Albspirit

Media/News/Publishing

Amerikano-hebrenjtë Benjy dhe Ellie Katz Neumann: Faleminderit Shqipëri!

Ellie Katz Neumann dhe bashkëshorti i saj, Benjamin (Benjy) Neumann, djali i hebrejes Johanna Jutta Neumann, e cila gjeti strehim dhe shpëtoi gjatë Holakaustit në Luftën e Dytë Botërore, kryen një vizitë të ngjeshur pesëditore në Shqipëri.


Benjamin (Benjy) Neumann dhe bashkëshortja e tij, Ellie Katz Neumann, dëshironin shumë të shikonin vendin ku nëna e Benjy, e mirënjohura Johanna Jutta Neumann,  gjeti strehim dhe shpëtoi gjatë Holakaustit në Luftën e Dytë Botërore.

Një vend shumë larg Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër të Oqeanit Atlantik, madje edhe më larg, në Shqipëri, një vend tepër i vogël në sipërfaqe dhe popullsi se vendi i saj, por me dashuri të pakushtëzuar për Shtetet e Bashkuara.

“Ne erdhëm në Shqipëri për të parë me sytë tanë, vendet ku nëna e  Benjjy kishte jetuar dhe se çfarë lloj njerëzish u kishin dhënë strehim dhe i kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit”, tha Ellie Katz Neumann në një komunikim me gazetën online “Izraeli Sot”.

Shqiptarët u bënë kombi i vetëm në botë, që numri i hebrenjve ishte disa herë më i madh pas Holokaustit, se para tij. Sipas disa shifrave, nëse në Shqipëri llogariteshin se jetonin rreth 200 hebrenj para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i tyre mendohet se shkoi në kufijtë e 2000-3000 hebrenjve pas saj, të ardhur kryesisht nga Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Gjermania apo Çekia.

“Besa”, kodi i nderit të shqiptarëve ishte në themel të këtij akti të pashembullt botëror, që siç e përshkruan Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një postim në Facebook pas takimit me dy amerikano-hebrenjtë “mbrojtja dhe shpëtimi i hebrenjve nga populli shqiptar, gjatë periudhës së errët të Holokaustit, është një shembull frymëzues mbarëbotëror”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke marrë dhuratë  librin “Shpëtim në Shqipëri – Kujtimet e një vajze hebreje nga Hamburgu”,gjatë një takimi në Presidencë. Foto: Ilir Meta, Facebook.

“Ne pamë se këta janë të njëjtët njerëz si gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Ata njerëz të nderuar, nuk ishin super-heronj. Ata ishin njerëz të rregullt me një kod nderimi të shquar, që vazhdon sot”, shton Ellie.

“Ata mund t’i mësojnë fëmijët e tyre këtë kod nderi, por nuk mund t’i tregojnë botës se sa të mrekullueshëm janë. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë për ta. Tani që nëna e Benjys, Jutta, ka ndërruar jetë, na takon të falënderojmë personalisht dhe të tregojmë historinë dhe kjo është ajo që ndodhi në çdo takim”.

Takime të programuara me njerëz të politikës së lartë në Tiranë, por edhe me njerëz krejt të zakonshëm në Shqipëri, në një vizitë që zgjati pesë ditë.

Pas takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të cilit, Benjy dhe Ellie i dhuruan një kopje të autografuar të librit të tyre “Shpëtim në Shqipëri – Kujtimet e një vajze hebreje nga Hamburgu”, dy amerikano-hebrenjtë, të shoqëruar edhe nga Agron Alibali, një shqiptari që jeton tashmë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara, u takuan me ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e vendit, Sali Berisha, një takim me një frymë tërësisht miqësore.

Agron Alibali, Ellie Katz Neumann dhe Benjy Neuman gjatë takimit me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, në zyrën e liderit historik të Partisë Demokratike. Foto: Ellie Katz Neumann

“Ne u shpjeguam se kush jemi, pse po vizitojmë, dhe qëllimin tonë për të treguar këtë histori aq sa mundemi, derisa ajo të njihet kudo në botë”.

Ish-kryeministri Sali Berisha njihet si një mik i hershëm i hebrenjve në Shqipëri, ka vizituar disa herë Shtetet e Bashkuara, por edhe Izraelin, atdheun biblik të hebrenjve, aty ky aktualisht jetojnë 45% e hebrenjve të botës.

Takim në Pallatin Mbretëror shqiptar me Princ Lekën, nipin e Mbretit Ahmet Zogu

Benjy dhe Ellie patën një agjendë të ngjeshur takimesh, përfshirë Princin Leka, nipin e Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, i cili ka dhënë një kontribut të madh për strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore,  kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, apo ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Një takim edhe me anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, kryetari i së cilës është Prof.Dr. Petrit Zorba, dhe në nga anëtarët, Rexhep Hoxha, një nga 76 shqiptarët të nderuar nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me titullin “Të Drejtë midis Kombeve”, apo dhe Ortenca Pilku, gjyshja e së cilës shpëtoi nënën e Benjy, Johanna Jutta Neumann.

Nga e majta, Ortenca Pilku, Ellie Katz Neumann, Agron Alibali, Benjy Neumann, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Petrit Zorba,  dhe Rexhep Hoxha, një nga 76 shqiptarët të nderuar nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me titullin “Të Drejtë midis Kombeve. Foto: Ellie Katz Neumann

“Ne patëm shumë ndihmë për të bërë të gjitha lidhjet, duke filluar me ambasadorja shqiptare në SHBA, në ambasadën shqiptare këtu në DC. Ne kishim takuar tashmë shumë njerëz këtu, si Presidentin Meta dhe kryeministrni Rama. Dhe ata thanë: Eja na vizitoni. Dhe kështu, pra, ne e bëmë vizitën tonë”, tregon Ellie.

Me Avdie Alibali, aktoren shqiptare që ka luajtur rolin e Mamicës në filmin “Skënderbeu”, 1952
Në Bibliotekën e Beratit, ku Ellie dhe Benjy dhuruan një kopje të librit “Shpëtim në Shqipëri – Kujtimet e një vajze hebreje nga Hamburgu”
Takim me kryebashkiakun e Beratit, Petrit Sinaj

“Ne shkuam në vendet ku Johana jetonte. Por, unë me dashje nuk postova ndonjë fotografi turistike, se sa bukur në Berat. Unë nuk doja që njerëzit të shpërqendrohen ose të mos lexojnë postimet e mia. Udhëtimi ishte i përsosur, nga fillimi në fund, çdo ditë”, tha Ellie Katz Neumann.

Nuk mungoi edhe pjesëmarrja në një darkë Shabbati në Tiranë, të organizuar nga “Besa&Shalom” me në krye rabinin, Yisroel Finman, dhe ku mori pjesë edhe zëvendësambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Liora Peleg.

 

Please follow and like us: