Albspirit

Media/News/Publishing

Vepra e poetit martir, Genc Leka (3)

 

Image result for genc leka, vepra

Genc Leka dhe studimet etnografike

 

FAMILJA NË BËRZESHTË1)

1974

 

 

 

DOKE DHE ZAKONE TË FAMILJES NË BËRZESHTË

 

 

  1. FAMILJA

 

“Populli më lindi, më rriti, më bëri njeri!”

Studimet e deritanishme që kanë bërë personalitetet shkencore të vendit tonë në fushën e kulturës shpirtërore të popullit dhe në veçanti, në lidhje me doket e zakonet familjare në të gjitha krahinat, si edhe dokumentat e ndryshme të albanologëve të huaj, na japin një thesar të çmuar që shërben si fuqi e madhe, për të ecur edhe më shumë përpara në këtë fushë të gjerë, me qëllim që brezat e ardhshëm të shohim këto pasuri të rralla të popullit, t’i ruajnë dhe t’i pasurojnë ato gjithnjë në truallin shqiptar dhe të ngrenë në shkallë më të lartë vlerën e kulturës dhe shkencës shqiptare, të cilat kanë rëndësi shumë të madhe, jo vetëm për kombin, por edhe në shkallë botërore. Për të studiuar zakonet dhe traditat e popullit tonë, po paraqesim shkrimin etnografik të zakoneve dhe dokeve vetëm në fshatin Bërzeshtë si qendër dhe të atyre fshatrave të cilët kanë qenë njohur me të njëjtin emër para disa vjetësh, siç do të tregohet më poshtë, duke bërë në të njëjtën kohë edhe ndonjë krahasim plotësues me zona ose krahina të Veriut ose Jugut, meqenëse, siç dihet, Bërzeshta është një fshat fare pranë buzës së lumit Shkumbin, ku ndahet edhe Shqipëria e Veriut nga ajo e Jugut, nga ana e gjuhës së folur dhe e disa zakoneve familjare. Po të marrim parasysh gjuhën e folur të popullit në këtë zonë, del qartë se kemi një përzierje të të dy dialekteve, si dhe të disa zakoneve të dasmës, vdekjes, etj. Një gjë e tillë vihet re, jo vetëm në afërsi të fshatit pranë fshatrave të tjerë, që kanë hyrë në ndarjen territoriale toske, por edhe deri në thellësi të zonave të Veriut.

Në këtë fshat të madh, të banuar qysh në kohën e Skënderbeut nuk njihet ndonjë kanun i veçantë siç ka ndodhur në zona të tjera të vendit, gjë që dëshmohet nëpërmjet studimeve të ndryshme me karakter etnografik, por ndikime ka pasur nga kanunet e zonave malore të veriut dhe ato të jugut. Gjithashtu një sërë zakonesh të kësaj zone, janë të njohura edhe në “Zakonet e Mustë Ballgjinit” si pjesë përbërëse e “Kanunit të Skënderbeut”.

Populli shqiptar, siç e dëshmon historia e tij e ndritur, ka qenë i robëruar për shekuj me radhë, por kulturën e tij, zakonet, doket, traditat i ka ruajtur dhe mbrojtur me gjak dhe nëpër furtunat e egra të kohrave, ka dalë fitimtar, ndonëse është ndër të rrallët popuj që ka qenë i sunduar prej regjimeve më të prapambetur dhe njëkohësisht me tendenca çkombëtarizuese. Materialet e gjalla që kemi, na dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se askush, asnjë popull me kulturë të lashtë, nuk ka mundur t’u bëjë ballë kaq me heroizëm dhe me ndjenjë kombëtare sulmeve pushtuese të të huajve, askush më mirë se shqiptari nuk e ka ngritur zërin për të mbrojtur të drejtat e veta kombëtare. Dhe kjo është një nga meritat kryesore të këtij populli të lashtë, që gjithnjë e më tepër e mbush historinë e vet me heroizma. Por përpjekjet e mëdha dhe të vazhdueshme të shqiptarit për dije, kulturë dhe shkencë, nuk janë kurorëzuar gjithnjë me sukses, sepse shtypja shekullore e ka detyruar të mbrojë më tepër ekzistencën e vet si njeri dhe, krahas kësaj, ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme për të zhdukur errësirën e shekujve njëherë e përgjithmonë! Në këta 30 vjet çlirim, Partia i hapi popullit horizontet e gjera të kulturës dhe të dijes, e bëri zot të përhershëm të fateve të tij.

Mbas viteve ‘20 të shekullit tonë, si dhe mbas çlirimit të vendit e fitores së revolucionit popullor, ashtu si edhe në gjithë vendin, edhe në fshatrat e krahut të majtë të rrjedhës së lumit Shkumbin, puna e Partisë dhe e pushtetit popullor ka sjellë ndryshime shumë të thella ekonomiko-shoqërore e ideologjike-kulturore, ndryshime këto që vijnë gjithnjë duke u shtuar, në mënyrë të dukshme.

1). Këto studime, me pak redaktim, botohen të plota për herë të parë. Revista “Kultura popullore” nr.1-2 1993 (fq.127-136) dhe nr.1-2 1994 (fq.137-209) ka botuar pjesërisht studimin “Doke të martesës në Bërzeshtë”. Origjinalet ndodhen në Arkivin Eynografik të IAKSA.

 

 

  1. FAMILJA

 

  1. Fshati dhe familja

 

Fshati Bërzeshtë gjendet në krahun e majtë të rrjedhës së lumit Shkumbin, pak më në jug se vendi ku bashkohet ky lumë me degën e vet Lingajca. Gjatë shumë viteve të kaluar ka bërë pjesë në qarkun dhe më vonë rrethin e Elbasanit. Pas ndarjes së re administrative, gjendet në rrethin e Librazhdit. Sidoqë nga ana territoriale është në afërsi të rrethit të Pogradecit, nuk ka të dhëna që të dëshmojnë që ka qenë fshat i këtij rrethi. Siç e dëshmojnë kumtimet gojore dhe materialet e ndryshme folkloristike dhe etnografike, në zakonet e familjes së këtij fshati, gjejmë edhe ndikime të fshatrave të rrethit të Pogradecit (krahina e Mokrës), të cilat kanë hyrë prej shumë vjetësh në familjen fshatare të Dervenit, krahinë në luginën e poshtme të Shkumbinit, ku bën pjesë edhe fshati Bërzeshtë. Në këtë material do të jepen sqarimet e nevojshme në lidhje me gjendjen e fenomeneve në të kaluarën dhe sot, diferencimin klasor dhe ndryshimet që vihen re në truallin e mbartësve të besimeve të ndryshme fetare. Veç kësaj, do të tregohet kujdes i veçantë, që në ato raste kur do të dalin pyetje ose çështje të tjera në lidhje me problemin që gjurmohet, të jepen në mënyrë të saktë, duke bërë konkretizimet përkatëse, me qëllim që ky material të ketë një vlerë sa më të lartë për studimet etnografike-shoqërore.

Gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar sipas kërkesave të kohës zakonet dhe doket e familjes dhe kjo kërkon një punë voluminoze për të hedhur dritë në këto fenomene. Përsa i përket volumit të kulturës shpirtërore, i vura detyrë vetes, që, me sa më lejojnë mundësitë, të jap një kontribut modest në lidhje me studimin e familjes në fshatin Bërzeshtë, të marrë si qendër të vjetër të banuar në krahun e majtë të rrjedhës së lumit Shkumbin. Në këtë material me karakter etnografik jam munduar të paraqes doket dhe zakonet e familjes sipas “Pyetësorit mbi problemet e familjes”, botuar në “Etnografia Shqiptare” IV, e vitit 1972, hartuar nga sektori i etnografisë: I- Familja, II – Doke dhe zakone familjare.

Për të gjitha pyetjet jam përqendruar në kumtimet gojore të pleqve, personave që kanë njohuri të plota rreth tyre, si dhe nga dëshmitë e marra para disa vjetësh në lidhje me zakonet e lidhjeve martesore në këtë zonë.

Duke qenë se, sot për sot, mundësitë e studimit të gjerë të fenomeneve shoqërore në gjirin e familjes në luginën e Shkumbinit, për mua janë ende të kufizuara, të kushtëzuara nga disa pak faktorë objektivë, po mjaftohem vetëm me studimin e familjes në Bërzeshtë.

  1. Familja në Bërzhestë ka qenë e organizuar në mënyrë të tillë që në një shtëpi të jetonin shumë vetë, disa breza të një gjaku që bashkëjeonin në mënyrë të vullnetshme me njëri tjetrin. Por përdorimi direkt i termit “familje” nuk ka ekzistuar në atë kuptim që është sot. Vëmë re se në vend të fjalës familje është përdorur fjala “shtëpi” dhe “zjarr”. Për këtë mjafton të analizosh shprehjet që përdor populli: “Sa shtëpi bëhet ai?”, “Ishim një dhe u bëmë pesë zjarre”. Të dyja shprehjet shtëpi dhe zjarre kishin kuptimin e termit familje që është një shprehje letrare qysh prej shumë vitesh të kaluar. Vihet re se personat e një familjeje të madhe e thërresin njëri-tjetrin me emra të ndryshëm, sipas marrëdhënieve, moshës dhe vendit që kishin ata në familje. Burrat me afërsi moshe, pavarësisht nga afërsia që kishin me njëri-tjetrin, e thërresin secilin me emër. Kurse më të rinjtë, ndaj më të vjetërve, përdorin emërtime që tregojnë respekt.
  2. Përsa i takon mbiemrit (llagapit) të familjeve që përdorin sot, duhet të themi se më tepër hasen llagape të gjyshërve të largët dhe të fiseve, po ashtu edhe të profesioneve të ndryshme apo fshatrave. Për të dhënë një pasqyrë më të qartë për këtë, po japim radhazi llagapet, sipas fiseve që gjenden në fshatin Bërzeshtë (qendër), si dhe të fshatrave: Karkavec, Gurrë, Fanjë, Farret dhe Sopot, që kanë qenë njohur me emrin e vetëm Bërzeshtë, siç do të tregohet edhe më poshtë. Fshati Gurrë deri para 2 vjetësh ka qenë si lagje e Bërzeshtës dhe meqenëse disa llagape janë edhe në Bërzeshtë edhe në Gurrë, po i shënoj bashkë, Leka, Blloshmi, Goçi, Berdhash, Ngjelina, Zharri, Çerri, Muha, Hasula, Duçja, Sina, Ceni, Muça, Koçoli, Dashi, Danga, Gurra, Gymenga, Qyra, Dashballa, Bishtogu, Kuka, Alla, Vlashi, Osmëria, Guri, Grepi, Çeliku, Ozuni, Kampula, Marta, Spaho, Vasku, Braho. Nga këto fise dhe njëkohësisht llagape, duhet të themi se fiset me më shumë familje janë: Leka dhe Blloshmi që zenë respektivisht lagje dhe mëhallë me nga 2 familje dhe më pas vijnë fiset si Zharri, Dashballa, Alla, e me rradhë. Gjithashtu duhet pohuar se fisi Vlashi ka ardhur nga Vërça (krahinë e rrethit të Gramshit, 50 vjet më parë, kurse Ozuni nga Skroska; Kampula, gjithashtu nga Skroska; i ardhur nga fshati Xhyrë si edhe Spaho i ardhur nga Vërça. Fisi Vasku gjendet edhe në fshatin Karkavec. Ndërsa fiset: Gonxhi, Guxhi, Karahysa, Tola, kanë qenë dikur shumë vjet më parë, në Bërzeshtë, por siç dëshmojnë pleq të ndryshëm, këta fise të zhdukur nga shkaqe të ndryshme, veçanërisht nga sëmundjet e shumta “morri i kuq”, “spanjolla” etj, por kanë mbetur disa toponime me këta lloj llagapesh.
  3. Në lidhje me numrin e familjeve të fshatit para çlirimit mund të themi se ka pasur më pak se tani, rreth 135, me gjithë familjet e fshatit Gurrë, që sot figuron i ndarë, kurse në ditët e sotme, vetëm Bërzeshta si qendër, d.m.th. pa fshatin Gurrë, ka rreth 100 familje. Gjatë 30 vjetëve të pushtetit popullor, numri i familjeve ka ardhur duke u shtuar, si rezultat i krijimit të familjeve të reja nga ndarjet e atyre familjeve që kishin shumë persona. Gjithashtu, për shkaqe ekonomiko-shoqërore, gjatë 10-15 vjetëve të fundit, në fshatin Bërzeshtë kanë ardhur disa familje si p.sh. familja Vasku, më 1954, nga fshati Karkavec, familja Çerri, më 1958, nga fshati Farret (ky fis ka qenë edhe më parë në fshat!), familja Kampula, më 1956, nga fshati Skroskë, familja Braho, më 1960, nga fshati Xhyrë, etj. Kryesisht, shkaku i ardhjes së këtyre familjeve ka qenë faktori ekonomik, sepse në fshatrat ku ato kanë qenë, nuk kanë pasur tokë të mjaftueshme, ujë të pijshëm, strehim të përshtatshëm, si dhe për faktin që në këtë fshat kanë qenë disa kushte më të mira, si shkolla 8-vjeçare, fshati i mbledhur, më afër komunikacionit, ujë të bollshën, toka pjellore, etj. Gjithashtu, duhet thënë se nga ky fshat janë larguar disa familje për në qendra të ndryshme të vendit dhe, si rrjedhim, shtëpitë janë blerë prej familjeve të ardhura.
  1. Qysh prej shumë vjetësh të kaluar, fshati Bërzeshtë ka qenë i banuar dhe duhet thënë se ka pasur shumë shtëpi, mbi 400, duke llogaritur edhe ato fshatra që janë larguar dhe figurojnë si fshatra më vete! Me gjithë ndarjet që janë bërë në periudha të ndryshme, duhet thënë se qendra vazhdon edhe sot e kësaj dite të ruajë afërsisht gjendjen e mëparëshme, përsa i takon vendosjes së mëhallëve apo lagjeve. Lagjet e fshatit janë ndarë sipas fiseve më të mëdha, por ka edhe lagje që përfshijnë disa fise me pak familje. Kështu mund të themi se sipas numrit të familjeve kemi edhe ndarjen në lagje e mëhallë si vijon: lagjia e Blloshmajve ku përfshihen 7 familje me këtë llagap “Blloshmi”, familja Çerri, nga një shtëpi, janë bërë 3 familje, familja Bërdhashi, Goçi, Ozuni, mëhalla e Gjymengës dhe e Bishtogut me 5 familje; mëhalla e Grepit me 5 familje, Lagjia e Allajve, ku përfshihen mëhalla e Allajve dhe e Dashballajve me respektivisht, 7 familje dhe 5 familje, si dhe një familje Shërdolli, Lagjia e Lekës në qendër të fshatit me dy mëhallë: a) mëhalla e poshtme me 8 familje Leka, 1 familje Sula, 1 familje Muha dhe 1 familje Vasku, si dhe mëhalla e sipërme me 9 familje Leka, 1 familje Çerri, 1 familje Kampula; Lagjia e Zharrit, me mëhallën e Zharrit me 5 familje dhe Dashi me 3 familje. Veç këtyre lagjeve dhe mëhallave që u përmendën më lart, duhet thënë se ka edhe familje të tjera si familje Qyra, Leka (tjetër fis), Facja (i ardhur kohët e fundit!). Marta, që nuk përbëjnë mëhallë më vehte, se janë me më pak familje.
  2. Familjet e fshatit dhe të lagjeve, siç u theksua edhe më lart, kryesisht janë prej një fisi, siç janë Leka, Blloshmi, Alla, por ka edhe fise të tjerë, me më pak familje. Prandaj, nga vendosja e numrit të familjeve nëpër lagje e mëhallë, rezulton se ato nuk janë shpërndarë në mënyrë të rregullt. Gjithashtu duhet të theksojmë se qysh prej shumë vjetësh, disa fise vazhdojnë të jenë me një numër të vogël familjesh, siç janë: Goçi, Ceni, Muha, Hasula, Qyra, Shërdolli, Marta, Sula, etj.

6.Nga vështrimi i përgjithshëm i familjeve të fshatit del se që të gjitha ato merren kryesisht me punë bujqësore, si burrat ashtu dhe gratë. Para kolektivizimit të bujqësisë, më 1957, gjithashtu familjet e fshatit merreshin me bujqësi e blegtori. Me përjashtime të pakta, disa persona të familjeve të ndryshme merreshin me punë jo bujqësore, si profesione apo administratë dhe nëpunësira të tjera, brenda e jashtë rrethit. Për pasojë, të ardhurat ekonomike të fshatit vinin nga bujqësia e blegtoria. Por me kolektivizimin e fshatit në kooperativë bujqësore, përsëri pjesa e madhe e familjeve merren me bujqësi, duke llogaritur që një ose dy persona, çdo familjeje, pothuaj, merren me punë të ndryshme nëpër ndërmarrjet shtetërore si në sharrat, miniera, pyjore, bujqësore, ndërtim, tregëti, arsim, mjekësi, ushtri etj, dhe prej këndej rrjedhin edhe një sërë të ardhurash ekonomike të familjes. Kështu mund të themi se janë shumë të rralla familjet që nuk kanë pjesëtarë të tyre nëpër ndërmarrjet e ndryshme shtetërore. Ndërsa familje që të jenë të shkëputura krejtësisht nga puna bujqësore në ditët e sotme nuk ka, duke mos llogaritur ato familje që janë larguar përgjithnjë nga fshati qysh para 20 vjetësh e më parë. Nga familjet e ndryshme të fshatit, sidomos në vitet e fundit të çlirimit kanë dalë arsimtarë, agronomë, teknikë të ndryshëm, mjekë, veterinerë, punonjës të ndryshëm të administratave dhe kuadro të larta e të mesme të pushtetit lokal e në qendra me gjithë këto përparime që janë bërë, vazhdojnë të ruhen të pashkëputura me ekonominë bujqësore, duke e quajtur bujqësinë si detyrë shumë të rëndësishme për forcimin e ekonomisë. Gjithashtu duhet pohuar se këto persona familjarisht banojnë në fshat, me përjashtime të pakta, që për arsye të ndryshme, banojnë nëpër qendra pune e prodhimi. Pra, sidoqë të gjitha degët e ekonomisë kanë marrë një zhvillim të madh gjatë 5 vjeçarëve, ekonomia bujqësore është baza e të gjithë zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe si e tillë, çdo ditë e më tepër, vjen duke e forcuar puna në bujqësi.

 

 

  1. Përbërja e familjes

 

  1. Para çlirimit në fshatin Bërzeshtë, ashtu si edhe në shumë fshatra të tjerë të rretheve të ndryshme të vendit, ruhej karakteri patriarkal i familjes, gjurmët e të cilit janë ruajtur deri në ditët e vona. Si rrjedhim, numri i pjesëtarëve të një familjeje sillej nga 10-15 deri 25 persona dhe, ndonëse të përbërë prej disa vëllezërish, xhaxhallarësh si dhe grave e fëmijëve të tyre, grupet e gjakut, ishin shkak për rritjen e mëtejshme të familjes, e cila drejtohej nga “i pari” i shtëpisë, i cili siç do të sqarohet edhe më poshtë mund të ishte më plaku, më i afti për drejtim, më i njohuri dhe i praktikuari me punët e fshatit, por edhe më i ri se të tjerët, mjaft që të kishte aftësi për të drejtuar familjen dhe të“mbante lart nderin e saj”. Kështu mund të themi se në fshat, para çlirimit ka pasur mjaft familje me më tepër se 20 veta. Me gjithë përpjekjet e “të parit” të mbajtur të bashkuar atë, brenda gjirit të familjes, vazhdimisht ndjeheshin tendencat për ndarje, sepse pjesëtarët, si burrat, ashtu edhe gratë, nuk mund të pajtoheshin me tërë ato norma të ngurta që impononin një nënshtrim të verbër, një ndrydhje dhe pasivitet që më tepër pengonin se çonin përpara zhvillimin e saj! Kështu mund të merrnim mendim se familja Leka, Blloshmi, Dashi, Zharri, Yryku (që sot ndodhet në fshatin Fanjë kanë pasur më tepër se 30 vetë. Familja më e madhe ka qenë kjo e fundit me 42 veta dhe që drejtohej nga “i pari” i saj R.Yryku, i cili nuk ishte më i vjetri. Kjo ka pasur 4 barqe të pandarë. Po kështu, familja e R.Vretos (që sot ndodhet në fshatin Farret) me rreth 40 veta, që është e para që ka shkuar pa u ndarë deri në vitin 1958. Familje të mëdha kanë qenë gjithashtu edhe ajo e Cen Blloshmit me 6 vëllezër. Kjo familje ka shkuar e pandarë deri në vitin 1960. 35-40 veta ka qenë gjithashtu edhe familja e Dashit, etj. Familja N.Xhyri (në Fanjë) dhe Sh.Kullolli (edhe kjo në Fanjë) me 3 veta, të cilat për shumë vjet me radhë e deri në ditët tona, vazhdojnë të jenë në të njëjtën gjendje, pra, pa u shtuar, dhe kjo për shumë arsye, ekonomike, shoqërore, etj. Kolektivizimi i bujqësisë në fshatin Bërzeshtë është bërë në vitin 1957 dhe brenda një dekade përfundoi në të gjithë fshatrat. Kjo qe një ngjarje që solli transformime të rëndësishme në jetën e familjes së fshatit. Në radhë të parë lindën mundësitë për një kërkesë më të madhe ndaj njeri -tjetrit tek pjesëtarët e familjes dhe si rrjedhim, shumë familje të mëdha në numër, u ndanë, duke u bazuar në kushtet e tyre ekonomike. Kjo gjë solli si rezultat që të kemi shtimin e numrit të familjeve dhe zvogëlimin e numrit për secilën. Nuk ka dyshim se me kalimin e kohës, familjet e rrisin numrin e pjesëtarëve. Kështu mund të përmendim se fill mbas çlirimit, në vitin 1945, familja Leka filloi të ndahej dhe nga një shtëpi e madhe me gati 10 burra “të aftë për armë” (në moshë 20 deri 50 vjeç) me gra, fëmijë, u bënë 8 familje, të cilat për nga numri sillen tek 7-8 veta. Mbas kolektivizimit të bujqësisë ende kishte disa familje të mëdha, të cilat për arsye të ndryshme, nuk ndaheshin, siç kanë qenë në fisin e Allës, Gjymenga, Dashballës. Por më vonë, rreth viteve 1965-1970 vemë re se edhe këto familje të ndahen dhe të krijohen familje të reja, me bazë ekonomike të re dhe mendime e ndjenja e dëshira të reja. Në familjen e re të fshatit kooperativist, numri i pjesëmarrësve sillet nga 6-10 vetë, kurse numri i fëmijëve, mesatarisht 5 deri 7. Me gjithë këto ndryshime në numrin e familjeve të fshatit, duhet pohuar se familjet e mëdha nuk e kanë humbur karakterin e tyre patriarkal. Edhe pse janë të gjitha mundësitë për ndarje, prapë ato vazhdojnë të jenë bashkë. Kështu duhet thënë se sot familja më e madhe është ajo e Hasan Blloshmit me rreth 20 veta, e pandarë, familja e Sherif Blloshmit me 4 vëllezër të martuar e me fëmijë me rreth 20 veta, si dhe familje të tjera me më pak persona. Kurse familje me pak veta, ka më pak se të parat. Kështu p.sh: familja Marta me 2 veta, familja Spaho dhe familja Xhyri me respektivisht 1 dhe 2 veta.
  2. Nga kërkimet e bëra për ndryshimet në jetën e brendshme të familjes, shihet se pjesëtarët e një familjeje në gjuhën e popullit, quheshin me emrin e përgjithshëm “rob” (Mirë e ke ti, o vëlla, por unë jam 18 rob në shtëpi), si dhe me emrin “shpirt”. (Ishin mbledhur tek Rrapi 60 shpirtë). Po ashtu përdoret edhe fjala “frymë”. Te këta emra: rob-shpirt-frymë, janë përdorur në të njëjtin kuptim, por vlen të sqarohet se me emrin “rob” dhe “frymë” janë quajtur kryesisht personat që bëjnë pjesë brenda familjes, por për familjet e mëdha përdoret emri “shpirt”, gjithnjë në numrin shumës. Veç këtyre që u përmendën më lart, është përdorur edhe fjala “gjin” (i ke at’gjin me shëndet?). Këta emra, me kalimin e kohës, po vijnë duke u përdorur gjithnjë e më pak dhe po zëvendësohen me terma të reja si fjala vjen “vetë” dhe tani vonë “persona” si rezultat i përdorimit gjithnjë e më tepër, janë zhdukur krejtësisht nga gjuha popullore, por përdoren në raste të rralla, veçanërisht nga fshatarë të moshuar që përdorin trajtat dialektale. Kuptimi direkt i kësaj fjale ishte afërsisht, ai që ka një grup personash të një gjaku që bashkëjetonin në mënyrë të vullnetshme, pra varet nga numri i tyre. Nga përdorimi direkt i këtij termi, vëmë re se në vend të një fjale, më parë është përdorur fjala “shtëpi” dhe “zjarr”, të cilat përdoren për familjen, kurse ndonjë fjalë tjetër me po këtë kuptim, nuk është përdorur në këtë fushë. Për këtë mjafton të analizosh shprehjet që përdor populli: “Sa shtëpi bëhet ai” dhe: “Ishim një dhe u bëmë pesë zjarre”. Në shembujt e mësipërmë, si fjala ashtu shtëpi, edhe fjala “zjarr ka kuptimin e termit “familje”. Në ditët e sotme përdoret tepër termi “familje”, si fjalë e gjuhës letrare, por edhe fjalët “shtëpi” e “zjarr” janë në përdorim. Fshatarët, në raste të veçantë, me emrin “familje” kuptojmë një person të vetëm, kur është fjala për gruan, bashkëshortin. “Ki pak kujdes kur flet, se këtu ka edhe familje” ose “Ai djalë është “ku rrafsha mos u vrafsha”, “ta shohë sa të krijoj familje”! Pra,nocioni familje tani merr një shtrirje të ngushtë, por gjithnjë me kuptimin e personave që ka një shtëpi: nëna, babai, motra, vëllai, gruaja (bashkëshortja) si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Deri sot, përdoret ndonjë term i ri, në vend të termit “familje”, por, përfundimisht mund të themi se termi “familje” po vjen gjithnjë duke u përdorur në jetën e përditshme duke i zënë vendin termit “shtëpi” dhe “zjarr”. Fjala “tym” në këtë fshat nuk ka pasur ndonjë përdorim me rëndësi.
  1. Siç u përmend edhe më lart, para çlirimit, numri i pjesëtarëve të një familje ka qenë më i madh se në ditët e sotme, sepse karakteri partiarkal ka qenë i theksuar dhe veç kësaj, kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë ekonomiko-shoqërorë, që janë të njohur. Këta faktorë sollën si rezultat që familja e viteve të para çlirimit të jetë në një rreth të hekurt dhe të përfshijë një numër personash të një gjaku, d.m.th. të bashkëjetonin disa kurorë, me gjithë kontradiktat dhe mosmarrëveshjet që kishin midis tyre! Kështu duhet thënë se jo vetëm në vitet para çlirimit, por edhe disa vjet mbas fitores së revolucionit popullor, kemi familje që kanë arritur me 5- 6 kurorë të jetonin bashkë, me gjithë fëmijët e tyre, kush më shumë e kush më pak.

Kështu mund të paraqesim drurin gjenealogjik të familjes së madhe para çlirimit: Familja e Rakip Yrykut: I-Barku i Velë Yrykut: 3 fëmijë: a)Beqiri; b)Jahoja dhe c) Rakipi; ky i fundit ishte kryefamiljar (“i pari” i shtëpisë).

a)Beqiri kishte 4 fëmijë; b) Jahoja nuk kishte fëmijë; c)Rakipi kishte 7 fëmijë nga të cilët 3 djem të martuar; I.Shahini me 5 fëmijë; II. Sabriu me 6 fëmijë dhe Samiu me 4 fëmijë; Beqiri kishte vetëm 1 djalë me 6 fëmijë. Ky ishte barku i Velë Yrykut. Barku i Emin

Yrykut: a)Seiti (djali i Eminit) me 3 fëmijë; b) Rexhepi – 4 fëmijë, djali i Seitit, Qemali, kishte 7 fëmijë nga të cilët 5 djem e dy vajza (Në këtë renditje po shënohen vetëm djemtë, kurse vajzat e martuara nuk po i llogaritim në përfaqësues të barkut në familjeje!)

III: Barku i Ali Yrykut: a)Duke (djali i Aliut) me 4 djem e dy vajza; nga këta 2 fëmijë janë të martuar dhe vetëm njeri ka 1 fëmijë.

IV: Barku i Mersin Yrykut: a) Djali i martuar, pa fëmijë; b) 3 vajza. Familje me të njëjtën përbërje dhe numër pjesëtarësh, kemi edhe 2-3 të tjera, por kjo që përmendëm më lart, tani për tani bashkëjetesën nuk e sheh si pengesë për të ecur përpara dhe kontradiktat nuk janë me rëndësi sa për t’u ndarë, siç ka ardhur në disa raste të tjerë ndarja, siç do të flitet edhe më poshtë, për shkaqet e ndodhura. Duke e përmbledhur sa thamë më lart, me dy fjalë, duhet të themi , se kjo është e gjallë, se familja fshatare në Bërzeshtë, qysh nga çlirimi, veçanërisht gjatë viteve të kolektivizimit, ka fituar pavarësinë e saj dhe ka ardhur gjithnjë duke u forcuar në kompleks, duke bërë një luftë këmbëngulëse për emancipim dhe ngritje të mirëqënies dhe jetesës, sigurisht, duke mos llogaritur ndonjë rast të rrallë të ndonjë elementi të paformuar, që me pretendimin e krjimit të familjes, bëhet shkas për veprime të palejueshme në shoqëri.

Fakti është që kemi ndryshime rrënjësore në drejtim të formimit të familjes së re më tipare të moralit tonë të ri e të shëndoshë. Kjo gjë bie, fare qartë dhe me një vështrim të përgjithshëm, sepse është realiteti i ditëve tona i ditëve që solli Partia, është një jetë e krijuar për herë të parë në historinë e popullit tonë.

  1. Nga sa u paraqit më lart, duhet thënë se ndërtimi i kësaj familjeje ka qenë i tillë qysh para 40 vjetësh, por edhe në ditët e sotme të ndarët e familjeve për një numër më të madh se sa familjet e tjera të ndara nga fise të tjerë. Por sot familja e Shahin Yrykut, e Sabriut dhe e Samiut ka rreth 13-14 veta, të marra secila më vete, kurse para 4 vjetësh të gjithë këta, me gratë, fëmijët dhe prindërit e tyre jetonin bashkë. Po kështu kemi edhe familje të tjera, por këtë e muarëm më tipike në këto shënime.

Ja edhe përbërja e familjes që ka pasur më pak veta: Familja e Guri Lekës prej 15 vjetësh të kaluar përbëhej prej 4 vetësh, d.m.th: dy prindërit dhe dy fëmijë, nga të cilët një vajzë (e martuar) dhe një djalë (i pamartuar) . Pra, me vdekjen e babait dhe martesën e motrës, mbeti vetëm nëna me të birin (Gurin) dhe qysh prej 15 vjetësh nuk kemi asnjë ndryshim në numrin e kësaj familjeje; si kjo kemi edhe 3-4 raste të tjerë; dhe si përfundim na duhet të themi se gjatë viteve të kolektivizimit të bujqësisë, më tepër kemi krijimin e familjeve të reja me më pak pjesëtarë, të cilët janë shtuar, në krahasim me një dekadë më parë, por edhe zvogëlimin natyral të disa familjeve, për arsye të ndryshme, si sëmundje të pleqërisë, raste aksidentale, por këto përbëjnë një përqindje gati të papërfillshme, në krahasim me familjet e tjera.

Në ditët e sotme përbërja e një familjeje të madhe, është si më poshtë:

1)Familja e Sherif Blloshmit: 4 vëllezër: a)Sherifi me gruan dhe 3 fëmijë; b)Dilaveri me gruan dhe 5 fëmijë, c)Demiri me gruan dhe 2 fëmijë dhe d) Islami gjithashtu me gruan, pa fëmijë. Në këtë familje është edhe nëna e 4 vëllezërve, e cila me emër ose me përkëdhelje thërret nënën e vet, kurse gjyshen (si nga ana e babait, ashtu edhe atë nga ana e nënës) e quan thjeshtë nënë. Kurse të mëdhenjtë ndaj fëmijëve, zakonisht përdorin emrin e tyre, me të vetmin ndryshim se emrat e plotë, përdoren në formë të shkurtër, me përkëdheli. Kështu, edhe në ditët e sotme, emrat e tyre si Dule nga Avdulla, Dilo, nga Dilaver, Cen, Hysen, Shaqo, nga Shaqir, Merko nga Ymer, Dikë, nga Sadik, Filo nga Tafil, Rrushi nga Ryzhdi, Dije nga Hedije, Leme nga Mejreme, Shaqe nga Manushaqe, Fate nga Fatime, Deje nga Hamide, etj, etj. I kanë trashëguar nga fëminia.

Kurse babën dhe nënën fëmia e thërret kryesisht me atë emër që ata vetë, mos nëna, i mësojnë qysh në ditët e para, kur fëmija fillon belbëzimet e para. Duhet theksuar se për këtë kanë influencuar disa faktorë me karakter patriarkal, që në familjet para çlirimit pjesa më e madhe, rreth 95%, djali ose vajza, nuk e thërrisnin kurrë prindrin e tyre me emrin “babë”, për shkak se quhej për turp që djali i martuar, të cilit i lindte fëmijë, të lejonte fëmijën e vet që ta quante “babë”, kur ky djalë i martuar kishte në shtëpi babanë e vet ose një xhaxha të moshuar; fëmija duhej që të thërriste “babë” gjyshin ose vëllanë e gjyshit. Kurse babën e vet, gjithnjë për shkaqet që u përmendëm më lart, si dhe për hir të një lloj fanatizmi që ekzistonte në ato vite, fëmija e quante me emra të ndryshme si p.sh. “xhaxha”, “baç” (shkurtim i emrit “baba” me përkëdhelje!). Nuk përjashtohen edhe emra si “lalë”, “bush” (nga babush-përkëdhelje e emrit babë) si dhe ka raste mjaft që këto emra i përdorin edhe të tjerët, ndërsa pjesëtarët më të mëdhenj të familjes e thërresin me emër, si dhe kur nuk ka bërë përpjekjet e duhura (për arsye të ndryshme që u përmendën më lart) që t’i mësojë fëmijës drejt emrin e babës, apo dhe mjaft fjalë e shprehje të tjera merren qysh në vitet e para të fëminisë. Edhe për nënën e njëjta gjë ndodhte, me të vetmin ndryshim se në fshat dhe në fshatrat përreth, ka qenë zakon që nëna thirrej nuse, sidomos në rininë e saj të hershme, ka pasur edhe raste të thirrej “táte”, kurse gjyshja (nëna) thirrej thjesht me emrin nënë. Për motrat dhe vëllezërit e babait duhet të theksojmë se nga të rinjtë nuk thirreshin në emër, sepse fëmija më tepër i quante “teze” dhe “xhaxha”, në disa raste motrën e babait e thërrasin “hallë” (pjesa qendrore e fshatit-fisi Leka dhe Blloshmi), kurse motrën e nënës e quanin përsëri “teze” dhe vëllanë e nënës “dajë”. Kur motra ose vëllai i nënës dhe babait janë të rinj, sidomos të pamartuar, i thërresin edhe me emrat e tyre. Gjyshi, nga ana e babait dhe e nënës, si dhe vëllezërit e tij, thirren me emrin “babë”. Zakonisht janë këta që e mësojnë fëmijën (nipin a mbesën) se si t’i thërresë njërin, ose tjetrin, çdo pjesëtar i familjes.

Ndërsa burri kishte disa të drejta më tepër, në prezencë të “të parit” në lidhje me trajtimin dhe qëndrimin ndaj fëmijëve. Nuk duhet mohuar fakti se fanatizmi ishte pengesë e madhe për edukimin e fëmijëve. Gruaja ishte shumë e ndrydhur dhe pothuajse të gjitha të drejtat i ishin mohuar dhe si e tillë ajo nuk gëzonte të drejtat as ndaj burrit të vet dhe as ndaj fëmijëve të saj. Vetë termi “shtëpi e bukës”, që përdorej në vitet e fundit, tregon karakterin patriarkal të të familjes fshatare. Gruaja nuk kishte të drejtë të rrinte në dhomën e burrave, në “konak” dhe si e tillë nuk bisedonte në prani të të tjerëve me burrin e vet për afro 3 vjet. Në qoftë se i nevojitej diçka, duhej të fliste me të vjehrrin apo të vjehrrën, dhe me burrin nis të flas lirshëm kur nuk është më nuse, por grua e thyer në moshë. Nëse i kërkohej ndonjë shërbim “Nusja” thirrej me emrin e burrit, siç u përmend edhe më lart; Qemal-ore, Sherif-ore, etj.

Kurse në ato raste që në një shtëpi janë dy ose më tepër nuse, nusja më e vogël quhet thjesht “nuse” dhe nuset më të mëdha, d.m.th. ato që kanë ardhur një ose më tepër vjet më parë, thirren edhe me emrin “nuse”, por edhe me emrin e burrit të secilës; kjo bëhet më tepër me qëllim që nusja më e re të dallohet nga të tjerat dhe njëkohësisht ajo të ndjejë më tepër se të tjerat përgjegjësinë që ka në lidhje me respektin që duhet të tregojë ndaj njerëzve të shtëpisë, apo të të afërmve dhe miqve! Ndërsa nuset njëra tjetrën e quajnë “nuse” (ajo më e vjetra i drejtohet të resë “Moj, nuse!”), kurse nusja më e re, duhet t’i drejtohet kunatës më të madhe me emrin e burrit të saj; p.sh. “motra Dulore” ose edhe me emrin që ajo ka vetë: “motër Ryzhdie”.

Në ditët e sotme, në shumicën e familjeve, vazhdojnë të përdoren emrat dhe epitetet e mësipërm si edhe më parë, qoftë ato që përdor nusja ndaj pjesëtarëve të familjes dhe anasjelltas. Por, si rezultat i luftës ndaj zakoneve prapanike, vihet re se në shumicën e rasteve nusja përdor edhe emrat e plotë të pjesëtarëve, kur nuk kanë moshë shumë të kaluar. Janë më të shumta rastet kur pjesëtarët e familjes e thërresin nusen me emrin e saj. Gjithashtu, vihet re ndryshimi më i rëndësishëm që kanë burri dhe gruaja është se ndaj njeri-tjetrit mbajnë qëndrim të afërt, e thërret me emrin e vet të plotë, duke e quajtur si diçka të rregullt, normale, madje të domosdoshme që gruaja të jetë kudo dhe kurdoherë pranë burrit të saj. Me vëllezërit e tij, të kunetërit apo kushërinjtë e burrit gruaja edhe mund të fliste, kur i flisnin këta më parë, me të shoqin nuk bisedonte fare në prani të të tjerëve. Mbi të gjitha, ajo nuk i përmendte atij as emrin, por, kur ishte rasti që do të fliste diçka për të, e përcaktonte thjesht me fjalën “Ai”, kurse burri thoshte “Ajo”, ose me emrin e vet, duke i shtuar prapashtesën me emrin “Sadik-ore”. Sidoqoftë, 30 vjet më parë, gruaja ishte shumë më inferiore se sa edhe burri më i prapambetur. Kurse të afërmit e burrit, nusja i quante me emërtesa të tilla si më poshtë: babait të burrit dhe nënës së tij i thoshte “babë” dhe “nënë”, pavarësisht si i quan i shoqi, kurse vëllait të burrit i thërret me emrin që ka, por duke i shtuar përpara gjithnjë fjalën “vëlla”, p.sh. “Si thua, ti vëlla Qemal, të shkoj në shtëpi. Po kështu quan edhe motrën e burrit, kur ajo është në moshë mbi 15 vjet, ose e madhe p.sh.: “Motra Gurije ka dy ditë që po na pret, t’i vemi?”. Duhet pohuar se nusja përdorte epitetet e mësipërme edhe ndaj atyre personave që nuk janë pjesëtarë të familjes, por të afërt, miq apo dashamirë të shtëpisë. Kështu p.sh. kur nusja do të flasë me një burrë më të ri ose më të vjetër se vetja, për respekt, është i detyruar që t’i drejtohet me shprehjen “vëllai N.”, ose për gratë “motra N.”. Nuk quhet vepër e mirë, madje jo e lejueshme, që nusja t’i thërresë njerëzit, burrat ose gratë në moshë të rritur, me emrin e tyre të plotë, pa vënë para emrit të tyre fjalën “vëllai” ose “motra”. Kjo gjë tani ndeshet gjithnjë e më rrallë.

Kurse të gjithë pjesëtarët e familjes, duke filluar nga më i vjetri e deri tek i riu, burra ose gra, madje edhe fëmijët, nusen e thërresin me emrin: “nuse”. Ky emër, në shumë raste, nga përdorimi i vazhdueshënm, i mbetet asaj edhe në moshë të thyer, nëse pas saj në shtëpinë e vjehrrit nuk kanë ardhur nuse më të reja.

11.Familjet e mëdha, në të kaluarën, përbënin edhe disa formacione më të mëdha se familja, siç janë: “barku” dhe “brezi”, të cilët përfshijnë disa familje me lidhje genetike, ose siç thuhet në popull me “lidhje gjaku”, pavarësisht nga numri i pjesëtarëve të tyre.

Termi “bark” ka kuptimin e një grupi pjesëtarësh në familje, djem ose vajza, që ka ardhur nga një prind (babë) dhe që kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, sepse vijnë nga një nënë dhe nga një babë; gjithashtu “barku” është edhe një familje më e madhe ku përfshihen gjysh, gjyshe, xhaxhallarë, motra, vëllezër, nipër, mbesa, etj, etj, po qe se duam të bëjmë një grupim të rregullt të pjesëtarëve të familjes. “Barqe”, siç do të sqarohet edhe më poshtë, formojnë “brezat” që përfshijnë një numër më të madh njerëzish dhe një periudhë kohe më të gjatë bashkëjetese.

  1. Ndërsa “barku” ishte pothuajse vetë familja, që mund të ndahet më vonë, pas martesave të pjesëtarëve më të rinj të familjes në disa barqe, duhet të theksojmë se “brezi” ka një shtrirje më të gjerë dhe krijohet si renditje e disa “barqeve” të tjerë. Dhe ja se si mund të bëjmë grupimin në “barqe” dhe “breza” gjatë një periudhe prej afër një shekulli: Po marrim një shembull nga familja “Osmëria” e fshatit Bërzeshtë, e cila sot ndodhet në fshatin Fanjë, por fare pranë fshatit Bërzeshtë:

Hysen Osmëria, kishte 3 djem, d.m.th. 3 barqe; I.Dulja me 2 djem -2 barqe (mbasi u martuan!). Nga këta: djali i parë kishte një djalë (d.m.th. nip dhe djali i dytë kishte një djalë (edhe ky nip i Dules!). Nga këta: nipi i parë, një djalë, kurse nipi i dytë i Dules, i pamartuar. II.Zani me 1 djalë – 1 bark, u martua; nga ky: kemi 3 djem- 3 barqe; djali i parë me 1 djalë dhe djali i dytë dhe i tretë të pamartuar. III.Sala me 2 djem- 2 barqe, mbasi u martua, djali i parë Dules (i riu) me 3 djem beqarë (3 barqe mbasi të martohen) dhe djali i dytë i Dules me 4 djem beqarë (bëhen 4 barqe mbasi të martohen), e kështu me radhë.

Në barqet e mësipërme: 1)Hyseni është brezi i parë; 2)Dulja, Zani dhe Sala është brezi i dytë; 3)Sula, Rustemi, Maliqi, Dulja (i riu) dhe Rexhepi, brezi i tretë; 4)Sala, Kamberi, Bashkimi, Xheviti, Diloja është brezi i katërt; 5)Fëmijët e Dilos në ditët e sotme formojnë brezin e pestë. Kështu që nga kjo renditje e familjes gjatë disa dekadave, “barqe” kemi më shumë, breza më pak, sepse siç u përmend edhe më lart, një brez përmbledh disa barqe. Nga sa vëmë re edhe në familje të tjera, kemi pasur raste që kanë bashkëjetuar 4-5 breza pa u ndarë, me 8-9 barqe. Në familjen e mësipërme, p.sh. Zani ka jetuar 83 vjet dhe ka vdekur në vitin 1960; ky i përket brezit të dytë, por ka jetuar në një familje të madhe me pjesëtarë të brezit të katërt. Si kjo, kemi edhe familje të tjera, të cilat kanë pasur në gjirin e tyre disa breza; si familje e madhe p.sh. Yryku dhe Osmëria kanë arritur deri në 4-5 breza. Pas çlirimit një gjë e tillë nuk vihet re, vetëm në raste të rralla, dhe këto 2 breza, jo më tepër.

 

  1. Me ndryshimet e fundit shoqërore shohim edhe një sërë formimesh në fushën ideologjike dhe psikologjinë të familjes si dhe në shumë drejtime të tjerë. Prandaj themi se me shtimin numerik të familjeve, shtohen proporcionalisht edhe kërkesat e saj, në drejtim të ekonomisë, ngritjes arsimore e kulturore.

Qysh prej rreth 100 vjetësh të kaluar që kanë ndodhur ndarje të brezave, barqeve dhe familjeve të ndryshme, nuk ka qenë zakon që pleqtë të ndahen nga njëri-tjetri, d.m.th. që njëri të shkojë me njërin djalë dhe tjetri të shkojë me djalin tjetër; kjo për arsye të burimeve ekonomike, por edhe për hir të forcës së fanatizmit, sepse një gjë e tillë quhej si turp për gjithë familjen!

Këto vitet e fundit, rreth vitit 1970 kemi raste të ndarjes së prindërve: njëri me djalin e madh dhe tjetri me djalin më të vogël. Kështu p.sh. familja Dash’hana në fshatin Fanjë, me dy pleq dhe dy djem të martuar, u ndanë midis tyre, duke shkuar babai me djalin e madh dhe nëna me djalin më të vogël. Kjo gjë ka arsyet e veta, sepse secili prind jep ndihmë për njërin dhe për tjetrin djalë, qoftë për drejtimin e ekonomisë personale, ashtu edhe për kujdesin ndaj fëmijëve, që në shumicën e familjeve fshatare janë të shumtë 5-6 e lart, si edhe për qeverisjen e familjes në tërësi, në një kohë kur djali me gruan e tij janë të preokupuar me punët e ndryshme të kooperativës apo të ndërmarrjeve shtetërore. Po kështu pak vjet më vonë, në vitin 1973, familja Gjymenga e përbërë nga burrë e grua me moshë 83 vjet dhe 77 vjet si dhe 3 djem të martuar me nga 5-6 fëmijë të rritur secili, u ndanë veç e veç, d.m.th. çdo vëlla më vete, me gruan dhe fëmijët e vet, kurse prindët u ndanë në këtë mënyrë: babai me djalin e madh dhe nëna me djalin më të vogël. Djali i mesëm jeton vetëm me gruan dhe fëmijët e vet, kurse pleqve nuk u detyrohet nga ana materiale, d.m.th. nuk u paguan ndonjë farë shume në të holla për jetesën e tyre, (të gjitha shpenzimet i heqin djemtë që i kanë “në ngarkim!”), por sigurisht, ata (prindrit) edhe tek djali i mesëm shkojnë për drekë ose darkë, kur u vinë njerëz në raste të ndryshme dhe kujdesen edhe për fëmijët.

Në një familje me dy barqe (ku janë dy vëllezër të martuar dhe me fëmijë të rritur) janë krijuar kushtet objektive për ndarje dhe një gjë e tillë bëhet me aprovimin e të dy palëve, ose vetëm me kërkesën e njërit vëlla. Siç u përmend edhe më lart, në rastet që 3-4 vëllezër të martuar dhe me fëmijë të rritur rrinë bashkë, po vinë duke u rralluar, por megjithatë familje të tilla ka. Kjo vazhdon në këtë gjendje deri sa fëmijët janë të pamartuar. Rastet më të shumta janë ato që ndarjet bëhen fill pas martesës së vëllezërve (edhe kur prindërit i kanë gjallë) dhe pasi kanë jetuar bashkë 2-3 vjet. Në ato raste kur vëllezërit jetojnë më shumë vjet bashkë edhe pasi janë martuar dhe kanë fëmijë të rritur, ndarja zakonisht bëhet mbasi shihet e domosdoshme, kryesisht për arsyet ekonomike dhe kur “i pari” i familjes (njëri nga vëllezërit nuk bën të gjitha përpjekjet për ta drejtuar si duhet familjen. Kështu janë ndarë p.sh. në vitet e fundit (1970-1973) familja e Dashballës dhe ajo e Gjymengës, me nga 3 vëllezër të martuar prej një kohe të gjatë dhe me fëmijë të rritur. E para ka vetëm nënën gjallë, kurse e dyta ka nënën dhe babën, në moshë 70-83 vjet. Pra, si njëra dhe tjetra familje jetuan bashkë për rreth 20 vjet; pasi u martuan të gjithë vëllezërit dhe lindën disa kontradikta u ndanë, duke formuar kështu familje të reja, me pjesëtarë familjeje gratë dhe fëmijët e tyre.

Problemi i prindërve pothuajse ka qenë i zgjidhur sipas traditës së vendit, sepse si rregull ka qenë që pleqtë (d.m.th. prindërit, siç thirren më tepër në gjuhën e popullit) shkonin me djalin më të vogël, ishte ose jo ky i martuar. Në raste të veçanta, pleqtë shkonin të banonin edhe me djem të tjerë, me të mesmin ose më të madhin, duke menduar se me nusen e njërit, ose tjetrit do të shkonin më mirë, më të qetë. Ka pasur raste sado që shumë të rralla që dy vëllezër kanë marrë në shtëpinë e tyre, secili njërin nga të dy prindërit e tij, kjo është bërë që jetesa të bëhet më e lehtë, me sa i lejojnë mundësitë. Këto janë dy raste që janë ndarë vëllezërit dhe bashkë me ta edhe prindërit! Një gjë e tillë vihet re kohët e fundit edhe në disa fshatra të tjerë, por duhet pohuar se tani për tani, nga një pjesë njerëzish, ndarja e pleqve midis djemve, nuk shihet me sy të mirë, pavarësisht nga anët pozitive që ka dhe që, për më tepër është bërë me pëlqimin e pjesëtarëve të familjes e aq më fort, me pranimin e vetë prindërve! Kur njëri nga pleqtë ka vdekur (d.m.th. kur nga 3-4 vëllezër ndahen të gjithë veç e veç dhe në kohë të ndryshme), prindi tjetër shkon gjithnjë me djalin më të vogël. Me përjashtim për ndonjë rast, kur djali i parë ose i dytë ka arsye të forta, është me fëmijë të vegjël, ka fëmijën e sëmurë, ka shumë fëmijë, ose gruan të sëmurë, etj, nëna rri me të dhe nuk shkon me djalin e vogël. Me gjithë përjashtimet e pakta, duhet thënë se tradita e ndarjes familjare, qysh prej shumë vjetësh e deri në ditët e sotme ka qenë në përgjithësi ashtu siç u përshkrua më lart!

 

  1. c) Ekonomia dhe prona e familjes

 

14.Qysh shumë vjet para çlirimit dhe deri në kolektivizimin e bujqësisë, familjet e fshatit, si burim ekonomik në radhë të parë, kishin bujqësinë dhe krahas kësaj edhe blegtorinë. Për sa i takon zejtarisë, duhet të themi se nuk ka qenë e zhvilluar pothuajse fare, me përjashtime të pakta, nga individë të ndryshëm. Të ardhurat ekonomike të familjeve kanë qenë nga bujqësia më tepër dhe me përqindje të konsiderueshme edhe nga blegtoria, të cilat kanë pasur një farë rëndësie në fillimet e shekullit XX.

Përsa i takon bujqësisë, duhet të themi se ishte në gjendje primi-tive, pa as më të voglin mekanizim, por sipërfaqja e tokës që kishte çdo familje, sidoqë nuk punohej mirë dhe e pakët si sipërfaqe, jepte një farë prodhimi, për më tepër se kishte sasinë e mjaftueshme të ujit dhe, deri diku, struktura e saj ka qenë e mirë. Por edhe pse ndihmonin këta faktorë, një numër familjesh në fshat, nuk kishin tokë fare, ose kishin fare pak, me të cilën nuk mund të siguroheshin nevojat familjare. Veç kësaj, duhet pohuar se, deri në kolektivizimin e bujqësisë, në familjen fshatare kishte tendenca që të shtohej sipërfaqja dhe jo mënyra e punimit, që të shtohej prodhimi. Sot njihen shumë toponime që dëshmojnë se sipërfaqe të tëra tokash, në fshat dhe jashtë tij, janë blerë me para, flori dhe me gjithë këto shitje e blerje, më tepër se bukë fshatari ka pasur grindje dhe mëri dhe nga pas e ka ndjekur hija e rrezikut prej atyre që kanë dashur t’ia rrëmbejnë atë!

Kurse blegtoria, për shkak se fshati Bërzeshtë ka pasur kullotë malore të mirë dhe të bollshme, ka qenë edhe kjo e zhvilluar deri diku, përsa i takon anës numerike, por nuk bëhej as më e vogla përpjekje për përmirësim race, apo diçka tjetër në drejtim të shtimit të prodhimit. Një pjesë e mirë e familjeve në fshat, kanë pasur bagëti të imta (dhen e dhi) nga 20 deri 40 kokë; ka pasur edhe raste që kishin edhe më tepër, por ajo që ka rëndësi, është fakti se familja fshatare qoftë prodhimin bujqësor, qoftë atë blegtoral, që e siguronte me shumë mundime dhe sakrifica, nuk e administronte drejt, e shpenzonte pa kriter dhe veç kësaj, detyrohej që të paguante taksa të ndryshme kohë e pa kohë, dhe për këtë shkak, familja vinte gjithnjë duke rënë ekonomikisht.

Duke qenë se fshatari kishte pak tokë dhe pak bagëti, mund t’i mbante se do të kishte edhe njerëz në familje për t’u shërbyer, mundohej që një sasi t’ardhurash t’i siguronte nga bujqësia dhe pak nga blegtoria. Në përgjithësi, t’ardhura të konsiderueshme, me përjashtime të pakta, familja fshatare nuk ka pasur.

  1. Për periudhën para çlirimit të vendit, duhet thënë se, ashtu siç kemi pasur shumë familje që kanë pasur fare pak tokë, ose aspak, ka pasur edhe mjaft familje që dispononin një sipërfaqe të konsiderueshme toke, e cila në disa raste arrinte në 6 deri në 10 dynymë, sipërfaqe kjo që e kishte pjesa më e madhe e familjeve, por disa të tjera familje, ato më të pasurat, kishin deri në 40 hektarë. Në këtë sipërfaqe, një pjesë e mirë ishte e papunueshme, e veshur me shkurre dhe gurë dhe nuk bëheshin përpjekje për sistemimin e saj, por vetëm sa siç thoshin fshatarët, d.m.th. sa mezi e bënin ugar dhe e mbillnin misër dhe bënte një kalli që “e merrte sorra në gojë dhe e hante në majë të gurit”. Edhe ato familje që kishin mjaft toka, shumicën nuk e punonin, por e mbante për kullota ose zabele për lëndë druri. Këto zabele zinin një sipërfaqe të madhe dhe duhet pohuar se, të tilla sipërfaqe të pamatura i kishin një pjesë e mirë familjesh dhe këto ruheshin me rreptësi, për të mos u prerë apo dëmtuar nga të tjerët.

Në fshatin tonë, para çlirimit familja më e pasur ka qenë Shaban Dashi që dispononte një sasi të madhe toke rreth 40 hektarë të punueshme (nga kjo 15 ha tokë pjellore, zalli) si dhe një sipërfaqe të madhe në mal për kullotën e bagëtive.

Familja e mësipërme, veç tokës që kishte, të cilën e punonte me “bujq” (duke mbajtur familje të tjera që merreshin direkt me punimin e saj), kishte më shumë se kushdo tjetër bagëti të imta (dhen e dhi) që arrinin deri në 1200 kokë pëlleja dhe deri 600 shterpa, kishte disa shtëpi, rreth 30-40 lopë si dhe rreth 30-40 kafshë pune (qé), të cilët i jepte me “drithë”. Familja e tij nuk kishte më tepër se 20 vetë. Për të mbajtur të gjitha këto bagëti, në stinën e verës, përdorte kullotat e malit, të cilat janë mjaft të përshtatshme për blegtorinë. Duhet pohuar se para çlirimit, mali i fshatit ka qenë “mushaf katuni”, mera, (kullotë që përdorej sipas një ndarjeje afërsisht “proporcionale” sipas gjësë së gjallë që kishte çdo familje) dhe, si i tillë nuk paguhej taksë. Këtë ndarje e bënte zakonisht “kryepleqësia” e fshatit, por kuptohet se këtu bëheshin matrapazllëqe nga më të ndryshmet, duke paguar ryshfete, duke krijuar tarafe dhe “rrethe miqësore” me qëllim që të përvetësonin ata që kishin “edhe gurin dhe arrën” në dorë. Sidoqë kullota ishte për stinën e verës (maj-tetor) dhe përpjekjet e kryepleqve ishin për “ta bindur” katundin në drejtësinë e punës së tyre, duhet pohuar se, edhe pse nuk përdoreshin kufij të palëvizshëm, kullotat e malit administroheshin nga familjet e pasura në mënyrë të tillë, sa që askush tjetër nuk kishte të drejtë të kalonte as me këmbë. Ka pasur mjaft raste që për këto ndërhyrje, krijoheshin mëri dhe grindje të mëdha që në disa raste tentonin edhe për vrasje. Po të shohim toponimet e fshatit në ditët e sotme si “darka e Dashit”, “lëmi i Dashit”, “ara e Hasulës”, “arët e Zharrit”, etj, vërtetohet se si bëhej ndarja e kullotave dhe e tokave të punueshme. Veç të ardhurave, prodhimet bujqësore dhe prodhimin blegtoral, merrte edhe një sasi drithi (misër) nga dhënia e qéve me drithë, siç u përmend më lart; kjo gjë bëhej në këtë mënyrë. Një personi që nuk kishte qe për të lëruar tokën (dhe të tillë kishte shumë) e siç kishte edhe pa tokë fare, familja Dashi i jepte një ká për një vit bujqësor, personi që e merrte me “drithë” kaun, ishte i detyruar që t’i paguante pronarit të kafshës drithë (zakonisht misër) 2 kille Struge (njësi matëse që tani nuk përdoret më. Killa e Strugës ishte e barabartë me 6 teneqe ose më saktë me 90 kg; d.m.th. shpërblimi për kaun ishte 180 kg misër; kurse kemi edhe “killën” e Pogradecit me 4 teneqe ose 60 kg, pra “killa” e madhe me 90 kg, dhe “killa” e vogël me 60 kg). Periudha që mbahej kafsha ishte nga fillimi i muajit nëntor deri në fund të majit; pas një periudhe, personi e dorëzonte kafshën. Sa për faktin që me një ká toka nuk punohej duhet të themi se fshatarët i bashkonin kafshët; p.sh. 2 familje i vinin qetë bashkë dhe me radhë punonin tokat e njeri-tjetrit, duke i mbajtur me ditë, dmth 4 ditë dhe 4 ditë të tjera. Kjo bëhej për shkak se edhe toka e punueshme nuk ishte e shumtë por edhe për faktin se një familje nuk kishte mundësi që të paguante drithëra për dy qé. Veç sa u përmendën më lart, familja e mësipërme kishte edhe 4-5 kafshë samari (kuaj dhe mushka) të cilat kryesisht i përdorte për nevojat e veta.

Kurse familja më e varfër ka qenë N.Xhyri, me 3 vetë dhe rreth 4 dynymë të punueshme, pa kullota, pa bagëti dhe vetëm me punimin e asaj pak toke, mezi siguronte 4 muaj bukë. Pjesën tjetër të vitit e siguronte duke marrë hua nëpër familje të ndryshme, si dhe duke punuar për afate të ndryshme “me pagesë” (dmth për punën që bënte, çfarëdo pune që kishin nevojë familje të ndryshme, paguhej me të holla në dorë), sidoqë edhe kjo ishte një shumë fare e vogël.

16. Duke parë zhvillimin ekonomik të familjeve në periudhën para çlirimit si edhe disa vjet mbas çlirimit, rezulton se gati 80% e familjeve, me mjetet e veta që dispononim, nuk i siguronim nevojat e jetesës, prandaj mund të themi se prodhimi ekonomik për shumicën e tyre, ishte i pamjaftueshëm. Ndërsa një pjesë e pakët familjesh kishin mundësi që të plotësonin nevojat ekonomike. Kur një numër i pakët, jo vetëm që i plotësonin nevojat e tyre, por kishin edhe teprica, të cilat i siguronin në forma të ndryshme që ishin në rrugët direkte drejt forcimit ekonomik.

  1. Me prodhimin e tepërt që kishin disa familje, prodhim ky i ardhur kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria (artikujt që shiteshin më tepër ishin: drithi-kryesisht misër-fasule, pemë, mjaltë, si dhe prodhime blegtorale si bulmet, lesh, bagëti, lëkurë), familjet synonin që të shtonin përsëri të njëjtat burime, si tokën dhe bagëtitë. Kështu p.sh. me paratë që siguronte një familje në gjendje të mirë ekonomike, duke shitur, fjala vjen, një numër bagëtish në pazar, (zakonisht shitje në vend nuk bëheshin) mundohej që të blinte një sipërfaqe toke, e cila nuk “bënte as qiqra” si i thonë fjalës, aq të dobta ishin për nga prodhimi, por mjafton që ta kishte një afërsi të shtëpisë, ose në “sent” të tokave të tjera, d.m.th. ajo tokë që do të blinte ishte në kufi me tokat e tjera që kishte për kullota, ose si tokë buke, ose do të blinte ndonjë kafshë tjetër që i duhej, si kafshë samari, ose kafshë pune, etj., por gjithnjë një prodhim që të shtonte prodhimin. Nga kjo, ka lindur edhe shprehja frazeologjike “malli sjell mallin”, por për sa i takon përmirësimit të kushteve të jetesës nuk bëhej asnjë përpjekje dhe “kokën në trung e vinin” kur flinin dhe të gjithë në një sahan dhe me lugë prej druri hanin. Veç kësaj kushtet higjeno-sanitare ishin shumë të ulta. Si përfundim, edhe pse kishim një farë pasurie, këto familje nuk jetonin ashtu siç duhej, sepse rregulli dhe administrimi i saj nuk bëhej me kriter.

 

  1. Siç u tha edhe më lart, shumica e familjeve nuk i plotësonin nevojat ekonomike me punën dhe t’ardhurat ekonomike që merrnin nga bujqësia dhe blegtoria. Për të plotësuar këto kondita të domosdoshme, familjet vepronin sipas mundësive, varianteve të ndryshme, duke shitur e blerë ato që kishin më tepër të domosdoshme, kryesisht bukën e gojës. Për bukën fshatari “bënte të pabërën”, d.m.th. shiste “gjakun e syrit”, sepse pa bukë nuk mendohej jetesa e familjes. Edhe kur kishte tri kokë bagëti, të cilat i ushqente me thërrime, shpesh herë detyrohej t’i shkonte të blente një dume misër (rreth 25 kg). Kështu që shiste edhe atë pak mall që ishte i nevojshëm, e kishte edhe shumë të dhimbsur. Shpesh herë e qanin me lot fëmijët e fshatarit një dhi manare që i ati e shiste për të blerë pak misër, apo për një nevojë shumë të domosdoshme familjare! Nga këto është krijuar edhe shprehja tjetër “e keqja e shet, e keqja e blen”. Veç sa u tha më lart, për nevoja shumë të ngutshme, merrte edhe hua, qoftë para, qoftë edhe bereqet, me afat prej disa muaj, apo një vit, sepse më parë, nuk mund t’i shlyente. Gjithashtu, bënte edhe punë të ndryshme me “gjynelik” (me pagesë në dorë), por kjo lloj pune nuk siguronte ndonjë të ardhur të konsiderueshme. Në kurbet nuk kanë shkuar njerëz nga fshati, sidoqë kanë qenë shumë të vuajtur. Pra, për të dalë nga gjendja ku ndodhej familja, detyrohej të merrte hua tek njerëz që kishin një farë t’ardhurash, në “radhë miqësie e tarafi”, hynte borxh me fajde, duke siguruar një farë shume, punonte me “gjynelik”, shiste një pjesë pasurie, si tokën apo bagëtinë, madje në ato raste kur nuk mund të bënte asnjerën, as tjetrën, detyrohej të hynte “bujk” tek ata që kishin tokë me shumicë dhe punonte për një farë periudhe prej 2-3 vjet, apo më tepër. Megjithëkëtë, duhet thënë se gjendja e familjes fshatare nuk ishte e siguruar, por e kalonte kohën më tepër duke “shpresuar” në fuqinë madhore se njeriu aty e ka “riskun” e vet, etj.

 

  1. Siç u përmend edhe më lart, në Bërzeshtë kooperativa bujqësore u formua në vitin 1957, ku u futën rreth 85% e fshatit qysh në fillim dhe një vit më vonë të gjitha ekonomitë ishin në kooperativë. Çdo fshat përbënte një kooperativë më vete, deri në vitin 1962, kur u bashkuan 5 fshatra: Bërzeshta, Karkaveci, Fanja, Manastireci dhe së fundi Gurra, që ishte bashkë me Bërzeshtën dhe tani është fshat më vete. Të ardhurat ekonomike të kooperativës në fshat, vitet e para ishin shumë të mira, vlera e ditës së punës nuk paguhej në të holla, por me drithë: misër, fasule, patate, bulmet, si dhe prodhime të tjera, sipas numrit të pjesëtarëve të familjeve dhe sipas prodhimeve që siguronte kooperativa gjatë një viti. Nga ditët e punës që bënte çdo familje në kooperativë, siguronte një sasi t’ardhurash që siguronte jo vetëm bukën, por edhe ushqimin në pjesën më të madhe. Duhet thënë se organizimi i ri i pronës dhe i punës, shumicës së familjeve ua ngriti nivelin e mirëqënies së jetesës, qysh në vitet e para. Veç kësaj, në qoftë se një familje për arsye të ndryshme kishte nevojë, për artikuj bujqësorë, sipas rregullave të statutit të kooperativës, mund të blinte dhe me çmime të arsyeshme. Kjo ishte një shumë e madhe për familjet, sepse pagesa mund të bëhej në fund, kur ndahen t’ardhurat vjetore për të gjithë anëtarët e kooperativës.

Ndihmë të konsiderueshme i jepte familjes kooperativiste edhe kopshti personal ose tredynymshi, siç quhej nga kooperativistët. Kjo ishte një parcelë, zakonisht në afërsi të shtëpisë dhe punohej nga çdo familje me shumë kujdes, me qëllim që të kishte rendiment sa më të lartë. Duhet pohuar se krijimi i kooperativës bujqësore veç shumë anëve të tjera pozitive në drejtim të forcimit të ekonomisë, theu edhe disa koncepte frenuese që ekzistonin më parë. Një ndër ta ishte edhe mbjellja dhe kultivimi i kulturës së grurit, që pothuajse nuk njihej fare në fshat, madje në rreth. Qysh vitet e para, u arritën rezultate të mira. Pra, familja kooperativiste veç prodhimit që merrte nga kooperativa, kishte një sasi të ardhurash edhe të një tredynymshi, ku merrte një sasi drithi, zakonisht misër dhe vitet e fundit gruri, fasule, si dhe perime dhe pemë që kishte në periferinë e kopshtit personal. Numrin e bagëtive, deri në 20 kokë (dhe më vonë 10 kokë) një lopë, një kafshë samari dhe bletë, pula etj. Familja kooperativiste kishte të ardhura, të cilat me një administrim të rregullt dhe planifikim të drejtë, i mjaftonin për gjithë nevojat familjare. Duhet thënë se qysh në vitet e para, vihet re përmirësimi i dukshëm i gjendjes ekonomike në familje. Kjo erdhi duke u ngritur me kalimin e kohës, edhe pasi u bë bashkimi i kooperativës dhe krahas të tjerave, edhe organizimi i saj i brendshëm u forcua.

Me kalimin e kohës edhe t’ardhurat për ditë pune u shtuan dhe në ditët e sotme vlerësimi bëhet me lekë, kurse prodhimet bujqësore jepen sipas nevojave që mund të kenë familjet. P.sh. një familje që ka nevojë për një sasi gruri, e blen 2.7 lekë kilogramin, sipas marrëveshjes me personat përgjegjës në sektorët e kooperativës. Po kështu edhe për prodhime të tjera, si fasule, patate, bulmet, mish, fruta, zarzavate, madje edhe raki, mjaltë e vezë, etj. Kështu, në bazë të të ardhurave që çdo vit vijnë duke u shtuar, edhe paga reale për ditëpune e kooperativistit vjen duke u rritur në mënyrë të ndjeshme. Nga viti 1962, kur u bë kolektivizimi i kooperativave në një të bashkuar, sidomos mbas vitit 1967, kur përfundoi kolektivizimi i të gjithë fshatrave, paga e ditëpunës u rrit nga 6 lekë në 7.50 lekë, 7.70, 10,10.50 dhe 12 lekë. Paga, nga një herë muaj, tani bëhet në çdo 15 ditë. Kështu, një familje mesatare arrin të bëjë nga 600 deri 800 ditë pune; ka familje që bëjnë edhe më tepër dhe shuma që merr kjo familje çdo muaj është e mjaftueshme për të përballuar nevojat e jetesës. Gjithashtu, diferenca që merr çdo familje në fund të vitit bujqësor, është gjithnjë në rritje, sepse nëqoftëse gjatë vitit ditëpuna, p.sh. sot paguhet me 10 lekë, në fund të vitit, mbase është llogaritur edhe vlera e arritur nga dorëzimi i duhanit, jepet shuma që krijohej nga numri i ditëve të punës së familjes shumëzuar me 2.5 ose 3 lekë që kanë mbetur pa u paguar. P.sh. një familje me 4 krahë pune të zakonshëm në kooperativë ka arritur të bëjë 1200 ditë pune (numri i ditëve të punës për çdo pjesëtar varet sipas procesit të punës dhe vendit të punës, por zakonisht norma mesatare realizohet). Gjatë vitit, për çdo muaj kanë marrë nga 10 lekë për ditë pune. Vlera e ditë-punës ka arritur përfundimisht në 12.50 lekë. Pra, çdo personi i takon nga 3750 lekë, kurse për çdo muaj nga 312.50 lekë.1) Ka shumë

________________

1) Genc Leka, për të qenë brenda me kërkesat zyrtare, i rrit shifrat e pagës për ditë pune, mujore dhe vjetore.

———————————————–

familje që arrijnë edhe më tepër ditë pune dhe si rrjedhim edhe t’ardhurat arrijnë më tepër. Sot, synimi i të gjithë punonjësve në kooperativë është që krahas rritjes reale të numrit të ditë- punës, gjë që e arrin me shfrytëzimin e kohës së punës, pjesëmarrjen e rregullt, forcimin e mekanizimit, etj, të rritë në radhë të parë rendimentin e prodhimit. Me t’ardhurat ekonomike të çdo familjeje janë bërë ndryshime të dukshme. Janë krijuar koncepte të reja për kushtet dhe mënyrën e jetesës; janë ndërtuar shtëpi të reja, pajimet e kuzhinës janë shtuar, janë blerë rroba për fjetje, krevatë, orendi, mjete pune, radio, televizorë, është ngritur higjenizimi dhe gjithë kërkesat e tyre të mirëqënies, pra, një ndryshim rrënjësor në krahasim me periudhën para kolektivizimit. Edhe kopshti personal, edhe të ardhurat e tjera nga bagëtitë, bletët, etj, i japin një ndihmë të konsiderueshme për forcimin e ekonomisë familjare.

 

  1. Anëtarët e kooperativës, të çdo familjeje në veçanti, punën në kooperativë e kombinojnë në mënyrë të tillë që ajo të jetë sa më e frytshme dhe me të të merren të gjithë pjesëtarët. Duhet pohuar se në vitet e para të kolektivizimit kishim edhe koncepte të gabuara, në lidhje me pjesëmarrjen dhe cilësinë në punë. Duke menduar se prodhimi i kooperativës nuk mjaftonte, në disa raste nuk punonin vazhdimisht dhe me cilësi, si dhe mbartnin disa koncepte të tjera frenuese. Por me punën bindëse të organizatave të Partisë dhe rinisë, të ardhurat u përmirësuan në mënyrë të ndjeshme.

Kopshti personal, tredynymshi, ishte objekti kryesor i familjes dhe pothuajse çdo familje synonte që të merrte sa më shumë prodhime prej tij. Por, kohët e fundit, pikësynimi kryesor i çdo familjeje në përgjithësi dhe i çdo anëtari në veçanti, është puna në kooperativë, kurse për dynymin personal punohet aq sa e kërkojnë nevojat, por jo që të bëhet pengesë për pjesëmarrjen në punët e kooperativës.

Në lidhje me punimin e kopshtit personal, kujdeset për punimin e tij çdo pjesëtar i familjes, por edhe ndonjë person që nuk pengon punën e kooperativës, si ndonjë plak, apo ndonjë grua që për arsye të ndryshme, qëndron në shtëpi për një farë kohe.

Sa për pjesëmarrjen në punë, duhet thënë se burrat marrin pjesë rregullisht, por edhe gratë mbajnë një peshë kryesore në të gjitha proceset. Organizimi i punës në kooperativë ka sjellë si rezultat që të gjithë anëtarët, si burrat edhe gratë, të gjithë pjesëmarrësit e aftë për punë, të mos shkëputen asnjëherë nga puna, me përjashtime të rasteve të justifikuara me dokumenta. Si djemtë ashtu edhe vajzat sapo mbarojnë shkollën tetëvjeçare, kur nuk vazhdojnë më lart, fillojnë punë në kooperativë dhe janë në ballë të punës, shembull frymëzimi në aksione dhe të gjitha drejtimet që ka nevojë kooperativa. Për realizimin e ditëve të punës në çdo familje, aktivizohen të gjithë, por zakonisht burrat arrijnë disa ditë pune më tepër se sa gratë, sigurisht kjo është relative, sepse ka edhe gra e të reja që arrijnë 300 e 350, madje 400 ditë pune të normuara në vit.1) Eshtë fakt se gruaja sot merr pjesë në çdo punë, krahas burrit, si në prodhim direkt, ashtu edhe në drejtim, duke dhënë rezultate shumë të mira.

 

  1. Para se të bëhej kolektivizimi i fshatit, në familje pothuajse të gjithë anëtarët merreshin me punë të ndryshme, kryesisht me bujqësi dhe blegtori, siç u përmend edhe më lart. Në disa familje, më tepër nga fisi Leka, Blloshmi, meqë kishin një farë arsimi dhe në kontakt me qytetin, punonin për zhvillimin e fshatit, si nëpunësa të ulët dhe nëpër disa ndërmarrje ekonomike, kryesisht në rrethet më të afërt si në Elbasan, Pogradec, etj. Kurse në vitet e kolektivizimit mbasi arsimi 7 vjeçar u bë i detyrueshëm, numri i personave të kualifikuar nga viti në vit dhe, si rezultat edhe kërkesat për kuadro të kualifikuar u shtuan tepër. Kështu që nga familja fshatare, një ose më tepër anëtarë, largohen duke përqendruar nëpër ndërmarrjet e ndryshme ekonomike, apo edhe jashtë rrethit me nëpunësira ose shërbime me afate të ndryshme.

Largimet më të shumta i kemi në vitet e krijimit të kooperativës bujqësore për shkak se jo vetëm që nga viti në vit është ndjerë nevoja për fuqi punëtore, por edhe familjet kishin nevoja ekonomike, të cilat nuk i përballonin vetëm me të ardhurat që merrnin nga kooperativa, e cila vitet e para të krijimit të saj nuk ishte fuqizuar sa duhet. Kështu duhet të themi se në fillim, vitet e para dhe pas çlirimit, kemi pjesëtarë të familjes që punonin në vende të ndryshme të Atdheut si nëpunës të thjeshtë, kuadro në qendra pune dhe

________________

1) Vazhdon pajtimi i Genc Lekës me kërkesat zyrtare për gra që bëjnë 400 ditë pune në vit.

—————————-

ushtarakë. Po në këto vite kemi edhe raste që familje nga fshati largohen dhe stabilizohen në qytetet kryesore të vendit, si Tiranë, Durrës, Elbasan, etj. Raste të tilla më të rrallë, ka pasur edhe para çlirimit të vendit. Këto largime janë bërë vetëm për arsye ekonomike. Nuk ka pasur raste grindjesh apo mërish midis familjeve, që të jenë bërë shkas për largim.

Gjatë 10-15 vjetëve të fundit largimet nga familja janë më të shumta. Ka familje që kanë të larguar edhe 2 deri 3 veta që punojnë në ndërmarrje apo qendra pune. Duhet thënë se në rrethin e Librazhdit, mbas disa vjetësh të ardhjes në fuqi të pushtetit popullor, u ngritën një numër ndërmarrjesh industriale ekonomike, të cilat tërhoqën një sasi të konsiderueshme të fuqisë së aftë të punës. Kështu mund të themi se shumica e punëtorëve nga fshati punojnë sot në miniera, sharra, tregti, administratën e rrethit, në institucionet so-cial-kulturore, në ushtri, etj, etj. Nga këta persona të larguar më tepër janë meshkuj, sepse edhe natyra e punës është e tillë, por duhet të pohojmë se vitet e fundit, vëmë re se edhe femrat shkojnë në qendra pune të ndryshme, si në ndërmarrjet bujqësore, pyjore, tregti, arsim, shëndetësi, administratë, etj, duke bërë ashtu si dhe burrat punë nga më të ndryshmet, si shitëse, infermiere, arsimtare, punëtore, rrobaqepëse, agronome, teknike si dhe mjaft punë të tjera, sipas nevojave të ndërmarrjeve apo rrethit.

Gjithashtu, duhet pohuar se pjesa më e madhe e këtyre personave që janë larguar në kohë të nryshme, me të ardhurat që marrin, e ndihmojnë familjen, duke i dhënë një sasi të hollash apo edhe vlera të ndryshme materiale. Këta njerëz që “janë në fitim, sipas popullit janë një ndihmë e madhe e familjes, me të ardhurat e punës, shumica e tyre përballon nevojat e jetesës, duke pasur njëkohësisht si mbështetje edhe t’ardhurat ekonomike të kooperativës. Vitet e fundit, të ardhurat ekonomike janë administruar më drejtë dhe si rezultat është forcuar ekonomia.

 

  1. Megjithëqë para çlirimit, prona e familjes nuk administrohej me kritere të drejta dhe në disa raste, për arsye të ndryshme, kishte edhe shpërdorime, si në dasma apo në ngjarje të tjera me rëndësi në familje, duhet pohuar se forma të tilla sundimi që një person i vetëm ta quante pastaj si krejt të vetën dhe të bënte ç’të donte me të, në fshat nuk ka pasur.

 

I pari i familjes, veç të tjerave, kishte për detyrë që të njihte më së pari gjendjen ekonomike të saj dhe të interesohej që kjo gjendje të vijë duke u forcuar vazhdimisht. Prandaj qoftë kur do të shitej diçka nga pasuria e familjes, apo kur do të blihej, duhej “bërë mylaza” (duhej diskutuar hollësisht dhe pasi të jepej aprovimi, veprohej sipas nevojës. Edhe kur kishte për përvetësim indirekt të pronës nga ndonjë pjesëtar apo “i parë” i familjes kjo bëhej në mënyra që të mos binte në sy. Kur këto raste ishin të përsëritura, bëheshin shkas për ndarje. Sidoqoftë, fakti është se raste të një urdhëri absolut për trajtimin e pasurisë nga ndonjë person i vetëm në familje, edhe para çlirimit, nuk kemi pasur. Sigurisht, kur ndonjë person donte të bënte ndonjë veprim në lidhje me pasurinë e përbashkët, ai nuk mund ta bënte dot, pa bërë të mundur më parë që “i pari” i familjes të kishte dijeni dhe ta aprovonte. Nuk duhen injoruar edhe rastet e rralla kur janë vënë re, si mbajtja fshehur e një sasie t’ardhurash nga ndonjë pjesëtar i familjes, sidomos në ato raste kur ishin pjekur të gjitha kushtet për ndarje. Trajtimi jo i drejtë i pasurisë nga ana e “të parit” shihej me të keq prej gjithë familjes dhe në disa raste lindte urrejtje e theksuar .

 

23.Siç u fol edhe më lart, pasuria e familjes i takonte në mënyrë proporcionale të gjithë pjesëtarëve. Askush nuk kishte të drejtë që të quante një pjesë të mallit si “pjesë të vetën”. Secili kishte detyrë që të mbronte mallin e familjes, njëlloj sikur ta kishte personal.

Në një numër familjesh me shumë persona, ku kishte shumë burra, gra dhe fëmijë, ku kishte shumë të hyra e të dala, krijohej një “fond” material për shpenzimet që bëheshin në raste të ndryshme si në martesa, vdekje, pritje e përcjellje miqsh të largët (krushqie), hua, festa të ndryshme, etj; kjo pasuri që mund të ishte në të holla dhe materiale të tjera ushqimore ose gjë e gjallë, në disa raste edhe tokë, quhej “tógu”. Në raste ndarjeje të një personi për arsye të ndryshme, familja i jepte pjesën që i takonte, por pjesa e “togut” nuk prekej, sepse ajo shërbente edhe si fond akumulimi për të gjithë fmailjen. Populli thotë në këto anë: “e keqja të çon në derë të hasmit”. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë, prandaj çdo familje merrte masa që të kalonte edhe situatat më të vështira ekonomike, gjë që, në vitet para çlirimit ishte e zakonshme. Malli i “tógut” ndahej vetëm në ato raste kur do të ndahej çdo bark më vete. Raste të tilla kemi pasur vetëm në ato familje me shumë barqe.

 

Me kolektivizimin e fshatit, këto të drejta pësuan ndryshime rrënjësore, sepse ekonomia e familjes u përqendrua në mënyrë të barabartë tek të gjithë pjesëtarët e familjes dhe si e tillë, ajo administrohej më drejt dhe i shërbente më mirë ngritjes së mirëqenies së jetesës, në kuptimin më të drejtë të fjalës.

  1. Në familjen e Bërzeshtës pasuria ka qenë e përbashkët dhe administrohej nga të gjithë pjesëtarët, nëpërmjet të të parit të shtëpisë, siç u theksua edhe më lart, sigurisht, duke pasur edhe një farë pasurie, përsosmërie, çdo pjesëtar; kjo pasuri ishte kryesisht paja e nuseve, veshjet personale, pajimet e ndryshme si dhe ndonjë plaçkë tjetër që pjesëtari i familjes i kishte të dhuruar, apo peshqesh për ndonjë ngjarje me rëndësi të jetës, si festa e Bajramit, etj. Këto pasuri ishin të ndryshme në familje të ndryshme dhe në rastet kur, për një arsye ose për një tjetër, ndjehej nevoja edhe për këtë lloj sendesh (sigurisht në raste tepër të ngutshme) atëhere, me aprovimin direkt të vetë personit që e dispononte këtë pasuri, përdorej duke u shitur apo u dhuruar me qëllime të caktuara, sipas nevojës së familjes.

Kurse ndarje të prerë për pasurinë që i takonte vetëm grave apo burrave, nuk ka pasur. Me kalimi e kohës, ka pasur raste që ndonjë pjesëtar i familjes me forma të ndryshme, ka përvetësuar një pjesë të pasurisë, duke ditur që “t’i bindë” pjesëtarët se ai është disponuesi legjitim i asaj pasurie. Por këto raste janë të rrallë dhe jo tipikë të familjes në Bërzeshtë.

 

  1. Siç u përmend më lart, në kushte normale, pasuri të familjes veç për burra dhe veç për gra nuk kishte, por ka pasur raste të tilla që ekzistonte një lloj pasurie, në më të shumtën e rasteve, e trashëguar nga familje të tjera.

Në një familje të rregullt kishte një organizim të caktuar. Në rrethanat e mësipërme, kur familja kishte një pasuri që e “trashëgonte” prej ndonjë familjeje tjetër, siç do të tregohet më poshtë, kjo pasuri quhej “pekul” dhe “miraz”. “Mirazi” ishte një pasuri që kishte ardhur nga një nuse e shtëpisë, të cilën ajo e ka marrë nga shtëpia e prindërve, që për arsye të ndryshme, janë zhdukur. Kjo “pasuri” zakonisht ishte tokë, shtëpi, mall shtëpie, gjë e gjallë, të holla, etj.

Mirazi, si pasuri që e dispononte dikush tjetër, nuk pranohej nga çdo familje dhe kjo më tepër për hir të bestytnive se ishte mall “harram”. Kurse nga disa familje të tjera, që kishin thjesht qëllime materialiste, jo vetëm që e pranonim, por kur u paraqitej rasti, bënin çdo përpjekje që ta siguronin, duke ia aneksuar pasurisë së familjes, pavarësisht se kjo pasuri, deri në një farë shkalle ishte e diskutueshme, sepse i takonte një gruaje të shtëpisë.

Kurse “pekuli” ndryshe nga “mirazi” në të cilin mund të kishte një, ose dy ose më tepër pjesëtarë (vajza e martuar, djemtë dhe vajzat e hallës, etj) ishte: mall i përfituar në rrugë jo të drejtë (me manovrime të ndryshme para ndarjes së pjesëtarëve të një familjeje, nga ana e një pjesëtari çfarëdo, sidomos “të parit” të shtëpisë, mall të cilin e përdor mbas ndarjes). Ka edhe raste kur një “i parë” shtëpie, duke pretenduar se ka kontribuar më shumë se të tjerët për mbarëvajtjen e familjes, kur ndahen barqet, kërkon ndonjë mall që i pëlqen dhe e merr, p.sh. një kalë, një mëshqerrë, pajime, konaku, takëme të ndryshme konaku, etj. Pra “pekuli” është një pasuri që krijohej mbi bazë jo të shëndoshë, ose më mirë, fare pa të drejtë! Si “mirazi” që ishte pasuri e ardhur në rrugë të drejtë, nga familje e një vajze që më vonë është martuar, ashtu edhe “pekuli”, merreshin në raste të ralla; kryesisht kur një vajzë mbetej e vetme, sepse prindërit, t’afërmit e tjerë i vdisnin, pasurinë e merrte atje ku martohej dhe nuk ia linte të afërmëve apo farefisit. Kjo pasuri dihej nga të gjithë pjesëtarët e familjes që është “miraz” dhe në raste të ngutshme, ose kur fisi ndodhej në situatë të vështirë ekonomike, mund të përdorej për nevojat e saj, vetëm kur e aprovonte në mënyrë të vullnetshme, personi e gëzonte atë, me kusht që, në rast se vinte puna për ndarje, të merrte mirazin si pronën e vet dhe kjo të mos llogaritej me pasurinë që i takonte nga pasuria e përbashkët. Raste të mirazit kanë ardhur deri ditët e vona, kur u shpall Reforma Agrare dhe u vendosën marrëdhënie në prodhim dhe jetën shoqërore. Në ditët e sotme, raste të kësaj natyre nuk ka, prandaj edhe termat “miraz” e “pekul” po vijnë gjithnjë duke u zhdukur. Fjala “miraz” sot përdoret në raste të rralla vetëm për të kujtuar të kaluarën në biseda të ndryshme. E njëjta gjë ndodh edhe për fjalën “pekule”. Të dyja këto prona të familjes e kanë origjinën në thellësitë e shekullit dhe pasqyrojnë format e sundimit dhe të organizimit të familjes si shfrytëzues të disa elementëve që kishin tendenca parazitare. Sidoqë këto i përkasin një të kaluare të largët, në ditët e sotme për rastet e mirazit dhe të pekuleve flitet me një ton më tepër përbuzës, pjesë e errët e jetës së familjes, që e impononin rrethanat social-ekonomike.

 

  1. Mbas kolektivizimit të bujqësisë në fshat, ndodhën ndryshime rrënjësore në jetën e familjes së fshatit, të cilat, me kalimin e kohës, krijuan portretin e plotë të familjes së re të fshatit, sigurisht, duke mos i injoruar edhe një sërë të metash që ende nuk ishin zhdukur për arsye të ndryshme. Kështu, lindën koncepte të reja në lidhje me rolin dhe vlerën materiale të pronës në familje. Vihet re një tendencë për ta administruar me kriter pronën, si dhe për të gjetur rrugë e forma të reja për forcimin ekonomik të familjes. Lindën raporte të reja për ndarjen e barabartë të pasurisë, me qëllim që secili pjesëtar ta quante veten disponues të vetëm të saj dhe si i tillë, të ndjente përgjegjësi direkte për të gjithë familjen.

Në vitet e para të kolektivizimit e deri në ditët tona, si pronarë të shtëpisë dhe pasurisë quhej jo vetëm një, por të gjithë anëtarët e familjes, por, meqë familja, si gjithnjë, është një bërthamë bazë e shoqërisë dhe si e tillë ka nevojë për një drejtim të organizuar, në bazë të centralizimit social, drejtohet nga një person, zakonisht më i moshuari dhe më i përgatituri me problemet e familjes. Ky person është zakonisht babai, në moshë të pjekur, por në mungesë të tij edhe nëna, e cila ka një përvojë të gjatë në jetën e familjes së vet.

Ashtu si edhe disa vjet më parë, siç kemi folur më lart, që në një familje, mund të ishte “i parë” edhe një pjesëtar më i ri në moshë se të tjerët, edhe në ditët e sotme në disa familje, vetë prindërit e moshuar kanë pranuar që me drejtimin e familjes të merren bijtë e bijat, kryesisht njeri që ka më tepër aftësi, duke u mbështetur edhe nga pjesëtarët e tjerë. Këtë gjë, prindërit e bëjnë sepse mendojnë që të rinjtë sot janë me shkollë, të dalë, që kanë njohur më mirë ndryshimet social-ekonomike, që dinë më mirë se si duhet drejtuar shtëpia, sipas kërkesave të kohës, etj. Kështu edhe në Bërzeshtë drejtimi në familje bëhet në mënyrë të organizuar. Për mbarëvajtjen e përditshme të familjes japin mendime, burri dhe gruaja, por edhe fëmijët që kanë arritur në një moshë të pjekur për të gjykuar rreth pjesëtarëve të familjes. Kështu kemi shumë raste, kur djemtë dhe vajzat 14-15 vjeçarë interesohen për problemet e familjes dhe japin mendime të drejta për zgjidhjen e tyre, duke bërë të mundur që në drejtimin e familjes të hyjë e reja progresive në të gjithë aspektet e saj. Po të bëjmë një përmbledhje me pak fjalë rreth gjendjes shoqërore, ekonomike dhe kulturore të familjes së paraçlirimit në Bërzeshtë, bien në sy tiparet më dalluese të saj: Organizimi i formacioneve, me barqe dhe breza lejonte mundësitë për një drejtim patriarkal, kurse më tepër dëgjohej zëri i burrit dhe veçanërisht “të parit” të shtëpisë; gruaja ishte e ndrydhur dhe nuk lozte rolin e duhur në familje; ekonomia, prona administrohej në mënyrë të tillë që s’i shërbente plotësisht interesit të çdo pjesëtari të familjes, në jetën e familjes ndikonte negativisht feja dhe interpretuesit e saj, të cilët kultivonin ndjenjat e dasive dhe përçarjeve të cilat krijonin një atmosferë të ftohtë midis pjesëtarëve të familjes.

 

Organizimi i brendshëm i familjes

 

  1. Para çlirimit të vendit në familjen e fshatit ekzistonte një farë ndarjeje e punëve, sipas aftësive të pjesëtarëve dhe sipas një caktimi që i bënte “i pari” për mbarëvajtjen e punës në familje. Duhet pohuar qysh në fillim se kjo ndarje nuk ishte fikse dhe e pandryshueshme dhe në familje të ndryshme kishte ndarje të ndryshme. Në punët më të vështira fizike përqëndroheshin burrat, por edhe gratë merrnin pjesë pothuaje kudo që punonte burri. Në vitet e para çlirimit gruan fshatare e ndrydhte një fanatizëm i theksuar. Ajo nuk bënte asnjë veprim pa urdhrin e burrit dhe kryesisht të “të parit” të shtëpisë. Në disa raste gruaja punonte në arë, të gjitha llojet e punëve, pa u treguar e lodhur asnjëherë. Veçanërisht, gruaja ka qenë e munduar së tepërmi nga barra e shpinës. Tërkuza dhe litari nuk iu ndanë asnjëherë! Gruaja shkonte në mal për dru e për dushk, në mulli, në arë e kudo, duke bërë punën e kafshës së samarit, gjithnjë e ngarkuar në të dy krahët. Në këtë drejtim ajo punonte shumë më tepër se burri. Gruaja shkonte edhe me bagëti dhe bënte çdo lloj pune tjetër, por gjithmonë punë të rënda, të lodhshme. Edhe punët e shtëpisë pa përjashtim i bënte gruaja dhe vetëm ajo. Gruaja nuk kishte të drejtë që të shkonte në Pazar, të zinte vendin e burrit nëpër mbledhje të ndryshme, të dilte në konak kur vinin miq të largët, apo të panjohur. Veçanërisht, barra e rëndë i binte grave më të reja, kurse më të vjetrat merreshin me punët e brendshme të shtëpisë, zakonisht një grua qëndronte gjithnjë në shtëpi. Pra, po ta shohim çështjen në kompleks, gruaja ka punuar më tepër se burri. Vetëm ajo grua që nuk ishte në gjendje fizike të mirë, kishte një farë kufizimi në disa punë. Gruaja punonte ku mundëte. Vetëm një farë rregulli ishte që vajzat e shtëpisë, të cilat nuk i linin vetëm të shkonin larg shtëpisë, por të “shoqëruara” me ndonjë grua apo djalë të rritur.

Duhet theksuar se mbas kolektivizimit vihen re ndryshime të rëndësishme në emancipimin e gruas, sepse ajo lehtësohet në një farë mase nga litari e tërkuza, si dhe nga disa punë të tjera të rënda, ose punonte me një rregull të ri, në formë të organizuar, gjë që e bënte punën më tërheqëse dhe më të lehtë. Kështu evitohet mbajtja e druve në krahë nga mali dhe transportet e tjera të rënda. Vitet e para të kooperativës, kur ende nuk ishte forcuar rregulli i brendshëm, gratë mbanin barrë në kurriz vetëm në punën me karakter fushate, si në transport gruri, duhani etj, që duhen bërë me shpejtësi.

 

28.Përsa i takon ndarjes së punëve për pjesëtarët e familjes, kjo bëhej nga ana e “të parit” të shtëpisë, i cili qysh më parë bënte një farë plani, me qëllim që të kishte një kompaktësi të përhershme midis të gjithë pjesëtarëve dhe çdo pune që të bëhej në kohën dhe masën e duhur.

Në disa familje të mëdha më shumë vetëm i pari i shtëpisë, qoftë ky më i vjetri në moshë, apo edhe një më i riu, nuk punonte, por merrej vetëm me drejtimin e familjes. Ai caktonte punët që duhej të bënte çdo anëtar i familjes si dhe ishte përgjegjës direkt për të gjitha çështjet e tjera me karakter social dhe ekonomik të familjes. Për burrat ndarja e punës ishte pothuajse e përhershme. Kështu p.sh. në një familje ishin caktuar se kush do të kujdesej për gjënë e gjallë (bariu), kush do të merrej me punët bujqësore, me pazarin, mullirin, kush do të kryente detyrat shoqërore të familjes (hyrje, dalje, pritje, përcjellje, në raste të ndryshme, etj.) Në raste të veçanta, të gjithë burrat ndihmonin njëri-tjetrin për të kryer detyrat e tyre të përbashkëta. Kurse ndryshe ishte puna për gratë. Në marrëveshje me të parin e shtëpisë, burrat dhe gratë caktonin një grua, atë që ishte më e afta dhe më e drejta (që njihej për sinqeritetin e saj!), që të ishte “e parë” e shtëpisë (magjëreshë) për problemet e ekonomisë së shtëpisë. Ajo kishte të drejta që të kontrollonte çdo ditë punën e grave të tjera, të jepte urdhra për t’u bërë kjo apo ajo punë, të gatuhej ky apo ai ushqim, etj, etj. Kurse gratë e tjera sipas radhës që u caktonte “e para” bënin punët e shtëpisë, sidomos radhën e magjes dhe mjaft punë të tjera që kishte shtëpia. Kjo ndarje në disa familje u ruajt edhe në vitet e para pasçlirimit! E para e shtëpisë mbante çelsat e shtëpisë, ku ruheshin kryesisht lekët, ushqimet dhe rezervat e tjera të nevojshme. Kështu, duke ndjekur një radhë në punët e shtëpisë, ato kryeshin me një farë rregulli që kërkohej nga të gjithë pjesëtarët.

 

29.Ashtu siç u fol edhe më lart, në familjet e mëdha, për të organizuar më mirë ekonominë, me qëllim që të aktivizoheshin të gjithë anëtarët, zgjidhej një person që ishte më i aftë, si nga burrat ashtu dhe nga gratë, një “i parë” dhe një “e parë” e shtëpisë. Këta, në raste shumë të rralla nuk kishin të drejta mbi përdorimin e pasurisë, por merreshin me drejtimin e familjes. Mbasi jepej detyra për secilin në familje, sipas afatit, kërkohej edhe zbatimi i çdo detyre. Kjo organizohej në këtë mënyrë, më i madhi, “i pari” i familjes kontrollonte burrat; gratë kontrolloheshin nga “e para” e shtëpisë dhe në raste të rralla “e para” e shtëpisë merrte pjesë edhe vetë, me qëllim që puna të kryhej më parë dhe më mirë. Burri që ishte “i parë” nuk pranonte që drejtuese shtëpie të ishte gruaja e tij, për shkak se nuk donte që pjesëtarë të tjerë të familjes të krijonin përshtypje të këqija, se duke qenë të “parë” të dy mund të bënin ndonjë “padrejtësi” në administrimin e ekonomisë.

 

  1. Edhe më lart është folur se si veprohej për forcimin e ekonomisë në një familje që nuk mund t’u bënte ballë nevojave të jetesës. Për këtë, në këtë fshat, ka pasur edhe raste që një pjesëtar i familjes, duke parë se me t’ardhurat e zakonshme nuk ia dilte dot, shkonte larg shtëpisë, për të punuar, më tepër punë krahu, nëpër rrethe të tjerë, si në Korçë, Berat, Tiranë, etj, ku rrinte me afate të ndryshme, sipas nevojave. Raste të tilla ka pasur veçanërisht para çlirimit, të cilët punonin si ustallarë, bahçevanë, druvarë, etj. Ka pasur gjithashtu një numër pjesëtarësh, të cilët kishin pak shkollë dhe me ndërmjetësi rregullonin ndonjë punë të thjeshtë me rrogë, si punonjës të financave, postë telegrafeve, të ndërmarrjeve rruga-ura, në ushtri, në arsim, shëndetësi, etj, të cilët merrnin një shumë të vogël sa për të ushqyer veten vetëm me bukë thatë! Këto “të ardhura” të pakta qëndronin gjithmonë gati për të përballuar hallet, telashet dhe kërkesat e shumta të familjes së paraçlirimit. Kurse në mërgim, jashtë Atdheut, nga fshati ynë nuk kanë shkuar! Janë munduar, janë hequr zvarrë me bukë e pa bukë, kanë punuar nëpër qoshet më të largëta të vendit, me çekiç e me mistri, me kosën në krah, me krrabë në dorë, me sopatë e çdo gjë tjetër, duke derdhur djersë gjithnjë, por në dhe të huaj, përtej detesh, jo- asnjëherë!

 

  1. Në fshat ka pasur raste që një familje e madhe, me qëllim që të forconte më tepër ekonominë e saj, kishte dy shtëpi në tokat që dispononte. Këto shtëpi mund të ishin edhe larg njëra-tjetrës, por në përgjithësi kjo nuk përbënte ndonjë pengesë të pakapërcyeshme, sepse organizimi i punës ishte i tillë. Kështu, për shkak se ishin familje e madhe, familja Dashi ka pasur 2 shtëpi, të dyja në fshat, por larg njëra tjetrës. Një pjesë e personave rrinte më lart dhe një pjesë tjetër në shtëpinë poshtë. Të dy familjet punonin në vendet e tyre dhe t’ardhurat i kishin të përbashkëta. Një person që ishte caktuar për furnizime, i bënte ato edhe për njërën shtëpi, edhe për tjetrën, me ushqime, miell, dru, si dhe për të gjitha nevojat e tjera të përditshme. “I pari” i shtëpisë, herë rrinte në njërën shtëpi dhe herë në tjetrën. Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes shkonin tek njëri-tjetri, si prej njërës edhe prej tjetrës shtëpi. I pari i shtëpisë kishte parasysh që t’ardhurat e familjes t’i ndante në mënyrë proporcionale për të dy familjet, duke mos lënë mungesa të ndjeshme, por edhe kur njëra familje kishte ndonjë nevojë më tepër nuk ndodhte ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme, sepse shumica e pjesëtarëve të familjes, sidomos gratë dhe fëmijët, nuk kishin pretendime të shumta. Kërkesa e llogarisë nuk ishte bërë çështje e ditës në familje.

Kështu ka pasur edhe familja Zharri një shtëpi në fshat dhe një në Zall, afër lumit Shkumbin, në verilindje të fshatit. Nuk përjashtoheshin rastet kur në familje kishte kontradita të brendshme, sidomos kur “i pari” i shtëpisë gabonte, ose nuk tregonte kujdesin e duhur për bërjen mirë të të gjithë pjesëtarëve të shtëpisë, pa përjashtim, të mëdhenj e të vegjël, meshkuj e femra. Këto ndodhnin në ato raste, kur bëhej i ditur gabimi, apo nënvleftësimi i “të parit” të shtëpisë, bëhej hapur me paramendim, si rrjedhim krijoheshin përçarjet që çonin drejt ndarjes.

 

  1. Me krijimin e kooperativës bujqësore, në fshat ndodhën ndryshime të rëndësishme në të gjitha drejtimet, kryesisht në organizimin e brendshëm të familjes. Qysh në vitet e para, u luftua me sukses tendenca e mospjesëmarrjes në punë e të gjitha forcave të afta për punë, veçanërisht e grave. Shumë shpejt u bë një organizim që mobilizoi të gjitha forcat, kryesisht gratë, të cilat janë bërë forca kryesore e kooperativës duke punuar në çdo degë të ekonomisë. Nga viti në vit numri i grave pjesëmarrëse në punë, vjen duke u shtuar dhe, si rezultat sot, mbas afro 17 vjet të kooperativës bujqësore, gratë kanë pjesëmarrje aktive, të rregullt dhe të vazhdueshme, duke punuar në çdo degë të ekonomisë bujqësore. Si gratë, ashtu edhe vajzat, që kanë mbaruar shkollën 8 vjeçare nuk bëjnë mungesa në punë, me përjashtime të pakta. Po t’i hedhim një sy çdo brigade të sektorit në Bërzeshtë, pjesa më e madhe janë gra dhe vajza. Duhet thënë se ka pasur edhe raste kur gratë nuk marrin pjesë në punë rregullisht, por me intervale. Kjo ndodhte sidomos me ato familje që kishin pjesëtarë në ndërmarrje ekonomike. Kështu p.sh. një burrë punon në sharrën në Stravajt dhe sipas vendit të punës, merr jo më pak se 800 lekë në muaj. Ka në shtëpi gruan dhe 3 fëmijë. Gëzon të drejtën e kopshtit personal dhe të 10 kokë bagëtive dhe 1 lopë. Pra, edhe ekonominë e shtëpisë e ka të mirë. Kështu që, me qëllim që t’i shërbejë më mirë kopshtit, bagëtive, dhe për të mbajtur fëmijët, ai nuk do që ta nxjerrë në punë, sepse ato t’ardhura që do të marrë gruaja në kooperativë, ai nuk i quan me rëndësi të madhe. Duhet pohuar gjithashtu se aksionet me karakter ideologjik që janë bërë në shkallë zone dhe rrethi, kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe në kryerjen e detyrave në kohën dhe masën e planifikuar, si dhe në pjesëmarrjen e grave dhe forcave të tjera të afta për punë. Për këto arsye, si organizimi i mirë i punës dhe pjesëmarrja gjithnjë më e madhe në punë e të gjitha grave dhe vajzave, ka bërë që edhe t’ardhurat ekonomike të familjes kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit.

 

  1. Ndërsa në punët jashtë shtëpisë marrin pjesë aktive si burrat e gratë, në punët brenda shtëpisë, edhe pse kemi ndryshime të dukshme, burime të vlefshme, duhet thënë se për shumë arsye objektive dhe subjektive, gruaja në familjen fshatare mban akoma një barrë të rëndë mbi supe, sidoqë ka fituar shumë të drejta, prap është mjaft e ngarkuar, me problemet e ushqimit për familjen, për shërbimet e fëmijëve, si dhe mjaft kërkesa tashmë të njohura. Kur burri vjen nga puna, ose do të merret me ndonjë punë jashtë shtëpisë (që është e vlefshme sigurisht) ose do të ulet dhe çlodhet duke u marrë me ndonjë veprim të lirë, si dëgjimin e radios, ndonjë lexim, etj, etj. Kurse gruaja fillon punët e shtëpisë dhe përgatitjen për ditën e nesërme. Me këtë, duhet pohuar fakti se gruaja, e ndërgjegjshme për rolin e saj të madh në familje, sakrifikon në maksimum dhe kurrë nuk e tregon veten të lodhur. Kurse burri, edhe ky ka punuar, është lodhur edhe ky, por jo më fort se gruaja, e ka më të lehtë që të bëjë edhe ½ e normës në prashitjen e kopshtit personal, p.sh. se sa të shkojë të mbushë ujë në çezmë, apo të merret me ndonjë punë tjetër që “i përkasin gruas”! Ky fenomen, apo shfaqje e ideologjisë së vjetër, po vjen gjithnjë duke u zhdukur, por ende nuk është zhdukur krejtësisht.

Në të njëjtën kohë duhet pohuar se këto shfaqje vihen re tek njerëzit e rritur e pak a shumë të moshuar, kurse tek rinia kooperativiste, një gjë e tillë nuk vihet re, por përkundrazi, burrat i ndihmojnë gratë në shumë punë, veçanërisht për rregullimin e fëmijëve dhe nevojave të tjera, si dhe për shërbimet e bagëtive, të kopshtit personal apo edhe për mjaft punë ku shihet më e domosdoshme. Eshtë fakt i padiskutueshëm se, fjalimi i shokut Enver i 6 shkurtit, në familjen e fshatit ka vendosur norma të reja, të cilat po e forcojnë gjithnjë e më shumë strukturën e saj, po i japin çdo ditë formën e re dhe bazën e shëndoshë për të ecur edhe më përpara, në zhvillimin e shoqërisë socialiste.

  1. Sistemi kooperativist i ekonomisë, si çdo fushë të jetës, ka sjellë mjaft lehtësira në jetën e grave të fshatit, që i kanë dhënë një shtytje të madhe personalitetit të tyre drejt zhvillimit të plotë shoqëror. Siç e thamë më lart gruaja e para disa viteve ka qenë shumë e ngarkuar me punë dhe kushtet i ka pasur tepër të këqia. Edhe ujin e pijshëm gruaja e fshatit e ka mbajtur në shpinë, edhe miellin për bukë, edhe drutë, çdo gjë. Ndërsa burrat flinin, fëmija e sëmurë qante pa pushim, gruaja që kishte radhën e magjes do të gatuante tërë natën për ditën e nesërme. Të gjitha shërbimet në shtëpi, pa përjashtim prisnin duart e gruas që nuk pushonte për asnjë çast. Kurse sot ka ndryshuar çdo gjë, qysh nga drita elektrike e deri tek çerdhja e fëmijës, qysh nga dyqani i bukës deri tek lavanteria, qysh nga shtëpia e lindjes deri tek menca.

Ja panorama e thjeshtë e një familjeje të fshatit në ditët e sotme e krahasuar me të kaluarën:

Para çlirimit: një shtëpi me mur guri, e pasuvatuar, dritare pa xhama, pa tavan, me rrogoza, me vatër që merrte 1 kalë dru, me dritë kandili, me një sofër dhe një sahan bakri ku futej çdo ushqim dhe me lugët e bushit, një fill qilimi për shtresë dhe një jorgan gjithë arna, me djep prej druri, që priste të gjithë fëmijët e familjes, me varfërinë e përhershme në familje, me jetën pasive dhe të ndrydhur, me injorancën dhe fanatizmin shekullor.

Sot: shtëpi të re, të bukur, të suvatuar brenda dhe jashtë, me dritare të bollshme, të pastër, të pajisur me të gjitha komoditetet e nevojshme, karrike, tavolina buke, lugë, piruna, dollape buke, stufa ekonomike, dritë elektrike, radio, krevate, shtresa të mira dhe të mjaftueshme, dhoma të vogla, enë kuzhine, çezma brenda, madje edhe makina qepëse, rrobalarëse, edhe televizor, çdo gjë që e bën të gëzuar jetën në familje; dhe në këtë ambjent, krejtësisht të ndryshuar me të kaluarën, punon gruaja e gjallë, e palodhur fshatare.

 

  1. Për nevojat e familjes, në ditët e sotme, disa nga pjesëtarët e familjes largohen përkohësisht për nevoja të ndryshme. Kështu mund të themi se nga familja e fshatit largohen pjesëtarë për të vazhduar shkollën e mesme në një qytet jashtë ose brenda rrethit, për të kryer shërbimin ushtarak, në aksione lokale dhe ndërkombëtare, në ndërmarrje ekonomike, si minierat e Bushtricës, Pishkashit, Prrenjasit, në sharrat e Stravajt, Sopotit, në arsim, shëndetësi, në administratat e rrethit, në kurse të përgatitjes ushtarake, në artizanat, etj, ku ndjehet nevoja për fuqi punëtore dhe kuadro drejtuese. Këta pjesëtarë të familjes që largohen përkohësisht nga familja, me kalimin e kohës vijnë gjithnjë duke u shtuar. Por, duke përjashtuar vetëm minierat dhe sharrat, ku puna është e një natyre të tillë që mund ta bëjnë burrat, në të gjithë frontet e tjerë, merr pjesë të lirë dhe aktive edhe gruaja. Në këto vende pune që u përmendën më lart, nuk marrin pjesë vetëm djemtë, por edhe vajzat, të cilat sot po punojnë me vrull revolucionar, përkrah djemve në çdo sektor, duke kaluar çdo pengesë e vështirësi, duke thyer çdo konceptues e konservator për pjesëmarrjen aktive në jetën dhe punën ndërtimtare të shoqërisë sonë socialiste.

 

  1. Në çdo familje ekonomia e përbashkët, shërben për të plotësuar nevojat e përbashkëta, por shpesh herë, për nevojat personale që mund të ketë një pjesëtar i familjes, me marrëveshje midis të tjerëve, sipas rëndësisë që mund të kenë shpenzimet e pjesëtarit të veçantë, buxhetin e përbashkët e përdor pa ndrojtje, duke mos bërë shpenzime të kota në dëm të ekonomisë. Zakonisht, ky shpenzim, caktohet nga kryefamiljari. Këto shpenzime bëhen në raste martesash, por edhe në ato raste kur një pjesëtar ka nevoja të ndryshme, si veshje, pajime të ndryshme personale, etj. Kështu mund të përmendim se në mjaft familje, çdo person, sipas punës që bën, brenda dhe jashtë fshatit, i njeh nevojat e familjes dhe një pjesë të buxhetit, siç u përmend më lart, mund ta përdorë, sepse çdo familje e di që çdo pjesëtar ka nevoja më tepër se një tjetër.

Gjithashtu, duhet pohuar se punonjësit në vende të largëta, sidoqë kanë tepër nevoja ekonomike, më tepër kontribuojnë për forcimin e ekonomisë së familjes. Kështu, një pjesëtar i familjes që punon në një ndërmarrje jashtë rrethit, çdo muaj, i sjell familjes një shumë prej rreth 350-400 lekë; në përgjithësi, kush më shumë e kush më pak, brenda mundësive, jep ndihmën e vet personale. Kur në ndonjë rast, ndonjeri sjell t’ardhura ekonomike në asnjë rast nuk krijohet një përshtypje e keqe dhe shërben si shembull për të tjerët. Populli thotë: Djali i filanit “i ka dalë shtëpisë në anën e sipërme”, është “bukë harram”, ja “ka hequr dorën” shtëpisë, nuk pyet se ka 15 shpirt në shtëpi. Shprehja frazeologjike“i ka dalë shtëpisë në anën e sipërme” ka kuptimin që i ka vënë duart për ta shtyrë, për ta shembur, pra, po e prish nga themeli.

 

  1. Për administrimin e t’ardhurave të familjes, qysh me krijimin e kooperativës bujqësore e këndej, marrin pjesë pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes si burrat ashtu dhe gratë. Duhet theksuar se në vitet e para të krijimit të kooperativës, kur ekonomia ishte industriale, gruaja nuk pyetej fare për shpenzimet që do të bëheshin në familje, mjafton që ajo të “qeveriste” ato që sillte burri. Mirëpo gjatë këtyre 10-15 viteve të fundit, kjo gjendje, gradualisht filloi të ndryshojë, duke marrë pjesë direkt edhe gruaja në administrimin e ekonomisë. Me marrjen e një arsimi më të lartë se zakonisht, me futjen e dritës elektrike në përdorim, si dhe një sërë faktorësh të tjerë, si pjesëmarrja nëpër aksione lokale e kombëtare (nga ky fshat kanë marrë pjesë vajza në hekurudhat e para të vendit!) ardhja në fshat të grupeve të ndryshme kulturore-higjeno-sanitare, etj, gruaja, jo vetëm filloi të japë mendime të gjalla për administrimin e ekonomisë së përbashkët, por merrte pjesë direkte në rregullimin e brendshëm, duke e vënë burrin në një pozitë të të menduari të ri, për të bërë një kthesë të madhe në mënyrën e rregullimit të jetesës në familje. Kështu me kalimin e kohës, sidomos vitet e dekadës së fundit, gruaja jep mendimin kryesor për ekonominë në familje, e mbështetur nga burri dhe pjestarët e tjerë të familjes, kryesisht djemtë edhe vajzat e rritura! Për shumë probleme të brendshme të familjes, burri, i zhveshur nga mjaft paragjykime, nuk e ka të vështirë të pyesë gruan se si duhet bërë kjo apo ajo gjë për rregullimin e ekonomisë! Duhet thënë se kjo, tani, brenda, pak vjetëve është bërë masive dhe qysh me këtë kthesë rrënjësore në jetën e familjes, vihet re në mënyrë të dukshme, rritja e mirëqënies dhe forcimi i ekonomisë.

Gruaja dhe vajza fshatare është e emancipuar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo ngritje e nivelit arsimor e kulturor të saj, lirimi i saj nga shumë barra të shtëpisë dhe ndryshime të zakoneve dhe paragjykimeve fetare, ngritja e saj në përgjegjësi dhe pjesëmarrja e lirë në aksione për transformimin e jetës, ka bërë që zëri i gruas dhe vajzës fshatare të dëgjohet në familje dhe madje të jetë vendimtar. Kështu p.sh. mund të përmendim se gruaja sot në familje mendon dhe jep fjalën e saj për probleme nga më të ndryshmet si: rregullimi dhe pajisja e shtëpisë me mjetet e nevojshme, problemet shoqërore të fshatit, pjesëmarrja aktive në punët e kooperativës, mbarëvajtja e fëmijëve në shumë e shumë probleme të tjera që kanë rëndësi për jetën e fëmijës.

 

  1. Siç u përmend edhe më lart, një pjesëtar i rritur i familjes djalë apo vajzë, kur punon në ndërmarrje shtetërore apo në çfarëdo qendër, sipas nevojave objektive që ka, mund të përdorë dhe përdor një pjesë të të ardhurave vjetore, në çdo muaj, ose duke bërë një farë kursimi për një kohë dhe për të blerë diçka me vlerë të lartë, i mbledh të hollat që i duhen dhe blen. Kjo bëhet sipas një plani paraparak, duke blerë gjërat më të domosdoshme, por edhe në proporcion me t’ardhurat e përbashkëta të familjes. Në rastet shumë të rralla ndodh që një pjesëtar i familjes, kryesisht meshkujt, të përdorë një pjesë të të ardhurave të veta mujore ose vjetore pa pasur dijeni edhe familja (sigurisht për shpenzimet e mëdha dhe jo për ato të rëmdomtat) se në përgjithësi vihet në dijeni edhe familja me qëllim që të ketë harmoni në ekonominë e përbashkët! Zakonisht, të hollat shpenzohen për të blerë veshmbathje, punime të ndryshme, libra, radio, orë dore, armë gjuetie, makina qepëse, si dhe shumë gjëra të tjera, si shpenzimet për pushime verore, vizitat nëpër qendrat e ndryshme të punës në vendin tonë, pritje shokësh e shoqesh, etj… Sigurisht, pjesa më e madhe e materialeve që blihen, me kalimin e kohës, bëhen pronë e përbashkët e familjes. Duhet theksuar se meshkujt, në shumë raste, një pjesë të të ardhurave të tyre i shpenzojnë për ushqime ordinere me shoqëri, si pije alkolike, kafe, duhan, etj, që me llogari mesatare arrijnë një shumë vjetore prej 600-900 lekë; në disa raste edhe më tepër! Kurse vajzat, me gjithë nevojat, në disa raste më të shumta se të djemve, bëjnë ekonomi më të rregullt dhe shpenzojmë vetëm për nevojat shumë të domosdoshme, kryesisht veshje, libra, pajime të ndryshme. Me kalimin e kohës, duke parë se jo vetëm djali, por edhe vajza, kjo e fundit në mos më tepër, e ndihmon familjen për forcimin e ekonomisë, po zhduket ai mendim prapanik që “vajza është derë e botës”, sepse janë të shumta rastet që vajzat me punën e tyre janë baza kryesore e familjes dhe bëjnë më pak shpenzime se djemtë! Prandaj themi se edhe gratë e vajzat në ditët e sotme janë në një nivel të menduari dhe vepruari si edhe burrat, duke mos llogaritur ato pak raste, gati të papërfillshme, ku disa familje kanë si “kryetar” disa persona me tendenca patriarkale, që ende kërkojnë të jenë “gjel” në familje. Me kalimin e kohës, edhe në këtë familje po hyn e reja përparimtare, progresive, që bën të mundur pjesëmarrjen e lirë të grave dhe vajzave në të gjitha problemet e jetës familjare e shoqërore. Kjo po vihet ré çdo vit në familjen e fshatit tonë!

 

  1. Siç është folur edhe më lart, para çlirimit kishte familje me një numër të madh pjesëtarësh, të cilat kishin karakter patriarkal në drejtimin e tyre që në krye kishin një “të parë”, i cili ishte personi kryesor që urdhëronte çdo gjë! Me qëllim që drejtimi i familjes të shkonte normalisht, bëheshin përpjekje që ky “i pari” të ishte i denjë për të drejtuar dhe si i tillë zgjidhej një person që të kishte aftësi më tepër, d.m.th: të njihet mirë me kërkesat shpirtërore dhe reale të çdo pjestari, si dhe të ishte në gjendje që priste e përcillte miq e dashamirë duke mbajtur lart nderin dhe traditat e mira të familjes, etj. Zakonisht “i pari” urdhëronte për çdo gjë, duke i caktuar çdo pjesëtari detyrat dhe “të drejtat” në familje! Ky “i pari” mund të ishte një burrë, më i vjetri në moshë, por në shumë raste edhe jo më i vjetri, mjaft që të kishte disa tipare më dalluese se të tjerët, siç u përmend më lart! Ky person zakonisht nuk kishte ndonjë emër të veçantë apo epitet, por nga moshatarët e vet dhe nga më të vjetrit thirrej me emrin e vet, kurse nga e gjithë familja, të mëdhenj e të vegjël, e gra, njihej me emrin “i pari”. Në pak raste, madje të rralla, kur një burrë i martuar, me grua e fëmijë, për ndonjë arsye ose një tjetër, me përgjegjësinë e vetë familjes së madhe ndahej, por jetonte po në shtëpinë ku ishte edhe “i pari”. Kishte të drejtat dhe detyrat që i caktonte “i pari” kur veç detyrave si familje më vete, kishte përgjegjësi edhe për familjen në tërësi, sepse banonte në një shtëpi. Pra, kjo gjë bëhej më tepër me qëllim që të ekzistonte një “unitet” brenda përbrenda familjes, e kjo më tepër për hir të opinionit të jashtëm, mos të merrej vesh se në aksh familje ka hyrë përçarja, sherri, se “i pari” nuk është në gjendje për të drejtuar familjen, etj… “I pari” i familjes ose i shtëpisë, siç përdorej më parë, nuk kishte ndonjë të drejtë trashëgimie, veç të tjerëve, me ndonjë përjashtim të vogël siç është përmendur edhe më lart, si veshjen ta kishte më të mirë, se “e shihte i mirë e i lig” mund të kishte një kalë personal për nevojat e familjes, një armë zjarri, apo dhe sende të tjera të kësaj natyre, që i shërbenin “të parit” të shtëpisë!

Siç përmendet më lart, ai kishte shumë detyra për familjen: ta drejtonte atë me çdo kusht, të interesohej për të gjitha kërkesat e secilit, qofshin këto shpirtërore e materiale, për mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e tyre, për pronën e përbashkët, për harmoninë midis pjesëtarëve të gjithë familjes, për martesat e vajzave dhe djemve, për mikpritjen e familjes, për mbrojtjen e dinjitetit të çdo personi dhe vetë familjes, si dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte me interesat e përbashkëta të familjes! Kurse si të drejta: kishte që të jepte urdhëra në çdo kohë dhe çdo vend që të ndodhej, të kontrollonte punën e secilit në familje, të kritikonte rëndë çdo njeri që gabonte ose dëmtonte ekonominë e familjes, të dënonte ashpër dhe të ndëshkonte rëndë ndonjë veprim të turpshëm të ndonjë pjesëtari, si vjedhje, apo diçka tjetër me karakter moral. Gjithashtu, kishte të drejtë që të përdorte një pjesë të të ardhurave familjare, për problemet e ndryshme të familjes, si pritje e përcjellje miqsh a njerëzish që vinte me qëllim të caktuar, etj,etj. Këto të drejta dhe detyra “të parit” ia kishte aprovuar e gjithë familja, kryesisht meshkujt, të cilët, në raste të ndryshme konsultoheshin bashkë, por kurdoherë “të parit” nuk i delnin përpara për të dhënë urdhëra të nxituara, sepse mund të kishte edhe pasoja për familjen. Kurse pjesëtarët, duhej që t’ia ngrinin lart dinjitetin “të parit” të tyre dhe krijonin një ambjent të qetë për të menduar e vepruar, duke i kryer disa shërbime të veçanta personale, si larje e syve apo këmbëve, ndezje zjarri, bërja e kafes, sigurimi i duhanit apo nevojave të tjera. Një nga gratë, apo burrat e shtëpisë nuk do të binte kurrë për të fjetur, pa rënë “i pari” i shtëpisë. Në raste se ky, për arsye të ndryshme shkonte diku larg, për një farë kohe linte si zëvëndës një nga burrat, i cili gëzonte të drejtat dhe detyrat njëlloj si ai. Kur “i pari” ndodhte që bënte një faj të rëndë, kryesisht përvetësime indirekte nga të ardhurat e familjes, hiqej si i tillë dhe vendosej një tjetër. Për të mos lindur mosmarrëveshje më vonë, në të tilla raste vihej njëri që ishte më i vjetri, por kjo gjë sillte si pasojë më vonë që familjari ndahej dhe pastaj sekush shihte “hallin e vet”. Shkaqet për ndarjen e familjes ishin të shumta, por më kryesori ishte mospajtimi i pjesëtarëve për gjendjen e ndrydhur, gati shtypëse, me atë mungesë lirie dhe veprimi që kishte shumica dhe çdo pjesëtar për administrimin e pronës si dhe mjaft shkaqe të tjera.

Siç është folur edhe për pyetjet e mësipërme, është treguar si njëra nga familjet kryesore, më e madhja ajo e R.Yrykut (shi përgjigjen e pyetjeve në faqen: 12 dhe pyetjes 9 në fq.15) familja ndonëse kishte edhe më të rinj në moshë, si “të parë” kishte zgjedhur të lartpërmendurin, apo familjet e njëjta të fisit Vreto, Blloshmi që kishin si “të parë” R.Vreton dhe C.Blloshmin, që drejtuan familjet përkatëse deri në vdekjen e tyre, rreth viteve ‘60.

 

  1. Në disa familje, para çlirimit, kishte raste që ekzistonte një farë demokracie dhe problemet e saj zgjidheshin në formë kolegjiale, me qëllim që edhe “i pari” ta kishte më të lehtë punën e tij, të gëzonte simpatinë e të gjithë pjesëtarëve, si dhe përgjegjësia të mos binte vetëm tek një njeri tek “i pari”, por tek më kryesorët e familjes. Kjo kishte anët e veta pozitive, sepse i bënte të gjithë pjesëtarët, madje edhe gratë e moshuara që të merrnin pjesë në diskutimin e problemeve të ndryshme. Një gjë e tillë nuk bëhej, vetëm në ato raste që ishin “të ndërlikuara” që kishin një karakter “sekret” në lidhje me qëndrimin ndaj familjeve e fiseve të tjerë, për probleme marrëdhëniesh martesore, marrëdhënie ekonomike, etj…

Në diskutimin e problemeve në familje, zakonisht merrnin pjesë burrat “e pjekur”, në moshë 40 vjeçare e lart, por edhe brezi i dytë, 20-35 vjet, të cilët jepnin mendime të “rrahura”. Një familje e tillë ka qenë ajo e fisit Leka, e cila veç “të parit” të saj kishte edhe persona të tjerë si “këshilltarë” që ishin të aftë të zëvëndësonin atë në çdo kohë! Burrat në këtë familje, si edhe gratë, diskutonin në mbrëmje problemet e familjes, të brendshme dhe të jashtme, kurse ato probleme me rëndësi të madhe, siç u fol më lart, i diskutonin 3-4 veta, më të moshuarit. Kërkohej nga “i pari” që për çdo gjë me ose pa rëndësi, të mos “dilte llafi” jashtë shtëpisë, sepse tjetri kërkon që të marrë vesh se “ç’bëhet” në shtëpinë e filanit. Kjo gjë kërkohej veçanërisht tek gratë (nuset e reja që nuk i dinin “kyçet” e shtëpisë), të cilat mund të shfrytëzoheshin më lehtë prej që tjerëve për të marrë vesh të brendshmet e familjes dhe njëkohësisht tek fëmijët e vegjël. Kjo lloj demokracie, ishte si rezultat i një edukate familjare të trashëguar në këtë familje me tradita të mira dhe si rezultat i një ngritjeje të nivelit arsimor kulturor më të lartë se nga familjet e tjera. Pothuajse të gjithë burrat e shumica e grave në këtë familje, kanë qenë në shkollë. Sidoqë disa prej pleqve më të moshuar kanë pasur një farë arsimi, vihej re tendenca përparimtare për drejtimin e familjes në mënyrë të organizuar, ndoshta jo krejt të zhveshur nga paragjykimet e zakonet, por jo me atë fanatizmin që zotëronte në masë në familjen fshatare, si ato të fshatrave në periferi. Kështu mund të përmendim se asnjë nga burrat e kësaj familje edhe në moshën 50-vjeçare nuk mbanin ramazan, nuk shkonin në xhami, për t’u falur, nuk besonin në shumë kotësira të fesë e predikimit të saj, etj… Gjithashtu, ndërsa në familjet e tjera, përpara miqve apo të huajve nuk dilnin gratë në konak, në familjen Leka, gruaja e vjetër, nusja apo vajza jo vetëm që dilte, shërbente, por merrte pjesë edhe në muhabet, sigurisht jo në të gjitha rastet, siç e donin rrethanat familjare. Kjo traditë, me kalimin e kohës u përhap në familjet e tjera dhe erdhi duke u kristalizuar më tepër në vitet e çlirimit dhe të kolektivizimit të bujqësisë. Duhet theksuar gjithashtu se ishte kjo familje e para që kur e pa se jetesa në një familje me shumë persona nuk bëhej ashtu siç duhej, u nda me mirëkuptim, pa grindje, në mënyrë të barabartë dhe me vajtje e ardhje edhe pas ndarjes, duke ushqyer një dashuri e respekt midis njëri-tjetrit që shërbente si shembull edhe për familjet e tjera. Një gjë e tillë vihet re edhe në ditët e sotme, ku nga kjo familje janë bërë 8 familje më të vogla, por të pavarura.

 

  1. Siç u theksua edhe më lart (shih fq.62) në krye të familjeve me shumë pjestarë, ishte një person, zakonisht më i vjetri, por mund të ishte edhe një tjetër, i cili duhej të mbante përgjegjësi për drejtimin e familjes. Ai nuk kishte ndonjë epitet të veçantë, por njihej si “i parë” dhe sipas kushteve ekonomike-shoqërore, drejtonte familjen. Zakonisht, nuk quhej e “ndershme” që “i pari” të hiqej për mungesë aftësie dhe t’ia zinte vendin një tjetër!
  2. Në familjet e mëdha, ku bënin pjesë shumë burra, patjetër edhe gra ishin shumë dhe për rrjedhim punët e tyre brenda për brenda shtëpisë kërkonin një rregull, një ndarje që të mos ndodhte siç thotë fjala popullore: “Ku janë nuse shumë, mbeten enët pa ujë!”. Pra, që të kishte një harmoni në punët e shtëpisë, me pëlqim edhe të grave, por kryesisht, me propozimin e “të parit” caktohej një grua zakonisht më e vjetër, por mund të ishte edhe një tjetër, e cila kishte aftësi për drejtim, ishte e sinqertë, punëtore, që dinte të gatuante, të lante e të arnonte si dhe gjithë punët e tjera të shtëpisë! Kjo grua zakonisht quhej “nënë” në disa raste quhej “e parë” dhe “mëngjëréshë”. Nga pjestarët e familjes, kjo, herë-herë thirrej edhe me emrin që kishte! Ajo kishte disa detyra dhe më kryesorja: të caktonte detyrat e përditshme për çdo grua apo vajzë të rritur, të kontrollonte zbatimin e tyre, të mbante çelsat e qilarit, ku kishin rezervat ushqimore, të kujdesej për hallet dhe kërkesat e grave të reja me fëmijë, për rregullim e brendshëm të çdo dhome, sidomos konakut, ku rrinin burrat zakonisht, ku vinin dhe miqtë! Ajo kishte detyra që të kujdesej për çdo gjë tjetër që kishte të bënte me ekonominë e familjes, por çdo ditë, duhej të kontrollonte “radhën e mágjes” që kishte çdo grua për një javë rresht. Gjithashtu, kontrollonte çdo veprim tjetër të grave, mbante “ekulibrin” e harmonisë midis tyre, që të mos shkaktoheshin grindje midis tyre, etj, kurse të drejtat e saj, gjithashtu ishin të tilla që i linin asaj mundësinë të normalizonte punën e grave të tjera. Kështu p.sh: ajo mund të hiqte nga “radha” një grua, e cila kishte nevojë të ngutshme dhe në vend të saj të caktonte një tjetër. Gjithashtu, kishte të drejta që të bisedonte me të “parin” për nevoja vetjake e të çdo gruaje apo nuseje, të shoqëronte gratë e tjera në pritje e përcjellje miqsh, në ceremonira të ndryshme. Për ndryshimin e vendit të saj kishte të drejtë “i pari” i shtëpisë në bashkëpunimin me burrat e tjerë! Por zakonisht, kjo ndodhte në raste të rralla. Zakonisht “mengjërésha” gëzonte respekt më tepër se të tjerët, si nga gratë, ashtu dhe nga burrat!

 

  1. Ndarje të tilla, siç u përmendën më lart, në familjet e sotme, nuk vihen ré në masë, sepse ka ndryshuar pothuajse në tërësi struktura e saj. Në fshat janë të rralla familjet me shumë persona, por edhe ato kanë tjetër organizim nga sa kishin ato më parë! Kështu duhet thënë se tani, të gjitha familjet marrin pjesë aktive në punët e kooperativës. Edhe në ato pak familje ku ka shumë gra, punë bëhen kolektivisht, duke ndihmuar njëra tjetrën, sipas aftësive dhe mundësive! Pushteti i të zotit të shtëpisë dhe gruas që ka qenë si “i parë” ka ndryshuar në mënyrë të plotë. Pozitat e secilit anëtar në familje, janë të barabarta dhe për çdo gjë që duhet diskutuar, marrin pjesë të gjithë pjesëtarët. Si burri ashtu dhe gruaja nuk janë të ndrydhura në mendimet dhe veprimet e veta. Kurse pjesa më e madhe, gati 98 % e familjeve, kanë organizim të drejtë; burri dhe gruaja kanë të drejta të barabarta, ndihmojnë njëri tjetrin në detyrat më të rëndësishme dhe kanë ndjenjë përjegjësie të plotë në familje dhe shoqëri. Në këtë mënyrë, gruaja është çliruar nga shumë detyra të rënda dhe niveli i saj kulturor e arsimor ka ndryshuar mjaft! Në familje, sot gruaja, nuk është vetëm nënë, por edhe grua, nikoqire e rregullt, kujdestare e familjes, drejtuese aktive për çdo çështje!

 

  1. Para çlirimit, midis burrave dhe grave kishte dallime të dukshme, të cilat vareshin edhe nga niveli kulturor, traditat, doket, zakonet, ndikimi i fesë, etj. Në Bërzeshtë këto ndryshime nuk kanë qenë të prera më sëpatë, por të kushtëzuara nga përbërja, ambjenti dhe ngritja e vetë familjes. Sidoqoftë, midis burrave dhe grave ka pasur dallime: shumë të drejta që kishin burrat, gratë nuk i kishin. Gruaja nuk mund të shkonte gjëkund për çdo nevojë e pashoqëruar me ndonjë djalë apo plakë të shtëpisë, nuk kishte të drejtë të shkonte përpara burrit, të shkonte tek njerëzit e vet (prindërit) pa lejen ose dijeninë e burrit, etj, etj. Kurse burri ishte i lirë dhe pavarësisht nga niveli apo formimi i tij individual, nuk kishte asnjë kufizim! Midis burrave të vjetër dhe atyre më të rinjve kishte dallime për shkak të moshës; më të moshuarëve u duhej bërë respekt, u duhej dëgjuar fjala për çdo gjë, duhej treguar një farë “nënshtrimi” ndaj tyre; nuk pije duhan, nuk merrej fjala në kuvende përpara tyre, nuk ecej para tyre, etj.

 

  1. Për shkak të fanatizmit që ekzistonte para çlirimit në familje, midis burrave dhe grave (bashkëshortëve), si dhe grave e burrave në përgjithësi, si dhe për hir të opinionit shoqëror, paragjykimeve, bestytnive e zakoneve të vjetra, burrat dhe gratë nuk rrinin në një vend. Burrat, zakonisht rrinin në konak, ku priteshin edhe miqtë që vinin nga fshati ose vise të largëta. Në konak hanin bukë në sofër, të cilën e sillte gruaja që kishte radhën e magjes. Kurse gratë, uleshin në sofër mbasi hanin burrat, por nuk hanin ato që mbeteshin prej tyre. Zakonisht gjellët nuk ishin të shumta; si gjellë e parë, ishin fasulet ose diçka tjetër e gatuar dhe si gjellë e dytë, dhallë, ose shërbim nardeni, si dhe gjellë të tjera, turshi, pekmez, etj. Gratë rrinin më tepër në hashef (shtëpia e zjarrit) ku bëhej buka e gjella. Kjo dhomë e madhe me dimensione 5m me 6m, ose 6m me 6 m, në këtë zonë quhet hashef, kurse në Çermenikë quhet shtëpia e bukës, ose thjesht shtëpia. Kur thuhej: shko në shtëpi, kuptohej që ishte fjala për në shtëpinë e bukës, ku gatuhej buka e gjella. Me kohë, ndryshoi struktura e shtëpisë. Marrim si shembull: nga viti 1946 deri nga 1950 (edhe më parë) familjen Leka, e cila banonte në një shtëpi të madhe me rreth 8 dhoma dhe një konak, i cili ndonëse i rregulluar, ekziston edhe sot. Kishte një hashéf të madh, ku ishin hambarët, magjeja si dhe një aneks i vogël në vend të qilarit. Kurse sot, nga kjo është vetëm konáku. Kanë ndërtuar shtëpi të reja 7 familje. Këto shtëpi janë të reja, me dhoma të suvatuara dhe të pajisura me orendi e mjete kuzhine. Pra, sot gruaja fshatare me të shoqin ose dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, rri në kuzhinë dhe dhomat e tjera, pret e përcjell miqtë e shoqërinë.

 

  1. Për sa i përket rregullit të brendshëm dhe përdorimit të ushqimeve në familje, duhet të themi se gratë në përgjithësi hanin bashkë në sofër (ishin më lart!), por mbasi hanin burrat. Kjo ndodhte për arsye se burrat, sidoqë të ndodhte, duhej të kishin gjellë në sofër. Kishte raste që vinin miq me vonesë dhe shpesh herë gjellët e grave përdoreshin për nevojat e sofrës së miqve, sigurisht duke shtuar edhe gjellë të tjera. Kur burrat kërkonin darkë shpejt dhe fjaloseshin (mbas darke), gratë sillnin gjellët dhe fill pas asaj, hanin gratë e fëmijët dhe ndonjë grua që kishte rast të vinte për darkë.

Duhet të themi se sot në Bërzeshtë nuk ka shtëpi që të mos ketë krevate, dollap buke e rrobash, stufë ekonomike, karrike, tavolina buke, pjata, lugë metalike, pirunj, thika, gota uji dhe shumë e shumë pajime të tjera të domosdoshme për kuzhinën. Në këtë drejtim duhet të themi se disa shtëpi janë pajisur në mënyrë të tillë, sa nuk ka ndryshim nga qyteti. Radio nuk kanë vetëm 3-4 familje; kurse të tjerat kanë futur edhe ujin e pijshëm brenda, kanë rregulluar banjo etj, kurse mjetet kryesore të kuzhinës i ka pothuajse çdo familje. Edhe pritja e miqve, vitet e fundit, bëhet me kulturën e re të kuzhinës, me pjatën e vet secili. Vetëm në raste ceremonish si dasma apo vdekje, për shkak të numrit të pjesëmarrësve, ende përdoret sofra e madhe dhe tavat, sahánët e buka e gjella me shumicë; për këtë do të flasim më poshtë, në paragrafët përkatës.

 

  1. Për sa i përket ecjes së burrit me gruan, jashtë shtëpisë, duhet të themi se para çlirimit kishte një dallim të theksuar: Burri, qoftë ky bashkëshorti apo tjetri kur shkonte në një vend me gruan e vet, ose ndonjë tjetër të shtëpisë shkonte përpara, kurse gruaja i qëndronte mbrapa, rreth 15-20m larg. Ajo nuk i fliste atij gjatë rrugës dhe nuk duhej të kalonte para tij, edhe sikur ai të ndalonte për një arsye ose një tjetër. Kjo gjë, me keqardhje e pohojmë, vihet ré edhe sot në disa familje. E, kjo, për më tepër me disa të rinj që të ndikuar nga veprimet e prindërve, edhe pse kanë dalë, kanë parë dhe dinë të flasin për çdo gjë, madje për një çast nuk i dallon nga qytetarët e zakonshëm, kur nisen për në një rrugë gjatë, gratë i mbajnë pas, madje me 3-4 cm distancë, gjë që ta vret syrin dhe është një shprehje e fanatizmit. Nuk e bën dot një nga këta persona, që të ecë përkrah gruas?! Sigurisht, raste të tilla janë të ralla që me kalimin e kohës po zhduken. Dhe për këtë duhet të themi se fajtorë janë burrat dhe jo gratë. Ka edhe raste që gruaja e re, e emancipuar, e veshur me veshjen e saj të re, të pastër, ecën e lirë përkrah burrit dhe nuk shqetësohet nëse po e vë re apo jo ndonjë sy ziliqar…, madje ajo ecën me një ndjenjë kënaqësie dhe e përgjithshmja është kjo e fundit, por edhe rastet e pëshkruara më lart, sido që të ralla, aty këtu vihen re!

Në qoftë se një burrë shkonte rrugës edhe ndeshej në rrugë me një grua që ishte ulur, p.sh. ajo merrej me një punë vetiake, priste dikë, apo mbante bagëtitë, kjo e fundit medoemos duhej të ngrihej nga vendi, shenjë që tregon respektin ndaj të huajit. Kjo gjë, në disa raste, sidoqë të rralla, vihet re edhe sot, nga disa gra të moshuara.

Kemi vënë re se gjatë viteve të ndryshme në fshat dhe në fshatrat përreth se kur një grua, për arsye të ndryshme, shkonte vetëm dhe ia donte puna që të nxitonte, por gjatë ecjes në të njëjtin drejtim ndeshte ndonjë plak, apo më të moshuar se veten, edhe po të mos e njihte fare, ishte e detyruar që t’i “merrte leje” për të kaluar duke i thënë: “a të kaloj përpara?”. Kurse sot një gjë e tillë nuk vihet re. Qëndrimi i gruas fshatare, pozita e saj në shoqëri ka ndryshuar shumë.

 

  1. Ndarja e familjes dhe e drejta e trashëgimit

 

  1. Në të kaluarën, ndarja, për çfarëdo që të bëhej, nuk pëlqehej, por përkundrazi, quhej një veprim i shëmtuar që shënonte “shkatërrimin” e familjes, përçarjen, lindjen e mosmarrëveshjeve të paqëndrueshme, për pasojë, ftohjen e dashurisë familjare! Ky ishte një koncept konservator që gjente ambjent në vitet para çlirimit dhe vinte nga thellësia e shekujve! Prandaj, me që quhej si veprim i pa pëlqyer, bëheshin mjaft përpjekje që të mos bëhej ndarja, por me disa “arsyetime” moralizuese, bëheshin orvatje që të evitoheshin mosmarrëveshjet e lindura! Theksojmë se kur këto merrnin karakter të mprehtë, ndarja bëhej fakt i kryer dhe, familja tjetër mbante një farë qëndrimi të ftohtë, si e fyer, që i ka ndodhur diçka e rëndë, që nuk duhej të ndodhte, etj!…

Kurse në vitet mbas kolektivizimit, shohim se numri i familjeve të ndara, u shtua në mënyrë të dukshme, e kjo për disa shkaqe: nga disa grindje të vogla për probleme ekonomike, si problemet në natyrë, gjënë e gjallë, tokë, etj, veç kësaj, ndarje bëheshin më tepër me qëllime të paramenduara: meqënëse statuti i kooperativës, çdo familjeje i lejonte 3 dynymë tokë, mjaft familje u prirën nga kjo çështje, pra me qëllim që të mos pakësohej prodhimi bujqësor blegtoral. Aty ku ishin 3-4 vëllezër, bëheshin 3-4 familje dhe secili kishte ekonominë e tij, por më vonë kjo çështje u përmirësua dhe sot nuk veprohet më si vite më parë.

Edhe kur vëllezërit ndahen, tokë mbajnë atë që kanë pasur, d.m.th. 1.5 dynymë e ndajnë propocionalisht midis tyre, kurse një lopë dhe 10 kokë bagëti, mund të mbajnë, sipas mundësive që kanë. Në këto vitet e fundit, ndarjet janë bërë edhe si rezultat i kërkesave të brendshme, për çlirimin e pjesëtarëve nga disa norma e zakone ndrydhëse si dhe për organizimin e drejtë të familjes në tërësi. Pra, ndërsa 20 vjet më parë, ndarja shihej si veprim jo i pëlqyer dhe jehona e saj vazhdonte për më tepër se 1- 2 muaj nga fshati, në ditët e sotme gjejmë vetëm 4-5 familje që nuk janë të ndara, por jetojnë ende bashkërisht, me një formë më të demokratizuar se më parë. Por këto janë për shkaqe që do të tregohen më poshtë.

 

  1. Me që ndarja nuk pëlqehej nga familjet dhe quhej si “prishje” e familjes, nuk quhej e mirë që kjo të bëhej me gjallje të pleqve (prindërve). Shumë familje, edhe kur nuk shkonin me njëra tjetrën, ndarjen nuk e pranonin dhe e “shtynin” me pretekste të gjalljes së prindërve. Prandaj vëllezërit mbaheshin me njëri-tjetrin dhe mundoheshin që të mbulonin mosmarrëveshjet! Në rastet kur babai vdiste dhe vëllezërit e shtonin afatin e ndarjes, nëna, nga ana e saj orvatej që të mos e lejonte ndarjen, duke u munduar që t’i bindë djemtë se kjo nuk është gjë e pëlqyer. Kur ishin dy ose më tepër vëllezër, zakonisht ndahej vëllai i madh dhe nëna mbetej me djemtë më të vegjël dhe kur ndaheshin edhe këta, në më të shumtën e rasteve, nëna mbetej me djalin më të vogël. Zakonisht, pleqtë kur ndaheshin me pëlqimin e të gjithë pjestarëve, shkonin me djalin më të vogël.

 

  1. Kur vendosnin për ndarje familjet, në radhë të parë mendonin për mënyrën e ndarjes së pasurisë. Kështu që vlera materiale e mallit, ndahej sipas vlerës konkrete, duke bërë edhe kompensimet përkatëse. P.sh: njëri vëlla merr kalin dhe tjetri merr lopën; në qoftë se kali kushton më tepër, diferenca e shumës së kalit me atë të lopës, kompesohet me mall tjetër të gjallë, p.sh. një dele, ose edhe me diçka tjetër, mjaft që të ketë vlerë të barabartë.

Disa familje që e quanin veten me traditë dhe pa njolla, mundoheshin që ndarjen, kur kjo ishte e paevitueshme, ta bënin me ndërmjetësinë e njëri-tjetrit, pa sjellë të huaj si “gjyqtarë”, duke pretenduar që çdo ndarje malli, të bëhet sa më e drejtë! Por kishte raste, këto ishin më të shumtat, që familjet që ndaheshin, thërrisnin, por pastaj, kur shihej se çdo gjë është e vendosur, i caktohej “të parit” të shtëpisë që të bënte një ndarje propocionale dhe më në fund i jepej e drejta më të voglit për të zgjedhur pjesën, i madhi mbetej për të marrë pjesën që mbetej. Kjo gjë e bënte “të parin” ose vëllanë më të madh që ndarjen ta bënin sa më të drejtë! Kryepleqësia, në disa raste, thërriste edhe pleq, të cilët kishin eksperiencë më të tepër në problemet ekonomike e familjare dhe këta vendosnin ndarjen. Në raste të rralla, kur palët nuk binin dakord me ndarjen e bërë nga ana e kryepleqësisë, çështja i referohej gjyqit. Raste të tilla ka pasur, më tepër për mallin “miraz”. Për pleqtë që merrnin pjesë në ndarje, nuk jepej ndonjë shpërblim me para, por vetëm një darkë ose drekë, për sa kohë të zgjaste ndarja. Në raste kur ndonjëra nga palët, kishte qëllime përvetësimi, mund të paguante fshehurazi një farë shume për kryepleqësinë, por këto edhe kuptoheshin dhe bëheshin ndërhyrjet përkatëse, që kjo gjë të përfundonte sa më mirë. Gjatë ndarjeve, krijoheshin edhe “mërira” ose grindje, që për një farë kohe e “ftohte” dashurinë midis vëllezërve. Këtu e ka burimin edhe shprehja: “Vëllai, po të vuri gardhin në oborr, të bëhet komshi”. Këto mëri, me kalimin e kohës vinin duke u zbutur, sidomos kur bëheshin ndërhyrje edhe nga të afërmit, miq të, farefisit, etj. Kurse në ditët e sotme ndarja bëhet më mirë dhe pa mosmarrëveshje. Në këto raste më tepër marrin pjesë të afërmit dhe ndonjë plak asnjanës që nuk ka qëllime të paramenduara; në raste shumë të rralla ndërhyjnë këshilli popullor, i cili e aprovon ndarjen dhe e legalizon atë me dokumentat përkatëse. Por vëllezërit kur merren vesh me njëri tjetrin, ndarjen e bëjnë vetë, pa e bërë bujë dhe, mbasi e bëjnë fakt të kryer, njoftojnë këshillin popullor për të bërë veprimet zyrtare. Pra, sot, ndarja nuk është problem i ndërlikuar.

 

  1. Pasuria e lënë nga babai, ndahej barabar për barqe; d.m.th: si ai vëlla që kishte 5 fëmijë, si ai që ka një fëmijë, marrin barabar mall, duke përjashtuar martesat për t’ardhmen, të cilat kërkonin një farë shume të konsiderueshme.

Malli, si ai që ishte lënë nga babai, si ai që ishte vënë më vonë, ndahej në mënyrë të barabartë. Kur ndonjë vëlla ishte i pamartuar, i jepej pjesa e mallit që i nevojitej për martesën, shumë kjo që nuk ishte fikse, por që merrej një farë mesatareje, sipas gjendjes ekonomike të familjes. Po kështu veprohej edhe me vajzën e pamartuar, të cilës i jepej një shumë të hollash ose sasi malli që do t’i nevojitej për martesën, ose për pajën që duhej të përgatiste. Motra e pamartuar jetonte me njërin nga vëllezërit; këtu merrej edhe mendimi i saj dhe vlerën materiale që caktonin për të, e merrte vëllai që e mbante. Vajzat e martuara nuk merrnin pjesë nga ndarja që bëhej në familjen e prindërve të tyre.

Kur motra që merrte pjesën për martesën e vet, për arsye se kishte përgatitur një farë paje, mund t’ia linte një sasi të t’ardhurave vëllait që e kishte rritur për ta pasur më vonë si “derë babe”.

Edhe në familjet e pasura, ndiqej i njëjti kriter për ndarje, por me të vetmin ndryshim se në këto familje lindin kontradikta edhe më të mëdha, se palët kishin qëllime përvetësimi të mallrave të ndryshme të familjes si p.sh: komplete konáku, kafshë pune, para, apo edhe mallra të tjera, të cilat ndonjëri pjesëtar i kërkonte për vete në mënyra të tërthorta. Zakonisht kjo ndarje merrte fund me ndërhyrjen e kryepleqësisë apo edhe të miqve të largët të cilët, bënin ndonjë “lëshim” ndaj ndonjë pjestari lakmues, etj. Në këto raste krijoheshin grindje dhe mërira që zgjatnin 3-4 deri 5 vjet.

 

  1. Pasuria që ishte vënë mbas vdekjes së babait, nga ana e vëllezërve, ndahet zakonisht e barabartë (këtu ndikonte edhe mirëkuptimi dhe uniteti që kishin ata mes tyre!), duke u dhënë edhe vëllezërve që nuk kishin punuar ose kishin kontribuar më pak për vënien e pasurisë, aq sa u takonte edhe më të mëdhenjve. Nuk përjashtohen edhe rastet që ndonjë vëlla tregohej i njëanshëm dhe nuk e bënte si duhej ndarjen, duke nxjerrë pretendime të ndryshme për mallin dhe vlerën në ato raste kur ndarja bëhej me gjallje të nënës, kjo e fundit bën një ndarje sipas kontributit që ka dhënë secili, kështu që ndarja e mallit të bëhej e drejtë, të themi, sipas meritave e nevojave të secilit anëtar të familjes.

 

  1. Një çështje e rëndësishme për familjen, kur do të ndahej, ishte edhe ndarja e prodhimeve ushqimore, sepse këto duheshin për një periudhë rreth 1 viti ose edhe më pak, pavarësisht se në ç’vlerë arrinte, duhej të ndahej sipas numrit të frymëve dhe jo sipas barqeve. Kjo bëhej me qëllim që pjesëtarët e familjes të kishin një farë barazie dhe të mundnin njëlloj t’u bënin ballë nevojave ekonomike. E njëjta gjë ndodhte edhe për ushqimin e kafshëve: Sasia e ushqimit që kishte siguruar familja për kafshët (periudha Shënmitër deri në Shëngjergj d.m.th: nga 14 tetori deri më 6 muaj), do të ndahej sipas numrit të krerëve që do të merrte secila familje që ndahej, ose sipas barqeve. Pra, si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët, duke filluar nga ushqimi më elementar bëhej ndarje sipas numrit të frymëve dhe krerëve pa bërë ndonjë dallim të dukshëm, duke përdorur peshën ose masën e barabartë, si për njerin, ashtu edhe për tjetrin. Nga sasia e përbashkët e ushqimit, hiqeshin ato që do të shpenzoheshin për drekën ose darkën që bëhej për personat që marrin pjesë në ndarje. Kompensime zakonisht nuk bëheshin sepse artikujt nuk ishin të shumtë.

 

  1. Zakonisht, énët edhe orenditë shtëpiake ndaheshin në mënyrë të tillë që, me sa të ishte e mundur, të merrte secili nga një copë për çdo lloj. Kjo ndodhte më tepër në ato familje që kishin një farë malli të vënë prej disa vjetësh, prej prindërve, ose gjyshërve, pra kishin nga dy-tre ose më tepër palë të secilës orendi. Kurse në ato familje që këto i kishin me pakicë, mundoheshin që t’i plotësonin në formë të tillë që orenditë të ndaheshin edhe sipas përdorimit të tyre. Kështu p.sh: vëllai i madh që ishte më i njohur, si zëvendës i babit, kërkonte takëmet e kafes, ndonjë tavë mishi që përdorej nëpër dasma, orë xhepi që futej në pasurinë e shtëpisë, apo dhe orendi të tjera që mund të kishte familja. Këto, qoftë për arsyen që u përmend më lart, apo edhe për ndonjë ndërhyrje direkte nga një vëlla, i jepeshin atij që i takonte dhe nuk bëheshin debate. Në ndonjë rast, kur vlerësimi nuk mund të bëhej drejt për arsye të ndryshme, vëllai që kishte qënë “i parë” ose si zëvëndës i prindërve, edhe mund të paguante për një orendi që i pëlqente apo e kishte të domosdoshme. Kështu që mund të përmendim se në një familje para dhjetë vjetësh, vëllai i madh kërkonte që të merrte me çdo kusht takëmet e kafesë që i kishte sjellë gjyshi nga Stambolli (tepsi bakëri, gjyma bakri i zbukuruar me ornamente, filxhana “shishanelli”, xhézve, 12 filxhana xhezve teke, lug fakfoni (aliazh bakri), kuti sheqeri e kafeje), por meqë ndaheshin mes materialeve të tjera nuk përputheshin me vlerën materiale të secilit, u desh që, sipas llogarive të bëra, t’u kthente vëllezërve një shumë prej afro 25 lekë të vjetra. Kështu veprohej me një takt që të mos lindin mosmarrëveshje.

 

  1. Në ato raste kur familja kishte vetëm një kalë, lopë, ka apo diçka tjetër me vlerë, ndarja bëhej në mënyrë të tillë që, ai që do të merrte lopën e vetme, do të merrte më pak nga materialet e tjera, duke bërë kështu një farë kompensimi me afërsi dhe në fund të ndarjes, bëhej “zgjedhja” nga më i vogli, por njëkohësisht merrej parasysh edhe nevoja që mund të kishte p.sh, njëri vëlla ose tjetri për këtë ose atë material; p.sh: njëri vëlla kishte nevojë për lopë me qumësht se kishte fëmijët e vegjël, apo vëllai tjetër që nuk kishte krahë pune, për t’i ardhur në ndihmë, vëllezërit e tjerë që kishin fëmijë të rritur, i jepnin kalin, me qëllim që ai të kishte mundësi të përballonte nevojat ekonomike të familjes. Këto raste shiheshin me kujdes nga palët dhe veprohej sipas kushteve në të cilat ndodhej vetë familja që ndahej. Ka ndodhur që gjatë ndarjeve të tilla, njëri ose tjetri pjesëtar të dilte me humbjen, për arësye të ndryshme, por mjaftohej me disa “arsyetime” të atyre që merrnin pjesë në ndarje.

 

  1. Për ndarjen e objekteve të ndryshme, të cilat nuk ishin më shumë me qëllim që njëra palë të mos delte me humbje, bëhej barazimi i vlerave, p.sh: ai që merrte kalin, duhej t’i jepte atij që merrte lopën 1 dele, sepse llogaritej që kali vlente më shumë se lopa. Po kështu veprohej me radhë edhe për objektet e tjera sipas rasteve. Kurse, kur nuk kishte mundësi për kompensim, ai që merrte kulur ose lopën e vetme, i detyrohej vëllait ose pjesëtarëve të tjerë, gjysmën e çmimit për një farë afati, p.sh: 6 muaj, kurse gjysmën ia jepte në dorë. Ndërsa për pemët e ndryshme, nuk u vihej rëndësi e veçantë, sepse këto ndaheshin bashkë me tokën. Edhe për ndarjen e tokës veprohej me po atë rregull si për materialet e tjera, vetëm merrej parasysh që cilësia e tokës të ishte afërsisht e njëllojtë, si për njërin, ashtu dhe për tjetrin. Sipërfaqja matej me dynymë, kurse shumë vjet më parë, nga fillimi i këtij shekulli, matej me “péndë”. Një “pendë dhé” ishte e barabartë me rreth dy dynymë tokë, d.m.th; aq sa mund të lëronte një pendë qé brenda një dite. Sigurisht kjo matje nuk kishte fare fikse, por me afërsi. Për rastet e shtëpisë, duhet të themi se merrej mendimi i të gjithëve dhe, kur banesa ekzistuese nuk mjaftonte për të gjithë pjesëtarët, veprohej kështu: dy vëllezër ndanin shtëpinë (nga dy dhoma ose vetëm një dhomë e ndonjë qilar) kurse vëllai i vogël i martuar apo beqar, dilte “pa pjesë”, por i jepnin shumën në të holla aq sa vlente pjesa e secilit nga ata që kishte marrë pjesë. Për një farë afati; 6 muaj ose një vit, i “papjesi” qëndronte bashkë me të tjerët (me ekonominë të veçuar) dhe ndërkohë, bënte përgatitje që të ndërtonte shtëpi. Këtë ai e ndërtonte në tokën e tij dhe kur e kishte banesën gati, dilte nga shtëpia dhe rregullonte jetën e vet, ashtu si edhe të tjerët. Vlerat e ndryshme të materialeve në të holla, jepeshin me “napolona”, ose “franga” për periudhën para çlirimit, kurse pas çlirimit, në lekë. Në qoftëse familja kishte edhe para, këto ndaheshin në mënyrë të barabartë midis pjesëtarëve. Për vlerësimin e materialit me material tjetër, p.sh: një kokë me 6 kokë bagëti, apo një bletë, me një dele, një lopë me katër dele pëlléja, etj, merrej parasysh edhe vlera e secilit material në shitje pazari, pra, ky vlerësim nuk ishte fiks, por në vite të ndryshme, këto vlera ishin të ndryshme. Ndodhte që një pjesëtar, për arsye të ndryshme, nuk e donte lopën ose dy dele; këto ia jepte njërit pjesëtar dhe i merrte vlerën.

 

  1. Në përgjithësi, ndarja e mallit të familjes bëhej në mënyrë të barabartë dhe nga çdo pjestar kërkohej që kjo ndarje të bëhej sa më e drejtë, me qëllim që më vonë të mos dilnin “ngatërresa” midis palëve dhe të mos krijoheshin “të çara” midis familjeve të reja në të ardhmen. Por në disa raste ndaj “të parit” të shtëpisë, kur ky gëzonte një respekt dhe simpati nga pjestarët, mbahej një qëndrim i tillë që shihej si shenjë nderimi nga opinioni i masës. Në këto raste i jepnin, p.sh: kalin, një bletë, konakum e miqve, takëmet e kafesë, apo ndonjë objekt tjetër me vlerë, me qëllim që ky të kishte disa lehtësira, ose për arsye të tjera, si për faktin që ai ishte më i njohuri në familje, që kishte hyrje dalje më shumë, sepse njihej edhe nga autoritet qeveritare, miq të largët, si dhe për mjaft arsye të tjera. Një gjë e tillë nuk ishte traditë për familjet, por bëhet vetëm në sajë të mirëkuptimit reciprok. Pjesëtarët e tjerë nuk kishin të drejta të tilla, por vetëm vëllai i vogël, siç ishte theksuar edhe më lart, kishte të drejtë që vetëm të zgjidhte pjesën e vet, i pari. Pra, ndarja bëhej deri diku në mënyrë të barabartë, sipas gjendjes ekonomike që kishte familja që ndahej.

 

  1. Arsyeja që pjesën e vet më parë e zgjidhte vëllai, ishte se më të mëdhenjtë donin të ishin “të larë” ndaj vëllait më të vogël, që ai të mos mendonte se ata “ia kishin hedhur” si më i vogël që ishte, si dhe për faktin se vëllai i vogël nuk kishte bërë shpenzime materiale sa ata të tjerët. Këtu duhet shtuar gjithashtu edhe dëshira e vetë prindërve që djali i vogël të mbetej i kënaqur nga ndarja, sidomos në ato raste, kur me djalin e vogël qëndronin edhe vetë prindrit. Në të shumtën e rasteve, edhe vëllezërit e tjerë, për një gjë të tillë nuk kishin kundërshtim, por në qoftë se ndodhte, që, për arsye të ndryshme të mos binin dakord me pjesët e ndara, (ndonjëri pjesëtar mendonte se vlera materiale nuk ishte barazuar, apo ishte bërë përvetësim i tërthortë) atëhere, me pëlqimin edhe të pleqve të thirrur për këtë rast, ndarja bëhej me anën e shortit. Shorti hidhej për të caktuar: a) personin që do të zgjidhte i pari pjesën e vet, b) një material që nuk futej në pjesë, sepse e kërkon të gjithë, c) për të bërë ndarjen sa më të drejtë, që më vonë palët të mos bëjnë fjalë për padrejtësira ndaj njërit ose tjetrit.

Shorti mund të hidhej në forma të ndryshme nga personat që marrin pjesë në ndarje; kështu mund të përdorej një fletë letre me vrimë, midis disave pa vrimë; personat marrin nga një letër, edhe atij që t’i binte letra me vrimë kishte të drejtë të zgjidhte pjesën ose të merrte materialin që kërkohej prej të gjithëve. Veç kësaj, mund të përdoreshin disa shkopinj të vegjël, me gjatësi të ndryshme dhe atij që i binte shkopi më i shkurtër, i jepej e drejta për të zgjedhur.

Duhet të theksojmë se mbas hedhjes së shortit, nuk kishte rast që të lindin debate apo mosmarrëveshje, por secili pranonte atë që i binte për të marrë, sepse shorti quhej si një farë e drejte që personi e kishte “të destinuar”, ai ishte “fati” i tij. Rastet e zgjedhjes së pjesës me short janë të rralla, por kur janë përdorur, gjithnjë kanë përfunduar me vendosjen e rregullit dhe të qetësisë midis pjesëtarëve që ndodhen dhe me vajtje-ardhje normale midis tyre.

 

  1. Për vendosjen e kufirit në ara, livadhe dhe pyje, më parë bëhej matja me anën e një litari me gjatësi 20 m, i cili përdorej më tepër në parcelat e sistemuara, kurse në pjesët e pyllit bëhej edhe me afërsi, duke e çmuar me sy se çfarë sipërfaqe kishte pjesa e ndarë. Si masë për sipërfaqen e tokës arë, përdorej “penda” siç u përmend edhe më lart si dhe dynymi. Duhet theksuar se para çlirimit, nuk janë bërë matje ekzakte për tokat, sepse shumica e sipërfaqes ishte në duart e çifligarëve. Edhe ajo sipërfaqe që punohej nga familjet, ndonëse e pakët, matje të saktë nuk kishte, për shkak se bëheshin veprime spekulante. Kështu që çdo familje kishte më pak tokë se sa e dinte. Shenjat kryesore për vendosjen e kufirit, shërbenin gurët që vendoseshin nga personat që merrnin pjesë në caktimin e kufirit, si dhe pemë të ndryshme që dalloheshin nga të tjerat. Gjithashtu, me kalimin e kohës, në vijën ku kalonte kufiri, mblilleshin pemë ose grumbulloheshin gurët që pastroheshin nga parcelat si dhe mbeturina të tjera. Kështu kufiri, sa vinte “tráshej” dhe bëhej si shenjë dalluese gjithnjë e më e mirë. Ky kufi nuk duhej të prishej në asnjë mënyrë, por përkundrazi, kërkohej që çdo person të dinte dhe të mbante mend se ku kalonte kufiri i njërës apo tjetrës familje. Shumë vite më vonë, kur ka lindur ndonjë grindje mbas ndarjes për arsye toke, të cilat nuk kanë qenë të rralla, bëheshin përpjekje për të vënë në dukje në mënyrë “bindëse” shenjat e vjetra të kufirit, të vendosura nga pleqtë. Deri në vitet e kolektivizimit të bujqësisë, dalloheshin qartë kufijtë që ndanin tokat e fiseve, familjeve dhe barqeve të ndryshme, sipas kohës, kur ato ishin krijuar. Gjatë këtyre vendosjeve të kufijve, nuk zhvillohej ndonjë ceremoni e veçantë, por vetëm se shtrohej një darkë ose drekë dhe mbahej mend koha e ngjarjes.

 

 

  1. Ndarja e ujit, ashtu si dhe në shumë vende të tjera, ka qenë një nga problemet më të ndërlikuara, për zgjedhjen e të cilit janë bërë veprime nga më të ndryshme, deri në ngjarje tragjike. Duhet të pohojmë se fshati Bërzéshtë qysh prej shumë vjetësh vazhdon të ketë një sasi të bollshme uji. Këtu ka burime të shumta uji të akullt. Këtu pranë rrapit shekullor gjenden edhe 7 çesmat e njohura, Kruamadhi, Marimodza, etj, burime me ujë të bollshëm. Kjo sasi uji qysh prej shumë vitesh të kaluar është përdorur në këtë mënyrë: Çdo lagje e fshatit, në kohën e të mbjellave, zakonisht në muajin maj të çdo viti, lante vijat e ujit (bënte kanalet e vegjël kryesore vaditës) të cilat ishin të përhershme në një vend. Kur lind nevoja për vaditje të pjesëshme (p.sh: për vaditjen e tokës për mbjellje, në kohën me thatësira!) çdo person mund të merrte ujë sa të donte dhe për aq kohë sa të donte dhe për aq kohë sa kishte nevojë. Kurse në kohën e vaditjeve të përgjithshme (zakonisht nga fillimi i muajit korrik deri në fund të gushtit) kur nevojat për vaditje ishin të shumta dhe tek të gjithë bujqit, për shkak se edhe mbjelljet bëheshin afërsisht në të njëjtën kohë, zgjidhej një memúr (person që bënte ndarjen e përditshme të ujit). Memúri kishte për detyrë që të shihte se cila familje ka nevojë më shumë, cili misër është “djegur” më tepër, cila mund të presë edhe një ditë dhe cila jo. Çdo ditë, personat që duan të marrin ujë, paraqiten tek Rrapi (monument kulturor) dhe atje memúri, sipas gjendjes që ka konstatuar një ditë më parë si dhe në bazë të kërkesës që bën secili, cakton sasinë e ujit që do të marrë. Njësia matëse është “léha” (sasia e ujit që kalon në një brazdë të plotë të hapur me parmendë për vaditje) Në tokat e fshatit zakonisht vaditej një “léhë” ujë, sepse me më tepër ujë, toka përmbytej dhe gërryhej. Duhet të theksojmë se memúri zgjidhej për çdo vit, por ndodhte që një memúr të qëndronte për shumë vjet me radhë, sepse ishte i aftë për ta bërë një punë të tillë. Ndarja e ujit fillonte në orën 2.00 (allaturka) deri në orën 8.00 (d.m.th prej orës 9.00 paradite deri rreth orës 15.00, afërsisht. Vaditja zgjaste 6 orë. Pastaj memúri e kthente ujin në rrjedhën e përbashkët, sepse prej orës 15.00 e deri në orën e ndarjes në ditën e mesërme, punonin mullinjtë. Personi që nuk mbaronte punë brenda ditës, kishte të drejtë që ta merrte prapë të nesërmen. Sasia e tokës merrej parasysh për dhënien e ujit, relievi i saj (po të ishte e rrafshët ose “gropë” siç e quan populli, ajo kishte nevojë për më shumë ujë), e si dhe koha e mbjelljes (misri i lashtë donte ujë më parë) . Për nevojat shumë të ngutshme, vaditja bëhej edhe natën. Pra, uji ndahej sipas sasisë së tokës, me “lehë” si masë dhe ajo që ishte gjithnjë e pandryshueshme (edhe në ditët e sotme), koha; prej orës 8.30-9.00, deri në orën 15.00. Pas kësaj ore zakonisht punojnë mullinjtë. Edhe sot vazhdon të caktohet memúr për vaditjen e kopshteve personale. Një ndarje e tillë bëhej në bazë fshati. Për familjet e ndryshme, uji nuk ka qenë si pronë personale. Nuk ka pasur asnjë familje që të dispononte një sasi uji dhe ta përdorte për nevojat e veta. Prandaj nuk ka pasur raste të ndarjes së ujrave. Për burimet e vegjël ose çesmat që përdornin familjet për ujë të pijshëm, mund të themi se këto përdoreshin nga familjet që në disa raste nuk lejonin që të mbushnin ujë familje të tjera. Sot një gjë të tillë nuk vihet ré më , sepse kanë ndryshuar konceptet për pronën dhe njerëzit.

 

  1. Zakonisht, kur bëhej ndarja midis pjesëtarëve të një familjeje, në këto fshatra dhe veçanërisht në Bërzeshtë, nuk ka pasur rast që një pjesë e pasurisë të mbetej e pandarë, me qëllim që të përdorej më vonë, në mënyrë të përbashkët. Kjo bëhej me qëllim që të mos ndodhin mosmarrëveshje më vonë, në lidhje me bazën materiale. Secila familje, me atë pasuri që i takonte dhe merrte pas ndarjes, rregullonte gjendjen e saj ekonomike, sipas mundësive që kishte.

 

  1. Kur kishte raste që ndarja bëhej me një qëllim të caktuar, p.sh: për t’i prerë rrugën përvetësimeve nga disa pjesëtarë më të rritur, ndarja bëhej për çdo pjesëtar, d.m.th: edhe prindërit merrnin pjesë, edhe vajzat apo djemtë e vegjël që nuk kishin arritur në moshën për krahë pune (nën 16 vjeç). Në këtë rast, pasuria e luajtshme ose e paluajtshme që u takonte atyre, merrej nën kujdes nga vëllezërit më të rritur ose babai, pavarësisht në se ky i fundit vinte me djalin më të vogël apo jo, mjaft që personi të ishte i besuar, në rastet e vëllezërve, ose kur e merrte i ati, pasurinë e djalit të vogël nuk e përziente me të vetën. Ndarje të tilla kemi pasur para çlirimit. Po kështu veprohej edhe për pleqtë e shtëpisë, si xhaxhallarë që nuk kishin fëmijë, apo gjatë jetës ishin aksidentuar dhe nuk kishin mundësi që ta administronin vetë pasurinë e tyre. Në këto raste, populli gjykonte drejtësinë e atij personi që kishte nën kujdesje pasurinë e një tjetri; në bazë të paragjykimeve e besimeve, populli thoshte se “filani do të vuajë sahatin e shpirtit, sepse ia ka ngrënë mallin filanit”. Kurse kur donin të tregonin urrejtje për të thoshin: “Ju grymtë shpirti!”

 

  1. Për të siguruar jetesën e pleqve, të bijave të pamartuara, të grave të veja dhe të personave të tjerë që nuk kishin të drejtë trashëgimie, zakonisht veprohej sipas arsyetimeve të njërit ose tjetrit, por në përgjegjësi për këtë kategori personash, mbahej një qëndrim i ngrohtë, sepse shihej e udhës që për njerëz të tillë duhet treguar respekt e dashuri, sepse janë pa ndihmë, pa krahë. Kështu që kur bëhej ndarja, personat që ishin më zemërgjerë, i merrnin nën mbrojtje këta dhe i trajtonin si pjesëtarë të familjes së re që ata drejtonin. P.sh: një vëlla, kur ndahej, e shihte të arsyeshme që një plak që kishte mbetur i vetëm, ta merrte dhe e mbante ashtu siç do të mbante babanë e vet! Po kështu edhe për gruan e ve, e mbante si pjestare të familjes edhe, si të tillë, ishte i detyruar që të interesohej me sa e lejonin mundësitë për jetesën e tyre; madje dhe në rastet e vdekjes së njërit apo tjetrit, ai bënte të gjitha veprimet përkatëse, duke u përpjekur me çdo mënyrë që opinioni të jepte përshtypjet më të mira për të, në lidhje me trajtimin që kishte bërë ndaj personit që kishte mbajtuar. Për rastet e vajzave, njihen disa të tilla, që janë martuar nga personat e afërt të tyre dhe këto i njohin si “derë babe” familjet ku kanë jetuar dhe për të gjitha sa janë bërë në dobi të tyre, i kujtojnë me një ndjenjë të veçantë malli e dashurie. Edhe populli, këto raste i kujton si shembuj të mirë zemërgjerësie dhe nëpër biseda të ndryshme bëhen krahasime për vepra të tilla nga persona të ndryshëm.

Pra, për të siguruar jetesën e personave të sipërpërmendur, nuk kishte rregulla fikse, por vetëm veprohej në mënyrë të tillë që këta persona të ishin të siguruar si nga ana materiale, ashtu edhe në të gjitha drejtimet që kishin nevojë.

 

  1. Duke e parë ndarjen si një fenomen shoqëror që ndryshon strukturën e familjes si në të kaluarën, ashtu edhe në ditët e sotme, duhet të themi se ndarja bëhet si rezultat i po atyre shkaqeve që ishin edhe më parë (kryesisht zgjerimi i madh i numrit të pjesëtarëve) si dhe disa konflikteve të krijuara për problemet e ndryshme ekonomike. Kështu duhet të themi se sot, ndarja e djalit të martuar, disa muaj pas martesës, qoftë nga prindërit apo dhe nga opinioni i masës nuk shihet me sy të keq, me përbuzje, por si një veprim që duhet bërë për rregullimin e jetës së brendshme të familjes.

 

Si procedurë, ndarja bëhet afërsisht si dhe më parë, por vetëm se tani, palët bien në marrëveshje vetë midis tyre, se çfarë malli kanë e si do ta ndajnë, kush do që t’i mbajë prindërit, si dhe probleme të tjera të brendshme. Më parë, ndarja e mallit bëhej sipas “barqeve”, kurse sot bëhet sipas frymëve, në barazi e mirëkuptim. Në ndonjë rast, kur lindin mosmarrëveshje, nga palët që do të ndahen, mjaftohet këshilli popullor i fshatit, i cili merr pjesë në vendosjen për ndarje dhe mënyrën e saj.

Në ndarje marrin pjesë persona të afërt (në qoftë se duan të gjithë pjesëtarët) dhe si edhe më parë, vëllai më i vogël ka të drejtë që të zgjedhë pjesën e vet.

Gjatë ndarjes merret parasysh edhe kontributi që njëri apo tjetri pjesëtar ka bërë për forcimin e ekonomisë. Ka raste kur njëri, i bën lëshime vëllezërve të tjerë (që kanë shumë fëmijë, apo nuk kanë krahë pune) duke mos e marrë të gjithë pjesën e vet.

 

  1. dh) Gjendja arsimore e kulturore e familjes së sotme

 

  1. Në fshatin Bërzeshtë shkolla është hapur në vitin 1914 dhe në vitin jubilar të 30 vjetorit të çlirimit u festua 60 vjetori i kësaj ngjarjeje me rëndësi të madhe. Gjatë këtyre 60 vjetëve, shumë persona kanë mbaruar shkollën fillore dhe jo vetëm nga fshati, por edhe nga fshatrat përreth. Rregullisht shkolla funksionoi mbas Luftës së Parë Botërore, por në vitet e para të çlirimit nuk është treguar kujdesi i duhur për ta bërë shkollën një qendër që të luaj rolin ashtu siç duhet, ashtu siç nuk duhej pritur që çdo gjë ta bënte regjimi antipopullor. Sidoqoftë gjatë këtyre vjetëve, djem ka pasur më shumë që e kanë vazhduar shkollën, kurse vajza më pak. Edhe kjo bëhej më tepër si rezultat i punës së disa elementëve përparimtarë që e shihnim me urrejtje të madhe regjimin e egër të Zogut.

 

Mbas çlirimit të vendit, kjo shkollë luajti një rol me rëndësi për arsimimin e popullit, me masat që mori Partia për arsimin e detyrueshëm. Djemtë e vajzat e fshatarëve vazhduan shkollën dhe sot janë kuadro me rëndësi në të gjitha anët e vendit. Kështu, veç shkollës, për të luftuar analfabetizmin, në fshat janë hapur dhe kurse të rregullta për gratë dhe burrat e moshuar që nuk kishin pasur mundësi të vazhdonin shkollën; një gjë e tillë, u bë më tepër për gratë, sepse ato që kanë ardhur para 30 vjetësh, nga fshatrat e tjerë, nuk kanë vazhduar shkollën. Rezultatet e këtyre kurseve kanë qenë të mira. Sot në fshat numërohen me gishta analfabetë mbi moshën 60 vjeç. Nga rezultatet e deritanishme, sipas të dhënave nga organet përkatëse, del se analfabetizmi me kuptimin konkret të fjalës në këtë fshat është zhdukur rreth viteve ‘60. Këto rezultate, me gjithë që jo 100%, janë më të larta se në çdo fshat tjetër, jo vetëm si zonë, por në të gjithë rrethin. Sot ka njerëz që janë gjallë që kanë mbaruar shkollën në vitet e para të hapjes së saj si dhe kurset që janë hapur kundër analfabetizmit.

 

 

  1. Nga të gjitha familjet e fshatit kanë vazhduar shkollën fillore (të ciklit të ulët po ashtu edhe shkollën 7 vjeçare (sot 8 vjeçare), e cila është hapur më parë se në të gjithë fshatrat e rrethit, në vitin shkollor 1950-‘51. Në vitet e para shkollën 7 vjeçare e kanë mbaruar rreth 15 veta, djem e vajza. Nga këta, shumica janë në marrëdhënie pune me shtetin. Me kalimin e kohës, kur u bë edhe arsimi 7 vjeçar i detyrueshëm, të gjithë djemtë e vjazat e fshatit e vazhduan rregullisht shkollën. Duhet thënë se në këtë shkollë kanë vazhduar edhe djem e vajza nga fshatrat e afërt, si nga Karkaveci, Qukësi-Shkumbin, Fanja, Gurra dhe Skroska, të cilat janë mjaft larg, por nxënësit qëndronin në disa familje të fshatit Bërzeshtë.

 

Qysh para 15 vjetësh, nga fshati filluan të vazhdojnë shkollat e mesme me bursë shteti, në qytete të ndryshme të vendit, për agronomë, arsimtarë, veterinerë, teknikë, ndihmësmjekë, si dhe mjaft specialitete të tjera; ndërsa një dekadë më parë kanë vazhduar edhe studimet e larta, shumë nga të cilët, jo vetëm kanë mbaruar, por sot janë kuadro me rëndësi brenda e jashtë rrethit.

Përsa i takon nivelit arsimor kulturor të familjes së sotme, duhet të pohojmë se qysh me hapjen e shkollës tetëvjeçare, të gjithë djemtë dhe vajzat në moshën e duhur kanë vazhduar shkollën dhe shumica e tyre e kanë mbaruar me sukses.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre, djem e vajza, sot punojnë në kooperativën bujqësore me detyra të ndryshme, kurse të tjerët, sipas nevojave dhe mundësive, kanë vazhduar shkolla të mesme profesionale dhe të arsimit të përgjithshëm; të tjerë nxënës që kanë mbaruar me rezultate të mira shkollat e mesme kanë vazhduar edhe shkollat e larta; kështu kanë dalë agronomë e veterinarë të lartë nga fshati, si dhe kuadër të tjerë. Pra, sot të rinjtë e të rejat e fshatit deri në moshën 30 vjeç, janë pothuajse të gjithë me arsim të lartë. Sipas nevojave që ka pasur fshati dhe gjithë rrethi për degët e ndryshme të ekonomisë, shumë nga ata që kanë mbaruar shkollën 8 vjeçare dhe të mesme, kanë mbaruar edhe kurse specializimi dhe sot punojnë në qendra të ndryshme prodhimi brenda dhe jashtë rrethit. Kjo ngritje arsimore e tekniko profesionale e pjesëtarëve të familjes fshatare, ka bërë që jo vetëm të ngrihet e të forcohet baza ekonomike, por edhe niveli ideologjik e kulturor të ngrihet në një shkallë më të lartë. Nga sa u tha më lart, këtu e ka bazën edhe fakti që qysh në vitin 1957 fshati u elektrifikua me ndihmën e shtetit dhe kërkesën e fshatit, u pajis me radio, si dhe krijoi kushtet për zhvillimin më të madh ekonomiko-shoqëror të familjes, etj. Vetëm në vitin 1974, në fshat numërohen 8 televizorë, shkolla 8 vjeçare, muzeu i arsimit për gjithë rrethin, shtëpi kulture, kopshte, çerdhe, infermieri, etj, etj. Këtu janë disa nga rezultatet e familjes fshatare që iu siguroi Partia dhe pushteti.

 

  1. Niveli i ngritur arsimor e kulturor i familjes, veç veprimeve pozitive të tjera që solli me kalimin e kohës, ndikoi direkt në radhë të parë në përgjigjen e thirrjeve që ka bërë Partia për forcimin e ekonomik dhe ndërtimin e vendit. Kështu duhet të përmendim se qysh për ndërtimin e hekurudhës së parë të vendit nga ky fshat, veç djemve ka shkuar dhe një vajzë (Vera R.Leka), e cila u bë shembull i mirë për thyerjen e disa koncepteve prapanike e frenuese që ekzistonin në ato vite. Po kështu ka shkuar edhe një vajzë nga fshati Karkavec. Pastaj kanë marrë pjesë në aksione lokale, në ndërtimin e kanaleve vaditës në Elbasan, etj. Këta persona, kryesisht të rinj e të reja, që kanë marrë pjesë në aksione, kanë luajtur një rol me rëndësi për përhapjen e së resë në fshat dhe janë bërë shembull edhe për të tjerët. Me kalimin e kohës, numri i pjesëmarrësve në këto aksione dhe brigada të ndryshme kulturore, ka ardhur gjithnjë duke u shtuar dhe këta kanë qenë shembull i gjallë për të tjerët, me punën vetëmohuese për fuqizimin e ekonomisë së Atdheut.

 

  1. Në fshatin tonë ka pasur shumë elementë aktivë, revolucionarë, që kanë zhvilluar një aktivitet të mirë për përhapjen e ideve të Partisë dhe lëvizjen Nacional Çlirimtare. Kështu në vitin 1943, më 24 korrik, u themelua bataloni partizan i Bërzeshtës. Nga ky fshat kanë rënë dëshmorët Isuf Leka dhe Petrit Blloshmi. Populli i fshatit e ka përkrahur dhe ndihmuar me armë në dorë Luftën Nacional Çlirimtare. Mendimet e këtyre aktivistëve, në ndonjë rast kanë ndeshur pengesa në disa pikëpamje me karakter konservator të disa personave të moshuar dhe të paformuar mirë, si p.sh: në pjesëmarrjen e vajzave në punët e ndryshme shoqërore, në aksione kombëtare, në aksionet me karakter higjeniko-sanitare, apo në luftën kundër zakoneve prapanike. Por këto pengesa kanë qenë për një farë periudhe dhe janë kaluar me punën bindëse e politike të këtyre kuadrove të Partisë dhe të Pushtetit në fshat.

 

  1. Gruaja ka arritur barazinë e të drejtave të saj me burrin, ngritjen në përgjegjësi dhe përsosjen e figurës së saj si forcë e fuqishme në tërë jetën shoqërore. Kështu, mbas Fjalimit të shokut Enver, shohim se gruaja fshatare fitoi një vend të ri dhe shumë të rëndësishëm në shoqëri, gjë që as që mund të mendohej më parë. Gratë dhe të rejat sot e thonë hapur dhe pa ndrojtje fjalën e tyre. Në shumë sektorë të jetës shoqërore dhe të prodhimit janë gra, të cilat udhëheqin dhe trajtojnë me guxim dhe besim në forcat e veta problemet shoqërore. Në krye të organizatës së Frontit Demokratik sot është një grua, sekretarja e Partisë në fshat është grua. Brigadierja, magazinierja dhe punonjësja në objektet social-kulturore janë gra, etj. Është zhdukur në shkallë të lartë fanatizmi dhe besimet fetare, si dhe në tërë jetën e gruas në kompleks janë bërë ndryshime kolosale. Edhe vetë gratë e vajzat e fshatit, ndaj problemit të emancipimit, mbajnë qëndrim aktiv dhe janë bërë forcë e gjallë për shtimin e të drejtave, pjesëmarrjen në të gjitha problemet e organizatave të masave. Gratë dhe vajzat janë aktiviste të mira edhe për problemet arsimore e kulturore në çdo aksion lokal dhe kombëtar. Kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në veprat e mëdha të 5 vjeçarëve, duke u dalluar për shpirtin e sakrificës dhe vetëmohimit dhe përgatitjen për mbrojtjen e vendit.

 

 

  1. Për leximin e shtypit dhe të librave në familjen e fshatit, duhet të pohojnë se qysh në vitet e para mbas çlirimit, në fshat vinin organe të ndryshme të shtypit të përditshëm dhe periodik, si gazeta “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, revista “Shqiptarja e Re”, si dhe organe të tjera, të cilat lexohen nga familjet, punonjësit e ndryshëm, oganizatat e masave. Edhe librat artistikë nuk ishin të panjohur në familjet e fshatit. Pranë shkollës, funksiononte edhe një kënd kulture, që ishte i pajisur me disa libra, të cilat luanin një rol të rëndësishëm për edukimin e masave. Me kalimin e kohës, numri i organeve të shtypit të përditshëm dhe periodik, erdhi duke u shtuar, duke u bërë abonime të rregullta në gazeta dhe revista. Kështu që tani mund të themi se në fshat gjenden pothuajse të gjithë organet e shtypit të Partisë, revista, buletine të ndryshme shkencore; shtëpia e kulturës ka një numër të madh librash për bujqësinë, shkencat e tjera, literaturë artistike dhe botime të tjera të përmuajshme. Është shtuar numri i grave dhe vajzave që lexojnë dhe marrin pjesë në aktivitetet kulturore artistike. Mjaft persona, të moshuar mblidhen për leximin e shtypit në shtëpinë e kulturës. Pra, shtypi dhe “librat” janë shfrytëzuar sistematikisht dhe kanë lojtur një rol me rëndësi në ngritjen e nivelit kulturor dhe ideologjik të masave.

 

  1. Gjendja higjeno-sanitare e familjes në ditët e sotme as që mund të krahasohet me të kaluarën: Janë prishur pothuajse të gjitha banesat e vjetra dhe në vend të tyre janë ndërtuar të reja, me planimetri të ré, të suvatuara, të pajisura me orenditë dhe mjetet e nevojshme, me dritë elektrike, ujë të pijshëm, etj. Ka hyrë në përdorim stufa ekonomike, kuzhina ka marrë pamje të re; përdoret tavolina, pjata, piruni, ushqimi i pasur me lëndë ushqyese, mbahet pastërti; në dhoma përdoren krevate, është zhdukur rrogózi (lásra), karriket janë në çdo familje, radioja dhe së fundi televizori shërbejnë për edukimin masiv dhe dëfrimin e fëmijëve kooperativistë. Sot nuk gjen shtëpi që të ketë bagëtitë brenda dhe gropat e zeza, por janë bërë kasolle larg shtëpisë dhe W.C-ra të rregullta, të sistemuara. Uji i pijshëm është në sasi të bollshme dhe pastërtia e trupit dhe e rrobave është përmirësuar. Në asnjë familje nuk lahen rrobat me finjë (alsivë), por me sapun. Për këtë çështje një rol të madh kanë luajtur edhe aksionet e organizuara në shkallë rrethi, me karakter ideologjik. Është bërë një punë e madhe në lidhje me ngritjen e nivelit të jetës në çdo familje. Pothuajse çdo pjesëtar i familjes, i ri dhe i moshuar ka rroba të reja për ditë feste, a raste vizitash dhe rroba të zakonshme për punë. Ky ndryshim është rezultat i punës së vazhdueshme dhe kujdesit të madh që ka treguar dhe tregon Partia për ngritjen e nivelit të mirëqënies së gjithë popullit, e në veçanti të familjes fshatare.

 

 

  1. Pjesëtarët e familjes, kohën e lirë e kalojnë zakonisht me veprimtari të ndryshme duke u marrë me lexime dhe argëtime të ndryshme, duke dëgjuar radio, duke parë televizorin, me pjesëmarrje në aktivitetet e shtëpisë së kulturës dhe grupeve artistike, etj. Gjithashtu në kohë të lirë bëjnë edhe vizita miqësore në shokë, miq e dashamirë si brenda, ashtu dhe jashtë fshatit. Këto aktivitete më tepër bëhen në raste të ndryshme dhe në ato stinë, kur punët në kooperativë nuk pengohen. Në raste festash si 1 Maji, 28-29 Nëntori, Viti i Ri, bëhen vizita familjare brenda fshatit, gjithashtu edhe vijnë mjaft persona të afërt të familjeve nga fshatra e qytete të tjera. Vitet e fundit, këto janë bërë masive.

 

  1. Pjesëtarët e familjes, duke marrë pjesë në aksione të ndryshme brenda e jashtë rrethit, kanë pasur kontakte me të rinj e të reja, shokë nga rrethe të ndryshme të vendit me të cilët mbajnë letërkëmbim të rregullt. Më tepër këto njohje janë bërë në ushtri, në aksione, vizita të ndryshme kolektive, etj. Ka edhe raste që, nga njohja në vende dhe vite të ndryshme, disa persona janë lidhur me “byrazerllëk” (janë folur vëllezër) dhe këtë vëllazëri vazhdojnë ta mbajnë të rregullt me vajtje-ardhje familjare.

 

  1. Siç u përmend edhe më lart, anëtarët e familjes aktivizohen në mjaft aktivitete shoqëroe dhe kulturore, si pjesëmarrja në grupe artisitke, vizita të ndryshme për shkëmbime eksperience, aksione lokale, shfaqje filmash dhe programesh artistike, mbledhje të organizatave të masave dhe shoqërore, duke u klasifikuar nga zhuritë dhe organet drejtuese të Partisë dhe pushtetit në rreth. Fshati Bërzeshtë është dalluar në të gjithë fshatrat e tjerë të rrethit, si në aktivitete shoqërore kulturore, ashtu edhe jashtë rrethit, si në festivale kombëtare folklorike të organizuara gjatë viteve të ndryshme, si më 1966, 1973, etj. Shtëpia e kulturës së këtij fshati dallohet për një veprimtari të shquar në rreth, duke gjallëruar jetën kulturore artistike dhe duke ngritur nivelin e rolin edukues të masave punonjëse në fshat.

 

Pra, kemi një ndryshim të dukshëm në jetën e brendshme të familjes në Bërzeshtë marrë në etapa të ndryshme.

  • Në këtë studim të thjeshtë, është pasur parasysh që të gjitha pyetjeve të Pyetësorit t’u jepet përgjigje e saktë, pa shtesa dhe ashtu siç janë faktet reale në familjen e fshatit. Kryesisht, materiali u përgatit duke mbledhur të dhëna të ndryshme gjatë vitit 1974 nga kumtimet gojore të disa personave me mosha të ndryshme si në Bërzeshtë, ashtu edhe në fshatrat përreth, por më të shumtën e rasteve jemi përqëndruar në kumtimin gojor të punonjësit Dule Lali Osmëria, datëlindja 1923, nga fshati Fánjë, me profesion veteriner i ulët, sot punonjës pranë brigadës së II Karkavec, të sektorit Prrenjas, në Ndërmarrjen Bujqësore, Librazhd, i cili i njeh mirë zakonet, traditat e popullit në fshatrat periferike dhe disponon një grumbull faktesh të jetuara para dhe pas çlirimit të vendit. Për pjesën më të madhe të pyetjeve, jemi bazuar në njohuritë tona vetjake dhe në të dhëna të pjesëshme të personave të ndryshme. Kjo është një pasqyrë e thjeshtë e jetës së familjes në Bërzeshtë, e cila me gjithë të metat që ka, mund të japë një kontribut modest për studimin etnografik shoqëror të familjes në përgjithësi.

Këto janë disa nga karakteristikat kryesore të familjes në fshatin Bërzeshtë, të përmbledhura sipas pyetjeve të Pyetësorit, me qëllim që të shihet ndryshimi që kanë pasur këto karakteristika, si rezultat i ndikimit të arsimit fillor në vitet e para çlirimit dhe masave të marra nga Partia e pushtetit popullor në vitet e pas çlirimit, gjatë kolektivizimit të bujqësisë dhe në këto vitet e fundit, mbas luftës së madhe ndaj shfaqjeve të huaja e zakoneve prapanike.

 

Materiali u mblodh dhe u sistemua në fshatin Bërzeshtë, gjatë vitit 1974.

 

Ndalohet publikimi pa lejen e autorëve!

 

Please follow and like us: