Kostas Varnalis: MARIA MADALENA
Nëpër pallate, ku jehonë e melodisë siç honeve kumbon,
dhe ku stolitë veç drithërojnë me llampadarë qarkuar,
aroma shket e faqet, që as era s’i ka prekur, m’ledhaton
me afsh epshor e si nepërkë e helmatisur m’i kafshon,
dhe zëri im porsi kristal një notë të zbehtë rënkon malluar.
Ndër katër mbretëri Judenjsh unë paskam qenë Burimi vetë:
në begatinë e gjirit tim, dritë lulesh ëngjëllore.
Si flakë e trupit tim rinor nuk pati më kjo botë e shkretë
në prehrin tim çdo përqafim siç tjetër s’gjen në këtë jetë.
Eros gjithë vrull që vë në sfidë Romën triumfatore…
Por thellë në shpirt veç mugëtirë, terr i pafund e thatësirë,
e nëpër buzë të ëmbëla buzëqeshja pjellë e mundit.
Tek rrihte zemra gjithë gulçim, ankth, lebeti në errësirë,
fryma që pritej me llahtarë, gjoksi që hidhej pa mëshirë,
shihnin nga maja pjedestal, se vinte ditë e fundit.
Nuk qe gjëmim në befasi. Ndodhi gjithçka avash, ngadalë…
I bukur jo e ti mbi vete s’ mbartje gjë të çmuar!
Me sytë e ulura përtokë tek ecje e thoje ca fjalë.
U desh të shkojë një kohë e gjatë e drithërimat, Zot më fal,
po kur i pashë ato dy sy, u ndjeva e mrekulluar.
Ndën ato këmbë do doja t’isha me dëshirë e ngazëllim.
Ndjeva tronditjen e një zemre gjer atëhere virgjërore.
Unë lumturinë e njoha në këmbimin pa shpërblim,
lirinë në robëri për një qëllim të lartë edhe sublim,
epshin madhor në dhimbjen e pafundme njerëzore.
E kur të varfërve u ndaj zotërimet që gëzoj (flori,
diamantë, mëndafsh, bahçenë e shtëpinë time)
hapat e tua ndjek, pa çka se erë e mbrëmjes me furri
rreh që t’i fshijë, ato mbi rërë vragën e ëmbël lënë porsi qiri
e mbetesh shenjë në shpirt, në sy, në vesh e në mendime.
Asgjë të re ti nuk na the e as na zbukurove vjetërsinë.
Me kohë e vaft e nga të tjerë gjithçka ishte shpjeguar.
Por me kurajën që prej qiejve të ndjellësh begatinë,
për ty (gjëra pa shpirt e njerëz) duken qartë si qelqurinë
tej e përtej dhe e Zotit frymë si ti dhe mua ka ndriçuar!
Askush (dhe turmat dhe të diturit, profetet, korifejtë)
nuk ndjenë se si pas mrekullisë fshihej masakra, tallja.
E në se ti shihje lirinë në vdekjen tënde të padrejtë,
e ndjeva unë, që isha baltë, një femër e zakonshme krejt,
se sa o Krisht ishe njeri! Dhe unë do jem ringjallja!
Shqipëroi Arqile Garo, libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”.