Albspirit

Media/News/Publishing

PASZGJEDHJET DHE NORMALITETI.  JU KUJTOHET FILMI «NJË DITË MË PAS»?

Image result for astrit gjunkshi

Dr. Astrit Gjunkshi

 

 

Shumë personave të brezit tim, dhe jo vetëm, duhet t’u kujtohet mirë filmi amerikan hollivudian «Një ditë më pas». Nuk e mbaj mend në detaje, por nuk mund të harroj mesazhin e qartë e të dhimbshëm dhe skenat e dhimbjes njerëzore. Paraqet një grup njerëzish që, vërtet i kishin shpëtuar goditjes bërthamore në një strehim anti-bërthamor, por i gjithë mjedisi jashtë strehimit ishte bërë krejt i pabanueshëm, vdekjeprurës dhe vështirë se mund të flitej për një fitore të jetës, edhe pse ata përkohësisht kishin mbetur gjallë. Nuk kishte fitues dhe as të ardhme.

Mund të bëj fare lehtë një paralelizëm figurativ me termin “një ditë më pas”, duke patur parasysh ditën e sotme, një ditë pas zgjedhjeve të djeshme vendore . Shqipëria vërtet i mbijetoi një kaosi social që paragjykohej se mund të ndodhte dhe zhvilloi një proces të qetë zgjedhor apo, në të vërtetë, zhvilloi votime monopartiake në shumicën e bashkive. Por duket se lufta e ashpër elektorale ka lënë pasoja të mëdha që cënojnë normalitetin e jetës sociale e politike të vendit. Kështu nuk është normal cënimi i pluralizmit të qeverisjes vendore, meqenëse të gjitha bashkitë e vendit do të qeverisen vetëm nga një forcë politike. Nuk është normal as mbetja e pjesës më të rëndësishme të opozitës jashtë Kuvendit, për rrjedhojë mungesa e përfaqësimit të një pjese të rëndësishme të elektoratit të djathtë.  Nuk është normale mbetja pezull e vetë ligjshmërisë të zgjedhjeve që përfunduan, pavarësisht se supozohet se ajo do të zgjidhet brenda muajit korrik me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Mbi të gjitha, nuk është normal vazhdimi edhe pas zgjedhjeve i urrejtjes para zgjedhore, që konkretizohet çdo ditë me një luftë të ashpër verbale (që arriti më parë, në disa raste, deri në përdorim të dhunës fizike). Kjo ka ndarë deri në ekstrem dy grupe të konsiderueshme të popullit tonë. Nuk është normale as indiferenca e një pjese të madhe të popullsisë që, e zhgënjyer nga politika, nuk do t’ia dijë fare për procesin zgjedhor, pasi lufta politike i ka ardhur në majë të hundës. Nuk është mormal as vazhdimi i një dëshire të madhe të rinisë dhe të intelektualëve për të braktisur vendin, mjaft që të ikin nga kjo klimë tensioni politik e social.

Nuk është normal as fokusimi i debatit pas zgjedhor midis dy konkurentëve kryesor politik te numrat e pjesëmarrjes në votime. Mendoj se opozita bën gabim taktik që po përfshihet te faktet e një procesi zgjedhor që nuk e ka njohur dhe është vetëtërhequr  (edhe pse e kuptoj se përpiqet të provojë se mazhoranca ka manipuluar numrin e pjesëmarrësve edhe në këto zgjedhje pa garë). Në vend të kësaj, mendoj se ajo duhet të këmbëngulë në ndjekjen e procesit ligjor të akuzës për përgjimet e publikuara mbi manipulimin e zgjedhjeve të kaluara.

Nuk është normale që lufta politike midis dy palëve të vazhdojë me të njëjtën mungesë të konstruktivitetit politik, në këtë gërmadhë të situatës sociale ku populli është i zhgënjyer nga politika që nuk i krijon asnjë shpresë se punësimi dhe mirëqenia do të ndryshojnë për mirë. Kjo nuk i shërben popullit, por nuk i shërben aspak asnjërës prej palëve të politikës. Opozita nuk mund të vazhdojë me kërkesa ultimative të parealizueshme, që do ta dëmtojnë edhe më tepër besimin e saj në sytë e ndërkombëtarëve dhe të elektoratit të djathtë. Nga ana tjetër, mazhoranca duhet të zbresë me këmbë në tokë dhe të shfryjë propagandën deri arrogante të pafajshmërisë së saj si në qeverisje ashtu dhe në përgjegjësinë për uljen e tensionit politik. Është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje krijuese për tejkalimin sa më shpejt të krizës.

Ashtu si pas çdo katastrofe natyrale apo njerëzore, edhe në këtë situatë jo normale paszgjedhore, përgjigja më e mirë është marrja e masave për eliminimin e dëmeve, zbutja e pasojave, vendosja e bazave të sigurta për ngritjen nga katastrofa dhe përmirësimin e situatës brenda vendit dhe brenda partive. Nëse palët do të duan të konkurojnë për fitore në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, kurdo që të zhvillohen, ato duhet të mendohen për të filluar që tani për së mbari. Zgjedhjet e ardhëshme do t’i fitojë ajo parti që do të dijë të shohë më tepër brenda vetes dhe jo vetëm në goditjen e kundërshtarit, duke nxjerrë me realizëm mësime nga gabimet që ka bërë veçanërisht në këto 6 muajt e fundit.

Është jo pak i përhapur edhe mendimi se palët jo se nuk dijnë të gjejnë zgjidhjen në normalizimin e marrëdhënieve midis tyre por, në fakt, nuk duan. Ka mjaft njerëz që mendojnë se ata nuk duan të ketë normalitet, në mënyrë që të ngadalësohet reforma në drejtësi. Jemi me fat që partnerët tanë amerikanë janë bërë garantë të kësaj të fundit, kështuqë do të dështonte çdo përpjekje që mbase mund të bëhet në këtë drejtim. Nëse një klimë e tillë vazhdon, kjo veçse do të thellojë përgjegjësinë e tyre para popullit.  Mbase do të përshpejtojë edhe daljen në skenë të faktorëve të rinj të organizuar politikisht.

Tiranë, më 01 korrik 2019

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban Master Sc për sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash, shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.

 

 

Please follow and like us: