Ermal Mulosmani: Kush e bën ligjin?
Kohë të shkuara, diku në fillim të viteve 2000, në një nga këto takimet rutinore me të huajt që na konsultonin për ligje e reforma, po flisja për korrupsionin. Në perceptimin tim, korrupsioni është në përpjesëtim me varfërinë dhe nivelin e zhvillimit. Pra, sa më i varfër e i pazhvilluar një popull, një vend, një shoqëri, aq më i korruptuar do jetë.
Bashkëbiseduesi im qeshi. Më tha: “Niveli i korrupsionit në Shqipëri është në nivele foshnjarake, korrupsion fillestarësh. Këtu vidhet ndonjë gjë nëpër tendera, jepen bakshishe për vende pune, për favore e gjëra të tilla. Pra, jeni në përpjekje për t’i ikur ligjit. Kjo është faza embrionale dhe më amatore e korrupsionit. Biznesi dhe shteti janë dy palë në llogore të ndryshme. Sapo biznesi të bëhet një me shtetin, të diktojë ligjet, të vjedhë me ligj, të bëjë ligje të posaçme për vete, të jetë partner në vjedhje me pushtetarët, atëherë jemi në fazën e rrezikshme të korrupsionit. Jemi në kapjen e shtetit”.
Kështu më tha burri i huaj rreth 20 vite më parë… Pra, ne ishim hajdutë xhepash me aspirata të bëhemi hajdutë bankash. Shpresoja shumë që eksperti të fliste për një eksperiencë ndoshta të vendeve afrikane ose latine, që kurrë nuk do të mbërrinte në dyert tona.
Por, ja ku jemi sot.
Fillimisht partitë politike përfshinë në lista biznesmenë të fortë, që kishin ndikim nëpër zona elektorale. Sigurisht, këta të fortë u bënë deputetë dhe tërhoqën edhe adhurimin e kryetarucëve të partive. U futën deputetët e parë biznesmenë, që ua lanë bizneset grave e fëmijëve, por nën rrogoz punonin të bënin ligje për eliminimin e barrërave fiskale, konkurrencës dhe i hapnin rrugë lulëzimit financiar. Duke qenë pak i përhapur, në fillimet e veta, dukej si fenomen i veçuar, i parrezikshëm.
Biznesmenët e parë shqiptarë që filluan të merreshin me politikë kishin një veçori interesante, pakkush e dinte historinë e tyre të suksesit. Cilësia kryesore e tyre ishte reputacioni prej të forti, që merret edhe me ndonjë biznes. Medoemos me shumë ndikim në ndonjë zonë të caktuar.
Ky ishte shembulli tipik i deputetit të fortë biznesmen.
I pari që u ngazëllye nga ky tip biznesmeni ishte Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama. Ai, në përpjekje për t’u përballur me një Berishë të fortë, zgjodhi të kishte aleatë njerëz të tillë, që kishin përveç të tjerave elektorat, të shkuar misterioze, pushtet në botën e krimit dhe të rrugës dhe një agresivitet të skajshëm. Dukej se të qëndruarit pranë njerëzve të tillë, ose afërsia me ta ishte një lloj mbrojtjeje ndaj Berishës dhe pushtetit të tij, por edhe një afërsi natyrale e kryetarit me ta.
Përveç faktit që i duheshin për efekte elektorale.
Pra, Edi Rama po e linte të ardhmen e vet politike peng të këtyre njerëzve. Bëhej fjalë për periudhën e parë të pushtetit të Berishës, vitet 2005-2009.
Nga ana tjetër, Berisha e kishte kaluar këtë fazë në qeverisjen e parë të tij, nuk e joshte më. Kërbaçi ishte një instrument pa të ardhme, ndaj Berisha i dytë u shtrua me kulaçin. Ai i eliminoi të fortët nga tavolinat dhe zyrat e veta dhe filloi të afrojë një dukje tjetër. Fillimisht afroi disa këshilltarë që u vetëquanin “liberalë” dhe i reklamonte shumë nëpër gazetarë. Derisa një mik i tij i vjetër i atyre kohëve, kur e pyeti Berisha “Mero, si po të duken këshilltarët” – iu përgjigj me humor: “Doktor, do kesh shumë punë t’i këshillosh”!
E kështu u hap një kapitull i ri, kapitulli i mbretërimit të oligarkëve të medias.
Rrethi i miqve të orëve të vona të natës, darkave me verë të mirë franceze filloi të zgjerohej. Aty tani duheshin edhe biznesmenë të artikuluar e me humor, rondokopë që dinë të bëjnë muhabet, por edhe biznes në orët e vona mes verës dhe zjarrit të oxhakut.
Doktori u zbut, punët shkonin mbroth. Miqtë e darkave ishin edhe miq të shtetit. Domethënë të tenderave, parave shtetërore etj., etj.
Edi Rama e ndiqte me zili këtë zhvillim të ri në kampin e pushtetit. I dukej se pushteti ishte afër, ndaj bëri një marrëveshje të tmerrshme me Berishën. “Ta bëjmë Shqipërinë mbretëri”, – u çoi selam përmes miqve të përbashkët të tavolinave të natës, një herë unë, një herë ti. Të heqim këta morrat e vegjël nga këmbët, i fusim disa ndryshime kushtetuese dhe, vëlla, kush të fitojë, të jetojë si mbret! Deputetët i vendosim vetë, zgjedhjet i fitojmë o unë, o ti e kështu mbretërojmë”.
Berisha qeshi kur ia thanë. Qerratai, mirë e ka menduar. Veç do i kthehet kundër u tha bashkëbiseduesve. Tavolina u gajas. E kështu u bë, deputetët votuan fundin e pavarësisë atë vit. Ishte 2008.
Në 2009 zgjedhjet i fitoi Berisha. Të paktën mori 70 deputetë dhe Rama ra në zhgënjim të thellë. Kush duronte Berishën edhe 4 vjet!
Por 4 vjet kaluan. Sigurisht me peripeci, vrasje, vjedhje, skandale e këso gjërash të vogla. Dhe ja ku erdhi 2013 e bekuar!
Tavolina kryesore është e njëjta, ndryshon vetëm Berisha. Por, Edi Rama si më i sofistikuar ka edhe tavolina të tjera, oligarkë të tjerë. Ai tashmë nuk rri me të fortët e dikurshëm. Ata janë shpallur të padobishëm. Të fortët e rinj janë intelektualë, flasin me zë të ulët, vishen bukur, kanë shije të sofistikuara, vila, biznese e kulla shumëkatëshe të firmosura nga mjeshtra evropianë të arkitekturës.
Sot kemi ligje që kanë emra biznesmenësh, kemi tendera që fitohen me ligje speciale, me prokurim të drejtpërdrejtë. Kemi futur konceptin e mrekullueshëm “Negociata”. Dhe jo me Bashkimin Evropian joooo, qoftë larg! Negociata me biznesin! Se çfarë dreqin flitet në ato negociata, këtu nuk është e qartë.
Por, negociatë është fjalë e bukur, populli e pëlqen./gazeta express/