Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë po ndodh me Dodonën pellazgjike?

Mendime të kundërta, abuzime shkencore, përvetësime historike, nënvlerësim i botimeve të reja/

Nga Nuri Dragoj/

Çështja e tempullit të Dodonës, faltores më të lashtë të kontinentit, por edhe më gjerë, i quajtur “tempulli pellazgjik”, vazhdon të mbetet nga më të debatuarat. Madje, ndaj saj, shpeshherë, mbahet qëndrim indiferent nga institucionet shkencore. Janë publikuar shumë libra pa baza të thella shkencore, të cilët kanë bërë që lexuesi të mendojë se ajo është pronë e grekëve të vjetër. Mirëpo autorët e antikitetit provojnë të kundërtën. Herodoti lë të kuptohet që ka shkuar në Dodonë dhe e ka pyetur atë, për të cilën thotë: Mbret i pellazgëve dhe i dodonëve, o Zeus / ti që nga larg sundon edhe Dodonën…. Sipas Hammond, në periudhën e viteve 1120-800 para e.re, Dodona i përkiste një mjedisi ballkanik. Robert Bell e cilëson, një nga kështjellat pellazge. Po sipas tij, Zeusi i Dodonës ishte perëndi pellazge. Studiuesi Arsim Spahiu shkruan se Dodoni qe bir i Zeusit dhe Europës (hallë e Ilirit). Orakulli që e kishte qendrën në malin Tomor (mbase është fjala për Dodonën dimërkeqe), i jep Zeusit titullin Dodonas. Pellazgët në poemat homerike janë konsideruar hyjnorë (Iliada, 840-841). Homeri tregon se Zeusi pellazgjik adhurohet në Dodonë të Epirit. Herodoti vë në plan të parë barbarët dhe jo grekët (shek. V para e.re). Ai pohon se, personat që shërbenin pranë faltores së Dodonës, i kanë thënë se grekët, emrat e perëndive i kanë marrë nga pellazgët. (Herodoti II, 52). Pellazgët i konsideronin hyjnitë të shenjta, ndërsa grekët i deformonin.

Orakulli i Dodonës u themelua nga pellazgët, para ardhjes së grekëve. (Iliada II, 16). “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg dhe kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë sellët…”. Homeri në librin Odisea, na kujton Uliksin, që shkoi në Dodonë për t’u këshilluar me Hyjnitë dhe të dëgjonte nga lisi i gjatë fallxhor orakullin e Dodonës. (Odiesea XIX, 290). Lisat e transmetonin orakullin me fëshfërimën e gjetheve të lisit të shenjtë. Të njëjtën gjë bënin pëllumbat me anë të fluturimit, ndërsa kazani prej bakri, i jepte mesazhet nëpërmjet tingujve. Zeusi është zot i rrufesë dhe dukurive të tjera atmosferike. Orakulli i Zeusit në Dodonë njihet që në epokën e bronxit, ndërsa statuja e Zeusit në Delf, është ngritur nga grekët në vitin 430 para e. re.

Për shkak të deformimeve historike, temulli i Dodonës herë paraqitet në Thesproti dhe herë në Molosi. Botuesit e Strabonit në gjuhën frënge, bien dakord me Suidan, të përmendur nga Straboni, si dhe në një komentar të Homerit, i cili mendon se ishte një Dodonë në Thesali dhe tjetra në Epir. Mjeku i Ali Pashë Tepelenës, Henry Holland, shkruan se ajo mund të jetë në anën lindore të Arkatit, midis këtij lumi dhe Aelout. Pra, siç shihet, mendimet janë të ndryshme. Herodot thotë se është në anën më të largët të Helopisë, të cilën e quan trevë “shumë pjellore e me luadhe të mira”. Apolodoni përshkruan moçalet që rrethonin tempullin. Holland supozon se ajo mund të ndodhet midis lumit të Artës dhe Aspropotamit, poshtë maleve të Xhumerkës.

Natyrisht, e vërteta nuk është saktësuar ende, sepse shumica e studiuesve që japin të dhëna për vendndodhjen e saj, nuk janë të sigurt. Duke qenëse kanë kaluar mbi 3000 vjet, është e vështirë të flasësh për moçalet apo lisat gjigant. Bie fjala, thuhet se në Këlcyrë, mund të jetë një tjetër vendndodhje e Dodonës. Kemi të bëjmë me një territor që pritet nga të dy anët me lumenj, Dëshnica dhe Vjosa. Për pasojë nuk përjashtohet prania e moçaleve dhe as e lisave. Stdiuesi Kujtim Mateli, në librin e tij “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, ka hedhur për diskutim një fakt të ri, i cili meriton të vlerësohet dhe të studiohet me kujdes nga institucionet e larta të Albanologjisë. Injorimi i fakteve shkencore që afron studiuesi Mateli, nuk është normal. Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ka pse ta lerë në harresë punimin e tij, i cili pretendon se Dodona ndodhet në rrëzë maleve të Përmetit. Nuk është fjala për t’u pranuar medoemos teza e Matelit, por është e nevojshme të diskutohet dhe të debatohet gjatë, pasi në këtë mënyrë zhvillohet mendimi shkencor. Nëse argumentet e tij qëndrojnë, studimi i tij duhet vlerësuar. Edhe punimet e autorëve të mëparshëm, të huaj apo vendas, nuk janë të pakritikueshëm dhe të pakontrollueshëm. Mendimi shkencor evoluon.

Fiset që kanë populluar Epirin

Tempulli i Dodonës lidhet me banimin e këtyre trojeve që në prehistori. Burimet mitologjike, emërtimet e vendeve, historia e lashtë dhe kërkimet arkeologjike provojnë lashtësinë e kombit shqiptar. Edhe pse në punime të studiuesve të ndryshëm, vihen re të dhëna kontradiktore, në tërësi pranohet hershmëria e popullimit të gjithë Epirit, mijëra vjet para erës sonë. Fiset që kanë populluar këtë territor, shpeshherë ngatërrohen me njëri – tjetrin. Tashmë është përcaktuar, ndonëse jo me saktësi matematikore, vendi ku shtriheshin molosët, kaonët, atintanët, perrebet, paurejtë, peonët, lapitët, kentaurët etj. Luhatjet në studime të ndryshme ndodhin për shkak të mënyrës së këndvështrimit të studiuesve për këto troje, shtrirja apo ngushtimi i territorit të një fisi në dëm të tjetrit, ndryshimet që kanë ndodhur në shekuj, interpretimi gjeografik, të dhënat për tempuj fetarë e personazhe mitologjik.

Ka studiues që nuk e pranojnë vijimin e shqiptarëve nga pellazgët. Por Sami Frashëri thotë se shqiptarët kanë ardhur në Europë bashkë me keltët ose në interval kohe të afërt me ta, gjë që duket në ngjashmërinë e gjuhëve midis tyre. Shqiptarët e lashtë, pellazgët, u ndanë në katër degë: Ilirët që u shtrinë nga Greqia e vjetër deri në Bosnjë, Hercegovinë e Dalmaci; maqedonasit që u vendosën nga mali Pidos në Sharrë, në Radop e lumin Karasu, më tej në detin Egje, në Selanik, Manastir, Shkup, Serez etj.; trakasit, të shtrirë në rajonin e Edrinesë, Bullgari dhe më tej në të djathtë të Danubit; frigasit në bregdetin e Anadollit, Hukan e Siras. Territori i sotëm i Greqisë ka qenë populluar nga pellazgët dhe raca të tjera, pra vërteton se pellazgët ishin popull autokton. Më pas, ata janë sulmuar nga etolëtjonëtdorët e fise të tjerë. Pellazgët kanë qenë “pronarë” të qytetit dhe tempullit të famshëm të Dodonës. Te Iliada, Dodona përmendet dy herë në lutjen e Akilit: Zeusi, Mbret i Pellazgëve nga Dodona që ndodhet larg / dhe mbretëron në Dodonën e acartë, dhe Sellojtë / fatthënës të jenë pranë, por këmbët s’i lajnë e flenë përdhe. Përreth Dodonës, Hammond vendos fiset dorë, enian, dryop, etik, perrebe, dolopë etj.

Sot pranohet që tirrenët përfaqësojnë fisin më të vjetër pellazg. Ata kanë populluar Kaoninë, e cila nënkupton gjithë Epirin. Mendohet që edhe Dodona është themeluar prej tyre. Sipas mitologjisë, mbretëria e Pellazgut përfshinte vendin e perrebejve, që ishin fqinjë të peonëve, dhe shtrihej në malet e Dodonës. Sundimi i tij shkonte më tej, në vendin që i thoshin Apia. Ndër fiset epirote, Plini përmend kaonët, antigonasit, kestrinët, perrebejtë (në zonën përreth Pindit), kasopët, dryopët, selët, helopët, atamanët, talarët, molosët (në zonën ku mendohet të ketë qenë Dodona pellazgjike) etj. Sipas Plinit, Dryopia dhe dryopët ndodhen afër sellëve, hellopëve dhe molosëve.

Straboni i njëjton talarët me molosët. Sipas tij, atamanët, etikët dhe talarët ndodheshin në vijën Tomor – Pind – Atamani, e cila shënon dhe kufirin ndarës me Maqedoninë. Në pjesën perëndimore të maleve të Pindit jetonin etolët, akarananët dhe amfilohët. Prej epirotëve, qenë athamanët dhe molosët, si dhe toka përreth Pindit, e quajtur dikur e ethikëve. Përveç këtyre të dhënave të Strabonit, Bartholemeu na jep një dëshmi të Anacharsis, i cili ka udhëtuar në shek. IV para erës sonë, nëpër territorin e Greqisë dhe në një pjesë të Epirit. Ai pohon që “mali i Pindit ndan Thesalinë nga Epiri” dhe pasi “e kaluam atë poshtë Gomfit, hymë në tokën e athamanëve”. Ndërsa Homeri shkruan se në afërsi të “Dodonës dimërkeqe”, banojnë enianët dhe pas tyre vijnë perrebejtë. Ai i vendos enianët pranë lumit Europë, i cili identifikohet me lumin Asope. Studiuesi Kujtim Mateli e sjell lumin Europë në Çarçovë të Përmetit.

Duhet të kemi parasysh që të dhënat e Strabonit janë të shek IV para krishtit, ndërsa Athamanët në pjesën veriperëndimore të Luginës së Përmetit, janë të kohëve homrike, rreth 7-8 shekuj para Anacharsit. Pra janë fqinjë me atintanët që shtrihen nga perëndimi i malit të Trebeshinës, deri në kufijtë e Apollonisë, me epiqendër Bylysin. Thuhet që ata janë dëbuar prej fushës dodonase nga lapathët, të cilët Mateli i njëjton me labët e sotëm. Në atë kohë, pra, siç thashë, ndonëse vendi ishte i ashpër dhe me plot male -Tomari, Polyani dhe shumë të tjerë-megjithatë gjithë Epiri dhe Iliria ishin shumë të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra me gërmadha të braktisura. Fatin e këtyre e pati deri diku dhe orakulli i Dodonës”. (Ilirët dhe iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, f. 160).

Duke iu referuar librit “Historia e Ilirëve”, të autorit Selim Islami, mësohet se konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë dhe thirri pranë lumit Aps (Seman N.D.) mbretërit e vendeve fqinjë të Maqedonisë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Amyndarin e Athamanisë, të cilëve u mori premtimin për ndihmë në luftën kundër Filipit të Maqedonisë. Por përpjekjet për të tërhequr etolët në atë luftë dështuan. Kështu, Epiri i qëndroi besnik Filipit. Siç shihet, bashkë me mbretërit Ilirë dhe të Dardanisë, konsulli romak ftoi për ndihmë edhe etolët, banorë të vendit në jug të maleve të Pindit, fqinj lindor të akarnanëve, që jetonin në rajonin bregdetar, në jug të liqenit të sotëm të Artës ose të Prevezës. Nga kjo e dhënë del se, athamanët, fqinjë veriorë të etolëve, mund të jenë pikërisht ata athamanë që ftoi për ndihmë konsulli romak.

Në të dhënat e nxjerra nga libri “Historia e Ilirëve” duket se ka dhe një pasaktësi: ilirët, dardanët, athamanët (nënkuptohet edhe etolët) konsiderohen si “fqinjë” të Maqedonisë. Këtu duhet bërë kujdes, sepse lexuesi mund të ngatërrojë Maqedoninë e vërtetë egjeane, me të ashtuquajturën “Republikë të Maqedonisë së Veriut”, pra të Maqedonisë së sotme, që shtrihet mbi territoret iliro – dardane. Pra besohet se molosët janë një nga tri fiset kryesore qe banonin në qendër të Epirit antik dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e shtetit të Epirit.

Në hartën e Matelit, enianët i gjejmë pranë grykëderdhjes në Vjosë të lumenjve Lengaricë dhe Çarçovë. Perrebët, në hartën e Anacharsis-it, i shohim në veri të pjesës së poshtme të luginës së Peneut, deri pranë malit të Olimpit, ndërsa në hartën e Matelit, ata i gjejmë në juglindje të pjesës së poshtme të lumit të Çarçovës. Ai sjell të dhëna të autorëve të ndryshëm që janë marrë me këtë çështje. Françoi Pouqueville, konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (1804 – 1813), e vendos Dodonën në shpatin jugor të maleve të larta, të cilat mbyllin liqenin dhe luginën e Janinës në veri. Në luginën e Drinosit ai gjeti një dëshmi, e cila e lidhte me Dodonën e famshme të Antikitetit. Në kohët e vjetra, ky vend (lugina e Drinosit), njihej me emrin Dryopea, e cila e ndihmonte Pouqueville për të gjetur Dodonën, mbasi Plini i vendoste dryopët në afërsi me sellianët(sellët), që ishin banorë të Dodonës. Duke u mbështetur në të dhënat e autorëve të vjetër, ai bën edhe përcaktimin e fiseve që rrethonin Molosinë. Mateli mendon se bëhet fjalë për krahinën e Zagorisë së sotme. Sipas autorëve të tjerë, Molosia përbënte pjesën veriore të vargmalit të Pindit, por që mund të përfshijë gjithë rajonin e këtyre maleve (duke besuar se emri “Molosi” është një emërtim pellazgo-iliro-shqiptar, me kuptimin “Malësi” – N.D.). Sipas Pouqueville, Molosia “në veri kufizohet nga vendi i atintanëve”. (Mateli i vendos në perëndim të malit të Trebeshinës, deri në Tepelenë, duke patur në veriperëndim të tyre krahinën e sotme të Mallakastrës – N.D.). Nga lindja kufizoheshin me Perrebenë, që ai e vendos ndërmjet lumit të Çarçovës dhe lumit Sarandaporos, në jug të Leskovikut. Anacharsis i çon në jug të Olimpit. Në të njëjtin vend e gjejmë edhe në “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë”: në jug me Kasiopenë, në perëndim të lidhur ngushtësisht me Thesproti. Gjeografët e çojnë Dodonën herë në Molosi dhe herë në Thesproti.

Mendoj se kufijtë e Molosisë që jep Pouqueville dhe të fiseve me të cilët ajo kufizohet, mund të quhen të sakta, nëse me Kasiopi kuptojmë rajonin ne veri të gjirit të sotëm të Artës. Thesprotia përfshin rajonin që laget nga deti Jon dhe kufizohet në veri me liqenin e Butrintit, ndërsa në jug me gjirin e Artës. Kufiri lindor i Molosisë së Pouqueville, mund të hiqet sipas kreshtës së vargmalit të Pindit deri në krahinën e Mallakastrës së sotme. Kufiri veriperëndimor i Molosisë kalon përafërsisht sipas vijës Himarë-Berat.

Fqinjët veriperëndimorë të Molosisë janë taulantët, ndërsa fqinjët verilindorë, atintanët. Pouqueville mendonte se ata shtriheshin në territorin ndërmjet Osumit dhe Vjosës, në lindje të Beratit. Mateli i vendos atintanët në malësinë e zonës midis Trebeshinës dhe Tepelenës. Parauejtë, që ky autor i përshkruan përgjatë rrëzës lindore të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, në “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë” i shohim në verilindje të rajonit të kufizuar nga Vjosa me Drinosin, të dhëna të cilat përputhen. Po ky autor, athamanët i vendos përgjatë bregut lindor të lumit të Dëshnicës. Perrebejtë Mateli i vendos në juglindje të pjesës së poshtme të lumit të Çarçovës.

Lidhur me popullsinë e Epirit, Straboni përmend 14 fise. Sipas tij, epirotët “janë amfilokët, si dhe të gjithë ata që banojnë në atë territor, që kufizohet me malet e Ilirisë”. Njerëzit që jetonin në vende të ashpra quheshin molosëathamanëethikëtymfejorestëparauej dhe atintanë. Pra, duke u nisur nga jugu për në veri, kemi si kufi verior atintanët që kanë pranë paroejtë (parauejtë). Por, fiset ilire të paruejve, janë cilësuar banorë të luginës së Vjosës dhe shtriheshin nga mesi i Tri Urave deri në Grykën e Këlcyrës. Atintanët ndodheshin në veri të tyre, në të djathtë të lumit të Vjosës. Pra, ka qenë një zonë mjaft e populluar, ndaj dhe Pindari e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyera, që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.

Mateli beson se Straboni i ka përmendur fiset e Epirit, duke ndjekur vendosjen e tyre gjeografike, nga jugu në veri. Prej kësaj nxjerr përfundimet e veta për vendndodhjen e tyre. Kjo mënyrë arsyetimi mbase duhet parë më me kujdes. Ai i vendos parauejtë përgjatë rrëzës lindore të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, ndërkohë që për atintanët thotë se kanë banuar në perëndim të malit të Trebeshinës, deri në afërsi të Tepelenës. Mirëpo, sipas “Atlasit Historik të Shqipërisë”, atintanët i gjejmë në lindje të qytetit të Beratit, midis lumenjve Osum dhe Vjosë, ndërsa parauejtë,në jug të tyre, në territorin mes Vjosës dhe Drinosit.

Banorët e Dodonës pellazgjike

Në lashtësinë e hershme, territori i sotëm grek nuk ka qenë populluar thjesht prej grekëve. Janë të shumtë emrat e qyteteve që i përkasin kohës së pellazgëvelelegëvekaukonëve e dardanëve, të cilët mund të shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Banorët e lashtë të Greqisë janë quajtur pellazgë. Euripidi, i cituar nga Straboni, duke bërë fjalë për popullsinë pellazge, thotë se më pas ata kanë marrë emrin Dhanai. Për Homerin, perëndia kryesore e Dodonës ishte Jupiteri pellazg. Ndërsa sipas Herodotit, i gjithë vendi që emërtohej Hellas, më parë është quajtur Pellazgji. Thesprotët e Epirit, që kishin për kryeqytet Dodonën, ishin pellazg, banorë të Atikës dhe viseve të Argos. Efori me emrin Pellazgji përcaktonte gjithë Peloponezin, ndërsa Straboni mendonte se pellazgët shtriheshin në gjithë Greqinë dhe në mënyrë të veçantë në Thesali e Arkadi.

Plutarku rendit këto fise përreth Dodonës: selijtëenienëtperrebët, athamanët. Perrebët dhe athamanët u dëbuan prej lapathëve (të parët e lapëve të sotëm, K. Mateli). Hammond duke iu referuar Plutarkut, na thotë se prej fushës dodonase, nga lapathët u dëbuan edhe enianët. Shohim se prej lapathëve janë dëbuar tre fise: enianët, athamanët dhe perrebët. Lind pyetja: Ku mund të kenë qenë vendosur këto tre fise të përmendura nga autorët e Antikitetit? Sipas Matelit, po të fillojmë nga perëndimi i maleve të Pindit, ku zë fill fusha dodonase, do të shohim se në perëndim të Pindit kemi ethikët. Ky emër i gjuhës shqipe tregon “një vend shumë të pjerrët”. Ata ishin fqinjë me parauejtë. Parauejtë, në fillim të vendosjes së tyre, banonin në të majtë të lumit Vjosë. Straboni na thotë se, në perëndim të Pindit, banonin perrebët. Homeri perrebët dhe enianët i vë pranë njëri-tjetrit. Nëse perrebët duhet të kenë zënë vend aty ku sot është Leskoviku (në perëndim të Pindit, ku janë 40 burime të ujërave minerale, ose përrenjë: përroj-perrebë), enianët ndodheshin në territorin mes tyre dhe Vjosës.

Në librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, Kujtim Mateli tregon fiset që rrethonin Dodonën në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Sipas tij, mali i Trebeshinës, në pjesën lindore të tij, quhet edhe mali i selijëve e i helopëve; fusha dodonase nuk i përket vetëm territorit ku kanë banuar helët dhe selët… E gjithë lugina ku shtrihet sot rrethi i Përmetit dhe pjesa perëndimore e Pindit, i kanë përkitur territorit dodonas. Dëshmi për këtë janë autorët e vjetër. Epiri, sipas Plinit, fillon me malet Keraune. Ai përfshin në fillim kaonët prej nga vjen emri Kaoni, thesprotët, antigonasit, kestrinët, perrebejtë, tek të cilët është Pindi; kasopët, dryopët, selët, helopët, molosët, ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës, i përmendur për orakullin; mali Talar me njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Teopompi. Në malet e Pindit banonin talarët, fis molos, një pjesë prej atyre të Tomarit.

Rëndësi merr fakti që pranohet nga shumica e autorëve se, Zeusi, jashtë Dodonës, nuk ka asgjë orgjinale. Kjo epërsi e kultit të Zeusit është, në mënyrë të padiskutueshme, veçanti krahinore, që e dallon Epirin nga bota greke dhe e afron atë me Maqedoninë. Straboni thotë se Diona është hyjni e Dodonës, para greke. Studiuesi Arsim Spahiu, përmend P. Grimal, që shpreh mendimin se të gjitha legjendat, ku hyn Hera, janë pellazge. Ajo u gëlltit nga Kroni, por u kthye sërish në jetë, fal dredhive të Metisit dhe forcës së Zeusit.

Duke analizuar të dhënat e Plinit për malin Talar (ku banonin talarët) dhe të dhënat e Strabonit për këtë fis, Mateli arrin në përfundimin se: mali Talar që përshkruan Plini, është vetë mali Tomar që përmend Straboni; një pjesë e talarëve, që sipas Strabonit jetonin pranë Dodonës, duhet të kenë qenë banorë të rrethinave të fshatit të sotëm Tolar të Këlcyrës, përballë Trebeshinës (në rrëzë të vargmalit Memelash – Qarrishtë e Frashërit dhe rreth 2 km në lindje të shtratit të lumit Vjosë – N.D.). Straboni thotë: “Pindi është mal i madh, nga veriu ka Maqedoninë, nga perëndimi perrebejtë, njerëz nomadë, nga jugu dolopët”. Sipas tij, perrebët jetonin në perëndim të Pindit. Mund ta përcaktojmë afërsisht me qendër Leskovikun, ku janë përrenjtë e burimeve me ujërat minerale. Stilian Adhami perrebët i cilëson fis ilir dhe se “në një hartë, Perevija figuron në truallin e Parauejve”.

Njoftimin e parë për fisin e enianëve e marrim nga “Iliada” e Homerit, i cili shkruan: “Njëzetedy gale Guneu nga Qifi / solli me enianë e me perrebë, që rronin në Dodonë, ku dimri bën me borë e akuj”. Ndërsa Herodoti e përshkruan vendbanimin e tyre pranë burimeve të Sperkit (në kufirin verior të Etolisë, në lindje të gjirit të Artës). Në hartën e Anacharsis-it, enianët i gjejmë në juglindje të vargmalit të Pindit, në rrjedhën e mesme të Sperkios, fqinjë lindorë të dolopëve (N.D.). Plutarku pohon se enianët u dëbuan nga fusha dodiane prej lapitëve, për t’u bashkuar me ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë (Paruean). Kjo ndodhi para se të shkonin në luginën e Inakut/ Arakthit (lumë që derdhet në gjirin e Artës), prej nga përzunë inakët dhe akejtë (sipas Hamondit). Studiuesi Ilir Cenollari, në librin “Profecitë e Zotit të Tomorit”, duke iu referuar Homerit, thotë se enianët banonin pranë lumit Europë. Prej andej u dëbuan nga lapitët, duke u bashkuar me ethikët, pastaj pushtuan Paruenë. Më vonë u vendosën pranë Inakut, ku krijuan një shtet të pavarur.

Hamondi i vendos enianët në territorin e parauejve, që do të thotë se këto fise janë të njëjtë etnikisht, por u përkasin periudhave të ndryshme historike. Lapët, sipas shpjegimit të mësipërm gjenden në territorin e sotëm të Labërisë, parauejtë në luginën e sipërme të Vjosës, ethikët në Pind, kufi me parauejtë. Kjo tregon se enianët, ethikët, parauejtë, lapitët, gjenden pranë njëri-tjetrit, përderisa kanë marrëdhënie të ngushta mes tyre.

Lëvizja e popullsisë nga një vend në tjetrin ka qenë e shpeshtë, madje në përmasa të mëdha. Paul Kretschmer shkruan se mesapët dhe japygët janë një fis që u shkëput nga brigjet ilire në prehistori dhe u vendos në jug të Italisë. Herodoti përmend venetët si fis ilir, të cilët banonin në Italinë Veriore. Kur flet për mesapët dhe japygët, Kretschmer përmend vargjet 360-364 të Skymni te “Periegesis”: Fill pas Italisë, ngushtica e Jonit, / gjendet; dhe duke zbritur në drejtim të hyrjes / banojnë japygët. Pas tyre vijnë oinotrët / brentesi liman i mesapëve, kurse përkundrejt tyre janë malet Keraune. Ndërsa Hermes i lidh japygët italikë me japudët ilir.

Sipas Ilir Cenollarit (Profecitë e Zotit të Tomorit), në rast se enianët ndodheshin në luginën e Janinës, duhet të kishin ikur drejt jugut, në luginën e lumit të Arakthit, meqë ky vend ndodhej më pranë, e jo drejt veriut, te ethikët. Në rast sulmesh,rrugën e tërheqjes ta imponon armiku dhe nuk mund ta zgjedhësh sipas dëshirës. Enianët mund të kishin arsye të tjera për të ikur te ethikët e jo në luginën e Arakthit. Studiuesi Cenollari përmend një “Inakargë”. Arkati në kohët homerike quhej  Inak dhe më pas Argeia, përkatësisht Arkato. Autoret e antikitetit thonë se nga mali Lakmon rrjedh Aos që derdhet në Adriatik dhe Inaku në Gjirin e Ambraqisë ( Tit Livi, f. 126).

Mateli, duke cituar Hammond shton se “enianët u dëbuan nga fusha dotiane prej lapitëve, për t’u bashkuar me ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë, përpara se të shkonin në Kira dhe të vendoseshin përfundimisht në krahinën e Inakut argjiv, atje ku përzunë inakët dhe akejtë”. Plutarku i  njihte më mirë endjet e tyre. Ai pohon se Enianët u dëbuan nga fusha Dotiane prej Lapitëve për t`u bashkuar me Ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë (Paruea), përpara se të shkonin në Kirra dhe të vendoseshin përfundimisht në krahinën afër Inakut Argjiv, atje ku përzunë Inakët dhe Akejtë” (N.G.L. Hamond, Epiri, botuar nga Qendra e Studimeve Shqiptare, Tiranë 2004, f. 120).

Më sipër u tregua se Paruea, vendi i parauejve, ndodhej në veri të Molosisë. Mateli i vendos molosët në krahinën e sotme të Zagorisë, që në sllavisht ka kuptimin “krahina prapa maleve”. Aty pranë ndodhet edhe fshati i sotëm i Malëshovës, një emërtim që vjen nga emri shqip: Malas, Malaj, me një prapashtesë sllave – ovë. Këto fakte, si dhe emërtimi Mezhgoran i krahinës prapa malit të Trebeshinës, i jep të drejtë Matelit, që këtë rajon ta konsiderojë si Molosi (Malësi). Dy studiues, K. Mateli dhe I. Cenollari, i vendosin enianët në luginën e Përmetit dhe jo në atë të Janinës. Të dhënën e autorit I. Cenollari, se enianët banonin pranë lumit Europë, Mateli e interpreton si lumin e sotëm të Çarçovës. Homeri i vë pranë enianët me perrebët. Në hartat e tij, ata gjenden pranë njëri-tjetrit, në afërsi të vendderdhjes së lumit të Çarçovës në Vjosë. Por, në këtë rast, duket sikur nuk përfillet fakti i dhënë nga Homeri në “Iliada”, sipas të cilit: Guneu që solli me galët e tij enianët dhe perrebët në luftën e Trojës, ishte nga Qifi, qytet i Thesalisë; enianët ishin banorë të qytetit Enia të Thesalisë (Kënga II, vargu 908 në “Iliada”; Qifi gjendej pranë malit Olimp në Thesali, në krahinën ku banonin perrebët (Iliada, Kënga II, vargu 907).

Në shekullin e IV nuk kishte as enianë dhe as athamanë në Dodonë, sepse ata ishin përzënë që andej që pas Luftës së Trojës, dëshmi që vjen nga Plutarku. Athamanët ishin fisi i tretë që u dëbua nga fusha dodonase prej lapathëve (lapitëve). Athamanët (të quajtur fisi ilir dhe jo pellazg) duhet të kenë qenë vendosur në verilindje të Sellopisë, me epiqendër aty ku sot është Ballabani. Një argument për këtë është se athamanët ishin ilirë dhe kështu u quajtën të gjitha fiset që shtriheshin në veri të Dodonës. Edhe pasi u dëbuan nga fusha dodonase, në territorin e ri të tyre (d.m.th. në shpatin perëndimor të Pindit, përballë Janinës, N. D.), athamanët u quajtën fis ilir, për shkak të origjinës. Me përzierjen e këtyre fiseve, kaonët e shtrinë plotësisht zotërimin mbi Dodonë. Dionis Halikarnasi thotë se qyteti i Dodonës banohej prej kaonëve, gjyshërve të lapathëve (K. Mateli i njëjton lapathët e Dionis Halikarnasit (Denys d’ Halicarnasse) me labët e sotëm). Stefan Byzantini (shek. VI pas Krishtit) tregon se Athamania është krahinë e Ilirisë. Ndërsa studiuesi Hasan Ceka, qenien ilirë të athanianëve e lidh me traditat dhe zakonet. Një prej tyre është ngarkesa e grave me punimet bujqësore, zakon i cili është trashëguar dhe ka ardhur deri në ditët tona, karakteristike për disa treva në jug të Shqipërisë.

Studiuesi K. Mateli na thotë se, athamanët, pasi u dëbuan nga lapitët, që ai i identifikon me labët e Kurveleshit, u vendosën në faqen perëndimore të maleve të Pindit, përballë Janinës. Ndërsa kaonët ose labët, u bënë zotër të Dodonës, që Mateli e konsideron si Dodonën e Këlcyrës. Në mbështetje të mendimit të tij, ai sjell edhe faktin që konsulli romak kërkoi të bëjë aleancë me athamanët, të cilët sipas tij ishin ilirë të rrethinave të Ballabanit të sotëm. Kjo tezë bëhet e besueshme ngaqë edhe të ftuarit e tjerë nga konsulli romak ishin ilirë e dardanë. Mirëpo, konsulli romak kërkoi të përfshijë në aleancë edhe etolasit, që banonin shumë më në jug se athamanët e Pindit, në bregun verior të gjirit të Korinthit, në veri të Peloponezit. Përderisa konsulli romak kërkoi të përfshinte në aleancën e tij Etolinë e largët, ai s’kishte si të mos përfshinte në këtë aleancë athamanët, në lindje të Janinës. Pra, athamanët që morën pjesë në aleancë me konsullin romak, bashkë me dardanët dhe ilirët, janë athamanët e Pindit. Athamanët e Këlcyrës ndoshta janë ata që u shpërngulën nga Pindi, nën presionin e lapitëve të Thesalisë, apo të labëve (kaonëve) të Kurveleshit të sotëm. Kjo nuk e cenon teorinë e Matelit, por shtron nevojën për studime të mëtejshme nga Akademia e Shkencave. Pra, nevojitet një studim më i plotë, që të saktësojë përfundimisht se cilët fise e vunë nën zotërim Dodonën, kaonët/lapët e Epirit apo lapitët e Thesalisë.

Parauejt, sipas Matelit, kanë qenë një nga fiset më të rëndësishme të Thesprotisë. Këtë fis ai e vendos përgjatë Vjosës, (rrëzë maleve Nemërçkë dhe Dhëmbel – N.D.). Thesprotia identifikohej me Epirin. Me dominimin e kaonëve në fillim dhe të molosëve më vonë, kufijtë e Thesprotisë u tkurrën në ato që njohim gjatë kohës së Antikitetit, por parauejtë u quajtën thesprotë për shkak të origjinës së tyre. Sipas Stefan Bizantinit, parauejt ishin fis thesprot dhe banonin pranë lumit Vjosë (Auo). Fqinjë me parauejtë ishin tymfejtë, fis që banonte në juglindje të Kaonisë, në trevën që shtrihej nga krahina e Konicës deri në viset e Zagorisë. Në kohët parahomerike, parauejtë janë shtrirë në krahun e majtë të lumit të Vjosës, deri në takimin e tyre me tymfejtë. Por, me dëbimin e enianëve nga fusha dodonase, parauejve iu krijua mundësia për t’u shtrirë edhe në krahun e djathtë të lumit të Vjosës (Aosit).

Vëmë re se parauejt dhe enianët janë i njëjti popull dhe se emrat enianë (ujënianë – “banorë në anë të ujit” dhe parauej – banorë para/pranë ujit) janë të njëkuptimtë. Gjithashtu vendndodhja e tyre në rrethinat e qytetit të sotëm të Konicës, deri në derdhjen e lumit Drinos në Vjosë (sipas Atlasit të Historisë së Shqipërisë) tregon se ky fis e kishte marrë emrin e tij nga prania e ujërave, dhe pikërisht nga krahina e Konicës (Akonica – nga rrënja “ak” – “ujë”). Kjo për faktin se në perëndim të këtij qyteti, pranë bashkimit të lumit Vikos me Vjosën, shihet edhe sot një hapësirë e përmbytur nga ujërat, si ajo që ndodhet në veriperëndim të Janinës. Prandaj “djepin” e parauejve duhet ta kërkojmë në rrethinat e Konicës, deri në rrëzë të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, buzë Vjosës. Sipas Plutarkut, Parauea përbënte krahinën veriore të Molosisë. Mirëpo veriu i Molosisë, është pikërisht rajoni i Konicës, ku fillon vargmali i Pindit, që shtrihet drejt juglindjes. Në hartat e sotme shënohet si Malet e Zagorionit dhe jo thjesht malet e Zagorisë, që ndodhen në kufi me nënprefekturën e Përmetit, por që dikur edhe krahina e Zagorisë ishte nën administrimin e saj.

Vendndodhjen e ethikëve Mateli e përcakton në anën veriperëndimore të vargmalit të Pindit, në jugperëndim të qytetit të Konicës, pranë vendit ku Vjosa pret kufirin shtetëror Greqi – Shqipëri. Ai i referohet Strabonit që thotë se, në veri të maleve të Pindit shtrihet Maqedonia dhe në faqen perëndimore të këtyre maleve banojnë etolët, akarnanëtamfilokët dhe dy fise epirote: athamanëtdhe molosët, si dhe toka e quajtur dikur e ethikëve, e gjitha rreth Pindit.

Në këtë përshkrim të vendosjes së fiseve, në faqen perëndimore të maleve të Pindit, Straboni i rreshton ato duke u nisur nga juglindja drejt veriperëndimit dhe mbërrin në bregun jugor të Vjosës, në anën veriore të së cilës shtrihet qyteti i sotëm i Konicës. Vëmë re që Straboni konsideron si fise epirote veriore athamanët (në lindje të Janinës) dhe molosët në veri të tyre (pranë burimeve të lumenjve Kalamas dhe Drinos, në jugperëndim të Konicës – N.D.). Ndërsa Ethikia përbën anën perëndimore të malit të sotëm të Arenës, ose këndin që formojnë Vjosa dhe Vikosi, pranë bashkimit të tyre në perëndim të qytetit të Konicës.

Lidhur me popullsinë në trojet ballkanike, Ami Boué shkruante se ishte e vështirë të përcaktohej numri real, pasi në Perandorinë Osmane nuk bëhej regjistrim i saktë i popullsisë. Lindjet dhe vdekjet nuk regjistroheshin, por bazoheshin thjesht në numrin e shtëpive. Shqiptarët i ndanin nëgegë dhe toskë. Toskëria apo Tosluk siç e quanin osmanët, banohej nga toskët, midis të cilëve dallonin toskët e jugut të Shqipërisë dhe toskidët që popullonin Shqipërinë e Mesme. Banorët përreth maleve Akrokeraune, i cili njihej dhe me emrin Japuria, quheshin japidë. Tërë krahina e Çamërisë (Chamouria) nga Janina deri në det, banohej nga çamët. Në Epir kishte dhe liap (lab), të cilët i përmend dhe Fallmerayer. Shqiptarët toskë në Epir i ndanin në fise, që u thoshin phara (fara), ku bënin pjesë tërë banorët toskë të Myzeqesë, Dukatit, Himarës e Tomoricës. Në lindje të Përmetit, Këlcyrës dhe Tepelenës ishin abantët.

Literatura

Në pamundësi për t’i cituar të gjithë autorët, për shkak të veçorisë së artikullit që publikohet në gazetë, po e japim literaturën të plotë

BARON, Descamps, L’avenir de l’Albanie, Louvian: Sharles Peeters, 1913

BARTOTHELEMEU, J.J., Voyage du jeune anacharsis en Grèce dans le milieu du quartièmesiècle avant l’ere vulgare, Tom troisième, Paris, 1790.

BERNATZIK, Hugo Adolf, Shqipëria – vendi i shqiptarëve, përktheu Taulant Hatia, Tiranë: Uegen, 2003.

BONLŒW, Louis, Analyse de la langue albanaise: etude grammaire comparée, Paris: Maisonneuve et Cie, 1879.

BONLŒW, Louis, La Grèce avant les grecs: étude linguistique & ethnologique: Pélasges, Léléges, Sémites & Ioniens, Paris: Maisonneuve et Cie, Éditeurs, 1877.

BOUÈ, Ami, La Turquie d’Europe (Deuxiéme partie, Partie erthnologique), Tom 2, Paris: Arthus Bertrand, 1840.

BOUÈ, Ami, Partie de géographie, de geologie et d’istorie natyrelle, la statistique…, Tom 1, Paris: Arthus Bertrand, 1840.

BOURCART, Jacques, L’Albanie et les albanais, Paris: Editions Bossard, 1921.

BOURCART, Jacques, Les confins albanais adminstrés par la France, 1916-1920, Parigi: Delgrave, 1922.

CABROL, Èlie, Voyage en Grèce 1889, Paris: Libraierie de bibliophiles, 1890.

CANCO, Dhimitër, Epiri-vështrim historik dhe etnografik, Tiranë: Botimet Toena, 1999.

CARAPANOS, Constandin, Dodone et ses ruines, (vol. I tekst, vol. II planche), Paris: Hachette et Cie, 1878.

CASTELLAN, Georges, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë: Çabej, 1996.

CEKA, Hasan, Në kërkim të historisë ilire, Tiranë: Akademia e Shkencave, 1998.

CEKA, Neritan, Ilirët, Tiranë: SHBLU, 2000.

CENOLLARI, Ilir, Profecitë e Zotit të Tomorrit (studim historik), Berat: Jonalda, 2004

DEMIRAJ, Shaban, Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë, 2008.

DEMIRAJ, Shaban, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Universitar, 1988.

EFFENDI, Vasa, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, studim historik (përkthyer nga Mehdi Frashëri), Tiranë: 1935.

FALLMERAYER, Jacob Philipp, Elementi shqiptar në Greqi, përktheu Nestor Nepravishta, Tiranë: Saraçi, 2003.

FAVERYRIAL, Jean-Claude, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, përktheu Gent Ulqini, Tiranë: Plejad, 2004.

FRASHËRI, Sami, Kush e prish paqen në Ballkan, Pejë: Dukagjini, 2000.

FRASHËRI, Sami, Personalitete shqiptare Kāmūs Al-A’Lām, zgjodhi, pwrktheu e shpjegoi, Mehdi Polisi, Shkup, Logos-A, 2002.

FRASHËRI, Sami, Vepra 7, Kāmūs Al-A’Lām (Enciklopedia – pjesë të zgjedhura), përktheu Feti Mehdiu, Prishtinë: Rilindja, 1984

GABRIEL, Louis Jaray, L’Albanie inconnue, Parigi: Hachette, 1913.

HAHN, Johann Georg von, Albaneische Studien (Studime shqiptare), Wienna, 1854, në: Autoktonia e shqiptarëve (në studimet gjermane), përktheu Nestor R. Çabej, Tiranë: 8 Nëntori, 1990,

HOLLAND, Henry, Mjek te Ali Pasha, përktheu Arbëria Dobi, Tiranë: Migjeni, 2008.

Homeri, Iliada, përkthyer nga Gjon Shllaku, Tiranë: Onufri, 2006.

Homeri, Odiseeja, përktheu Pashko Gjeçi, Prishtinë: Gjon Buzuku, 2006.

Homerus, Iliada, përktheu Gjon Shllaku, Tiranë: Onufri, 2015.

JACQUES, Edwin, Shqiptarët (historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme) Fondacioni Abraham Linkoln, Tiranë: Kartë e Pendë, 1995.

JARAY, Gabriel Louis, Au jenne Royaume d’ Albanie, (Ce qu’il a été = Ce qu’il est), Paris: Hachette et Cie, 1914.

KABANE, Pierre, Historia e Adriatikut, Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, 2005.

KAPLLAN, Robert D., Greqia: Dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes, Tiranë: Dituria, 2002.

KOCAQI, Elena, Albanët, pellazgo – iliro-shqiptarët me famë botërore, Tiranë, Plejad, 2008.

KOLA, Aristidh, Arvanitët dhe prejardhja e grekëve, vështrim historik-folklorik-politik-gjuhësor, Tiranë: Shtëpia Botuese 55, 2002.

KOLA, Aristidh, Gjuha e perëndive, Tiranë: Shtëpia Botuese Plejad, 2003.

KONDO, Spiro, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tiranë: Shtypshkronja Mihal Duri, 1964.

Konferenca e I e Studimeve Albanologjike, 15-20 nëntor 1962, Tiranë: Universiteti Shtetwror i Tiranws, 1965.

KORKUTI, Muzafer, Parailirët, ilirët, arbërit, Tiranë: Toena, 2003.

KRETSCHMER, Paul, Ditunia gjuhore indogjermane, përktheu Karl Gurakuqi, Tiranë: Fryma, 2007

La Nuova Turchia, Ettore Anchieri, Elio Migliorini, Santi Nava, Ettore Rossi, Firenze: Edizione Romana, 1939.

La Question Albanaise, Paris, 1913 / autorë F. Bianconi, Georges Bienaimé, André Chéradame, Raymond Perraud, De Wesselitsky, G. Yakchitch.

LEAKE, William Martin, Kërkime për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, përktheu Xhevat Lloshi, Tiranë: Bota shqiptare, 2006.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, IV, London: J. Rodwell, 1835.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, V. 2, London: J. Rodwell NewBond Street, 1835.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, V. I, London: J. Rodwell New Bond Street, 1835.

LEAKE, William Martin, Udhëtim në Shqipërinë e vezirëve, përktheu Nestor Nepravishta, Tiranë: Migjeni, 2008.

LEAR, Edward, Edward Lear në Shqipëriditar udhëtimesh: 1848-1849, perktheu Majlinda Nishku, Tiranë: Plejad, 2008.

LIVIUS, Tit, Libro XLV delle “storie”, Milano: Carlo Signoreli, 1935.

LIVIUS, Titus, Histoire Romaine, Tom 1-3, Paris: Hachette, 1867.

MATELI, Kujtim Mateli, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, Tiranë: EMAL, 2011.

MATI, Ilir, Një shqiptar në botën e etruskëve, Tiranë: Omsca, 2000.

Patrick Colquhoun & Pashko Wassa, Pellazgët, pasardhësit e tyre të sotëm dhe origjina pellazge e poemave të Homerit, Prishtinë, 2017

PINON, René, L’Europe et l’Empire ottoman: Les aspect actuels de la question d’Orient, Paris: Perrin et Cie, Libraires – éditeur, 1908.

PINON, René, L’Europe et la jeune Turquie, Les aspect actuels de la question d’Orient, Paris: Perrin et Cie, Libraires – éditeur, 1911.

PLINIUS, Caius Secondos, Histoire naturelle, Paris: Belle Lettres, 1965.

PLUTARCHUS, Jetë njerëzish të shquar të lashtësisë, përktheu Shpëtim Çuçka, Tiranë: Naim Frashëri, 1980.

PLUTARCHUS, Pirroja (jetë paralele), përktheu Sotir Papristo, Tiranë: Logoreci, 2000.

POUQUEVILLE, Françoi C. H., Viaggio in Morea a Costantinopoli ed in Albania, Tom VII, Torino: Delle Stamperia Alliana, 1829.

POUQUEVILLE, Françoi, Ali Tepelena ose pjesa e librit “Historia e ringjalljes së Greqisë”, shqipëroi me studim Ardian Klosi, Tiranë: K&B, 2009.

POUQUEVILLE, Françoi, Histoire de la regeneration de la Grèce, Tom II, deuxieme edition, Paris: Firmin Didot Frères, Fils et Cie., MDCCCXXV (1825).

POUQUEVILLE, Françoi, Viaggio in Morea a Costantinopoli ed in Albania, Tom VI, Torino: Delle Stamperia Alliana, 1829.

POUQUEVILLE, Françoi, Voyage de la Grèce, Tom 3, Paris: Firmin Didot Pére et Fils, 1821.

POUQUEVILLE, Françoi, Voyage de la Grèce, Tom I, 2-ème edition, Paris: Firmin Didot Pére et Fils, 1821.

SPAHIU, Arsim, Gjuha e epirotëve të vjetër, Tiranë: Princi, 2010.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                    SPAHIU, Arsim, Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, Vëll. II, Tiranë: Geer, 2009

SPAHIU, Arsim, Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër, Tiranë: Shtypshkrnja Adel Co, 2018.

SPAHIU, Arsim, Mitologjia dhe feja epirote, Tiranë: Ger, 2008.

SPAHIU, Arsim, Orakulli i Dodonës dhe epirotët, shek. XX-II p.e. së re, Vëll. I (Mitologjia dhe feja epirote), Tiranë: Geer, 2008.

SPAHIU, Arsim, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër (temë për doktoraturë), përktheu nga frëngjishtja, Alketa Spahiu, Tiranë, 2006.

SPAHIU, Arsim, Triptik epirot (Numismatikë, antropologji dhe pak etnografi epirote), Tiranë: Adelprint, 2012.

STICKNEY, Pierpont Edith, Shqipëria jugore ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare, 1912-1923, Tiranë: Koha, 1998.

TIRTA, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Tiranë: Shkenca, 2004.

THUNMANN, J. Historia dhe gjuha e shqiptarëve dhe vllehëve (Pjesë e librit “Studime mbi historinë e popujve të Europës Lindore”), Leipzig 1774, Përktheu Albert Gjoka, Frida Vokopola, Tiranë, 2018,

WILLIAMS, George Fred, Shqiptarët, përktheu Akil Bubësi, Tiranë: Argeta LMG, 2003.

XYLANDER, Jozef Ritter von, Gjuha e albanëve ose shkipëtarëve, (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren, Frankfurt am Main, 1835), përkthyen Albert Gjoka dhe Frida Vokopola, Tiranë: Shtypshkronja “Turdiu”, 2018.

Please follow and like us: