Kur politika perceprohet si mision qytetar
Robert Goro
Nje shkrim i dhjete viteve me pare, qe nuk i heq as edhe nje presje…
Nikollaq Neranxi nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Falë biznesit të tij të suksesshëm, ai është futur kaherë në listën e “VIP”-ave të jetës shqiptare. Madje nuk kanë munguar edhe befasimet, siç është emri “Neranxi”, shkruajtur me germa të mëdha në terracën e godinës së kompanisë, në anë të autostradës dhe që përbën një nga impresionet e para të vizitorit që vjen në Tiranë nga ajri. Apo dërgimi i tortës së madhe ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës…
Përveçse biznesmen i suksesshëm, Nikollaq Neranxi dha prova të qarta edhe të një politikani energjik e konseguent ndaj parimeve, kur në fund të vitit 2006, si deputet i parlamentit shqiptar, braktisi partinë Agrare të maxhorancës dhe kaloi në opozitë, gjë që, siç kemi shkruajtur edhe më përpara, përbënte një precedent unikal për politikën shqiptare, por edhe ballkanike.
Si deputet i opozitës pra, në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte ndër më aktivët, në çdo seancë e për çdo problem. Paraqitjet e tij sendërtonin atë që vëren një tjetër ish deputet i LSI-së, P. Xhufi, tek thekson se Neranxi është “deputet, nga të rrallët që ka preferuar të jetë gjithnjë vetvetja”.
Vitin e kaluar, Nikollaq Neranxi përmblodhi në një libër, një pjesë të ndërhyrjeve të tij në parlament, por edhe në shtyp, që kanë të bëjnë me çështje kruciale të realitetit shqiptar.
Si një konkluzion të parë nga leximi i vëmendshëm i librit, lexuesi i paparagjykuar do të mbajë në kujtesë faktin se kemi të bëjmë me një ndërthurje të erudicionit personal me përgjegjësinë qytetare dhe moralin politik. Kjo përgjegjësi e ky moral dallohen qysh në titullin shumë të gjetur të librit, “E sotmja po ndëshkon të ardhmen”, që mund të përkthehet në një kushtrim civil për të luftuar të keqen e të shtrembrën, me qëllim që e nesërmja të jetë më e mirë.
Ndërhyrjet për projektligje e çështje të veçanta dallohen për saktësinë e konceptimit, pavarësinë e gjykimit dhe, mbi të gjitha, dallohet në të gjitha rreshtat shqetësimi qytetar për t’u bërë më e mira. Ato pak faqe të një ndërhyrjeje në parlament janë fryt i një hulumtimi e vramendjeje të gjatë, duke i ballafaquar gjetjet edhe me përvojën e pasur që autori-deputet ka krijuar shtigjeve të jetës. Është kjo arsyeja që Neranxi flet me kompetencën edhe të biznesmenit, edhe të kontabilistit, edhe të agronomit (ai është Dr. Shkencash në fushën e pemëtarisë), edhe të inxhinierit, edhe të urbanistit; por mbi të gjitha, flet me kompetencën e njeriut të mirinformuar, që e merr fjalën vetëm për të thënë diçka që qëndron, (pavarësisht se konjuktura politike mund t’i bëjnë klasifikime të ndryshme)…
Leximi i këtij libri të Nikollaq Neranxit, të shtyn të thuash me vete se parlamenti nuk qenka “një mexhlis i vanitëzove” që nuk kanë ku e si vrasin kohën. Aty u bëka dhe punë e mirë, u thënkan edhe gjëra të meçura, që ne, masa e madhe e miletit, nuk kemi nge t’i ndjekim gjatë seancave të transmetuara drejtpërdrejtë nga TV.
E them pa ekzagjerim, por duke lexuar këtë përmbledhje, mësova për zhvillimet në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri, se sa kam mësuar gjithë këto vite duke shfletuar shtypin e ndjekur televizionet.
Mësova, p.sh, se në Shqipëri ka rreth 1,1 milionë njerëz të aftë për punë, por vetëm 397 mijë figurojnë si të punësuar rregullisht, (më kontratë siguracionesh);
Mësova se me një investim prej 10 milionë dollarësh, uzina e bakrit në Rubik dhe ajo e telave në Shkodër, do të mund të viheshin në punë, duke “realizuar ciklin e plotë të përpunimit të bakrit e duke zënë pozicionin e duhur jo vetëm në tregun vendas, por edhe atë rajonal”, (siç vë në dukje Neranxi);
Mësova se zbatimi i çmimeve të referencës “është shprehje e mosbesimit të ndërsjelltë shtet-biznes”, se ky mosbesim “ndikon që partnerët e huaj t’i shikojnë me mosbesim tregtarët shqiptarë – edhe sepse shteti shqiptar nuk u beson faturave që i paraqiten në dogana, por zbaton çmimet e referencës”, dhe se “taksimi në masën 20 për qind për të gjitha produktet është një taksë që i vihet biznesit, por atë e paguan konsumatori nëpërmjet çmimeve të tregut”;
Mësova se, bujqësia, ndërsa “kontribuon me 22% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, përfiton vetëm 2% nga buxheti i shtetit”; se një nga arsyet kryesore të rënies së prodhimit bujqësor e blegtoral, që sjell si rezultat pagesën “si frëngu pulën” nga konsumatori të produkteve bazë që importohen, në masë të madhe, pra, rënia e prodhimit i dedikohet shkatërrimit të institucioneve kërkimore shkencore në emër të reformave!…
Sa profetik duket tashmë, pas përmbytjeve në Shkodër, paralajmërimi që Neranxi bëri në shkurt 2009: “Që shiu e bora të mos kthehen në fatkeqësi natyrore”. Në mënyrë tepër të argumentuar, agronomi, biznesmeni, politikani, qytetari, tërhiqte vëmendjen se gjendja ekzistuese e sistemeve të kullimit të tokave, që ishte lënë pas dore “nga të gjitha qeveritë pa përjashtim”, mbartte në vetvete rreziqe dramatike: “Uji, shirat, janë një pasuri e bekim, por shpesh, për shkaqe që i kemi bërë të njohura, ato kthehen në mallkim, në fatkeqësi natyrore me pasoja të rënda…”.
Sigurisht se pozicionimet e Neranxit kanë ngjyrimet politike të një opozitari. Por kam përshtypjen se ai është tepër konstruktiv në opozitën e tij, pasi, të paktën nga lënda e përmbledhur në këtë libër, përftohet mendimi se ai flet për ato çështje që ndihet kompetent (dhe CV-ja e tij i konfirmon këto kompetenca), pa konfuzionin që karakterizon shpesh njerëzit që “i dinë të gjitha”. Prandaj dhe është dukshëm larg pozicionimeve kolegësh të tjerë, të minorancës apo të maxhorancës që me gjuhën e tyre të thatë e të partizuar na kanë detyruar të shtypim telekomandën gjatë kohës që mbanin fjalimet e tyre plot sllogane militante, por pa asnjë kokërr bereqet…
Për këto cilësi, Neranxi prezantohet më së pari si qytetar e pastaj si politikan. Kredoja e karrierës së tij të kufizuar parlamentare, mendoj se jepet më së miri në rreshtat që pasojnë e që janë pjesë e një artikulli të botuar në janar 2009:
“Ne si opozitarë e kemi të pamundur që të fërkojmë duart sa herë e gjejmë qeverinë në gabim, pasi para së gjithash, jemi qytetarë të këtij vendi, pastaj politikanë, e si qytetarë, na dhemb çdo plagë e vendit”…
Të më ndjeni, por kam mendimin se fjalë të tilla artikulohen vetëm nga një mendje e shpirt i pastër dhe rrezatojnë atë sinqeritet për të cilin ka nevojë politika shqiptare. Në këtë sens, jam i sigurt se Nikollaq Neranxi nuk ka hyrë në politikë për një kalim të shpejtë, ai do të rikthehet. Sepse politikës sonë nuk i mungojnë politikanët e formatit të Neranxit, por secili ka vendin e vet të domosdoshëm…