Vepra e poetit martir, Genc Leka (5)
BLEGTORIA
(VËSHTRIM ETNOGRAFIK PËR BLEGTORINË GJATË SHEKULLIT TË NJËZET NË BËRZESHTË)
“O, sa bukuri ka tufa…” Naimi.
“…Gjëja e gjallë të mban gjallë!” -thotë një fjalë e urtë popullore. Vetëm nga përmbajtja e kësaj shprehjeje, mund të kuptojmë qartë se ç’rol të rëndësishëm ka luajtur blegtoria për njerëzit qysh prej shekujve më të hershëm e deri në ditët tona. Për blegtorinë, këtë degë shumë të rëndësishme të ekonomisë, është shkruar shumë, por në këtë vështrim etnografik, gjatë këtij shekulli, për blegtorinë në fshatin Bërzeshtë dhe fshatrat në afërsi, në luginën e Shkumbinit, do të mundohemi të japim disa të dhëna të sakta në lidhje me gjendjen e blegtorisë, zhvillimin gradual të saj në disa periudha të caktuara, rolin që ajo ka luajtur për ekonominë e popullit në lidhje të ngushtë dhe të vazhdueshme me bujqësinë, si edhe doket e zakonet e ndryshme në lidhje me të. Gjithashtu, do të përpiqemi të pasqyrojmë edhe gjendjen e blegtorisë mbas kolektivizimit të bujqësisë, si dhe ndryshimet sasiore e cilësore të saj në kushtet ekonomike e shoqërore që krijoi kolektivizimi, ashtu si në çdo degë tjetër të ekonomisë sonë popullore. Për t’ia arritur kësaj, jo vetëm që do të përqendrohemi në pyetësorin përkatës, por edhe do të shtojmë ato të dhëna që na duken të rëndësishme, duke u mbështetur, si gjithmonë, në gojën e popullit. Prandaj dhe na u duk e arsyeshme që këtë material ta nisim me një fjalë të urtë që mbart në vetvete gjithë përvojën e gjatë dhe të çmuar të popullit për gjënë e gjallë, kryesisht bagëtitë e imta dhe kafshët e trasha. Janë të shumta dokumentat, të cilat dëshmojnë qartë për rolin e madh që ka luajtur blegtoria në jetën e njeriut qysh në shekujt më të hershëm, si për sigurimin e një pjese të konsiderueshme të ushqimit të vlefshëm, mishit dhe qumështit, të veshjes, po ashtu edhe për forcimin ekonomik me kalimin e kohës, kryesisht si mall këmbimi, me anën e të cilit pasqyrohej edhe vlera e mallrave të tjerë. Për këtë mjafton të shohim veprën e F.Engelsit: “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit”, në faqet 34-35-36-216-226-243-244 si dhe shumë vepra të tjera. Por në këtë material të vogël me karakter entografik nuk do të zgjatemi me këtë çështje, por duke u mbështetur në pohimin e Engelsit se “…formimi i kopeve solli me vete jetën blegtorale në vendet e përshtatshme për këtë gjë: për semitët-në fushat me bar të Efratit dhe të Tigrit, për arianët-në fushat me bar të Indisë, si dhe të Amu- Darjes dhe të Sir-Darjes, të Donit dhe të Dnjeprit…” fq. 35. Duhet të bindemi se ashtu si kudo gjetkë, edhe në truallin e Shqipërisë së sotme, meqë kushtet natyrore ishin të favorshme, blegtoria ka qenë e zhvilluar qysh në kohët më të lashta. Kështu mund të përmendim se Kandavët ishin më të njohurit ndër fiset ilire për rritjen e gjësë së gjallë.
Edhe trualli për ku do të bëjnë fjalë në këtë material, jo vetëm që ka qenë i banuar prej shekujsh (siç e dëshmojnë burimet arkeologjike!) por ajo që ka më tepër rëndësi, është fakti se këta banorë, në periudha të vazhdueshme janë marrë me blegtori, ku kanë pasur si synim kryesor shtimin numerik të gjësë së gjallë (veçanërisht bagëtitë e imta), si dhe punimin e prodhimeve blegtorale, ku janë dalluar gjithmonë…
Zona e Bërzeshtës, me gjithë fshatrat në afërsi, në të dy krahët e lumit Shkumbin, për nga pozita gjeografike, gjithnjë ka qenë e përshtatshme për rritjen e bagëtive dhe kafshëve shtëpiake, sepse ka pasur dy elemente të domosdoshëm: ushqimin dhe ujin e që të dyja në sasi të bollshme. Kur kemi folur për sipërfaqen tokësore të fshatit në materialin “Toponime të fshatit Bërzeshtë, 1971”, dërguar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, kemi shënuar se zë edhe një sipërfaqe shumë të madhe mali të veshur me drunj pyjorë, siç do të tregojmë edhe më poshtë, si dhe kullota alpine, që kanë ushqyer ndër vite e vite me radhë një numër të madh bagëtish e kafshësh të banorëve të fshatit, si dhe të fshatrave të afërt. Po ashtu, kullota e mirë, e pasur me bimësi ushqyese, ka edhe një sasi të konsiderueshme uji në formë burimesh, gjë që lejon qëndrimin e bagëtive dhe kafshëve qysh prej muajit maj e deri në nëntor. Për pasurinë e madhe të kullotave të këtij mali (malit të Bërzeshtës) kanë shprehur mendimin e tyre edhe barinj me përvojë të gjatë në blegtori, që gjatë gjithë jetës janë marrë me rritjen e bagëtive e kryesisht të deleve, që kanë ardhur nga vise të largëta. Kështu mund të përmend se gjatë bisedës zhvilluar me çobanin 75 vjeçar Xhimo Çaroshi, nga Ndërmarrja Blegtorale e Cërrikut, në vitin 1967, është shprehur si vijon: “Kam kërkuar tërë Shqipërinë me dele, e ku s’kam vajtur, edhe në Korab kam kullotur bagëtinë, por si Çajupi, s’ka gjëkundi, i dyti vjen mali i Bërzeshtës, kurse për ujët, po, zor t’ja gjesh shokun”! Sipërfaqja më e madhe është e veshur me drunj pyjorë si: (Fagus), Artiri (Pinusi Leucodermis), Bredhi (Abies), Bliri (Tilia), Dëllinja (Juniperus), Dushku (Quercus) me nënllojet e tij si Bunga, Qarri, Shpardhi, Frashëri (Fraximus), Hithri (Laburnum alpinum), Krekëza (Acer Campestre), Lajthia (Carylus avellana), Kullumbria (Prumus spinosa), Lari (Laurus nobilis), Kulpri (Clematis), Panja (Acer Obtusatum), Shkoza (Carpinus orientalis), Shikakuqi (Evonymus europaea), Shtogu (Sambucus Nigra), Thana (Cornus Mas), Urthi (Hedera helix), Vadha (Sorbus domestica), etj. Kurse një pjesë tjetër si vendet e njohura me emrat Mal Plaku, Mali i Polisit, Faqja e Madhe, Lugu i Spatharit, Lugu i Çerrit, Ymega, Lukova etj, janë kullota alpine dhe krejt të zhveshura nga drunjtë e ndryshëm, duke qenë kështu shumë të përshatshëm për kullota për delet. E në këto vende plot bar e gjeth, me ujë akull të ftohtë, banorët e këtyre viseve kanë kullotur dhentë, dhitë, lopët e qetë, kuajt e mushkat, sapo shkrin dëbora e çel gjethi, e deri sa rëndojnë shirat e vjeshtës së vonët… Dhe nuk i ndahet bariu tufës për asnjë çast, por e drejton andej nga është kullota më e mirë dhe uji sa më afër, siç thotë poeti popullor, “të hanë majën e barit”. Ai rri bashkë me to, me fyellin në dorë, me krrabë e sëpatë, me gunën në krahë, sikur shkëlqen dielli i verës, ashtu edhe në mot me shi e mjegull, duke vigjëluar ndaj egërsirave të pyllit, apo elementëve të rrallë dëmtonjës… Ai i njeh bagëtitë jo vetëm nga pamja e jashtme por edhe nga zëri, madje edhe mënyra e të ecurit… Bariu, si një prind i urtë, pagëzon me dashuri qingjat, kecat, delet, dhitë, të reja e të vjetra, deshët me këmborë, cjeptë me zile…, ai bashkë me qentë e vet besnikë e sypatrembur mbron tufën, madje, në ndonjë rast përleshet edhe me egërsirat..! Dhe këto bagëti që me aq kujdes i rrit blegtori ynë, ai i ka mbajtur për qumështin, mishin, leshin, lëkurën, për plehun dhe kështu, brez pas brezi, ka ruajtur traditën e lashtë të rritjes së bagëtive.
Nuk e ka kursyer populli prodhimin blegtoral kur e ka dashur puna. Në gëzime dhe hidhërime, bagëtia ka bërë që sofra bujare e fshatarit të jetë e shtruar dhe të presë miq e dashamirë nga çdo vend. Qysh në muajt e bukur të verës, bariu ka menduar për sigurimin e ushqimit për sezonin e dimrit dhe bën çdo sakrificë që gjënë e gjallë ta nxjerrë sa më të shëndoshë dhe me shtesë numerike.
Nuk ka kursyer asgjë fshatari për gjënë e gjallë, i ka shërbyer me shumë kujdes, me aq eksperiencë sa kishte, dhe në shumë raste sakrifikonte edhe jetën për bagëtinë, për shkak se duke qëndruar kohë e pa kohë në ambjente me klimë të ndryshme (në shi, në të ftohtë), si në malësi ashtu edhe në mera.
Në vitet e hershme para çlirimit, ka pasur edhe ndonjë rast që për shkak të kullotave, lindnin mërira, grindje që shkonin deri në akte tragjike, pasoja këto të ardhura si rezultat i koncepteve të ngushta për interesin personal, i edukimit të ndjenjës së pronës private, epërsisë fisnore dhe ekonomike, etj.
Nuk duhet të mohojmë edhe faktin që fshatari i viteve të para çlirimit nuk e ka trajtuar si duhet gjënë e gjallë, kur ka qenë rasti i therjeve për mikpritjen apo në ceremonitë e ndryshme si në lindje, në dasma, vdekje, etj. Sepse nga ky qëndrim janë dëmtuar një numër i madh bagëtish. Kështu, bie fjala, kur vinte një mik i largët në një familje, kjo e fundit ishte e detyruar që të therte mish se duheshin “nishanet”, siç do flasim më poshtë (shih faqen 70). Dhe kur nuk kishte bagëti shterpa, i pari i shtëpisë, apo kryefamiljari, detyrohej që të therte delen ose dhinë barsë, duke dëmtuar kështu, si bagëtinë e madhe që jepte prodhimin (qumështin, leshin dhe të voglin e saj), po ashtu edhe atë qingjin apo kecin e porsalindur.
Veç kësaj, duhet të shtojmë edhe shkaqet e tjera, si pamundësia për të parandaluar e mjekuar në kohë sëmundjet e ndryshme, konceptet e gabuara, për mos futjen në kohë…. sëmundjet e ndryshme e bagëtisë, etj. Kështu mund të theksojmë se vetëm nga sëmundja e këlbazës (sëmundje e mëlçisë së zezë tek kafshët ripërtypëse që shkaktohet nga një krimb i tipit të Platermintëve) në vitet paraçlirimit, ngordhnin disa qindra bagëti.
Veç sa thamë më lart, shkaqet e dëmtimit të bagëtive në periudha të ndryshme, kanë qenë edhe luftrat që janë zhvilluar. Por me gjithë këto shkaqe, fshatari ka bërë përpjekje të shumta për të mos e zhdukur fare gjënë e gjallë, sepse me të ai mund të siguronte një pjesë me rëndësi të ushqimeve të tij të përditshëm, mund ta shiste bagëtinë kur të donte, si dhe mund ta ndërronte me mall tjetër që mund të kishte nevojë.
Për bukurinë e jetës baritore ne kemi vargje të pashembullt dhe të shumtë të folklorit popullor, siç do të citojmë edhe më poshtë disa, ku bëhet fjalë për blegtorinë dhe disa krahasime të bukura me qingjin, rurëzën, manarin, etj., të marra nga “Këngë popullore lirike” dhe “Visaret e kombit, vëllimi i pestë” kemi një numër të madh shprehjesh të bukura frazeologjike, që do të shënojmë disa prej tyre, si dhe një sërë instrumentesh popullorë, si fyellin e njohur, ungarin, etj.
Gjatë punimit për këtë vështrim etnografik, do të përqendrohemi për periudhën nga viti 1900 e këndej, kryesisht në fshatin Bërzeshtë, si dhe fshatrat që kanë qenë si lagje të Bërzeshtës, si Fanja, Farreti, Sopoti, Gurra, Karkaveci; gjatë punës për mbledhjen e materialit janë bazuar në përgjigjet e personave që kanë qenë vetë blegtorë, për vite me radhë kanë pasur sasi të konsiderueshme bagëtish, si dhe një sasi njohurish rreth pyetësorit i kam renditur sipas kujtimeve që ruaj nga fëminia, që e kam kaluar duke kullotur në brigjet e lëndinat e fshatit 9 kokë dele dhe 3 kokë dhi, nga bashkëbisedimet me pleq të fshatit që rrinin me bagëti si H.Grepi, vjeç 85, I.Ceni, vjeç 50, Xh.Zharri, vj.44, Xh.Dashi, vjeç 47, si dhe persona të tjerë që prej shumë vjetësh kanë pasur nga 20-30 kokë bagëti, duke shërbyer atyre në të gjitha mënyrat dhe me një kujdes të veçantë, duke i quajtur bagëtitë me emra si Syskë, Bejkë, Faqemollë, Shargë, Mollake, Çukë, Kërrutë, Zekë, etj; (emra delesh). Shytë, Capore, Fateshë, Currë, Balukë, Rreshtë, Çile, Murricë, Xebë, etj; (emra dhish). Materialet i kam mbledhur me kujdes dhe për një kohë të gjatë.
Për ato pyetje që nuk kemi të dhëna, nuk do të japim përgjigje (është fjala për ato raste kur nuk janë të njohura ose të përdorura në këtë zonë), kurse për të gjitha pyetjet e tjera do të japin në mënyrë sa më të hollësishme të gjitha përgjigjet që duhen, duke e ilustruar përgjigjen përkatëse me vargje nga poezia popullore (veprat e cituara më lart) dhe këngë të vjetra që janë kënduar nga persona të moshave të vjetra.
Për çdo rast kur është e nevojshme, do të jepen edhe skicat përkatëse.
BLEGTORIA
I.FSHATI DHE EKONOMIA E TIJ.
“Sa lesh, mbi tre desh Aq bereqet të kesh”. Popullore.
- Në materialin që kemi dërguar në shkurt të vitit të kaluar me temë “Familja, organizimi i brendshëm i saj” kemi theksuar se fshati Bërzeshtë ka pasur disa lagje që sot janë fshatra më vete si Fanja, Farréti, Sopoti, Gurra, Karkaveci, banorët e të cilëve edhe sot e kësaj dite në formë të përgjithshme, kur i pyesin, thonë: “Jam nga Bërzeshta”. Kështu që shkëputja e këtyre lagjeve është bërë në periudha të ndryshme dhe pikërisht, për këtë arsye, edhe numri i shtëpive ka ndryshuar periodikisht. Megjithëkëtë, duhet të themi se fshati ka pasur shumë shtëpi, aq sa, siç kemi cituar një shprehje nga goja e popullit “shkonte maci tjegull më tjegull” dhe dilte deri në qosh të fshatit. Një gjë të tillë e dëshmojnë edhe gërmadhat e vjetra që gjenden edhe në ditët e sotme (themelet e vjetra që dalin nga punimi i tokës). Ky numër i madh i banesave të fshatit ishte i përqendruar në qendër, d.m.th. në Bërzeshtën e sotme. Si rezultat i kësaj dendësie tokat e punueshme ishin jashtë fshatit. Për këtë kemi dërguar në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë temën “Toponime të fshatit Bërzeshtë, 1971”. Me gjithë ndryshimin e vazhdueshëm gjatë dekadave, fshati Bërzeshtë në vitet e fundit para çlirimit ka pasur mbi 170 shtëpi, kurse sot numëron mbi 90, mbasi u nda si fshat më vete lagjia “Gurrë” që ka po këtë emër si fshat. Ky numër është relativisht i ndryshueshëm, nga që familjet, siç e kemi theksuar në temën “Familja”, kur arrijnë një numër të madh pjesëtarësh, bëjnë ndarje dhe në më të shumtën e rasteve bëjnë ndërtesa të reja.
- Qysh prej shumë vjetësh të kaluar, simbas pohimeve të pleqve të fshatit si H. Grepi, vjeç 85, V. Gjymenga, vjeç 85 vjeç, Y. Xharri, vjeç 75, si dhe të tjerëve persona të moshuar, në fshatin Bërzeshtë, burimi kryesor ekonomik ka qenë bujqësia dhe krahas saj edhe blegtoria. Ndonëse sipërfaqja e fshatit ka qenë shumë e madhe, duhet të themi se tokë buke ka pasur shumë më pak nga sa shihet në ditët e sotme, sepse më parë fshatarët kishin tendenca që të shtonin sa më shumë sipërfaqen e tokës, duke blerë brenda përbrenda fshatit, por një përqindje të madhe të kësaj sipërfaqeje e linin djerrë dhe e përdornin për kullota personale. Edhe ajo sipërfaqe që punohej, nuk shfrytëzohej sa duhet dhe nuk merrej prodhimi i mundshëm. Kishin tendenca të tilla që të kishin tokë sa më shumë, aq sa shpesh herë nuk arrinin ta bënin ugar e ta përzienin, por e mbillnin “për faqe” dhe me shumë vonesë, në muajin qershor, kështu që prodhimi ishte shumë i pakët. Veç kësaj, një sipërfaqe e madhe, lihej për livadhe apo edhe për zabele, të cilët përdoreshin edhe për kullotë edhe për lëndë druri. Veç kësaj, çdo familje, kishte bagëti nga 20-30 kokë deri 60-70 dhe në disa raste edhe më tepër, siç do të flasim edhe më poshtë (fq.11). Këtë numër bagëtish fshatari ishte i detyruar që ta mbante për të siguruar një sasi të ushqimit si mishin dhe bulmetin, leshin, lëkurët, po ashtu edhe plehun, të cilin e përdorte për tokën që kishte. Kështu që numri i bagëtive të fshatarit në çdo vit nuk ishte stabël, por ndryshonte sipas rasteve, sepse një sasi e shpenzonte për nevojat familjare si në pritje miqsh, në raste dasmash, vdekjesh, për festa të ndryshme fetare, një pjesë bëhej dëm nga dëmtime të ndryshme, nga sëmundjet, egërsirat etj; nga ana tjetër bëheshin përpjekje që të shtoheshin, duke mbajtur “për mbarë” (për shtesë, shënimi im) vetëm femrat dhe disa meshkuj të zgjedhur, kurse të tjerat i përdorte për nevoja të ndryshme, siç përmendëm më lart dhe për shitje, etj. Në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën, si bujqësia ashtu edhe blegtoria kanë zënë një vend me rëndësi në ekonominë e fshatit, por duke bërë një llogaritje të përafërt, mund të themi se bujqësia zinte rreth 55%, kurse blegoria rreth 45%”. Edhe kur ka pasur fshatari vetëm një copë selishtë (një copë tokë në afërsi të shtëpisë – sh.im), 10-15 kokë dhen ose dhi i ka mbajtur me çdo sakrificë. Në ato raste kur një familje, për një arsye ose një tjetër, nuk kishte sipërfaqe të mjaftueshme toke, bënte çdo përpjekje që të shtonte numrin e bagëtive, me prodhimin e të cilave siguronte një sasi të ardhurash që plotësonte nevojat ekonomike. Pra, duhet të themi se nuk ka pasur familje që të mos mbante bagëti, sadopak që mund të kishte. Burime të tjera ekonomike në një përqindje shumë të pakët (3-4 %) kanë qenë edhe tregtia jashtë fshatit dhe artizanati, por këto, si njëra ashtu edhe tjetra, bëheshin në periudha të ndryshme, e në këtë mënyrë ishte një burim gati i papërfillshëm. Burimet ekonomike kanë qenë dhe mbeten vetëm bujqësia dhe blegtoria edhe sot, kur kemi ekonominë e kolektivizuar.
- Në këtë material kemi theksuar se fshati ka një sipërfaqe mali me bimësi të pasur, po ashtu edhe një sipërfaqe të konsiderueshme kullotash alpine. Në vitet e kaluara, për shkak të kullotës së përshtatshme, si dhe të terrenit malor, fshati më tepër ka mbajtur dhi dhe më pak dhen, sepse dhitë mbaheshin më lehtë dhe ushqimi për to, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër sigurohej më lehtë e më me shumicë, kryesisht dushk. Kurse dhëntë i mbanin kryesisht për leshin, të cilin e përpunonin duke e bërë shajak apo punime të tjera në vegjë, qylyma, etj. Kështu p.sh. familja M.Çërri disa vjet mbas çlirimit, ka mbajtur deri 500 kokë dhi dhe rreth 70 kokë dele. Këto bagëti gjatë verës i mbante në mal, ku kishte stane, kurse për stinën e dimrit i mbante në mera (kullota jashtë rrethit, në zonat fushore). Kurse familja tjetër Sh.Dashi, familja më e pasur në fshat para çlirimit kishte rreth 1500 kokë dele dhe rreth 500 kokë dhi, veç lopëve e qeve. Edhe kjo familje në stane mbante bagëtitë gjatë verës, kurse në dimër i mbante në mera, meqë në fshat nuk mund të sigurohej ushqim i nevojshëm. Familjet e tjera që kishin nga 0 -20 deri në 100 kokë dele e dhi, mund t’i mbanin në fshat për stinën e dimrit, duke siguruar qysh në verë mullarë bari, jonxhe, dushku, tagji (misër, urov, tërshërë, etj). Përsa i takon shpërndarjes të bagëtive, duhet të themi se këto nuk ishin ndarë në mëhallë apo lagje, por më tepër sipas disa fiseve, siç do ta përmendim edhe më poshtë, kur është fjala për numër të madh bagëtish, kurse nën 100 kokë bagëti, kanë pasur mjaft familje. Ka pasur raste që në një periudhë të caktuar, një familje tregonte kujdes më tepër për shtimin numerik të deleve dhe në një periudhë tjetër të shtimit numerik të dhive, e kjo kryesisht për shkaqe ekonomike, por si dhitë ashtu edhe dhentë ishin të domosdoshme, sepse dhentë duheshin më tepër për leshin dhe mishin, po ashtu edhe për qumështin e trashë, ndonëse të pakët dhe për një periudhë më të shkurtër se sa të dhive, ndërsa këto të fundit, për qumështin, mishin më të bollshëm, leshin, lëkurët dhe plehun. Të dy këto lloje kryesore të bagëtive mbaheshin në tufa të veçanta, sepse mënyra e të kulloturit ndryshon, nga njëra tek tjetra, duke kërkuar trajtim të veçantë edhe me bari edhe me kërkesat e tjera biologjike.
- Përsa i përket numrit të bagëtive që kishte fshati para çlirimit, mund të themi se ishte relativisht i madh dhe arrinte deri në 6 mijë kokë, duke i llogaritur si tufa d.m.th. me shterpa me pëlleja, si numër total. Nga pohimet e pleqve, rezulton se disa vjet para luftës, ky numër ishte edhe më i madh, por nga viti në vit ndryshonte për arsyet që përmendëm më lart. Kur kemi shënuar shifrën e mësipërme kemi parasysh për të gjitha familjet e lagjeve që sot administrativisht janë fshatra më vete, si dhe familjet më me pak bagëti që ishin në qendër.
- Në Bërzeshtë ka pasur rreth 4 -5 familje që kanë pasur mbi 600 kokë bagëti; kështu ka qenë p.sh Sh.Doshi, i cili ka pasur rreth 200 kokë dhen e dhi, pëlleja e shterpa, veç kafshëve, të trasha dhe njihet si familja më e pasur që ka qenë deri në vitet ‘50. Pastaj vinin familjet e C.Blloshmit dhe B.Zogollit me nga 700 -500 kokë secila, si dhe familja Y.Çerri që ka pasur rreth 500 kokë dhi. Disa familje të tjera kanë pasur më pak bagëti nga 100 deri 300 kokë; kështu kanë qenë familjet; Zharri me rreth 250, Blloshmi (3 familje) me nga 200 kokë respektivisht, Poçi, Alla, Quku, Dashballa, Duçja, (nga Emri Sadush) Goçi, me rreth 1150 kokë dhen e dhi së bashku, kurse familjet e tjera që kanë pasur më pak (nga 10-25kokë) kanë qenë rreth 90, me numër të përafërt 1500 kokë dhen e dhi, kurse rreth 60 familje me 2-3 veta mesatarisht, nuk kishin bagëti, për arsye se nuk kishin mundësi t’i mbanin, ose kishin 3-4 kokë, në periudha të ndryshne. Pra, numri nuk ishte fiks i bagëtive të përgjithshme. Në vitet e para pas çlirimit, gati tek të gjitha familjet e mësipërme numri i bagëtive ishte më i ulët, sepse u dëmtuan gjatë viteve të luftës. Ky numër i lëvizshëm, vazhdoi me ulje dhe ngritje, ku më shumë e ku më pak, deri në vitin 1957, kur u bë kolektivizimi i bujqësisë dhe plotësisht në vitin 1967, kur përfundoi kolektivizimi i bujqësisë në të gjithë fshatrat e për çdo familje. Mbas kësaj periudhe u formuan tufat kolektive të kooperativës bujqësore, sipas statutit. Për këto tufa do të flitet në pjesën e fundit të këtij materiali, për blegtorinë e kolektivizuar.
- Familjet që kishin numër më të madh të bagëtive ishin më të pakta, në krahasim me ato që kishin numër mesatar, apo që kishin pak bagëti, duke llogaritur veças edhe numrin e atyre familjeve që nuk kishin fare bagëti. Më lart kemi treguar se si ishte gjendja e këtyre familjeve, d.m.th. për secilën kategori kemi dhënë me afërsi edhe numrin që ka pasur familja në bagëti. Në periudha të ndryshme, sipas pohimeve të personave të moshuar, numri i bagëtive në tufat e disa familjeve ka ardhur duke u ndryshuar, ashtu siç kemi folur edhe më lart. Për një periudhë prej 40-50 vjetësh, po ato familje që janë përmendur në sqarimin më sipër, kanë pasur një numër të konsiderueshëm bagëtish, i cili, herë pas here edhe ka ndryshuar, por nuk ka pasur ndonjë rast që t’u zhduken bagëtitë dhe të mos i shtojnë më. Pra, kemi të bëjmë me një traditë të gjatë të rritjes së bagëtive tek këto familje.
- Edhe numri i familjeve që kishin pak bagëti, ose që nuk kishin fare ka qenë i ndryshueshëm dhe kjo gjë ka ardhur si pasojë e disa faktorëve, si p.sh. një familje kishte pak persona dhe nuk mund të bënte në të njëjtën kohë punimin e asaj pak toke që kishte edhe të shkonte gjatë verës në stan; prandaj ose do të mbante rreth 15-20 kokë bagëtish, kryesisht dhi e më pak dele, ose nuk do të mbante fare. Ka pasur mjaft raste që këto bagëti mbaheshin edhe periodikisht d.m.th. mbaheshin 2-3 vjet më shumë bagëti, 2-3 vjet më pak, ose hiç fare.
BLEGTORIA E QËNDRUESHME
a) Kafshët shtëpiake dhe ushqimi i tyre
- Qysh në kohët më të lashta, fshati në vendbanimin e tanishëm, ka mbajtur një numër kafshësh shtëpiake, të cilat gjatë gjithë kohës, i ka përdorur për nevojat ekonomike, duke u bërë atyre shërbimet e mundshme, sipas kohës dhe vendit. Ndër kafshët shtëpiake, më tepër janë rritur e shtuar, ato prej të cilave populli merrte prodhime të ndryshme dhe që i kishte më të domosdoshme, siç janë: qumështi, mishi, leshi, lëkura, plehu, etj. Kështu mund të përmendim se për një periudhë shumë të gjatë dhe në numër sa më të madh, është mbajtur, delja, dhia, lopa, përsa i takon prodhimeve blegtorale, po ashtu edhe kafshët e samarit, si kali, mushka, gomari, për ngarkesë transporti, duke mos përjashtuar edhe kafshët e tjera si qeni, macja, apo edhe llojet e ndryshme të shpendëve. Si vend malor dhe me klimë të ashpër, në fshat nuk janë rritur, p.sh. buallicat dhe nga kjo, nuk është e njohur edhe leverdia ekonomike e saj. Pra, si kafshë shtëpiake, qysh në kohët më të lashta, janë të njohura: delja, dhia, lopa, kali, mushka, gomari, qeni, macja. Këto kafshë, për shekuj me radhë, i kanë shërbyer njeriut për nevojat ekonomike, prandaj për rritjen e tyre ka një përvojë të gjatë.
- Nga kafshët shtëpiake që përmendëm më lart, që njeriu ka pasur pranë qysh shumë kohë më parë, më të përhapurat kanë qenë delja e dhia, po ashtu edhe lopa. Për shkak se këto kafshë, në vende të ndryshme, kishin mundësi të ndryshme zhvillimi, mbaheshin sipas nevojave dhe mundësive që kanë pasur blegtorët. Kështu mund të theksojmë se kullota që ka pasur fshati, më tepër lejonte mundësitë për rritjen e deles, për stinën e verës dhe të dhive për periudhën më të gjatë të vitit, sepse dhitë mund të kullosin edhe kur vendi është i mbuluar me dëborë, kurse delja ose duhet të ketë ushqim në sasi të bollshme brenda në kasolle, ose duhet të kullosë në mera, larg fshatit. Nga sa pohojnë fshatarët që kanë pasur tufa, rezulton se më tepër ka dominuar numri i deleve, pastaj ai i dhive, e parë kjo në plan të përgjithshëm, kurse disa familje më tepër kanë mbajtur dhi se sa dele. Meqenëse lopa kishte nevojë për më tepër ushqim, kryesisht në stinën e dimrit, kjo është mbajtur më pak, por duhet të themi familjet në periudha të ndryshme kanë mbajtur lopë, duke u bërë atyre një shërbim minimal dhe zakonisht nuk janë mbajtur më shumë se dy lopë në një familje me 15-20 veta. Ka pasur raste kur ky numër kalonte, sidomos kur numri i bagëtive ishte mesatar ose i ulët. Tri-katër familje që kishin mbi 500 kokë bagëti, kanë pasur edhe më tepër se 3-4 lopë, mëshqerra si dhe qe pune apo dema, të cilët përdoreshin për punë, apo edhe për mish për sezonin e dimrit.
- Përsa i përket kategorizimit popullor që njihet për blegtorinë, veçanërisht në fshatin Bërzeshtë, duhet të themi se është si më poshtë: Kafshë të imëta dhe kafshë të trasha, në grupin e parë hyjnë dhentë (delet) dhitë; kurse në grupin e dytë hyjnë lopa, kali, mushka, gomari, me emrin e përgjithshëm hajvanë, prej ku kali, mushka dhe gomari quhen edhe hajvanë samari. Në kuptim më të ngushtë, hajvanë në blegtori, hyjnë lopa, kau me të gjithë grupet e veta duke i përmbledhur bashkërisht: lopë, mëshqera, viça, mëzetër (dema) kur këta janë të patredhur (skopitur) apo kur nuk kanë mësuar ta lërojnë tokën, qe (kur janë të tredhur dhe kanë 2-3 vjet që kanë zënë në parmendë). Po kështu, edhe grupi i kafshëve të imta, ndahet në të leshta (ku përmblidhen: qingjat, shelegët, dhentë, pëlleja e shterpa, meshkuj e femra) dhe të dhirta (ku hyjnë vetëm dhitë, meshkuj e femra, keca e ftuja, pëlleja e shterpa). Gjithashtu, për të dy llojet (të leshta e të dhirta) kemi edhe një kategorizim tjetër vetëm për të vegjëlit e tyre, d.m.th. kecat e qingjat, me një emër të përbashkët: vegjëli-a. Kështu p.sh. kur flasin blegtorët (më përpara kolektivizimit), për mbarëvajtjen e bagëtive thoshin: “Me krerët jo edhe keq, por vegjëlia nuk po na ecën”, d.m.th. ka dështime ose ngordhje të qingjave e kecave. Ndërsa të gjitha këto që përmendëm më lart, me një emër të përbashkët, njihen me emrin “gjë e gjallë”, prej nga vjen edhe shprehja frazeologjike: “Gjëja e gjallë të mban gjallë”!
- Sipas kategorizimit të mësipërm, duhet të themi se kafshë shtëpiake kanë mbajtur të gjitha familjet, kush më shumë e kush më pak, sipas mundësive që ata kanë pasur. Kështu vlen të theksojmë se një familje mund të mbante vetëm një lopë, një tjetër mund të mbante vetëm 5-6 dhi ose vetëm 7-8 dele, kurse disa të tjera mund t’i mbanin këto bashkarisht, kur kishin mundësi për të siguruar ushqimin për çdo lloj kafshe. Duke pasur disa lloje kafshësh, fshatari kishte leverdi ekonomike, sepse në çdo stinë të vitit mund të kishte një sasi bulmeti (kur kishte lopë mund të kishte qumësht edhe në dimër) si dhe mund të siguronte një sasi mishi më të bollshme, sepse p.sh. duke pasur një lopë, 5- 6 dele, 7-8 dhi, fshatari siguronte edhe qumështin, por mund të therrte edhe disa nga meshkujt e deleve dhe të dhive, kur ia donte nevoja, kurse delet mund t’i kursente, më tepër kryesisht për leshin. Pra, nuk ka pasur ndonjë kufi ndarës në këtë drejtim, por zakonisht është ndjekur një kriter që të ketë një farë larmie “mozaik”, si mund ta themi, në kafshët shtëpiake, me qëllim që të plotësoheshin disa nga nevojat më të domosdoshme të familjeve fshatare, në periudha të ndryshme.
- Për bagëtitë që mbaheshin me pakicë në familjet e ndryshme, nuk ka pasur ndonjë emër të veçantë. Edhe kur këto mbaheshin me pakicë, qëllimi kryesor i tyre ishte, marrja e qumështit, mishit, leshit, lëkurave. Kur ndonjë familje mbante ndonjë kokë (dele, ose dhi, kryesisht mashkull) për ta therur në ndonjë datë të caktuar, ose për ta pasur për prodhim më të bollshëm (kur ishte femër) i bënte një trajtim të veçantë, duke e ushqyer më mirë (me bukë, kripë, lëndë dushku, tagji, etj). Në këtë rast, qingji, ose milori (mashkull i deles 2 vjeçar), apo keci ose ftujaku (mashkulli i dhisë 2 vjeçar) populli i quante ogiç.
- Përsa i përket numrit të këtyre lloj bagëtive që ushqehen siç e përmendëm më lart, duhet të theksojmë se nuk ishin të shumta, zakonisht një ose dy e shumta, në një periudhë prej dy-tre vjetësh, ose edhe më tepër. Kishte raste që ogiç mund të mbahej një dash i mirë, të cilit, veç të tjerave, u bëhej edhe përdredhja e brirëve (për bukuri!). Një gjë e tillë bëhej me anën e brumit të nxehtë qysh kur ishte në moshën një vjeçare. Qoftë kur ogiçi ishte prej të leshtave, qoftë kur ishte prej të dhirtave, nuk lëshohej me tufën e madhe, por mbahej në shtëpi, kurse gjatë verës mund të mbahej 1-2 muaj në mal. Përsa i përket emrave Bravare ose Cangadhe në fshatin tonë nuk njihen.
- Gjendja ekonomike në vitet para çlirimit për popullin ishte e dobët dhe kushtet i detyronin fshatarët që kafshët shtëpiake në më të shumtën e rasteve, t’i mbanin në banesat e tyre. Kjo gjë e bënte shumë të rëndë jetën e fshatarëve, sepe gjendja e familjeve rëndohej shumë nga ana higjeniko-sanitare. Kështu mund të themi se edhe disa vjet mbas çlirimit, duke mos pasur kushtet e favorshme për banesat, disa familje sigurisht të rralla, i mbanin bagëtitë në të ndara me gardh me purteka. Kështu mbaheshin lopa dhe 3-4 kokë bagëti, dhen ose dhi e jo më tepër. Një pjesë tjetër familjesh i mbanin bagëtitë, lopët ose qetë e parmendës në quar (hajat, katua) . Quhej kështu dhoma e pasuvatuar në katin e parë, e cila përdorej vetëm për këtë punë. Edhe kjo gjë ishte e dëmshme, sepse dyshemeja ishte me dërrasa dhe gjatë stinës së verës, veçanërisht, ishte ambjent shumë i rëndë nga frymëmarrja e bagëtive. Një numër tjetër familjesh kishin vende të posaçme, të veçanta për bagëtitë, të cilat i quajnë kasolla.
- Kur folëm pak më lart se disa familje i mbanin bagëtitë e tyre në një vend të ndarë me purteka, zakonisht nga fundi i dhomës, patëm parasysh që këto ishin raste të rralla dhe të shkaktuara kryesisht nga pamundësia e tyre për të bërë ndërtesë për banim, e aq më tepër për bagëtitë. Veç kësaj, duhet të themi se si delet ashtu edhe dhitë duan vend të ngrohtë gjatë stinës së dimrit, sidomos të mbrojtur nga lagështira. Nga ky shkak nuk bënin vend të veçantë, por me që kishin ndërtesë dy katëshe (siç do të theksojmë edhe në ndonjë material tjetër, në Bërzeshtë shtëpitë më të shumta në numër kanë qenë dy katëshe, ndonëse të pasuvatuara apo të pamobiluara për kushte normale për të jetuar, me mungesa të ndryshme si dritare vetëm me kanata, pa suvatim, pa tavan, etj, pra meqë ndërtesat më të shumta ishin dy katëshe, katin përdhes e përdornin për të mbajtur bagëtitë. Në një quar (haur, katua) mbanin dhentë ose dhitë dhe në një tjetër lopën ose qetë e punës. Kjo bëhej për shkak se ushqimi i tyre ndryshonte si në sasi, cilësi, në kohë, përdorim etj. Gjithashtu, lopët mund t’i vrasin dhentë ose dhitë, sidomos kur ato janë barsa dhe mund të dështojnë (shtien, siç quhet në gjuhën e popullit në këtë zonë).
- Ndërtesat e veçanta për të mbajtur bagëtitë i bënin ato familje që kishin më tepër se 2-25 kokë bagëti ose dy lopë, e që nuk i nxinte vetëm quari. Kjo ndërtesë ishte zakonisht njëkatëshe dhe me përmasa 5x6x2 m ose 4x4x2 sipas numrit të bagëtive që mund të kishte familja. Kjo ndërtesë bëhej kryesisht me gardh, me hunj të çarë prej dru lisi (mynjë, e cila është pjesa më e fortë e lisit, me ngjyrë të zezë, në kafe) ose prej dru dëllinje, të cilët kanë veti që t’i rezistojnë lagështirës. Mbasi bëhet me gardh të trashë me purteka frashëri, ose vetëm me hunj të çarë, mund të lyhej edhe me baltë të zakonshme brenda dhe jashtë, me qëllim që të mos depërtonte era. Mbulohej me kashtë thekre ose tepe, të cilat kanë aftësi që t’i rezistojnë shiut për disa vjet me radhë. Mund të përdoren për mbulesë edhe dërrasa prej ahu ose bredhi, të çara me sëpatë (që quhen petavra-sh.im). Gjithashtu, në disa raste kasolla bëhet edhe me mur guri me baltë dhe mbulesa, po ajo që përmendëm më lart! Lartësia e kasolles nuk i kalonte më tepër se 2 m. Pjesa përmbi trarët mund të shërbejë edhe për të mbajtur vegla të ndryshme që mund të ketë familja, ose më tepër zahire (ushqim i thatë). Veç dimensioneve që kishte përbrenda kasolla, zakonisht lihej edhe një pjesë përjashta posaçërisht për të mbajtur ushqimin që do të përdorej gjatë natës, sidomos dushk, kashtë ose bar. Përsa i përket planimetrisë së kasolles, kjo ishte në formë drejtkëndëshe, herë-herë katrore ose edhe në formë L-je, dhe në mes e ndarë. Në njerën pjesë mbaheshin dhentë dhe në tjetrën dhitë, sipas nevojave e mundësive që kishte familja.
- Sipas pohimeve të pleqve dhe barinjve të vjetër, kasolla, ka qenë e përbashkët për të gjitha kafshët shtëpiake, me të ndarat përkatëse, por në ndonjë rast, lopët mund të mbaheshin në vend tjetër ose edhe në quar. Pra, quari ishte poshtë dhomës ku banonin njerëzit, kurse kasolla është e veçuar disa metra larg, emërtim tjetër nuk ka. Disa familje kanë pasur edhe kasolle ku mbanin vetëm ushqim për kafshët ose bagëtitë. Ndërtimi i tyre ishte i njëllojtë, por mund të ndryshonin përmasat. Kështu p.sh. kasolla e kashtës mund të ishte 3x4x2 ose 4x4x3 m. Dallimi bëhej vazhdimisht duke i emërtuar: kasolla e kashtës dhe kasolla e gjavet (Po kthehen gjatë nga kullota!). Familjet që i dimëronin bagëtitë në fshat, me ushqim të thatë (kur këto kalonin mbi 200-300 kokë, raste të rralla, në 2-3 familje!) bënin kasolla edhe për dhentë edhe për dhitë, sepse këto të fundit jo vetëm që u hanë ushqimin dhenve, për vetë natyrën e tyre, por ajo që ka më tepër rëndësi është fakti se i vrasin me brirë dhentë gjatë ngrënies. Kështu që lindte nevoja për dy kasolle. Këto ruheshin për kohë të gjatë.
- Ndërtesa ishte njëlloj si për dimër, ashtu edhe për verë, d.m.th. po ajo kasollë, veçse tufat e vogla, në verë, dhe kur nuk i kalonin në mal, i mbanin në një vathë të rrethuar me gardh, për shkak se nxehtësia e verës i dëmton bagëtitë. Për tufat e mëdha bëheshin vatha në mal tek stani. Kur zbriteshin nga mali dhe nuk i çonin në mera, u bënin vatha provizore për plehërimin e tokave të familjes.
- Shkaku që bagëtitë shtëpiake i mbanin gjatë stinës së verës në shtëpi, ishte se mund të mbaheshin me kullotë në malin pranë, duke u ruajtur me bari të veçantë për secilën familje. Një sipërfaqe e madhe e malit ishte kullotë e përbashkët, siç do të flasim edhe në pyetjen 26. Veç kësaj, ende më në afërsi të fshatit, para se të futesh në mal, është edhe një sipërfaqe e konsiderueshme rreth 30 ha, kryesisht kodrinore, e veshur me dru e shkurre të ndryshme (dushk, shkozë, mullezë) të cilën e kishin disa familje të përpjestuar, si tokë personale dhe e përdornin për kullota dhe lëndë druri. Zakonisht kjo kullotë mbrohej dhe nuk lejohej që të futeshin bagëtitë e familjeve të tjera. Kurse kullota të përbashkëta me fise, apo kullota në vende fetare nuk ka pasur fare në asnjë periudhë.
- Kemi përmendur në pyetjet e mësipërme se Bërzeshta ka pasur mal me kullotë shumë të mirë, me lloje të ndryshme e të shumta drunjsh. Më shumë vende të malit ka edhe burime uji me sasi të bollshme. Kjo gjë e bënte të mundur kullotjen e një sasie të madhe bagëtish gjatë stinës së verës, duke filluar qysh herët, Shëngjergjit (fillimi i muajit maj) e deri vonë në vjeshtë në Shënmitër (nga mesi i tetorit). Kurse gjatë dimrit nuk janë mbajtur asnjëherë bagëti, sepse bie shumë dëborë. Për rreth 4-5 muaj, bagëtitë (ato tufa që nuk shtegtonin) e kishin ushqimin të siguruar qysh nga fundi i verës, duke rezervuar kryesisht dushk (gjeth i prerë, i tharë, preh dushku, frashëri dhe drunjsh të tjerë), bar, prej livadheve që mbaheshin posaçërisht për sigurimin e barit dhe mund të kositeshin dy herë. Jonxha ka filluar të mbillet disa vjet pas çlirimit. Pra, periudha që bagëtitë nuk kulloteshin në mal, ishte prej muajit dhjetor e deri në fillim të majit. Kur nuk binte dëborë (gjatë ditës) edhe pse kishte rënë më parë, bagëtitë (vetëm dhitë!) nxirreshin nga kasolla dhe kulloteshin në malin pranë (Krastë), ku barinjtë u prisnin krand (dega të drunjve të ndryshëm, të cilët kishin filluar të bulëzonin). Pra kjo gjë bëhej aty nga fundi i muajit shkurt, kur drurët fillonin bulëzimin (zbutjen e sythëve për çeljen e fletëve). Periudha tjetër, mbahej çdo tufë në mal, sic e thamë më lart. Prerja e krandit bënte të mundur që bagëtia të mbahej në lëvizje dhe, duke kullotur në një farë mase, të kursehej një pjesë e ushqimit të thatë. Ky veprim ka qenë i njohur qysh shumë vjet më parë. Nga folklori popullor, mësojmë se kjo gjë (prerja e krand-it) bëhej edhe në zona të tjera të vendit: “Gur e dru po i than në mal/ T’tan i than e i ban krand/ Cofën gjaja e shkuen dam” (“V.e Kombit”. F.221). Pra bëhet fjalë për të ftohtit e madh që ka tharë çdo gjë e bagëtitë nuk kanë çfarë të hanë. Edhe krand -i nuk është gjë tjetër, veçse degë që ende nuk ka çelur. Nga fillimi i pranverës, kur hiqet pjesërisht dëbora, bagëtive u pritet krandi deri në zonat më të larta, ku ka drunj, ahu, dhe që dhitë e hanë më tepër. Pra, sa më shumë që afrohet pranvera, aq më tepër shtohet edhe kullota për bagëtitë.
- Gjatë kohës që nuk kishte ushqim në natyrë kafshët ushqeheshin me rezervat ushqimore që ishin siguruar gjatë verës. Kështu ka qenë dhe është tradita në ditët tona, që përsa kokë bagëti që të ketë një familje, do të marrë masa për të siguruar ushqimin e nevojshëm për periudhën e dimrit. Dikush mblidhte barin që kosiste nga livadhet dhe e vinte mullar në afërsi të shtëpisë. Në mos kishte livadh, do të interesohej që ta mblidhte në mal dhe e transportonte me kafshë në shtëpi. Veç kësaj, për ditë, ka qenë traditë që vihej dushk. Kjo gjë bëhej zakonisht në fund të muajit gusht; ata që kishin zabelet e tyre e prisnin aty, të tjerë e prisnin në malin e përbashkët dhe atje e vinin mullar. Dushkun e transportonin zakonisht në dimër, me krahë. Po ashtu edhe materiale të tjera që mund të siguroheshin, sipas mundësisë, si misër i dobët, urov, koçkull, lëndë dushku, etj.
- Periudha e dimrit, deri në një farë mase, ishte mjaft e vështirë për familjet e fshatit, qoftë për rezervat ushqimore të bagëtive, qoftë edhe për ato të vetë familjes. E, kjo ishte më e theksuar kur qëllonte që “dimri bënte mbrapa” d.m.th. binte dëborë me shumicë në muajin shkurt e mars, sepse rezervat vinin duke u mbaruar, kurse toka ishte e mbuluar me dëborë dhe pengonte daljen e bagëtive jashtë kasolles, për të kullotur sadopak, apo siç thotë populli “për të buditur”, d.m.th. dhentë i nxjerrin buzë kanalesh, a vendesh me ujë për të mbledhur ndonjë fije bari që jeshilon… Prej këndej ka ardhur edhe shprehja frazeologjike “Jemi në mars”, d.m.th. ishin gati në të mbaruar të gjitha rezervat ushqimore që ishin siguruar për dimër. Kujdes më të madh familjet tregonin për dhentë, sepse ato nuk mund të kullosin si dhitë dhe nuk mund të dalin edhe në dëborë! Kështu që kujdesi më i madh tregohej për sigurimin e ushqimit për dhentë e pastaj për dhitë. Kur kishte bar, ky mbahej vetëm për dhentë e sidomos në kohën e pjelljes. Po ashtu u jepej edhe dushk i thatë si dhe çdo gjë tjetër, sipas mundësisë që kishte familja. Për dhitë, gjithashtu tregohej kujdes, sidomos në kohën e pjelljes, por më tepër atyre u jepej dushk me sasi të mjaftueshme, kurse ushqime tepër atyre u jepej vetëm kur kishte raste që ishin të dobëta, apo ishin prekur nga ndonjë sëmundje. Prej këndej vjen edhe shprehja frazeologjike: “Ku di dhia ç’është tagjia?!”. Pra, edhe për këtë çështje nuk ka pasur “receta” fikse, por kuptohet qartë se ato familje që tregonin kujdes me ç’të mundeshin i nxirrnin bagëtitë të shëndosha dhe siguronin edhe lindje të mbarë.
- Përsa i takon mënyrës së konservimit të ushqimeve dimërore duhet të themi se bari e jonxha mbasi kositen, lihen 2-3 ditë të “piqen” nga dielli dhe, mbasi “marrin një faqe”, siç thotë populli mblidhen e bëhen kapica me madhësi rreth 40-50 kg ose më pak, sipas sasisë së barit, që ka livadhi. Mbasi rrinë rreth një javë, kur është kohë e thatë, mblidhen e transportohen tek vendi ku do të bëhet mullari. Ky mund të bëhet ose në tokë, duke e vënë me ngjeshje rreth e qark një druri të ngulur fort, ose mund të vendoset mbi një dru (arrë, gorricë, dushk, krekëz, sipas rastit), degat e të cilit janë ulur dhe kanë marrë formën horizontale nga pesha qysh kur është i parritur mirë; kjo gjë bëhet qëllimisht dhe ka një farë teknike. Druri vertikal ruhet me kujdes dhe mund të jetë ose i vetë arrës apo dushkut, ose i vendosur më vonë. Për këtë qëllim përdoren drurë jo frutorë, ose ndonjë arrë që nuk prodhon ose që është “gungë” siç thotë populli. Ky dru në gjuhën e popullit quhet shtrat. Ky bëhej për të mbrojtur barin ose kashtën nga lagështia ose nga kafshët e afërta. Dushku konservohej në këtë mënyrë: Aty nga fundi i gushtit, kur moti është i thatë, mbasi jepej leja nga personat përgjegjës të pyjeve, pritet dushku, d.m.th. degat deri tek kurora. Majat e drurit nuk priten. Degët e prera mblidhen, bëhen tufa dhe lihen për një ose dy ditë që të“piqet”. Duhet pasur kujdes që dushkun të mos e njomë shiu, sepse nxihet dhe nuk e hanë bagëtitë. Mbasi “piqet” dushku mblidhet krahë-krahë dhe transportohet tek vendi ku do të bëhet mullar; majat e degave vendosen në drejtim të drurit, kurse të prerat nga jashtë, me qëllim që të kullohet uji i shiut ose dëbora. Mullarët vendosen drejt, për të mos u kalbur. Kur dushku konservohet mirë, mbetet i gjelbërt natyral dhe kjo gjë vihet në dukje me shprehjen frazeologjike “Qenka lakër”, dmth i pastër dhe me ngjyrën e bardhësisë së lakrës kokërr. Bagëtive mund t’u jepej për të ngrënë, sigurisht kur kishte mundësi, edhe bishtaja fasulesh të thata, që në gjuhën e popullit quhen “gështarje”. Këto kanë vlera të shumta ushqyese. Edhe ushqimet e tjera konservohen, sipas mundësive që ka çdo familje. Tagjirat (urovi, koçkulli, misri etj., të bluara) ruhen në vende të posaçme dhe përdoren në raste të veçanta (atyre që janë më të dobëta) si dhentë në kohën e pjelljes.
- Termi “mullar” është i njohur prej shumë vjetësh dhe përdoret për bar-in, kashtën, dushkun. Thuhet mullar bari, mullar kashte, mullar dushku (ose vetëm dushk), mullar byku. Një pjesë e këtyre ushqimeve që konservohen për dimër, nuk ruhen mullar, por, siç e theksuam më lart, futen në kasollet përkatëse dhe vendosen të sistemuara që të mos dëmtohen. Në kasolle, ushqimi i konservuar, ruhet më mirë dhe konsumohet plotësisht. Për sigurimin e këtyre rezervave, përdoreshin edhe mjete të tjera, ku mund të ruheshin sasira ushqimesh me pakicë. Kështu ishte p.sh. edhe koçek-u, i cili bëhej me hunj të gjatë rreth 2 m. Nguleshin në mënyrë vertikale, në formë rrethi, me diametër 1.5 m apo më tepër, thurej me purteka shkoze, frashëri ose lajthie dhe mbulohej me duaj kashte misri apo me dushk. Aty futej edhe ndonjë ushqim që ishte mbledhur gjatë verës, si bar, të rralluara (misër i prerë gjatë prashitjes për rrallim!) si dhe mbeturina të tjera, si kashtë të lashtash ose dhe kunguj apo ndonjë ushqim tjetër që familja e paramendonte për ta përdorur për bagëtinë në një periudhë të caktuar të vitit.
- Për sigurimin e ushqimeve të bagëtive për stinën e dimrit, detyrë e kishin të gjithë pjesëtarët e familjes, sepse nga ky ushqim varej edhe prodhimi blegtoral, bulmeti që do të merrej prej kafshëve, pra ushqimi i zakonshëm i familjes. Por kryesisht, për barin kujdeseshin burrat, për kositjen e barit, vënien mullar, etj. Po ashtu edhe për dushkun, meqë kërkonte një punë më të madhe dhe për një kohë më të shkurtër, merrnin pjesë jo vetëm burrat, por edhe gratë e fëmijët e rritur që mund të ndihmonin në mbledhjen e dushkut sa më shpejt. Dushku i mbledhur vihej mullar në madhësi prej 30-40 krahë ose barrë. Një barrë është sasia e dushkut që mund të mbajë mesatarisht një burrë (30-40 kg). Llogaritej që dushqe (mullarë) të viheshin aq sa nevojiteshin për bagëtitë, mesatarisht një dushk për 5 kokë (me 30-40 barrë). Në kohën kur fillohej që t’u jepej ushqim, d.m.th. nga fillimi i dhjetorit ose edhe më parë (kjo varej nga moti dhe nga gjendja e kullotave) dushku i thatë transportohej me krahë nga pjesëtarët e familjes ose edhe duke marrë argatë (për të ndihmuar). Kur transportohej shumë ose i gjithë dushku, vihej mullar tek kasolla e bagëtive, ose kur kishte mundësi futej në vend të mbrojtur nga shiu e bora, ose siç thuhet në gjuhën e popullit, vihej në të terur (në vend të thatë).
- Dhënia e ushqimit bagëtive ka pasur rëndësi të madhe dhe kjo për arsye që kafshët të mund të shëndosheshin sa më mirë, si dhe për anën ekonomike, sepse nga mënyra e të dhënit të ushqimit, varej edhe shfrytëzimi i plotë i tij. Për këtë qëllim, fshatarët kujdesen që kafshët ta hanë sa më shumë ushqimin e dhënë. Për t’ia arritur si duhet kësaj, veprohet në mënyra të ndryshme: Ushqimi mbahet në vend të veçuar, të mos shkelet nga kafshët, të mos ndotet me mbeturina të ndryshme; kashta e misrit e trashë, pritet me sëpatë, që ta hanë më lehtë, kur është shumë e ashpër (në raste ngricash) njomet me ujë të vakur duke i hedhur pak kripë, po ashtu edhe dushku. Si kashta, ashtu edhe bari, kafshëve dhe bagëtive të imta, u vihet në një të ndarë me drurë, gardh ose dërrasa që quhet grazhd. Ky ndërtohet në vendin ku lidhet kafsha (lopa, kau) në një lartësi rreth 60 cm nga toka dhe me gjerësi 40-50 cm nga muri. Gjatësia varet nga vendi. Në këtë grazhd, futet kashta ose bari. Mbeturinat e pakta që mund të gjenden, nxirren prej tij dhe përdoren zakonisht për shtresën e kafshëve. Ndërsa ndryshe veprohet me dushkun: kur është rasti që u jepet dhenve, ky vendoset në disa krraba të ngulura në tokë (tek grazhdi) ose mund të ngulen edhe në mur, sipas rastit, në një lartësi jo më tepër se 70-80 cm. Vendoset në mënyrë horizontale, me qëllim që të ketë mundësi delja ta arrijë, sepse ato janë edhe më të larta me trup, por kanë mundësi që të ngrihen, duke vendosur në degat këmbët e para. Pra, lartësia mund të jetë e njëllojtë me delen, por dhia nuk e le dushkun pa ngrënë, sepse ajo manovron me çdo mënyrë që ta arrijë atë. Përsa i takon tagjisë, kur ka raste që u jepet dhive ose dhenve, kjo shtrihet në lugje prej druri. Lugjet janë drurë me gjatësi 4-5 m dhe me diametër 25 -30 cm, të shkubuar (të gdhendur me dalta ose disa lloje sqeparësh që përdoren posaçërisht për këtë punë). Mund të shkubohen gjatë gjithë gjatësisë së tyre, ose mund të ndahen në disa si formë kutie, që në secilën prej tyre të futet në një kokë deleje ose dhije. Ushqimi i tagjisë (misër i blojtur, urof, koçkull, tërshërë, etj) bëhet zakonisht në periudhën e pjelljes së bagëtive, prandaj, me qëllim që ato të mos shtyjnë njëra-tjetrën gjatë ngrënies, dhenve u jepet veç, kurse dhive veç. Lugu vendoset në afërsi të kasolles në një lartësi 60-70 cm lart, zakonisht në dy krraba të forta në formë V-je, të ngulura në tokë. Veç sa përmenda më lart mund të përdoren edhe enë të ndryshme prej druri ose metalike, më të vogla, kur është rasti që bagëtive tagjia nuk u jepet në masë, por vetëm 3-4 kokëve që janë më të dobëta, pra këtu kemi të bëjmë me ushqim të diferencuar. Të tilla enë, barinjtë i kanë përgatitur vetë, sidomos disa kupa prej druri me madhësi të ndryshme.
Legjenda:
Ndërtimi i lugut:
- Trashësia e anësorit: 50-60 cm
- Vendi i laspitur i anësorit
- Laspitja e sipërme e anësorit
- Mbërthimi i anësoreve me kánxha
- Mbërthimi i drurëve të shtresës
- Trupat e transportuar në lug
- Rrugë dekovili në vend të sheshtë
- Trupa për t’u transportuar me lug
- Gurë dhe drunj që shtrëngojnë anësoret
- Shtresa e lugut me drurë deri 30 cm trashësi
- Trupi në lug gjatë rrëshqitjes
- Dalja e trupit nga lugu
Skicuar sipas kumtimit gojor të Qazim Hasulës, 47 vjeç, nga fshati Gurrë, i cili ka qenë punëtor në sharrë prej vitit 1949, deri më 1966-ën në Dárdhas (Hotolisht), Xhyrë, Liqeni i Cákës, Bregu i Plépit, Vishók dhe Lëpúshë.
- Për ujin që është po aq i domosdoshëm sa edhe ushqimi, si në stinën e verës, ashtu edhe në dimër, ka një rregull të caktuar, sepse nga dhënia në një kohë të caktuar të ujit dhe në sasinë e duhur, varet edhe ngrënia e rregullt dhe në masën e caktuar e ushqimit. Në stinën e verës, kur kullota është e mirë dhe të nxehtit është më i madh, nevoja për ujë është më e madhe, prandaj në kullotat verore, tek vendburimet e ujit, për të pasur mundësi të gjitha kafshët dhe që të pijnë aq sa duan, përgatiten lugje gati njëlloj si ato që përmendëm më lart, vetëm se më të gjatë, duke vënë 3-4 të tillë njëri mbas tjetrit dhe paksa nën njëri-tjetrin, me qëllim që të ndarat e lugut me nga një kanal të vogël në mes, mbasi të mbushen me ujë, të lejojnë daljen e tij për në lugjet e tjerë. Veç lugjeve, në kullota malore mund të shfrytëzohen edhe disa gropa të bëra nga barinjtë njëlloj si lugu, kur ka pak ujë, hauze të ndryshme, bëhen disa prita me gurë nëpër prroje, që të mbushen vendet e thelluara, etj. Për bagëtitë që mbaheshin në fshat, uji ishte në sasi të bollshme dhe nuk ndjehej nevoja që të bëheshin të tilla mjete. Në dimër, kur nuk ka shumë dëborë, bagëtitë çohen në një vijë uji, burim apo kanal, ku mund të pinë sa duan. Kur moti është me dëborë në raste të rralla, kur bie shumë, është ftohtë dhe bagëtitë nuk mund të dalin jashtë, merret dëborë, futet nëpër kusi të mëdha dhe tretet në zjarr. Ky ujë u jepet bagëtive, sidomos atyre që janë pëlleja. Më tepër kujdes tregohet për sigurimin e ujit në stinën e verës, sepse rezervat janë më të pakta. Nga mungesa e ujit bagëtitë preken nga një lloj sëmundje në mëlçinë e bardhë, ose siç e përdor populli, qimëzohen. Uji u jepet, siç e thamë edhe më lart, në një kohë të caktuar, zakonisht mbasdite, me qëllim që të pijnë të gjitha, sepse në mëngjes ka ndonjë që nuk është e etur sa duhet dhe mund të mos pijë. Kur ka mundësi, mund t’u jepet edhe dy herë në ditë. Edhe kripa ka rëndësinë e saj shumë të madhe për blegtorinë. Veç nevojës biologjike që ka kafsha për kripën, si ushqim, ajo ndikon shumë edhe për ngrënien e ushqimit, pirjen e ujit, gjallërimin e kafshës në tërësi. Gjatë stinës së verës kripa jepet më shpesh, sepse ushqimi është i njomë dhe lejon marrjen e kripës në sasi më të madhe. Kurse në dimër, kripa plotësohet edhe me forma të tjera, si hedhjen e ujit me kripë për zbutjen e ushqimit, pjesërisht gjatë dhënies së tagjisë, etj. Kripa u jepet në vende të caktuara, në rrasa guri me një farë lartësie nga toka, ose edhe nëpër disa lëndina me bar të pastër. Këto quhen vjollca. Zakonisht jepet kripë në çdo 5 ditë, duke llogaritur rreth 800-1000 gramë për çdo 50 kokë. Ndërsa dhive, veç dhënies direkte, kripa mund t’u jepet edhe në formë solucioni, ku hidhet me anën e një dege me gjeth (spërkatet) në një vend me gjeth të dendur, zakonisht dushqe. Këtë gjeth të bërë me shëllirë, dhitë e hanë deri në fletën e fundit. Ka qenë si zakon disa vjet më parë që kripa t’u jepej bagëtive në një ditë të caktuar të javës, zakonisht të premten, se gjoja kripa u bënte më mirë; u jepej edhe ditën e mërkurë. Ky zakon ka disa vjet para kolektivizimit që nuk ruhet më. Me anën e kripës bariu i ndillte bagëtitë (mjaft që ato ta ndjenin se bariu kishte kripë me vete) dhe mund t’i drejtonte andej nga ai donte vetë. Ditën që u jepej kripa bagëtive, u duhej shtuar sasia e ujit dhe si sasi edhe si radhë, sepse u shtohej etja më shumë. Ruhej ndonjëherë që moti të ishte me vranësira ose kohë e freskët, që të mos nxeheshin shumë, sepse kjo ndikonte në prerjen e qumështit. Pra, bëhej gradualisht, duke zgjedhur mundësisht edhe kohën, në përshtatje me mundësitë që kishte bariu për tufën e vet ose për kullotën, sasinë e ujit, distanca e ujit nga vendi i kullotës, numri i bagëtive, etj. Blegtorët në çdo periudhë dhe gjithmonë i kanë kushtuar kujdes të veçantë sigurimit të kripës dhe përdorimit të saj.
- Në fazën e pjelljes bagëtive u jepej ushqim i diferencuar, për shkak të lehtësimit të gjendjes së tyre fizike, pak ditë para dhe mbas pjelljes. Kjo punë bëhej kur numri i bagëtive barsa ose atyre që pillnin nuk ishte i madh. Kështu që bagëtive u jepej një sasi krunde misri me ujë të ngrohtë, kripë, përzierje tagjirash të blojtura, siç kemi përmendur më lart, etj. Zakonisht një ushqim i tillë u jepej bagëtive, kur ato ishin të dobëta dhe kur numri nuk ishte i madh. Në tufat e vogla shtëpiake, me jo më tepër se 10-15 kokë, kur pjellja bëhej graduale, d.m.th. brenda 2-3 javëve ose 1 muaji pillnin të gjitha delet ose dhitë, mund të përdorej më tepër ushqimi i diferencuar me disa nga rezervat ushqimore që siguronte vetë familja gjatë vitit për këtë qëllim. Në tufat e mëdha që kullotnin në mera gjatë dimrit, ushqime të tilla përdoreshin, por vetëm tagjia që sigurohej sipas mundësive. Bagëtitë që pillnin, veçoheshin nga të tjerat, me qëllim që edhe ushqimi t’u jepej në kohën e masën e duhur, por edhe kullota të ishte më e mirë se e atyre të tjerave. Ky trajtim bëhej jo më shumë se 4-5 ditë para e pas pjelljes. Për ruajtjen e këtyre bagëtive, zakonisht kujdesej një bari më me përvojë, kurse në bagëtitë shtëpiake, ato që pillnin, mbaheshin në kasolle, duke u shtirë ushqim, siç treguam më lart, dhe duke u shtuar më tepër racionin e përditshëm. Në rastet e pakta, ku ndonjë dele ose dhi qumështin e kishte me pakicë, mund të mbahej edhe më tepër se sa zakonisht, derisa t’i shtohej qumështi.
- Nga të gjitha familjet e fshatit që kishin bagëti, një pjesë i kullotnin në vendet e kullotave të përbashkëta, siç kemi folur edhe më lart, por disa familje, për të mbajtur një numër bagëtish rreth 60-70 kokë, si për stinën e dimrit, ashtu edhe për verë, pa i kaluar ato në mera, mundoheshin që të siguronin një pjesë tokash për kullota (zabele) si dhe disa livadhe për sigurimin e barit për dimër. Kurse zabelet përdoreshin edhe për stinën e verës, po ashtu edhe për dimër, duke siguruar dushqet (mullarë).
Këto toka, zakonisht bliheshin nga pronarë të ndryshëm në vitet e hershme para çlirimit dhe deri para kolektivizimit, disa familje i kishin këto toka dhe i përdornin për kullota. Nuk lejoheshin per-sona të ndryshëm që të prisnin dru ose dushk në zabelet e personave që i dispononin këto zabele. Familjet që i kishin këto toka kullotash, bagëtitë e veta i kullotnin edhe në pjesë të përbashkëta të fshatit, sepse sipërfaqja përkatëse nuk mjaftonte për gjithë kohën dhe atë numër bagëtish që kishte.
- Përsa i takon ndarjes së kullotave personale, këto nuk ishin ndarë me fise apo në lagje, por më tepër si familje. Çdo familje kishte sasinë e vet të kullotës. Kështu kishte familja Zharri, Dashi, Blloshmi, të cilat kishin edhe më shumë bagëti. Këto kullota këta i përdornin për nevojat e veta dhe nuk linin të futeshin bagëti të familjeve të tjera. Kurse disa familje kishin pjesë më të vogla. Të gjitha familjet që kishin kullota (zabele) ishin të pajisura prej shumë vjetësh me një përvojë të veçantë, si për kullotjen e bagëtive, ashtu edhe për sigurimin e ushqimit për stinën e dimrit. Të gjitha kullotat kanë qenë në pjesën perëndimore dhe jug-perëndimore të fshatit. Edhe kjo lloj ndarjeje me familje ishte bërë për qëllim që të kishin mundësi të kullotnin bagëtitë e tyre dhe të ruhej për një kohë të gjatë nga prerja, gjë që e dëmtonte në masë të konsiderueshme pyllin dhe kullotën. Kjo ndarje ishte shumë e theksuar dhe vazhdimisht bëheshin shitje e blerje pjesësh të tilla për kullota, deri në periudhën e kolektivizimit të bujqësisë.
- Për kullotjen e bagëtive nuk ndiqej ndonjë rregull i veçantë, sepse nuk ishte e mjaftueshme për të gjithë stinën e verës, por shfrytëzohej edhe mali i përbashkët, për ato familje që kishin mundësi të dilnin në stan, si edhe për ato që i mbanin në shtëpi. Në raste të veçanta, bagëtitë e njërës familje kullotnin në zabelet e një familjeje tjetër. Kjo ndodh, kur familjet bien në marrëveshje me njëra-tjetrën, ose në mënyrë të fshehtë. Në këto raste ndodhnin edhe mosmarrëveshje edhe zënie midis familjeve, por që kryesisht baza e kullotës ka qenë dhe mbetet Mali i Gjerë i Bërzeshtës me kullotë aq të pasur, plot bar e gjeth, me lugina të bukura, sheshe të rralla e plot kundërmime, me bukuri të jashtëzakonshme, me burime uji të akullta si kristali, me ajrin e shëndetshëm, nën qiellin plot kaltërsi.
- Familjet që kishin një numër të madh bagëtish, kullotat personale (toka që kishin blerë) për nevojat e tyre të përbashkëta (vendi i staneve afër njëri-tjetrit, uji i pijshëm për bagëtitë, etj.) i përdornin kullotat bashkërisht. Kjo gjë bëhej vetëm kur kishin mirëkuptim midis tyre dhe kishin një farë lidhjeje farefisnore ose miqësie, ndërsa familje të tjera nuk lejoheshin të kullotnin bagëtitë, përkundrazi, kullotat ruheshin me shumë kujdes që të mos përdoreshin nga të tjerët.
Po ashtu edhe kullotat që bliheshin për një vit ose më tepër nga një familje prej një familjeje tjetër, përdoreshin prej asaj familjeje që e blente dhe për aq kohë sa e kishte bërë akt-marrëveshjen (sipas bisedimit që kishin bërë të dy palët).
Gjatë gjithë periudhës, kullota ishte me shumë rëndësi për familjet që kishin bagëti dhe nga familjet e ndryshme bëheshin përpjekje që këto, me një formë ose një tjetër, të shtoheshin dhe të ruheshin vazhdimisht.
Të pakta ishin familjet që bënin sistemime dhe pastrime në kullotat, por në përgjithësi këto kullota ishin të pastra dhe nuk infektoheshin, sidomos ato maloret.
- Për kullotën e përbashkët të fshatit kemi folur pak më lart, por mund të theksojmë se kjo ka qenë e tillë qysh prej shumë vjetësh të kaluar dhe njihej me emrin “mushaf” katundi. Në mushafin e katundit kullota bëhej e lirë, si për ata që kishin shumë bagëti, ashtu edhe për ata që kishin më pak; këtu kemi vetëm një dallim se aty ku kulloste bagëtitë njëra familje, në qoftë se kjo nuk donte (këtu është fjala për bariun që i ruante bagëtitë) nuk lejonte që të afroheshin aty pranë bagëtitë e një familjeje tjetër. Kjo ndodhte për shkak që njëra familje mund t’i kishte bagëtitë me ndonjë sëmundje si ngalosë, çalëz etj. Gjithashtu, ka qenë si rregull, që disa familje i kullotnin bagëtitë vetëm nga veriu. Kështu mund të përmendim konkretisht se disa nga familjet që i kullotnin bagëtitë nga vendi i quajtur “Skrapanik-u” nuk i çonin ato nga vendi që quhet “Vila”, etj. Kjo ndodhte edhe për shkak të pozicionit të fshatit, distanca e kullotës nga një vend në një tjetër, etj. Për mushafin e katundit nuk është paguar ndonjë taksë nga familjet e ndryshme. Para çlirimit, vendoseshin disa kufij me shenja të dukshme, por jo fikse, p.sh. qysh tek Guri i Korbit e deri tek Lugu i Thellë, krahu i majtë, nga rrjedhin ujrat (rrëketë e malit) mund të kullosnin bagëtitë e lagjes së sipërme të fshatit dhe të disa familjeve në afërsi, kurse nga ana e kundërt, nga krahu i djathtë (ana veriperëndimore) kullotej prej bagëtive të lagjes së poshtme të fshatit.
Veç mushafit, ndonjë ndarje tjetër të kullotës së fshatit edhe më parë se viti 1900, me sa kanë kumtuar persona të moshuar, nuk ka pasur.
Edhe në ditët e sotme ajo pjesë e malit që ka qenë më parë mushaf, kullotet nga bagëtitë e kolektivit (bagëtitë personale që mbajnë anëtarët e kooperativës sipas statutit) me bari të caktuar posaçërisht.
- Siç kemi përmendur edhe më lart, kullota kishte shumë rëndësi për blegtorët, sepse nga kullota varej edhe prodhimi i bagëtive apo kafshëve. Prandaj, kur bagëtitë nuk shtegtonin në merá, në stinën e vjeshtës ktheheshin nga mali dhe mbaheshin në fshat. Prandaj gjithësecili mendonte që, në një mënyrë ose në një tjetër, të siguronte një farë kullote për bagëtitë, deri sa bagëtive t’u jepej ushqim i thatë. Për këtë shkak, livadhet e kositura, të reshtura (të mbrojtura nga bagëtitë dhe të vaditura herë pas here), mezhdat e ndryshme të arave, hamullat (parcelat e mbjella me misër dhe të liruara nga prodhimi), si dhe të gjitha qoshet e arave dhe lëndinat e ndryshme që kishin familjet e fshatit, i përdornin për nevojat e tyre dhe në asnjë rast nuk lejohej që të kullotnin bagëtitë e familjeve të tjera. Kjo ndryshonte kur familjet binin në marrëveshje midis tyre, ose kur një familje mund t’ia jepte vetë një pjesë kullote me para (sipas rastit), apo me bulmet, kur familja që jepte kullotën, nuk kishte prodhim të mjaftueshëm nga bagëtitë e veta. Këto kullota shfrytëzoheshin prej periudhës që ktheheshin bagëtitë nga mali, deri kur zinte bora e bagëtitë viheshin në ushqim të thatë.
- Qysh prej 70 vjetësh të kaluar, në fshatin Bërzeshtë, si institucion fetar ka qenë vetëm xhamia. Ndërtesa e saj e vjetër në qendër të fshatit ka qenë prishur dhe ajo që ka qenë deri vitet e fundit është ndërtuar në vitin 1938. Kjo nuk frekuentohej sa mund të frekuentohej p.sh. në Çermenikë ose gjetiu; vetëm ditët e premte, pak besimtarë të moshuar vinin aty për pak orë. Prandaj, ky institucion nuk dispononte fare toka për kullotë. Po ashtu edhe mallra të tjera, apo kafshë e bagëti, xhamia nuk ka pasur asnjëherë. Duhet të themi se edhe në fshatrat e tjerë të luginës së Shkumbinit, xhamitë nuk dispononin kullota apo materiale të tjera, as edhe gjë të gjallë. Një rast i tillë ka qenë vetëm në Vakëfin e fshatit Llëngë (Pogradec), ku mblidheshin disa bagëti dhe një tufë prej rreth 50-60 kokë (herë-herë më tepër ose më pak), kulloteshin në disa korije të Vakëfit (Kisha e Shën Marenës), si mund ta quajmë (sepse predikohej feja e krishtere nga prifti), por edhe karakteristikat e një institucioni fetar të krishterë nuk i ka pasur, sepse frekuentohej edhe prej myslimanëve si vend i “shenjtë”. Por zona e Bërzeshtës kullotat i ka pasur vetëm të fshatit, qoftë ato që ishin personale, qoftë edhe ato të mushafit.
- Për rastet e kullotjes së bagëtive në kullotat e të tjerëve, janë marrë masa të ndryshme si me gjobitje, ashtu edhe me forma të tjera, si zënie, deri në akte të hidhura, veprime këto që kanë ndodhur në të kaluarën e largët. Gjobitja bëhej nga kryepleqësia me shuma të ndryshme pagash, sipas dëmit që bëhej në kullotat. Vlera e marrë nga gjoba, i paguhej drejtpërdrejt personit që i është bërë dëmi. Po kështu veprohej edhe për dëmtimet në tokat e mbjella. Gjoba vihej zakonisht në para, por në të kaluarën caktohej edhe prodhimi në masa të ndryshme, me okë apo kg osmak, dume, teneqe, etj. Mbas çlirimit për vlerësimin e dëmeve që bëheshin me bagëtitë, krijoheshin komisione të përbërë nga 3- 5 vetë, nga një për çdo mëhallë. Këto zgjidheshin nga populli dhe për çdo vit. Rastet e hidhura kanë ndodhur shumë vjet më parë në kullotat malore, kur persona të ndryshëm me bagëti futeshin natën në kullotat e atyre që i kishin ato personale. Edhe sot shihen shumë lart në kullotat malore disa varre të vjetër të personave të rënë nga plumbat e personave “hakmarrës”. Dhe këto ngjarje të hidhura, që i përkasin së kaluarës së largët, tregohen gojë mbas goje nga fshatarët e moshuar…
- Gjobat, siç thamë, mblidheshin nga komisioni përkatës dhe kur ishte në një sasi të konsiderueshme, i jepej personit që dëmtohej, por një pjesë e pakët i mbetej komisionit, me qëllim që të kompensohej koha e humbur që merreshin me vlerësimin nga një familje, tek një tjetër. Shuma e mbajtur në këtë rast, nuk i kalonte më tepër se 100-200 lekë të vjetër dhe mbahej vetëm në raste të rralla. Ndarja bëhej e barabartë midis personave, por mbas viteve ’50 kjo formë nuk përdorej më. Mbas kolektivizimit të bujqësisë, komisionet e vlerësimit kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për forcimin e ekonomisë së përbashkët, me qëllim që jo vetëm dëmet të mos bëheshin të përsëritura, por, dëmtuesit të çdëmtonin plotësisht. Vlerat e marra prej këtyre personave, shkojnë gjithmonë në favor të kooperativës bujqësore.
PRODHIMET NGA KAFSHËT
“Moj Larukë, moj gjibutë Po t’mjel dada, me m’ndje urtë”.
- Mjelja e kafshëve qysh në vitet e hershme ka qenë puna e grave dhe pjesërisht e burrave që rrinin me bagëti, në stane apo në shtëpi. Jo të gjithë burrat dinë të mjelin bagëti, por në raste të veçanta e kanë bërë. Barinjtë që kanë vjetërsi me blegtori, tregojnë se mjelja kërkon një aftësi të veçantë, sepse jo vetëm që nuk duhet lënë qumështi në gjirin e deles ose dhisë, por nga ana tjetër, me shtrëngimet e tepërta të kallamave të gjirit, u sjell shqetësimet ngacmuese bagëtisë. Eksperienca ka treguar se lopa p.sh. kur mësohet që milet për një kohë të gjatë prej një dore, nuk e jep qumështin njëlloj (si sasi) kur kjo dorë ndryshon. Po kështu mund të themi edhe për kafshët e imta, dhitë e dhentë. Tufat e vogla që verës nuk shkonin në stan, zakonisht mileshin nga gratë, kurse në stan këtë punë më tepër e kanë bërë burrat që merreshin me ruajtjen e tyre. Për këtë, më hollësisht, do të flasim më poshtë.
- Për mjeljen e bagëtive rëndësi ka pasur që kjo të bëhej sa më shpejt, që të ishte e mundur, për shkak se vonoheshin bagëtitë për kullotë, si dhe përpunimi i qumështit kërkonte një periudhë të caktuar. Koha e mjeljes varej nga numri i bagëtive dhe i mjelsave. Sa më shumë bagëti që të ishin, aq më tepër do të zgjaste edhe koha e mjeljes së tyre dhe në të kundërt, sa më shumë mjelsa që të ishin, për të njëjtin numër bagëtish, aq më pak zgjaste ajo. Kështu mund të themi se një tufë me rreth 100 kokë bagëti pëlleja, kërkonte rreth 1 orë me dy çifte mjelsash. Disa barinj të sprovuar në këtë drejtim e bënin një punë të tillë për më pak kohë. Mjelja bëhej dy herë në ditë, kur ktheheshin në darkë në vathë dhe në mëngjes. Ka pasur raste që ato mileshin edhe në drekëherë, d.m.th. kur ktheheshin në vapë. Kjo më tepër në tufat e vogla që nuk shkonin në stan, por kullotnin në mushafin e katundit dhe në drekë ktheheshin në shtëpi. Kur bagëtitë kullosnin mirë gjatë ditës, sasia e qumështit ishte më e bollshme dhe disa familje mund t’i milnin edhe në mëngjes, para nxjerrjes në kullotë.
- Për prodhimin e qumështit të parë, nuk ka pasur ndonjë emër të veçantë nga blegtorët, por në fazën e pjelljes, kur sapo lind viçi, qingji apo keci, qumështi është i trashë, si në formë të mpiksur dhe quhet edhe sot e kësaj dite me emrin kulloshtër-a. Ky lloj qumështi zgjat jo më tepër se 3 ditë për lopën dhe 1 ditë për kafshët e imta. Ky qumësht zakonisht, mblidhet dhe shpërndahet nëpër familje të afërta, si prodhim i parë. Ka qenë zakoni që ky prodhim nuk duhej që të përflitej, por të hahej dhe të bëheshin urimet tradicionale, si: “Ta hani gëzuar”, “Ua shtoftë e mira”, etj.
- Mjelja e bagëtive dhe e kafshëve, bëhej siç e treguan edhe më lart, sipas radhës që caktohej nga barinjtë. Zakonisht, dhentë e dhitë mileshin dy herë në ditë (për rastet e staneve) kurse lopët mileshin edhe tri herë në ditë, sidomos 3-4 muajt e parë mbas pjelljes. Kjo radhë ndiqej gjithmonë nga stanorët dhe sipas kësaj radhe përpunohej edhe qumështi. Bagëtitë e mbajtura në shtëpi, mileshin, në mëngjes, mbasi ktheheshin për drekë (rreth orës 9.30). Po ashtu edhe në darkë, kur ktheheshin nga kullota. Disa raste, kur ushqimi ishte i bollshëm dhe në fazën e parë mbas pjelljes, bëhej edhe mjelja para se të dilnin në kullotë (në mëngjes herët). Bagëti të veçanta, që kishin qumësht më tepër, mund të mileshin edhe më shpesh. Kjo gjë varej nga ushqimi dhe trajtimi i veçantë që mund t’u bëhej bagëtive.
- Për mjeljen e bagëtive në stan, ndërtohej shtrunga. Kjo ndërtohej nga vetë barinjtë, vendi kryesor ku bagëtitë flinin, rrethohej me gardh me hunj të çarë prej dru lisi me gjatësi rreth 2.5 m. Këta hunj nguleshin thellë në tokë dhe thureshin me gardh me dega të trasha prej lisi ose ahu. Nga ana e prapme futen bagëtitë nëpërmjet derës, e cila ishte po prej hunjsh të çarë me dimensione rreth 15 cm gjerësi. Dera sigurohej mirë, që të mos hapej nga kafshët. Pra, vendi i rrethuar quhej vatha (kjo nuk ishte e mbuluar). Kurse dera e daljes, më e vogël se ajo e hyrjes, prej nga dilnin bagëtitë për mjelje, quhej shtrungë. Për këtë duhet të themi se kjo ishte një lloj dere e lartë rreth 1.20 m e gjerësi 1 m. Tek hunjtë ku kufizohej shtrunga, purtekat ktheheshin me qëllim që të mos ngecnin bagëtitë gjatë daljes. Shtrunga, gjatë natës zihej me një trihër të ndërtuar po prej hunjsh dhe me dega, e cila ishte e lëvizshme. Natën, kur ishin futur të gjitha bagëtitë në vathë, shtrunga mbyllej mirë. Në zonën tonë nuk njihet ndonjë lloj tjetër shtrunge. Funksioni i tij ka qenë që bagëtitë të renditeshin për mjelje dhe të mos mbetej as edhe një dele apo dhi pa u mjelë. Nga ana e jashtme e shtrungës viheshin dy, katër deri 6 gurë të mëdhenj, ku uleshin mjelësit, të cilët ishin barinjtë ose dhe persona të tjerë që punonin në stan. Sipas numrit të bagëtive mund të ishin edhe mjelsat. Mund të ishin dy veta (njeri në një anë, tjetri në anën tjetër dhe merrnin nga një bagëti me radhë), por mund të ishin edhe katër apo gjashtë. Pra, kjo varej nga numri i bagëtive e, si rrjedhim, edhe nga numri i personave që u shërbenin atyre. Ndonjë ceremoni e veçantë për këtë nuk organizohej, por ditën kur ndërtohej vatha, bëhej një drekë (zakonisht oshmar-gatesë me miell misri me gjalpë e trazuar apo edhe qumështor). Koha që zgjaste për përdorimin e shtrungave ishte një vit, por edhe më tepër, sepse vatha që bëhej tek stani riparohej çdo vit, po kështu edhe shtrunga. Kjo varej edhe nga materiali prej të cilit ishte ndërtuar vatha apo shtrunga. Kur bagëtitë ktheheshin nga stani (është fjala për ato që nuk shkonin në mera) gjatë kohës që mbaheshin në ara për plehërim, ndërtoheshin vatha, njëlloj si në mal, vetëm me material më të hollë, sepse këto ishin të lëvizshme (me javë) dhe shtrungat nuk bëheshin aq të rregullta, por sa që të kishin mundësi për të dalë. Duhet të theksojmë se fjala shtrungë është e përdorur në periudha të hershme dhe e gjejmë edhe në zonat e veriut, gjë që na e dëshmojnë vargjet e folklorit popullor: “Gurët e shtrungës si karriga ari/Shegjat me t’amël mbushë e lulëzue” (tek “Visaret e Kombit” f. 204), Ashtu siç janë të njohura edhe fjalët: stan, vathë, mriz, shegje (enë druri), ogiç, rrunxë, krand, grigjë, etj: “Dilshe në derë të stanit/ Qitshme krahët xhamadanit/ U veshëshe ke dera e vathit/ Bashe mriz në hije t’ahit”! (Po aty f.207). Nga sa kemi mbledhur për këtë material, del se aty ku kemi vathë, kemi edhe shtrungë.
- Në lidhje me madhësinë e vathave, duhet të theksojmë se kjo varej nga numri i bagëtive. Për këtë mendohej që bagëtitë të kishin vend të lirë, se gjatë vapës ato e ndjenin ngushtimin edhe më tepër. Gjithashtu, duhet thënë se nuk ishte e domosdoshme që vendi të ishte fare i sheshtë, mjaft që të mos kishte gurë, shkurre, etj. Pra në një vathë mund të futeshin 200 -300 kokë bagëti. Vatha e dhive zakonisht bëhej më vete, por në disa raste, kur nuk ishin shumë bagëti, mund të ndërtohej një vathë e përbashkët me delet. Blegtorët e kujdesshëm, vathat e dhenve i ndërtonin më vete, sepse nuk donin që dhitë të mbaheshin përzier me delet, për shkak të goditjeve që zakonisht bëjnë dhitë me brirë, urina e dhive nuk u bën mirë deleve, etj. Vendi i hyrjes, siç e thamë, është dera e vathës, siç e thotë edhe kënga nga veriu, kurse ajo e daljes është shtrunga. Ka pasur raste që në shtrungë qëndronte vetëm një mjelës, kurse bagëtitë në çdo rast (një person tjetër i nget bagëtitë që të afrohen tek shtrunga) daljen e bëjnë vetëm tek shtrunga, sepse aty do të milen. Në tufat e mëdha, shterpat mbahen më vete, jo vetëm në vathë, por edhe për kullotë. Siç na e thotë edhe Naimi, në viset e jugut, bariu i shterpave, quhet edhe me emrin shterpar. Prej andej duket që ka depërtuar deri në viset tona, por më rëndom, kjo fjalë njihet me emrin bariu i shterpave. Nuk është e njohur tek ne shprehja “sy shtrungë” as edhe ndonjë emërtim tjetër i këtij lloji. Duhet të themi se shtrunga ndërtohet nga ana që kishte më shumë hije, sepe bariu do të qëndronte duke mjelë për një kohë pak a shumë të gjatë dhe bagëtitë nuk qëndrojnë lehtë në diell. Edhe vatha bëhej ku të kishte hije, sipas mundësive dhe pozicionit të vendit ku ishte ngritur stani.
- Ndryshimi midis shtrungave verore dhe ato dimërore, është se gjatë verës ato ndërtohen në mal, kurse gjatë dimrit bëhen në merá, ku bagëtitë shtegtojnë, por mjelja nuk bëhet para se të kthehen bagëtitë nga merája. Për ato që pjellin më herët, bëhen disa shtrunga provizore, ku mileshin pak vetëm për barinjtë. Për këtë qëllim mund të shërbejë edhe dera kryesore, kur bagëtitë mund të jenë futur nëpër kasolle.
- Në lidhje me ceremonitë e veçanta të ndërtimit të vathave, veç kemi përmendur më lart, nuk kemi ndonjë gjë për të shënuar, sepse barinjtë gati gjatë gjithë periudhës bënin rregullime, sipas nevojave që mund të kishin. Vetë ngjitja e bagëtive në mal ishte ngjarje e gëzuar për blegtorët dhe ky gëzim që përshkonte gradualisht të gjithë pjesëtarët e familjes pasqyrohej në të gjitha veprimet e tyre, si tek të rriturit, aq më tepër tek të vegjlit, të cilët nuk u gëzoheshin dot shqerrave dhe kecave me blegërimat e kërcimet e tyre plot gjallëri, për të cilët na ka shkruar aq ëmbël Naimi.
- Siç kemi theksuar edhe më lart, bagëtitë, gjatë verës, veçanërisht dhentë, kanë nevojë për hije. Sapo fillon vapa, ato nuk kullosin, por futen nën hije, madje edhe kur nuk ka hije, ato qëndrojnë grumbull dhe futin kokën pranë njera-tjetrës. Sa e sa shkrime flasin për mrizin e bagëtive nën hijen e freskët të aheve dhe lisave: “Sa kam pas çoban beqar/ hangra bar-o malevet/ bana mriz-o lisavet”. Prandaj edhe vathat ndërtoheshin në ato vende ku të kishte hije. “Nën një mal dy edha bashkë/ Hajshin gjeth e pijshin ujë/ Bajshin mrizin nën nji gurrë…” (“Këngë Popullore Lirike”, fq.94). Megjithëkëtë, siç e kemi treguar edhe më lart, mali i Bërzeshtës është krejtësisht i veshur me drurë plot gjethe dhe, nga ky fakt, nuk ka qenë problem çështja e sigurimit të hijes në vatha, sepse në kohë të nxehtë tufat mrizenin në ambjent të hapur nën hije. Në përgjithësi, ndërtimi i vendeve të strehimit të bagëtive gjatë verës, bëhej vetëm nga blegtorët, gratë nuk kanë marrë pjesë në rregullimin e tyre. Në raste të veçanta, kur stanet ishin afër, bashkëpunonin blegtorët (2-3 familje) për rregullimin e staneve, vathave, kasolleve, deri në ruajtjen e bagëtive sipas llojeve, p.sh. në ndonjë rast të veçantë, kur mungonte ndonjë bari, bëhej bashkimi i tufave; njeri bari (i njerit stan) ruante dhitë e të dy palëve, kurse tjetri ruante vetëm dhentë, kjo mund të bëhej për një periudhë të shkurtër 2-3 ditë. Ka qenë si rregull që stani bëhej në një vend për disa vjet me radhë; kur paraqitej ndonjë nevojë edhe mund të lëvizte, si shtesa e bagëtive, zgjedhja e kullotës, etj. Kur bagëtitë e mbaronin periudhën e mrizit, barinjtë thoshin: “do të tundin bagëtitë” d.m.th. do t’i lëvizim për të kullotur. Kjo ndodhte kur bënte shumë vapë. Në mot të freskët, bagëtitë qëndronin më pak në mriz. Në raste me zagushi, bagëtitë kullotnin me zor dhe kërkonin që të qëndronin sa më shumë në hije. Periudha e mrizimit është në një kohë që barinjtë kanë mundësi të merren me punë të ndryshme, me pushim duke i rënë fyellit, etj. Sa e sa këngë popullore flasin për këtë aspekt të jetës baritore.
- b) Çobani
“Mos na shko përpara stanit, se të ha qen’ i çobanit”!
(“Visaret e Kombit”, fq.283)
- Për të caktuar personin që do të bëhej çoban, në familje nuk ndiqej ndonjë kriter i veçantë, por kryesisht merrej parasysh dëshira e vetë personit. Kështu, ndodhte që një pjesëtar i familjes, zakonisht në moshë të re, shprehte vetë dëshirën për të shkuar me bagëti dhe kjo dëshirë i merrej parasysh nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Personi në fjalë, që merrte përsipër të ruante bagëtitë, kishte një farë pasioni për to, kënaqej kur u shërbente apo rrinte me bagëtitë dhe plot shfaqje të tjera. Po ashtu kishte edhe prirje të tjera, si: i vinte përdoresh të bënte punime druri, zgjidhte kullotat, etj. Kishte raste që çobanin e caktonte kryetari i familjes ose i pari i shtëpisë. Këtu merrej parasysh që ky person të mos ishte shumë i aftë për punë bujqësie (sepse bagëtitë mund t’i ruante edhe një person që nuk merrte vesh shumë nga bujqësia). Çobani duhej të kishte kujdes që të siguronte kullotën, ujin, të mos i humbisnin bagëtitë, të mos i binte egërsira në tufë, të ruante tufën nga tufat e tjera me ndonjë sëmundje si zgjebja, bruceloza, etj. Po ashtu ai kujdesej për tërë kompleksitetin e kërkesave të përmirësimit të tyre, duke zgjedhur ato bagëti të veçanta që ishin të njohura për qumësht, lesh, pjellshmëri të mbarë, etj. Ai kujdesej edhe për ushqimin e diferencuar sipas nevojës që kishin bagëtitë.
- Nga eksperienca e gjatë e blegtorëve, dimë se bagëtitë kanë kërkesa të ndryshme, kryesisht për kullotën. Kështu p.sh. dihet që dhentë kërkojnë kullota me bar me zona të sheshta ose kodrinore të çveshura, kurse dhitë duan kryesisht vend kodrinor-malor të veshur me gjeth të bollshëm dhe të ndryshëm. Kështu që kur tufat janë të përziera ka vështirësi në ruajtje, sepse dhitë ikin më shpejt dhe kërkojnë kullota të tjera, kurse dhentë mezi futen nëpër vende të mbuluara me shkurre. Por kur tufa nuk është e madhe, deri 30-50 kokë, një çoban mund t’i ruajë si dhentë ashtu dhe dhitë, duke i futur bagëtitë në vende të përshtatshme. Dhentë i mban nëpër sheshe e lëndina, kurse dhitë i fut nëpër pllaja të veshura. Këtyre u qëndron në vende të dukshme dhe i kthen andej nga i intereson atij. Pra, janë manovrimet e çobanit që lejojnë mbajtjen e dhive bashkë me dhen. Ka raste kur dy-tre çobanë (gjithnjë e kemi fjalën për ata që nuk i kullosin në stane) i bashkojnë tufat sipas llojeve: d.m.th. njeri merr dhitë dhe i fut në një drejtim, kurse tjeri merr dhentë dhe i kullot andej nga është kullota më e mirë. Kjo ndodh për lehtësi pune për të dy palët e bëhet me dashjen e të dyve që gjatë verës kullosin në stane, vendoset çoban për dhentë dhe çoban për dhitë, sepse u shërbehet më mirë dhe sipas kërkesave që ato kanë. Pra, eksperienca e blegtorëve është që tufat të jenë të veçuara, kurse për nevojë, kur familja nuk ka shumë persona apo bagëti me shumicë, këto i ruan vetëm një çoban, siç e treguam më lart. Edhe për lopët, në çdo rast, caktohet një person më vete, kur kulloten në mal, kurse në fshat gjatë verës, lopët i ruan ndonjë person që mund të mbajë edhe dhitë ose vetëm dhentë, si tufa të veçuara, duke vepruar sipas nevojave që kanë dhe kullotave që gjenden për to.
- Për tufat e vogla të fshatit nuk ka pasur raste që të vihej një bari a çoban i përbashkët. Për çdo familje që caktonte një person të veçantë, mund t’i mbante bashkë me një familje tjetër gjatë kullotës, madje mund të mblidheshin disa prej tyre dhe i kullotnin bagëtitë në një krah kullote. Të qenët bashkë e disa tufave, për kullotën e tyre nuk ishte i favorshëm, sepse aty ku mund të kullosnin 100 kokë, kullosin më mirë e më shumë 50 kokë, por për ruajtje është më mirë, se njeri qendron në një krah dhe tjetri në një krah tjetër. Kështu që rreziku nga egërsira është më i pakët. Ka edhe nga ata që duan t’i kullosin bagëtitë në mënyrë të veçuar dhe nuk i përziejnë bagëtitë me të tjerët; për t’i ruajtur nga infeksioni, të bëhet kullotja më e mirë në vende të pakullotura, apo pak të kullotura, etj. Kurse tufat në mal, në më të shumtën e rasteve mbahen veç e veç, por në ndonjë rast, për arsyet që përmendëm më lart (nevojat e vetë çobanëve) edhe mund t’i bashkonin, por kjo varej nga rasti, vendi, koha e rrethana të tjera të paparashikuara. Çoban i përbashkët është përdorur, si mëhallë, vetëm për lopët. Kështu qysh në vitet e para mbas çlirimit e deri në kolektivizim, në mëhallën e poshtëme dhe të sipërme kanë pasur çoban për lopët. Për shumë vjet me radhë çobani ishte vendas (H.Muça dhe ishte vetëm për stinën e verës. Kurse çoban të ardhur nga fshatra të tjerë ka pasur vetëm familja Dashi dhe këtë person e kishte si kryeçoban. Raste të tjera nuk ka pasur.
- Nga sa kanë pohuar vetë personat që kanë qenë çobanë për një kohë të gjatë, si dhe nga sa kemi parë vetë gjatë disa viteve, mund të themi se gjendja ekonomike e këtyre personave që vinin për të ruajtur bagëtitë apo kafshët, në mënyrë individuale, apo kolektive, ishte e dobët dhe me t’ardhurat ekonomike që kishin nuk mund t’i siguronin nevojat familjare. Duke punuar për rreth 6 muaj si barinj apo çobanë, ata mund të siguronin një sasi të të ardhurave të nevojshme për familjen.
- Personi që merrej me ruajtjen e bagëtive quhej thjesht bari, si për tufat e dhive, ashtu edhe të dhenve, pëlleja, shterpa, apo të përziera. Kurse ai që ruante lopët, gjatë gjithë periudhës është quajtur lopçar. Ndërsa nga populli me emrin çoban quheshin ata persona që vinin me tufa të mëdha nga ndërmarrjet blegtorale. Në raste të veçanta bariu quhej edhe çoban qysh prej shumë vjetësh të kaluar, gjë që na e dëshmon edhe kënga popullore: “O moj e shoqe e çoban bashit/ moj, tarnanina,/ A mos e pe subashin tonë/ moj tarnanina”. Ndërsa me emrin poják (në të folmen e popullit-polák) quhej para e pas çlirimit personi që shërbente për të lajmëruar lajme të ndryshme nga personat drejtues në fshat apo këshilli popullor (korrieri). Edhe ky caktohej nga fshati dhe paguhej me t’ardhura në natyrë dhe të holla, sipas një mase të caktuar. Polák katundi për shumë vjet me radhë, deri në vitet e kolektivizimit ka qenë Sh.Pici nga fshati Bërzeshtë (sot fshati Gurrë).
- Bariu paguhej sipas një çmimi të caktuar me marrëveshje midis të dy palëve qysh në fillim. Kështu që atyre që kishin tufa të mëdha, si Dashi, Blloshmi etj., u duhej të bënin një pagesë të rregullt me para. Këto para i paguheshin në një periudhë të caktuar, në 3-6 muaj ose deri në 1 vit. Sasia e pagës ishte relative, varej nga numri i bagëtive ose nga nevoja që kishte personi marrës (pronari) ose dhe bariu vetë. Para çlirimit pagesa bëhej me napolona, 2-3 në muaj, kur ishte rasti i kryebariut dhe 1 napolonë në muaj për barinjtë e zakonshëm. Kjo ishte shumë që ndryshonte sipas vendit dhe personave (pronarit e bariut). Mbas çlirimit ishte deri në 3 mijë lekë të vjetër në muaj, duke mos llogaritur ushqimin që hante bariu dhe veshjen (një palë rroba, opingat, gunën). Pra, për pagesën nuk ka pasur ndonjë rregull të prerë, por bëhej sipas rasteve që përmendëm më lart.
- Kur bëhej marrëveshja për të shërbyer si bari, midis të dy palëve, vendosej se si do të bëhej pagesa, në fillim apo në fund të vitit, ç’mall do të merrte nga prodhimet blegtorale dhe sa para i takonin. Pas kësaj marrëveshjeje, bariu ishte i detyruar që të zbatonte atë që kishte pranuar në marrëveshje. Për bagëtitë e imta nuk merrej parasysh numri i kokëve, kurse për lopët çdo familje paguante të ardhura në natyrë sipas marrëveshjes (zakonisht, drithë, rreth 25 kg për kokë në vit). Veç sa përmendëm më lart, lopçari vinte radhazi çdo natë për darkë nëpër familjet, aq net sa krerë kishte familja. Gjithashtu merrte edhe bukë me vete për ditën e nesërme. Kishte raste që ndonjë familje i jepte lopçarit ndonjë palë opinga (kishte raste që mund t’ia blinin, por mund t’i jepnin edhe lëkurë lope të thatë, për të bërë opinga (sasia e lëkurës kishte përmasat rreth 55 cm x 25 cm). Lëkura mbahej për 10-15 orë në ujë, zbutej dhe punohej sipas zakonit që ka qenë.
- Bariut që merrej për të ruajtur bagëtitë, nuk i jepeshin bagëti, por vetëm para, ushqim, veshje dhe në ndonjë rast të rrallë, mund t’i jepte pronari ndonjë bagëti, kur bariu i paraqiste ndonjë nevojë të madhe, të cilën ia zbriste nga shuma që i takonte për të marrë. Për pagesën ka qenë si rregull që paguhej në fund të shërbimit, por në ndonjë rast (kur kishte nevojë bariu për ndonjë hall të madh familjar), paguhej edhe në fillim. Nëqoftëse donte të merrte shumën përkatëse, duhej të plotësonte afatin e caktuar, përndryshe kishte rrezik që të mos merrte pagesë fare. Kur paraqitej ndonjë arsye e fortë, bindëse, mund të largohej bariu para kohe, duke marrë pagesën për kohën që kishte punuar.
- Të gjitha sa i jepnin lopçarit si gunë, opinga, ushqim, pajime të ndryshme, sipas nevojës që mund të kishte, nuk i llogariteshin në pagë. Arsyeja që nuk llogaritej në pagë, ishte se këto jepeshin periodikisht, me përjashtim të ushqimit që ishte i përditshëm. Për veshjen, nuk kishte ndonjë rregull fiks, por, kush kishte mundësi, mund t’i jepte diçka më tepër. Haka, siç e quante populli, pagesën e lopçarit, i jepej kur të kishte mundësi njëri ose tjetri, sigurisht, duke bërë vetë kërkesën më parë. Me marrëveshje, qëllonte që dikujt nuk ia merrte hakën në bereqet, por në para, sipas mundësisë e rastit që i delte vetë lopçarit.
- Vetëm në ndonjë rast të rrallë, kur pronari mund t’i jepte ndonjë bagëti çobanit, sipas kërkesës që i bënte ky i fundit, ai mund ta mbante delen ose dhinë në tufën që ruante vetë, sigurisht për një farë afati. Këto kanë qenë raste të rralla. Në shumicën e rasteve, çobani nuk merrte bagëti, por para. Për kullotën, kur mbante bagëtinë në tufën e pronarit, nuk paguante, pavarësisht nga koha që e mbante bagëtinë në tufë.
- Rastet e ruajtjes së tufave me çoban (bari) kanë qenë të shumta, por marrëveshja midis palëve bëhej, në më të shumtën e rasteve, vetëm për pagesë në të holla ose t’ardhura të tjera, me të cilat bëheshin kompensime, sipas kërkesave të njerit ose tjetrit. Prandaj themi se çobani nuk kishte të drejtë që krijonte tufë me bagëtitë që mund të përfitonte si rezultat i shtesës së përvitshme nga bagëtia që pronari mund t’i jepte, siç e përmendëm më lart. Edhe çobanët që vinin, posaçërisht për ruajtjen e tufave të mëdha, ishin të rrallë.
- Nga përvoja e deritanishme, rezulton se nuk ka pasur ndonjë numër konstant që të ruante çobani, por flitet se çobani i zoti, mund të ruante deri 200 kokë dele ose 100 dhi, duke pasur edhe 3-4 qen bagëtish. Më tepër nuk mund të ruante, sepse, vetë natyra e bagëtive është që njeri duhet t’i drejtojë, pra, t’u qëndrojë në ballë, kurse një tjetër, të qëndrojë në krahë, për të mos evituar ndonjë ndalesë të bagëtive. Prej ku, mund të humbin (nga ergërsira ose edhe nga ndonjë person që tentonte për një gjë të tillë). Pra, në tufat e mëdha kishte 3-4 barinj, 5-6 qen, veç tufave të veçanta me shterpa ose shqerra apo keca, që kishin bari më vete. Këtu duhet të themi se numri ishte i lëvizshëm nga një bari tek një tjetër dhe nga një tufë tek një tjetër. Kur bariu nuk i komandonte dot bagëtitë, kishte raste që i humbisnin bagëti. Pra, sa më pak bagëti që të kishte tufa, aq më me lehtësi mund të ruhej tufa.
- Zakonisht, marrëveshja midis palëve, bëhej për një vit. Për këtë periudhë, çobani ishte i detyruar që, në bazë të pagës së pranuar në marrëveshje, të qëndronte dhe të shërbente me kujdes e besnikëri, që të kishte prodhim e shtesë të bollshme në tufë, të mos dëmtonte kullotat e të tjerëve dhe të mos kishte çrregullime në punën e vet. Vetëm me arsye të forta e bindëse, çobani mund të largohej para kohe, duke marrë edhe shumën përkatëse për kohën që kishte punuar, si dhe po të donte, në krye të vitit, mund t’i shprehte dëshirën pronarit që të qëndronte me tufën e tij. Rastet e largimit kanë qenë më të shumta dhe këto vinin nga që pagesa ishte e ulët dhe çobanët kërkonin një vend ku të kishin t’ardhura pak më të larta.
- Në rastet kur familja nuk kishte mundësi që të ruante tufën e bagëtive të saj, detyrohej që të merrte bari me pagesë, siç e kemi theksuar edhe më lart. Por në shumicën e rasteve, çdo familje, për tufën e vet, kishte bari i cili rrinte vazhdimisht me bagëti. Edhe në ato pak raste që familja merrte bari, sepse numri i tufës ishte i madh, kishte bari edhe të vetin, madje më tepër se një, siç ishte, fjala vjen, familja Doshi e Blloshmi. Ndërsa rastet që jepeshin bagëtitë tek ndonjë familje tjetër ishin të rralla dhe vetëm kur ishin të pakta, deri 10 kokë, dhe në këtë mënyrë thuhej se jepeshin me “oka”, d.m.th. familja disponuese merrte prej familjes që ruante bagëtitë një sasi prodhimi që peshohej me okë, siç do të flasim edhe më poshtë. Pra, familja blegtorale që kishte tradita në rritjen e bagëtive, për të siguruar sa më mirë zhvillimin e tyre, caktonte barinë, i cili ishte një person që kishte dëshirë të veçantë për të shkuar me bagëti dhe të kujdesej veçanërisht për to.
- Personi që merrej me pagesë si bari, zakonisht ishte i largët që kishte nevojë për pagesë dhe nuk gjente variant tjetër fitimi, kurse rrallë ka ndodhur që janë marrë edhe persona nga fshati, të cilët kishin nevojë.
- Marrëveshja që bëhej midis pronarit dhe çobanit ishte e ndryshme në vende dhe kohë të ndryshme, sepse, siç e kemi theksuar edhe më lart, ishin të ndryshme numri i bagëtive në tufa, gjendja ekonomike e vetë pronarëve, kushtet dhe rrethanat detyruese të çobanit, etj. Pra, sa më shumë nevojë që të kishte çobani, aq më me lehtësi do të pranonte kërkesat, të cilat do t’ia parashtronte pronari. Sa më i madh ishte numri i bagëtive në një tufë, aq më tepër do të kërkonte çobani që pagesa të ishte e “arsyeshme” sipas hallit që kishte ai. Marrëveshja bëhej gojarisht midis pronarit dhe çobanit. Bisedohej për pagesën, për kohën që çobani do të qëndronte (zakonisht një vit), si dhe ndonjë kërkesë që mund të lind rastësisht midis palëve. Shëngjergjit (në fillim të majit), ose Shënmitrit (në tetor) bëheshin më tepër marrëveshjet, qoftë për pranimin ose largimin e çobanit në tufë, qoftë edhe për kalimin nga një tufë në një tjetër (nga bari i dhenve, shkonte me dhi apo anasjelltas). Marrëveshja nuk bëhej me dëshmitarë dhe kjo gjë ishte në dëm të çobanit, sepse kishte raste që për “shkaqe” të ndryshme pronari e përzinte çobanin dhe nuk ia jepte hakun (pagesën përkatëse). Kur ishte rasti që çobani do të rrinte prapë në po atë tufë, mjaftohej vetëm me pohimin dhe pagesa ishte po ajo. Kur çobani kishte punuar mirë, nuk kishte pasur humbje në bagëti, me pak fjalë kur kishte treguar me fakte zotësinë e tij si çoban, ndodhte që mund t’i ngrihej pak pagesa, por kjo ishte shumë e rrallë. Pavarësisht nga sa thamë më lart, duhet të theksoj se puna e çobanit kurrë nuk është vlerësuar e paguar si duhet nga pronarët.
- Kemi përmendur më lart se disa pronarë me pak bagëti që nuk kishin mundësi t’i ruanin vetë, i jepnin në persona të tjerë që kishin mundësi t’i ruanin, sepse kishin pak bagëti vetë. Në këtë rast bëhej marrëveshja që për mundimin që kryhej për shërbimin e bagëtive, pronari të merrte një sasi prodhimi (bulmet dhe lesh) prej atij që i merrte bagëtitë për t’i ruajtur. Ndërsa një pjesë të prodhimit e merrte personi që ruante bagëtitë. Ky lloj veprimi quhej “dhënie me oka”, sepse pronari i krerëve (bagëtive) merr prodhimin me peshë oke. Kështu, në krye të periudhës, pronari merr 2 okë gjalpë, 3 okë djathë, 5 okë gjizë, si dhe bashkën e leshit për çdo kokë. Pesha e bulmetit ka qenë e njëllojtë për çdo rast kur jepeshin bagëtitë me oka, por ka pasur raste që pronari mund t’i linte ruajtësit e bagëtive edhe të vegjëlit nga lindja. Kjo ndodhte kur bagëtitë liheshin për një kohë të gjatë, 5-6 vjet, etj. Dhënia me oka kishte një fitim për familjen që i ruante, kurse për familjen disponuese, kishte një fitim gjysmak, por nuk kishte mundimin e ruajtjes. Raste të tilla ka pasur rëndom deri në ditët e vona të kolektivizimit.
- Rastet që pronarët mund të bashkonin bagëtitë kanë qenë shumë të rralla dhe për këtë kemi folur më lart. Këto bashkime bëheshin vetëm për qëllime të ndihmës që mund t’i jepnin çobanët njeri-tjetrit gjatë kullotës në male në stinën e verës. Kurse vetë pronarët me dashjet e tyre nuk i kanë përzier bagëtitë dhe kjo për arsye se nuk donin të humbisnin kullotat që kishin fituar me para ose me mënyra të tjera.
- Në lidhje me shenjat që mund t’u viheshin bagëtive duhet të themi se kur i përzienin bagëtitë çobanët për një farë kohe, nuk u bënin ndonjë shenjë të veçantë, sepse ato i njihnin me që kishin kohë të gjatë që rrinin me to. Për këtë qëllim mund të shfrytëzoheshin shenjat që kishin pasur më parë, kur i çonin në merá. Zakoni ka qenë prej shumë kohësh të shkuara që çdo pronar të kishte shenjën e vet në tufë. Kjo gjë lehtësonte dallimin e kokëve që mund të ngatërroheshin, apo mund të humbisnin. Kështu mund të përmendim se familje të ndryshme kanë pasur shenja të tilla si prerja në formë v-je në veshin e majtë, (dikush e kishte në veshin e djathtë) shpuarja e veshit të majtë ose të djathtë me gëzhojë pushke (kalláme). Kjo bëhej duke e vendosur veshin mbi një dërrasë të vogël dhe kallámja (gëzhoja), vendosej mbi vesh dhe i bihej me çekiç ose sqepar. Kështu bëhej vrima. Kishte nishan edhe prerje të veshit në formë të drejtë (në njërin vesh) . Këta nishane mund të njiheshin edhe prej çobanëve të tufave të tjera, por nuk ngatërroheshin d.m.th. njeri çoban të bënte në tufën e vet shenjën e një tufe të dikujt tjetër. Pra shenja ishte e veçantë dhe e përhershme. Mbas shumë vjetësh mund të ndryshohej shenja, sipas rastit. Vetëm për shkak të përzierjes së tufave, nuk bëheshin shenja në bagëtitë.
- Mendimi kryesor për bashkimin e bagëtive tek fshatarët ka qenë që çdo çoban ose pronar të kishte nën kujdesje tufën e vet dhe t’i siguronte asaj çdo gjë që kishte nevojë, kurse bashkimi bëhej vetëm në raste të rralla.
- Shumë vjet më parë, nga fillimi i shekullit tonë, kur në një tufë e madhe kishte 2- 3 barinj, njeri prej tyre ishte si përgjegjës kryesor dhe veç detyrës për ruajtjen e tufës, kishte edhe si detyrë tjetër që drejtonte tërë punën për mbarëvajtjen e saj, si dhe të kontrollonte punën e barinjve të tjerë. Përsa kohë që bariu i parë ishte me punë të ndryshme, si në stan, për sigurim ushqimi për bagëtitë, me punë të tjera apo me leje në familje, etj, punën e tij do ta bënin barinjtë e tjerë. Ndërsa kur ishte rasti që një pronar kishte disa tufa, siç kanë qenë 2-3 familje të tilla, për drejtimin e gjithë punës së barinjve, caktohej një bari me eksperiencë më të gjatë, në moshë më të vjetër. Ky person është quajtur edhe çobanbásh. Për këtë term kemi përmendur në faqen 54 se flet edhe kënga e vjetër popullore: “O moj e shoqe e çobanbashit, moj tarnaninà…”. Çobanbashi ishte edhe bari, dmth: njëfarë kohe merrej edhe me ruajtjen e bagëtive, kryesisht me dhen. Pra, aty ku ishin më tepër se dy barinj, njëri do të ishte “çobanbash” dhe ky paguhej pak më tepër se barinjtë e tjerë.
- Organizimi i punës për ruajtjen e bagëtive bëhej kryesisht nga ana e çobanbashit; ai u “caktonte detyrat” barinjve të tjerë për punën që do të bënin, për kullotat, për prodhimin e bulmetit si dhe për të gjithë problemet që lindin me pronarët e tjerë, ose çobanët e tufave të tyre. Pronari, çdo gjë që mund të kishte për gjendjen e tufës, e bisedonte kryesisht me çobanbashin dhe ky i fundit me vartësit e tij. Ai kishte të drejtë që të bënte lëvizjen ose ndërrimin e barinjve sipas aftësive që ata kishin.
- Nga sa na kanë kumtuar persona të ndryshëm që kanë jetuar vite me radhë me bagëti, rezulton se në zonën tonë, gjatë gjithë rrjedhës së lumit Shkumbin, emri çelnik nuk është përdorur ndonjëherë; vetëm emri bari dhe çobanbash për tufat e mëdha. Po kështu edhe ndonjë term tjetër, nuk është përdorur në këto anë.
- Për ushqimin e çobanëve në mal, duhet të themi se atyre u përgatitej buka dhe gjella në stan nga personi kryesor që punonte në stan, kryesisht një grua nga familja që kishte bagëtitë. Kështu ata qysh kur lëshonin bagëtitë në mëngjes, mbushnin torbën me bukë e gjellë (kryesisht gjizë, djathë apo ndonjë ushqim tjetër) dhe hante mëngjes e drekë; ndërsa darkën e hante në stan. Edhe buka aty gatuhej për të gjithë personat që qëndronin në stan gjatë stinës së verës. Kurse kur shkonin me tufat në mera, ata (çobanët) gatuanin vetë, qoftë bukën, ashtu edhe ushqimin. Për këtë, zakonisht lihej një person, kurse të tjerët kullosnin bagëtitë. Çobanët kanë pasur aftësi që të përgatisnin ushqimin vetë, meqë ata në pjesën më të madhe të kohës, konsumonin bulmetin, mishin dhe ndonjë ushqim tjetër të rëndomtë. Ndërsa në ditët e sotme, barinjtë që ruajnë tufat e kooperativës bujqësore, çobanët, e gatuajnë vetë ushqimin, të cilin ua siguron kooperativa, veç racionit të përditshëm të qumështit.
Si më parë ashtu edhe në ditët e sotme, për çobanët në mera, gjatë stinës së dimrit, ushqimi dërgohet për një periudhë të gjatë, ose mund të caktohet një person nga barinjtë që të merret me sigurimin e ushqimit në qendrat më të afërta të banuara. Kësaj çështjeje i tregonin mjaft kujdes çobanët. Në të kaluarën pronari u jepte barinjve një sasi të tillë ushqimi që ata ta konsumonin me shumë kursim, ose ndryshe do të blinin me paratë e veta, kurse sot, kooperativa në mera çon jo vetëm ushqim të bollshëm për barinjtë, por edhe për kafshët. Ky ushqim, barinjve u sigurohej deri sa bagëtitë ktheheshin në mal dhe fillonin përsëri kullotën në barin plot kundërmime të viseve tona të njohura.
- Sipas marrëveshjes që bëhej midis çobanit dhe pronarit, vendosej që të zbatohej plotësisht afati, d.m.th. për një vit, nga Shëngjergji deri në Shënmitër ose anasjelltas. Në krye të periudhës caktohej edhe paga që do të merrte çobani për kohën që do të punonte. Në mbarim të afatit, çobani ose merrte shumën e caktuar dhe ikte në punën tjetër, ose, po të donte, mund të pranonte përsëri që të vazhdonte punën edhe për një vit tjetër. Edhe për pagesën bisedohej nëse do të ishte po ajo apo më e lartë ose më e ulët, sipas shtimit ose pakësimit të numrit të bagëtive, apo sipas punës që kishte kryer çobani gjatë periudhës. Zakonisht, çobanët me përvojë, mbaheshin për një periudhë të gjatë kohe.
Vetëm për arsye të forta familjare apo shëndetësore, çobani mund të largohet para afatit të pranuar më parë. Kur pronari ishte lajmëruar disa kohë më parë për largimin e çobanit dhe bindej se arsyet ishin të forta, ai e lejonte çobanin, duke i paguar edhe hakun që kishte d.m.th. pagesën për aq kohë sa kishte punuar. Në rast të kundërt, pronari gjente shumë “të meta” dhe mund ta lejonte çobanin, ose duke i paguar një shumë fare të vogël, ose nuk i paguante gjë fare. Raste të tilla ka pasur në vitet e para çlirimit.
- Çobani që vinte për herë të parë për punë tek një pronar, pranonte të gjitha kushtet që i parashtronte pronari për të kryer punën sa më mirë. Siç e kemi pohuar edhe në disa përgjigje më lart, detyra kryesore e çobanit ishte që ai të kujdesej në mënyrë të dukshme për bagëtitë, të shtohej normalisht numri i tyre, të mos kishte dëmtime nga kafshët e egra, ose nga vjedhës të ndryshëm, aq më tepër, të mos humbisnin bagëtitë “pa nishan”. Dihet që ujku, kur e ha një bagëti, i lé nishane, si copa të brendshme zorrë, plencin, copa lëkure, kokën, etj. Kur gjenden këto nishane, vërtetohet se bagëtinë e ka ngrënë ujku. Çobani do të bëjë të gjitha përpjekjet që të mos i dëmtohen bagëtitë, por humbja pa nishan, e rëndon shumë çobanin, sepse pronari mund ta detyronte çobanin që ta paguante bagëtinë e humbur. Po ashtu, çobani përgjigjej edhe nëse ndonjë çoban tjetër (i tjetër pronari) i futej me bagëtinë në kullotën e tij. Me pak fjalë, çobani, duhej të mendonte se si mund ta bënte punën sa më të saktë dhe të dobishme, të vepronte kudo dhe kurdoherë, për çdo gjë që kishte të bënte me leverdinë ekonomike deri me “prestigjin” e pronarit. Kryesisht, ai duhej të kishte kujdes të madh që të mos kishte dëmtime në tufën që kishte për të ruajtur.
- Për çdo rast të dëmtimit të bagëtive nga ujku apo ariu, çobani kishte si detyrë të parë që të vërtetonte se dëmtimi është bërë nga ujku (egërsira) duke pasur edhe nishanet përkatëse. Pastaj pafajësinë për këtë, do ta vërtetonte duke treguar me fakte se ç’përpjekje kishte bërë ai për të shpëtuar bagëtinë, ku ishte ndodhur në momentin e ngjarjes, deri ku e kishte ndjekur egërsirën etj, etj… Pra, duhet të argumentojë me prova bindëse se, megjithë përpjekjet e tij për ta shpëtuar bagëtinë, nuk ia arriti dot qëllimit. Duhet të pohojmë se ka pasur çobanë të zot që ia kanë marrë nga goja ujkut bagëtinë. Zakoni ka qenë që në qoftë se bagëtia shpëtohej, i bëheshin mjekimet e vendit në vendet e prekura nga dhëmbët e ujkut, si me djegie, dhjamë ariu, vaj, bimë të ndryshme, blozë etj. Nëqoftëse shihej që bagëtia nuk mund të shpëtonte, therej që t’i dilte gjaku dhe përdorej për ngrënie. Kurse bagëtia e therur nga ujku nuk hahej. Kishte ndonjë rast që duke hyrë në vathë ujku, mbyste disa kokë bagëti, kurse vetëm një kokë e hante. Pronari nuk i pajiste çobanët me armë, por vetëm qentë e ndihmonin atë për ruajtjen dhe mbrojtjen e tufës.
- Treguam më lart se çobani duhej të kujdesej për çdo gjë që kishte të bënte me detyrën e vet, me bagëtitë. Kur një bagëti dëmtohej nga ujku dhe nishani gjendej, zakonisht çobani nuk paguante; ndërsa po të mos gjendej nishan dhe të mos vërtetohej në një mënyrë ose në një tjetër, mënyra ose drejtimi i humbjes së bagëtisë, po të mos ishte parë bagëtia në ndonjë tufë tjetër, apo nga ndonjë udhëtar se në ç’drejtim shkoi bagëtia, çobani detyrohej që ose të gjente bagëtinë e humbur ose të paguante vlerën e saj, aq sa të thoshte pronari, gjë kjo që bëhej kur i jepte hakën çobanit (pagesën vjetore). Nga shuma e përgjithshme që i takonte, i zbriste vlera e bagëtisë së humbur. Kjo gjë bëhej sepse pronari mendonte se çobani duke mos e vërtetuar me fakte humbjen e bagëtisë, mund ta kishte shitur apo dhënë dikujt për interes të tij. Në rastet e vërtetuara, çobani nuk paguante, por megjithë këtë, në qoftë se dëmtimi ishte i madh dhe i përsëritur, kuptohej se çobani nuk e kishte kryer si duhet detyrën, gjë që kishte pasoja për të më vonë, sepse mund të detyrohej të paguante ose, për më tepër, mund ta përzinte pa i paguar shumën në para që i takonte për të marrë për aq kohë sa kishte punuar.
- Çobani nuk kishte të drejtë që të therte mish për vete apo çobanët e tjerë. Po ashtu edhe pronari nuk tregonte kujdes që t’u jepte mish atyre, por mjaftohej vetëm me një sasi bulmeti. Kur kishte raste që i dëmtoheshin bagëtitë nga ndonjë egërsisë apo sëmundje, në popull krijohej mendimi se “pronari i kishte hyrë në hak çobanit” dhe ky i fundit përfshihej nga një ndjenjë bestytnie dhe i lejonte ata që të thernin ndonjë bagëti të vogël (qingj ose kec). Po ashtu, kur bagëtitë shpëtoheshin gjallë prej ujkut dhe thereshin, një pjesë të mishit, pronari mund t’ua jepte çobanëve. Për çdo dëmtim, çobani ishte i detyruar që të njoftonte pronarin dhe mishin do t’ia dërgonte atij. Vetëm në raste festash fetare, siç ka qenë Bajrami i madh dhe i vogël, mund të therrnin ndonjë qingj apo kec, mbasi të merrnim leje prej pronarit. Kishte raste që prej këtij mishi që therej, i dërgohej një kofshë (pjesë e trupit) pronarit, për të treguar se çobani “nuk bënte asgjë” pa “lejen” e pronarit. Megjithëkëtë, duhet të themi se çdo çoban, gjatë punës që bënte, në një formë ose në një tjetër, e shprehte pakënaqësinë që kishte për gjendjen e vet dhe trajtimin që i bënte pronari. Në të gjithë punën e vet, çobani kishte si pikësynim kryesor që të merrte pagesën e caktuar dhe për këtë bënte përpjekje që të mos kishte humbje, ndërsa dëshira, pasioni i tij si çoban duke ruajtur tufën e pronarit nuk dukej fare.
- Kur çobanit i vinin miq të tij në stan (apo në mera) nuk kishte të drejtë që të therrte mish. Mund të kërkonte që t’i bënin një drekë ose darkë, prej personave të familjes së pronarit që punonin në stan. Po të donte pronari, mund të therte mish, kur miqtë e ardhur ishin me rëndësi. Kur çobani punonte në mera, mund të therte mish pa dijeninë e pronarit dhe i tregonte atij vetëm lëkurën, duke i thënë se bagëtia është sëmurur papritur, “e ka zënë gjaku” apo diçka tjetër, e kësaj natyre, me qëllim që të “bindej” pronari. Pra, kjo ishte një formë që, ndonëse në raste të rralla, tregonte qëndrimin e çobanit ndaj pronës së pronarit. Ndërsa kur vinin miq të pronarit, çobani për “të nderuar” miqtë mund të therte mish, mbasi e kishte marrë lejen më parë prej pronarit. Kjo bëhej, kur mungonte pronari dhe çobani e dinte se afati i pritjes së miqve, ishte i shkurtër. Edhe kjo “liri” e çobanit për të vepruar, bëhej vetëm për raste të rralla, kur miqtë e pronarit ishin të largët dhe pronari nuk ndodhej në shtëpi. Për këtë, çobani e njoftonte më vonë pronarin dhe nuk kishte detyrime pagese.
- Vetë fakti që therej mishi, qysh në kohët më të lashta, sipas zakonit që është ruajtur deri në ditët e sotme, tregon se qëllimi i therrjes së tij, ishte për “të nderuar” mikun e jo për të ngopur atë me mish. Vetë shprehja popullore “kur vjen miku, kënaqen kalamajtë” e tregon një gjë të tillë, sepse, miku do të hajë pak nga pjesa e mishit që do t’i jepet, ndërsa pjesën tjetër do ta hanë pjesëtarët e familjes. Edhe sikur të mos hajë fare miku, ai është i kënaqur kur kupton se i zoti i familjes pritëse, i ka therrur mish për ta nderuar atë.
Prej këndej kanë lindur edhe “nishanet” me të cilat “nderohen” miqtë, sipas vlerës që ata kanë për familjen ku shkojnë. Mishi i therur, qoftë bagëti e madhe apo e vogël ka 5 nishane, të cilat janë: 1-koka, 2-shpatulla, 3-shpatulla, 4-veshitë (veshkat) dhe 5-bishti. Sipas mishit, si sasi dhe cilësi që kanë këto pjesë, për të nderuar miqtë përdoren sipas kësaj radhe: mikut kryesor e më të rëndësishëm i vihet përpara bishti, pastaj me radhë: veshkat (veshitë) koka dhe dy shpatullat. Veç sa përmendëm më lart, nëpër gjellët e ndryshme që gatuheshin, futeshin edhe një sasi thela, të cilat përdoreshin për të gjithë ata që ishin ulur në sofër. “Si veshka në mes të dhjamit” është një shprehje frazeologjike. “Nderimi” i miqve me nishanet e treguara më lart, kishte rëndësi të madhe, sepse në rast se nuk “respektohej” rregulli sipas zakonit, mund të ndodhte që miku të mbetej i pakënaqur, gjë që e manifestonte me forma të ndryshme, si duke ngrënë bukë me zor, si pa qejf, mishin e vënë përpara nuk e ha, por ua shpërndan atyre që ndodheshin në sofër (pjesëtarëve të familjes apo të afërmve) që ndodheshin të pranishëm në atë pritje. Ky “nderim” është reciprok, prandaj ndiqet një kriter i tillë që nishanet të jepen sipas vlerës së miqve.
- Përsa i takon nderimit të miqve me mishin që therej duhet të themi se në përgjithësi, qysh prej shumë vjetësh të kaluar therej një bagëti ose siç njihet në të folurin e popullit, berr, në qoftë se ishte një mik duhej një mish, qoftë edhe dy, tre, katër apo pesë miq, nderoheshin me nishanet, siç kemi treguar më lart, sipas vlerës apo peshës që kishte miku. Këtë renditje e bënte vetë i zoti i shtëpisë dhe ai vetë e dinte se kujt e pse do t’ia vinte përpara bishtin, kokën apo shpatullat. Ky zakon ka qenë qysh prej shumë e shumë vjetësh dhe ka pasur një procedurë të veçantë, e cila ishte e perfeksionuar në mënyra të ndryshme, në familje të ndryshme. Ka qenë zakoni që kur vinte një mik në një familje, duhej të ishte i shoqëruar me një ose disa shokë, sipas rastit. Pra, një ndër ta ishte miku kryesor e për këtë qëllim nderi më i madh duhet bërë atij. Kur qëllon që po ky mik vjen disa herë, nuk i theret mish, ndërsa kur vjen me një shok që vjen për herë të parë në atë familje, i zoti i shtëpisë ther mish për dy arsye: e para për të nderuar shoqëruesin që në këtë rast është miku i vërtetë dhe e dyta duke u nderuar ky shoqërues, mikut kryesor i rritet prestigji nga ana e të zotit të shtëpisë, sepse ky i fundit i jep të kuptojë mikut, se “unë të nderoj jo vetëm ty si mik që të kam prej kaq kohe, por edhe shokun apo mikun që ke ti”. Pra miku që ka marrë shoqëruesin, ka një farë krenarie për pritjen e mirë që u bëhet në familjen ku venë. Veç nishaneve që ndahen, kur sheh i zoti i shtëpisë se duhen dhënë, mikut i vënë përpara edhe një ose dy thela mishi. D.m.th, mishi në thela i jepet si gjithë të tjerëve, kurse nishanet për ta nderuar. Prej këndej vjen edhe shprehja frazeologjike: “Thelë përmbi bisht” d.m.th. diçka e tepërt që i jepet një personi. Kur ishin miq të largët, krushqi, nga drejtime të ndryshme që nuk kishin lidhje me njeri-tjetrin dhe që rasti ishte i tillë që të asistonin në familje, atëherë, i zoti i shtëpisë, detyrohej që të therte dy mishra. Këto raste kanë qenë të rëndomtë, deri në kolektivizimin e bujqësisë. Për këto raste të pritjes e përcjelljes së njerëzve me mishra, mund të flasim më shumë, por duhet të themi se zakoni ka qenë që, kur vinte në familje një mik që nuk kishte ardhur ndonjëherë, therej mish patjetër. Veç kësaj, zakoni në këtë zonë ka qenë që edhe një person i panjohur të vinte në familje thuhej: Na ka ardhur një mik. Po të bëjmë një krahasim me pritjen që bëhej, fjala vjen, në rrethin e Mirditës apo të Dibrës, shumë vjet më parë, siç na ka dhënë disa shpjegime edhe H.Leka nga ky fshat, 66 vjeç (vdekur më 1973), rezulton se në zonën tonë bëheshin shpenzime të tepërta për mikun që vinte. Ai thoshte se “bujaria ka qenë më e theksuar në veri, kurse tek ne ka mikpritje”. Kishte raste që edhe kur vinte një person dosido, por që nderi i familjes e donte, që për një arsye ose një tjetër ta priste siç duhej, i therte mish për të ngritur lart nderin e vet. Pra, në këtë zonë, e veçanërisht në Bërzeshtë, ka qenë shumë e theksuar pritja duke therur mish. Ka pasur raste që familja, nuk ka pasur mish, ka vajtur edhe larg, e ka blerë mishin, vetëm për t’ia therur mikut, vetëm për një nishan. Pra, kuptohet se edhe po t’i ndodhej mish në shtëpi familjes, duhej therur mishi, me qëllim që miku ta kuptonte se ky mish u ther posaçërisht për të nderuar atë. Prej këndej përdoret edhe shprehja popullore: “Sa t’i mbyll sytë mikut, i mbyll sytë berrit!”. D.m.th. sa të jetë me turp miku që nuk u prit si duhet (duke mos u pritur mirë miku, tregohet se ai nuk e meriton, nuk e vlen respektin apo nderimin dhe anasjelltas), më mirë ther bagëtinë që më nevojitet dhe në të njëjtën kohë nderoj edhe veten, duke u treguar se jam me të vërtetë “xhymert” siç thotë populli, njeri mikpritës, zemërbardhë, shtëpi e dëgjuar, që për mikun e mban derën hapur gjithmonë.
- Çobani që shërbente për një kohë sado të shkurtër në tufën e një pronari, përgjigjej për të gjitha dëmtimet që mund të kishte siç e kemi treguar më lart. Por, në të njëjtën kohë edhe pronari kishte disa detyrime ndaj çobanit, sepse, meqë ai shërbente në interes të pronarit, duhej të mbrohej po prej këtij të fundit. Përsa kohë që çobani punonte në tufën e pronarit, nga opinioni i fshatit konsiderohej se ishte si një pjesëtar i familjes së tij dhe nëse ndokush do të prekte personin e çobanit, quhej sikur ishte prekur direkt interesi i vetë familjes së pronarit. Për këtë shkak, pronari duhej të mbante qëndrim ndaj atyre që mund të rrezikonin jetën e çobanit.
Kështu mund të themi se këto raste, ndonëse të rralla, në të kaluarën kanë ndodhur dhe shkaku ka qenë se kishte ndërhyrje në kullotat apo në përvetësime bagëtish nga një tufë prej çobanëve të tufave të tjera. Para rreth 47 vjetësh, në merá u vra një çoban prej vendasve, mbasi donin t’i grabisnin një pjesë të kullotës. Më vonë, pronari me ndërhyrjet e veta mori hakun, duke vrarë një person prej vendasve që çobanët, me gjuhën e tyre i quanin skuretkë, d.m.th. njerëz të vobektë, që nuk ishin të zotët për blegtori. Po ashtu ka qenë edhe për çobanin e fshatit apo më mirë të themi, lopçarin. Sidoqë raste të vrasjes së tij nuk ka pasur, ai mbrohej nga i gjithë fshati dhe ndihmohej prej tij me të gjitha mundësitë, ashtu siç e kemi treguar edhe në pyetjet e mëparshme.
- Për të gjitha rastet e zënieve të ndryshme që kanë ndodhur midis çobanëve duhet të themi se kanë ndikuar anët materiale, si përvetësimi i kullotave, grabitja e bagëtive nga persona që merreshin me vjedhje, fyerjet e ndryshme familjare, apo dhe ndonjë hasmëri e vjetër.
Një fakt të tillë na e dëshmojnë edhe vargjet e këngëve të vjetra popullore. Ja si shprehet poeti popullor për një çoban me emrin Rreme, i cili jep jetën për të mbrojtur tufën nga grabitësit: “Hajde doli Rremja more, o nga Myzeqeja more, o Rreme!/ Me 200- 300 dhen e dhi pëlleja, more, o Rreme,/ Hajde seç i futi Rremja, more o pllakës përpjetë, more o Rreme./ Seç i dualën Rremes o nja shtat’ a tetë, more o Rreme;/ Hajde ç’i kërkuan Rremes Kaleshin e shkretë, more o Rreme;/ Hajde për Kaleshin Rremja, aman, vritet vetë more, o Rreme./ Aman zvarrë, zvarrë more, Rremja zu hendekë, more, o Rreme…”. Pra, janë vargjet e një kënge të vjetër që tregojnë se si çobani mbante me çdo kusht tufën e vet. Sa për sqarim Kaleshi ishte dashi më i mirë i tufës, që i printe asaj në kullotë dhe kishte një bukuri të veçantë.
Ja edhe vargjet e një kënge tjetër që tregon për aktin e grabitjes së bagëtive në të kaluarën, për rrezikun që e kanoste çobanin: “Kam kërrabën pika, pika/ seç e hodha n’ato syska…/ n’syska e hodha, syska nxora/ dash- ogiçin e harrova…/ seç u ktheva gjene prapë/ më ndjen qeni i zi arap/ ç’u zgjua çobani plak/ rri çoban, mos u zgjo’ nga gjumi/ se exhelin (shkakun e vdekjes) e ke nga plumbi…”. Exheli quhej shkaku prej nga vinte vdekja e një personi. I ra njerit një degë e thatë në kokë, duke kaluar, nëpër pyll dhe vdiq; pra ky ishte exheli, d.m.th. rënia e degës.
Edhe sot gjenden disa vargje të vjetër çobanësh tek Guri i Ymegut. Për të gjitha këto raste, çobani ishte në besë të pronarit. Kjo ishte si rregull i përgjithshëm, por pronari vetëm kur dëmtohej ekonomia e tij direkt, mund të mbante qëndrim të prerë, për t’u hakmarrë ndaj dëmtuesve. Për ndonjë rast të qëndrimit jo të mirë të pronarit, për mbrojtjen e çobanit, populli fliste me përbuzje për pronarin dhe tregohej si shembull i keq për shumë kohë më vonë.
- Siç kemi përmendur dhe më lart, çobani kishte si detyrë kryesore kullotjen e mirë të bagëtive dhe mbrojtjen e tyre nga dëmtimet e ndryshme, qoftë nga egërsira, apo dhe nga vjedhësit e ndryshëm. Por veç këtyre, çobani kishte për detyrë që gjatë punës së tij të mos i sillte trazime pronarit, duke bërë dëmtime me bagëtitë.
Për të gjitha llojet e dëmtimeve që mund të bënte tufa, si rezultat i pakujdesisë së çobanit, njoftohej pronari, i cili merrte masa kundër çobanit, sipas dëmit të kryer. I bënte vërejtje të rënda dhe kur ishte dëmi i madh, i ndalonte pagesën që i takonte për sa dëm kishte bërë.
Aq më tepër kur bëheshin vjedhje të ndryshme nga çobani, pronari merrte masa deri në largimin e tij prej tufës. Këto kanë qenë raste të rralla, sepse, ai çoban që largohej për shkak vjedhjeje e kishte shumë të vështirë që të gjente punë tek ndonjë pronar tjetër.
Sidoqoftë për çobanin që vinte natë e ditë jashtë, në shi e me diell, pas bagëtive, për mundimet e telashet e tij, populli ka kënduar gjithmonë:
“Të më zgjosh moj nënë/ me yll të karvanit se më presin shoqet tek Varr’ i Çobanit…”.
II.BLEGTORIA SHTEGËTUESE
“Pa dilni, mor çuna, vështroni meranë” (popullore e vjetër).
- Përsa i takon tufave të kafshëve dhe bagëtive që ka pasur fshati në të kaluarën mund të themi se këto kanë qenë të shumta, por me numër të ndryshëm dhe në periudha të ndryshme. Kështu mund të përmendim se tufa të mëdha kanë pasur familjet Dashi, Blloshmi, Zogolli, etj. Numri më i madh i bagëtive kanë qenë dhen e më pak dhitë. Tufën më të madhe me dhi e kanë pasur familjet Dashi dhe Çerri, pastaj të tjerët. Këto tufa me kalimin e kohës kanë ardhur duke u zvogëluar, për shkak të vendosjes së marrëdhënieve të reja në ekonomi, deri në kolektivizimin e bujqësisë. Ky ndryshim erdhi sepse një pjesë bagëtish janë shitur në treg, një pjesë u përdorën për nevojat ekonomike të familjeve, kurse pjesa më e madhe e bagëtive të disa familjeve u dorëzua për tufën e bashkuar të kooperativave bujqësore.
- Numri i bagëtive ishte i ndryshëm në tufa të ndryshme. Kishte raste që në vite të ndryshme, në të njëjtën tufë numri ndryshonte. Zakonisht si temë blegtorale më e përhapur për grumbullin e madh të bagëtive, në zonën tonë është përdorur tufë-a, kurse kope-ja përdorej më tepër për kafshët e egra. Populli thotë: Ujqit rrinë në kope, kur janë në ndërzim. Për të formuar një tufë të rregullt, duheshin të paktën dyqind kokë bagëti, qofshin këto dhen ose dhi apo të dyja bashkë. Por ka pasur edhe tufa të mëdha me më tepër bagëti, deri 500 kokë apo edhe më tepër. Të gjitha bagëtitë e një lloji, p.sh. dhen ose dhi, sado që të ishin ato, mbaheshin në një tufë të vetme, duke bërë vetëm ndarjet sipas prodhimit, p.sh. shterpat, meshkujt, pëllejat, mbaheshin veç e veç, por megjithë këto nëndarje prap ato quhen tufë e rregullt. Po ashtu edhe për dhitë, njëlloj veprohet në tufë. Për numrin e bagëtive të një tufe sipas madhësisë mund të themi se tufa më e madhe me njëlloj bagëtie ka arritur deri në 1000 kokë; mesatarja në 500 deri 600 kokë, kurse e vogla 200 deri 300 kokë.
- Edhe numërimi i bagëtive në tufë ka qenë një detyrë me rëndësi të madhe për çobanin, sepse nga saktësia e numrit pasqyohej edhe puna e vetë çobanit. Për këtë ka pasur mënyra të ndryshme, sipas aftësive që kishte njeri ose tjetri çoban. Zakonisht, numërimi më i rregullt bëhej kur dilnin bagëtitë nga vatha për në kullotë. Po ashtu bëhej edhe kur ktheheshin nga kullota. Syri i stërvitur i çobanit dallonte edhe gjatë kullotës ndonjë bagëti që mungonte dhe në këtë mënyrë bëheshin përpjekje për ta gjetur sa më parë. Për ndonjë rast të jashtëzakonshëm që dyshohej për humbje, numërimi bëhej edhe gjatë ditës, në kullotë. Numërimi bëhej si të vinte më lehtë dhe më shpejt, duke numëruar dy nga dy, pesë nga pesë ose edhe një nga një. Për ta bërë sa më të saktë numërimin, merrnin pjesë dy ose më tepër persona. Kishte raste që ndonjë ditë numërimi nuk bëhej, si p.sh. në raste me mot të keq. Si rregull numri i saktë i bagëtive, qoftë i tufave të mëdha apo edhe atyre me 20-30 kokë, nuk tregohej në persona të huaj, e kjo, më tepër për një farë bestytnie se “po ta dinte tjetri numrin e saktë, bagëtinë e hante nazari dhe nuk shkonin mbarë”. Kështu p.sh. kur dikush pyeste: “Sa dhen të dualën me shqerra?” tjetri përgjigjej menjëherë: “Na dualën nja 15-16 kokë!”. Sa për dijeni, po kjo gjë bëhej dikur edhe për njerëzit: “Sa veta je” apo “sa rob bëhesh?”. “Nja 10-12 veta!”, etj. Çobani duhej ta dinte ekzakt numrin e bagëtive, por kurrë nuk e tregonte, me përjashtim kur e kërkonte pronari.
- Numërimi i bagëtive është bërë gjatë gjithë kohës në tufat e blegtorëve, por në këtë zonë veç numërimit të zakonshëm, kokë për kokë, duke e parë çdo bagëti me sy, ka qenë i njohur edhe numërimi me shënime, duke e bërë këtë në një shkop të gdhendur e të bërë me shkalla që quhej çetilja (njëjës –çetile). Ky shkop ishte rreth 25-30 cm i gjatë, me gjerësi deri 1.5 cm. Për çdo 10 kokë, bariu bënte një shkallë, deri në numërimin e plotë të bagëtive. Po kështu, në afërsi të vathës bëhej një gropë e vogël, ku për çdo 10 kokë, lidhej një gur i vogël dhe mbas numërimit, numërohej sasia e gurëve, duke bërë përllogaritjet përkatëse për të gjithë tufën. Kësaj shume që dilte i shtohej edhe numri i fundit, p.sh. 3 -4-5, etj., që nuk e plotësonte dhjetëshen. Gurët nxirreshin nga gropa dhe bëhej zakonisht numërimi. Kjo bëhej për lehtësi të numërimit, shumë vjet më parë, kur nuk dinin të numëronin me qindëshe, sidomos barinjtë e moshuar. Mbas çlirimit ky lloj numërimi nuk është përdorur tek barinjtë, por vetëm numërimi i rregullt dhe i saktë.
- Një fazë me shumë rëndësi për mbarëvajtjen e tufës ka qenë edhe ndarja e të vegjëlve (qingjave e kecave) nga nënat e tyre, me qëllim që të merret prodhimi në kohën dhe sasinë e duhur. Qoftë në tufat e mëdha, apo të vogla ndarja është bërë njëlloj. Mbasi liheshin për rreth 30 ditë të vegjëlit me nënat e tyre (duke llogaritur periudhën që lindin të gjitha bagëtitë) ndaheshin me intervale. Ata veçoheshin në tufë të veçantë dhe mbasi largohej tufa për kullotë, qingjat a kecat, në tufë më vete lëshoheshin për kullotë në drejtim tjetër, me qëllim që të mos kenë mundësi të takohen me tufën, sepse nuk mund të ndahen kur ndjejnë zërat e nënave të tyre, siç na e ka thënë me aq ëmbëlsi edhe poeti ynë i madh Naimi: “Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qingji kopenë?…”. Tufa e qingjave, mbahej më vete. Mbas dite, mbasi bëhej mjelja, lëshoheshin të vegjëlit dhe mbasi pinin, për një farë kohe kullotnin bashkë me tufën. Kjo gjendje zjaste rreth një muaj e gjysmë (40-50 ditë). Mbasi të vegjëlit rriteshin dhe kishin arritur periudhën e kullotjes së lirë, ndaheshin përgjithmonë, duke mos i bashkuar fare me tufën. Në tufat e vogla, të vegjëlit ndaheshin duke i dërguar tek njeri-tjetri, familje të cilat kishin një farë largësie. Barinjtë nuk i afronin tufat në kullotë, sepse ata e ndjenin praninë e nënave dhe u futeshin për të pirë. Forma të tjera për ndarjen e të vegjëlve nuk ka pasur, por kur ishte rasti që edhe mbas ndarjes i vogli nuk kishte harruar të pirët (në tufat e vogla që nuk çoheshin në mal!) bariu manovronte duke ia lyer gjinjtë deles ose dhisë me bajgë lope. Kështu nuk mund ta pinte.
- Periudha e ndarjes së kecave apo qingjave, me qëllim që të harrojnë pirjen zgjat nga një muaj, deri në një muaj e gjysëm. Sa më të hershme të jenë lindjet, aq më lehtë bëhet edhe largimi nga tufa (harrojnë pirjen). Kur ka raste të lindjeve të vona, mbas hyrjes së prillit (zakonisht delet ose dhitë që lindin për herë të parë) të vegjëlit mbahen për një kohë të gjatë me nënat e tyre, me qëllim që të marrin zhvillimin e duhur. Mbas ndarjes së qingjave e kecave, fillonte mjelja e rregullt e tufës, duke e marrë plotësisht prodhimin. Për rastet kur ndonjë qingj apo kec mund të ngordhte dhe pjellja kishte qenë normale, d.m.th. delja ose dhia kishte qumësht, zakonisht ndodhte që mbas pak ditësh shteronte qumështin. Këto bagëti që të vegjëlit e tyre u ngordhnin quheshin me emrin enja (enjë-a). Në këto raste barinjtë vepronin me kujdes duke u futur këtyre bagëtive qingja apo keca të tjerë të rritur për t’i rrahur gjinjtë, në këtë mënyrë, ata nuk shternin fare, por jepnin një sasi të mirë qumështi. Prej këndej ka lindur edhe shprehja frazeologjike që “Qengji i urtë pi dy nëna”. Zakonisht delja nuk e lejon qingjin e deles tjetër për të pirë. Këto raste mund të ishin të shumta në tufat dhe barinjtë u duhej të bënin shumë punë. Kur qingji mësohej për një farë periudhe, pinte edhe tek nëna e tij edhe tek nëna enjë. Kur delja apo dhija enjë e linte lirisht për të pirë të voglin e huaj, kjo tregonte se ajo nuk rrezikohej për të shteruar fare. Ndërsa kur shtinin (dështonin) bagëtitë rrezikoheshin me siguri që të mos jepnin fare qumësht!
- Shtimi numerik i bagëtive ka qenë një pikësynim kryesor i të gjitha familjeve që kanë pasur tufa me bagëti të imta. Për këtë qëllim, është ndjekur një kriter i tillë që çdo vit, (kur ishte e domosdoshme) të bëhej skartimi (therja) i atyre bagëtive që ishin të vjetra, të dobëta, me të meta fizike, si thyerje të ndryshme gjymtyrësh, me sëmundje si ngalosa, gëlbasja, me defekte në gji, etj. Këto që thereshin, duhej të zëvendësoheshin me të reja (shelegët të cilët, në afate të ndryshme vinin në gjendje prodhimi). Këto bagëti apo edhe kafshët e trasha, kur mbaheshin me qëllim që të shtoheshin apo për t’u marrë prodhimin e duhur thuhej: “E mbaj për mbarësi”. Kështu bariu që rrinte për një kohë të gjatë me një tufë, ishte në gjendje të dallonte veçoritë karakteristike më të mira që kishte një ftujë apo rrurëz, një cjap apo dash, një dele apo dhi. Kështu mund të përmendim se preferoheshin: delja me bisht të gjatë, që çdo vit lindte qingja femra, që kishte kallamat e gjinjve të gjatë, që kishte leshin me një ngjyrë (jo me lara). Po kështu disa desh apo cjep kishin si veti që gjatë ndërzimit natyral, lindjet në pjesën e tyre më të madhe, të ishin femra. Një cjap shyt (pa brirë) me testikulat (organet seksuale) të çara në mes, është mbajtur për një kohë të gjatë në një tufë të madhe, për shkak se të gjitha dhitë e thëpryera prej tij, lindin keca femra. Pra, gjithmonë është pasur parasysh që të shtohen tufat me ato bagëti që dalloheshin për mbarësi. Eshtë pëlqyer gjithmonë delja apo dhia që ka pasur edhe një bukuri fizike, si ngjyra fare e bardhë ose e zezë, madhësi normale.
- Nga përvoja e gjatë e blegtorëve njihet… e delja që pjell për herë të parë quhet rrurëz, kurse dhia që pjell për herë të parë, quhet ftujë. Kurse ato që nuk pjellin fare (për defekte të ndryshme) quhen beronja. Kjo fjalë tregon gjendjen e shterpësisë dhe dihet se është e përdorshme në shumë zona të vendit, kryesisht në jug: (“S’di në jam me barrë, s’di në jam beronjë/ a s’i thua tët biri se kërkon të shkonjë…”) nga S.Andoni (STZ). Terma të tjera, përveç sa përmendëm më lart, nuk janë përdorur, por për ato dhen apo dhi që pjellin para kohe, d.m.th. mbas vitit të parë të lindjes, mbasi kanë pasur një zhvillim të mirë fizik nga trajtimi që u është bërë, është përdorur emri: paliqe. Kur kishte lindje të tilla në tufë, jo vetëm për shtimin numerik, pritej me gëzim, sepse hiqej si shenjë mbarësie. Po kështu edhe kur delja apo dhia bënte dy qingja apo keca.
- Edhe njohja e bagëtive se sa vjet është, duke e parë vetëm nga trupi, ka qenë një kërkesë e rëndësishme për blegtorët dhe një pjesë e mirë e tyre ishin mjeshtra të vërtetë për t’i njohur bagëtitë. Kështu mund të përmendim se një metodë për të njohur bagëtinë ishte shikimi i brirëve (tek dhitë). Sa shkallë të ketë briri, aq vjet është edhe dhia. Kurse tek dhentë, shihen dhëmbët; kur kanë dalë të gjithë dhëmbët, thuhet e ajo është gati e plakur. Delja pjell 5 deri 8 qingja. Deri në lindjen e tretë, është në kulmin e prodhimtarisë. Po kjo mund të thuhet edhe për dhitë që janë mbajtur për mbarë.
- Shtesa mesatare e bagëtive është atëherë kur lindja e bagëtive që priten për të pjellë, është më tepër se gjysma (rreth 80% e tyre). Prej çobanit apo barinjve bëhen të gjitha përpjekjet që të mos ketë dështime, ose siç përdoret në gjuhën e popullit, shtirje ose pëgërje. Por, megjithëkëtë ka pasur raste që jo të gjitha bagëtitë të dalin me qingja ose keca. Kur kanë dalë pëlleja pjesa më e madhe e bagëtive, thuhej se ishte viti i mbarë, ndërsa kur ka pasur raste që ngordhjet kanë qenë më të shumta, nga gjysma e tyre, thuhej se ishte viti ters dhe për shumë vjet me radhë përmendej si një fatkeqësi që ndodhte për blegtorinë. Ka qenë si zakon, si në familjet me shumë bagëti, ashtu edhe në ato me pak bagëti, që të mos tregohej saktë, gjendja e bagëtive, kur dikush pyeste p.sh. se si ishin bagëtitë. Tjetri përgjigjej: “Bereqetvërse janë njëfarësoj, nuk kanë qenë keq, etj. Shtesa e bagëtive, nga ana e tyre numerike, shihej si aftësi dalluese e blegtorëve për zhvillimin e blegtorisë, në çdo drejtim si nga ana sasiore, ashtu edhe ajo cilësore.
- Siç e thamë edhe më lart, tufat gjithmonë përtëriheshin, duke hequr ato krerë që ishin me më pak leverdi dhe mbaheshin ato që do të jepnin prodhim më të bollshëm, kryesisht të reja. Kështu qengjat (femrat) dhe këdhet (kecat femra) nuk thereshin, por mbaheshin për mbarë; kurse meshkujt (deshtë dhe cjeptë) edhe mund të thereshin kur ishte nevoja. Në çdo rast, qoftë kur tufa shtohej me blerje krerësh, apo edhe me shtesë natyrale, kihej parasysh që bagëtitë të ishin sa më të reja.
- Një fazë me shumë rëndësi për shtimin e bagëtive, është edhe ndërzimi. Nga kryerja në kushte sa më normale e ndërzimit, varet edhe shtesa e bagëtive dhe mbarëvajtja e tyre. Për këtë, barinjtë janë përpjekur që të ndjekin një kriter të drejtë, që të plotësohen sa më tepër që të jetë e mundur kushtet më të domosdoshme. Kështu mund të themi se sa më parë që të bëhej ndërzimi, aq më parë do të bëhej edhe pjellja, aq më mirë do të zhvilloheshin qingjat apo kecat. Por që të fillonte shpejt ndërzimi, bariu duhet t’i trajtonte mirë bagëtitë, t’i kulloste mirë, t’u jepte ujë në masën dhe kohën e duhur, t’u jepte kripë, të shihte me kohë nëse bagëtitë kishin ardhur në afsh për ndërzim (kjo kuptohej nëpërmjet dashit ose cjapit që është mbajtur posaçërisht për këtë qëllim). Në lidhje me këtë fazë mund të përmendim se veprimi i ndërzimit tek kafshë të ndryshme quhet me terma të ndryshme. Kështu, për lopën thuhet: u éth (éthur), u mbajt (mbajtur), u hoq (hequr), u mbars (mbarsur); për delen thuhet: u ndërzye (ndërzyer), për dhinë thuhet; u thëprye (thëpryer), etj. Ndërzimi i bagëtive nuk ka ndonjë datë të caktuar, si për dhitë, ashtu edhe për dhentë, por zakonisht fillon nga muaji gusht, shtator, vazhdon deri nga mesi i tetorit. Për këtë qëllim, nëpër tufat, sipas krerëve që janë për t’u ndërzyer, mbahen edhe meshkujt (desh e cjepë). Këta, me qëllim që të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale, mbahen të veçuar, ushqehen mirë dhe lëshohen në tufë gjatë natës, ose ditën në vende të caktuara. Kur tufa është shumë e madhe bariu nuk mund ta kuptojë se sa kafshë u ndërzyen, por kur janë pak, e merr vesh se sa janë ndërzyer.
- Delja ose dhia që të ndërzehen në kohë, duhet që të kenë zhvillimin fizik normal, të jenë të ushqyera mirë dhe para ndërzimit u jepet kripë, meqë kjo ndihmon në eksitimin e tyre. Në ndonjë rast të veçantë mund të përdoret edhe kripa e përzier me sheqer, sidomos kur bagëtia ndërzehet, por nuk mban. Zakonisht, kur kafsha është shumë e shëndoshë e ka të vështirë që të mbajë, d.m.th. ndërzimi të bëjë efektin e kërkuar. Kur dashi ose cjapi e ndjek delen ose dhinë dhe kjo nuk qëndron, por orvatet që t’i shmanget ndjekjes, kuptohet se ajo nuk ka ardhur në afsh. Gjatë periudhës që përmendëm kryhet ndërzimi, por kur kujdesi i bariut nuk ka qenë sa duhet për sigurimin e damazit (mashkullit), apo nga shumica disa krerë nuk kanë rënë në kontakt me të, rrezikohen që këto të mbeten shterpa, po qe se nuk kuptohet edhe më vonë. Prandaj për tufat e vogla është më e lehtë të kontrollohen bagëtitë, sepse dashi, fjala vjen, delen e ndërzyer nuk e ndjek më, kurse atë të pandërzyer edhe me vonesë, vazhdon ta ndjekë, deri sa ajo të ndërzehet.
- Për të gjitha sa përmendëm më lart, mund të pohojmë se, me qëllim që të mos mbetet delja ose dhija e aftë, pa u ndërzyer, bariu bën çdo përpjekje që të sigurojë dashin ose cjapin për tufën që do të ndërzehet, duke llogaritur që një dash të ketë jo më tepër se 20-25 kokë dhen, kurse një cjap, jo më shumë se 25- 30 kokë dhi. Potenciali fizik i tyre, sipas ushqimit që është përdorur, është i ndryshëm, dhe aftësia e tyre, në disa raste, mund të jetë edhe më e madhe.
- Pjellja e bagëtive (deleve dhe dhive) fillon mbas 5 muajve, mbasi është bërë ndërzimi natyral. Në zonat malore pjellja e bagëtive fillon zakonisht në muajin janar, më tepër vazhdon në shkurt dhe pjesërisht në muajin mars. Rrallë, shumë rrallë, ndodh që mund të pjellin edhe në prill, kur ndërzimi është bërë në vjeshtën e vonët. Kur pjellja fillon në janar, quhet e hershme, kurse kur bëhet në mars, quhet e vonë. Të vegjëlit (qingja e keca) quhen të lashtë, kur kanë lindur në janar, kurse kur janë shumë të vonët, quhen kërthinjë. Këta të fundit, nuk kanë zhvillim normal të trupit dhe duhet që të pijnë për një kohë të gjatë që të marrin zhvillimin e duhur. Në fillim të periudhës, d.m.th. javën e parë dhe të dytë të lindjes së tyre, meqë janë të vegjël dhe nuk mund të pijnë lirisht, qingji apo keci, mandet (i jepet qumështi me ndihmën e bariut apo të një personi tjetër). Kur janë meshkuj, kërthinjtë, lihen të pijnë për një kohë të gjatë, rreth 2 muaj dhe pastaj mund të theren për nevojat e ndryshme të familjes, mbasi mishi i tyre është shumë i shijshëm.
- Shpesh herë ka ndodhur që delja nuk pranon qingjin që sapo lind për të pirë. Kjo është në dëm të qingjit, sepse vonesa e të pirit dhe ndihma e deles, për ta ngritur në këmbë, rrezikon jetën e tij, sidomos në ato raste kur qingji është i dobët, apo i lindur pak para kohe. Ky mospranim ndodh vetëm, në ato raste kur lindja është për herë të parë dhe delja nuk e ka atë “përvojën” karakteristike që ka çdo dele mëmë. Sepse, me kalimin e kohës, delja fiton një farë “praktike” si mund ta them, për ta mëkëmbur qingjin e porsalindur. Ajo e lëpin me gjuhë, deri sa e pastron mirë nga ajo cipa e hollë me të cilën është i mbuluar çdo qingj. Në ato raste kur delja lind për herë të parë dhe nuk e pranon të voglin e saj, është detyra e bariut që ta marrë qingjin, t’ia ofrojë deles përpara; kur ajo nuk e lëpin, i hedh pak kripë mbi trup qingjit dhe, mbasi qingji është përkëmbur, ia fut në gji deles dhe e mban atë deri sa të pijë mirë. Këtë veprim ai e përsërit disa herë, deri sa qingji fiton aftësinë për të pirë vetë dhe në masën e duhur.
- Delja mund të mbetet énjë në dy mënyra: kur ajo shtie (dështon) nga shkaqe të ndryshme, apo kur i ngordh i vogli, pak ditë mbas pjelljes. Në rastin e parë, rrallë ndodh që me përpjekjet e bariut delja ose dhia mund të mbajë pak qumësht, sidomos kur dështimi është bërë në muajin e lindjes normale. Në këto raste bariu merr një qingj tjetër dhe “i rreh” gjinjtë deles apo dhisë, me qëllim që asaj t’i vijë qumështi. Kurse në rastin kur qingji apo keci ngordh, pak kohë mbasi lind, bariu e ka më të lehtë që ta mbajë me qumësht delen apo dhinë, duke i futur asaj një qingj apo kec që mendon ai. Për një farë periudhe delja apo dhia mezi ambjentohen, por, sidoqoftë, një sasi qumështi ato e japin gjatë gjithë kohës. Edhe mjelja nga ana e çobanit, ndihmon në këtë drejtim, por më e rëndësishme është rrahja me qingj apo kec tjetër. Pra, mbajtja ose jo e qumështit nga këto bagëti, varet nga përpjekjet konkrete që do të bëjë çobani në kohën e duhur.
- Për të gjitha rastet që mund të kishte ngordhje ose dëmtime të ndryshme në bagëti, çobani nuk ndihmohej prej shokëve, por ai, siç e kemi përmendur edhe më lart, mund ta paguante vetë bagëtinë e humbur apo që e kishte ngrënë ujku. Çobani duhej të vërtetonte me fakte se si ishte gjendja dhe për çdo rast, duhej të tregonte me fakte se kishte bërë përpjekje për të shpëtuar bagëtitë, apo dëmtimi nuk kishte ndodhur për faj të tij.
- E kemi përmendur edhe më parë se për tufat e mëdha nuk mund të sigurohej ushqim për gjithë vitin, sepse stina e dimrit është mjaft e ashpër. Rezervat ushqimore duhet të ishin shumë të mëdhaja për një tufë prej 200-300 kokë dele, gjë që ishte e vështirë për t’u bërë. Prandaj llogaritej që qysh nga tetori e deri në fillim të majit, bagëtitë e tufave të mëdha të qëndronin në mera (zonat fushore të Shqipërisë së mesme) kurse gjatë periudhës maj-tetor, ato qëndrojnë në mal. Për shumë vjet me radhë, qysh para çlirimit, e deri në ditët e sotme, tufat kanë shtegëtuar në merá.
- Tufat e mëdha që shtegëtonin në merá, shkonin atje në muajin tetor, ose deri nga fillimi i muajit nëntor. Kjo ndodhte atëhere kur kullota mbarohej këtu, fillonte të ftohej moti dhe në mal nuk mund të qëndrohej më. Tufa nisej për në merá, sipas një “itenerari” të planifikuar dhe mbas kësaj periudhe bëheshin edhe uljet e bulmetit nga stani. Kjo vazhdonte deri në kthimin e bagëtive.
- Largimi i bagëtive për në merá, bëhej për shkak se gjatë stinës së dimrit nuk mund të mbaheshin me ushqim të gatshëm, ose më mirë të themi, në zonat e ulta fushore, gjatë dimrit kishte kullota dhe kushte më të favorshme për bagëtitë, sidomos për dhentë, ku kishte hasella në sipërfaqe të madhe, kurse për dhitë nuk ka pasur ndonjë kullotë shumë të pasur, përveç disa shkurrojave të përziera me vreshta, shqopa, shkoza dhe drunj të ndryshëm. Paga ishte e ndryshme në vende të ndryshme dhe shkonte në proporcion të drejtë me cilësinë e kullotës dhe sasinë e saj, e cila shfrytëzohej proporcionalisht me periudhën që bagëtitë do të dimëronin aty. Pra, qëndrimi në merá për tufat ishte vetëm për stinën e dimrit, kurse për stinën e verës mali kishte kullotë shumë të pasur dhe bagëtitë vinin për verim. Kjo gjë përsëritej çdo vit.
- Nuk ka pasur ndonjë datë të caktuar për nisjen e bagëtive në merá, por zakonisht nga fundi i muajit tetor, të gjitha tufat ishin nisur për në mera, sidomos kur moti ishte me reshje dhe në disa raste dëbora fillonte shpejt. Kur vjeshta ishte e thatë dhe e ngrohtë, tufat mbaheshin për pak kohë në fshat, mbasi uleshin nga mali dhe nga fillimi i nëntorit, niseshin për në mera.
Zakonisht, Shëngjergjit, bagëtitë duhej të ktheheshin dhe të ishin ngjitur në mal, në stan. Edhe për kthimin nuk ka pasur datë fikse.
- Për dimërimin e bagëtive në merá, para nisjes, bëheshin përgatitjet e rastit për mjetet më të domosdoshme që u duheshin barinjve. Këto ishin: pajimet personale si: gunat, opingat, veshjet e trupit, pajimet e kafshëve të transportit, enët e ndryshme për gatimin e ushqimit, mjete pune, si sëpata, thika, në ndonjë rast, armë zjarri, si dhe çdo gjë tjetër që u duhej barinjve për periudhën që do të qëndronin aty. Pë çdo mungesë që mund të kishin barinjtë, detyroheshin që ta siguronin edhe në vendet ku ndodheshin, nëpërmjet pronarit të merásë apo edhe në ndonjë vend tjetër.
- Si ngjarje të zakonshme dhe të përvitshme, nisja e bagëtive nga fshati për në merá dhe anasjelltas, nuk është shoqëruar me ndonjë ceremoni të veçantë. Barinjtë bënin ndonjë darkë para nisjes, ku ftonin persona të ndryshëm, të afërt, shokë a miq, me të cilët kalonin kohën kur ishin në merá. Bagëtitë që kishin pjellë herët, kishin qumësht në sasi të mjaftueshme. Barinjtë i milnin dhe këtë qumësht mund t’ua dhuronin edhe familjeve që ishin në afërsi. Po kështu, me qëllimin që të shkonte bagëtia mbarë dhe të shtohej, mund të dhuronin ndonjë qingj apo sheleg në familje që kishin gjendje të dobët ekonomike. Zakone, veprime apo ceremoni të tjera që të ishin të njohura prej të gjithëve, nuk janë lënë, përveç sa theksuam më lart. Kur lindin mosmarrëveshje, për arsye të pagave apo të natyre tjetër, pronari nuk e shiste më meránë por mund t’ia jepte një tjetri.
- Nisja për në merá, nuk bëhej për të gjitha tufat në një datë të caktuar, por në ditë të ndryshme dhe veç e veç, sepse duke qenë shumë bagëti vështirësohej lëvizja e tyre dhe aq më tepër ushqimi gjatë udhëtimit. Merátë, gjithashtu, nuk ishin të gjitha në një vend, por në vende të ndryshme (në fshatrat e luginës së lumit Shkumbin, qysh në afërsi të Elbasanit e deri poshtë në Myzeqe) . Kishte rëndësi shumë të madhe zgjedhja e kullotave dhe sigurimi i vendit ku do të strehoheshin bagëtitë, ku mund të ndërtoheshin kasolle të thjeshta apo vatha, ku futeshin tufat. Barinjtë kishin vendin e fjetjes në afërsi me bagëtitë. Edhe kjo mund të ishte një kasolle fare e thjeshtë. Kemi folur pak radhë më lart se tufat kishin shenjën e tyre dalluese, por kur ndonjë person që kishte 10 -15 kokë dele dhe nuk mund t’i mbante vetë për dimër, ia jepte një personi që shkonte në merá me tufën e vet; këto bagëti për t’u njohur për të mos humbur (nëse mund të përziheshin me tufa të tjera gjatë udhëtimit) u vihej një shenjë me bojë të kuqe në kokë. Po të mos kishin shenjën dalluese në vesh, tufa e gjithë shënohej me bojë të kuqe apo të gjelbërt. Kjo ndihmonte për ta dalluar në çast në tufën ku mund të futej, delen e personit që ishte nisur për në merá.
- Kthimi nga merája sillte shumë gëzim si për barinjtë ashtu edhe për gjithë familjen. Ndonjë bari, në kalin kryesor hipte qingjin e lindur rrugës (kërthinj) apo ndonjë që ishte dëmtuar e nuk ecte dot. Pajimet ishin gjithashtu nëpër kuaj dhe u vareshin copa plisash me bar të njomë. Qingjave më të rritur (meshkujve) u vareshin penjë me bojra të ndryshme dhe zbukurime të tjera. Këto bëheshin sipas rastit dhe jo në mënyrë të zakonshme. Barinjtë e vjetër prireshin më tepër nga këto veprime dhe kishin aftësi që t’i jepnin një paraqitje të hijshme tufës në kthim.
- Për fazën e nisjes për në merá, përgatitja e çobanëve ishte e njëllojtë dhe sipas mundësive që kishte njëra ose tjetra familje, bënte edhe përgatitjet përkatëse. Barinjtë që kishin bagëtitë e tyre dhe shkonin në mera, mund të bënin një përgatitje më të mirë se sa për çobanin që mund të ishte me pagesë dhe kjo ndodhte për faktin se nuk donin të tregoheshin në sytë e të tjerëve që nuk ishin të zotët edhe për mallin e tyre. Por kjo nuk ishte e caktuar, veçse siç e përmendëm më lart, varej sipas mundësive. Ndërsa si festa të blegtorëve në këtë zonë, nuk është njohur ndonjë ditë tjetër, veç ditës së Shëngjergjit që mbeti deri në vitet e para të kolektivizimit. Dita e Shëngjergjit e ka pasur origjinën nga feja e krishterë, por është festuar edhe nga myslimanët. Binte më 23 ditë të prillit (allaturka) ose më 6 maj të çdo viti. Vetë shprehja e njohur: “Shëngjergj e Shënmitër” që përdorej për të treguar se kjo ishte periudha që bagëtia hante me gojën e saj, kurse nga Shënmitri deri në Shëngjergj duhej t’ja siguroje ushqimin të thatë, e tregon qartë se këto kanë qenë data të njohura shumë vjet më parë se të ndërrohej feja e popullsisë vendase. Mbas Shëngjergjit, thuhej se bagëtia nuk rrezikohej më për ushqim. Kurse në Shënmitër (tetor) kishte ndodhur që fillonte bora dhe bagëtive ose u duhej futur ushqim brenda në kasolle, ose të niseshin për në merá. Mbas ditës së Shëngjergjit bulmet kishte pothuajse në çdo shtëpi. Gojëdhëna popullore tregon një rast nga familjet e vobekta, të cilat nuk ishin mësuar të hanin qumësht: “Iu dha rasti një familjeje të varfër të kishte një sasi qumështi ditën e Shëngjergjit. E vunë në zjarr për ta zier. Qumështi u ngrit nga nxehtësia deri sa u derdh, kështu mbetën prapë pa bulmet”. Këtu tregohet karakteri klasor i asaj kohe se familjet e vobekta nuk ishin mësuar me bulmet dhe si të tilla, as nuk duhej të bënin përpjekje për të vënë bagëti se nuk mund t’i ruanin. Një ndikim të madh në këtë drejtim kishte edhe feja. Vetëm mbas çlirimit të vendit e kryesisht mbas viteve të kolektivizimit, u krijua barazi e plotë në të gjitha familjet, sepse kooperativa bujqësore, qysh vitet e para u siguronte anëtarëve, veç të tjerave, edhe bulmet, si qumësht, djathtë, gjizë, gjalpë.
- Përsa i përket nisjes së bagëtive për në merá, duhet të themi se nuk ka pasur ndonjë rregull të caktuar. Vendi i kullotës verore ka qenë gjithnjë i njëjtë, d.m.th. mali i madh i fshatit. Që andej, ose uleshin në fshat për pak ditë, (për shfrytëzimin e kullotave personale brenda fshatit dhe për plehërimin e tokës që ishte pranë shtëpisë) ose niseshin direkt për në merá, zakonisht gjatë luginës së Shkumbinit, duke ndjekur vijën më të drejtë.
- Nisja e tufave me bagëti, për në merá bëhej kryesisht nga fshati duke ndjekur gjithmonë drejtimin e veriut, gjatë rrjedhës së lumit Shkumbin. Kështu përmendim se tufa kalonte nëpër fshatin Gurrë, Qukës, Xhyrë, Dardhë, Babje, Mirakë (Polis), Shushicë. Deri këtu ndiqej afërsisht e njëjta rrugë nga të gjitha tufat që shtegtonin për në merá. Pastaj vazhdohej rruga në atë drejtim ku ishte vendosur për dimërim tufa. Siç e kemi theksuar edhe më lart, merá kishte në të gjithë luginën e Shkumbinit, qysh nga fshatrat e Elbasanit (në të dy krahët e vijës hekurudhore Elbasan –Peqin) e deri në afërsi të Kavajës. Po ashtu, kishte edhe në rrethin e Lushnjës (zonat kodrinore që kufizohen me rrethin e Elbasanit). Po kjo rrugë ndiqej edhe kur ktheheshin nga merája për në fshat.
- Udhëtimi i bagëtive gjatë shtegëtimit varet nga afati i nisjes, përgatitja për udhëtim (ushqime, pajime, etj), nga moti, etj. Zakonisht, udhëtimi i lodh mjaft bagëtitë, prandaj barinjtë mundoheshin që edhe të udhëtojnë, por edhe të kullosin bagëtitë. Kështu, kur rruga kalon nëpër vende shkëmbore apo ku nuk ka fare kullotë, bagëtitë ecin me shpejtësi të njëtrajtshme, kurse nëpër ato vende ku kishte një farë kullote sadopak, mbaheshin për një farë kohe, me qëllim që edhe të kullosin edhe të çlodheshin, si bagëtitë, ashtu edhe barinjtë të çlodheshin, të hanin ushqim, etj. Bagëtitë mund të ecin deri në 15-20 km në ditë (sipas vendit) dhe shtegtimi për të gjithë kohën zgjaste deri në një javë. Ky afat nuk ishte fiks, por ditët e para bagëtitë mund të ecnin më tepër meqë ishin më të kullotura e më pak të lodhura, kurse ditët e fundit ecnin më pak. Kjo varej, siç thamë, nga kushtet rrethanore gjatë shtegëtimit, por barinjtë mundoheshin që ta bënin sa më të lehtë udhëtimin për tufën.
- Për udhëtimin drejt merásë, çobanët ishin të përgatitur me mjetet e nevojshme. Në kuajt që merrnin me vete, ata kishin edhe gunat dhe pajime të tjera që u nevojiteshin për në merá. Zakonisht, çobanët, për të kaluar netët gjatë udhëtimit, bagëtitë i vendosnin nëpër vende të përshtatshme, të mbrojtura nga era, nëpër ato vende, ku mund të mblidhen bagëtitë sa më shumë e të kiheshin nën kontroll nga çobanët. Rreth e qark tyre ndizeshin zjarre dhe qentë qëndronin në gatishmëri kundër egërsirave. Barinjtë nuk ndërtonin vatha as për bagëtitë, as tenda për vete, por mund të shfrytëzohej ndonjë vend në afërsi të fshatrave (kasolle të vjetra apo gjerdhe të ndryshme). Çobanët flinin jashtë, nën drurë me gjeth, apo mullarë të ndryshëm si dhe në ndonjë farë strehe që mund të ndërtonin sipas rastit që u paraqitej, sidomos kur ishte moti me reshje. Pra, ata vepronin sipas rrethanave ku ndodheshin, por gjumin e bënin me radhë, se tufa duhej ruajtur më shumë natën se sa ditën. Në çdo vend ku i zinte nata, masat e para që merrnin barinjtë, ishin sigurimi i vendit ku do të pushonin bagëtitë si dhe i druve për të bërë zjarr. Pranë zjarrit, ata flinin me radhë, të mbuluar me gunat e leshta.
- Gjatë udhëtimit për në mera, mund të ndodhte që një pjesë e bagëtive kishin qumësht, sidoqë në sasi të pakët. Kjo ndodhte më tepër kur tufa kishte dhi, kurse dhentë shteronin më parë. Kur barinjtë e shihnin të nevojshme, ato bagëti që kishin qumësht për t’u mjelë, i milnin dhe qumështin e mjelë e përdornin për ushqim, gjatë udhëtimit, kurse një pjesë tjetër e merrnin me vete në mera ose mund ta shisnin në qendrën më të afërt. Në ndonjë rast (rrallë herë) e jepnin nëpër familje pranë udhës, ku kalonin natën. Por duhet të theksojmë se kjo sasi qumështi nuk ishte aq e madhe, sepse zakonisht, në kohën kur niseshin për shtegëtim, bagëtitë sidomos dhentë kishin shterur fare; ndërsa dhitë mund të kishin fare pak qumësht. Mjelja e bagëtive që kishin qumësht, nuk bëhej me shtrungë provizore, por ngiteshin me radhë, meqë ishin “mësuar” bagëtitë me një farë “rregulli”, si mund ta themi, qysh gjatë muajve të verës dhe nuk ishte e vështirë për ta mbajtur edhe gjatë udhëtimit këtë rregull. Veç kësaj, bagëtitë, nga lodhja në vendin ku kalojnë natën, pak kohë mbas pushimit, të gjitha bien poshtë dhe kur milen, mjafton sa të vihen në lëvizje.
- Qumështi i grumbulluar gjatë udhëtimit, kryesisht përdorej për nevojat e barinjve, siç e pohuam dhe më lart, por, sipas rastit, kur u jepej mundësia, barinjtë edhe mund ta shisnin qumështin. Kështu njeri nga barinjtë, me kalë, merrte qumështin e mbledhur dhe e çonte në pazar. Kur gjente rast, mund ta shiste edhe në rrugë, tek ndonjë person. Kur ndeshej me ndonjë person të njohur (që mund t’i kishte strehuar fjala vjen, barinjtë bashkë me tufën pranë shtëpisë), e raste të tilla ka pasur. Ndonëse rrallë qumështin mund t’ua jepnin edhe këtyre personave. Pra, këtu veprohej sipas rastit e rethanave të vendit.
- Nuk dimë ndonjë rast për lidhje të ngushta midis blegtorëve dhe personave të fshatrave ku ata kalonin, për shkak se ky shtegëtim nuk ishte shumë i kushtëzuar nga prania e personave të lartëpërmendur. Natyrisht, blegtorët edhe mund të ndihmoheshin gjatë udhëtimit në raste të veçanta, por marrëveshje të rregullta për qëllime të caktuara nuk janë bërë. Ata që kishin vende me kullota, mund të përfitonin në këto raste, siç treguam më lart. Lidhje më të ngushta bëheshin në vendet e kullotjes (në merá) midis blegtorëve dhe pronarëve të merásë. Edhe në ditët e sotme ekzistojnë lidhje të miqësisë së vjetër, qysh në vitet para çlirimit apo pas çlirimit, midis fshatarëve të fshatrave ku ishin merátë dhe blegtorët. Këto lidhje vareshin nga mirëkuptimi reciprok që krijohej midis të dy palëve. Rrallëherë kanë ndodhur edhe mosmarrëveshje, por zakonisht, miqësia e lidhur midis blegtorëve e personave disponues, vazhdonte për një kohë mjaft të gjatë. Vetëkuptohet se baza apo shkaku, si mund ta themi, i kësaj miqësie ishte ana materiale, sepse të dy palët detyroheshin që t’i bënin favore njëra-tjetrës, por për interes të njëra-tjetrës, reciprokisht.
* * *
Studimin për blegtorinë po e ndërpresim, me qëllim që të vazhdojmë pjesën e dytë, që do ta fillojmë me kullotat, pasi të shihet nga ana e sektorit të etnografisë për vlerën që do të ketë ky material si dhe për lehtësi në punë. Sigurisht do të ishte më mirë që materialin ta dorëzonim të përfunduar, por mundësitë tona janë tilla që, tani për tani, na lejojnë vetëm për këtë pjesë. Gjatë gjithë punës jemi bazuar në radhitjen sipas pyetjeve të renditura për çdo kapitull të pyetësorit, duke dhënë ato të dhëna që kemi mbledhur nga personat që janë marrë për një kohë të gjatë me blegtorinë, të cilët i kemi përmendur edhe në fillim të këtij materiali.
Për të treguar hollësisht të dhënat e mbledhura jemi zgjatur në disa pyetje të veçanta duke menduar se nuk do ta ulin vlerën e materialit.
Për ta bërë këtë material sa më të vlefshëm, pa humbur kohë, po vazhdojmë edhe pjesën e dytë që do ta fillojmë me kullotat e deri në pyetjet e fundit që bëjnë fjalë për qethjen e leshit dhe lëkurat e bagëtive. Mendojmë që punën kërkimore ta vazhdojmë me dy pyetësorët e tjerë “Lindja” dhe “Vdekja”, pasi të përfundojmë pjesën e dytë të temës “Blegtoria” që kemi në dorë. Sidoqoftë, vlera e këtij materiali, do të më jap më tepër kurajo për ta vazhduar punën në të ardhmen. Të gjithë personat që janë pyetur për mbledhjen e këtij materiali, janë vendës, kanë pasur për një kohë të gjatë bagëti, janë marrë me rritjen dhe shtimin numerik të tyre, si dhe njohin të gjitha traditat e vjetra të blegtorisë. Të dhënat janë të sakta dhe të vërtetuara për vite me radhë nga praktika e blegtorëve. Të tillë janë D.Omëria, Zh.Zhari, R.Dashi, R.Çerri, K.Quku, etj. Gjithashtu janë shfrytëzuar për këtë qëllim edhe të dhënat e tjera të mbledhura nëpër biseda të ndryshme midis fshatarëve. Po kështu edhe këngët popullore që janë mbledhur, këndohen nga fshatarët në raste të ndryshme. Të gjitha pyetjet janë bërë në formë të tillë që personi i pyetur të jap përgjigje sa më të qarta dhe sa më të vërtetuara.
Mosha e personave të lartpërmendur sillet nga 55 vjeç, 45 vjeç e 35 vjeç. Janë pyetur gjithashtu edhe pleq të moshuar si H.Grepi, mbi 80 vjeç, J.Zhari ,75 vjeç,etj. Pra, të gjithë personat që janë pyetur, kanë dhënë saktësisht atë që u është kërkuar.
Periudha për të cilën bëhet fjalë në këtë material, është siç e tregon edhe titulli i materialit, shekulli ynë. Pothuajse i gjithë materiali bën fjalë për blegtorinë para kolektivizimit të bujqëisë.
Në materialin tjetër që do të fillojmë me kullotat, do të flasim edhe për gjendjen e blegtorisë dhe zhvillimin e saj në ditët e sotme. Në përfundim të krejt materialit do të japim një përmbledhje më të hollësishme të të dhënave sipas kërkesave të pyetësorit.
Bërzheshtë, më 10 prill, 1976.
Ndalohet publikimi pa lejen e autorëve!