Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Krijuesi dhe përkthyesi, rasti i Ukë Buçpapajt dhe Arqile Garos

Rezultate imazhesh për shekspiri dhe servantes

Servantes dhe Shekspiri

 

Nuk ka asnjë dyshim se në krijimin letrar gjithmonë është parësor krijuesi, por kjo nuk është një aksiomë që nuk bart edhe të kundërtën, që një përkthyes i përkorë dhe elitar shpesh e tejkalon krijuesin. Kjo që po shkruaj ilustrohet me mjaft shembuj në botë dhe në vendin tonë, por unë do të ndalesha në dy përkthyes të ditëve të sotme kur ky sekt, fatkeqësisht në zhdukje e sipër: Ukë Buçpapaj që përkthen mjeshtërisht dhe i pakapshëm ende nga shqipja në anglisht (dhe jo vetëm) dhe Arqile Garo që ka të njëjtën mjeshtëri që të përkthejë nga greqishtja në shqip e anasjelltas (dhe jo vetëm) duke mos u konkuruar ende nga askush.

Ukë Buçpapaj është botë më vete, e njeh shqipen në detaje, njeh standardin dhe dialektet, njeh të folmet e përbashkëta e të veçanta që ndryshojnë nga qyteti në qytet dhe nga katundi në katund dhe padyshim njeh mjaft mirë anglishten dhe pikërisht për këtë, pa qenë pjesë e ndonjë projekti alla Bektash Izvori, skërpo-arixhiu apo e ndonjë mbështetjeje financiare, sapo spikat një autor shqiptar mbi mesataren, e merr dhe çon në botën e sipërme, atje ku letërsia shqipe ballafaqohet me të tjerat.

Dhe është për t’u shënuar se shumë shkrimtarë shqiptarë të përkthyer prej tij, që është gjithashtu krijues, ose së pari poet, janë vlerësuar me çmime dinjitoze. Shumë kohë më parë i kam thënë zotit Buçpapaj konfidencialisht se çmimet që kanë marrë disa autorë shqiptarë janë të fituar prej pasionit të tij, (përkthimi është shpesh një stërmundim i madh, madje edhe më i madh se krijimi) dhe natyrisht ai është ndjerë mirë kur vëren se edhe letërsia shqipe, ajo jopolitike, joqesharake, joadministrative, joambasadoreske, jovanitoze, jo e pompuar nga qeveritë majtas-djathas, renditet e barabartë dhe shpesh më e dallueshme me krijimin bashkëkohor në Ballkan, Europë apo më gjerë.

Një rast tjetër për t’u shënuar është ai i Arqile Garos, aktor, regjisor nga Gjirokastra, që njeh gjithashtu me detaje shqipen dhe greqishten dhe që arrin të bëjë shkëputjen nga ushtruesit e zakonshëm të përkthimit. Garo ndihet mirë në përkthime të autorëve shqiptarë që i nuhat se mund të jenë të pranueshëm për lexuesin grek apo anasjelltas për një plejadë autorësh helenë që pëlqehen nga shqiptarët, por ai guxon të përkthejë edhe disa autorë të tjerë nobelistë apo jo që kanë të sigluar emra të mëdhenj të përkthimit të kulturës shqiptare.

As Ukë Buçpapaj dhe as Arqile Garo, duke qenë vetë krijues, nuk kanë asnjëherë mbështetje financiare, nuk janë përfitues fondesh, nuk janë matrapazë të mbështetjes politike, por megjithatë bëjnë një punë sizifiane për të dhënë më të mirat e krijimit në botën e sotme.

Personalisht jam mirënjohës për të gjithë përkthyesit e huaj, që janë përpjekur të japin në gjuhët ballkanike, europiane diçka nga letërsia shqipe si edhe për ata, punonjësit e heshtur që sjellin në shqip universin botëror sepse letërsia, ajo e mira, elitarja, që bëhet me shumë mundim është kryehyjnore.

Edhe pa këtë teks modest, Ukë Buçpapaj dhe Arqile Garo do bëjnë punën e tyre, do krijojnë dhe do përkthejnë pa u joshur nga karaputanë e karaputana, do punojnë në heshtje, larg fondeve që i marrin zakonisht hileqarët e pushteteve, larg vlerësimeve, tutje vëmendjes shtetërore, por gjithmonë do të jenë më sipërorë se të gjithë sharlatanët, të pacipët, që jo pak herë na bëjnë të ndihemi me turp në diktaturë dhe në demokraci!

Ky tekst është një mirënjohje për Garon dhe Buçpapajn, për përkthyes të tjerë zëheshtur, ndërsa për kontestuesit do ju sugjeroja të lexojnë romanin-epope “Lufta dhe paqja” ose të kthjellohen në këmbë duke përsëritur baladën kretase për Manolin, e vlerësuar unanimisht nga Akademia Botërore e Letërsisë, Eklezia Europiane, Aureola Intelektuale e 50 të Shquarve dhe Universi Ballkanik!

 

Please follow and like us: