Albspirit

Media/News/Publishing

Vepra e poetit martir, Genc Leka (1)

Image result for genc leka, vepra

Përgatiti, pajisi me shënime dhe parathënie: Sadik Bejko dhe Bedri Blloshmi

 

Vepra e plotë e Genc Lekës përmban poezitë, studimet etnografike dhe gjurmimet në fjalë dhe shprehje të rralla. Studimet etnografike dhe fjalët e rralla botohen për herë të parë. E gjithë lënda e këtij libri është gjurmuar dhe siguruar prej Bedri Blloshmit në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (poezitë) dhe në arkivat e Qendrës së Studimeve Albanologjike (studimet etnografike dhe ato gjuhësore).

POETI DHE STUDIUESI GENC LEKA

Genc Leka lindi në Bërzeshtë më 23 mars1941. Babai i tij u arratis jashtë atdheut dhe u shpall tradhtar, armik i popullit, kur Genci ishte nëntë vjeç. Nënën ia internuan. Genci u rrit me të keq: u rrit jetim me prindër gjallë, me babanë të shpallur zyrtarisht armik i shtetit, me nënën në internim.

Prapë Genci vazhdoi shkollën në fshat e mandej shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan.

Ca kohë punoi mësues. E përjashtuan nga arsimi atë, gruan e tij dhe të motrën. Pas kësaj ai punoi në fermë.

Shkroi poezi, mblodhi lëndë gjuhësore, bëri studime etnografike. E deshi jetën dhe ashtu bujk në fermë, ia arriti që të pajtohej edhe me fatin, me nëpërkëmbjen, me dhunën. Me një fat që nuk e meritonte.

Por dhe kështu nuk e lanë.

Shteti nuk ia falte që ai ishte i biri i një të arratisuri, i një armiku të regjimit. Dhe Gencin që në bankat e shkollës e kanë përndjekur rregullisht spiunët dhe agjentët e shërbimit të Sigurimit. Genci dhe shumë të tjerë si ai gati e kishin të shkruar mbi ballë që janë “të këqinj”, janë armiq; kësi njerëzish atëherë jetonin si ata drurët e pyllit që mbajnë të vulosur në trung damkën e druvarit. Të tillë drurë me damkë, një ditë priten. Dhe kështu ndodhi.

E arrestuan në fund të gushtit 1976. E pushkatuan si sabotator në korrik të vitit 1977.

Për komunistët vrasja, burgosja, internimi, ndëshkimi i shtetasve ishin të nevojshme si gjimnastika për trupin. Sa herë vrisnin a burgosnin “armiq”, deri dhe ndonjërin nga anëtarët e lartë të udhëheqjes komuniste (dhe gjatë komunizmit kjo ka ndodhur gati në çdo dy- tre vjet), ata thoshin që, pas këtij eliminimi, partia doli më e fortë, radhët e popullit u shtrënguan më fort rreth partisë dhe Komandantit të madh. Sa herë që në ndonjë fshat a në ndonjë lagje të qyteteve vrisnin a burgosnin njerëz për politikë, vrisnin ndonjë që prej kohësh e kishin vënë në listë për ta krasitur, bënin mbledhje të popullit dhe i detyronin njerëzit të këndonin, të kërcenin dhe të bërtisnin: “Armiqtë na e morën të keqen. Të rrojë Partia që na shpëtoi prej tyre”.

Kjo politikë e derdhjes së gjakut të armikut, quhej “Luftë e klasave”. Sipas filozofisë marksiste, lufta e klasave ishte forca lëvizëse e jetës, e historisë. Filozofia e shpatës së mprehur në duart e partisë, shpatë që u vërtitej të gjithëve mbi kokë.

Këtë politikë të qethjes së kokave e udhëhiqte partia dhe e realizonte nëpërmjet strukturës së saj më besnike, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit. Kjo strukturë që ishte pothuaj e paligjshme, kontrollonte deri në imtësi jetën e gjithë njerëzve. Përcaktonte ata që sipas platformave sekrete të punës së tij, mund të ishin me mendime kundër partisë. “Mysafirët” e Sigurimit i kishe në shkallë, në lagje, në punë, në rrethin e ngushtë shoqëror, në farë e fis e në krushqi, ndonjëherë edhe brenda në shtëpi: ka ndodhur që gruaja ka denoncuar burrin. Vetëm të mendonin kundër (jo të vepronin), kaq duhej që njerëzit të futeshin në burg.

Në këtë klimë Genc Leka e Vilson Blloshmi ishin më të rrezikuar edhe për një arsye tjetër: ata merreshin me letra, shkruanin poezi, përkthenin, bënin studime. Të merreshe me letra atëherë, ka qenë një punë me rrezik. Kushtëzimi i Platonit, “të vriten poetët, kur nuk binden” të duket i butë dhe i arsyeshëm, krahasuar me atë që hoqën disa prej krijuesve nën komunizëm. Edhe se nuk i kundërviheshin hapur shtetit, shumë krijues atëherë e pësuan. Por Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan, se i projektoi shteti si armiq, jo se ata me “letrat” e tyre dolën hapur kundër shtetit.

Shteti komunist ishte në armiqësi të shpallur me shkrimtarët dhe poetët se ata, për një urdhër që vjen nga instinkti i racës së tyre, janë për korrigjimin dhe deri për ndryshimin e botës përreth tyre. Ata dyshojnë te realiteti i ditës. Por për komunistët, dyshimi, pakënaqësia ndaj realitetit të tyre “të përjetshëm”, ishte i barabartë me vdekjen. Hëm, dyshuakeni ju tek ne, domethënë, dashkeni vdekjen tonë ju? Ha, ha, ha… pa bjereni këtu atë kokën tuaj që kërren vjersha, ta vëmë në cung dhe ta këpusim një herë e mirë, t’i japim fund dyshimit tuaj. Qenkeni të pakënaqur ju? Ejani se ua tregojmë ne se si të kënaqeni, do t’iu kënaqim me burg… me litar.

Të gjitha këto më lart dihen. Në rastin e Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit ato dalin në shesh me gjithë shëmtinë e tyre. Dalin lakuriq duart e përgjakura të një shteti që vret shtetasit e vet.

Të dy poetët u pushkatuan me një akuzë të sajuar e të rreme, me akuzën e sabotimit në ekonominë bujqësore të fshatit. Po të hetosh për dje dhe për sot në fshatin Bërzeshtë, në fshatin ku lindën dhe jetuan Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, nuk ka ndodhur kurrën e kurrës ndonjë sabotim. Akuza e sabotimit u shpik në zyrën e shefit të partisë së Librazhdit dhe iu dha për zbatim gjykatës së Librazhdit. Komunistët dështimet e tyre të njëpasnjëshme në ekonomi, i shisnin në publik si sabotime të armiqve. Armiqtë sabotonin në kënetën e Maliqit, armiqtë sabotonin në nxjerrjen e naftës, armiqtë sabotonin në bujqësi, në ushtri, në kulturë… Në rastin e poetëve të Bërzeshtës, hetuesia me torturë i detyroi disa nga të arrestuarit që ta pranonin krimin që nuk e kishin bërë: që janë sabotatorë, që janë grup sabotatorësh për të dobësuar ekonominë bujqësore të fshatit Bërzeshtë, dhe krerët e këtij “grupi”, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, u pushkatuan.

 

 

LEKAJT E BËRZESHTËS

 

Bërzeshta ka pasur dy fise kryesore: Blloshmët dhe Lekajt. Dy familje tradicionale që janë dashur dhe armiqësuar në rrjedhë të viteve me njëra-tjetrën, kanë mbijetuar në lakun e urrejtjes e të rivalitetit midis tyre. Plagët e hasmërive i kanë mbyllur me krushqitë e ndërsjella.

Përherë secili nga të dy fiset ka bërë me kokën e vet, në pajtim me interesin, prestigjin dhe pasurinë. Gjatë Luftës së Dytë Lekajt mbajtën krahun e partizanëve. Ishte gjë e madhe për komunistët që Lekajt u çanë me Blloshmët. Edhe Lekajt në fillim ishin ballistë, por pastaj u kthyen në partizanë. Madje një i Lekajve vrau dajën e tij ballist, për t’u bërë i besueshëm te partizanët.

Lekajt e Bërzeshtës si partizanë, pas Luftës morën përgjegjësi shtetërore me peshë në rrethin e Librazhdit dhe më gjerë.

Sami Leka, shtatlartë, i pashëm, ish-nxënës i liceut francez të Korçës, ish-komandant partizan i batalionit të Bërzeshtës, pas Luftës studioi në Moskë dhe punoi si përkthyes i letërsisë marksiste. Thonë, thonë… se ka përkthyer dhe “Kapitalin” e Marksit nga origjinali. Kur u kthye nga Moska, ai filloi ta lëshojë gjuhën ndaj disa prej përfaqësuesve të regjimit. Disa nga shokët e tij ish-partizanë…, injorantë, tani na ishin bërë gjeneralë…zëvendësministra. Shefat lart e thirrën dhe i thanë që ta qepte e ta taposte gojën, ndryshe… Ashtu bëri. S’u bë më i gjallë. U mbyll në shtëpi, kërrusur mbi makinën e shkrimit për tridhjetë vjet. Punoi mbi të si përkthyes, punoi dhe në ditët e festave, edhe të dielën që të rriste fëmijët. Në luftë ai kishte vrarë shokët e tij, kur dyshohej se ata punonin me armikun. E dinte mirë se shokët komunistë edhe në paqe vrisnin, i vrisnin shokët e tyre, kur dyshonin, vetëm se dyshonin në ta, ose edhe kur mërmërisnin nën zë ndonjë fjalë kundër vendimeve të partisë.

Edhe babanë e Samiut, Luto Lekën, figurë me shumë kontribute dhe përgjegjësi gjatë Luftës, shkallë-shkallë e mënjanuan, derisa e zhveshën për fare nga pushteti.

Kopshtin e mollëve rreth e qark shtëpisë së tij në Bërzeshtë Luto Leka e kishte shumë për zemër. Të gjitha ia dorëzoi kooperativës: kullotat, pyllin, arat e bukës, por për atë kopsht shkoi deri te miku i tij i Luftës, te Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në Tiranë. Ia qau hallin për kopshtin, vetëm për kopshtin e mollëve. Miku e priti mirë, por ia fryu kokën me… prona është borgjeze… komunistët e shtypin me këmbë pronën… e shkelin sëmundjen, e dëngër-mëngër… e partia… e prona socialiste, e plot e plot dëngla të tjera si këto, që Luto Leka i dinte më mirë se ai.

Miku e përcolli Luton gjer te dera e vilës. Një kopsht prej disa dynymësh me drurë dekorativë dhe me drurë frutorë rrethonte vilën e Kryetarit të Presidiumit. “Kopsht shumë i bukur”, – i tha Luto Leka. “Ma ka dhënë partia. Këtu heq lodhjen e ditës. Herët në mëngjes e vonë në mbrëmje shëtis nën degët e pemëve “. “Ti, vetëm ti, paske të drejtë të shlodhesh e t’u gëzohesh pemëve. Unë atje në tokën time, në fshatin tim, nuk paskam të drejtë të shëtis nën pemët që m’i ka mbjellë babai e gjyshi im? Vetëm kaq i kërkoj partisë, vetëm kopshtin tim.” Miku i lartë shtangu. U nxi. Zgjati krahun nga porta dhe i tundi gishtin tregues si për t’i thënë: përjashta dhe mos t’i pafsha më sytë. I ktheu shpinën dhe ia përplasi derën në surrat.

Udhëheqja e lartë komuniste kishte vendosur ta fshinte nga faqja e dheut hierarkinë e krerëve vendorë të familjeve me autoritet e me histori në një gjeografi të caktuar, hierarkinë krahinore të familjeve që kishin pasur gjë e mall dhe njerëz që i ndiqnin nga pas. Familjet si ajo e Luto Lekës kishin bërë luftën, kishin udhëhequr batalionet partizane, i kishin mbajtur me bukë. Por historia e re donte hierarki të re. Josif Stalini disa nga gjeneralët e Luftës së Dytë Botërore (ata që nuk i vrau), i bëri kujdestarë të konvikteve universitare. Tek ne disa nga këto familje u goditën menjëherë pas luftës që ta ulnin hundën. Tani autoritet fuqiplotë dhe i vetëm në tërë vendin ishte Partia, domethënë, Njëshi në krye të saj. Partia kishte bërë luftën. Partia i kishte të gjitha meritat. Për dje, për sot e për nesër… vetëm Partia… vetëm Komandanti… Të tjerët… barkas dhe ta mbanin kokën shtrirë rrafsh me tokën. Ato familje dhe ato figura vendore të luftës që nuk e kuptuan që herët këtë politikë të zhveshjes nga pushteti dhe nga pasuria, e pësuan më keq.

Luto Leka e nuhati erën që frynte dhe u zmbraps. Heshti. Jetoi me hijen e “veteranit të nderuar”. Dhe ai dinte mirë ta mbante veten të tillë: Xha Luto partizani, xha Luto veterani etj, etj…

Prapë, sado me kursim, ai e hidhte ashtu si padashje ndonjë fjalë therëse për ato që ndodhnin rreth e rrotull tij.

Nga vitet ‘60 caktuan për deputet të Librazhdit një minator.

Fol, xha Luto, i thanë atij në mbledhjen e paraqitjes së deputetit të ri para popullit. Xha Lutua foli ftohtë e në përgjithësi për rëndësinë e zgjedhjeve, për klasën punëtore në fuqi dhe u ul më përpara sesa të ngrihej. Në klubin plot me njerëz, pas mbledhjes, ai foli me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë: “Dashkan një minator në Parlament… Hidhen mina në Parlament, që t’u çojmë një të tillë? Këtë minatorin tonë do ta zërë gjumi në kolltuqet e deputetëve. Këta të pushtetit këtu në Librazhd e më lart, në ia donin të mirën këtij minatorit me barominë e me çizme, le t’i jepnin një dorë me para. Le t’i jepnin para, së paku, sa t’u zërë mullën me bukë, sa t’i veshë e t’i mbathë ata kalamajtë e tij, që i ka fare barkjashtë, i ka copë e çikë e për faqe të zezë”.

Një tjetër nga këta Lekajt, njëri që dinte të notonte mirë në ujë të turbullt, bëri karrierë dhe karrierë në ngritje gjatë komunizmit: Shef policie në Elbasan dhe në Shkodër, Drejtor i përgjithshëm i burgjeve, Drejtor i përgjithshëm i qarkullimit rrugor në Ministrinë e Brendshme.

Feim (Bardho) Leka, lindur më 17 mars 1910, e pësoi më keq nga gjithë fisi i Lekajve. Ai ishte i lidhur me krushqi me Blloshmët, kulakë dhe armiq të popullit. Gruaja e dytë e Selman Blloshmit, gjyshja e poetit Vilson Blloshmi, ishte motra e tij.

Bardho Leka në vitet ’30, kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe si një nga nxënësit më të mirë të shkollës, u emërua kryemësues në zonën e tij. Më pas, bëri një kurs dhe hyri oficer në ushtrinë mbretërore. Njihte gjuhët serbisht dhe italisht.

Bardho Leka nga formimi ishte përfaqësues tipik i njeriut të krahinave malore. Dy ishin cilësitë e një malësori safi të asaj kohe: mosbesimi në gjërat që thuhen e që duken, dhe maturia. Të mosbesosh dhe të përmbahesh, mos ta shpallësh hapur veten. Këto i jepnin hijen dhe peshën një burri për së mbari të maleve. Bardhua e kishte të mprehtë nuhatjen për të mosbesuar dhe dinte t’u shpëtonte gjithë kurtheve që i vinin të tjerët, por nuk ishte natyrë që vetëpërmbahej.

Bardhos i pëlqenin kuajt e bardhë, koburja në brez dhe muhabetet e ziafetet e burrave. Nuk ia përtonte që të ta zbrazte armën drejt e në lule të ballit dhe të ta kthente përgjigjen aty për aty. Kishte bërë armiq, por aq i bënte. Bardhua e mbante koburen nën jastëk dhe kur flinte me gruan. E mbante të ngrehur dhe në tryezën e bukës. Dyshues, mosbesues, idhnak e syçelur, sa asnjëherë nuk kapej gafil.

Në luftën e fiseve për mbijetesë, për të kontrolluar pushtetin dhe pasurinë, domosdo të hynin në punë armët, por edhe miqësitë, të cilat vendosnin aleancat dhe baraspeshën në krahinë. Ligjet e këtyre marrëdhënieve të vjetra në mbrojtje të interesit, të pushtetit dhe të prestigjit vetiak e familjar mund të thuash se përcaktuan edhe pjesëmarrjen e krerëve të fiseve në Luftën e Dytë. Por mbas Luftës ligjet e vjetra nuk hynin më në punë. Tani të gjitha fijet i mbante vetëm Njëshi në dorën e tij. I mbante në dorën e tij të fortë favoret dhe pushtetet. Duhet të faleshe në derën e shtetit nga mëngjesi në mbrëmje dhe që të mbijetoje.

Bardhoja gjatë Luftës mori krahun e partizanëve, por komunizmin nuk e donte. Pas Luftës prapë shkonte e vinte në fshat mbi një kalë të bardhë. Ai e kishte kokën përmbi supet e veta dhe frerët e kalit i mbante të shtrënguar fort në dorën e tij. Nuk mund t’ia jepte tjetër njeriu frerët e kalit të tij. E emëruan kryellogaritar në seksionin e tregtisë në Librazhd, pastaj po me këtë detyrë në rrethin e Gramshit. Bardhua prapë përmbi kalë shkonte e vinte në fshat. Familjen nuk e shkulte nga Bërzeshta. Kjo sjellje nuk u pëlqente shumë njerëzve. Shtetit sidomos nuk i pëlqente afrimi i tij përherë e më i ngushtë me Blloshmët. Edhe në punë ia kishin me hile. I bënin kontrolle të befasishme. E gjenin shumë mirë me llogaritë, por kontrollet nuk i shqiteshin. Më 1950 donin ta transferonin prapë, ta çonin me punë në një rreth tjetër. Bardho Lekës iu sos durimi. E kuptoi që po i mblidhej laku. La gruan me tre fëmijë të vegjël dhe u arratis në Jugosllavi.

Mëria e shtetit me familjen që la pas, nuk njohu kufi. Mbase për këtë ndikuan dhe njerëzit e fisit të tij. Lekajt e tjerë donin ta shpallnin qartë dhe prerë se ishin besnikë të shtetit, jo të Bardhos. Se Bardho Leka tani, me këtë arratisje nga vendi, i kishte fyer dhe turpëruar Lekajt e tjerë përpara botës dhe përpara shtetit.

Bardhon e shpallën armik të Shqipërisë. E sekuestruan dhe e shpronësuan nga gjithë ç’kishte. Shtëpinë ia dogjën, madje ia rrafshuan gjer në themele.

Gruan e tij, Gjiskën, e mbajtën për një kohë të gjatë në hetuesi në Librazhd. E akuzuan se kish takuar të vëllanë e saj, edhe ai i arratisur. Më pas e internuan dy vjet në Tepelenë dhe tre vjet në Lushnjë. Fëmijët e tyre mbetën rrugëve. Gencin, Manushaqen dhe Rekon, i shpërndanë në tri lagje të fshatit te kushërinj të largët. Kujdestarët e tyre u porositën nga shteti që fëmijët të viheshin nën mundim, të bënin punë të rënda tej fuqive të tyre.

Kjo mizori kishte si synim të cyste Bardho Lekën, ta preknin në zemër dhe në sedër që ai të kapërcente kufijtë për të marrë me vete fëmijët e tij. Fëmijët po përdoreshin si karrem për ta kapur Bardhon. Fshati dy vjet rresht u mbajt nën rrethim të plotë policor. Pritej me orë, me ditë që Bardho Leka të vinte. Bardho Leka në vitet 50-52, në një provë të vërtetë nervash me policinë, me shtetin, hyri dhe doli disa herë, por nuk ia arriti që t’i merrte fëmijët e tij. As shteti nuk e kapi dot Bardhon. Bardhua vinte, hante e pinte në miq, te nipërit e tij, Blloshmët, shkonte natën te gruaja, puthte fëmijët në gjumë dhe fluturonte matanë kufijve prapë. Ai kishte qenë oficer në atë zonë dhe i dinte më mirë se të tjerët vrimat dhe pusitë që ngrihen në raste të tilla.

Pas vitit 1953 nuk pati asnjë lajm për Bardhon. Familja, edhe pasi Gjiska u kthye nga internimi, mbahej nën mbikëqyrje të pandërprerë.

Bardhua vdiq më 1968 në Prizren në rrethana të dyshimta. Prej andej erdhi një letër për këtë vdekje të papritur. Së shoqes ia lexuan letrën në polici, në Librazhd. Nga frika, ajo nuk deshi t’i përgjigjej letrës, nuk pranoi që t’i kthenin as sendet personale të burrit të saj.

Këto ishin rrethanat familjare nëpër të cilat kaloi fëmijëria e Genc Lekës.

 

JETA E GENC LEKËS

 

Genc Leka, 23 mars 1941 – 17 korrik 1977, lindi dhe jetoi në fshatin Bërzeshtë.

Bërzeshta atëherë ishte një fshat plot diell, plot blerim, me mullinj dhe me ujëra. Arrat atje nën shkëmbinjtë Krastës i bënin kokrrat të mëdha e të fryra, nga që rrënjët i kishin në shkëmb e në lagështi. Fasulet dhe kungujt hovnin e ngjiteshin mbi gardhe. Ftonjtë harbonin. Mollët të kuqe e të freskëta vileshin në vjeshtë, por aromën dhe ëmbëlsinë e athët e brymnin në kokrriza-kokrriza të bardha atje përbrenda lëvores vetëm kur binte fërllaza e parë e dimrit. Gurrat, edhe përmes vapës, vërshonin të bardha e të ftohta, vareshin gulfe-gulfe e gufonin, rrëshqisnin plot shkumë e freski nëpër tërë fshatin.

Mani i madh te oborri i shtëpisë së Gencit, oborr i rrethuar me mur, po plakej dhe kokrrat e pjekura i bënte më të mëdha.

Gencit i kishin dalë thinjat në tëmtha. Rinia kishte fluturuar tutje, po ai ende skuqej, kur fliste me njerëzit. Buzët prapë i kishte pak të fryra. Hunda me majën lart në fytyrën e tij të mprehtë nuk shkonte me shprehjen e njeriut të tërhequr, e njeriut që mprehtësinë kurrë nuk do ta shpërthejë bujshëm.

Mbi shpinën e tij tashmë ka shumë shira të rënë dhe të tharë po aty. Shira të zinj, borë e rëndë dhe pluhur i vrugët rrugësh të vetmuara. Në jetën e tij ka shumë xhade gjarpërore me erë, ku ai pret e pret makinat që ta marrin edhe përmbi karroceri. Balta e zhyer mbi këpucët e mbi pantallonat, e ngjitur deri te kërciri nuk i shqitej. Punë në fermë. Zbore të trishtuara në hapje tunelesh. Vështrime njerëzish që nxiheshin dhe bëheshin pus kur e shihnin. Ca nxiheshin nga mëria, ca nga keqardhja. Mbrapashpina e tij ishte bërë shoshë nga sy të tillë që e ndiqnin. Se, kur nuk të do shteti, as njeriu yt nuk të do.

Shtëpia e tij përdhese – ia kishte falur një i afërm i tij – me dy dhoma ishte aty në mes të fshatit. Në njërën prej dhomave flinte ai me gruan, në tjetrën vatra, fëmijët dhe nëna.

Kishte ëndërruar famë, miq, dashuri dhe, ja: një shtëpi përdhese, një grua që nga hallet ishte duke u rrëgjuar. Gjiska, nëna e tij e fortë në maturinë e saj të vrazhdët e të ëmbël, mbahej si shtylla e shtëpisë. Fëmijët e tij, Tika dhe Tina, trembeshin kur fëmijët e tjerë të shkollës u thërrisnin “kulakë”, “armiq”.

Netëve, kur nuk e zinte gjumi, mblidhej në aneksin, ku ishte dhe një sënduk me libra dhe përkulej mbi shkrimet e tij. Lexonte apo dëgjonte Moxartin, Shubertin. Proza lirike e Paustovskit me personazhet e tij që nuk gjejnë vend në jetë, tipa pak rebelë, pak në skaj apo si të hedhur tej nga shoqëria, po i pëlqenin. Në këto net ai shfrynte mbi ndonjë letër që ia niste një miku, por thellë-thellë e kishte shkruar si për t’ia nisur vetes. Letrat e tij ishin të stolisura me strofa poezish që i improvizonte në të shkruar e sipër apo që kish dashur që më përpara t’i shkruante. Ndonjëherë në net të tilla e kaplonte mendimi i vdekjes. I dukej aq e afërt, sikur të ishte aty prapa derës së tij.

Mbrëmjet më të shpëtuara ishin ato kur vinte miku dhe kushëriri i tij, Vilsoni. Kthenin ndonjë gotë dhe stërvisnin trurin që mos u mbushej me miza dhe pluhur si trungjet e plakur në pyll.

Nesër prapë balta nëpër këmbë, prapë puna në fermë, shirat mbi shpinë… sytë vrasës të atyre që e ndiqnin. Nesër mund të shtonte edhe ndonjë paragraf tjetër në studimet e tij mbi toponiminë apo mbi ato etnografinë e zonës së tij.

Fëmijëria e tij pati qenë e lumtur deri në moshën dhjetëvjeçare. Më pas, fatkeqësitë nuk iu ndanë. Arratisja e të atit, Bardho Lekës, ia uli kokën atij dhe gjithë familjes. Nënën e internuan. Genci me të motrat, Manushaqen dhe Rekon, mbetën rrugëve, u rritën si jetimë. Të nëpërkëmbur e të fatakequr. Rekoja pesë vjeçe, më e vogla, nuk i ruante dot delet, nuk bënte dot triko dhe punë të tjera që ia ngarkonte familja që e kishte marrë nën kujdestari. Halla e tyre, Xherja, plaka e Blloshmëve, i priste kur dilnin nga shkolla. I kthente në shtëpinë e saj e i ushqente me ç’t’i ndodhej. Mbrëmjeve vonë i gjente arave e gjerdheve të fshatit ku i kishte zënë gjumi, të lodhur e të kapitur nga keqtrajtimi dhe nga të pangrënët.

Një njeri si ati i tij, Bardho Leka, duhet t’i kishte menduar këto që po i ndodhnin familjes së tij. Me siguri, kur u arratis, ai do të ketë dashur t’i merrte me vete edhe ata, por, thonë, se e shoqja nuk kishte pranuar.

Gjiska, edhe ajo, nga familja e saj i kishte punët keq e më keq me shtetin. Ishte bijë nga Mokra. Babai i saj, Rrapush Agua i Çezmës, ishte një nga krerët lokalë të dëgjuar në luftërat për Pavarësi. Gjiska në Mokërr, në fshatin Cezmë, pati pesë vëllezër, nga të cilët katër ishin pushkatuar nga shteti. Ata kishin mbajtur krahun e nacionalistëve gjatë Luftës. Vetëm njëri, që ishte arratisur me kohë, Zenel Muçaj (Çezma), mbeti i gjallë.

Gjiska vuajti shumë, por gjatë gjithë jetës mbeti një grua me kurajë, me humor. Kur e internuan në Tepelenë, atë dhe shumë gra të tjera i vinin të bënin dru në mal. Bënin dru për zyrat shtetërore dhe për furrat e ushtrisë në Tepelenë. Mali ishte i thatë me gurë gëlqeror, me gjarpërinj dhe gjemba helmues. Gratë vetë i prisnin shkurret, vetë i bënin stivë dhe i ngarkonin me litarë në shpinë për t’i sjellë deri në kampin e internimit.

Policit që po mbikëqyrte këto gra të internuara, i erdhi keq për Gjiskën shtatpakët. E pyeti, pse e kishin internuar. Ajo i tha atij se burrin e saj, burrëziun thuaj, e kishte patur bari. Një ditë atij i humbën dy dele të fshatit dhe nga frika u arratis e shkoi në Jugosllavi. Ja, për këtë më internuan, i kish thënë Gjiska.

Kjo shaka i kushtoi rëndë Gjiskës.

Nga shefi i tij polici mori vesh se burri i Gjiskës ishte “ një njeri shumë i rrezikshëm”. Një i arratisur, me të cilin hahej një qeveri e tërë. Ky armik shkelte kufirin, hynte e dilte kur të donte, dhe shteti nuk po e kapte dot.

Që nga ajo ditë, barrës së druve mbi shpinën e Gjiskës polici u shtonte dhe një kërcu të rëndë përsipër.

Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare Genci i kreu në fshat. Më pas ndoqi pedagogjiken e Elbasanit (1957-1961), i strehuar te një mik i familjes. Familja që e strehoi Gencin, paguhej nga nëna e tij. Mund të thuash se më shumë ishte një bamirësi, një detyrim miqësor i familjes elbasanase, sesa një pagesë. Genci, bir armiku, nuk mund të ishte konviktor, se konviktorët mbaheshin me shpenzimet e shtetit.

Në ato vite po hapeshin shkolla në çdo fshat të vendit dhe kishte nevojë për arsimtarë të kualifikuar. Mësuesit e Shkollës pedagogjike të Elbasanit, shkolla e mesme më jetëgjatë e arsimit shqiptar, kishin studiuar në Itali, në Zvicër, në Gjermani dhe në Francë. Ata për traditë i mëshonin fort formimit gjuhësor, pedagogjik dhe patriotik të nxënësve. Ishin burra të moshuar dhe me kërkesa metodike e disiplinore të brezit të vjetër. Në vitet ’60 ata ende i drejtoheshin njëri-tjetrit me fjalën “zotni” dhe, kur përshëndeteshin, hiqnin borsalinat. Mësuesi, sipas tyre, duhet të mbante kostum, kravatë, të ishte i hekurosur, i lustrosur dhe i rruar për ditë.

Genci që në shkollën tetëvjeçare të Bërzeshtës u dallua për hartimet e mira dhe filloi të shkruajë poezitë e para. Ai vinte i imët, sytë i kishte me rreth nga poshtë, buzët të fryra. Skuqej, kur i flisje. Vinte i druajtur dhe i tërhequr. Si një i pjekur para kohe, ulte kokën, mendohej, pastaj fliste. Mësuesi i letërsisë i tha se kishte lindur me talent. Se fjala e tij e shkruar kishte tingull, lirshmëri dhe rrjedhë lirike.

Me vjershat e fshatit në fletore Genci hyri në rrethin letrar të Normales së Elbasanit. Sipas traditës së kësaj shkolle, rrethin letrar e udhëhiqte mësuesi i letërsisë që drejtonte dhe bibliotekën. Në gazetën e murit “Rrethi letrar” u afishuan disa nga vjershat e Gencit, që pasi u lexuan nga mësuesi dhe shokët e tjerë letrarë, u pëlqyen. Leximet në bibliotekë, bisedat me shokë ia forcuan besimin se mund të bënte përpara si poet. Kur ishte në maturë, arriti të botojë disa vjersha dhe në faqen letrare për të rinj në gazetën e kryeqytetit, në “Zërin e rinisë”.

E emëruan mësues në fshatin Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës (1961). Pastaj në fshatrat Zgosht e Letëm, po të kësaj krahine.

Genci me diplomën e mësuesit për shkollën fillore, jepte mësim në shkollën tetëvjeçare. Për këtë emërim ndikoi mesatarja e lartë e notave të tij, por edhe ajo që në zonat e thella kishte mësues që ende nuk e kishin mbaruar shkollën e mesme.

Genci ishte modeli i mësuesit si në mësimdhënie, si në mbajtjen e dokumentacionit, ashtu edhe në sjelljen me nxënësit e kolegët. Ai ishte i prerë për mësues. Nga ana tjetër, e dinte se njerëzit me prejardhje politike si ajo e tija, nuk duhet të kurseheshin në punë. Vetëm aftësia, përkushtimi dhe cilësia e lartë në punë mund t’i mbanin në arsim. Genci për nga natyra ishte njeri i butë, sistematik dhe racional. Prapë, para nxënësve në orët e mësimit ai menjëherë shndërrohej në një njeri tjetër. Recitonte me zërin e tij muzikor, e vishte fjalën me ndjeshmëri, me energji. Ishte i freskët në idetë dhe në gjetjet krijuese gjatë mësimdhënies. Këto aftësi dhe ky pasion për profesionin ranë në sy. E vunë të drejtonte seminaret kualifikuese për mësuesit e disa shkollave. Jepte mësime të hapura përpara këtyre mësuesve.

Ndërkohë që u përmbahej me korrektësi të gjitha kërkesave politike të kohës në punën si mësues, në gazetën “Zëri i rinisë” botoi disa poezi për shkollën, për luftën partizane. Në revistën “Miqësia”, frymëzuar nga poeti që e kishte për zemër, nga Esenini, botoi dhe një poezi për Leninin. Në dhomën e tij mbante autorë lirikë si librin “Kopshtari” të Tagorës, Eseninin, Lasgushin, përkthimet e Pushkinit, romanet e Dikensit, tregimet e Gorkit e të Gogolit, Sadiun. Lexonte gjithë librat e rinj që dilnin në shitje. Genci fliste rusishten dhe frëngjishten. Mundohej të përparonte në këto gjuhë, të përparonte dhe në profesion.

Por të gjitha i shkuan dëm…

Shteti nuk e kishte harruar mërinë me Bardho Lekën, babanë e tij të arratisur. Emërimi në këto fshatra pranë kufirit dhe mbajtja nën mbikëqyrje e Gencit nuk bëheshin pa qëllim. Genci mund të shërbente si një çark i ngrehur për të kapur të atin, në se ky do të kapërcente kufirin, për të takuar të birin. Kjo përflitej atëherë.

Në shkollën e Zdrajshit ishte dhe një mësuese nga Korça, Zhuli. Ajo, sapo kishte mbaruar pedagogjiken dhe e kishin sjellë nga qyteti i saj aty në Çermenikë. Ishte e bija e Kolë Rrodhes, një figurë e njohur e traditës rilindëse, prefekt, deputet, ministër finance gjatë mbretërisë. Pas Luftës ai u dënua me pushkatim. Dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit.

Dy të rinjtë, Gencin dhe Zhulin (Elenin), fati i kishte shpënë në të njëjtën shkollë, në një fshat të vogël, në një vend me male e me borë, në një zonë të largët kufitare. Ata u dashuruan dhe martuan në fund të atij vitit shkollor (1962).

Pas pesë vjetësh në arsim, Gencin e thirrën për të kryer detyrimin ushtarak (1966-1968). E kreu atë në brigadë pune. Në këto brigada mblidheshin gjithë bijtë e të deklasuarve, siç thuhej atëherë. Ushtari i brigadave të punës nuk kishe të drejtë të mbante armë, nuk stërvitej si ushtar, ishte punëtor në fermat ushtarake, në ndërtime banesash e rrugësh dhe në punime të tjera sipas nevojave të reparteve ushtarake. Genci në repartin ushtarak midis Cërrikut dhe Belshit hapte tarraca në faqet e kodrave. Për kaligrafinë e bukur prej mësuesi klasik atë e vinin të bënte parullat propagandistike të repartit. Genci i qante ato.

Shqipëria në ato vite u mbush me njerëz të rinj që ndiqnin shkollat. Shtypi letrar, pak më ndryshe nga pjesa tjetër e shtypit të kohës, që ishte tërësisht i helmuar nga propagada, ndiqej me etje nga kjo masë të rinjsh që shkolloheshin. Vendi ynë është i vogël dhe fjalët përhapen shpejt mbi çfarë bëjnë, ç’njerëz janë, ku janë, si i kanë punët… ata që shkruajnë në gazeta. Genci, dhe me aq sa kishte botuar, tashmë ishte një emër ndër ata të rinj larg kryeqytetit që kishin dëshirën të shkruanin dhe të botonin në gazetat e kryeqytetit. Ai quhej poet, por dhe fatkeq, se… kishte një kleçkë në biografi… Thashethemet nuk ishin për mirë. Genci nuk po dukej më në faqet e shtypit letrar. Oficerët e rinj, sido që nuk e shpallnin hapur, e simpatizonin poetin ushtar, Gencin. Pa rënë në sy ata e mbronin, se atje në zyrat e kapterëve, në magazinat e repartit, bashkë me minjtë dhe insektet, lëviznin dhe hijet e spiunëve. “Në sahan të sigurimit\ pinë helmin e helmimit”, thoshte për ta Genci.1)

Në repartet ushtarake të punës ku vinin të rinj nga internimet, të rinj me të ardhme të vrarë, nuk mungonin spiunët dhe provokatorët. Ndonjëherë ata nxitnin sherr, ia merrnin dhe librat e fletoret ku shkruante poezi. Genci, tashmë me përvojë, dinte të shmangej. Në kohën që i mbetej mbas punës, ndiqte librin e ri, shtypin. Veçohej, zinte vend në ndonjë kënd të pëlqyer të pejsazhit dhe meditonte. Dhe shkruante. Vjeshta, muzgu, një prirje nga melankolia, vetmia…përpunimi i mjeshtërisë për të përthyer emocionet e ditës në fjalë muzikore, në poezi të rimuar dhe strofike ishin bërë pjesë e jetës së tij të brendshme. Ai parapëlqente dhe poezinë lirike me një strofë, me gjashtë-shtatë rreshta. Në ato vite ka shkruar dhe një poezi të gjatë për Eseninin, që ka humbur.

________________

1) Për këtë parathënie, veç të tjerash, janë marrë fakte dhe nga libri “Ngadhnjim i shpirtit”, Globus R, 2007, të autorit nazmi Seitaj.

_________________

Kjo vetmi shpërthente në dëshirën për t’u shprehur. Por revistat, librat, kërkesat zyrtare… ishin kundër tij. Dhe kjo ushtri, kjo ushtri me kazmë e lopatë në dorë… mos ishte si hapja e gropës për ëndrrat e tij?

Mbas ushtrisë, Gencin nuk e kthyen më në arsim, në profesionin e tij. Bashkë me të i larguan nga arsimi gruan e tij, Zhulin, dhe të motrën, Rekon. Tre veta nga një familje. Rekoja e ushtroi profesionin e arsimtares vetëm dy vjet (1965- 1967).

Hollë-hollë, nga çdo anë që ta shikosh, ajo çfarë ndodhi me Gencin, pritej. Ai ishte mësues fshati dhe në zonën më të largët malore që mund të gjendej, gati si në gropën më të thellë të botës. Në humbëtirë. Përsipër tij vinte piramida e pushtetit. Ajo niste që nga ai komunisti me opinga i fshatit, nga kryetari i fshatit, nga operativi i sigurimit dhe instruktori i partisë për zonën, e ngjitej deri fare lart, në qendrën e shtetit. Kush do ta mbronte atë nga hija që i kishin lënë i ati i arratisur, dajat e pushkatuar, nëna e internuar?

Cilido nga komunistët e fshatit ishte më lart, më me pushtet sesa ai. Dhe patjetër që do ta shihnin me zili. Me mëri. Neve na shqyhen shpatullat nga kazma dhe lopata, mezi i mbajmë me bukë fëmijët dhe ky, i biri i armikut, në punë të mirë, me rrogë të mirë. Ai, gruaja e tij dhe e motra e tij… Hëm, bijtë e armiqve mësojnë fëmijët tanë. Ankesat ndaj tij, të ushqyera nga kjo zili e ligë, merrnin forma politike: të bijtë e armikut në punë të mirë?

Këtë politikë e mbante gjallë vetë shteti. Në ato kohë Shqipëria i kishte hyrë një përshkallëzimi të ri dhe të egër të luftës së klasave. U ndalua me ligj ushtrimi i besimit fetar. Po prisheshin ndërtesat e kulteve fetare. Në ushtri u kthyen komisarët, komunistë të mykur, fanatikë, që në shumicën e rasteve nuk kishin të bënin fare me ushtrinë. U larguan nga profesioni gjithë ata që nuk e kishin biografinë “të pastër”, bijtë e të dënuarve nga shteti, bijtë e atyre familjeve që shteti i trajtonte si “përfaqësues të klasave shfrytëzuese”. Mëria e shtetit tashmë po binte mbi brezin e dytë dhe të tretë të këtyre “përfaqësuesve të klasave të përmbysura”.

Për dhjetë vjet ai punoi si bari, si bujk, si punëtor në fermë. Me Zhulin dhe djalin e tyre, Petrikën, pastaj dhe me një vajzë, Eglantinën, që të katër, banonin në Bërzeshtë. Genci i ishte shtruar fatit. Poezitë nuk ia botonin. Por prapë nga librat nuk kishte hequr dorë. Vjeshta, stina më e dashur e poezisë së tij, (në rininë e tij, stina e ngjyrave të shëndritshme) filloi të ngrysë ngjyrat në këto poezi të vonshme të Gencit.

Atëherë Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë po mblidhte fjalët e rralla, proverbat dhe shprehjet frazeologjike prej të gjitha krahinave të Shqipërisë. Në rrethin e bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij Instituti hyri dhe Genci. Ai kishte përgatitje të mirë gjuhësore. Pedagogjikja e Elbasanit i kishte futur në gjak dashurinë për gjuhën. Në atë shkollë të ngulitnin kultin e gjuhës dhe kultin e mësuesit. Kjo ishte në vazhdën e trashëgimisë së Rilindjes, kur u krijua kulti i gjuhës shqipe, për pasojë, dhe ai i mësuesit si përhapës dhe si martir i shkollave dhe i shkronjave shqipe. Shkolla Normale e Elbasanit e kishte për gjë të madhe që prej bankave të saj dilnin mësues. Një herë në vit për nxënësit e viteve të para hapeshin arkivat e dokumenteve dhe të fotografive mbi veprimtarinë gjysmëshekullore të shkollës. Normalistët kishin qenë jo vetëm mësuesit e parë të shumë shkollave, kudo ku kishte shqiptarë, por disa prej tyre ishin bërë edhe figura me emër, dëshmorë ose veprimtarë të shquar shoqërorë. Mësuesi për konceptin e asaj shkolle pedagogjike ishte një misionar për edukimin dhe ndriçimin mendor të vendit të tij.

Genci ka disa poezi për nxënësit, për shkollën. Në to shprehet diçka më shumë se sa pasioni i tij për këtë profesion. Ishte një kohë, kur për mësuesin shkruheshin poezi, bëheshin filma. Me kohë ky vrull adhurues u zbeh. Mësuesi, në radhë të parë duhet të përcillte “mësimet e partisë”, të vihej nën tutelën e organizatës së partisë. Prapë Gencit në çdo një shtator, në ditën kur fillonte shkolla, i cëriste zemra. Donte ta dëgjonte prapë atë zilen e parë të një shtatorit, zilen e parë që të çon në orën e parë të mësimit pas pushimeve verore të nxënësve. E ndiente veten si të gjymtuar nga që i ishte privuar e drejta e profesionit.

Genci bëri disa studime etnografike për zonën ku jetonte, studim që ruhet në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. Instituti i Gjuhësisë, i kënaqur nga bashkëpunimi me Gencin, i niste atij falënderime zyrtare. Drejtori i atëhershëm i institucionit ndërhyri te autoritetet e Librazhdit për ta mbajtur atë si bashkëpunëtor të jashtëm. Shtatë-tetë fletore të trasha me punët e tij ruhen ende në arkivin e Institutit. Të bie në sy bukurshkrimi dhe meraku prej mësuesi i Gencit në këto fletë të shkruara. Sipas bisedave me punonjës të vjetër të Institutit, disa fjalë të vjela nga skedat e tij janë përfshirë dhe në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe. Por, sado që merrte lavdërime zyrtare nga drejtori i Institutit, vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi do t’ia prishte “biografia”.

Në vitet ‘70 Genci humbi dhe një dashuri që e “digjte me dritë përmbi tri dekada”, një dashuri të fëmijërisë. Prindërit e tyre kishin qenë miq. Nënës së kësaj Lasgush Poradeci i kishte falur me autograf librin “Ylli i zemrës”. Babai i saj, një financier i vjetër, i dha Gencit mësimet e para në frëngjisht. Ajo vajzë ishte pjesë e kohëve të lumtura, e atyre kohërave, kur me babanë në krye të shtëpisë gjithë jeta, gjithë bota ishin të plota në siguri dhe në begati për Gencin. Ajo vajzë i dha “Yllin e zemrës” dhe shtysën drejt poezisë Gencit. Më pas, ata takoheshin në Tiranë. Ajo dhe ai. Dhe të dy kishin edhe një jetë tjetër. Ajo tashmë vdiq. Genci e qau me lot këtë humbje. Kjo lidhje i kishte dhënë vlerësim dhe motiv për të shkruar, për t’u marrë me gjuhësi, për të qenë i gjallë në një mënyrë a në një tjetër si njeri i letrave. Një motiv dhe për t’u shkëputur herë mbas here nga fshati drejt Tiranës. “Në shpirt m’u trete si një top dëbore”, shkroi ai.

Prej saj dhe prej takimit me përkthyesin Vexhi Buharaja në Berat (kur ishte ushtar, ai gjeti rast ta takojë në shtëpinë e tij Buharanë), Genci mësoi se njeriu mund të jetojë si krijues edhe nën hije, edhe pa zë e pa gjuhë në një kohë që t’i mohon e t’i zë në fyt, që të dyja, zërin dhe gjuhën. Buharaja, poet që me pak vjersha i dha vetes emër në vitet ’30, studiues i mbishkrimeve osmane e persiane në Shqipëri, shqipërues nga persishtja i librit poetik të Naimit, Tehajulat (Ëndërrimet), përthyes i Sadiut dhe i Shah Namesë së Firdusit, në vitet ’60 ishte një i varrosur për sëgjalli në lagjen Murat Çelepie të Beratit. Ai i kishte thënë Gencit se është më mirë të shkruash atë që do, të rendisësh fjalë të qarta e të kthjellëta në letër për t’ua bërë jetën më të lehtë të tjerëve, sesa ta ngatërrosh e ta mistifikosh fjalën me falsitete. I urti di të jetojë dhe nën hije. Dhe të jetë i qartë. Të marrët le ta ngatërrojnë e ndërlikojnë fjalën deri në shthurje. E vërteta e jetës është e thjeshtë si ato nallanet e drunjta të poetëve persianë, poetë të varfër, por me shkëndija gjeniu.

Genci e ndoqi këtë këshillë. Në art dhe në jetë.

Herë pas here, për sjelljen e tij korrekte dhe të matur, drejtuesit e fermës shtetërore, ose ata të ndërmarrjes pyjore e ngarkonin me ndonjë punë zyre. Një mënyrë kjo për ta lehtësuar nga puna e rëndë fizike. Por vetëm përkohësisht. Ai nuk mund ta shlyente kurrë nga supet “birin e armikut”.

Me kalimin e viteve Genci mori hijen e njeriut që di të heqë dorë, që di ta pranojë domosdoshmërinë. Të jetë me një sy të hapur përbrenda vetes dhe me një sy të mbështetur fort te bota jashtë tij. Kjo lloj maturie i dha pamjen e njeriut paqësor, por dhe të njeriut me mend në kokë, e njeriut të ditur për krahinën e tij. Ky vetëkontroll e bënte të pranuar e të respektuar. Nga ana tjetër, shkallë-shkallë ai u mësua të gjejë gëzime dhe kënaqësi të vogla dhe në punët e vështira që bënte. Si bari i deleve apo i gjedheve në mal ai vërente këmbimet e ngjyrave dhe të tingujve në pyjet a në grykat e shkëmbinjve. Gjente kohë për meditim, për lexim, kohë që të shkruante dhe letra të bukura për miqtë. Ai, mbase nuk e dinte se disa nga këta miq të zemrës letrat e tij i dërgonin gjetiu. Disa nga këto letra futeshin në dosjen e tij përgatitore 2 B, në dosjen që do t’i hapte derën e burgut a gropën e varrit. Në këto letra kemi një Genc Leka tjetër. Njeriun e shpërthimeve lirike. Aty ai shfrente energjitë e ndrydhura poetike, energji që shpesh u vinte një gur përsipër. Mjerisht, këto letra kanë humbur. Ndoca syresh janë ende në dosjet e mbetura nga ajo kohë, në arkivat e Policisë, por, me që dosjet e sigurimit nuk po hapen, edhe ato pak letra që kanë mbetur, nuk mund të shtihem në dorë. Disa nga miqtë e tij, koleksionet prej një qind letrash që u ka dërguar Genci, kur morën vesh arrestimin e tij, i dogjën. Ose mbase kështu u leverdis të thonë: i dogjëm nga frika.

Shkurt, Genc Leka u përshtat kaq mirë me jetën që i caktuan të jetojë, sa kjo në vend që t’i qetësonte të padashurit e tij në shtet, po i shqetësonte më shumë. Kur ata prisnin prej tij një njeri të mërzitur, të vrazhdët, ai po ruante qetësinë e një njeriu normal. Kjo sikur nuk shkonte me planet e tyre. Ndaj le ta mbikëqyrim sa më afër, edhe brenda në familjen e tij. Linja e mbikëqyrjes nga brenda të familjes Leka ishte e hapur që nga koha kur u arratis Bardho Leka. Tani ajo mund të kthehej lehtësisht kundër të birit. Burrat e motrave të tij u vunë në punë kundër tij. Kështu mbikëqyrja e fshehtë e shtetit ndaj tij sa vinte, po shtohej. Ai me dhuntinë e njeriut që di ta pranojë fatin, me forcën që t’i durojë vuajtjet e vështirësitë dhe, nga ana tjetër, shteti me përgjuesit e fshehtë që e ndiqnin hap pas hapi. Mbikëqyreni, thoshte shteti, mbikëqyreni se armiku armik mbetet.

Gushtovjeshtë e thatë 1976. Mbrëmje. Qielli me një fund të hontë, me një gropë përbrenda tij, po errësohej. Arrestimet e fundit në Bërzeshtë, arrestimi i kunatit, pastaj dhe i mikut të tij, i Vilson Blloshmit, nuk i kishin lënë rrugë tjetër: edhe për të dera e burgut ishte e hapur në të dyja kanatat. Genci priti sa u errësua mirë dhe ndezi një zjarr te mani i vjetër. Aty hodhi çdo gjë që mund ta fajësonte: poezitë, shënimet, ditarët, letrat e miqve. Priti sa u bënë hi që të gjitha. Pastaj me përlotje mendoi: le të bëhet, ç’është nisur. Nuk kam nga t’ia mbaj.

Atë e burgosën më 31 gusht 1976.

 

POEZIA E GENC LEKËS

 

Prej Genc Lekës kanë ardhur rreth 30 poezi. Ndihet në to kujdesi për formën e bukur; midis tyre ka dhe ndonjë sonet.

Motivet që trajtoi poezia e Genc Lekës, janë të njëjta me poezinë e tërë atyre viteve. Trajtoi tema të tilla, si: tradita, lufta, arsimi, trishtimi për fëmijërinë e ikur, gëzimi për Vitin e Ri, për plakun prej dëbore, për lapidarët… Në vargjet e tij ai krenohet me luftëtarët e luftës partizane, gëzohet për shkollën si vatër e dijes dhe e përparimit. Këto qenë temat e fillimeve të tij. Asnjëherë nuk doli nga rrethi i temave që lejoheshin për t’u shkruar. Edhe brengosjen e kishte brenda kuadratit të lejuar: brengosej se i kishte ikur fëmijëria, se në vjeshtë iknin zogjtë, se, bashkë me ta, iknin dhe ciganët nga krahina e tij.

Për nga forma poezitë e tij janë të thjeshta, të kuptueshme, me vargje të matura, shumica me strofa katërshe dhe me rimë.

Janë vargjet e një të riu në moshë dhe në poezi. Temat e drejtpërdrejta politike nuk i kishte për zemër. Edhe kur përmendte ndonjëherë fjalën “parti”, e bënte se ashtu duhej, se ashtu ishte e udhës të shkruaje në atë kohë. Shkroi dhe për Leninin (Djali i Uljanovskit) në mënyrën lirike të Eseninit, poetit të tij të dashur.

Brezat e të shkolluarve të atëhershëm, sidomos ata me prejardhje nga fshati, nganjëherë pushtoheshin nga një naivitet për të ardhur keq. Shpëlarja e truve të tyre nëpërmjet shkollimit shpesh ia arrinte përfundimisht qëllimit. Ata i merrnin për të vërteta ato që u propagandoheshin në libra për sistemin e kohës, “një sistem që për drejtësinë, gjerësinë dhe humanizmin e lartë, nuk krahasohej me asnjë epokë tjetër historike”.

E vërtetë ishte krejt e kundërta e kësaj. Klima përreth ishte fare e acartë dhe sa vinte do të bëhej përherë e më e acartë.

Ata që e nisnin letërsinë, ashtu, për hir të pasionit, për hir të fjalës së bukur, pas ca vitesh do të zhgënjeheshin. Duke besuar në ç’thuhej hapur, pas ca sorollatjesh në redaksitë e gazetave, në shtëpinë botuese, ata vinin re se i kishin hyrë një pune që po ua shtonte telashet mbi jetën e tyre. Në fushën e artit, në letërsi, më shumë se kudo tjetër, kërbaçi i politikës të rrinte përherë pas koke.

Librat shkollorë atëherë të përgatisnin që ti t’ia dhuroje kohës, socializmit, gjithë fuqitë, gjithë energjitë dhe vitet më të mira të moshës tënde. Mandej, si shpërblim, partia do të falte drejtësi, mirësi dhe përmbushje në të gjitha drejtimet. Si ithtari më i ri i një misioni të shenjtë, ti po bëheshe gati të flijoheshe me gjithsej në “altarin e socializmit”. Ti do të shërbeje me nënshtrimin e skllavit të devotshëm kudo që të thoshin. Pra, ishe shndërruar në njeriun e ri, në njeriun ideal për komunistët.

Ky iluzion grisej lehtësisht që në përkitjen e parë me të vërtetat e jetës, në përballjen me varfërinë, me pisllëkun shpirtëror dhe me dhunën lakuriqe mbi njeriun.

Genc Leka i dinte këto të vërteta nga përvoja e familjes së tij. Por duhet të përshtatej.

Kishte shkolla si ajo e Elbasanit, njëra prej shkollave të atëhershme ku gatuhej çorba e “njeriut të ri”, ku më shumë se sa politikës, i mëshonin tërë vëmendjen përgatitjes profesionale të nxënësve të tyre. Disa nga mësuesit e kësaj shkolle bënin sikur nuk e vinin re prejardhjen klasore të nxënësve. Mësuesit e brezit të vjetër i përkrahnin dhe i vlerësonin nxënësit e tyre pavarësisht nga prejardhja politike. Madje disa prej tyre i mbanin më afër nxënësit me “probleme biografie”, pikërisht, për këtë fatkeqësi të trashëguar, jo për faj të tyre. Punoni, u thoshin ata, mos u kurseni, se puna do t’u nxjerrë matanë së keqes. Në mjediset e shkollës, nxënës të tillë me “probleme biografie” ndjeheshin të vlerësuar dhe të motivuar mbase për herë të parë dhe të fundit në jetën e tyre. Mësuesit e vjetër të Normales e nxitën Gencin të shkruante. Fshehtas ata ia përmendnin me respekt dhe të atin, Bardhon, që kishte qenë nga nxënësit më të mirë të asaj shkolle.

Shkëputja nga shkolla në jetë ishte e humnershme. Realiteti me gjemba dhe me gërxhe të helmëta i krahinave ku të degdisnin të punoje, të trondiste. Vetmi, fshat, ngushtësi që të zë frymën. Mëritë dhe rivalitetet e vogla bëhen të mprehta. Shushateshe dhe egërsoheshe në mes të maleve, pa një dëfrim, pa një gëzim tjetër veç librit. Prisje të shtunën që të zbrisje në qytetin më të afërt, të hyje në një kafe, në një librari. Ti ishe mësues i mirë, por kjo nuk mjaftonte. Të duhej mbështetja politike. Përmendja e tërthortë, në fillim pas krahëve, pastaj dhe drejtëpërdrejtë e sy më sy e asaj “biografisë” së shkretë “me njolla” ta helmonin jetën. “Ti me këtë biografi të jesh mësues?”. Pa të ishin vënë dhe ca sy të tjerë mbrapa shpine. Ca sy që nuk të ndaheshin. Edhe ca “miq” që vijnë dhe nga larg si shumë të malluar për ty, që të të kenë “nën kujdes”.

Ti mësues fshati ishe, dreqi e mori, ç’i kishte zënë kaq keq me ty? Po sikur të mëtoje diçka më shumë, sesa mësues fshati? Të merreshe, për shembull, me letërsi. Oh, kjo ishte e tepërt. Kështu ti po ia hapje gropën vetes me të dyja duart. Egoizmat e shtypura të provincës zgjoheshin. Kush je ti që të shkruash në gazetat e partisë? E dinë ata lart biografinë tënde? Dhe niseshin letrat anonime… Dhe ca biseda pësh pësh në vesh të “shokëve të sigurimit”.

Nga ana tjetër, që të hyje në letërsi në ato kohë, edhe sikur mos t’i kishe këto problemet e “biografisë”, duhet t’i paguaje haraç dhe çfarë haraçi politikës. Për shembull, duhet të shkruaje për atë fshatin e mjerë ku si mësues të kishte hedhur fati, një poezi të fortë, poezi për njerëz të shëndetshëm, me njerëz heroikë, njerëz me shpirt të mrekullueshëm dhe shumë të lumtur nën udhëheqjen e partisë. Ishte një kërkesë cinike, por kjo kërkohej: patjetër duhet ta bëje të zezën të bardhë. Dhe ta bëje “me gjithë zemër”. Jo edhe kështu, edhe ashtu, me gjysmë zëmre. Poet që nga halli belbëzon vargje bajate “për partinë”. Të lëkundurin nuk e pranonin, përkundrazi, atë që shkon gjer në gjysmë të rrugës dhe e survejonin e, më pas, e ndëshkonin. Disa nga redaktorët e organeve të botimit atëherë bënin dhe atë punën tjetër, raportonin heshtur, por rregullisht në shtet për çfarë sillnin në redaksitë e botimeve shkrimtarët. Raportonin edhe për shkrime që nuk botoheshin.

Genc Leka, mbase nuk ka qenë i përgatitur për të paguar një haraç të tillë, mbase nuk e ka ditur se si vihej në punë mekanizmi i botimeve, ose… nuk ka dashur të shkruajë vargëzime për politikën e ditës. Shumë nga shokët e shkollës së Gencit, më të shkathët në hile, i bënë brigadierët beterr të fshatrave tona të mjera heronj përmbi heronjtë në “poemat” e tyre.

Sido që të jetë, Genci, me “biografinë” që kishte, ishte i përjashtuar vetiu nga letërsia. Edhe gjeni të ishe, atëherë ta thoshin copë: nuk e duam poezinë tënde, poezinë e birit të armikut.

Më 1961 në gazetën “Zëri i rinisë” ai ka botuar një tufë prej tri lirikash. Është debutimi i parë i Genc Lekës në shtyp. Prej këtyre vërehet se ai e ka filluar herët poezinë. Këto lirika, me nga një strofë secila, kanë shprehje të hollë ndjenjash dhe zotërim të mirë të mjeshtërisë së shkrimit. Ky ishte një fillim i mbarë për një 18-vjeçar.

Nga datat në fund të disa prej poezive të pabotuara, vërejmë se ai shkroi poezi edhe më pas, kur ia ndaluan të shkruante për gazetat. Mbase ka shkruar më pak, mbase disa nga poezitë e tij kanë humbur, mbase i dogji vetë, kur ndjeu se do ta arrestonin, pra, nuk mund ta dimë saktësisht sesa ka shkruar.

Arti është konkurrencë me veten dhe me të tjerët. Genci nuk mund të shkruante pa u përfshirë në konkurrencë. Të shkruante, edhe kur e dinte që ishte i përjashtuar përgjithmonë nga letërsia. Ta pranoje këtë dhe prapë të vazhdoje të shkruaje, do të thoshte që ta vije veten përtej shoqërisë. Ta vije veten në një kohë tjetër. Genci nuk arrinte dot deri këtu. Ishte shpirtërisht i papërgatitur për një shkallë të tillë vetëmartirizimi.

Pra, poezia e tij deri më 1965, është poezia e një fillestari, e një të riu premtues, është poezi e provave të para.

Kjo poezi, edhe pse ishte në përputhje të plotë me të gjitha kërkesat e kohës, si në përmbajtje ashtu dhe në formë, në gjykimin e ekspertëve letrarë të vënë nga policia, u quajt armiqësore për shtetin, në të kundërtën e asaj që mendonte autori i tyre. Poezitë mbi vjeshtën, mbi ciganët, mbi zogjtë, mbi natyrën nuk kaluan pa vëmendjen e ekspertëve të tij, për t’u quajtur poezi të trishtuara, jo optimiste, jo të ndritshme e jo të gëzuara, siç kërkoheshin. Të ishe i trishtuar, ta shpallje trishtimin tënd, në ato “kohë të gëzimit”, ishte baras me krim. Sado që Genci ishte njeri i matur, diçka nga pakënaqësia e nga brengat e tij kishin rrjedhur padukshëm në vargje.1)

Temat mbi “Oxhakun”, pra mbi traditën, mbi “miqtë e parë”, iu morën për blasfemi, se për mendimin e kohës tradita u shpall me të meta, tradita ishte e kundërta e “së resë”. Natyra e butë prej romantiku e Genc Lekës në lëndën e poezisë përcjell kujtime dhe përsiatje. Për të fëmijëria ka qenë e bukur.

________________

1) Shih faksimilen e ekspertizës letrare të Diana Çulit, faqe 546-549.

_______________

Por i thonë: pse ka qenë e tillë? Po të thoshte që ka qenë e trishtuar, mund t’i përsëritnin po të njëjtën pyetje: pse ka qenë e trishtuar?

Ai ishte druri me shenjë i pyllit, me shenjën për t’u prerë. Cilindo poet të atëhershëm, po ta vinin në bankën e të akuzuarve, siç e vunë atë, kështu do ta komentonin.

Genci si poet, ishte përpjekur, por jo gjithmonë ia kishte arritur, që të përshtatej me kërkesat e kohës. Lëkundshmëria e tij nuk shpallej, ishte e fshehur, por jo aq sa të mos dukej.

Kur shkruante për shkollën, për mësuesin, ai linte të kuptohej se ishte i dëshpëruar që e kishin lënë pa nxënësit e tij, që ishte flakur jashtë radhëve të atyre që e vazhdonin mësuesinë. Njeriu poshtërohet, kur i marrin dhunshëm një të drejtë, kur e vënë të bëjë punë të rënda dhe jashtë profesionit të tij.

Ai shkroi për mësuesin e tij të parë, për premtimet e mbajtura ndaj tij, për atë se një nga ish-nxënësit e këtij mësuesi (Genci), po shkruante vargje për të. Kjo lehtësisht të çonte te mendimi se vjersha i kushtohej mësuesit Bardho Leka, babai të tij, atëherë një i arratisur nga Shqipëria dhe i shpallur armik.

Kështu vjershat për mësuesin e parë, për miqtë e parë, e vunë në kryqëzim.

Dyshime ranë dhe mbi poezitë me temën e luftës. Ai kësaj teme i kushtoi mbase shumicën e vargjeve deri më 1966. Por ai nuk i ktheu vargjet mbi luftën partizane në flakë e në buçimë, ashtu siç kërkohej. Ai fliste për ca pika gjak, për ca pika lot, për ca gjurmë, kur me gjuhën e propagandës pikat e gjakut duhet të ishin sa lumenjtë e sa detet bashkë…

Poezia e tij mbahej në fillin e hollë të së pranueshmes, të së ndershmes, të reales. Kjo nuk ishte pak për atë kohë të dhunimit të të vërtetave. Diku, midis vargjeve, padashjen e tij, i shket pak lapsi dhe kundër kohës. Në një klimë të politizuar shoqërore dhe për një njeri me prejardhje familjare jo të mirë, këto quheshin as më shumë as më pak: armiqësi, krim. Ai duhet ta dinte se do të futej në brimë të gjilpërës për çdo fjalë që shkruante e për çdo fjalë që thoshte…. Por, deri këtu mund të shkonte, jo më tej.

Përshtatja e vetes me kohën, nuk i mjaftoi as sa për të jetuar.

Qoftë dhe sa për të marrë frymë mbi tokë, pa lëre për të shkruar letërsi.

Vargjet e tij më të mira, vargje të thjeshta dhe të tejdukshme për nga kuptimi, nxjerrin në dukje një poet elegjiak. Vjershat mbi fëmijërinë, mbi harabelat, vjeshtën vizatojnë më mirë prirjet shpirtërore të tij, nxjerrin hapur frymën e ankimit, të mosrealizimit, jo aq si filozofi, se sa si përshtypje të drejtpërdrejta nga jeta. Ai më shumë i vuante dhe i bluante gjërat përbrenda, ishte një shpirt që prirej më shumë nga meditativja, sesa nga revolta e shpallur.

Për stilin dhe përgjithësisht për tonalitetin e tyre, vjershat e tij kishin afri me vjershat e atëhershme të botuara nga Jorgo Bllaci dhe me ato të poetë të tjerë të atij brezi. Ja disa strofa karakteristike për poezinë e tij:

***

Më la fëminia dhe humbi diku

Si vesa që zhduket nga bari.

Mbas vjetësh e pashë sërishmi te ju,

O lule që çelni së pari.

***

Era i tund e fletët tutje venë,

Vapa kaloi, në kodër barin dogj.

Për diku larg … u nisën disa zogj,

Por kurrë s’do harrojnë ata folenë.

***

Një poezi – një lule e shpirtit tim.

Një varg – një bisk i lules plot jetë.

Ndodh dhe një varg ndonjëherë

Është bisk… e lule…e një vëllim!

Kjo është poezia e Genc Lekës deri në vitin 1966. Pas këtij viti, atij iu nxi jeta përfundimisht. Me opinga llastiku, me bukën e misrit dhe fasulet në një kavanoz qelqi në trastën e tij, nisej në mëngjes pa gdhirë për në fermë dhe kthehej me natë në shtëpi gjatë dimrit. Sherret mes nuses së tij qytetare dhe nënës së tij analfabete dhe fshatare ia hanin shpirtin. Rroga e vogël, gruaja që nuk punonte dot në bujqësi, (merrej me qepjen e fustaneve për gratë e fshatit, për të nxjerrë ndonjë lek), fëmijët që po rriteshin të nëpërkëmbur si ai në fëmijërinë e tij, nuk i linin shteg për të menduar për mirë. Në këtë kohë poezia e tij bëhet më shpirtërore. Gjejmë dhe shprehje të ëndrrave të tij me sy hapur për kthimin te dashuria e dikurshme me shoqet e klasës: “Ku je ti me flokët kaçurrele?” fillon një poezi e tillë që ka humbur.

Shkruan një poezi të gjatë për vdekjen e Eseninit. “Varg po nisen qerret plot me sanë,/ Ti si diell i kuq po zbret në varr”-vetëm pak vargje kanë arritur prej saj.

Ai po kërkonte shembuj nga historia e letërsisë për fatin e keq të poetëve, të sivëllezërve të tij të largët në kohë. Ndër mend i vjen Vexhi Buharaja dhe nallanet e drunjta nëpër shi e nëpër shkretëtirë të poetëve të hershëm të Persisë, vend të cilit Esenini me shijen ekzotike për çajhanet, për vajzat fytyrëmbuluara, për Shaganenë, i kishte kushtuar ciklin e “Luleve persiane”. Genc Leka shkroi poezinë “Lulet e Horasanit”. Një strofë nga kjo poezi mund të jetë si epitaf për mbasjetën e tij dhe të Vilson Blloshmit. Ai e ka parashikuar që për ata të dy një ditë do të kujtoheshin:

Toka që e deshët aq shumë,

si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,

Priti sa të binit ju në gjumë

Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.

Edhe gjatë kësaj kohe Genci ruhet, nuk do të jetë i drejtpërdrejtë në vargje. Herë- herë ai flet dhe për brenga, për thyerjen e jetës, por kurrë nuk e shkroi ashpërsisht, nuk e përtheu saktësisht në vargje trishtimin e tij. Ja një poezi e kësaj kohe:

Si vegim më erdhe këtë natë…

(Ku t’i shpjerë shpirti këta lot?)

Si dikur hedh fletë vjeshta e artë.

Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,

Kurse ti këndej nuk vjen më dot…

Kushedi sa herë nëpër net

Ti do vish i heshtur si vegim,

Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,

Gjak do rrjedhë plaga pashërim.

Kjo ngjan me një poezi dashurie, një dashuri e ndërprerë nga vdekja a nga diçka e rëndë pa kthim. Por, sipas dëshmisë së tij, kjo poezi i kushtohej të atit, Bardho Lekës, vdekur në arrati, si armik zyrtar i Shqipërisë së kohës.

Genc Leka thoshte se shumë nga poezitë e tij ngjajnë me pardesynë që vishet nga të dyja anët.

Poezia pa titull, që fillon më vargjet “Kur në dritare rri me mall” është pikë për pikë e tillë.

Kur në dritare rri me mall

Me lulet e saksisë,

Më shfaqen si vegim, përballë,

Gërmadhat e shtëpisë.

Pastaj më ngjan sikur bën zë

E ndrojtur fëminia,

Që fle mes gurësh përgjithnjë,

Mes ëndrrave të mia.

Në të parë, kjo poezi shpreh atë trishtimin e përjetshëm njerëzor për ikjen njëherë e përgjithmonë nga fëmijëria. Situata në strofën e fundit vjen e bëhet pak më e rëndë se sa kaq: një lumturi është shtypur përgjithmonë nën gërmadhat e një shtëpie të dikurshme. Komenti i ekspertëve të hetuesisë mbi këtë poezi e dënonte Genc Lekën për pesimizëm, për shprehjen e një trishtimi pa rrugëdalje.

Por poezia “Kur në dritare rri me mall”duhet lexuar dy herë, se, po “ta kthejmë pardesynë nga ana tjetër”, kuptojmë që edhe kjo poezi lidhet me kujtimin e të atit të autorit. Ajo është shkruar për një gërmadhë reale, jo për një “vegim”. Kur Bardho Leka u arratis nga Shqipëria, shtëpinë e tij, shtëpinë e një armiku të rrezikshëm, shteti e rrëzoi për tokë, rrafsh me themelet. Genc Leka, në kohën kur ka shkruar poezinë “Kur në dritare rri me mall”, banonte në një shtëpi tjetër, në një shtëpi përdhese, përballë me gërmadhat e gurët e shtëpisë së madhe e të lumtur të fëmijërisë së tij. Ta kenë ditur këtë fakt ekspertët e hetuesisë, të cilët e rendisin edhe këtë poezi lirike si të rrezikshme për shtetin?!

Ja dhe poezia e fundit. Mund ta ketë shkruar në gushtin e vitit 1976, në ditët që priste ta arrestonin. Nuk është vetëm prirja e tij nga elegjiakja, është më shumë se sa kaq: një profeci e përzishme për vetveten. Vargjet janë të qeta, të matura, të rimuara në përzishmërinë e tyre:

O hënë, pse dole, moj, aq e trishtuar,

Mos vallë për mua po mban zi?

…………

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë nuk e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar,

Dhe pse po shkruaj të fundmen poezi.

… “dhe në vdeksha, jeta s’ka mbaruar”… është një varg që në qetësinë dhe shpirtlartësinë e tij e lë të hapur llogarinë me jetën. Nuk e mbyll.

 

STUDIMET

 

Mbasi i lau duart me botimin e poezive, ai u kthye më me ngulm nga studimet shkencore, mblidhte e fjalë dhe shprehje të rralla nga krahina, bënte studime etnografike dhe leksikologjike. Ato ia niste Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. Ishte një punë e heshtur dhe e padukshme. Ky kthim nga puna studimore ishte në përputhje edhe me prirjen e familjes së tij. I lindur në një fshat si Bërzeshta që kishte kujtimet e shkollës së parë në krahinë, me babanë mësues, me gruan dhe motrën mësuese, ata ishin një familje e përgatitur për të dhënë mësim, për t’u marrë me gjuhën shqipe, me studime. Ishte, pra, kthimi në vazhdën e një tradite. Por edhe për të hapur një portë tjetër, atë të studiuesit, me që atë të poetit ia mbyllën. Ishte një përpjekje për mbijetesë intelektuale, për t’u mbajtur me thonj e me dhëmbë, për të mos i hedhur armët përpara gjithë pengesave që i dilnin përpara.

Kjo punë me gjuhën, dorëshkrimet e tij me fjalë të rralla, me të dhëna folklorike dhe etnografike, mbeten për t’u studiuar nga specialistët e kësaj fushe.

Genc Lekës studimet gjuhësore i sillnin ndonjë të ardhur të vogël në para, por aq sa për të shkuar në Tiranë, sa për të blerë ndonjë libër… I kënaqnin më shumë dëshirën për t’u gjendur në mjedise intelektuale… i sillnin njohje të reja e, mbase, mbase dhe shpresën se në fatin e tij diçka mund të ndryshojë për nga e mira.

Janë tri studime të plota etnografike, një për familjen, një për martesën dhe tjetri për blegtorinë në Bërzeshtë. Për mendimin tonë më i miri është ky i fundit. Prej tij vijnë edhe rreth 200 faqe me fjalë dhe shprehje të rralla, të shoqëruara me shpjegime të karakterit leksikologjik dhe etnografik. Prej këtij materiali të gjerë gjurmues dhe studimor përvijohet profili i një studiuesi, i një bashkëpunëtori shkencor të vlerësuar edhe nga institucionet e kohës. Këto studime janë aq të plota e të pasura dhe me një gjuhë të përpunuar e të kultivuar të ligjërimit shkencor, sa nuk mund ta përcaktojmë prerë, se cili nga dy talentet e tij, ai i poetit apo ai i studiuesit, e mbizotëron tjetrin. Mua më ka tërhequr ana nga ai i poetit. Por në këtë botim të plotë të veprës së tij, ai del më i spikatur si studiues. Kjo është aq e vërtetë sa mund të bësh pyetjen: po ta linin të jetonte dhe të thellohej e të piqej në punën intelektuale, cilin nga dy talentet e tij do të ndiqte, atë të poetit apo atë të studiuesit?

Puna e tij si etnograf dhe si mbledhës i leksikut është bërë me pasion, me durim, me këmbëngulje dhe me profesionalizëm të admirueshëm. Këto cilësi i sollën vlerësimin e shkencëtarëve dhe të vetë titullarit të Institutit të atëhershëm, siç dëshmohet nga një letërkëmbim i gjatë midis tyre, sa me gjithë hallet e tij “biografike”, ai mbeti një bashkëpunëtor i jashtëm jetëgjatë i Institutit (1963 – 1975). Genc Leka i qaset kësaj pune me modesti, por se me sa skrupuj shkencorë dhe moralë u udhëhoq ai në studimet dhe gjurmimet e tij, flet kjo letër e 4 tetorit 1970:

Dy fjalë*

Një dorë fjalësh e shprehjesh frazeologjike. Ja më në fund fryti i thjeshtë i një pune, duke u endur poshtë e lart te ky vend plot gjurmë, që të çojnë deri në thellësitë më të largëta të lashtësisë. E ndoshta, mjeshtërve të thesarit gojor të popullit do t’u duhet një punë shumë e madhe për t’i bërë këto fjalë e shprehje të vlefshme për gojën e brezave të ardhshëm! Këtë dorë fjalësh e shprehjesh të mbledhura nga goja e popullit, në krahinë dhe jashtë saj, jam munduar ta pasqyroj ashtu siç duhet, me sa më pak të meta dhe mbi të gjitha t’i qëndroj besnik folësit, qoftë nga ana e shqiptimit të fjalëve apo shprehjeve, ashtu edhe nga ana kuptimore e tyre, në raste të ndryshme të të folurit. Siç do të shihet, në këtë material numri i fjalëve si kategori leksiko-gramatikore të ndryshme, është i paktë dhe më tepër zënë vend shprehjet frazeologjike, të cilat jam munduar t’i paraqes ashtu siç i kam dëgjuar gjatë bisedave të lira nga persona të moshave të ndryshme. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura i kam renditur sipas alfabetit (për këto të fundit, kam paraqitur fjalën e parë të shprehjes sipas radhës alfabetike) dhe sipas kohës kur janë renditur në bllokun e vogël të xhepit. Kjo dorë e vogël fjalësh le të jetë vazhdimi i një pune të thjeshtë, filluar 7 vjet më parë, dhe guri i parë në themelin e veprës së ardhshme pa emër të një fjalëmbledhësi të thjeshtë, në gurrën e pashtershme të gjuhës amtare!

Bërzeshtë, më 4 tetor 1970

Së fundi, po përsëris vargjet nga poezia e tij “Lulet e Horasanit”, për fatin e pangushëlluar të Genc Lekës dhe për fatin e poezive dhe të studimeve të tij, të cilët u varrosën bashkë me autorin, për t’u zbuluar nga arkivat e policisë dhe të institucioneve studimore gati tridhjetë vjet më pas nga vdekja e tij me pushkatim:

Toka që e deshët aq shumë,

si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,

Priti sa të binit ju në gjumë

Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.


NË FUNDIN E FERRIT

 

Genc Lekën e arrestuan më 31 gusht 1976 dhe e pushkatuan më 17 korrik 1977.

Rënia përfundimtare e Genc Lekës dhe e familjes së tij filloi që nga çasti që atë, të motrën dhe të shoqen i përjashtuan nga arsimi. Kjo ua ktheu përmbys jetën.

Genc Lekën, siç e kemi thënë më lart, shteti e kishte përndjekur që kur ishte në bankat e shkollës së mesme. Në vitet që pasuan, ndjekësit e Gencit ishin njerëz të nivelit të tij arsimor, mësues letërsie, letrarë province, miq të shtëpisë që i rrinin pranë dhe që shtiheshin si adhurues të talentit të tij poetik, si dhe spiunët e fshehtë, ata që quheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Dosja e tij në polici, “Dosja përgatitore 2/B”, (dosje për individët e vënë nën përgjim të përhershëm) vit për vit shtonte fletët me denoncime të reja të këtyre “miqve” të tij. Kur Dosja përgatitore 2/B, kthehej në Dosje përgatitore 2/A, atëherë të përndjekurin e rrasnin brenda. Më 1972 dega e sigurimit të Librazhdit e dërgoi në Tiranë Dosjen e Gencit, për të marrë nga Drejtoria e përgjithshme e Sigurimit miratimin për arrestimin të tij. Nuk dihet për çfarë konjukture të ditës, kjo Dosje përgatitore 2/B e Genc Lekës u kthye mbrapsht. Mbase se në fillimvitet ’70 në Shqipëri po frynte, siç u quajt atëherë, një “erë liberalizmi”.

Atëherë shefat e mëdhenj të Tiranës thanë që Dosja përgatitore 2/B e Genc Lekës duhet të plotësohej me material armiqësor, të silleshin fakte më bindëse për arrestimin e tij. Pra, të mbahej edhe më tej nën survejim.

Genc Leka nuk e dinte me saktësi se ç’po luhej që prej kohësh në shpinën e tij. Turbull edhe mund të dinte diçka, por, sido që të ishte, edhe sikur ta shihte me sytë e tij atë Dosje, nuk mund t’i ndryshonte gjërat. Ora fatale për të shtyhej, por ishte kurdisur në atë mënyrë që nuk mund të kthehej kurrë mbrapsht.

Genc Leka prapë nuk e lëshonte veten: ishte po ai që kishte qenë dhe në punë, dhe në marrëdhëniet me njerëzit.

Genci kishte talentin të bëjë miq. Në shtëpinë e tij kushdo që vinte, mbetej i kënaqur. Nëna e tij e paktë në trup, e thatë, por e thantë, siç thonë në fshat, ishte bujare dhe i priste mirë miqtë e të afërmit. Genci i donte njerëzit. Këndonte, pinte, recitonte në këto pritje familjare. Fatkeqësitë nuk e kishi egërsuar.

Kishte ruajtur dhe interesat kulturore.

Disa nga ish-çunat e Bllokut sot mburren se në rininë e tyre kanë dëgjuar bitëllsat e rollingstonsat, se i binin kitarës fshehurazi në bodrume. Po, disqet dhe kasetat e këtyre këngëve ua sillnin baballarët e tyre si dhe magnetofonët, kur në Shqipërinë e atëhershme numuroheshin me gishta ata që kishin një magnetofon.

Edhe Vilson Blloshmi e Genc Leka, atje në majë të malit i dëgjonin dhe i luanin me kitarë këngët “Let it be”, “Yellow sub-marine”, “Mammi blu” etj. Lexonin dhe ese të E. A Poe, të Pol Klodelit, poezi të Bodlerit, të D’Anuncios, të Pol Elyarit. Disa prej tyre dhe i përkthenin. Shihnin në TV e Beogradit samitet e të paangazhurve me në krye Titon dhe Nehrunë…

Krijimet e tyre poetike nuk ngjanin fare me ato që shkruheshin e botoheshin zyrtarisht në Tiranë.

Fshatarët dhe spiunët e trashë me bykun e kashtës në kokë prisnin gjëra të tjera prej tyre. Prisnin që ata të shanin shefat e shtetit, të shfrynin kundër politikës së ditës, të zbraznin sheshit pakënaqësitë që i fshihnin përbrenda, të merrnin urën e zjarrit e të digjnin të korrat a hangarët e drithit. Se armiq ishin. E armiqtë nga këto gjëra bëjnë. Nuk dëgjojnë muzikë, nuk shohin filma, nuk lexojnë libra, nuk flasin për poezi e për eseistikë. Natyrisht këto i bënin pas punës torturuese në shi e në vapë. Flisnin fshehurazi netëve me nga një gotë raki përpara. Dëgjonin muzikë në tunelet që hapnin zboreve, tunele ku do të fusnim kokën kur të na sulmonin armiqtë nga deti nga mali dhe nga qielli, siç thoshin komisarët e sekretarët e partisë, armiq që nuk erdhën kurrë. E me që nuk erdhën kurrë nga jashtë, ne sajonim e vrisnim armiqtë e brendshëm.

Çunat e Bllokut, që sot na mburren se pinin konjak e dëgjonin bitëllsat, (pastaj spiunonin njëri-tjetrin), e urryen kreun e larët të sistemit vetëm kur ua futi baballarët burgjeve dhe nënat ua çoi në fermë. Kur edhe disa nga këta çuna Blloku i degdisi në burgje. Po prapë antikomunistë edhe sot nuk bëhen, se… se nuk të ka faj Marksi e Lenini, që Enveri ynë e katandisi komunizmin në karikaturën më të shëmtuar të modelit të imagjinuar nga klasikët e marksizmit!! Fajet i ka patur dhe i ka vetëm Enveri ynë, asnjë tjetër…

Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, në heshtjen dhe në kokëuljen modeste atje prapa maleve, kishin krijuar një model kulturor në themel kundër sitemit dhe kulturës së prodhuar prej tij.

Kur Genc Lekën e futën në burg, dhe se nuk jepte shkak të dukshëm për një goditje të tillë, ai njohu se kush ishin disa nga miqtë e tij më të mirë dhe disa nga njerëzit e rrethit të tij më të ngushtë familjar. Ai pa në anën tjetër të natyrës njerëzore. Pa atë që disa nga njerëzit tanë, madje disa nga ata më afër nesh, ndonjëherë janë ndër njerëzit që na bëjnë të këqijat më të mëdha, më të mëdhatë, sesa gjithë të tjerët. Kjo ka ndodhur dje, ndodh edhe sot. Nën diktaturë kjo dukuri, më e shëmtuara nga gjithë të tjerat, mori përmasa se diktatura të detyronte që të punoje për të, të detyronte të denoncoje e të shkatërroje jetën e disa prej miqve, e disa prej njerëzve të tu më të dashur.

Sipas burimeve arkivore, Genc Lekën e kanë denoncuar rregullisht në polici ndër vite, po edhe gjatë hetuesisë, disa nga miqtë më të afërt. Kunetërit, dy burrat e motrave, e kanë denoncuar në polici. Njëri nga këta, ai që ishte në paraburgim bashkë me Gencin, u vu në shërbim të policisë për ta akuzuar atë dhe Vilson Blloshmin si udhëheqës të grupit sabotator. Ai ishte futur nga Sigurimi si dhëndërr në Lekajt, për ta vënë nën kontroll të Sigurimit këtë familje. Ky më 1977 u dënua me njëzet vjet burg, nga të cilat bëri vetëm dhjetë. Mori shpërblimin për shërbimet.

Arsyeja që Genci u arrestua i fundit ishte se ai ishte i kontrolluar nga brenda shtëpisë prej Sigurimit. Bisedat e Gencit me miqtë shkonin të gjitha në polici. Në duart e Sigurimit ishin dhe letrat dhe gjithë poezitë që shkruante.

“Miqtë” e Gencit, ata që e spiunonin dikur, kur ra sistemi komunist, shkruan ndër të parët në gazetat e opozitës për vlerat dhe për fatkeqësinë e tij. Po t’i pyesësh dhe sot, ata të thonë se Genci ishte një ëngjëll, ishte poet, studiues, i urtë, i pjekur, njeri që e merrte jetën me kurajo… Ata vazhdojnë ta admirojnë atë.

Pavarësisht ç’ka ndodhur, mbase dhe e kanë harruar që janë pikërisht ata që e ndihmuan Sigurimin për ta vrarë Gencin, në këtë pikë ata janë të sinqertë. Genci ashtu ishte: një ëngjëll, një poet… Ai nuk e kishte atë demonin që të bën të fortë për t’i rezistuar ballas së keqes. Madje mund të thuash se Genci kishte filluar ta dojë e ta përkëdhelë të keqen që i ndodhi. Ja, shteti më godet, nuk ma do të mirën, por unë prapë jam ai që kam qenë. Edhe kështu me plagë, jam i fortë të jetojë e të jem i vlerësuar nga njerëzit, nga miq dhe shokë. Ky flirt me të keqen, me plagët, nuk e la të krijonte brenda vetes armët shpirtërore për t’u përballur sy më sy me të keqen. U mjaftua vetëm me armët për të jetuar bashkë me të keqen. Nuk e mprihte kurrë urrejtjen dhe egërsinë ndaj saj. Kështu i butë dhe i shtruar, ai në burg ra si një qengj në grykën kullufitëse të ujqve të hetuesisë dhe të Sigurimit. Ata e kishin studiuar, e kishin shenjuar si më të dobtin, ndaj e torturuan shpirtërisht e fizikisht në mënyrë që ta thyenin. Dhe kjo ndodhi.

Në hetuesi Genci e ndieu se ishte i tradhtuar nga rrethi i tij më i ngushtë. Edhe ndonjë të afërm të gjakut ia çuan në qeli që t’i thoshte: prano ç’të thotë partia. Familja e Gencit përbëhej nga gra që Sigurimi u kishte kallur tmerrin. Me baba të zhdukur, me katër daja të pushkatuar, tani dhe me vëllain në burg… ato e kishin humbur fare. Hetuesia u thoshte se do t’ua zhdukim njerëzit, nëse ata nuk i binden partisë: të pranojnë ato që u themi ne, dhe do t’ua lëmë gjallë.

I torturuar dhe i poshtëruar përditë, Genci u thye: e pranoi akuzën e sajuar nga Sigurimi, se ai dhe Vilson Blloshmi kanë organizuar sabotimin në Bërzeshtë.

Genci mbase ka arsyetuar kështu: këta e kanë vendosur që ne jemi sabotatorë, atëherë për mua është më mirë që ta pranoj akuzën dhe të kërkoj falje të jetës (ky ishte kurthi, këtë i kishte premtuar hetuesia), sesa të këmbëngul në të vërtetën dhe t’më mbyllet çdo mundësi për të jetuar. Në këtë botë të gjithë tradhëtohen nga të gjithë, ka menduar ai. Dhe ra në kurthin e hetuesisë. Ai që në tërë jetën e tij nuk kishte rënë në thonjtë e Sigurimit, tani pranoi të akuzojë veten si kreun e grupit sabotator të Bërzeshtës, të akuzojë dhe mikun e tij, Vilson Blloshmin, si bashkëpunëtorin e tij në sabotim.

Po mbase nuk duhet ta gjykojmë Gencin a çdo njeri që ka kaluar nëpër ferrin e hetuesisë së diktaturës. Jo se Genci e zgjidhi kaq ftohtë e logjikisht dilemën: jam një i tradhtuar, do të tradhtoj dhe unë. E dua jetën time dhe do të bëj ç’të mundem, që ta shpëtoj atë. Dhe, si cilido, kishte të drejtë ta bënte. Jo, ai nuk e vendosi kaq prerë. Genci qëndroi rreth një vit në hetuesi. Rezistoi. Vazhdimisht ka qenë i torturuar dhe i vetëtorturuar gjer në shfytyrim.

Mbas seancave vrasëse në dhomën e hetuesisë të burgosurit kishin arritur të bisedonin “me alfabetin e murit”, me të trokitura të koduara në mur. Vilsoni ishte në qelinë e tretë, Bedriu, i vëllai, në të mesit, Genci në qelinë e parë. Vilsoni “me alfabetin e murit” ia jepte Bedriut porosinë që t’ia kalonte Gencit: mos e prano akuzën e sabotimit. Ai deri atëherë e kishte pranuar këtë akuzë në sy të Vilson Blloshmit në ballafaqimin midis tyre para hetuesve. Vilsoni e kishte mohuar. Prapë Vilsoni i thoshte që të mos ta pranojë. Së paku, në gjyq me patjetër ta mohojë. Dhe Genci që torturohej dhe vetëtorturohej.

Në seancën e parë të gjyqit pyetjes së kryegjyqtarit në e pranon a jo akuzën e sabotimit, Genci iu përgjigj se nuk e pranonte akuzën e sabotimit. Seanca u mbyll menjëherë kur tre të akuzuarit kryesorë, Genci, Vilsoni dhe Bedriu, nuk e pranuan akuzën e sabotimit. Pas kësaj kryetari i degës, shefi i hetuesisë dhe të tjerë u vërsulën në qelinë e Gencit. Të folura me zë të lartë, grushta, shkelma, britma, të qara me gulç, premtime, betime… dhe Genci nuk u përgjigjej më trokitjeve të Bedriut në mur.

Në seancën e mbasdites ai e pranoi akuzën e sabotimit. Prokurori u ngrit vrik: “Ja, e nxorën helmin gjarpërinjtë. E ulën kokën. Dhe do të shohim se edhe sa do ta mbajnë mbi supe atë kokën e tyre të helmatisur”.

Genci u thye, u besoi premtimeve të torturuesve të tij. Kërkesës së të afërmve të tij. Por ai ka qenë më lart sesa gjithë rrethi i tij miqësor. Shumë më lart nga ata që e kishin tradhtuar në çdo hap, në çdo fjalë, ndër vite. Genci nuk ishte i tillë në karakter. Si njeri i butë ai u dha përpara torturave. Ishte njeri dhe jeta është gjëja më e shtrënjtë për njeriun. Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë ballë dhe mendimit të dënimit me vdekje. Dobësitë njerëzore janë pjesë e pandarë e natyrës sonë. Në fund të fundit, ç’do të ishte diktatura, nëse nuk do të arrinte të thyente, të shfytyronte dhe të vinte njëri kundër tjetrit dhe miqtë më të mirë?

Që nga gjyqi i parë me armiq dhe sabotatorë në ekonomi, gjyqi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit (1947), strategjia e hetuesisë shqiptare nën diktaturë ka qenë e njëjta: përça grupin e të akuzuarve pa faj, gjej midis të paraburgosurve ata që pranojnë akuzën e sajuar, që pranojnë atë nuk e kanë bërë, me premtimin se “do t’u shpëtojmë jetën” dhe pastaj i kanë pushkatuar që të gjithë, edhe këta që kanë bashkëpunuar me policinë kundër vetes dhe shokëve.

Këtë faj ndaj mikut të tij, ndaj Vilsonit, ai do ta lajë me lot, kur, i lidhur duar e këmbë, pranë Vilson Blloshmit prisnin që të dy ekzekutimin e dënimit me vdekje.

Kjo që thamë më lart ka vlerë për anën morale të çështjes, se, sidoqë të silleshin Genci dhe Vilsoni në gjyq dhe në hetuesi, fatin e tyre e kishte paravendosur vetë shteti. Shteti i vrau ata, jo ndokush tjetër.

Jemi në mesi e viteve ’70. Situata ishte egërsuar keqas. Paranoja se armiku është aty ku nuk e pret (“Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet” – kjo ishte parrulla e ditës në ato vite), bëri që sistemi filloi të godasë më besnikët e tij në krye të partisë dhe të shtetit. Sistemi ngjante se e kishte humbur toruan.

Në këtë histori të luftës me armiq që të dilnin aty ku nuk e prisje, edhe te më besnikët e udhëheqjes së lartë komuniste, vrasja e dy poetëve në Librazhd, të duket si fare e natyrshme: ne po vrasim tanët, jo më këta, dy bij të armiqve të klasës. Si nuk e paskan kuptuar këtë që ne heqim e presim koka të mëdha të shtetit e jo këta dy kërthinj gjarpërinjsh të vjetër që duhet të na e dinin për nder që i kemi lënë ende të gjallë. Si guxojnë dhe rezistojnë këta kundër nesh që vrenjtim e kthiellim qiejt mbi botë?

Shefat provincialë të partisë në Librazhd dhe në Elbasan, që janë aq të sigurt në urdhërat e prera që u japin njerëzve të drejtësisë, ka mundësi që ta kenë sjellë rastin e dy poetëve të Bërzeshtës para Shefit të madh të Partisë dhe ai ka thënë: “Prejini”! Kështu fati i Gencit dhe i Vilsonit ishte paravendosur para se të arrestoheshin, para se formalisht t’u bëhej gjyqi.

Vilsoni dhe Genci i vijnë kohës sonë si modeli kulturor që u mundua të mbijetojë në kundërvënie me atë që ishte kultura sunduese e sistemit të atëhershëm, model që mundohet të ruajë lirinë dhe dinjitetin njerëzor edhe në kushtet e dhunës dhe të vrasjes së njeriut. Ata e deshën jetën, e donin njeriun dhe provuan të jetojnë me kokën e tyre dhe në kohën kur mbizotëronte thyerja e karakterit dhe e vlerave njerëzore.

Edhe në këto kushte, edhe se të nëpërkëmbur e të përjashtuar nga shoqëria, ata ditën të jenë kreativë, të na sjellin poezi, përkthime e studime me vlerë.

Më 1994 te Përroi i Firarit, vendi ku i pushkatuan, u gjet varri i fshehtë i Vilson Blloshmit dhe i Genc Lekës. Varrimi u përcoll me nderime publike, Presidenti i Republikës i dekoroi me medaljen “Martir i Demokracisë”.

Disa nga fantazmat e diktaturës patën fat më të mirë në këto vite pas përmbysjes së Komunizmit. Gjykatësit dhe hetuesit e Genc Lekës, si Selim Caka dhe Eleni Selenica u ngritën në karrierë. Ndonjë nga këta hetues sot punon në zyrat e Avokatit të Popullit, në Tiranë. Ish-hetuesi i Hetuesisë së Përgjithshme, Dhimitër Beshiri, bëri emër si avokat i gjyqeve politike. Diana Çuli, ish-ekspertja letrare e poezive të Genc Lekës, ia arriti të jetë deputete në Kuvendin e Shqipërisë (2004-2009) . Ajo është shprehur publikisht se ishte e re (22 vjeç), kur bëri ekspertizën dhe se atëherë nuk kishte ditur asgjë mbi jetën e Genc Lekës. Shënojmë se në ato vite i ati i Diana Çulit ka qenë funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit.

Disa nga “miqtë” e Genc Lekës edhe në kushtet e reja e vazhduan me leverdi zanatin e vjetër të hafijes.

Gruaja dhe djali i Genc Lekës jetojnë në Korçë, kur me punë e më shumë pa punë, pa një ndihmë nga shteti shqiptar.

Bashkia e Librazhdit i ka dhënë Genc Lekës qytetarinë e nderit, pas vdekjes. Një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit mban emrin e tij. Në pjesën perëndimore të qytetit, pranë lumit Shkumbin, fare afër rrugës nacionale, një përmendore bronzi, vepër e skulptorit Sadik Spahia, përjetëson martirizimin e dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

Për dy poetët janë shkruar shumë shkrime në shtyp, janë shkruar poezi, libra dhe monografi, janë xhiruar dokumentarë.

Ka njerëz që edhe sot nuk e shohin për të mirë atë që Genc Leka u thye para hetuesisë së diktaturës. Vërtet, mirë do të ishte që të mos kish ndodhur.

Po i kthehem edhe njëherë këtij argumenti.

Në fund të fundit, ne që nuk kemi qenë në rrethanat e tij, nuk kemi të drejtë ta gjykojmë. Ai nuk u bë me dashje i tillë. Ishte një i kryqëzuar prej rrethanave që e gozhduan, pa i lënë asnjë rrugëdalje. Ishte njeri dhe njeri me një ndjeshmëri shumë të lartë. Nuk kemi të drejtë të kërkojmë heroin te gjithëkush, kur edhe sot e gjithë jetën do të ketë njerëz që për një arsye a një tjetër viktimizohen e thërrmohen para rrethanave të pashpirta.

Genci nuk bëri ndonjë kompromis të ftohtë me hetuesinë: këta duan prej meje që unë të dëshmoj atë që duan ata, të dëshmoj që kam qenë në krye të një grupi sabotator, mirë, do ta pranoj këtë dhe si shpërblim do t’më falet jeta. Jo, sidoqë njerëzit e tij më të afërt ia kërkuan këtë pazar me hetuesinë, ai edhe e pranonte, edhe nuk e pranonte atë. Kjo lëkundje mori fund me shumë zor në ditën e parë të gjyqit, kur paradite e mohoi akuzën sabotim dhe pasdite e pohoi atë.

Genc Leka vjen me këtë libër si një poet dhe studiues me talent. Një talent që u zhvillua në kushtet e përndjekjes dhe të poshtërimit të tij si individ dhe si familje. Një talent që u ndërpre nga plumbat e diktaturës komuniste. Vdekja e tij la pas vuajtje dhe mjerim të pangushëlluar tek të afërmit. Ky libër, veç të tjerash, është një homazh për Genc Lekën, por edhe për fëmjët, gruan, nënën e gjithë familjen, të cilët me vdekjen e tij vuajtën pasojat e fatkeqësisë dhe të një përndjekjeje që vetëm ata e dinë.

Në këtë libër Genc Leka vjen në atë që ishte, por edhe në mungesën e tij, në atë që mund të ishte sot si poet dhe si studiues. Ai vjen si një poet i paplotësuar, por, në anën tjetër, vjen si një studiues me profil të plotë etnografi dhe gjurmuesi shkencor.

Nëse do të ketë ndonjëherë ndonjë altar që të përkujtojë viktimat e komunizmit, emrat e Genc Lekës e të Vilson Blloshmit, aty duhet të gdhendeshin me shkonja të mëdha.

 

Sadik Bejko, Shtator 2009.

 

Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorëve.

Please follow and like us: