Albspirit

Media/News/Publishing

FENOMENI ARBA KOKALARI SI MËSIM PËR POLITIKËN DHE DEMOKRACINË

 

Image result for astrit gjunkshi

Dr. Astrit Gjunkshi

 

Publiku ynë e përshëndeti këto ditë fitoren e shqiptaro-suedezes Arba Kokalari si Eurodeputete në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Publiku ka shprehur krenarinë kombëtare që një bashkëatdhetare arriti të zerë vend në forumin më të lartë legjislativ të Europës. Bashkë me publikun, edhe politika jonë është prononcuar për krenarinë që ndjen për këtë arritje të shqiptares sonë. Është vërtet për të qenë krenar, por krenaria është vërtet pjesa më e parëndësishme po ta krahasosh me faktin se sa kjo arritje mund t’u shërbejë interesave tona kombëtare.

Përtej sindromit të tepruar të krenarisë kombëtare, fenomeni Arba Kokalari duhet analizuar në dimensionet e tij më themelore që lidhen me forcimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe jo për t’u mburrur me atë që ajo ka arritur jo në sajë të kombit të vet.

Ngjitja e Arba Kokalarit në shkallët e institucionit më të lartë Europian është dëshmi e qartë se demokracia e vërtetë është themelore për progresin e një vendi dhe domosdoshmëri që çdo individ të shpalosë talentin dhe vlerat e tij të vërteta.

Nga ana tjetër, ajo provon kontrastin e madh me demokracinë e deformuar nga politika në vendin tonë, e cila vendos pengesa të pakapërcyeshme përpara njeriut të thjeshtë. Nëse Arba Kokalari nuk ishte në gjendje të fitojë këtu në Shqipëri një të drejtë themelore si e drejta për pronat e paraardhësve të saj, në Suedi iu dha e drejta të fitojë një pushtet aq të madh sa të përfaqësojë qytetarët suedezë dhe interesat kombëtare të Suedisë në Parlamentin Europian! Kjo diferencë e pakrahasueshme e trajtimit të vlerave njerëzore duhet të jetë mësimi kryesor që duhet të nxjerrë politika shqiptare për gjendjen e mjeruar ku e ka futur demokracinë shqiptare në krahasim me standardet e vërteta të demokracisë!

Tashmë është e njohur se sa shumë shkëlqejnë talentet shqiptare në vendet demokratike perëndimore, në fusha nga më të ndryshmet. Ndërkaq, sa talente të tjera nuk kanë mundësi të sistemohen në punë brenda vendit dhe marrin rrugën e emigracionit, ndërkohë që të paaftit marrin poste kyçe! Ky është turp për politikën tonë, por edhe një tregues për dobësinë e shoqërisë sonë civile që nuk ka fuqi të sjellë ato elita që mund të vendosin normalitetin e një demokracie të vërtetë. Mjafton të shohim krizën reale politike, ku të dypalët mbeten të ngujuara me kokëfortësi në llogoret e interesave të tyre partiake, duke dëmtuar interesat kombëtare, ndërkohë që procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE është në kulmin e tij.

Koincidoi që, sot, Komisioni Europian i BE-së shprehu vlerësimin e tij për dhënien Shqipërisë të ftesës për hapjen e këtyre negociatave. Por, komisioneri Johan Hahn theksoi mesazhin se elita jonë politike, dy palët e saj, duhet të ulen sa më shpejt në tavolinë për negociata për tejkalimin e krizës. Nuk la pa përmendur edhe ndryshimin që duhet të ndodhë tek ne për mbështetjen e talenteve. Natyrisht, ky vlerësim pozitiv i KE-së është vetëm hapi i parë i aspiratës sonë për hapjen e negociatave. Do të jetë Samiti i BE-së, që do të mblidhet në Bruksel nga 20-21 Qershor, ku do të jepet vendimi për këtë çështje. Për politikën tonë do të ishte detyrim para popullit që të arrijë urgjent, para këtijsamiti, marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës.

Ulja në negociata do të ishte një hap në drejtim të rritjes së vlerave të demokracisë në Shqipëri. Të dy palët duhet të gjejnë një mekanizëm kompromisi për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, duke e trajtuar si një paketë me ndryshimet që duhet të vijnë pas këtyre zgjedhjeve. Në tre shkrime që kam publikuar javën e fundit, kam sugjeruar një mekanizëm që mund të merret në konsideratë dhe që, me pak fjalë, konsiston në pranimin e zhvillimit normal të këtyre zgjedhjeve me kryeministrin aktual, por me dorëheqjen e tij pas 30 Qershorit, ngritjen e qeverisë teknike në muajin Korrik dhe zhvillimine zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e lokale në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ky është vetëm një sugjerim, por mekanizma të tjerë mund të diskutohen. Ulja në negociata dhe pranimi i kompromiseve të tilla si dorëheqja dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme do të ishin tregues se politika do të fillojë të marrë mësimin e duhur nga fenomeni Arba Kokalari përkonsolidimin e standardeve të demokracisë.

 

Tiranë, 29 Maj 2019.

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban MSc për Sigurinë nga Cranfield University i Britanisë së Madhe, diplomë universitar edhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash dhe shkrimtar. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.

Image result for arba kokalari

Arba Kokalari

 

 

Please follow and like us: