Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: PËRTEJ CAQEVE TË POEZISË

Image result for Prend Buzhala: PSHERËTIMA PERGAMENE

 

Rozafa, Prishtinë, 2017

“Reshje bukurie, Pagjumësia e pikëllimit, Diellësi e heshtjes, Drithërime malli, Etjet e prushta, Ringjallja e dritës, Pagjumësi muzgu, Pëshpëritje të dremitura, Gërmime rrënjësh”, janë nëntë tituj ciklesh të lëndës së gjerë poetike të krijimtarisë artistike të poetit, kritikut, eseistit, shkrimtarit e publicistit Prend Ndue Buzhala, që përmes  librit “Psherëtima pergamene”, botuar nga Shtëpia botuese Rozafa, më 2017, përfaqësojnë opusin e deritashëm të këtij poeti inventiv. Opusi poetik i Prend Buzhalës ende vijon të përmbushet, sepse Ai si duket përfilli këshillën e përvojës  së teorikut letrar, Ostin Voren: Asnjë ditë pa ndonjë rresht.

Studiuesi Anton Nikë Berisha në pasuesin fundor të studimit, i thotë titujt e vëllimeve poetike të Prend Buzhalës, prej nga ka përzgjedhur veçantinë për të ndërtuar këtë tërësi poetike: “O Amë, o Amë”, Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë, më 1995; “Për kë bie kambanë e re”, Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë, 1998;  “Shtatë seanca pranë Apokalipsit”, Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 1998; “Këpucët e rënda të lirisë”, Klubi i shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë, 2012; “Çaste lirike”I, Prishtina Press, Prishtinë, 2014; “Çaste lirike”II, Rozafa, Prishtinë, 2015; Tregime të  shenjta”, Rozafa, Prishtinë, 2015.

Kush është përzgjedhësi i këtij vëllimi përmbledhës të poezisë së Prend Ndue Buzhalës? Prozator, poet, kritik letrar, studiues i traditës dhe vlerave moderne, mendimtar, estet, përkthyes,  dhe intelektual elitar: Anton Nikë Berisha është vlerë e gjallë tejet e begatë dhe e çmuar e letrave dhe mendimit shqiptar. Të gjitha konsideratat për këtë ligjërues e njeri me virtyte të larta njerëzore, profesionale, kombëtare e universale, i përtrollit krijimtaria artistike, diskurset e dijes të drejtimit euro-atlantik dhe zemërgjerësia e tij e paanë.

Në librin “Psherëtima pergamene”, studiuesi Anton Nikë Berisha ka renditur njëqind e dyzet poezi të poetit Prend Buzhala nga përmbledhjet e cituara. Mirëpo, poeti Prend Buzhala, si e thamë, nuk ka pushuar së shkruari. Ai ka vijuar dhe vijon të sjellë vlera poetike. Portreti i tij letrar nuk futet dot në korniza të ngushta. Çka duam të themi? Ky qëmtues e kultivues, ose “përftues” vlerash iu përket shkrim-përftuesve më prodhimtarë në letrat e shqip-shkrimit.

Përzgjedhjes së poezive të këtij libri i prinë studimi përgjithësues i Profesor Anton Nikë Berishës, “Poezi e mbrujtur me art të madh” prej njëzet e gjashtë faqesh libri 21cm. Duke përfillë kriterin e rreptësinë metodologjike të qasjeve vlerësuese  të Profesorit dije-gjerë e shpirt-deti, Anton Nikë Berishës, aq sa më lejohet të pohoj, një shkallë të tillë ose gradë të lartë vlerësimi, Profesori Anton nuk është i prirë t`ua nënshkruajë aq lehtë autorëve të cilësdo prejardhje. Poezinë e Prend Buzhalës e cilësoi si poezi “e mbrujtur me art të madh.” Një diskurs kësisoj në kahet dhënësi-marrësi, lexuesi-vlerësuesi ose peshë-matësi i veçorive të artit të fjalës, i shfaq  konsideratën burimit tij magjik. Si? Gjithnjë duke e ruajtur pastërtinë dhe rrjedhën e kulluar të atij burimi… Burimi i asaj rrjedhe është poeti, një krijesë sublime e natyrës dhe frymës së Hyjnores. Kësaj krijese natyra i dha gjithë përbërësit e saj: gurin për eshtra, ujin e kuq për damarët e lumenjve të rrjedhjes vertikale,  drurin për kurorë gjethesh e frutash, zonat e butësisë e qelizat e pllenimit, por dhe lakminë e egos grabitqare dhe mëkatin; ndjenjat e dhimbjes e të gëzimit, fijet e holla të pejzave të ndjeshmërisë nervore dhe, atë dhuntinë më të përsosur, mendjen. Kjo krijesë mori kahen e përsosjes, por asnjëherë nuk u kënaq me atë që i ofronte natyra…As ligjet e qytetërimit… As lutjet altarëve… Ndaj, mësymjet e kësaj krijese rezultuan në qëllime marramendëse: ligj-thyerje, pushtimin e natyrës dhe të baraspeshës njerëzore… Vendosjen e vullnetit vetjak mbi gjithçka: mbi natyrën dhe paqen e njerëzimit! Më tej, mësymja nuk kishte të ndalur, ngase  përmasat e vullnetit grabitqar u shtrinë tek frenimi i lirisë së njeriut, përgjimit të çdo rebelimi legjitim, ndjekjes së lirisë së individit dhe të masës, trazimit të shpirtit njerëzor, kontrollit të identitetit… Kjo forcë çnjerëzore u shndërrua në mbinjeri përmes super-shtetit, super-kompanive, super-fitimit, super-sustës së zhdukjes, duke varfëruar e tjetërsuar vullnetin e lirë të popujve e të racës së njerëzimit me ankthin e asgjësimit!

Teksti poetik i Prend Ndue Buzhalës  ngërthen botën e individit, universin dhe hyjnoren, pengun dhe dilemat e kapërcimit ekzistencial të skllavërisë së zbukuruar, përbërësit e veçantë që e gllabërojnë përmbushjen e lumturisë, jetën dhe amshimin, ëndrrën dhe zhgjëndrrën, shkëmbimin e njërës për tjetrën. Variacionet poetike të infrastrukturës njerëzore dhe të superstrukturës shpirtërore, ngjyrat, trajtat e urave që lidhin pamjet, lëvizjet e gjendjeve, të temperaturave shoqërore, hyrjet dhe daljet në dukuri të dukshme e të padukshme, të prekshme e fiktive, dhimbjen dhe ngazëllimin e matur, urtinë e ndjenjës  dhe qëmtimin e saj të përzgjedhur, vetëgjykimin për t`iu falur ose jo mëkati  Mëshirës Hyjnore… Opusi i këtillë art(j)etik do të arrijë të rrumbullakojë ” një rrafsh të lartë artistik”, konstaton Anton Nikë Berisha.

Në qasjen përgjithësuese për poezinë e përzgjedhur të Prend Buzhalës, Profesor Anton Nikë Berisha sjell konstatimin e ndikimit asimilues, që në krye të herës, nga poetët ose brezat e poetëve bartet tek poetë të brezave pasues. Pohimin ia përtrollitin personalitetet e artit të poezisë dhe të skulpturës Th. S. Eliot e Odhise Paskali, të cilëve iu referohet pikërisht në këtë kontekst. Modelimi nga përvoja e njëri-tjetrit dhe jo kopjimi, kushtëzuan pasurimin e shprehjes e të stileve artistike. Në vazhdën e plotësisë së këtij diskursi le të nënvizojmë pohimin përkufizues  të Anton Nikë Berishës “Të mësosh prej mjeshtërve të mëdhenj, domethënë të synosh të krijosh artin e fjalës  që mbijeton nëpër kohë.”(Poezi e mbrujtur me art të madh)[1]

Studiuesi Anton Nikë Berisha përmes citatesh e referencash të shkrimtarëve e dijetarëve me nam, si Pjetër Bogdani, At Gjergj Fishta, Daniele Giancane(Xhankane), Kahlil Gibran e të tjerë, të cilët kishin nxjerr përmbyllje estetike e filozofike për të bukurën në rrjedhat e përthyera të përvojës; shqyrtimin për poezinë e Prend Buzhalës mëton dhe arrin ta përafrojë me nivelin e shqyrtimit të tyre teorik-estetik e filozofik. Ai nga tërësia e kësaj poezie veçoi morinë e përbërësve thelbësorë të poezisë: larushinë tematike,  reflektimet e përsiatjeve të ndezura nga ndjenjat dhe të ftohura nga mendje-hollësia, zënia e dritë-hijeve figurative, kontrastet e mprehta të jetës urbane, tezat dhe kundër-tezat, variacionet e durimit, dilemat ekzistenciale të individit dhe përjashtimi i tij nga turma e uniformës, fati i të zvetënuarit brenda kolektivitetit të caktuar…

Me çfarë mjetesh e shenjash poeti mund t`i merrte këto dukuri, ose ontologjinë e dukurive të sferës qytetëruese dhe t`i fuste në vargje, kur ndjeshmëria e vargut nuk mund të dilte përtej llojit e mundësisë së vet? Megjithatë, poeti Prend Buzhala brenda poezisë tij asimiloi kulturë të përmasave ontologjike! Ndoshta mu kjo dëshmi na rikthen tek pohimi i krye-radhës, i Profesor Anton Nikë Berishës, që dukej paksa i fryrë, se kjo poezi është “e mbrujtur me art të madh”

Simbolika dhe pleksjet e pamjeve, reflektimet e tekstit e të nëntekstit, të figurës si ndjeshmëri shpirtërore dhe trajtë ideore,  metafora e veshur dhe thëniet e zhveshura ndanë saj, pa e ngufatur  kumtin, pa e tjetërsuar kuptimin poetik, komunikimin e lidhjet shpirtërore artistike me vete të dyzuara: subjekt-personazh lirik, lexues, shenjë, i shënjuar-shënjues, e shquajnë tipologjinë e poezisë së Prend Buzhalës. Një këso tipologjie ngre lartësinë dhe shkathtësinë e një intuite të sprovuar, meqë përbërësi individual ngjitet në nivelin e përngjasimit e të përgjithësimit artistik, arti i individit shkrihet në shijet e të tjerëve. Ndonjë herë, kur nuk e gjejmë të bukurën e madhështinë e vetvetes në këtë univers poetik, e lypim me llupë dhe bëhemi kritikues, madje paragjykues: mos vallë e merituam injorimin e poetit?!

Përzgjedhësi i sprovuar i teksteve poetike, Anton Nikë Berisha, në parathënien e tij për librin “Psherëtima pergamene”, e dendësoi qasjen e shkruar, aq sa përkitazi tërë kësaj game të zgjeruar poetike do të pajtohej  me  një parathënie, meqë për secilën nga njëqind e dyzet poezitë e librit të paravënë, nuk do të mjaftonin dhjetëra-qindra faqe analize të këtij formati libror. Pra, thellimit të kapjes së disa anëve të kësaj piramide poetike të poetit Prend Buzhala, Profesori ia tumiri këtë anames që ia kërkoi parimi i ajsbergut.

Gjithsesi, studimi për universin poetik-artistik të Prend Buzhalës, jashtë parimit të sipër-thënë, do t`i merrte hapësirë e kohë shpërfaqjes së dijes të shkrim-qëmtuesit Anton Nikë Berisha, por do të fitonte Albanologjia. Dijetari ynë do të mund të zbërthente me kompetencë tërë korpusin e figurave, të konotacioneve figurative-artistike-filozofike-estetike e stilistike në një vëllim shumëfish  më të gjerë, më të gjatë e më të thelluar… Ndoshta një mësymje e tillë  mund të jetë e shtruar në planet studimore të Anton Nikë Berishës? Le të shpresojmë…

Si do t`i zbërthente lexuesi i mangësive të përvojës zbërthyese kodet e nyjat poetike të poezisë së Prend Buzhalës? Falë kritikut dhe estetit të pasionuar, shkrim-kërkimtarit Anton Nikë Berisha, tashmë kemi formulat kod-zbërthyese  të enigmatikës poetike të poezisë së parashtruar. Çka do të bënte ky zbërthyes kodesh artistike sikur mos të shkruante? Ai do t`i radhiste tekstet poetike sipas kriteresh, që do t`ia parashtronte intuita e tij, dhe, do të bënte monologun e pashkruar të heshtjes kundruall tekstit… Do të ishim kureshtarë të dinim: si dhe çfarë do të ishte ai monolog po të shkruhej?

Autori i kësaj përzgjedhje foli aq sa iu duk se duhej të fliste, sepse gjithçka asnjëherë nuk thuhet. Përzgjedhja e tij na sugjeron: lëreni inflacionin e shkrimit, le të flasë teksti me hiret, stilin, simbolet, autoktoninë figurative dhe  prozaike!

Shkrimi artistik i poezisë së Prend Buzhalës nuk kapërdihet me një të lexuar, pa marr e pa lënë dromca të shpirtit e fije të mendjes në të. Gjykimi mbi një lexim të vetëm i kësaj përvoje (po)etike, do të ishte rrëshqitje e lajthitjes mbi sipër-shfaqjen e  dukjes së lëmuar, pa medituar se ku na shpie ai shteg i metaforës së zgjeruar? E veçanta e kësaj tipologjie të poezisë është shtrirja e simbolikës në skajet e puqjes të stilit figurativ me stilin e diskurseve eseistike. Figurat stilistike në këtë poezi të shumtën  nuk i has brenda një fjale  a një vargu, por në tërësinë e vargjeve me shtrirje të dendur të ligjërimit përkuar me diskursin-prozator. Këtë rol poeti ia beson diskursit ligjërimor, ngase sipas poetit stili i këtillë ka forcë më të gjithanshme për shtjellime idesh të mbyllura në metafora. Si të zbërthehet ky diskurs teorik? Liria është në anën e shkrimtarit. Do të mund të thoshim: mos i kërkoni rregulla të shpifura poetit! Shpreha artistike e Prend Buzhalës nuk mjaftohet veçse me figurën, ajo kërkon bashkimin e figurës me elementin epik, rrëfimin edhe me reflekse filozofike.

Vargjet e kësaj poezie i dendësojnë segmente të dromcave të meditimit, strukturime eseistike, gjykime logjike të ngërthesave të urtisë, tip proze poetike, që sjell ligjërimin e sprovës jetësore. Kjo tipologji e shkrimit haset e spikatur në poezitë e ciklit të pestë “Etjet e prushta”; për dallim nga forma e haikut prej pesëmbëdhjetë sosh të tre-vargësit, ku shprehja poetike kërkon ngjeshje maksimale, përmbajtje tejet të kursyera të fjalës, e cila duhet të përbirohet ngushticës së shprehjes katër-pesë-gjashtë rrokjesh. Hyrje-daljet e ndjenjave, pikturat e pamjeve dhe trajtat e ideve me deriçka të ngushta… Pikë-pjekje të tilla poetin e përballin me sprova të vargut të krasitur, me piketime për vendosjen e hapësirës së shprehjes, për ta shndërruar shprehjen në formulë, maksimë poetike, një ndërtim artistik aspak i lehtë për ta bartur peshën  e pleksjeve: ndjenjë, ritme frymëmarrjesh, imagjinatë e shkrirë në figurë, përsiatje ngjyrash të mendimit, frymëmarrje e frymë-dhënie brenda e jashtë atmosferës së tekstit.

Çka do t`i thoshim kësaj mënyre të shprehjes së autorit, kundruall shtrirjes së zgjeruar të tekstit ligjërimor? Thjesht. E pakta të ketë forcën goditëse të së shumtës. E përgjithshmja të mblidhet e të shkrihet në një pikë. Cikli vijues, i pesti iu hapë shtrirje përmasave të së madhërishmes, pleksjeve të dukurive të jetës ku ngjizen e mira dhe e keqja, marrëdhëniet, vijat bashkuese dhe ndarëse, zbrazjet dhe mbushjet e subjektit njerëzor, ontologjia e vetëdijes, trajtat e lakimit të jetës nga shtytja e cikërrimave të përditshmërisë, kataraktet e rrjedhës relievit mendor deri në atë rrafsh  të  përmbushjes relative të vlerës së përvojës.

Më bukur se diskursi ynë për të bukurën që shpesh ia cenon mëvetësinë bukurisë, duke dashur t`i vëmë në pah mbresat tona të gufuara, se ja me këtë rast gjetëm çelësin e duhur të zbërthimit të asaj ose të kësaj ngërthese poetike, padashur cenojmë shijen e veshjes së përzgjedhur të autorit, kërkimet e tija të përvuajtura drejt një caku shpëtimtar për bredhërin e pafund… Në lakoren e kthesës poeti lypte hijen e pemës dhe kroin e ftohtë, por ndodhi  fatamorgana!

“Kur nuk ke shtëpi, ndërtoje atë në imagjinatë: t`u bësh konak ëndërrimtarëve dhe vegimeve të shpirtit. Ndërtoje buzë lumit, t`i strehosh shtegtarët e largët; në kodra të zhveshura, ku s`ka asnjë dru, asnjë pemë, asnjë pikë ujë. Në thellësi malesh, ku ka vetëm bisha e ku të gjallët vdesin në qetësi. Ndërtoje diku  në luginë, ku vijnë të ringjallurit nga vdekja. Dritaret bëji prej fijeve të dritës, ku secila rreze është një këngë, secila grimcë drite është një shteg kërkimi për të vërtetën, secili atom energjie është urtësi e universit.” (Shtëpia e shpirtit)[2]

Në argjendarinë e shtjellës krijuese të Prend Buzhalës hasim margaritarë metaforash e mendimesh, depërtime të imagjinatës përtej të paprekshmes… Me gjithë atë, vizioni i poetit duket krejtësisht i prekshëm… Përfytyrimet sikur t`i kishim humbur pak më parë në shtresimet e harresës dhe ja, poezia e këtij autori i riktheu, ndërsa ne i shpalojmë faqet e një libri të harruar ose të djegur në kujtesë. Duke soditur trajtën e dukjes të asaj fshehtësie të rikthyer, pahetueshëm paskemi hyrë në çdofarë rrathësh koncentrikë, mandej në sfera misteresh, shumësi asociacionesh… Matanë kësaj gjendjeje kureshtie të përmend veta jote e esëllt të shkundesh… Akti i leximit të merr dhe të zhytë  në shtjellën e vet për t`i soditur të gjeturat e autorit, për të fluturuar pafundësisë tmerruese të gjithësisë, njëkohësisht për ta matur vogëlsinë e mendjemadhësisë  së  njeriut  në  univers! Njeriu ka huqe dhe dhunti. Një dhunti të tillë e ka vetëm mendja e pa infektuar  dhe  poeti që i dha shtytje mendjes. Mirëpo, imagjinata e caqeve të gjata rikthehet  në  universin e pikës nismëtare, për të mos e lënë trupin një trung të palëvizshëm për ditën e bardhë të gjetheve…

Përqendrimi tek një dhunti do të thotë shmangie e dhuntive tjera. Poeti është i pasionuar pas dhuntisë së poezisë. A ka pasur shkarje në jetë pas kësaj dhuntie? Gjithsesi. Dhuntitë e jetës  ikin, bashkë me ato dhe njerëzit tanë të dashur:

“Dhoma ku qëndron, e tëra është dhomë kambanash.”

…  …  …  …

“Erdhën aty krejt tingujt e botës. Krejt zërat më të bukur”

…  …  …  …

“E ç`duhet ai gur, kur Ti kalon nëpër venat e zemrës sime pa fillim e mbarim?

U bëre e padukshme. Të dy jemi të padukshëm. E gjendemi gjithkund.

Erdhe e shkrehur nga liqeni  dhe u çele  si lule në mendim.

E ç` duhet  këtu  dëshira  për  ta  mbrojtur të vërtetën?”

(Gjakimi i kujtesës)[3]

 

Perceptimet e përfytyrimeve të kujtesës, si këpuja avulli, që i mbajnë lidhjet me kohën për t`ua fshirë pluhurin të ndodhurave, qofshin të ëmbla  ose të hidhura, vijnë të copëzuar,  fragmente e dromca për ta arnuar disi të sotmen e cila do të jetë e djeshme. Kjo e sotme, deshëm s`deshëm,  do të na mbërthejë në të djeshmen, ndaj “Dhoma ku qëndron, e tëra është dhomë kambanash” Kambana është metaforë e kumtit të trishtuar të kujtesës… E djeshmja e harruar në të sotmen, e sotmja e zhytur në baltën e gjallë të së djeshmes… Në cilin pol mbeti e sotmja jonë e mjekrave të hirta dhe “burkave” të zeza?! Kambana për mendësinë tonë të shurdhuar nuk bie: as si alarm, as si dogmë e mykur, as si paradoks!!!

Vetja e ndërdymes seç më dëftoi dhe grishi: përqendrohu dhe bëhu bashkë-ndërtues me autorin, ndryshe do të vardiset  vasha  mallëngjyese e jetës!…

 

Koncepti i faljes

 

“Ati Ynë, mund të falim krejt vrasësit tanë, por nuk mund t`ia falim askujt Atdheun.”

(Kur erdhi çasti i ringjalljes)[4]

Martirizimi për Shenjtërinë dhe falja e vrasësve, por jo, assesi falja e atdheut!… Është fryma poetike e një ideali të fortë që vrahet, por nuk zhbëhet, sepse ringjallet… Kush? Si? Ringjallet fryma… Një pyetje tjetër: si nuk vret plumbi kur shpon trupin prej mishi e eshtrash të viktimës?! Pyetja ndjek pyetjen: por nëse është vrarë trupi a vritet fryma? Fryma prore qarkullon, lëviz, hyn e del në shpirtra, ringjallë porosi, amanete… Kjo frymë e fortë e forcon dhe përmbush konceptin “Atme e fe”,  si e  këtillë na shpie te i Përndrituri rilindës At Gjergj Fishta.

Në një togfjalësh të vetëm ngërthehet kodi etnik dhe shpirtëror i shqiptarëve:”Atme e fe!” Formulë e mrekullueshme e shenjës së identitetit! Aq e shkurtë dhe shumë e gjerë! Aq e ngjeshur e kaq domethënëse! Emblematike! Por konceptit të kësaj embleme i paraprinë:“Atme” përkatësisht Dheu i Atit-At Dheu. Mbi konceptimin e fesë Rilindja Kombëtare Shqiptare e vuri At-Dheun. Sot nuk duhej të ishte ndryshe.

Trajta e martirizimit dhe akti i faljes të shkelësve të Bukës, Kripës dhe të Zemrës, është vazhdimësia e bartjes së shpirtit të Krishtit, porosia madhështore e faljes, që i hap udhë Ringjalljes  dhe  Ngadhënjimit… Kjo frymë e shenjtë e faljes dëfton rrënjët e forta, të mbrujtura në gjakun e pastër, që në mendje dhe zemër ka mëshirën, urtësinë dhe faljen. Trinia e  mëshirës, urtisë e faljes nga ky rend i përshpirtshëm përjashtoi faljen e At Dheut.

Poezia e ngrehinës mbi konceptin e faljes së krimit, afishoi kultin e madhërishëm të At-Dheut me shkronjë nismëtare të madhe,  krahas Tempullit të Hyjit, devotshmërisë flijuese për njeriun, Ringjalljen e Shpresës aty ku vdekja kosiste racën njerëzore, sikur kosa barin pranveror!…

Auditor i nderuar!

Thamë diçka sa për të shprushur zjarrin e  ndezur nga poeti. Duke e ngrohur shpirtin, gjuhëzat e flakës së unëve herë zbardhnin e hijesonin fytyrat anonime, të cilat kur mbyllëm kopertinat e librit u qetësuan mes rreshtash… Por do të dalin sapo të hapim librin e universit poetik të Prend Ndue Buzhalës…

Gjilan, më 10 maj 2019

[1] Prend Buzhala “Psherëtima pergamene”; Rozafa, Prishtinë, 2017, f. 11

[2] Psherëtima pergamene”, Rozafa, Prishtinë, 2017, f. 169

[3] Po aty,f. 79

[4] Po aty; f. 54

Please follow and like us: