Albspirit

Media/News/Publishing

Vlonjatja Adelona Salaj, shqiptarja e kirurgjisë robotike në Itali

Ajo është një vajzë 32 vjeçare nga Vlora, që punon në qendrën e kirurgjisë robotike në Grosseto të Italisë, si kirurge. Një vajzë e bukur, e qeshur e me pamje të brishtë, që pacientët i besojnë ndërhyrje kirurgjikale, të cilat u japin jetë. Rruga e gjatë dhe e vështirë e mjekësisë, vështirësitë e integrimit në Itali nuk e kanë penguar Adelona Salajn të jetë një ndër kirurget e reja me nivel të lartë profesional.

CMG: Adelona, jeni një vajzë e re, por tashmë pjesë e stafit të kirurgjisë robotike në Itali. Si arritët deri në këtë nivel të lartë të mjekësisë?

Adelona Salaj: Kam mbaruar studimet në Universitetin “La Sapienza” të Romës, ku kreva 6 vjet studime për mjekësi dhe 5 vite specializim të kirurgjisë së përgjithëshme . Aktualisht punoj në Spitalin e Grosseto-s, i cili që prej vitit 1993 është qendra kryesore në Itali në fushën e kirurgjisë robotike. Në këtë qendër zhvillohen 4 kurse për kirurgë nga e gjithë bota, të cilat organizohen nga International School of Robotics Surgery, me seli në Ilinios të ShBA-së, e cila është qendra kryesore botërore e kirurgjisë robotike. Përveç punës si kirurge unë në këtë qendër punoj dhe si pedagoge, që merrem me organizimin e kurseve dhe të pjesës praktike të tyre.

CMG: Adelona në pamje duket një vajzë e brishtë, por a është përballur ajo me mendimin se kirurgu duhet të jetë një mesoburrë, që të mund t’i besosh jetën.

Adelona Salaj:Keni shumë të drejtë. Ky është një realitet që e has pothuajse përditë gjatë punës sime. Mentaliteti jo vetëm shqiptar, por kudo në botë përsa i përket profesionit të kirurgut përkon me një burrë të fuqishëm, shtatlartë por koha ka ndryshuar . Kirurgjia robotike me të cilën unë merrem kërkon delikatësë, vemendje dhe përkushtim, që mendoj se janë tipare më të zhvilluara te femrat se sa te meshkujt. Gjithashtu mendoj se ndjeshmërinë e femrës nuk e gjen te meshkujt, sepse ndonëse jemi kirurgë nuk jemi mekanikë, që rregullojmë motorra. Kemi të bëjmë me njerëz në vështirësi, me sëmundje të rënda, sepse unë merrem kryesisht me kirurgjinë robotike onkologjike, pra përballem me pacientë që psikologjikisht kanë shumë vështirësi. Përpiqem të jem pranë pacientëve jo vetëm me punën, por dhe fjalët e duhura . Realisht kam shumë raste kur pacientët në fillim më shohin me dyshim, por pasi komunikoj me ta, më kërkojnë të jem pjesë e stafit në sallën e operimit.

CMG: Si një vajzë shqiptare që ka kryer studimet e larta në Itali dhe po punon atje, a je përballur me vështirësi për shkak të të qenit e huaj?

Adelona Salaj: Kam shkuar në Itali duke patur si objektiv kryesor integrimin. Jam përpjekur të integrohem që në momentet e para të jetës sime në këtë vend, të bëhem pjesë e kulturës, mentalitetit të tyre, për të mos u ndjerë ndryshe. Kujtoj se në vitin e parë të studimeve lëndët kryesore ishin fizika, matematika dhe kimia dhe falë përgatitjes në shkollën e mesme shqiptare dola në provim me rezultatet më të larta, gjë që ndikoi dhe në rritjen e simpatisë së bashkëstudentëve italianë. Në kurs ishin rreth 240 studentë që më vlerësonin për përgatitjen time. Por kur fitova konkursin për specializim dhe ishim vetëm 5 fitues nga 46 konkurentë,pati zëra që thanë se një e huaj u zuri vendin. Por ky koment për mua nuk ka ndikuar aspak për të ecur para në rrugën e nisur.

CMG: Si është lidhja jote me Shqipërinë?

Adelona Salaj: U bënë tashmë 13 vjet që jam larguar nga atdheu. Familjen dhe një pjesë të shoqërisë e kam në atdhe. Miqve italianë u flas shumë për Shqipërinë dhe vitet e fundit shumë prej tyre më kërkojnë informacione për vendin tim, sepse duan ta vizitojnë si turistë. Kam përgatitur një hartë me stacione turistike dhe të dhëna e udhëzime për vendet që mund të frekuentojnë. Fakti që turizmi në Shqipëri po zhvillohet me shpejtësi më bën të ndjehem shumë krenare.

Eda Merepeza

Please follow and like us: