Shaban Murati: Një takim i çuditshëm në Romë
Një ditë përpara se të vinte në Tiranë për të marrë pjesë në 9 maj në Samitin e nismës së Bërdo-Brijunit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zbriti në Romë në 8 maj për takime zyrtare. Nuk zhvilloi takime e bisedime as me presidentin e Italisë, që është rangu i njëjtë i protokollit, as me kryeministrin e Italisë dhe as me ministrin e jashtëm të Italisë. Presidenti i Serbisë zhvilloi takim dhe bisedime vetëm me ministrin e brendshëm të Italisë, Matteo Salvini. Një takim i çuditshëm nga pikëpamja diplomatike dhe protokollare, që presidenti i një shteti zhvillon takim vetëm me ministrin e brendshëm, post me të cilin nuk e lidh as rangu dhe as mandati. Një takim, që habiti gjithë qarqet diplomatike në Romë. Një takim i çuditshëm, i kërkuar me këmbëngulje nga presidenti i Serbisë, të cilit i duhej një vizitë në Romë dhe trokiti në shumë dyer, derisa t’i i hapej njëra dhe ai ta propagandonte si “takim me Italinë”.
I duhej shumë një takim në Romë, sepse presidenti i Serbisë e ndjen veten dhe shtetin e tij më të izoluar se kurrë nga pikëpamja diplomatike. Është koha kur diplomacia europiane dhe diplomacia ndërkombëtare kanë arritur pikën e ngopjes me qëndrimet anti-perëndimore të Serbisë. Qëndrime anti-perëndimore të konkretizuara me kokëfortësinë alogjike për të mos njohur shtetin e pavarur të Kosovës dhe sidomos me tradhtinë strategjike serbe me Rusinë, për nder të së cilës Serbia organizoi në 10 maj në qytetin e Nishit një paradë pompoze ushtarake me pjesëmarrjen e forcave ajrore ruse dhe nën drejtimin e kriminelit ndërkombëtar të luftës,Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Presidenti i Serbisë kërkoi me ngulm një takim në Romë, sepse dëshironte të vinte në Samitin ballkanik të Tiranës me një sukses diplomatik ndërkombëtar dhe ta shiste si një përkrahje të Italisë për qëndrimin e Serbisë në çështjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti i Serbisë e dinte se të gjithë shtetet pjesëmarrëse dhe të ftuara në Samitin e Tiranës janë shtete, që e kanë njohur Kosovën. Presidentit serb dhe Serbisë i duhej pak oksigjen diplomatik që të lehtësonte izolimin ndërkombëtar, që e ndjeu fort në samitin e Berlinit dhe që do ta ndjente edhe në Samitin e Tiranës lidhur me Kosovën. Presidenti serb kishte bërë llogarinë e gabuar diplomatike se duke krijuar artificialisht zhurmën dhe alibinë e taksës së drejtë të Kosovës ndaj mallrave serbe, ai do të shmangte kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare që Serbia të njohë Kosovën. Ai nuk e kishte kuptuar se, pavarësisht kërkesës së Perëndimit ndaj Prishtinës që të heqë taksën, qëndrimi i vendosur i Perëndimit që Serbia duhet të njohë sa më parë Kosovën nuk ka ndryshuar. Në këtë situatë izolimi në rritje Beogradit i kanë mbetur në dorë vetëm kartat e spekulimit diplomatik.
Një spekulim të tillë diplomatik presidenti serb u përpoq ta përhapë pas takimit në Romë me ministrin e brendshëm italian, Matteo Salvini. Aleksandër Vuçiç deklaroi pas takimit me Salvinin se “Italia e kupton pozicionin e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës, megjithëse kemi qëndrime të ndryshme dhe Italia e ka njohur pavarësinë e Kosovës”. Presidenti serb deklaroi se ai ka diskutuar me ministrin e brendshëm italian bombardimet e NATO-s mbi Serbi në vitin 1999 dhe i ka shpjeguar plagët, që ka pësuar populli serb. Nuk ka absurditet më të madh se ky pretendim i Vuçiçit, që thotë se ka diskutuar me ministrin e brendshëm italian ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Serbi para 20 vjetësh, dhe harron se shumica e inkursioneve ajrore të avionëve të Nato-s kundër Serbisë në atë kohë niseshin nga territori italian dhe Italia ishte një pjesëmarrëse aktive e gjithë operacionit të NATO-s.
Presidenti serb u përpoq të ngrinte një tymnajë në mediat e vendit të vet dhe në mediat ruse se gjoja ai kishte arritur sukses që të afronte ministrin e brendshëm italian dhe Italinë me qëndrimin e Serbisë për çështjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Madje agjencia zyrtare serbe e lajmeve, TANJUG, në njoftimin e saj të datës 9 maj për takimin e Romës përhapte një fake news se “Salvini është një avokat i rikonsiderimit të njohjes së Kosovës nga Italia, thanë raportet”. Aq e pavërtetë është kjo, sa që edhe agjencia shtetërore serbe nuk guxon të shpikë ndonjë burim zyrtar, por përdor shprehjen idiote nga pikëpamja profesionale “thanë raportet”.
Presidentit të Serbisë i duhej një takim me cilindo personalitet të çdo dikasteri e rangu në Romë, me qëllim që të riparonte disi goditjen, që pësoi reputacioni i tij në Samitin e Berlinit të 29 prillit, të organizuar nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Makron, ku Vuçiç ndjeu shumë qartë si morsën e presionit diplomatik gjermano-francez, ashtu dhe izolimin e thellë diplomatik të Serbisë në Europë, gjë të cilën e pohoi vetë publikisht pas samitit.
Në një situatë të tillë presidenti serb mendon se do të gjejë lehtësim në trukun meskin ballkanik të përpjekjes së shtetit të vogël serb për të vënë të mëdhenjtë e Europës kundër njëri-tjetrit. Befas diplomacia serbe u fry në vetëkënaqësi, duke nisur të përhapë “fake opinionet” se megjithë presionin gjermano-francez, Beogradi në Europë paska siguruar mbështetjen e një shteti të madh si Italia. Në datën 10 maj “Le Courrier des Balkans” shkruante lidhur me takimin e presidentit serb me ministrin e brendshëm italian: “Në vend të Parisit dhe Berlinit Aleksandër Vuçiç preferon boshtin Romë-Budapest. Pas fiaskos në Samitin e Berlinit presidenti serb ka gjetur një mik të ri në personin e Matteo Salvinit”. Mediat ndërkombëtare ruse u përpoqën që t’i ngrenë disa pikë profilit të rënë të Vuçiçit, duke i bërë një jehonë të pazakontë takimit të tij me ministrin e brendshëm italian. Në datën 8 maj organi kryesor i propagandës ndërkombëtare ruse për jashtë,“Sputnik news” jepte njoftime dhe intervistën me një ekspert italian të çështjeve ballkanike, Luka Susiç,i cili për këtë takim theksonte se “Në Beograd shpresojnë që një përfshirje më e madhe e Italisë në ndeshjen ballkanike mund t’i ndihmojë të balancojnë fuqinë e jashtëzakonshme gjermane dhe franceze”.
Loja meskine diplomatike apo intriga e vogël bizantine, që kërkon të luajë presidenti serb, mund të konsiderohet një autogol i zakonshëm ballkanik. Gjermania, Franca, Italia,Britania e Madhe, etj. kanë qenë dhe janë mbështetës të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe është komike të mendohet se do të dëgjojnë Vuçiçin të ndërrojnë strategjitë e tyre perëndimore. Ëndrrat serbe në diell se pikëpamjet e ndryshme dhe normale midis shteteve europiane do t’i vijnë në ndihmë lojës së Serbisë, janë thjesht lexim i keq i historisë.
Presidenti serb dhe diplomacia serbe po auto sugjestionohen me tymnajat për takimin e çuditshëm të Romës. Por edhe për këtë takim të vërtetën e gjen tek deklarata e vetë ministrit të brendshëm italian për takimin, ku vetëm shprehet se në bisedimet midis tyre presidenti serb e ka siguruar për bashkëpunimin maksimal për kontrollin e kufijve dhe për frenimin e imigracionit të parregullt. Pra ministri i brendshëm italian ka biseduar temën, që është brenda mandatit dhe kompetencës së tij qeveritare. Çështja e kufijve dhe e refugjatëve është çështje për të cilën ministri i brendshëm italian është i njohur për intransigjencën e tij. Nuk e përmend asgjëkund fjalën “Kosovë”. Pra si ministër i brendshëm ai ka shfrytëzuar kërkesën për takim nga presidenti serb për të parandaluar vërshimet e refugjatëve në Itali, që të mos përsëritet situata e vitit 2015 kur Serbia qëllimisht e drejtoi lumin e refugjatëve sirianë drejt Kroacisë dhe ata vërshuan pastaj drejt Italisë.
Pozita e vështirë diplomatike duket e ka detyruar presidentin serb ta ulë stekën e protokollit dhe të pranojë derën e vetme, që iu hap, dhe të bisedojë me ministrin e brendshëm, sepse atij i duhej emri i Italisë, që të spekulonte për Kosovën. Por spekulimi serb nuk arrin dot të kalojë as kufijtë e Serbisë, e jo më të ketë efekt në samitet rajonale apo europiane, ku Beogradi po përplaset çdo ditë e më fort me kërkesën që të njohë shtetin e pavarur të Kosovës./gazeta dita/