt dhe rezultatet ishin të mbëdha dhe partia që e propozoi herën e parë e zëmëruar e heq nga lista dhe vendos kandidat një servile tipike të tyren që ta kishin si mashë për të vendosur nëpër postet kyçe ata që do partia e jo ata që kërkon puna, madje t’ju jepte dhe tenderë në mënyrë të pandershme. Por populli i qytetit të Prilepit kur merr vesh këtë revoltohet duke protestuar dhe intelektualët e qytetit e propozojnë si të pavarur jashtë sktrukturave të partive kryetarin e suksesshëm. Ai fiton përsëri zgjedhjet pa siglën e ndonjë partie dhe ata që i minuan rikandidimin ngelën me gisht në gojë”.
Të dukej sikur kjo monodramë e tipit komedi ishte shkruar për në Shqipëri ku ai që zgjidhet nga ajo forcë politike që e propozon i pushon nga puna paraardhësit, ndonëse mund të jenë të zotët. Monodrama më vuri vërtet në mendime në këtë kohë zgjedhjesh lokale edhe tek ne.
Jetojmë në një shoqëri të arnuar keq. Jemi produkt të partive të mëdha dhe partiçkave të vogla që ju japin karrigen militantëve në bazë të përqindjeve të votave të udhëheqin këto turma militantësh që nesër duhet t`ua shpërblejnë me poste dhe tenderë.
Përvoja tek ne në Shqipëri ka material për monodrama të tjera intelektuale. Në pozicione kyçe këto parti vendosin servilin, të paaftin, atë që do t’ju shërbejë, jo popullit që i takon. Ky takëm të paaftësh, që marrin karriget nga partitë, mundohen që intelektualeve me vlera t’ju përkulin shpirtin, ju krijojnë një ambient aspak miqësor, ju mprehin reflekset e mbijetesës. Intelektualët e aftë që rrinë mënjanë të ballajdisur nga ky ambient servilësh në mënyrë figurative i ngjanë një teli violine të patendosur mirë që tingullin e vërtetë nuk e nxjerr dot…
Më ka mbetur në mendje rrëfimi i një ish-drejtori shkolle në Pogradec, i cili tepër i shqetësuar më tha: Më ka bërë djali im mbrëmë një ‘gjyq’ duke më thënë: -Pse më ke sjellë në këtë jetë, pse më ke edukuar gabim, të jem i dashur, i sinqertë, i ndershëm? E kam të vështirë të jetoj në një ambient, kur kam shokë që drogohen, pinë duhan, luajnë kumar, vjedhin, ku mbizotëron gënjeshtra dhe hipokrizia…Ku mungojnë virtytet dhe mirësia është me pikatore. Pa dashur më erdhi në mendje një shprehje e George Orwell që thotë: “Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj dhe tradhtarë…Nuk është viktimë! Por është bashkëpunëtor i tyre”.