Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i Ani Kokobobos për takimin me Kadarenë

Featured Image

Studiuesja edhe përkthyesja Ani Kokobobo, rikthehet në Shqipëri pas një dekade. E ftuar nga Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare” dhe Instituti “Pashko”, ajo rrëfen ndër të tjera kontaktin e saj të parë me letërsinë ruse, por edhe punën që ka bërë si përkthyese e eseve të Ismail Kadaresë.

“I kam lexuar veprat e Kadaresë në Amerikë, në gjuhën shqipe, sepse kanë qenë pjesë e studimeve të mia në universitet. Përkthimi i parë që kam bërë ka qenë ‘Ikja e Shtërgut’, për Lasgush Poradecin, edhe për fundin e tij. Për këtë kam komunikuar me agjentët e Kadaresë”, tregon Ani Kokobobo.

Ajo ndalet edhe tek studimi i saj mbi veprat e Ismail Kadaresë, duke e parë se cilat janë dimensionet e figurave botërore, që shkrimtari shqiptar ka përdorur në veprat e tij. Sipas saj, “Dantja i pashmangshëm”, “Eskili, ky humbës i madh” dhe “Hamleti, princ i vështirë”, kanë bërë që letërsia e tij të tejkalojë kufijtë.

“Unë jam larguar në moshën 14-vjeçare nga Shqipëria, por gjuha e tij është shumë e pasur”, tregon ndër të tjera studiuesja.

Teksa e vlerëson penën e Kadaresë për gjuhën e pasur, ajo e thekson se është krenari që “Pallati i ëndrrave” është shkruar nga një shkrimtar shqiptar.

“Për mua libri i preferuar është ‘Pallati i ëndrrave’. Ai libër ka vlerë për të gjithë botën, për të gjitha fenomenet botërore, por shihja se si vendimet për zhdukjen e një njeriu mund të merreshin, si në një ëndërr, kjo më kthehet mua tek Shqipëria komuniste”, thotë përkthyesja.

Vepra e Kadaresë për të është shumë e ndërlikuar, por është një vepër arti e vërtetë. Prandaj, takimi i studiueses me origjinë shqiptare me Kadarenë në Tiranë, ku diskutoi për literaturën botërore dhe veprat e tij, ishte një emocion i madh

“Ishte shumë interesante që të diskutoja me të për literaturën, dhe nga kjo pikëpamje ishte nder shumë i veçantë që unë të ulesha e të diskutoja me një nga autorët më të mëdhenj të literaturës botërore”, shprehet ajo.

Ani Kokobobo është larguar nga Shqipëria në moshën 14-vjeçare. Pas studimeve të larta punon si pedagoge e gjuhëve sllave edhe e letërsisë ruse në Universitetin e Kansas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /KultPlus.com

Please follow and like us: