Një fjalor i munguar dhe koncept-formues i Eridian Leskaj
Dija dhe përvoja njerëzore e ka pasur gjithnjë të nevojshme të organizohet, strukturohet dhe sistemohet në mënyrën e enciklopedive, për ta trashëguar njohjen dhe informacionin që ajo zotëron, për brezat e ardhshëm në të gjithë vendet dhe popujt. Që me sistemimin e vet të parë në enciklopedi, ajo dalngadalë filloi të specifikohej dhe rigrupohej nëpër fjalorët e fushave përkatëse të kësaj dijeje, pasi dhe masa e madhe e dijeve që ofronin enciklopeditë kërkonte ekspertë të posaçëm të gjithë-dijshëm e të gjithë-formuar. Nisi të shpërthente kështu epoka e hartimit të fjalorëve të shkencave humane, politike, ekonomike, juridike e kështu me radhë, në të gjitha fushat e specifikuara e të veçanta të dijes. Por përgjatë viteve me zhvillimin e kulturës dhe shkencës, e për pasojë edhe të tregtisë dhe ekonomisë, përveçse në mënyrë të përgjithshme, edhe në mënyrë detajësore, do të ndihej nevoja që këta fjalorë të plotësoheshin me fjalorët e termave specifikë të përdorur në secilën nga fushat në të cilat lëvizin dhe kishin marrëdhënie këto dije. Është pikërisht ky grup fjalorësh që plotësonin njëri-tjetrin, ai që u shfaq më i vlefshmi dhe më i dobishmi, për t’u përdorur nga specialistët e fushave përkatëse për vite e vite me rradhë.
Mirëpo shekulli i ri, me zhvillimin dhe përhapjen kapilare të internetit dhe përdorimeve të tij në cdo fushë të jetës, filloi të ndikonte edhe në funksionimin e të gjitha mënyrave të vjetra. Lindi “shoqëria në rrjet” me të gjitha rrjedhimet e saj nga pikëpamja sociologjike, pasataj kapitalizimi informacional që e vinte informacionin si vlerën parësore të tregut, me të gjitha transformimet radikale ekonomike, e së fundi edhe lëndët dhe fushat e reja ndërdisiplinare të studimit, nga pikëpamja shkencoro-akademike, që sigurisht ndikuan edhe në mënyrën e studimit dhe lëvrimit të dijes së çdo fushe. Tanimë, nuk mund të kufizohesh vetëm në fjalorët e përgjithshën, praktikat e reja projektojnë nevojën e dijes nëpër fusha të ndryshme, që përçon rrjedhimisht nevojën e fjalorëve ndërdisiplinarë.
Kjo është premisa kryesore e kohës që do të ndikojë shumë në formimin e së ardhmes, e që formësoi njëherësh edhe shtytjen time të parë teorike në përpilimin e këtij fjalori. Por, ajo që i dha jetën dhe brumin e ngjizjes së dalengadaltë e të vazhdueshme ishte praktika e punës së përditëshme.
Qysh kur nisa punë në Administratën Doganore më bëri përshtypje se megjithëse unë isha njohës i mirë i gjuhës angleze dhe megjithëse me profesion financier, përsëri shumë terma të dokumentave tregtare të importit dhe eksportit nuk isha ne gjendje ti kuptoja plotësisht, vura re se shumë terma apo klauzola në dokumentat e transportit (kryesisht të transportit detar) nuk isha në gjendja ti kuptoja dhe më duhej të hulumtoja për të kuptuar kontekstin e tyre.
Ishte pikërisht atëherë që më lindi ideja që t’i mblidhja të gjitha termat që hasja nëpër fatura tregatare, polica sigurimi, dokumenta transporti, etj dhe të krijoja një fjalor anglisht – shqip me shpjegimet përkatëse për cdo term. Mendova që të krijoja një fjalor të kuptushëm për të gjithë, për nëpunësit e Administratës Doganore, për ndërmjetësit doganor, tregtarët, transportuesit, pse jo edhe për ekonomistët.
Diçka e tillë do të përmbushte edhe qasjen time fillestare të përdorimit të tij shumë-planësh, e po njëlloj do ta plotësonte atë “paketë” të deritanishme fjalorësh në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë, me të cilët formohen dhe punojnë ekspertët e këtyre fushave. Është diçka që i ka munguar kësaj pakete, madje, kjo qasje mund ta shtrijë përdorimin edhe në bizneset përtej këtyre fushave, e mund të ndihmojë shumë edhe në krijimin e një koncepti të ri pune dhe zhvillimi të biznesit tonë, për të ndikuar sa më shëndetshëm në ekonomi. Sot jetojmë në një kohë kur tregu më i largët është vetëm një klikim larg, e vetmja barrierë nuk është më trau i doganës por gjuha prandaj edhe shpresoj se ky fjalor do të ndihmojë sadopak në afrimin e mallrave dhe tregjeve.