Albspirit

Media/News/Publishing

Poeti martir Vilson Blloshmi, vepra e plotë (1)

Image result for vilson blloshmi, vepra

Përgatiti, pajisi me shënime dhe parathënie Sadik Bejko dhe Bedri Blloshmi.

 

POETI QË I PAGOI ME PESHËN E JETËS ARTIN DHE BINDJET E TIJ

 

  1. VILSON BLLOSHMI 18.3.1948-17.7.1977

 

 

Vilson Blloshmi (1948-1977) lindi në fshatin Bërzeshtë, të rrethit Librazhd, mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, punoi si bujk në fshat, druvar në Stravaj, minator në minierën e Përrenjasit, u arrestua në gusht të vitit 1976 dhe u ekzekutua me pushkatim më 17 korrik 1977, me akuzën: sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë. Vilsoni dhe miku i tij Genc Leka u quajtën krerët e një grupi prej pesë-gjashtë fshatarësh që “sabotonin” ekonominë bujqësore të fshatit Bërzeshtë.

Kjo akuzë nuk u formulua nga hetuesia dhe prokuroria, siç është e udhës, por nga kryesia e Partisë, nga Sekretari 1) i Parë i saj, Hysni Kapo, nga Ramis Alia, Miti Nito, Naumka Bozo dhe plotë dallkaukë të cilët ishin në majën e piramidës, madje u njoftua edhe kryeministri, xhelati Mehmet Shehu dhe iu dha për zbatim gjykatës së Librazhdit. Vendimin e gjykatës së Librazhdit e la në fuqi Kolegji i Gjykatës së Lartë me firmën e kryetarit të saj, dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, me firmën e sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor; pas kësaj, ministri i Punëve të Brendshme i dha urdhrin për ekzekutim policisë së Librazhdit.

________________

 

1). Shih: “Protokoll, Nr. 23 datë 28.IV.1977, i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit të Partisë, rrethi Librazhd, në faqen 191 të këtij libri.

——————————

Gjithë kjo procedurë e vrasjes së Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit, e nisur nga Librazhdi, shkoi zinxhir brenda tridhjet e tre ditësh nëpër të gjitha shkallët e piramidës së shtetit shqiptar, për t’u kthyer prapë atje ku filloi. Vendimi, siç e thamë, në rrugë partie ishte marrë që më përpara. Partia e kishte vendosur që shtetit i duheshin këto dy ekzekutime: vrasja e dy poetëve. Pse duheshin vrarë? Kjo është e vështirë të thuhet me dy fjalë. Atëherë shteti në vijimësi i burgoste, i internonte, i vriste shtetasit e vet. Shteti shqiptar i diktaturës siç e kishte shpallur që në fillimet e tij, i qëndroi me një kryeneçësi kriminale deri në fund kësaj praktike staliniste: duhet të vrasim njerëz, që të mbajmë pushtetin.

Krahas punës së rëndë në bujqësi, në sharra dhe në minierë, Vilson Blloshmi përkthente dhe shkruante poezi, por shtypi dhe shtëpitë botuese të kohës ia mbyllnin derën atij si dhe gjithë shkrimtarëve me “biografi të keqe”: familja Blloshmi kishte përsipër damkën e kulakut. Përndjekja, mosdhënia e të drejtës së profesionit të mësuesit dhe e të drejtës së botimit, arsyetoheshin prej kësaj prejardhjeje familjare: që më 1945 Blloshmët ishin shpallur zyrtarisht armiq politikë të shtetit. Në komunizëm “fajet” e prindërve i vuanin dhe fëmijët. Ndaj dhe Sigurimi i shtetit Vilson Blloshmin e kishte përndjekur që në bankat e shkollës së mesme. Që nga viti 1965 në zyrat e Sigurimit atij i është hapur një dosje: jeta e tij përgjohej rregullisht.

Katër muaj para se ta fusnin në burg, letërkëmbimi, ditarët, poezitë dhe përkthimet e Vilson Blloshmit u sekuestruan nga policia. Ky shtet që e kishte ndaluar të merrej me letërsi, papritur po interesohej posaçërisht për këtë krijimtari letrare të shkruar në fshehtësi dhe të kyçur në sëndukët e shtëpisë në fshatin Bërzeshtë. Poezia, ditarët, përkthimet, letrat, të sekuestruara dhunshëm, iu nënshtruan një përpunimi të imët në zyrat e Sigurimit. U thirrën në këto zyra përkthyes nga gjuha frënge dhe mësues letërsie për të nxjerrë kuptimet e nënkuptimet e fshehta të kësaj krijimtarie. Iu dhanë për shqyrtim edhe disa prej ekspertëve letrarë të njohur të kohës, Muzafer Xhaxhiu profesor i Universitetit të Tiranës, tjetri poet i njohur, Koçi Petriti, b.p. sigurimi në rrethin e Librazhdit dhe i treti, Diana Çuli, redaktore e gazetës së vetme letrare në gjithë vendin e cila ekspertoi poezitë e Genc Lekës.

Ekspertët i dhanë policisë mendime me shkrim për letërsinë e një poeti krejt të panjohur, për një letërsi që nuk ishte fare e publikuar, as në shtyp, as dorazi, për më tepër, për një letërsi që ishte sekuestruar prej policisë nga arkivat private të një fatkeqi që tashmë i kishin hedhur hekurat. Shteti u interesua kaq shumë për këtë krijimtari, jo për ta vlerësuar estetikisht atë, por për të gjetur prova fajësie që autori i tyre të dënohej sa më rëndë.

Letërsia e tij, ashtu si dhe jeta e tij, atëherë u gjykuan të rrezikshme për shtetin dhe poeti u ekzekutua. Prej asaj kohe edhe letërsia e tij u varros përgjithmonë në arkivat e policisë.

Pas vitit 1991 për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën po flitet ndryshe: ata janë shpallur zyrtarisht martirë, janë botuar disa libra për jetën dhe veprën e tyre, u është ngritur një memorial prej bronzi në qytetin e Librazhdit e dy shkolla mbajnë emrat e tyre.

Gjithë sa thamë më lart përbën shkurtimisht jetën e Vilson Blloshmit. Me rastin e botimit të veprës së tij në dy vëllime, më poshtë do t’i shtjellojmë më hollësisht faktet e jetës dhe të letërsisë së tij.

 

  1. Si janë gjetur dorëshkrimet e këtij botimi

Me përjashtim të letërkëmbimit me të kushërirën, piktoren e njohur Lumturi Blloshmi, dhe të tri poezive që vëllai i tij, Bedri Blloshmi, i ka gjetur në bibliotekën e Vilson Blloshmit në Bërzeshtë, të gjitha materialet e tjera letrare që do të botohen në këtë vepër, janë nxjerrë nga arkivat e policisë sekrete.

Në vitin 2007 menduam se në librin “Vilsoni dhe Genci” kishim botuar gjithçka që kishte mbetur nga krijimtaria e Vilson Blloshmit. Në atë libër poezitë dhe përkthimet ishin marrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, ishim të bindur se në këto arkiva duhet të kishte ende për të kërkuar.

Siç dihet, një i arrestuar dhe i gjykuar nga shteti komunist për motive politike ka tri dosje: dosja operative, ku janë përgjimet e spiunëve të Sigurimit, dosja hetimore dhe dosja gjyqësore. Në dosjen hetimore përfshihen gjithë pyetjet dhe përgjigjet e të paraburgosurit nën hetim, ballafaqimi i tij me dëshmitarët, mendimet e ekspertëve etj. Dosja gjyqësore përmban aktakuzën e prokurorit, pyetjet dhe përgjigjet e të pandehurit dhe të dëshmitarëve gjatë gjykimit, dhënien e vendimit prej trupit gjykues. Nga të tria këto dosje më e rëndësishmja për studiuesin është dosja operative. Aty janë materialet letrare, si provë për akuzën, letrat e spiunëve për të përndjekurin, bashkë me përpunimin e tyre nga zyrtarët e Sigurimit. Në kohën kur dosja e përgjimit, dosja operative përgatitore B, kthehej në dosje përgatitore A, i përndjekuri arrestohej. Materialet e kësaj dosjeje i viheshin përpara hetuesit që do të hetonte të paraburgosurin.

Me që në Shqipëri nuk ka një ligj për hapjen e këtyre dosjeve, dosjet e operative, siç quhen, asnjeri nuk mund t’i shohë e t’i prekë askush materialet e tyre sepse janë “top sekret” në çdo kohë. Kështu që gjithë sa kemi në dorë nga këto arkiva, na i kanë dhënë të fotokopjuara zyrtarët e Shish-it dhe të arkivit të Ministrisë së Brendshme.

Në rastin e Vilson Blloshmit, kërkesës së vëllait të tij, Bedriut, më 1995 nëpunësit e arkivit të Ministrisë së Brendshme i dhanë të fotokopjuara vetëm poezitë dhe përkthimet që tashmë janë botuar në librin “Vilsoni dhe Genci”. Në vitin 2007 ai u bëri edhe një letër-kërkesë tjetër titullarëve të zyrave të arkivave dhe me dashamirësinë e këtyre zyrave mori të fotokopjuara tri blloqe me dorëshkrimet e poetit Vilson Blloshmi.

I pari, në 82 faqe fletoreje të shkruara me stilograf nga dora e Vilson Blloshmit përmban

(I) sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë, si: Sokrat, Aristotel, Epikur, Hegel, Paskal etj, sentenca nga shkrimtarë dhe njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore, si: Euripid, Virgjil, Dante, Shekspir, Bajron, Shatobrian, Lamartin, Demoniaks, Bodler, Teofil Gotie, Dostojevski, Gorki etj;

(II)       fragmente esesh nga E. A, Poe, V. Hygo, P. Claudel;

(III)     poezi (një antologji e vogël me poezi të zgjedhura prej poezisë franceze) të autorëve Bodler, pesë poezi, Rembo, dy poezi, Xhan Morea, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Suly Prudhom, Francis Karko, Apoliner dhe Pol Gerald, secili nga një poezi, Pol Elyar, katërmbëdhjetë poezi dhe (IV) 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët” i V. Hygoit. Të gjitha këto janë të shkruara frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi dhe duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentencat nga Sami Frashëri, sentencat nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragment prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” e Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse.

Lënda e këtij blloku, veç një fragmenti të përkthyer nga “Legjenda e shekujve” e Hygoit, që mban datën 9 shtator 1975, ka nisur të shkruhet aty nga fundi i vitit 1971 dhe ka vazhduar gjatë vitit 1972.

Cili ka qenë qëllimi i shkrimit të kësaj lënde në një bllok? Mbase ai i ka gjetur ato në libra të ndryshëm, të cilët i ka pasur përkohësisht në duar, dhe i ka kopjuar që t’i ketë përherë me vete. Disa nga këta poetë, “dekadentë” dhe “reaksionarë”, siç quheshin zyrtarisht dhe në librat e universiteteve, nuk u botuan në Shqipërinë e atyre viteve dhe librat e tyre gjendeshin me vështirësi dhe vetëm në bibliotekat e atyre që dikur kishin studiuar në Europë.

Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, zë fill me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Ka gjasë që ky libër t’i ketë rënë në dorë përkohësisht. Ai e ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe ka dhënë në shqip shkurtimisht përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Pandehëm se do ta kishte përkthyer atë qoftë dhe pjesërisht, por doli kjo që thamë. Vendin më të madh në këtë bllok e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit “Pendim i vonët”, pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit dhe, më në fund, vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.

Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranisë.

Ajo që i jep rëndësi të veçantë këtij blloku është zbulimi për herë të parë i shtatë poezive të reja të Vilson Blloshmit, midis tyre dhe poezia e tij e fundit që mban datën 11 shtator 1975. Në hetuesi Vilson Blloshmi ka thënë se këtë poezi e ka shkruar nga që pandehte se nuk do t’ia arrinte kurrë të martohej.

Blloku i tretë dhe më i vëllimshmi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadig” të Volterit. Nuk dimë se në ç’rrethana i ka rënë në dorë novela “Zadig” dhe pse e ka përkthyer. Në fund të përkthimit Vilson Blloshmi ka vënë datën 18 prill 1970, vit kur ai ka qenë ushtar në brigadë pune, brigada ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe gjithë ata me “biografi të keqe”. Ushtarët e brigadave të punës nuk stërviteshin për të përvetësuar armët si gjithë ushtarët e tjerë, se “bijtë e armiqve” nuk ishin të denjë për një privilegj të tillë, ata punonin në bujqësi, në ndërtim, në minierë. Vilson Blloshmi ka punuar, ka ecur më tej në studimin e frëngjishtes dhe ka përkthyer Volterin, Hygoin etj. Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vitet e shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes.

Me rastin e këtij botimi, dorëshkrimin e përkthimit të novelës së Volterit e kemi redaktuar, plotësuar në pak fjalë e fraza dhe mendojmë se me këtë përkthim vjen në shqip përherë të parë e plotë novela “Zadig”. Themi kështu se në përkthimin e “Zadig-ut” prej Vedat Kokonës te libri Volter “Novela”, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, krahasuar me përkthimin e Blloshmit, mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit. Nuk dihet pse mungojnë këta tre kapituj, (dimë që nën komunizëm të gjithë autorët, vendas dhe të huaj, përfshi edhe Volterin, censuroheshin), por mendojmë se sidomos dy kapitujt e fundit janë me shumë rëndësi për mesazhin që përcjell kjo novelë filozofike, një nga më të bukurat e penës së Volterit. Botimi i cunguar keqas i vitit 1990 të lë përshtypjen se heroi dhe heroina e novelës pas shumë peripecish, më së fundi, si në përralla, u martuan, u trashëguan dhe vdiqën të lumtur. Volteri me dy kapitujt e fundit të novelës “Zadig” është larg nga një moral i tillë prej përrallash me mbret e mbretëreshë. Dhe pikërisht këta dy kapituj mungojnë në botimin e Tiranës të vitit 1990.

A mund të ketë shkrime të tjera të Vilson Blloshmit në arkiva? Kjo asnjëherë nuk dihet, përderisa arkivat për këto lloj dosjesh do të jenë të mbyllura përjetësisht. Sipas të thënave të ish gruas së tij, Dianës, Vilsonit iu sekuestruan bashkë me poezitë edhe letërkëmbimi e ditarët. Gjatë hetimit, vetë Vilsoni flet për një ditar të vitit 1972 , por deri më tani nuk kemi hasur në një ditar të tillë. Mund të gjenden ato ndonjë ditë? Edhe po, edhe jo. Sigurimi dhe hetuesia i zhduknin disa nga ato materiale që, sipas tyre, nuk cilësoheshin si provë me vlerë për akuzën.

 

  1. Si i gjente librat në gjuhë të huaj

Asnjë nga librat e autorëve që ka përkthyer, ose të librave nga të cilët ka zgjedhur poezi për t’i hedhur me shkrimin e tij në këto blloqe nuk gjenden në bibliotekën e tij, nuk përmenden as në listën e librave të sekuestruara nga policia.

Ndër librat që iu sekuestruan, ishin dhe ato me shënime shqip dhe frëngjisht me shkrimin e V. Blloshmit. Paranoja e sigurimsave shkonte me mendimin se mos ky “armik” kishte bërë ndonjë plan me shkrim për të përmbysur pushtetin apo ndonjë plan me synime të tjera armiqësore për shtetin. Kjo ishte arsyeja që shkrimet dhe librat e tij iu sekuestruan katër muaj para se atë ta arrestonin: ato u përpunuan nga Sigurimi në bashkëpunim me përkthyes dhe me specialistë të letërsisë për të gjetur material prove për akuzën e agjitacionpropagandës. Natyrisht që nuk gjetën hartimin e ndonjë plani për të përmbysur pushtetin. Vilson Blloshmi, për aq sa kemi lexuar deri tani, nuk ka shprehur mendime politike në dorëshkrimet e tij. Ai ishte një poet, një i dashuruar me librin, me kulturën dhe, në veçanti, me kulturën frënge. Por edhe kjo, të adhuroje kulturën perëndimore, ishte armiqësore, sipas mendësisë së atëhershme.

Është trimërore sa edhe e pasionuar puna e V. Blloshmit për ta gjurmuar, hedhur në dorë, ose, së paku, për ta huajtur përkohësisht një libër në frëngjisht.

Nga dëshmitë e të njohurve të tij tregohet me hollësi miqësia e Vilson Blloshmit me një intelektual të kohës së mbretërisë, një burrë i moshuar, i vetmuar, i degdisur nga regjimi në një nga bodrumet me lagështi të kryeqytetit. Nëpërmjet tij ai gjuante një libër të nevojshëm në frëngjisht. Pastaj hynte në pazar, për ta blerë librin. Një punë me frikë në zemër se disa nga këta “borgjezë”, të deklasuar, të sekuestruar, të futur në burgje, të mplakur e plot huqe, edhe donin ta shisnin një libër nga që kishin rënë në mjerim, po edhe nuk donin të ndaheshin prej tij. Frika shtohej, deri në tmerr, se shumë prej tyre nga halli e nga dajaku qenë bërë “miq” të Sigurimit. Me njerëz të tillë që sot ta premtonin shitjen e një libri, nesër pendoheshin e të sikterisnin, pasnesër të thërrisnin vetë që ta blije librin, ose ta mbaje disa muaj, kundrejt një pagese, ka pasur punë Vilsoni.

Në letrat e tij dërguar Lumturi Blloshmit, një nga temat më të ngulëta është gjetja e librave në gjuhë të huaj: porosi për një libër të Sartrit, të Kamysë, të Bodlerit, të Rembosë etj, sidomos, për një Laorusse, qoftë ky dhe i vjetër etj. Ai kërkon prej saj që në letra t’i dërgojë një poezi në origjinal, edhe vetë i çonte asaj në frëngjisht poezitë e autorëve të tij të zgjedhur.

 

  1. Familja Blloshmi

Blloshmët e parë kanë qenë thirrur Milloshë. Milloshë pastaj Blloshmë, po t’u besojmë gojëdhënave. Mark Milloshi, heroi i një balade të kësaj krahine, (baladë e njohur, e përfshirë dhe në tekstet e shkollave të mesme) shquhej si luftëtar “dragua” në luftë me osmanllinjtë përkrah Gjorg Golemit.

Po, si duket, Blloshmëve baladat nuk u kanë sjellë fat të mirë.

Fati i kësaj familjeje, pas një shkëlqimi në kohën e mbretërisë, më tej, në kohën e komunizmit u thërrmua copë e çikë. Në vitet e pavarësimit të Shqipërisë dhe të formimit të shtetit të ri shqiptar shumë burra nga kjo familje zunë vende me peshë në jetën politike të vendit. Ndër ta, i përmendur ka qenë Hajdar Blloshmi dhe i biri, Selahudin1) Blloshmi, deputet dhe ministër. Gruaja e këtij, Sara

____________________

1)         Të dhëna mbi Hajdar Blloshmin dhe mbi të birin, Selahudin Blloshmin, gjenden në librin e Teki Selenicës “Shqipëria në vitin 1927”. Sipas këtij libri, Hajdar Blloshmi ka qenë delegat i Pogradecit në Kongresin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Mbas vitit 1920 emri i Hajdar Blloshmit zëvendësohet nga i biri, Selahudini. Selahudin Blloshmi ka qenë delegat i Pogradecit në Kongresin e Lushnjes më 21 kallnuer 1920. Më tej Selahudini del si mis (anëtar) i Këshillit Kushtetues më 21 kallnuer 1924 dhe zgjidhet deputet i Elbasanit më 17 maj 1925. Teki Selenica “Shqipëria në vitin 1927”, fq 31,32.

——————————————–

 

Blloshmi, mbesë e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, ishte damë e lartë e jetës mondane të kryeqytetit.

Haki Blloshmi (1904-1944), djali tjetër i Hajdarit, me arsim të lartë në Francë dhe në universitetin e Harvardit, në SHBA, ku u diplomua për shkenca politike, gjatë Luftës së Dytë Botërore komandonte një çete nacionaliste.

Me emrin e Haki Blloshmit lidhet gjëma e dyfishtë e Dunicës.

Në fshatin Dunicë të Pogradecit më 7 mars 1944 çeta e tij u rrethua nga partizanët. Për të shmangur gjakderdhjen, Hakiu u kërkoi besë partizanëve. Por Haki Blloshmin e vranë, sapo u dorëzua te partizanët. Aty për aty, u vranë dhe gjithë luftëtarët nacionalistë të çetës të tij.

Masakra e 7 marsit 1944 u pasua nga një gjakderdhje tjetër tipike hakmarrëse ku u vranë 5 Blloshmë. Më 14 mars vëllai i Hakiut e i Shefqetit, Xhevdet Blloshmi, me dredhi, i veshur si komandant partizan, mblodhi burrat e Dunicës në xhami. Aty bashkë me dy-tre shokët e tij vranë 42 burra të fshatit, aq sa ç’ishin vrarë një javë më parë nga partizanët. Të tjerët i lëshuan.

Ngjarjet e Dunicës qenë me pasoja të rënda për Blloshmët. Dunica e vulosi përfundimisht fatin e tyre. Ata kishin hyrë në gjak me komunistët, kishin dalë me armë në dorë kundër partisë, për pasojë, do të damkoseshin si “armiq të popullit”. Do të tregoheshin me gisht si tradhtarë. Për armiqtë e popullit, term i Stalinit dhe i Hoxhës, nuk kishte mëshirë. Ata shpronësoheshin, burgoseshin, zhdukeshin fizikisht. Për të cilësuarit zyrtarisht armiq, nuk kishte nevojë për prova dhe për fakte. Gjykatat i sajonin vetë faktet e provat dhe i hidhnin në burg, i shkonin në plumb e në litar, familjet ua internonin në kampet e përqendrimit.

Selman Blloshmi (1865-1954), gjyshi i poetit Vilson Blloshmi, ka qenë ndër burrat e tjerë të përmendur të Blloshmëve.1)

Selmani dhe Hajdari, në vitet e Rilindjes, ishin vënë në lidhje me shoqërinë patriotike të Stambollit që shtypte libra shqip. Selmani ka qenë delegat në Manastir për alfabetin shqip, në Kongresin e Elbasanit, 1909,

Selmani Blloshmi, i njohur për devotshmërinë e tij ndaj çështjes kombëtare, është ngarkuar me misione speciale nga qeveria e Ismail Qemalit. Ka bërë punën e nëpunësit gjatë mbretërisë. Ai ka pasur korrenspondencë të rregullt me patriotin Ibrahim Temo dhe ka qenë delegat për hapjen e shkollës shqipe në Korçë. Kishte aftësi të pajtonte fiset në hasmëri dhe në grindje të ndërlikuara, ndaj mbreti Zog e emëronte krahinar në zona me probleme të tilla.

Më 1934 i lidhën një pension shtetëror dhe u kthye përgjithmonë në Bërzeshtë.

 

____________________

1)         Shih dhe raportin e datës 19 maj 1900 të Konsullit austriak në Manastir, dërguar Ministrit të jashtëm në Vien. Një kopje e këtij raporti është në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë. Raporti e paraqet “familjen fisnike të Selman efendi Blloshmit” me ndikim në Elbasan dhe në Pogradec; Selman efendi Blloshmi është patriot i sprovuar si dhe bashkëautor i një shkrimi në gazetën Albania nr. 3, 15 prill 1900.

—————————–

Me ardhjen e Luftës, fati e ndërroi fletën për nga e keqja për Selman Blloshmin. Vdekja i kishte marrë njëri pas tjetrit tre djem nga martesa e parë. Azis Selman Blloshmi (1903-1944), me studime të larta ushtarake në Vjenë, me njohuri dhe për drejtësi e financë, mbante gradën e majorit si oficer karriere në ushtrinë mbretërore. Më 28 tetor 1944, pak para çlirimit të Tiranës, atë e thirrën në komandën partizane në periferi të kryeqytetit. Pas kësaj nuk u kthye më në shtëpi. Bashkë me 36 burra të tjerë edhe ai u likuidua në fshehtësi, më të shumtët e tyre janë vrarë te hotel “Bristoli”. Si duket, ka patur ndonjë listë me emra që duheshin krasitur para se pushteti i ri të vendosej në Tiranë.

Azizi la dy fëmijë. Lumturi Blloshmi, e bija, ia arriti të mbarojë shkollën e lartë për pikturë dhe të jetë piktore e njohur në Tiranë.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore Blloshmët në Bërzeshtë u shpallën kulakë nga shteti i ri. Cilësimi kulak atëherë jepej familjarisht. Kulakë quheshin të rriturit, gratë, fëmijët edhe ata që nuk kishin lindur. Cilësimi kulak zakonisht jepej për pasanikët e mëdhenj. Blloshmët për nga pasuria, në krahasim me të tjerët në fshat, e shumta, mund t’i quaje fshatarë të mesëm. Blloshmët i bënë kulakë nga emri që trashëgonin, jo nga pasuria. Më shumë ndikoi dhe qëndrimi i tyre politik gjatë Luftës: ata kishin mbështetur dhe simpatizuar Ballin. E kishin mbështetur ballin, po ballist me armë në dorë, kishte qenë vetëm njëri, Hasani, djali i madh i Selmanit. Edhe ky vetëm për pak muaj.

Katër vëllezërit Blloshmi, Hasani, Samiu, Bukuroshi, Esherefi me gratë dhe fëmijët e tyre jetonin nën një çati, të gjithë bashkë, në një kullë të madhe në krye të fshatit Bërzeshtë, pranë një rrapi të lashtë, në rrënjët e të cilit burojnë shtatë çezma. Kështu, bashkë, vazhduan deri më 1977, kur, sipas kurorave i ndanë më katërsh, i dëbuan nga fshati dhe i internuan në katër fshatra të thella.

Më 1944 në krye të kësaj bashkësie ishte Selman Blloshmi, patriarku i fisit. Hasani (1923-1982), si më i urti i vëllezërve, ishte drejtuesi i heshtur i familjes.

Viti 1946. Reforma agrare. Familja u shpronësua nga 240 dynymë tokë, nga bagëti, gjedhe dhe nga një mulli bloje.

Në shtëpinë e tyre, veç të afërmve, nuk hynte më njeri tjetër.

Viti 1950. Gjendja për Blloshmët rëndohet dhe nga të ndodhurat në rrethin e tyre miqësor. Dajat e poetit Vilson Blloshmi nga fshati Debrovë e Pogradecit, me qëndrime të shpallura kundër regjimit, u burgosën dhe familjet e tyre u internuan përgjithmonë. U liruan nga internimi vetëm pas 90-ës. Një nga këta daja u arratis dhe jetoi në Belgjikë.

Viti1951. Nga takimet e fshehta me të arratisurin Bardho Leka, e pëson Hasan Blloshmi. U dënua me 20 vjet burg. Familja u ndëshkua me sekuestrim të pasurisë.

Nga hidhërimi për të birin, plaku Selman Blloshmi zuri shtratin dhe nuk u ngrit më. Vdiq më 1954.

Hasanin e arrestuan përsëri më 27 korrik 1977, pas pushkatimit të nipit, Vilsonit dhe dënimit me 25 vjet burg të nipit tjetër, Bedriut.

Vdiq në spitalin e burgut në Tiranë më 7 korrik 1982. Viti 1961. Për një dru ahu të rrëzuar nga pakujdesia tek priste një ah tjetër, u dënua me dy vjet burg Bukurosh

Blloshmi, druvar në ndërmarrjen pyjore Stravaj.

Viti 1964. U dënua me shtatë vjet burg për agjitacion dhe propagandë Sami Blloshmi, babi i poetit Vilson Blloshmi. E arrestuan në Qukës pranë një dyqani tek po blinte miell për bukën e familjes.

Bukuroshi, vëllai më punëtor i shtëpisë, tashmë mbante mbi shpatulla familjen. Ishin 19 frymë që duheshin ushqyer. Me gjithë ata në burg.

Vilson Blloshmi, në atë vit nxënës në shkollën pedagogjike në Elbasan, erdhi në fshat. Donte të linte shkollën. Bukuroshi këmbënguli dhe e ktheu në shkollë.

Viti 1968. Më së fundi, Blloshmët i pranuan në kooperativë. Fshati ishte kolektivizuar që më 1957, por kulakët nuk duhet të punonin bashkë me të tjerët. Veçimi i tyre nga fshati në vend që të zbutej, sa shkonte, rritej më tepër.

Fshati kishte një central të vogël elektrik, por Blloshmëve nuk u jepnin dritë elektrike. Si gjithë kulakëve, edhe Blloshmëve, ua merrnin, ua kolektivizonin tokën e tyre dhe, për të jetuar, u caktonin një sasi toke djerrë larg fshatit. Blloshmët, burra dhe gra, malësorë të fortë e të shëndetshëm, e kthenin në tokë buke djerrinën dhe jetonin me prodhimet e saj. Në vitin pasardhës, kooperativa u thoshte: “Tani, kjo djerrinë u kthye në tokë buke dhe, si e tillë, i takon fshatit, ndaj ju shkoni të punoni te një djerrinë pak më tej”. Kjo histori vazhdoi 11 vjet.

Blloshmët punonin dhe jetonin si të huaj në fshatin e tyre, në vendin e tyre.

“Ju kanë urryer pa një shkak”. Kjo thënie e vjetër të vjen ndërmend, kur ndodhesh përpara fatit të tyre.

Blloshmët nuk iu kundërvunë për asgjë shtetit. Në vend të kundërvënies, ata zgjodhën tkurrjen, zvogëlimin e kërkesave të tyre si familje, si individë. Merrnin frymë aq sa u lejohej nga shteti. Vetëm përshtateshin. Ulnin kokën. Në burg! Dhe bënin burgun. U merrnin tokën, gjënë e gjallë dhe ata heshtnin. I veçonin nga fshati, i çonin të punonin në toka djerrë në pyll a në mal, Blloshmët hapnin djerrinat. I kthenin në kooperativë, por nuk i përzienin në jetën e bashkësisë, Blloshmët bindeshin.

Ua morën pronën, të drejtat, mund t’u merrnin dhe jetën. Edhe atë ua morën. Vranë Vilsonin, djalë të ri 29 vjeç, Hasanin 59 vjeç e vdiqën në burg, duke e lënë pa mjekim. Arsyeja? “Nuk janë si bota. Janë armiq”. Por a ishin të tillë?

Një situatë e tillë, e mbërthyer kaq pisk, ku njëra palë ndëshkon e vret dhe tjetra pret të ndëshkohet, e pambrojtur nga asgjë, e përjashtuar nga ligji, nga njerëzit dhe pothuaj nga i gjithë njerëzimi, një situatë e tillë pa rrugëdalje mund të ndryshojë vetëm kur njëra nga të dyja palët zhduket me gjithsej. Ose struktura politike, ose “armiqtë” e saj, njëri nga të dy krahët duhet të shuhej patjetër. Kjo nyje e lidhur pisk në qafën e atyre që ishin të shpallur zyrtarisht armiq, u zgjidh më 1991, në ditët kur komunizmi ra përfundimisht.

 

  1. Jeta e Vilson Blloshmit

Nadire dhe Sami Blloshmi, të dy fshatarë me pak shkollë, u bënë me djalë më 18 mars 1948. Gjysh Selmani ia vuri emrin Vilson. Nadirja ishte një grua e pashme, shtatlartë dhe me zemër të fortë. Samiu, një fshatar i butë, ishte marangoz i lindur: ç’i shihte syri, ia bënte dora. Me dru arre, nga arrat e famshme të Bërzeshtës që e bëjnë kokrrën sa një vezë, ia bëri djepin djalit, fëmijës së tij të parë. Ishte një kohë e ndërrimeve të dhunshme. Komunistët po eksperimentonin në Shqipëri modelin stalinist të jetës, po ushtronin sundimin me dorë të hekurt, duke e mbajtur të shtrënguar në këtë dorë jetën e secilit prej njerëzve të këtij vendi. Blloshmët atëherë nuk ishin vetëm një familje e rënë nga vakti, po dhe një familje e urryer nga shteti. Por për fshatarin fëmijët duhen, ata i japin kuptim jetës familjare: Samiu dhe Nadirja do të kenë edhe pesë fëmijë të tjerë, edhe tre djem e dy vajza.

Ky djalë, Vilsoni, i parëlinduri i Samiut dhe i Nadires, do të ishte i pafat. Ai nuk u ngjau prindërve, lindi i pajisur me cilësi të tjera, me dëshira të tjera, lindi për të qenë njeri i librave, i dijes, gjëra atëherë të ndaluara për një djalë nga një familje që e urren shteti. Dhe kjo i solli atij vuajtje të pamata, sa shpesh e mallkoi ditën që lindi.

Nga gjithë djemtë dhe vajzat e fisit të Blloshmëve Vilsoni që në vogëli dallohej për mençuri dhe nga dëshira e vullneti për të mësuar. Pas tetëvjeçares në fshat, ndoqi si i jashtëm shkollën Pedagogjike në Elbasan. Krahina e Bërzeshtës që është në baraslargësi sa nga Korça, po aq edhe nga Elbasani, zgjidhte Elbasanin si qytetin ku merret arsim dhe dije. Për këtë zgjedhje kishte dhe arsye të tjera që vinin nga lidhjet dhe nga miqësitë e vjetra me qytetin e së parës shkollë të mesme në Shqipëri. Vilsoni u strehua te një mik i familjes për të studiuar në shkollën pedagogjike në Elbasan.

Aty në shkollë, në Elbasan, ai zbuloi dhe prirjet e tij letrare. Filloi të shkruajë poezi dhe vendosi t’i përkushtohej letërsisë. Për këtë lexonte me etje gjithë librat që i binin në dorë. Kishte dhunti për të mësuar gjuhë të huaja. E nisi me frëngjishten, por me kohë ia arriti të lexojë edhe në italisht e pak në anglisht. Një mikut të tij, nxënës në shkollën pedagogjike, i thoshte se që të jesh njeri i formuar, duhet të dish disa gjuhë të huaja dhe të njohësh patjetër kulturën perëndimore, si më të përparuarën ndaj kulturave të tjera. Ky “mik” që më vonë i doli dëshmitar në gjyq, si duket, i ishte vënë nga mbrapa prej atyre që e “kishin nën kujdes” Vilsonin.

Kur mbaroje shkollën, shteti i atëhershëm të gjente punë në përshtatje me profesionin. Vilsonit ia mohuan të drejtën për të qenë arsimtar.1) Edhe të drejtën për të publikuar poezitë dhe përkthimet që bënte, ia mohuan. Ai ishte një i përjashtuar, një i flakur në shtresat e asaj pjese të popullsisë, që quhej e vdekur për së gjalli, e denjë vetëm për punë krahu, për punët më të rënda, dhe e gatshme për të rënë pre e ndëshkimeve periodike, për të rënë në burg, për t’u vënë në plumb a në litar.

Pas shkollës punoi bujk e bari në fshat, një vit druvar në Stravaj, pastaj ushtar, prapë bujk në fshat e druvar në Stravaj, më 1974-75 minator në minierën e hekur-nikelit në Përrenjas, në nëntor 1975 u martua, më 1976 e arrestuan, më 1977 e pushkatuan. Kjo, shkurt, ka qenë jeta e tij. Kur punonte si druvar e si minator, flinte në kapanonet e punëtorëve me nga katër-pesë shokë në dhomë.

E kërkoi vazhdimisht punën në arsim, po ia mohuan, sa herë e kërkoi. Ky status prej të përjashtuari nga jeta intelektuale i dha dhembjet më të mëdha, i dha net të tëra pa gjumë. Megjithatë nuk hoqi dorë nga thirrja më e madhe e brendësive të tij: nga dëshira për të shkruar, për të marrë dije, për të mësuar gjuhë të huaja, për të përkthyer shkrimtarët që donte.

____________________

1)         Shih Karakteristika e maturantit Vilson Blloshmi faqe 195 të këtij libri.*)

*) Për çdo fakt të kësaj parathënieje në fund të vëllimit të dytë janë 30 faqe me dokumente.

————————–

E tërhiqte veçanërisht kultura frënge, pëlqente simbolistët dhe poetët romantikë francezë. Fillimisht i lexonte, pastaj filloi t’i përkthejë në shqip. Përktheu poezi të Bodlerit, të Hygoit, të D’Anuncios etj. Librat e tyre kishin mbetur në Shqipëri nëpër bibliotekat private dhe në ato shtetërore që nga koha e mbretërisë, kur frëngjishtja ishte gjuha e zgjedhur e gjithë administratës së atëhershme dhe e gjithë shtresës së të kulturuarve të rinj shqiptarë.

Miqësia me Lume Blloshmin (piktore), kushërirën e Tiranës, sa vinte dhe thellohej, pasi ai donte të kishte lidhje me jetën kulturore të kryeqytetit. I interesonin muzika, piktura, filozofia, teologjia. Ai donte që të ishte patjetër një njeri “i formuar”. Kureshtjen për dije nuk mund ta kënaqte vetëm me librat e mbetur që nga koha e mbretërisë. Kërkonte gjithnjë njohuri për gjendjen e atëhershme të letërsisë në botë, veçanërisht mbi shkrimtarët e letërsisë frënge. Kjo etje për dije përtej asaj që lejohej nga politika shtetërore, atëherë vështrohej armiqësisht. Për të hyrë në lidhje me botën kulturore tej vendit të vet të izoluar, ai ishte gati të përdorte çdo lloj mjeti dhe çdo lloj rruge. Sigurisht, rrugë të tërthorta. Kështu diçka edhe mundi të gjejë. Ishte punë me rrezik, por Vilsoni tashmë i kishte hyrë kësaj rruge dhe nuk mund të kthehej mbrapsht. Dëshira për të lexuar diçka përtej së lejuarës, po i kthehej gati në mani. Të gjithë të rinjtë që duan të matin forcat e tyre në punën letrare, digjen nga kjo dëshirë. Duan të dinë si shkruhet në kohën e tyre, cila është gjendja e letërsisë në kohën e tyre. Atëherë në Shqipëri përktheheshin klasikët botërorë, përkthehej dhe letërsia e vjetër ruse. Në shkolla propagandoheshin shkrimtarët sovjetikë të realizmit socialist. Ai donte një letërsi tjetër, atë që shkruhej nga shkrimtarët bashkëkohorë atje, matanë perdes së hekurt.

Vilsoni e dinte se poezitë e tij dhe përkthimet që bënte nga poetët francezë, nuk do të botoheshin kurrë në Shqipëri, por ai vazhdonte në kokë të vet: shkruante, përkthente, lexonte, sa thua përpinte gjithçka që shkruhej e botohej në Shqipëri. Donte që të kishte dhe një bibliotekë të tijën në fshat. Sa herë kthehej nga Tirana, sillte në shtëpi nga një trastë të madhe me libra. I blinte në libraritë e kryeqytetit, te “Libri Ndërkombëtar”, te bukinistët që fshehtas shisnin libra të mbetura që nga koha e kohës. Pastaj udhëtonte natën, me makina të rastit apo me tren, se në fshat mund t’ia merrnin për keq këtë dëshirë për të blerë libra. Ç’i duheshin atij librat, studimet? Ai nuk kishte ndonjë profesion që ato t’i hynin në punë. Jetesa në fshat dhe në krahinë i ka këto. Njerëzit i mbajnë sytë nga njëri-tjetri për të parë çfarë vesh, çfarë ha, çfarë thotë, çfarë bën. Për Vilsonin kishte dhe arsye të tjera për t’u mbajtur nën syrin e hapur të vëzhgimit. Pse lexon kaq shumë? Pse mëson gjuhë të huaja? Dale, e ka një qëllim? Ku do të dalë me këto që bën ky djalë? Në ato vite në Shqipëri kishte periudha që edhe në kryeqytet ndaloheshin kurset për mësimin e gjuhëve të huaja perëndimore.

Vilsoni, natyrë e trishtuar në thellësi, nuk ishte ndonjë djalë i ndrydhur dhe i ngrysur me të tjerët. Përkundrazi, në shoqëri ishte natyrë e gjallë, e hapur. Kujtesën e kishte të fortë, mbante përmendësh të gjitha sa kishte shkruar vetë dhe ato që kishte përkthyer. Kur gjente bisedues të interesuar, u recitonte poezitë që kishte mësuar përmendësh. Sigurisht, ato nga librat që ishin të botuara dhe të lejuara nga shteti. Disa nga poezitë që e mbushnin dhe i shungullonin përbrenda, që ndonjëherë si bari a si druvar, ua kishte recituar malit dhe lumit, mendonte se mund të bëheshin këngë. Për këtë ai bleu një kitarë dhe disa poezi i muzikoi sa për qejfin e vet. I binte kitarës dhe recitonte poezi përpara motrës dhe nënës së tij. I merrte ato në krahë dhe u thoshte vargje që i shastisnin, i hutonin: ky djalë i marrë, por dhe sa i dashur! Në vitet e minierës u jepte mësime frëngjisht teknikëve dhe inxhinierëve të rinj, që punonin bashkë me të.

Mërzitej dhe atëherë i shkruante Lumes ndonjë letër në frëngjisht. I kërkonte patjetër libra. Disa nga këto letra janë ese të vogla, që shprehin mendimet e tij për shkrimtarët e tij të parapëlqyer.

Librat dhe revistat që lexonte, i mbushte me nënvizime dhe me komente anash fletëve. Disa herë aty gjen vargje poetësh francezë të shkruara në frëngjisht. Edhe komentet janë në frëngjisht. Për librat mbante shënime në ditarin e tij. Aty, mbi fletët bosh të librave, shënimet nganjëherë merrnin formën e eseve të shkurtra. Duke shkruar frëngjisht, ushtrohej në këtë gjuhë, por edhe tregohej më i guximshëm se shënimet në frëngjisht nuk mund t’i lexonte njeri tjetër nga ata përqark tij.

Biblioteka në shtëpinë e tij në Bërzeshtë po rritej, numëronte mbi 770 tituj librash, 200 prej të cilëve ishin në gjuhë të tjera.

Nuk dihet se si e zgjedh fati njeriun e dhënë pas dijes, pas letërsisë. Te Vilsoni dhuntia ishte dërguar për ta munduar. As nuk mund të botonte, as nuk mund ta ushtronte dijen dhe as nuk mund ta kënaqte deri në fund dëshirën për dije. Ledhi që i kishin vënë përpara ishte i pakapërcyeshëm. Në trastën me bukë që merrte nga shtëpia çdo mëngjes, mbante laps dhe letër, patjetër edhe një libër. Punonte dhe lexonte. Dhe përherë shteti e shikonte shtrembër. Ishte gjashtë vjeç kur ia arrestuan xhaxhanë, gjashtëmbëdhjetë kur ia arrestuan babanë.

Mbante mbi shpinë burgimet e rënda të të afërmve, pushkatimet e dajave. Dhe atë e vështronin me dyshim, me nënçmim. Por ai vazhdonte në të tijën.

Ushtrinë e kreu në fshatin Tale të Lezhës, 1968-70, në brigadë pune si gjithë kulakët dhe bijtë e armiqve. Aty i mësoi frëngjishten një djali nga Dukati i Vlorës. Kur merrte lejë nga reparti, frymën e mbante në Tiranë, takonte të kushërirën, Lumen. Merrte të dhëna nga bota kulturore, merrte libra. Shfletonte librat e dëshiruar në biblioteka. Ngarkohej me libra, gjer në takimin tjetër. Në Tale përktheu Volterin dhe Viktor Hygonë.

Netëve në fshat bisedonte gjatë me xhaxha Hasanin. Ai i mbante afër djemtë. I pyeste me kë folët, çfarë folët, kush ishte tjetër me ju, kur flisnit. Kujdes me gojën. Mos e lëshoni pa e matur fjalën. Kur djemve u bënin padrejtësi, (me ndonjë sebep ua prisnin ditën e punës, ua ndalnin një pjesë të pagës) ai i këshillonte që të mos ndesheshin aty për aty. U thoshte: duroni. Bisedojeni shtruar edhe një herë tjetër. Kërkojeni të drejtën. por me mend, pa nerva, pa inat.

Hasani e donte mbi gjithë të tjerët këtë nip. Me një gotë raki përpara ai tërhiqej mënjanë që të fliste gjatë dhe vetëm për vetëm me Vilsonin. Mbase fati e kishte sjellë këtë djalë që shtëpia e Blloshmëve ta ngrinte prapë kokën. Ishte djalë i mirë, por duhej të piqej, të bëhej më i urtë, më me këmbë në tokë.

Në Elbasan, kur mësonte në shkollën Normale, Vilsoni tre vjet i kaloi me të njëjtën triko në trup. Laj, thaj e vish. I zoti i shtëpisë që e strehonte, nuk u ankua kurrë prej tij. Në shtëpi kishte, siç thoshte ai, një qerre me libra të mbetura që nga koha e kohës, të shpërndara andej këndej nën pluhura e cerga. Djali i mblodhi, i pastroi. I ngjiti dhe i qepi ato që ishin dëmtuar. Me ca dërrasa të mbetura andej-këndej bëri për to një raft të madh. Pastaj u shtrua dhe vuri kokën mbi to. I lexonte. I zoti i shtëpisë ishte qejfli për raki fshati, për pastërma dimri, për mish shpendësh të egra, për arra e fruta të freskëta. Vilsoni ia kapte në ajër dëshirat. Ia thithte me hundë kënaqësitë a pakënaqësitë dhe i vinte pas avazit. I mbaronte dhe ndonjë punë krahu: priste dru, punonte kopshtin. Kështu që elbasanlliu e deshi me kokë. Ky mik i foli më pas Hasanit për nipin. “Zoti ta faltë. Nuk bëhet çun më i mirë. Apo që mësonte e nuk e ngrinte kokën nga librat. I papërtuar për çdo punë. Edhe në shkollë ta donin çunin”.

Ndonjë mbasdite, aty nga fillimi i viteve ’70, kur u duk se po lirohej litari i luftës së klasave, Vilsoni luante futboll me mësuesit e fshatit. Ishin dhjetë të rinj ndër këta mësuesit e mësueset. Pastaj uleshin te Guri i Gjatë, një shesh përmbi fshat, dhe Vilsoni i binte kitarës. Këndonin bashkë. I donte këngët e Bitëllsave. Këngën e atëhershme “Mami blu” e luante me kitarë. Kur lexonte, dëgjonte muzikë të transmetuar nga radioja. Muzikë simfonike: Bethoven, Moxart, Smetana, Dvorxhak… Radio Tirana në programet e natës transmetonte muzikë klasike. Meqë në shtëpi nuk kishin televizor, ndonjëherë rrinte me mësuesit e shkollës për të parë ndonjë film apo program muzikor.

Sado i dhënë pas frëngjishtes, Pushkinin e dinte përmendësh. Poezinë “Korbi korbit i kërret” e kishte muzikuar dhe e luante me kitarë:

Korbi, korbit i kërret

Përmbi fushën mbetur shkretë:

……….

Kush e vrau dhe përse? …Kush e vrau dhe përse?

 

“Donin e qetë” të Shollohovit e kishte lexuar dhe rilexuar. Epika e fortë në ngjyra e kozakëve, tragjedia shkatërrimtare që u solli lufta civile natyrave të pavarura dhe krenare të kozakëve, u shkonte përshtat dhe malësive tona. Vilsoni i kishte muzikuar dhe i këndonte në shtëpi apo atje te Guri i Gjatë disa nga këngët e kozakëve, të nxjerra nga “Doni i Qetë”:

Kozaku që gjallë e kish lën’ amanet,

Një tyrbe t’i ngrinin mbi varrin e vet….

Tragjikja e këtyre vargjeve nuk dihet pse i gjente zemrën Vilsonit. Mbase se edhe epika historike shqiptare nuk të lë gjë mangët për nga tragjizmi. Kullon zi në trishtimin e saj. Në këtë pikë mbase ua kalon gjithë të tjerave. Nuk ka këngë historike pa një të vrarë brenda saj.

Miku më i mirë për Vilsonin ka qenë i kushëriri i tij, Genci. Gjyshja e Vilsonit ishte motra e babait të Gencit. Shtëpitë i kishin gati ngjitur me njëra-tjetrën. Në të mira e në hidhërime ishin bashkë. Mblidheshin te Blloshmët dhe këndonin këngët me iso, këngët polifonike të krahinës. Genci kishte zë prej tenori. Genci ia merrte këngës, ia mbanin Bukuroshi me Esherefin, xhajat e Vilsonit.

Kur vinin miq te njëra shtëpi, mblidhej dhe familja tjetër për të gëzuar bashkë, po edhe për të nderuar mikun. Darka shtrohej sipas të gjitha dokeve të mikëpritjes së krahinës.

Vinte Rakipi dhe Dakja nga Debrova. Bukuroshi këndonte këngën e Mark Zvarishtit. Kishte qenë trim.

Ishte proto gusht, gusht a më të dalë, Të vranë, o Marko, të vranë!

Burrat mbyllnin sytë të mbanin lotët, kur këndonin. Këngëtari i mirë identifikohet me heroin e këngës. Në çastet kur ai ngre dhe ul zërin, jo heroi, por vetë këngëtari vdes e ngjallet mu aty përpara gjithë atyre që me iso e shoqërojnë. Vdesin e ngjallen bashkë.

Ky Zagolli bën gostinë,

Cen Blloshmi zë pusinë.

Darka vazhdonte. Miqtë dhe burrat e shtëpisë ishin shtruar dhe ngrohur mirë. Dhimbjet që vinin prej këngëve, u kishin dhënë zemër. I kishin pastruar e zbukuruar përbrenda. Ishin burra apo nuk ishin? Ç’ka më shumë se sa vdekja? Le të vijë. Kokën le ta mbajmë lart.

Mos fry kurrë, moj erë e shkretë…

që s’na le veshë të dëgjojme këta dyfekë.

Një erë shkretimi prej kohësh frynte dhe i faronte burrat e malësive. Nuk pushonte. Burrat e këtyre fiseve kohë pas kohe i kishte shkretuar pushka e pusive dhe e luftërave. Dhe tani në paqe, në socializëm, keq e më keq: po i shkretonte pushka e shtetit. Shkretimit të dikurshëm të burrave u bënte ballë kënga. Koha mbillej me këngë si një zhurishte me rrepe, për t’i dhënë fatalitetit të vdekjes një kuptim, një zë, një emër. Kënga sillte rendin dhe mirësinë mespërmes shkretimit. Tani shteti të vriste dhe nuk të linte as të qaje, as ta varrosje, as t’i këndoje një këngë vaji të vrarit. Ishin vrasje pa dinjitet, vuve. Njerëzit shkonin gjakhumbur, varrhumbur dhe eshtrahumbur. Në Shqipëri, kur nuk të do shteti, nuk të do as Zoti.

Në një nga këto mbrëmje me këngë të lashta, këngë me iso, në kujtim të burrave të vrarë prej pushkës, Vilsonit i lindi motivi i poezisë mbi shkretëtirën:

Shkretëtirë e shkretë, e mbetur shkretë/… Saharaja s’ka këngë të këndojë,/ Saharaja s’ka lot të qajë…

Kish një orë në gostinë me miq, në të cilën vinin gratë në odën e burrave. Hynin, burrat u hapnin vend dhe ato uleshin: “Dake, ne erdhëm”. Kjo ardhje ishte respekti më i lartë për miqtë, por ishte dhe një tregues i asaj që gratë tashmë i kishin kryer të gjitha ç’duheshin gatuar për një darkë me miq: supa, mishi jahni, mishi i pjekur në hell përmbi pilaf, byreku dhe, në fund, ëmbëlsira. Miku i shtëpisë respektohet jo vetëm me fjalë, edhe duke shpenzuar për të.

Atëherë Dakja, kushëriri i dajës së Vilsonit, thoshte: “Mbushma gotën, sak”. Pas dollisë së të zotit të shtëpisë i bëhej një “bram” mikut, që do të thoshte se ai duhej të fillonte dollinë.

Gotën e mbushur plot e ndizte me shkrepse dhe e pinte bashkë me flakën. Po të thoshte “kthejeni dhe ju si unë”, të tjerët mbeteshin të fyer, po të mos bënin si miku. Kjo ishte një “dolli e mikut”, pra një shenjë në protokollin e pritjes fshatare. Dollija e mikut duhet t’ia kalonte asaj të të zotit të shtëpisë me 3-4 gota më shumë. Kur rasti e sillte të ishin dy miq, rregulli e thoshte të bëhej edhe një dolli e tretë. Pas kësaj, vinin në tryezë shenja të tjera të pritjes së mikut: vinin pjatat e mezesë me shpatullën dhe me kokën e pjekur (të çarë më dysh) të berrit. Pasi kishte mbaruar dollia e mikut, atij i kujtonin edhe një herë gotat që kishin pirë dhe pasi siguroheshin se i kishin pirë të gjitha gotat, miku bënte edhe një brum e thoshte “tani sillnani bukë”. Fshatarët e këtyre anëve pinin raki me meze katër deri në gjashtë orë, pastaj hanin darkë. Kishte raste kur miqtë pinin 24 orë raki duke ngritur dolli me 91 e 101 gota. Saku i rrinte pranë dhe ia mbushte pak nën buzë gotat, për ta ruajtur. Kur ai ia përfliste sakut para muhabetit, “mbushma gotën plot, or sak”, ky do të kërkonte ndjesë dhe do t’i bindej. Blloshmët ishin familje që u përmbaheshin një më një dokeve të lashta të mikpritjes. Pastaj ata ishin të malluar për miq: ishin të rrallë njerëzit që ua shkelnin pragun.

Kur Vilsoni kthehej nga puna, rruga kalonte nga shtëpia e Gencit dhe ai thërriste Gjiskën dhe e pyeste në ishte kthyer Genci nga puna apo jo. Me këtë emër në anët e tyre thirren xhaxhai ose babai. Pastaj bisedat mund të vazhdonin gjithë natën. Nënat i kanë gjetur në bisedë e sipër, pa e vënë në gojë bukën që u kishin shtruar përpara. Djemtë mundoheshin që si e si të mbijetonin shpirtërisht edhe brenda atij sistemi. Kokën e kishin ulur, por heshturazi punonin që mos t’u mekeshin interesat diturore, mos t’u mpihej truri. Ç’ shkruanin, ia lexonin njëri-tjetrit. Bënin çmos që të ishin të kthjellët kudo. Në punë, në sjellje me të tjerët. Të mos jepnin asnjë shkak për t’i qortuar. E dinin që nga urrejtja e shtetit nuk mund t’i shpëtonte askush, nuk mund t’i lehtësonte asgjë. Ishin si të huaj në vendin e tyre. Si me leje të përkohshme për të thithur ajrin dhe aromën e bukës në shtëpitë e tyre. Ishin të shënuar me rreth të kuq. Lapsi i shtetit përherë vërtitej mbi emrat e tyre. Burgu mundet, që një kanatë të derës e mbante pakëz të hapur për ta. Për ta dhe për gjithë ç’ ishin të sërës së tyre. Dhe, megjithatë, punonin ku u thoshin. E donin jetën dhe i përshtateshin asaj. Si kurrizi i kalit me samarin dhe me barrën mbi brinjë.

Vilsoni e kishte brengë që nuk mund të çante në ndonjë organ letrar. Të çante në ndonjë organ të tillë apo në Shtëpinë botuese (atëherë Shqipëria kishte vetëm një shtëpi botuese, Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”; më pas u shtua dhe një tjetër). Këto ishin shtetërore dhe ndiqnin të njëjtin rregull si gazetat: fëmijëve të armiqve të partisë e të popullit u ndalohej të botonin libra. Thonë se me emër tjetër, jo me emrin e tij, Vilsoni dërgoi për botim në shtëpinë botuese një novelë të titulluar “Bisedë me vetveten”. Prej saj nuk ka mbetur asnjë gjurmë. Mbase dhe ajo është varrosur në arkivat e Sigurimit.

Atëherë Shqipëria kishte nevojë për mësues. Ai në çdo dy vjet bënte letra dhe u kërkonte me gojë dhe me shkrim autoriteteve që ta kthenin në arsim, dhe që familjes së tij t’ia hiqnin cilësimin kulak. Por më kot. Vilsoni, për shkak të biografisë familjare, nuk kishte të drejtë të merrte as arsim të Lartë.

Bëri një provë në Radio Tirana për t’u pranuar si spiker i lajmeve në frëngjisht. Doli shumë mirë dhe për zërin, dhe për frëngjishten e tij, si prej “francezi safi”. Por nuk e pranuan… Vilsoni e dinte këtë, por lëvizi një gur: dalë e ku të dalë.

Ekonomia në vend po shkonte poshtë dhe më poshtë. Shtrëngesat mbi njerëzit shtoheshin. Në Tiranë pas plenumit të katërt (1973) ishin dënuar me burg shumë artistë dhe shkrimtarë. Pastaj partia ishte kthyer nga ushtarakët e lartë: vazhdonin gjyqet me pushkatime dhe me internime të ministrave dhe të funksionarëve të lartë të shtetit në kulturë, në ekonomi, në ushtri. Poshtë, deri në fshatrat më të thella, shkonin njerëz nga partia dhe kërkonin që populli të mbështeste udhëheqjen. Domosdo, që të gjithë thoshin: armiqtë të varen, të na rrojë Komandanti. Sa më shumë varfëroheshin njerëzit, aq më shumë e donin partinë, linin kokën për të. Shteti kishte sajuar një qytetar-ushtar të burokratizuar në të gjithë qenien e tij. Askush nuk nxirrte zë para këtij shtetit. Sa më shumë t’i ndëshkonte shteti me varfëri, me burgje, me heqje të çdo lirie, sa më të këputur bëheshin (fëmijët e fshatit ushqeheshin vetëm me bukë misri dhe me sheqer të tretur në ujë), aq më shumë turmat bërtisnin: jemi të lumtur. Në vitet ’70 ky qytetar- ushtar i serviluar ishte katandisur gjer në atë shkallë, sa, po t’ua jepte truri atyre të partisë në fshat dhe të urdhëronin që gjatë këtij muaji ju burra dhe ju gra nuk do të bini në shtrat me njëri- tjetrin, të gjithë do t’u bindeshin. Kishte arritur puna që njeriu kishte frikë dhe nga hija e tij. Kishte fshatra të politizuara aq skajshëm, sa, po të thoshin shefat vendorë të partisë se, me urdhër nga lart dhe sepse ai është armik, ne do ta shkojmë në hell dhe do ta pjekim në zjarr njërin nga bashkëfshatarët tanë, fshati mund të përgjigjej: të piqet, madje zjarrin ia ndezim me duart tona. Dhe do të brohorasim: Të rrojë partia!

Bërzeshta, duke qenë disa orë larg zonës kufitare, duke pasur shumë të arratisur jashtë kufinjve, ishte një fshat ku kishte shumë bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Në këto kushte Genci e Vilsoni e ndienin se mund ta kishin pisk. Ata mund ta pësonin nga njëri çast në tjetrin. Kur shteti atje lart po ua hante kokat të vetëve, për këta kulakët nuk kishte asnjë shpresë shpëtimi. Rrethi, sa vinte, ngushtohej.

Prapë, brendapërbrenda ata kishin krijuar botën e tyre, lirinë e tyre. Dhe mundoheshin ta ruanin këtë liri të brendshme. Ata ishin të rinj. Dëshirat i mposhtnin. Edhe shpresat po ashtu. Kushedi ç’ndodh? Mbase hapet ndonjë e çarë, për të marrë sadopak ajër. Gjenin një libër të ri, dëgjonin një lajm të ri. Mbase diku hapet një dritë për ta. Dëgjonin radiot në gjuhët që dinin. Donin të mbeteshin njerëz të gjallë, sidomos, shpirtërisht të gjallë. Për kohën kjo vërtet ishte shumë. Falë vullnetit dhe kureshtjes së tyre, ata nuk epeshin shpirtërisht.

Vilson Blloshmi jetoi vetëm 29 vjet. Prapë jeta e tij qe e mbushur me veprim të dendur të jashtëm dhe të brendshëm, të jashtëm se bënte nga punët më të rënda, atë të bujkut, të druvarit e të minatorit, dhe, të brendshëm, se asnjëherë nuk e hodhi pas shpine punën prej krijuesi në letërsi, në përkthime, në kureshtjen për të marrë dituri dhe në etjen për të jetuar e gëzuar. Këto fletë nga ditari i tij në frëngjisht, marrë nga dosja hetimore, sipas variantit të përkthyer nga hetuesia, flasin për energjitë e pashtershme që e karakterizonin.

 

Ditar në frëngjisht i V. Blloshmit (mars – gusht 1974)

11 mars – Shkova me tren në Pogradec. Fjetëm në Pogradec. U takova me mikun tim të vjetër, Ladin.

16 mars – Takim me miq në Qukës. Shëtita me… mbi hekurudhë deri te tri urat. Pastaj vetëm si gjithmonë. Udhëtova për Bërzeshtë me mikun tim të vjetër Qela Poçin. Prita shokun tim për disa gjëra tek xhamia. Natë.

17 mars- Elbasan. Gjithmonë e njëjta gjë. Pashë “Cronuell”, film franko-italian.

19 mars- Kthimi për shtëpi… Shpesh urrejmë, se duam nga mëshira.

21 mars – Punova në mal me Esherefin (Xhaxhai i V B.). Ne premë lëndë për dysheme.

22 mars – Isha në Qukës. Unë udhëtova me “atë” deri te tri urat.

3 prill – Librazhd. Raport mjekësor për të punuar nëntokë (shqip). Tani e di se njeriu fiton, kur humbet (frëngjisht).

7 prill – Stravaj. Shkëputje komplet. Sheherazade. Ta kthesh Hygonë në ndonjë gjuhë tjetër, d.m.th., ta kthesh përmbys atë (shqip).

9 prill – Fillova punë në galeri, miniera Përrenjas.

12 prill – Turni i dytë, në barkun e nëntokës. Nganjëherë njerëzit mbajnë mbi vete fytyra dhe emra të rremë njerëzish.

19 prill – Punova dy turne bashkë, të dytin dhe të tretin.

20 prill – Tiranë. Tek vëllai im. Pastaj në shtëpinë e kushëririt tim, pastaj tek Xhelili.

21 prill – Tiranë. Lexova disa pjesë të “Divina Comedia” e Dante Aligerit. 22 prill – U ktheva në shtëpi. Natë. Të gjithë flenë dhe të vdekurit, dhe varret, dhe?

23 prill – Në punë.Turni i dytë. Lexova Teofil Gotje. Faqe të mrekullueshme. 24 prill – Pasnesër mbi shpinën time do të jenë 26 vjet. Kjo ditë nuk do të festohet nga unë as tani, as kurrë. Humnerë të gëlltis këtë ditë të tmerrshme. 28 prill – Ka njerëz që janë si hija ime. Ata nuk më ndjekin veçse në ditët me diell.

16 maj – ….dhe dashuria e përjetshme zgjati vetëm tri ditë….

17 maj – Nga erdhi ky njeri?

Ai iku në një botë tjetër, doli prej këndej.

26 maj – Me atë. Shëtitje e mrekullueshme në pyll. Ditë lumturie e vërtetë. Në mbrëmje jam i sëmurë. Temperatura 36 gradë

27 maj – Sëmurë. Ethe të tmerrshme. 39.8 gradë. Tri ditë qetësi.

28 maj – I sëmurë ende. Në shtëpi, ditë e bukur. Asgjë e madhe. Jetë për të jetuar.

5 qershor – Ne u gëzuam me nxënësit e mi për frëngjishten, pastaj me shokët e mi.

6 qershor – Në qoshe të një fushe me grurë, në mes të ditës. Diell, dashuri, ëndrra, jetë e gjallë, ëndrra të gëzueshme. Me Edin.

8 qershor –      Vajzë e vogël me sy blu,

Më jep mua dashurinë tënde.

Vajzë e vogël me sy blu,

Ti je e bukur si drita.

(nga një këngë franceze)

13 qershor – Ajo shkoi nga shtëpia. Stefan Cveik,“Letra e një të panjohure”.

Unë shkova nga shtëpia.

20 qershor – Zbor. Breg – Plep. Më kujtohet koha e shkuar që tashmë nuk e di.

21 qershor – Punë…Vargje të bukura, shkruar nga unë, lexuar për mikun tim, Gencin.

22 qershor – Shëtitje në pyll………….. (tri rreshta me pika….)

23 qershor – Punë dhe zgjim, me mua miku im i dashur. Ne pimë verë në Breg – Plep.

24 qershor – Punë dhe shëtitje në Gjiovalë me Gencin.

25 qershor – Ne folëm për poezinë dhe muzikën.

26 qershor – Gjithnjë bashkë ditë dhe natë. Diskutime.

27 qershor – “Ti ikën, ikën dhe bie në hon/ nuk e ke çdo ditë/ çdo ditë të mungon!…”

28 qershor – Pogradec. Qytet i bukur… liqeni. E dua këtë liqen, në qoftë e thënë, ai do të jetë shtrati im i përjetshëm.

29 qershor – ………………………………………………………………….

……………………………………………………………………………Vetëm

Mendoj për ictyosames1) dhe rolin e tyre.

30 qershor – Unë piva raki.

1 korrik – U njoha me Li. Rreth inteligjent dhe shpirtpastër.

6 korrik – Librazhd.Vetëm. Punë. Shpirt shumë i mërzitur (frëngj.). Ndarja nis aty ku fillon bashkimi, ashtu si vdekja fillon aty ku nis jeta (shqip). 7 korrik – Punë.Turni i parë. Me dy mësuese nga tri urat deri në Përrenjas. “Auxid”.

8 korrik – Ditë e bukur. Pyll. Fundi i “Auxid – ës”. Ajo dhe unë jemi ne që jemi. Uvertura e “Berberit të Seviljes”.

15 korrik – Turni i tretë. Pyll. Dashuri. Ajo – Myrtoja e re fiorentine.

23 korrik – Unë isha në Tiranë….

24 korrik – U ktheva nga Tirana.

25 korrik – Shkova për në shtëpi.

27 korrik – Zbor.

5 gusht – Fundi i shërbimit ushtarak.

25 gusht – Pyll. Të mira. Dashuri. Shqetësime. Ndarje.

Përktheu nga frëngjishtja (për hetuesinë) Theofan Nishku, Librazhd, 15.7.1976.

____________________

1) reptil gjigant, shënimi im, S. B.

————————————

Ajo që mund të quhet ngjarje në jetën e Vilsonit, ishte martesa me Dianën, me një vajzë nga kryeqyteti, në 12 nëntor 1975. Diana me të ëmën vinin shpesh në fshatin Bërzeshtë te fisi i Lekajve. Nga ky fis ishte njerku i saj (nëna ishte martuar për së dyti). Diana punonte si aktore në Estradën e Ushtarit në Tiranë. Vilsoni ia prishi mendjen. I recitonte poezi në italisht, frëngjisht, anglisht. I binte kitarës. Ishte i fortë sa përballonte punën e rëndë në minierë, përballonte dhe armiqësinë e shtetit. Ishte i pashëm, me trup të gjatë e të lidhur mirë. Diana u dashurua me Vilsonin. Vendosi të martohej dhe të jetonte në fshatin e tij, në Bërzeshtë. Mbase e kishin bërë ndër mend që një ditë të dy bashkë të gjenin një mundësi që të jetonin në Tiranë. Vilsoni duhet të ikte nga Librazhdi. Larg nga syri i mprehtë i vëzhgimit shtetëror, por dhe nga ai i mjedisit. Ndonjëherë kjo mbikëqyrje e mjedisit ishte dhe më e zezë, se sa ajo e shtetit.

Diana mbeti shtatzënë. Vilsoni punonte dhe shpresonte për mirë. Ai e merrte ballas jetën. Shtronte shpatullat që të mbante çdo përgjegjësi përmbi to. Reja e murrët me hijen e saj të ligë prej kohësh i sillej mbi kokë, por ai gjente kurajën, për të bërë më tej. Kishte dashur të ketë një familje, të kishte fëmijë. Kjo mund t’ia ndryshonte jetën. Ja, e kishte tani një gruas të re dhe të bukur dhe një fëmijë po lëvrinte atje në barkun e saj. A nuk ishte e gëzueshme kjo? Por ndodh që pikërisht, atëherë kur mendon se gjërat po marrin për më mirë, vjen e të bie e keqja mbi kokë.

Vilsonin e pushuan nga puna në minierë në fillim të vitit 1976. Më 1 prill 1976 i arrestuan të vëllanë, Bedriun. Atë e akuzuan fillimisht se kishte djegur muzeun e fshatit. Bedriut në polici, para arrestimit, i kërkuan të bëhet spiun i Sigurimit. Bedriu nuk pranoi dhe i hodhën prangat. Të nesërmen policia sekuestroi në shtëpinë e tyre në Bërzeshtë gjithçka të shkruar nga Vilsoni.

Që kur e pushuan nga puna, Sigurimi ia kishte shndërruar Vilsonit dosjen përgatitore B në dosje përgatitore A: arrestimi i tij tani mund të ishte dhe punë ditësh. Sigurimi po kërkonte sajimin e një grupi armiqësor në fshatin Bërzeshtë. Kjo punë kishte filluar muaj më parë. Në krye të këtij grupi do të ishin Genc Leka dhe Vilsoni.

Kunati i Genc Lekës dhe vëllai i Vilsonit, atje prapa hekurave të qelive në burgun e Librazhdit, po hetoheshin që të jepnin të dhëna akuzuese për Gencin dhe Vilsonin. Bedriu heshtte në hetuesi, tjetri lëkundej. Materialet letrare të Vilsonit po përpunoheshin nga një grup pune në ndihmë të hetuesisë dhe të Sigurimit. Por, si duket, Sigurimit nuk i mjaftonte vetëm kaq. Shefat nga Tirana i kërkuan degës së sigurimit të Librazhdit që të rriste përndjekjen. Ata të përgjoheshin hap pas hapi, ditë dhe natë. U lajmërua pushteti dhe partia në fshat. U vunë në punë agjentët që ata mos largoheshin nga fshati.

Me kalimin e javëve vjen një urdhër i dytë. Me dredhi, me frikësim e me çdo lloj mënyre tjetër Vilson Blloshmi duhet të nxitej që të arratisej përtej kufijve që, pastaj të kapej në kufi, si i tillë, si tradhtar i atdheut. Vilsoni në ato kohë interesohej për të vëllanë në burg, për Bedriun, dhe njerëzit që i morën përsipër ndihmën për të vëllanë, e frikësuan dhe e vunë përpara një gjendjeje pa rrugëdalje, gjendje që kërkonte me patjetër largimin e tij nga vendi me anën e arratisjes. Vilsoni nuk ra në këtë lak. Sigurimi vazhdoi përgjimin e tij me teknikë incizimi, por i mprehur nga rreziku që i vërtitej i prekshëm mbi krye, Vilsoni nuk ra në kurthet e ngritura.

 

E arrestuan në fillim të gushtit 1976 te ura e lumit Shkumbin në Librazhd. Një batanije në kokë dhe në Tiranë. Të nesërmen nisi hetimi. Ditët e para të hetimit mbushen me pyetjet e përgjigjet mbi poezitë, përkthimet, leximet, ditaret. Pastaj, ka të dhëna se atij i kërkuan që të bëhej spiun, të hidhej jashtë atdheut, ku kishte dajën dhe kushërinjtë, që të punonte për Sigurimin. Vilsoni nuk pranoi. E torturuan sa ia gjymtuan njërin krah. Ai tashmë i varej gjysmë i tharë.

Një prej krerëve të lartë të Sigurimit i tha se me këtë mospranim ti e vulose me dorën tënde dënimin me vdekje. Asgjë nuk të shpëton. Ne vrasim këdo që nuk na bindet, jo më ju armiqtë, që ju vrasim për qejf. Ne, po të mos na bindet, edhe Shqipërinë të gjithë e zhdukim me njerëz e me stërnjerëz, me kuç e me maç, more dhe malet e gurët i bëjmë hi, i fundosim sa të dalë përsipër uji i zi. Shqipëria ose do të jetë e kuqe siç e duam ne, ose të mos jetë më, të zhduket nga faqja e dheut e nga harta e botës. Ja, këtë nuk e ke kuptuar ti more picirruk mendjemadh. Ik në Librazhd, do të bëjmë një gjyq e do të dërgojmë atje në botën tjetër, atje ti bëj si të duash. Këtu urdhërojmë ne dhe kur, nuk na bindesh, ta gjejmë vendin.

E kthyen në Librazhd. Për mbi një muaj me të merrej vetëm kryetari i Degës së Librazhdit. Mbase se nga hetimi i Tiranës ishte katandisur në atë gjendje sa nuk duhet ta shihte njeri tjetër me sy, mbase se Sigurimi këmbëngulte që ai të pranonte të vihej në shërbim të tyre dhe të hidhej jashtë shtetit.

Deri në mars 1977 hetimi i tetë fshatarëve nga Bërzeshta nuk arriti të nxjerrë në shesh se ata kanë sabotuar të organizuar dhe në grup ekonominë në fshat. Genc Leka nga torturat thyhet: pranon ato që nuk i kishte bërë kurrë: vjedhjet, nxitjen e të tjerëve për të vjedhur. Atë e fajësonte për këto dhe i kunati, i cili u vu në shërbim të policisë. Edhe të tjerët pranojnë se kanë vjedhur prodhime bujqësore. Vilson Blloshmi dhe i vëllai u qëndrojnë torturave: nuk pranojnë të kenë vjedhur, as që kanë sabotuar.

Gjatë këtyre ditëve në heteusi Vilsonit i lindi një vajzë, të cilën ai nuk e pa kurrë. Diana, e shoqja, i vuri emrin Enerieta, sipas dëshirës së Vilsonit.

Më mars 1977 shefi i partisë për rrethin e Librazhdit bëri një mbledhje të ngushtë në zyrat e Partisë me gjykatën, hetuesinë, krerët e policisë dhe prokurorin. Ai u tha se Genci dhe Vilsoni kanë organizuar një grup për të sabotuar ekonominë e kooperativës në Bërzeshtë. Ata, sipas shefit të Partisë, janë në krye të këtij grupi dhe si armiq e bij armiqsh duan rrëzimin e pushtetit. Gjyqtarët i thanë se nuk ka prova për një akuzë të tillë, se hetimi për Vilsonin ka dhënë prova vetëm për agjitacion dhe propagandë me shkrimet e tij, jo për gjë tjetër. Shefi i Partisë, Sotir Koçollari, e imponoi akuzën dhe gjykata e pranoi.

Rifilloi hetuesia për ta pranuar me tortura akuzën e urdhëruar nga partia. Për t’i tmerruar, i merrnin në pyetje shtatë-tetë zyrtarë e hetues bashkë: nënkryetari i Degës, kryehetuesi, zëvendësprokurori, Dhimitër Beshiri, hetues nga Tirana, hetues dhe policë të tjerë. I rrihnin sa ua përplasnin kokën mur më mur. Njëri i gjuante me grusht, tjetri ua priste me shkelma. Vilson Blloshmi nuk i firmosi procesverbalet e një hetim të tillë. Torturat ishin vrasëse, por tani ai e dinte që do ta vrisnin dhe nuk donte që ta vrisnin me dorën e tij: nuk i pranoi akuzat. Genc Leka lëkundej.

Në gjyqin që filloi më 6 qershor 1977, Vilsoni mbajti po këtë qëndrim: nuk e pranoi akuzën e sabotimit, pranoi që shkrimet e tij mund të merren si agjitacion propagandë, megjithëse ai nuk i ka publikuar ato, as i ka shpërndarë në persona të tjerë. Genci dhe i kunati pranojnë se kanë qenë grup i organizuar, kanë sabotatuar, se Genci bashkë me Vilsonin kanë udhëhequr grupin sabotator të Bërzeshtës . Më 13 qershor 1977 gjykata e Librazhdit dha dënimin me vdekje, me pushkatim, për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Bedri Blloshmi u dënua me 25 vjet burg. Kunati i Gencit me 20 vjet burg, nga të cilat bëri vetëm 10.    Bedri Blloshmi u lirua nga burgu i Burrelit më 29 mars 1991. Katër të burgosurit e tjerë u dënuan me nga dhjetë vjet, pesë vjet dhe dy vjet burg.

Familja e madhe Blloshmi u prish, u nda në katër pjesë dhe që të gjithë u internuan në fshatin Polis. U internuan të tetëmbëdhjetë pjesëtarët e familjes Blloshmi, midis tyre dhe Diana Blloshmi, e shoqja e Vilson Blloshmi dhe e bija e tij, Enerieta 10 muajshe. Diana pas një viti mbylli sytë, bëri një martesë të dytë dhe u kthye në Tiranë bashkë me të bijën. Të tjerët u larguan prej andej më 1988. Hasan Blloshmi, më i madhi i vëllezërve Blloshmi, u dënua me burg se nuk ishte pajtuar me drejtësinë për vrasjen e Vilsonit, nipit të tij. Vdiq në burg më 1982.

Komunistët shqiptarë vrisnin. Nuk e kishin për gjë vrasjen e njeriut. Vrisnin me gjakftohtësi. Vrisnin të rinj, gra, klerikë, pleq, përdhunonin, rrëmbenin pasuri e shtëpi dhe e hidhnin njeriun lakuriq në kampe a në mes të katër udhëve. Policia dhe Sigurimi sajonin armiq ndër ata që nuk ishin fare të tillë, por që i duheshin politikës të ishin. Gjyqtarët ekzekutonin vendime që ua jepte politika dhe kështu vrasjet lakuriqësisht kriminale merrnin formë ligjore: vramë armiq, fajtorë.

Vilsoni dhe Genci në gjyq kërkuan mëshirë edhe në letrat për apelimin në Gjykatën e Lartë kërkuan mëshirë. Vilson Blloshmi shkruante se pavarësisht se nuk i kam pranuar akuzat as në hetuesi, as në gjyq, kërkoj të më falet jeta. Jam ende djalë i ri dhe duhet t’më jepet mundësia të jetoj që të punoj e t’i shërbej shoqërisë.

Kolegji i Gjjykatës së Apelit në datën 7 korrik 1977, me gjyqtare E. Selenica, e la në fuqi vendimin e gjykatës së Librazhdit. Po ashtu edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor e refuzoi lutjen për faljen e jetës së dy poetëve nga Bërzeshta e Librazhdit. Më 16 korrik shkresa e refuzimit doli nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe po, atë ditë, Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i dha policisë së Librazhdit urdhërin me shkrim për pushkatimin e poetëve. Të pushkatohen në datën 17, në mesnatë. Ky urdhër u zbatua. Mekanizmat e shtetit punuan si të kurdisura. Kishte ngut dhe indiferencë në gjithë këtë procedim: vetëm se duhet të mbusheshin formalisht shkresat, të viheshin nënshkrimet, vulat, të shkreheshin plumbat prej pushkëve në ekzekutim, të derdhej gjaku dhe dy prangosurit që për shtetin kishin vdekur kohë më parë, të mbuloheshin nën dhé. Gjërat ishin paravendosur dhe shtetit nuk i pritej sa t’i ekzekutonte dy të dënuarit me vdekje.

Në gjithë shkresat e zyrave më të larta të shtetit, të cilat i përmendëm më sipër, nuk harrohet të shkruhet që Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin kulakë.

Para ekzekutimit Vilson Blloshmi, i lidhur duar e këmbë, siç lidhen të dënuarit me vdekje që presin të ekzekutohen, i la amanetet një bashkëfshatari të “grupit” të tij sabotator, të cilin ia kishin vënë që ta ushqente. I tha: t’i thuash babait tim që unë nuk i kam bërë fajet për të cilat më akuzuan dhe nuk i kam pranuar ato në hetuesi dhe në gjyq. Pranë tyre Genc Leka qante. Kryehetuesi Selim Caka me maskën e dashamirit shkonte dhe bisedonte veçan me V. Blloshmin. Sigurisht, donte që edhe në këto orë të fundit, të arrinte ndonjë nga synimet e tij të mbrapshta të urdhëruara nga profesioni i tij. Vilsonte Blloshmi vetëm heshtte.

Gencin dhe Vilsonin i pushkatuan te Përroi i Firarit, një shkarëzimë e prerë nga një përrua poshtë malit të Zgarës disa kilometra larg Librazhdit.

Të pushkatuarit për sabotim nuk kishin pasur asnjë kallëzim në polici për vjedhje, për dëmtime apo për çfarëdo lloj shkeljeje tjetër të ligjeve. Në dosjen e këtij gjyqi për sabotim ekonomik nuk ka një ekspertizë prej specialistësh të ekonomisë që ta përcaktojë sabotimin teknikisht. Ka vetëm disa shifra për vjedhje, jo nga Vilsoni dhe Genci, nga të burgosurit e tjerë bashkë me ta, vjedhje që dhe mund të jenë bërë, por jo në përmasat që i jep gjyqi. Këto vjedhje nuk janë denoncuar më përpara nga ndonjë njeri apo nga ndonjë institucion. Ato janë “provuar” nga vetëdenoncimet nën torturë të të paraburgosurve.

Në se për krimin e sabotimit, që, sipas ligjeve të kohës, të dënonte me vdekje, nuk ka asnjë ekspertizë, për përpunimin hetimor të vjershave dhe të shkrimeve të V. Blloshmit dhe të G. Lekës janë thirrur në ndihmë përkthyes, mësues letërsie dhe ka tri ekspertiza me shkrim nga specialistë të letërsisë. Këta ekspertë, pavarësisht nga ç’thonë tani, kanë ecur sipas thënies: më mirë me të fortin, se më të dobëtin, dhe: atij që ka marrë rrokullimën, t’i jap edhe unë një shkelm që mos ta ngrejë më kokën. Të vrasim njerëz, për të mbajtur pushtetin. Kjo praktikë staliniste, u vu në zbatim në Librazhd më 17 korrik 1977. Kështu u morën dy jetë njerëzish më 1977. Sipas kësaj praktike vendimet i merrte partia, ajo jepte urdhër se kush duhet të vritet dhe kur duhet të vritet. Gjykatat u jepnin formë juridike vrasjeve. Shteti shqiptar i mbeti besnik kësaj vije staliniste deri në fund: më 1988 u var në litar Havzi Nela, një poet nga Kukësi që kishte bërë mbi 20 vjet burg e internim.

Propaganda e Partisë së Librazhdit vazhdoi më tej: vdekja e dy poetëve duhet të shndërrohej në festë. Në çdo fshat njerëzit mblidheshin dhe dëgjonin të deleguarit e partisë. Të rinjtë vallëzonin. Komunistë të rinj pranoheshin në parti. Partia i çliroi njerëzit nga dy armiq të rrezikshëm. Populli i brohoriste fjalët e të deleguarve të Partisë. Kështu krimi shtetëror përligjej edhe nga populli, domethënë, duhet të kishte vrasje të tjera.

Shefi i partisë së Librazhdit mori shpërblimin nga udhëheqja e lartë e partisë për këtë ekzekutim të 17 korrikut 1977: u transferua në Tiranë në detyrën e Presidentit të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Shumë nga ata që dënuan poetët, hetues, gjyqtarë të lartë etj. patën detyra me rëndësi edhe në shtetin shqiptar të pasdiktaturës. S. Caka, kryehetuesi, punoi si prokuror, Dh. Beshiri u bë avokati i Nexhmije Hoxhës, E. Selenica punoi në Gjykatën e Lartë, ndonjë hetues punon ende si avokat në zyrat e Ombusmanit në Tiranë.

Më 1994 u gjet varri i fshehtë i dy poetëve nga Librazhdi: eshtrat e tyre ishin gati të përqafuara. Ata qenë miq gjatë jetës së tyre, u pushkatuan të lidhur dorë për dorë, figurat e tyre pranë njëri -tjetrit i gjen edhe sot në bronzin e memorialit në qytetin e Librazhdit. Kështu, pas vdekjes, Librazhdi i pranoi ata në memorialin që u ngrit për kujtimin e tyre, i pranoi me vënien e emrit të tyre në dy prej shkollave të qytetit, i nderon në veprimtaritë për jetën dhe krijimtarinë e tyre, i ka shpallur qytetarë nderi. Qyteti e kishte ditur prej kohe se ata ishin dy nga djemtë më të talentuar të tij. Nuk ishin sabotatorë, krerë të një grupi hajdutësh. Ata do të mbeten në bronz aty pranë rrjedhës së Shkumbinit si simbole të krenarisë dhe të dhimbjes.

 

  1. I shkathët në vuajtje

(Mendime të Vilson Blloshmit mbi jetën dhe poezinë)

Si arkeologët që dëshmitë për kohët e vdekura i nxjerrin nga varrezat, studiuesi për jetën e një të ekzekutuari nga diktaturat, dëshmitë do t’i nxjerrë nga arkivat e policisë.

Vilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë ese apo shënim për idetë e tij mbi jetën dhe mbi artin. Mendimet që po japim më poshtë, i kemi nxjerrë nga dosja hetimore. Ato, meqë janë dhënë nën hetuesi, duhet t’i marrim me rezervë, por prapë, dhe kështu kanë vlerë dhe duhen bërë të njohura. Këto fragmente janë nxjerrë nga deponimet e ditëve të para në hetuesi.

“Në vitin 1966 mbarova shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në ato rrethana e kam shkruar poezinë:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur.

Në se më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

Jam thyer para dëshirës sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit”. 1)

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore.

Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra fallco, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret, si…

Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitit kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit.

___________________

1) Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë 8.8.1976, fq 213.

————————

Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur se sa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjeshtë punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime. E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.

Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e shpjegimin e gjërave e kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.

Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Më këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjek njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.

Unë shpesh herë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.

Më datën 2 dhjetor 1973 unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë nën brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do të bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin. Në këtë poezi janë shprehjet: “ ej botë faqebardhë, ej botë faqe zezë.” Me botë faqebardhë merrja shokët e mi që u shkolluan, u stabilizuan në punë, në jetë, ndërsa shprehjen botë faqezezë, ia atribuohej vetes sime, që jam siç e kam thënë më lart. Unë atëherë punoja druvar në Stravaj. Me dy vargjet e tjera, “Shoh hijen bonjake, që s’di se nga shkon dhe humb” kam dashur të flas për fatin tim, atë që më ndanë, nuk mund të isha njësh me shokët. E konsideroja veten të përbuzur, pa një vend pune si mësues. I bëja pyetjen vetes: pse të vuaja fajet e së kaluarës së prindërve të mi, pse të sakrifikohesha për hir të së kaluarës së të tjerëve? Kjo më bluante përbrenda, por nuk mund ta bisedoja me njeri. Unë këtë e shikoja si një padrejtësi që nuk më bëhej nga njerëz të veçantë në fshat, por nga një parim bazë i pushtetit popullor; ky ishte caku që unë nuk guxoja ta kapërceja.

Në 31 gusht të vitit 1975 kam përkthyer nga shkrimtari francez Sharl Bodler poezinë “I vdekuri i gëzuar”. Aty janë këto rreshta:

Në një tokë me pleh dhe me kërmilla plot, / një gropë për veten gërmoj, / ku të mund të shtrij eshtrat e mia për kaq mot / e si peshkaqeni në dallgë të pushoj.

Edhe me këto vargje kam dashur të shpreh brengën time. Poezia është e Bodlerit, unë vetëm e kam përkthyer, por kjo ka lidhje me poezitë e tjera të miat, të cilat përshkohen nga pesimizmi për jetën. Për Bodlerin kam lexuar se ai e shikon jetën pa perspektivë, me syrin e pesimizmit. Megjithëse Bodleri është dekadent, unë këtë fakt e di, ai më ka pëlqyer. Për më tepër, disa nga poezitë e tij që kishin frymën e pesimizmit dhe mua më pëlqenin se i tillë isha dhe vetë, prandaj i kam përkthyer.

Më 11 shtator 1975 bëra një poezi tjetër vetëm me pesë rreshta. Këtë e kam bërë para se të martohesha, mbasi mendoja se nuk do ta arrija kurrë martesën.

Në vitin 1973 kam bërë një poezi tjetër mbi veten time. Atëherë kam qenë në gjendje ankthi dhe kam shkruar në bllok kështu: “Një ankth i llahtarshëm, ankth gjumi. Zgjuar. Tmerr. Më bëhet se nuk do të vdes kurrë. Medet, sikur njeriu të jetonte përjetësisht, sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia, por jo për të rënë sërishmi në djep, por në arkivol”. Në atë kohë unë punoja druvar në Stravaj, isha i lodhur, i mërzitur, më dhimbte stomaku. Siç e kam thënë, unë kam qenë pesimist dhe e kam pasur në natyrë trishtimin.

Kur më pushuan nga puna në Përrenjas dhe më kthyen në kooperativë, kam shkruar në ditar, pse më bëhet kjo, ç’duan nga unë, ç’kërkohet më, ç’mund të bëja unë i futur 1500 metra thellë nën tokë? Kam qenë në kulmin e dëshpërimit në këtë rast.1)

Duke u ballafaquar me literaturën e ndaluar, reaksionare, e cila është gjetur në shtëpinë time, mendoj se këto libra grumbullohen, ruhen dhe propagandohen nga një njeri armik i pushtetit dhe i partisë. Për pasojë, unë që kam bërë një veprim të tillë, jam armik. Shkrimet e Bodlerit të Lamartinit kanë ndikuar tek unë. Kam lexuar veprën, po edhe pikëpamjet e tyre botëkuptimore. Krahas studimit për zgjerimin e dijeve të mia, unë i kam studiuar këta autorë, sepse nga përbërja ime klasore te këta autorë gjeja ngushëllim, sidomos nga shkrimet e Bodlerit, për faktin se ato përshkoheshin nga fryma e pesimizmit për jetën dhe shoqërinë. Ata kanë ndikuar tek unë në drejtim të pesimizmit mbi jetën. Më përfytyronin hallet dhe shqetësimet e mia. Kam lexuar në bibliotekën e Tiranës një ese të Viktor Hygoit, një pjesë me titull “Ditën e nisjes sime” dhe e kam hedhur në ditarin tim. Ai pranon lindjen e jetës nga zoti, pra është idealist.

Tek këta autorë më ka pëlqyer edhe konstrukti i strofës, rima, ritmi. Kam lexuar Stendal, Hygo, Myse, Zola, Balzak, Bodler etj me qëllim që të rris horizontin tim kulturor, por dhe për të krahasuar tekstin original me përkthimin shqip, kam lexuar dhe thjesht për kuriozitet, për t’i krahasuar me letërsinë e realizmit socialist. Një sonet nga Bodleri e kam marrë për të

____________________

1) Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, datë 11,12. 8. 1976 fq. 216-220.

——————————

bërë krahasimin me përkthimin e Nolit. Kam marrë dhe sonete të tjera që më pëlqenin për anën teknike. Kjo ka ndodhur në vitet 1972-73.1)

Në muajin shkurt 1972 në ditarin tim janë shtatë rreshta të cituara nga Racine “Ester një nga izraelitet më të reja”:

“Medet, për ç’krim, përse,

të heq tërë këtë brengë akoma e re.

Jeta ime po çel dhe është në fillim,

por do të bjerë përdhe

si lulja që pa veç një agim.

Medet, përse, për ç’krim

Të heq tërë këtë brengë kaq e re”.

Thëniet e Racine te “Ester”, unë i kam ndierë në veten time: pse të vuaja kaq i ri dhe i pafajshëm, ç’krim kisha bërë, unë isha fare i pafajshëm. Po këtu më ka pëlqyer dhe teknika poetike.2)

Ç’ke dashur të thuash me shprehjen e cituar në ditarin tuaj: “Jeta është një humnerë e madhe, në të cilën zhytemi më thellë, duke pandehur se po dalim.”

Jeta në fakt nuk është humnerë, por unë e paraqes kështu sepse po të thellohesh shumë e shumë, nuk arrin dot të përcaktosh mendime të sakta për jetën.3)

Ç’ ke dashur të thuash me shprehjen: “Si të jesh, duke qenë zjarr, me fqinj barutin?”

Me këtë kam dashur të them se duhet të jesh i shkathët në vuajtje.4)

____________________

1)         Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, faqe 224- 228.

2)         Po aty, datë 12.8.1976, fleta 222.

3)         Po aty, datë 30.8 1976, fq 230.

4)         Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, datë 30. 8.1976, fq 230.

———————————-

Kur e tanishmja është e tmerrshme, njeriu jeton me kujtesën e së kaluarës, por ç’më ngelet mua? Dhe e kaluara, dhe e tanishmja nuk më qetësojnë aspak, më hidhërojnë, hidhërim që rritet dita-ditës.1) (Shënim në ditar më 1974.)

Vilson Blloshmi u është përgjigjur me hollësi pyetjeve mbi poezitë dhe mbi shënimet në ditar, megjithatë ai nuk e pranon akuzën për agjitacion dhe propagandë. Gjithë ç’kam shkruar, thotë ai, e kam bërë për vete, nuk i kam ndarë me njeri tjetër.

 

  1. Poezia e Vilson Blloshmit

Krahasuar me brezin e tij, Vilson Blloshmi kishte pikëpamje të kundërta mbi artin dhe letërsinë, një përkushtim tjetër dhe të tjera shije letrare. Ai ishte i bindur se si letrar nuk do t’i takonte kurrë botës në të cilën jetoi. Ai hyn ndër ata që në botë i quajnë poetë të mallkuar. Megjithatë, duke e iu kundërvënë në heshtje mallkimit, ai shkroi poezi, përktheu prozë dhe poezi. Fleta e shkrimit kështu shndërrohej në altar dhe ai që shkruante, flijohej aty më gjithsej. Të shkruash për vetëshprehje, pa parë dritë në fund të tunelit se një ditë këto shkrime do të lexohen, është akt vetëflijimi.

Letrarët e tjerë të brezit të tij e kishin marrë zgjedhën e realizmit socialist mbi supe dhe kështu e lëruan arën deri në fund. V. Blloshmi e dinte, më së shumti e ndiente se, sado ta ulte qafën, edhe po të pranonte të vihej nën zgjedhën më të rëndë, prapë do të mbetej i huaj për kohën. Koha nuk e numëronte ndër të gjallët, e kishte flaku tej.

____________________

1) Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, datë 15. 9 1974, fleta 233 e dosjes.

——————————————–

Por me pjesën më të çmuar të jetës së tij, me kohën kur merrej me letërsi, me libra dhe me atë pjesë të jetës, kur u ndodh ballë për ballë me të keqen dhe nuk u dha para saj, ai del përtej, përmbi kohën e tij.

Jeta e tij dhe poezia e tij shkrihen në njëra-tjetrën. Poezia kështu ka peshën e jetës së tij, ka çmimin e kokës së tij të ekzekutuar nga tirania. Ai nuk e tradhtoi as njërën: as jetën, as letërsinë e tij.

Në poezitë e tij apo, më saktë, në ato që kanë mundur të arrijnë deri tek ne, shohim një poet me talent. Kjo vërehet edhe në pak vjersha, edhe në pak vargje. Ndonjëherë ai rrekej të ngjitej deri në nivelin e mirë të mësuesve të tij, të poezisë franceze, të poetëve që i lexonte, i përkthente, i adhuronte dhe me afsh kërkonte të dinte më shumë për letërsinë, për jetën, për mendimet e tyre. Kishte hyrë në rrugën e të shkruarit me kërkesa të larta dhe këtu nuk lëshonte pe. Mësuesit e tij ishin të kundërt, mund të thuash, me ata që pëlqente koha e tij. Ai besonte te liria e artit dhe e artistit, tek të shkruarit pa marrë parasysh se ç’mund të kërkojë censura apo kritika. Dhe në këtë udhë ai ishte serioz deri në mohimin e vetes.

Poezitë i ka shkruar nga viti 1968 deri më 1975: e para mban datën 13 janar 1968, e fundit, 11 shtator 1975. Mbase ka shkruar poezi dhe më përpara. Nuk dimë kur ka filluar të shkruajë. Me gjallje të tij nuk u botua asgjë prej tij.

Poezitë i shkruante në fletoret e ditarëve, në fletoret e përkthimeve dhe në copa letrash a në kapakët e librave që i ndodheshin në duar në çastet kur patjetër duhet të shkruante. Nuk i përgatiti ato për botim dhe nuk i daktilografoi me makinë shkrimi. Ato janë të përziera me përkthimet dhe, veç rasteve kur ai i ka nënshkruar, është e vështirë t’i dallosh nga përkthimet. Disa nga poezitë vijnë me shkrimin e tij të bukur. Këto janë poezi me rimë dhe me vargje të matura. Të tjerat (ngjan se ai nuk është kujdesur për to) vetëm sa i ka hedhur, i ka shkruar shpejt me sa i hante krahu: në to mungon pikësimi, shkrimi herë-herë është fare i palexueshëm. Në hetuesi e thotë përmendësh, pa harruar asnjë fjalë, ndonjërën prej këtyre poezive të palatuara. Vilson Blloshmi i mbante përmendësh poezitë dhe përkthimet. Përgjithësisht nuk u vinte tituj poezive. Ka shkruar me varg të matur, me varg të lirë; poezitë e tij nuk e kalojnë faqen, ka edhe poezi të qëlluara me fare pak vargje. Është i kthjellët në atë që do të thotë. Ka pak poezi për dashurinë. Nuk ka motive politike, sociale, kombëtare apo poezi mbi natyrën.

Me gjetjet e reja nga dosjet e arkivave prej tij kanë ardhur 26 poezi. Siç e thotë vetë, ai është poet i trishtimit. E tillë ishte jeta e tij. Por ky poet e ka shkruar trishtimin e vetes, e ka hedhur me tërë forcën mbi letër. Është një trishtim me peshë. Është poeti i gjendjeve të rënda ekzistenciale. Në hetuesi përmend sonetin “I vdekuri i gëzuar”, kujton dhe strofën e parë të saj dhe thotë se poezitë që ka përkthyer nga Bodleri, kanë lidhje me poezitë e tij. Vilson Blloshmi ka shkruar makthet njerëzore, agoninë deri zbardhjen e tipareve të fytyrës, zhveshjen shpirtërore të njeriut nën ankthet ekzistenciale siç zbardhin eshtrat e zhveshura prej mishit:

Orteqet e mendimit i kishin lënë

Pak flokë në kokë. Ato shpesh kishin

Marrë dhe një pjesë të mirë

Të mishit të tij, sidomos në faqet. (Unë u ktheva)

Një makth i llahtarshëm.

Makth gjumi. Zgjuar. Tmerr.

Më bëhet sikur s’do të vdes kurrë.

Medet, sikur njeriu të jetonte përjetësisht.

Sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia,

Por jo për të rënë sërishmi në djep,

Por në arkivol. (Një ankth…)

Ndikimi i Bodlerit tek ai nuk është i dukshëm, më tepër i afrojnë gjendjet e përbashkëta ngjethëse dhe të vrazhdëta të botës. Bodleri në rastin e tij është një vëlla shpirtëror. Sado larg nesh, në botë përjetësisht kanë jetuar dhe jetojnë vëllezërit tanë shpirtërorë. Këta vëllezër universalë janë ngushëlluesit më idealë për njeriun që e gjen veten pa të kaluar, pa të sotme dhe pa të ardhme.

Tema të tjera ekzistenciale të tij janë vetmia, nëpërkëmbja, përjashtimi, humbja e shpresave, por edhe revolta:

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë, Mirë, pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

Disa nga poezitë më të mira të tij janë: Saharaja, Jehonë vjeshte, Një makth i llahtarshëm, Emër, I tremburi ikën etj.

Po ndalemi më hollësisht në dy poezi, për të dhënë dhe disa tipare të artit të tij.

 

JEHONË VJESHTE

 

Ja vjeshta që gjithçka për rreth e zverdh, erdh.

Erdh dhe po hedh ngadalë mbi botën mbarë, ar.

Lejlekët ikin, vajtojnë mbi pyll të shkretë retë.

Dhe pyllit pellgjet tashmë janë mbushur plot lot.

 

Dhe qielli i nxirë që përmbi tokë pështyn, shtyn

Vjeshtën dhe kjo e zhveshur, kur gjithçka vdes, humbet, mbet

Me zemrën mijëra fletë që kur acari ngriu, griu.

Prandaj në vjeshtë ti na lajmëron përherë, erë.

E di, e di, i rëndë është ky ogur gur

Të ndiej, të ndiej tek ikën tatëpjetë jetë.

shkurt 1974

Kjo poezi është gjithë tinguj dhe ritme. Autori ia ka kushtuar vëmendjen më të madhe elementëve formalë. Mbartjet, thyerjet kadencore, rimat e prera shkurt përcjellin si me të rëna sëpate një situatë që vjen e rëndohet me peshën e gurit në fundin e saj. Por përmbi situatën që vizaton, poeti qëllimisht i jepte rëndësinë më të madhe veshjes tingullore të së tërës, zgjedhjes së fjalëve që me ritmikën dhe me tingëllimin e tyre të zbresin te ajo atmosferë e zhveshjes dhe e heshtjes prej guri. Dihet që interesimi për tingullin në vetvete ka qenë në prirjen e simbolistëve.

Po, nëse vjersha është nën ndikimin e manierave të simbolistëve, dyvargëshi i fundit i saj, të duket se ka dalë drejt nga ndonjë poezi e romantikëve francezë:

Të ndiej, të ndiej tek ikën tatëpjetë Jetë.

Edhe në poezi të tjera të tij vërejmë po këtë joshje nga loja e fjalës dhe e tingujve në vargje; ndonjëherë vërehet hapur ndikimi nga Lasgush Poradeci. Por, pavarësisht anës formale, poezia me vetëndierien e një oguri të lig, me atë gurin në rrokullimën e një të tatëpjete pa kthim, profetizon rrëqethshëm (e di, e di… të ndiej, të ndiej) atë që realisht ndodhi pas tre vjetësh: vdekjen e autorit të saj.

“Saharaja”, poezia e sintezave dhe e një kuptimësie të thellë përgjithësuese është kryevepra e tij. Në këtë poezi përshkruhet gjendja e shkretimit rrafshues dhe tërësor, gjendja e ngricës dhe e mungesës së plotë të marrëdhënieve njerëzore, gjendja e izolimit si në planin shpirtëror, ashtu dhe në atë material.

E mbajtur në plan simbolik, po aq sa një meditim mbi botën dhe mbi jetën në tërësi, ajo mund të merret dhe si jehonë e një gjendjeje të vështirë subjektive të vetë poetit. Bota në të cilën jetojmë, nuk është gjithmonë bujare në dhënien e dashurisë dhe në miratimin e vlerave të dikujt. Njeriut i ndodh që të jetojë në atmosferën e një thatësire shpirtërore të pashpresë:

…s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë/ … nuk ka miq e shokë/… nuk ka bijë e bir /…fjalë e dashuri e njerëz s’ka…/bluan gurë në mend e saj/ …s’ka këngë të këndojë/… s’ka lot të qajë.

Ky shkretimi biblik në përmasat e tij, në mallkimin e tij, mund të pushtojë tërësisht edhe “një copë tokë”, pra, vende dhe rajone të tëra në gjeografinë e botës mund të bien nën fatkeqësi e nën gjëma të tilla të mëdha.

Shkaqet nuk dihen, ndaj ky lloj shkretimi mbetet një fatalitet i përhershëm i botës, një ankth i gjallë dhe kërcënues, një nga plagët e pashërueshme të saj:

As dhe një s’e di si është kandisur

Me këtë plagë mbi shpinë rruzullimi,

Por se thonë në botë është stisur,

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi Në pusin e harresës tret…

Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi, Shkretëtirë e shkretë, mbetet shkretë…

Nga ky plan universal, po dhe subjektiv, ku synon kryesisht poezia “Saharaja”, kuptimi mbi të është rrudhur dhe është përdorur si material akuzues për autorin nga policia e kohës. Policia e shmangu dhe e zhveshi këtë poezi nga thelbin filozofik, për ta përdorur vetëm në planin politik. Ajo është lexuar si akuzë për gjendjen e atëhershme të Shqipërisë, si denoncim i një situate të shkretimit të skajshëm ku ishte katandisur jeta në këtë vend.

Jo se poezia “Sahara” nuk e përfshin edhe këtë kuptim, ose, më saktë, jo se ajo nuk mund të lexohet dhe si e tillë, por si poezi e karakterit simbolik shumëkuptimësitë e saj nuk mund të rrudhen deri atje sa të merret parasysh vetëm në njërën nga domethëniet apo, më mirë, në njërin nga aludimet e saj. Aq më tepër, kur ky aludim përdoret dhe si material akuzues për ta vënë në kryq autorin. Për fat të keq, kjo ka ndodhur.

“Saharaja” nuk përmban vetëm atmosferën e shkretimit, por edhe atë të urrejtjes së shfrenuar dhe të mallkimit për gjithçka njerëzore:

Prandaj kur urrejtje e fortë, e nxehur

Mbi dikë mallkon e shfryn e shan,

Që nga skuta del kujtimi i dehur…

“Saharaja” është poezi e figurave të forta dhe me përqendrim të lartë poetik. Mbase ajo nuk është në stilin e Vilson Blloshmit që mendërisht prirej nga një poezi e formës së pastër. Ai, ashtu si poetët e artit për art, mendonte se poezitë me përkryerje të lartë të formës, poezitë larg çdo synimi përmbajtjesor janë ato më me peshë në artin e të shkruarit. Me “Saharanë” ai del nga ky parim estetik i shprehur prej tij.

“Saharaja” mbetet një nga poezitë më kuptimplote të tij, ndonëse diku-diku ajo dhe çalon poetikisht. Ai është kujdesur për gjuhën dhe që asaj mos t’i mungojë harmonia tingullore. Idioma “ka shok veten” thuhet për diçka që shkakton habi dhe frikë, për diçka të panjohur, të pangjarë në kohë apo në hapësirë, të pakrahasuar me asgjë tjetër. “Saharaja ka shok emrin e saj”. Vallë një të keqe të tillë të pakrahasuar me asgjë tjetër kishte pësuar njeriu, bota, vendi, Vilson Blloshmi? Një e keqe që bluan edhe gurët, që edhe nata nuk e pranon. Saharaja është fjala që përsëritet më shpesh gjatë poezisë. A ha ra ja janë tinguj të rrafshtësisë, të zbrazëtisë, të vetmisë kujitëse, tinguj asgjësues në agoninë e tyre. Dhe përsëritja e vargut “Shkretëtirë e shkretë, mbetet shkretë”, përcjell merakun e poetit për pasurinë tingullore të poezisë.

Mendoj se kjo poezi nuk të çon te modernizmi, as te simbolizmi. Lidhjet gjuhësore midis fjalëve dhe midis vargjeve brenda saj të kujtojnë poezinë “Ançari” të Pushkinit në variantin e përkthyer shqip prej Lame Kodrës. Edhe sintaksa, edhe vargu njëmbëdhjetërrokësh të kujtojnë përkthimin e “Ançarit”.

Nuk ngjan as me vjershat e simboleve biblike të Nolit, vjersha të pasura në aliteracione, në kontraste, në dramacitet, vjersha me synime shoqërore e politike të dukshme.

Vilson Blloshmi është një poet i personales, vjershat e tij përherë kanë një shkak, një ndodhi të jashtme a të brendshme si shtysë për të dalë jashtë tij. Sipas dëshmisë së tij, ato, si dhe përkthimet e tij, janë ditari poetik i çasteve më tragjike, i rrëqethjeve dhe i torturës shpirtërore më të skajshme të njeriut në qorrsokak. Blloshmi, pas Migjenit, është nga poetët më tragjikë të poezisë shqiptare.

Poezia “Saharaja” del përmbi tragjiken vetëm personale.

Në frymën e saj, fund e krye, “Saharaja” ngërthen një mllef të fshehur dhe të ngjeshur mirë. Një mllef i gatuar nga një shpirt i fortë që ngrihet ku e ku më lart se sa lënda që mbartet në vargje. Mllef dhe dëshirë për t’u ndarë preras me të keqen. Për ta shkëputur dhe flakur prej vetes ndrydhjen dhe shkretimin kërcënues. Lënda është trajtuar gati objektivisht, me largësi dhe me baraspeshë ndjesore. Prej këndej buron ajo ironi e fshehtë dhe hakmarrëse ndaj këtij mallkimi njerëzor e natyror bashkë. Vështrimi i poetit e pushton Saharën në tërë gjerësinë e saj. Pastaj strofë pas strofe rreh t’i shkojë gjer në fund anatomisë së dukurisë Saharë.

Modeli komunist i jetesës dhe i kohëve kur mbizotëron çshenjtërimi, dehumanizimi i vlerave, shpërfillja dhe e vetë jetës së njeriut, vetëm me Saharanë mund të shëmbëllehen. Por Saharaja ngjan sikur është ende e gjallë, është edhe sot e gjithë ditën këndej rreth e rrotull nesh, përherë e gatshme të na pushtojë. Ajo mund t’ia behë papritur. Në çdo kohë ajo mund të ngrejë krye që ta shkretojë njeriun, jetën, ujërat, bimët, t’i rrafshojë, t’i kthejë në rërë malet e qytetet në gjithë botën. Një kërcënim apokaliptik që vjen që nga tekstet e vjetra biblike drejtuar tokës sonë. Dhe poezia vetëm sa e denoncon Saharanë. Vetëm kaq. Ajo është ende aty.

Edhe diçka tjetër. Saharaja e kohës së tij nuk e kishte shkretuar poetin në lirinë e tij të brendshme, gjë që kish ndodhur me shumë njerëz të tjerë të asaj kohe. Vilson Blloshmi dinte të jetonte e të krijonte dhe nën klimën e Saharasë, kishte krijuar mjetet mbrojtëse ndaj saj nëpërmjet lirisë shpirtërore. Kjo liri ngjan me lirinë e skllavit që jeton në kushtet e palirisë, por që e ruan përbrenda të pacenuar lirinë e vet, madje arrin ta zhvillojë dhe ta kultivojë atë. Duke qenë nën Saharanë, por në largësi me të nëpërmjet të kësaj lirie të brendshme, poeti mundi ta ironizojë e ta përqeshë shkretimin mbizotërues përreth tij.

Për elementët e saj artistikë, për frymën e shëndetshme denoncuese, për atë vështrim siperan përmbi fenomenin dhe për atë që shpirtërisht të lartëson mbi të keqen, kjo poezi është kryevepra e tij. Renditet me poezitë më të mira që u shkruan në atë kohë.

Dhe s’dihet përse, ndonjëherë të ngjan se Vilson Blloshmi është edhe sot këtu pranë,… mbase diku këtu rreth e rrotull nesh. Mund të ndodhë që në ndonjë mbrëmje, pasi të jetë mpiksur mirë muzgu, ai dhe mund të të thërrasë në telefon: “Alo, jam Vilson Blloshmi, do ta pimë bashkë një kafe?”1)

Pse mund të ndodhë kjo? Se gjendjet kryesore të poezive të tij janë në ujërat e haluçinantes, në ujërat e një muzgu të përjetshëm, po të një lloj muzgu që lehtësisht mund të ndërrojë. Mund të këmbehet në dritë, po edhe në natë, në një natë më të thellë se sa vdekja. Një gjendje e ankthit të përhershëm ekzistencial: “Dhe shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë”, “ në ankth gjumi, i zgjuar”, “sikur të jetoja përjetësisht”. Kështu ka dashur, ose kështu i ra në pjesë atij të jetojë.

Ai e ka parandjerë vdekjen dhe nëpërmjet poezisë ka dashur të dalë prej saj. Në poezinë e tij me një klimë rrëqethëse dhe të paqëndrueshme prej muzgu gjithçka mund të kthehet mbrapsht për nga drita: “të ç’pështillja rripin e rrugës që bëra”, “të jem i gjallë më shumë se çdo i vdekur”, “shpirti i të vdekurve mban në dorë një pishtar”, “ndriçimet e zjarrit të natës janë aq të forta, sa duken hijet e korbave tek kalojnë” … Nga kjo zonë e vdekjes ai vjen drejt nesh, drejt dritës, drejt të gjallëve:

Emër, s’të mori dot me vete ty ajo, – jo,

Ndonëse vetë doli, ti mbete thellë në zemër – emër.

Ti, kur mbi tokë koha mote e stinë i ndërron, – rron;

Ndaj bëhesh, kur rininë nëpër kujtime ndiell, – diell.

____________________

1) Shih “Qefini i hënës”, libër mbi dy poetët nga Z. Morava.

——————————-

Simbolet e tij të forta si blloqe gurësh, thelbe të vërteta poetike, janë: nata, hija, vdekja, shkretëtira…

Një dëshirë për të përmbysur një gjendje makthi, për të hapur një fill tuneli në natën e ekzistencës, për të dalë matanë drejt së përjetshmes.

Të ngjan se, pasi e ka ndriçuar me pishtar natën edhe vdekjen, ai ka dalë në skajin e dritës. E ka nëpërshkuar tej e tej vdekjen, e ka shterur me poezi udhëtimin e vdekjes dhe të natës. Ka shpëtuar prej tyre. Nuk ka më kthim në terrin e tuneleve që ua doli tej e mbanë.

Vilson Blloshmi ndiqte demonin e tij, instinktin, jo modelet. Ai dinte të ecë nëpër errësirë, dinte dhe të dilte përtej saj. Edhe sot poezia e tij, qoftë në mjetet shprehëse, qoftë në temat e saj të josh për ta lexuar dhe rilexuar. Ndonëse shpesh është vetëm e hedhur, e palatuar, e parimarrë për së dyti në duar. Më me shumë kujdes ai është sjellë me përkthimet e poezive të poetëve që i kishte për zemër.

 

  1. Përkthimet

Më lart kemi folur se drejt përkthimit atë e ka çuar dëshira për të njohur atë lloj letërsie që në Shqipëri nuk botohej, nuk studiohej në tekstet shkollore e universitare dhe që anatemohej në fjalimet politike, jo vetëm për përmbajtjen, por kryesisht për vlerat e estetikës së saj. Në Shqipërinë e kohës i përjashtonin nga shkolla nxënësit që kapeshin duke lexuar autorë të tillë zyrtarisht të ndaluar.

Përkthimi i parë prej tij mban datën 18 prill 1970, datë kur ai ka mbaruar së përkthyeri novelën “Zadig” të Volterit. Është përkthimi i një fillestari. Në këtë përgatitje për botim e kemi redaktuar. Novela e Volterit përcjell vuajtjet dhe peripecitë që pëson njeriu i drejtë. Vlerat dhe mirësia veç përkohësisht të ndihmojnë, se në një botë ku sundon padrejtësia, për të drejtin dhe të urtin fati ruan vetëm goditje dhe ndëshkime të njëpasnjëshme. Kjo ide dhe kjo vijë jete i shkonin për shtat dhe fatit të Blloshmit tonë.

Poetët me të cilët është marrë më gjatë janë Viktor Hygoi dhe Bodleri. Një libër me ese të Viktor Hygoit ai e lexonte dhe e komentonin bashkë me mikun e tij Genc Lekën, fragmente prej tij ia niste në letra dhe së kushërirës, piktores Lumturi Blloshmi. Mbase prej këtij libri ka përkthyer dhe fragmentin e esesë filozofike me temë lirinë dhe domosdoshmërinë. Ka përkthyer dhe katër poezi lirike të Viktor Hygoit. Më 1974 ka përkthyer po prej këtij rreth 600 vargje të një poeme nga “Legjenda e shekujve”. E ka përkthyer në vargje 14-rrokëshe dhe me rimë të puthur.

Prej Bodlerit ka sjellë në shqip tetë poezi. Sizina, Lugati, I vdekuri i gëzuar, Epitaf për një libër të dënuar,Pendim i vonët janë nga përkthimet më të mira prej Bodlerit, poetit më të vlerësuar prej tij. Disa nga këto poezi vijnë shqip për herë të parë. Vilson Blloshmi dëshmon se e zotëronte aftësinë e përkthimit me shqipërimet e tij të soneteve të ngjeshura të Bodlerit. Ai po përkthente një sivëllain e tij shpirtëror. Këto përkthime, në vend që të nxjerrin në pah nervin satanik dhe dërrmues bodlerian të përkthyesit, përthyejnë ngjashmërinë e tyre në përballjen me përmasën e përjetshme të tragjikes në jetën e shoqërisë dhe të njeriut.

Ka përkthyer dhe poezi të Mysesë, Bualosë, Malarmesë, Syli Prudhomit, D’Anuncios, dhe fragmente nga tragjeditë e Rasinit. Siç e pohon vetë në hetuesi, nga Rasini ka përthyer fragmentet që shpjegonin se vuajtjet fatalisht u bien mbi kokë dhe njerëzve që nuk i meritojnë ato.

Një nga kryeveprat e G. D’Annuncios “Shiu në pishnajë”, poezi aq e hollë në lojën e fjalës, të ritmeve dhe të bukurtingëllimit, që për së pari është përkthyer shqip në dialektin geg prej Ernest Koliqit, vjen dhe në përkthimin e Vilson Blloshmit. Por jo aq e arrirë, e derdhur dhe e shkrifët, siç vjen prej penës së mjeshtrit shkodran.

Përveç vlerave si përkthime, përkthimet e tij sjellin dhe të dhëna mbi shijet e këtij të riu. Ato janë dëshmi e guximit e tij, e kuturisjes që të ndeshej me kryevepra të tilla të letërsisë botërore. Në kohën kur letërsia shqiptare mezi po shkëputej nga ndikimet ruse apo kineze, në kohën kur edhe t’i lexoje këta autorë rrezikoheshe, Vilson Blloshmi dashurohet me autorë të tillë, i zgjedh ata për mësues të tij, pastaj merr dhe i përkthen në shqip. Disa prej këtyre autorëve, nga më të vështirët për t’u përkthyer në gjithë letërsinë botërore, të sjella në shqip prej tij, kanë shijen e origjinalit. Ai ka ndjekur traditën shqiptare për t’i përkthyer në metrat dhe në ritmet përkatëse. Dihet se kjo kërkon aftësi prej mjeshtrash të mëdhenj. Vilson Blloshmi, pa qenë mjeshtër i përkthimit, përktheu i udhëhequr nga instinkti i tij prej poeti dhe nga adhurimi për autorët e një letërsie të madhe.

 

  1. Letrat dërguar Lumes

Janë rreth katërmbëdhjetë letra të shkruara shqip dhe frëngjisht dërguar së kushërirës, Lumturi Blloshmit, që atëherë jetonte dhe studionte për pikturë në Tiranë. Nga ato marrim të dhëna mbi interesimet e tij më kryesore dhe mbi natyrën e tij.

Donte edhe më shumë të mësonte. Etjen e tij të pashuar për lexime e ka shprehur në një letër dërguar Lumes: “Po unë kur do të ngopem ndonjëherë duke lexuar”. Me këtë kuptojmë dëshirën që të ngopej duke lexuar ato libra që atij i pëlqenin, ato libra që nuk kishte mundësi t’i gjente për t’i lexuar. Por edhe atë tjetrën: me punët e rënda që bënte, nuk gjente kohë të mjaftueshme për të lexuar aq sa donte. Mbase e tepron, se në të vërtetë ai lexonte më shumë se cilido tjetër në kushtet e tij.

Idhulli i tij ishte Bodleri, të cilin dhe e përktheu më së shumti. Për Vilsonin, Bodleri, njeriu – brengë siç e quante ai, ishte një ndër gjenitë e njerëzimit, gjeni i atij shtati që mund të radhitet në krah të Eskilit, Anshtajnit, Shekspirit; ishte për të shkrimtari i pakrahasuar me asnjërin nga shkrimtarët francezë të shekullit të njëzetë. Ai digjej që ta njihte me rrënjë letërsinë franceze, si edhe gjithë “ajkën e letërsisë botërore”. Ndaj ia kishte zili së kushërirës, që në hapjen “e ngushtë” të viteve ’70, kishte gjetur mundësinë që të lexonte disa nga shkrimtarët e mëdhenj të atyre viteve dhe sidomos ekzistencialistët francezë: Sartrin dhe Kamynë. Ishte i dëshiruar për të pasur një fjalor italisht apo një Laorusse. Në çdo letër që i shkruante Lumes, do t’i kërkonte një copë, një copëz, një vjershë a një dyvargësh nga letërsia frënge. Është pothuaj e pashoqe kjo mani e tij ndaj letërsisë dhe ndaj botës intelektuale në tërësi, por veçmas ndaj asaj franceze. Kjo etje për ta njohur këtë kulturë gati i ishte bërë obsesion.

Vilson Blloshmi ishte kaq i lartësuar nga realiteti në dëshirat e tij dhe një shpirt kaq i ekzaltuar, sa do të thoshe se jetën e jetonte si nëpër ëndërr. Jetonte përtej ekzistencës reale, me dëshirën për ta pushtuar botën intelektualisht. Shpirtërisht i tillë ishte: një botëpushtues. Në se miku i tij, Genci, ishte i kënaqur që të pushtonte paqësisht qoftë dhe zonën e Bërzeshtës, Vilsoni nuk ngopej duke lexuar, nuk reshtte për t’i arritur, për t’i prekur, për t’u ngjitur gjer në majat e literaturës botërore. Vilsonit i pëlqente rreziku, shija e së rrezikshmes jo si aventurë, por si mënyrë jetese. Në pavarësinë e vet, jo vetëm që i shpërfillte kërkesat e kohës së tij, por jetonte krejtësisht larg tyre. Jetonte përmes muzikës, poezisë, letërsisë që dëshironte. Nga letrat kuptojmë se ky njeri thua se jetonte vetëm shpirtërisht, vetëm intelektualisht, vetëm si i tillë. Krahas librave, radion e kish bërë mjetin e tij të pandarë. Thithte lajmet që vinin prej saj, dëgjonte muzikë, sidomos muzikë simfonike. Që nga vitet ’70 ndiqte në televizor Festivalin evropian të muzikës së lehtë. Motivet e këngëve të Mirel Matiesë, të Denis Rusosë i fishkëllenin me mikun dhe kushëririn e tij, drejtorin e shkollës, si sinjal se duhet të takoheshin.

Pjesa tjetër e jetës, ajo që bënte punë të rënda, që ecte me orë të tëra më këmbë, me libra në shpinë, që bënte ushtrinë në brigadë pune, që zhytej thellë mes mineraleve e shkëmbinjve në galeritë e minierave të hekur-nikelit, nuk i hynin në sy. Natyra e tij e gjallë, e fortë, mosha e re, ia hidhnin pas krahëve të gjitha pengesat. Realitetin e përditshëm të ashpër e përtypte dhe e shkërmoqte si të ishte një lajthi ndër dhëmbët e tij. Vetëm tej këtij realiteti fillonte jeta e tij e vërtetë për të: muzikë, libra, bota e së bukurës, e së lartës, bota e mendimit. Por, aq sa i kapte dhe i thyente me forcën e muskujve të tij vështirësitë fizike, po aq shpirtërisht mbetej i pangopur, i paplotësuar. Me mahnitjen ndaj shpirtërores e kishte pisk. Ai thotë se ishte pesimist, se kishte mbetur në vend. Por këto ankesa vijnë nga që ai ishte i izoluar intelektualisht dhe jo në komunikim për ato që kishte bërë si njeri i letrave.

 

  1. Përfundime

Ky njeri kishte lindur për të derdhur energji të mëdha, dhe ai i kishte ato. Duke zotëruar realitetin e ashpër, në saje të fuqive mbinormale fizike, duke e ndierë veten të familjarizuar me disa nga poetët dhe mendimtarët e mëdhenj francezë që kishte mundur t’i lexonte, duke e ndier veten të fortë për çdo pengesë, ai jetonte sa në Tiranë, në Bërzeshtë, sa në minierë, në tavolinën e shkrimit, duke pandehur se kjo energji prej rinie, prej mendimi, prej shkrimtari atij nuk mund t’i merrej, t’i fashitej, nuk mund t’ia shkatërronte askush. E, pra, ai u bë dhe më i gjallë se të gjallët e tjerë pavarësisht se realisht ishte askushi, siç thotë në një poezi të tijën. Ishte tërë energji. Energjia nuk e la kurrë në baltë. Ai ishte zotëruesi i saj.

Ishte një poet i kredhur fund e krye në fandaksinë e vet. Tregojnë se, i hipur mbi samarin e mushkës, tek po nisej për në stane që t’u çonte ushqim barinjve, lexonte nën dritën e hënës Shatobrianin në origjinal.

Por realiteti që ai nuk e përfillte, nuk do t’ia falte këtë arratisje prej tij.

Inteligjenca ishte një nga dhuntitë e çmuara të personalitetit të tij. Duke bashkuar intelektin, me energjinë dhe me vullnetin, ky djalë i pafat aty majë malit në mënyrën e tij, si autodidakt, mësoi dhe grumbulloi dituri, shkroi poezi dhe përktheu disa nga poetët më të mëdhenj francezë, arritje jo të pakta për kohën dhe për rrethanat në të cilat jetoi.

Me gjetjet e reja nga shkrimet e ditarëve, të poezive dhe të përkthimeve personaliteti i tij ridimensionohet në regjistra në tjerë. Ai nuk e ka bërë këtë punë për stoli, për erudicion, ato kanë qenë mbrujtja dhe mbrojtja e tij, kultivimi i një lirie shpirtërore nën trysninë e mbytjes së çdo lirie tjetër. Janë motivuar nga gërryerjet e dyshimet e thella mendimtare dhe nga vuajtjet e rënda e të përditshme prej realiteteve jetësore, si ushqim për ankthet që e linin pa gjumë dhe si ngushëllim, njëherësh. Kjo letërsi, filozofi, eseistikë, përkthime, poezi autoriale ishin shprehje e katarsit nga makthet dhe helmet që ishte i detyruar të merrte nga jeta; ato ishin shpëtimi, antihelmi, kthimi në vargun e atyre që domosdoshmëria i bën skllevër të detyrës dhe jo të instinktit dhe të egoizmit (V. Hygo). I pastruar kësisoj nga ky zjarr shekullor i artit të madh botëror, ai kthehej në udhën e mbarë të njerëzimit, në udhën e ndeshjes së dritës me errësirën. Kësaj vije i qëndroi ai dhe në qelitë e diktaturës. Ai na dëshmohet kështu qytetar i një njerëzimi që nuk e ka pasur të lehtë të mbijetojë pa ide, pa sakrifica për hir të këtyre ideve, pa krijimtari, pa meditim dhe dyshim, pa kaluar nëpër zjarrin përvëlues e zhuritës të tyre, si provë e asaj që besojmë dhe pohojmë edhe përtej jetës sonë.

Ismail Kadare shkruan se vrasja e dy poetëve të Librazhdit është një ngjarje me përmasa planetare. Vërtetë, ndonjëherë krimet shtetërore kanë tagrin të tronditin gjatë ndërgjegjet e njerëzve, të tronditin dhe vetë planetin. Ata dy djem që u vranë më 1977, kishin kundërshtuar autoritetin e një shteti komunist, por të një autoriteti që në paktet ndërkombëtare ishte i pranuar: Shqipëria do t’i përkiste bllokut komunist. Një ndryshim në këtë pakt ndërkombëtar ishte prishje e baraspeshave planetare. Të vetëdijshëm për këtë, komunistët shqiptarë e quanin veten të përjashtuar nga çdo moral e ligj njerëzor, si të thuash, kishin lejen të bënin krime sa të donin. Por dy të rinj, pa qenë palë e asnjërës ane të balancës, vetëm se donin të ishin vetvetja, kishin dalë dhe kundër këtij pakti që rregullonte botën. Ata guxuan në heshtje të ishin vetvetja, vetëm kaq. E pësuan, e paguan me kokë pafajësinë e një guximi të tillë. Por gjaku i tyre që u derdh fshehtas e hupët në një tokë zhurishte dhe që u thith menjëherë prej saj, pa lënë asnjë gjurmë, shkoi dhe ra, peshoi në njërën pjatë të balancës planetare. Peshoi atje padukshëm, por me peshën e krimit. Kur njëra anë e balancës rëndohet nga krimet, nga gjaku i pafajshëm, sot a nesër, ka tagrin të përmbysë dhe anën tjetër të saj. Kjo përmbysje planetare dikur erdhi. Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kishin vënë gjakun, depozitën e veprës së tyre, peshën e tyre në këtë përmbysje të një rendi botëror të padrejtë të gjërave.

 

Sadik Bejko, Dhjetor 2008.

 

Ndalohet publikimi pa lejen e autorëve!

 

Please follow and like us: