KE rrëzon kërkesën e Holandës për vendosjen e vizave me Shqipërinë
Komisioni Europian nuk e ka pranuar kërkesën e Holandës për rivendosjen e regjimit të vizave më Shqipërinë. Lajmi bëhet i ditur nga burime nga zyra e delegacionit të BE në Tiranë.
Në 31 maj Holanda dorëzoi në zyrën e Komisionerit për Emigracionin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos kërkesën për të marrë parasysh vendimin e parlamentit holandez për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Argumentet që e shoqëronin kërkesën ishin aktiviteti i shtuar kriminal i shqiptarëve në Holandë, përdorimi si pikë transiti për të kaluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe numri në rritje i azilantëve.
Ky është vendimi i dytë në pak kohë që Komisioni jep në favor të Shqipërisë, kur kujtojmë atë të rekomandimit për çeljen e negociatave në qershor.