Albspirit

Media/News/Publishing

Shef Mentor Merjemaj, një jetë midis artit të pjatave dhe gatimit krijues, kurorëzuar në Institutin Kulinar ‘Neranxi’

 

Fotografia e Instituti Kulinar Neranxi

 

Artur Nura, Perqasje.com

 

Shef a mund të na bëni një prezantim tuajin?

 

Unë quhem Mentor Merjemaj. Formimi im starton që në 1996 me kryerjen e një shkolle profesionale për kuzhinë.

Kam marr pjesë në seminare të ndryshme që më kanë ndihmuar shumë të rritem profesionalisht.

Kam punuar si ndihmës kuzhinier tek shkolla e marinës në Vlorë dhe më pas kam emigruar në Greqi në vitin 1991 ku kam punuar si fillim në furrë buke dhe më pas ndihmës kuzhinier.

Më pas, falë punës dhe vullnetit tim të mirë, arrita të bëhem shef kuzhine ku punova për një kohë relativisht të gjatë.

Jam kthyer i kënaqur me suksesin e punës time në Shqipëri, kam hapur biznesin tim dhe kështu kam menaxhuar më shumë se 3 restorante të miat dhe vëllezërve të mi, të cilët, sikurse edhe unë, janë kuzhinierë të suksesshëm.

 

Kur keni filluar bashkëpunimin me Institutin Kulinar ‘Neranxi’ dhe si do e përkufizonit atë në krahasim me eksperiencat e tjera?

 

Sikurse ju thashë, për disa vite, bashkë me vëllezërit e mi kemi pasur restorante dhe nëpërmjet tyre kemi bashkëpunuar me institutin ‘Neranxi’ që ka ofruar gjithmonë lëndën e parë të restoranteve me cilësinë më të mirë dhe çmimet e duhura.

Kemi qenë që në fillimet e bizneseve tona klientë të rregullt me Kompaninë ‘Neranxi’.

Biseda me miq dhe kolegë të punës, bënë që shumë nga studentet e këtij instituti të kryenin praktikat nëpër restorantet e mia.

Kërkesat e njëpasnjëshme të kolegëve të cilët asaj kohe ishin shefa në këtë institut, por edhe dëshira ime e madhe për të dhënë dijet e mia mbi kuzhinën, bënë që të përfshihem edhe unë personalisht me pasion tek ky projekt gjigand i kulinarisë më cilësore në të gjithë Ballkanin.

Edhe aktualisht jap mësim mbi kulinarinë profesionale dhe krahas kësaj jo rastësisht edhe djali im është një nga nxënësit e këtij instituti, ose kësaj shkolle cilësore të gatimit profesional. Ai, si të gjithë studentët e tjerë, po studion për kuzhinë dhe ka dëshirë të ndjekë hapat e babait dhe të bëhet edhe ai një shef kuzhine i suksesshëm.

 

Kur takoni ish studentët tuaj në sukses, bie fjala kur jeni në restorante të ndryshme, si ndiheni? Mund të na thoni disa prej studentëve tuaj të cilët sot janë shefa të suksesshëm kuzhine cilësore?

 

Është e natyrshme për një docent që mëson shumë nxënës dhe mbas një fare kohe i ritakon ata, ndjehesh mirë për atë çka ju ke mësuar.

Kam shumë studentë që, të më falin, por nuk jua mbaj mend emrat të gjithëve sepse janë shumë ata që sot punojnë dhe janë shefa te suksesshëm në restorantet më të mira në të gjithë Shqipërinë.

 

Si e shikoni kuzhinën greke kundrejt asaj tradicionale shqiptare? Dhe cilën kuzhine do të veçonit si më të mirën për miq tuaj special?

 

Kuzhina greke dhe ajo shqiptare janë pothuaj të njëjta. Çdo gatim tradicional varet nga krahina e vet. Si në Greqi dhe në Shqipëri ndryshimi është më shumë krahinor, por me shije të veçanta tradicionale.

Për miq të veçantë sigurisht që edhe gatimi do të jetë i veçantë, në përshtatshmëri të vendit dhe krahinës ku ai jeton. Ne në gatim jemi gjithmonë krijues si në art…

 

Unë e kam provuar krijimin tuaj të gatimit në Himarë ku ishit i rrethuar me praktikantë. Më duhet ta them se kuzhina juaj në Livadh ishte e shkëlqyeshme, të paktën sipas shijeve te mia, por ishte e vështirë të gatuanit për klientë restoranti shoqëruar me praktikantë dhe jo me shefa kuzhine?

 

Të punosh me praktikantë që deri dje kanë qene studentët e tu për afro 1 vit shkollor, pa dyshim qe është kënaqësi e veçantë. Sikurse ju vetë e deklaruat, gatimet tona në Livadh të Himarës ishin të duhura dhe unë ju falënderoj për këtë vlerësim.

Por mund të them me modesti se, bashkë me studentët, arritëm të mbyllim një sezon të suksesshëm veror, si nga ana financiare ashtu edhe ajo profesionale.

 

Sivjet keni pothuaj keni dyfishin e studentëve në shkollë, a u përshtatët dhe si po shkon puna tani?

 

Po është e vërtetë qe këtë vit ka rekord numri nxënësish në këtë institut dhe janë pothuaj dyfishi i vjetshëm. Duke qenë se mësimdhënia për mua është diçka e dashur, pasion, nuk ndjej aspak lodhje, përkundrazi e kam kënaqësi t’u mësoj sa më shumë të rinjve këtë zanat te bukur dhe fitimprurës.

 

Cila nga kjo klasë mund ta shquajmë si më të vëmendshëm dhe më shembullor në këtë orë mësimi?

 

Do e them me bindje se të gjithë janë kërkues dhe duan të jenë më të mirët në kuzhinë. Pra të gjithë nxënësit garojnë me njeri-tjetrin për të qenë më të mirët. Të gjithë në këtë institut kanë një qëllim te vetëm: Të bëhen Shefa të Suksesshëm Kuzhine.

Bashkë me disa nga studentët e kulinarisë ‘Neranxi’ kemi marrë pjesë në evenimente dhe jemi kthyer me medalje. Veçoj këtu pjesëmarrjen në Konkursin Ndërkombëtar të Kulinarisë në Alanja të Turqisë, pjesëmarrja në Kongresin ‘WASE’ të Selanikut në 2016 dhe në Panairin e Artozës në Athinë në 2017.

 

Pyetja e fundit, projektet për të ardhmen këtu në Institutin Kulinar ‘Neranxi’?

 

Siç jua kam theksuar edhe pak më lart, mësimdhënia për mua është diçka shumë e dashur dhe duke qenë se jam i përkushtuar ndaj profesiont tim,  do të vazhdoj të jem pjesë e Institutit të Kulinarisë ‘Neranxi’.

Në një të ardhme jo të largët, një nga projektet e mia është edhe edhe një libër mbi kuzhinën…

 

 

Please follow and like us: