Anila Bega Cohen: Solla në Shqipëri sistem izraelit, në edukimin e fëmijëve të vegjël, i vetmi në gjithë Ballkanin Perëndimor
”Një fëmijë Shalom është një individ i pavarur, me personalitet. Një fëmijë Shalom, pas 4 viteve të kopshtit e di se çfarë do dhe si ta arrijë”
Nga Izraeli në Tiranë. Anila Cohen themelon kopshtin Shalom, i vetmi në gjithë Ballkanin Perëndimor, që përdor sistemin e edukimit izraelit. Ky i fundit njihet si më i miri në botë. Krijimi i kësaj “perandorie” e vetme, pa mbështetje, pati si aleatë të mirë prindërit e vogëlushëve, që Anila i quan, bashkëpunëtorët e saj më të mirë, më shumë se klientët. Shalom lindi nga dëshira dhe pasioni për t’ju sjellë fëmijëve shqiptarë një sistem edukim në avanguarde, dhe deri tani ia ka arritur falë një pune kolosale. Kopshti Shalom është vendi ku rriten njerëzit e së ardhmes, aty ku stafi punon për të krijuar një personalitet të fortë, të pavarur dhe kreativ, sidomos në zgjidhjen e situatave, siç pohon Anila, në një intervistë dhënë për Hermesnews.
Çfarë është Shalom dhe pse?
Anila Bega Cohen: Shalom Center Albania është instituti i parë edukativ Izraelit në Tiranë. Shalom funksionon si Qendër e kujdesit ditor për fëmijët 1 – 7 vjeç, konceptuar në formën e një vendi të qetë, ku fëmijët marrin njohuri dhe kujdes shëndetësor nga fëmijëria e hershme deri në ciklet e parashkollorit. Metodologjia Shalom është nga më të mirënjohurat në fushën e edukimit të hershëm dhe aplikohet në vende të ndryshme si Hungari, Greqi, Danimarkë, Norvegji, Çeki, Kinë, veç vendit të origjinës Izrael. Shalom e konsideron frymën e komunitetit si një hap themelor, esencial në zhvillimin dhe mirë-rritjen e fëmijëve. Shalom beson se mbështetja dhe përfshirja e komunitetit është një detyrë thelbësore dhe njëkohësisht sfidë për ndërtimin e shëndetshëm të shoqërisë.
Programi Shalom bazohet në teorinë e Frobelit Friedrich Froebel i cili njihet si babai i krijimit të kopshteve. Pedagogjia e kësaj metode mbështetet në 3 parime bazë:
- Zhvillimi i fëmijës duhet të jetë organik dhe t’i korrespondojë zhvillimit natyror.
- Zhvillimi duhet të vijë në mënyrë të përshkallëzuar.
- Zhvillimi bëhet nëpërmjet nxitjes së veprimtarive të pavarura të fëmijëve.
Nëpërmjet kësaj metode fëmijët e njohin botën, krijimin dhe zhvillimin duke u ballafaquar dhe duke e prekur atë. Fëmijët e njohin natyrën duke kaluar nga më e thjeshta të më e vështira, nga konkretja tek abstraktja, nga e njohura tek e panjohura. Në bazë të këtyre parimeve ndërtohet programi mësimor, sipas grupmoshave të fëmijëve nga 2 – 3 vjeç, 3 – 4 vjeç, 4 – 5 vjeç dhe programi parashkollor. Përkrah programit normal, mësueset përgatisin një program të avancuar për fëmijet me inteligjencë mbi mesatare (përcaktuar kjo nga testet e zhvillimit të përgjithshëm sipas grupmoshave). Njohuritë dhe kapaciteti i zhvillimit kontrollohen në bazë të testeve 3 mujore, të cilat u jepen prindërve për ti njohur ata me drejtimin pedagogjik të fëmijëve të tyre.
Kopshti i fëmijëve ka disa veçori, që e bën atë jo vetëm të përshtatshëm, por në një farë mënyrë krijon bazat e para për njerëzit e së ardhmes. Çfarë mungonte deri tani që ju po përpiqeni ta rikuperoni në edukimin e fëmijëve ?
Anila Bega Cohen: Formimi i personalitetit krijohet në vitet e para të jetës. Gjashtë vitet e para të jetës janë vendimtare në formimin e personalitetit të njeriut, pasi janë pikërisht guret e themelit, ku më pas do të ngrihen “muret”. Formimi i personalitetit është krijimi i disa vlerave, qëndrimeve dhe besimeve me të cilat njeriu reagon ndaj situatave dhe njerëzve. Në këto vite fëmija mëson të ketë Shpresë dhe Besim në botën që e rrethon, ose e kundërta, të mos shpresojë dhe të dyshojë tek gjithçka që e rrethon. Programi Shalom beson se Fëmija nuk është një send mbi të cilin mund të veproni, ai ka nevojë dhe të drejtë të dijë gjithçka që ndodh me të. Ne ju shpjegojmë gjithçka që ndodh fëmijëve dhe pse. I dëgjojmë me vëmendje, ju japim kohën që i duhet të shpjegohen edhe ata. Fëmija ndjen emocionet, nuk dëgjon vetëm fjalët. Ata kuptojnë shumë mirë gjestikulacionet e fytyrës, tonin e zërit, buzëqeshjet, ledhatimet. Të gjitha këto ndikojnë në krijimin e besimit dhe vetëbesimit tek fëmijët e vegjël.BESIM do të thotë rehati dhe kënaqësi dhe me këtë fillon një fëmijëri e lumtur. Këtë përpiqemi të realizojmë me çdo fëmijë.
Cilat janë grupmoshat që bëjnë pjesë dhe oraret ?
Anila Bega Cohen: Ciklet fillojnë nga grupmoshat 2 – 3 vjeç, 3 – 4 vjeç, 4 – 5 vjeç dhe 5 – 6 vjeç. Oraret janë nga 7:30 – 17:30 duke ju dhënë mundësi prindërve të jenë komod në rutinën e tyre ditore.
Cilat janë programet që ndiqen dhe pse?
Anila Bega Cohen: Shalomi punon me programin e miratuar nga MASH dhe programi ditor ndahet n pjesën teorike dhe punën në tavolinë. Programi bazë teorik fillon me ciklin e natyrës dhe jetës së gjallë, kafshët, ndarja në grupe dhe veçoritë e secilit grup, mjetet e transportit, makineritë, higjena personale dhe ajo e ambjentit, gatimi/rëndësia e ushqimeve, planetët, kontinentet. Vendi im quhet Shqipëri, trupi i njeriut dhe funksionimi i organeve kryesore, si krijohet dita/nata, si u krijua toka/deti, profesionet, familja ime, shtëpitë dhe banesat, ndjenjat dhe emocionet, çdo të thotë të jesh njeri… etj. Të gjitha këto materiale do të zhvillohen dhe në gjuhën angleze në një formë të reduktuar duke iu përshtatur grupmoshave. Veç programit teorik fëmijët punojnë në orë të veçanta, matematikë, shkrim, konceptet e masës dhe të hapësirës, dramë, aplikacione, vizatim, eksperimente njohëse, edukim fizik dhe edukim muzikor. Gjuha e huaj bazë, në qëndrën tonë është Anglishtja. Materialet didaktike për mësimin e gjuhës angleze janë marrë nga “100 words and phrases” dhe zhvillohet çdo ditë nga 30 minuta pas mësimit teorik. Ky program fillon tek fëmijet mbi 2 vjeç dhe përmban figura dhe lojëra muzikore në gjuhën angleze. Improvizimet e situatave në market, rrugë, shtëpi, plazh zhvillohen në anglisht pas moshës 5 vjeçare. Gjuha e huaj e dytë është Hebraisht. Kjo gjuhë është me dëshirë dhe zhvillohet 2 herë në javë me fëmijët mbi 4 vjeç. Marrë nga metoda Hebrew/kids jep njohuri për ngjyrat, numrat, familja ime, frutat/perimet, ditët e javës, stinët, pjesët e trupit si dhe këngë dhe vjersha të shkurtra për kafshët me imitime lëvizjeje. Programi mësimor fillon në orën 9.00-10.00 për grupmoshat 3-4.5 vjet dhe nga ora 9.00-10.30 për grupmoshat 4.5-6 vjeç. Pas kësaj kohe fëmijët zgjedhin aktivitete të lira (loja), deri në orën 12.30 kur duhet të përgatiten për drekën. Loja dhe ekskursionet janë një pjesë e rëndësishme e programit Shalom. Programi teorik dhe ai i gjuhës së huaj është ndarë në 2 semestre Shtator -Janar dhe Shkurt – Qershor. Për periudhen e verës fëmijët drejtohen në aktivitete të lira, drama, përralla të dramatizuara, vizatime dhe gatim.
Çfarë qëndron në themel të qëndrës Shalom?
Anila Bega Cohen: Në themel të Shalomit qëndron edukata morale, edukata qytetare, komunikimi dhe fryma e komunitetit. Komunikimi është baza dhe çelësi i Besimit dhe Sigurisë. Fryma komunitare na ka dhënë mundësi të shtrijmë aktivitetin tonë në ndihmë të njerëzve në nevojë. Të gjitha këto synojnë të krijojnë një njeri që të jetojë në harmoni me veten, me familjen, me shoqërinë, me mjedisin.
Kemi vënë re që në aktivitetet tuaja, ju keni ftuar dhe trajnerin e kombëtares de Biasi
Anila Bega Cohen: Në vitin 2015 Shalom ka iniciuar një projekt për mbajtjen larg nga interneti dhe lojërat elektronike të fëmijëve të vegjël. Ideja u mbështet nga gazetari sportiv Ervin Baku dhe trajnieri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi. Pjesë e këtij projekti u bënë titullare të sportit shqiptar si futbollisti Shkëlqim Muca, Kampionia e Europës në Qitje Lume Pepa, Kampioni dhe mjeshtri i Fedes Franz Ashiku, hedhësi i çekiçit Murat Basha. Në muajt në vazhdim do të jenë pjesë e këtij projekti edhe figura të tjera të njohura të sportit shqiptar. Në fund të projektit Shalom do të botojë një libër me lojëra sportive për fëmijë, i cili do t’ju vijë në ndihmë mësuesëve të kopshteve si dhe familjeve për organizimin e lojërave të thjeshta sportive dhe argëtuese në çdo ambjent.
Një prej programeve tuaja është dhe loja e shahut. Pse?
Anila Bega Cohen: Është e lehtë, mund të luhet kudo, është një lojë mjaft popullore në Shqipëri dhe kryesorja zhvillon inteligjencën dhe zgjidhjen e situatave në një formë zbavitëse dhe kreative.
Dmth kur fëmijët dalin nga kopshti, sa janë të aftë të integrohen në shkolla?
Anila Bega Cohen: Një fëmijë Shalom është nje individ i pavarur, me personalitet. Një fëmijë Shalom, pas 4 viteve të kopshtit e di se çfarë do dhe si ta arrijë. Programi Shalom zhvillon njohuri të përgjithshme që në fëmijëri. Eshtë e rëndësishme që fëmijët e vegjël të kuptojnë proçesin që nga zanafilla, kjo i ndihmon të jenë të qartë dhe të sigurtë. Fëmijët Shalom përgatiten të përballojnë sfidat dhe të jenë sfidues në një shoqëri ku ndryshimi bën diferencat e mëdha./hermesnews, 10 prill 2016/