Avdulla Kënaçi: Prof. Dr. Basil Schader, personalitet i njohur zviceran në pedagogji dhe linguistikë, mik i shqiptarëve
Avdulla Kënaçi
Prof. Dr. Basil Schader është një personalitet i njohur zviceran në fushën e pedagogjisë dhe linguistikës. Ai ka bërë punë të shkëlqyer duke shkruar disa libra dy gjuhëshe, shqip dhe gjermanisht për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Ka ndihmuar nëpërmjet kishës katolike duke dërguar herë pas here ndihma humanitare për Kosovën dhe Shqipërinë. Tek dera e tij valon flamuri dykrenar kuqezi dhe gjithë të huajve që u bie rruga prej andej, mendojnë se ai është shqiptar. Njeh shtatë gjuhë, midis tyre edhe gjuhën tonë që e ka mbrojtur në Universitetin Shtetëror të Tiranës. (Është i vetmi ndër të huajt që më kërkoi t’i siguroja të gjitha punët shkencore në fushen e gjuhësisë të Prof. Eqrem Çabejt). Unë e njoh zotin Basil nëpërmjet punës që kam bërë në televizion. Qysh prej atëhere, e kam mik të zgjedhur. Edhe pse jemi larg, një nga kopjet e para të librave të mi, me dedikim të posacëm, ia nis atij. Këtë radhë librin e fundit me tregime AUTOKRITIKA ia dërgova me mikeshën time Mimoza Bejkollari Dako, mësuese, e cila jeton e punon në kantonin e Zyrihut. Ja përgjigja që më erdhi me e-mail prej Prof. Dr. Basil Schader:
“I nderuar z. Kënaçi, e nderuar znj. Dako,
Ju faleminderit përzemërsisht për librin ‘Autokritika’ me tregime nga Avdulla Kënaçi që e mora para ca ditësh. Do ta lexoj me interes dhe vëmendje!
Zonjën Dako e falënderoj që ma dërgoi librin, kurse zotin Kënaçi e përgëzoj për krijimtarinë e tij letrare! Faleminderit edhe shumë për fjalët dashamirëse me të cilat ma kushtuat librin e bukur.
Duke ju përshçndetur përzemërsisht nga Zvicra ju uroj gjithë të mirat, lumturi dhe suksese”!
Për më shumë rreth këtij personaliteti, gjithashtu lexoni:
Këto ditë doli nga shtypi teksti i ri didaktik “Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standarde” nga Prof. Dr. Dr Basil Schader, pedagog i shkëlqyer i disa brezave studentësh në ShLP në Cyrih, udhëheqësi i projekteve, autor tekstesh shkollore dhe shkencëtar i shquar në fushën e didaktikës ndërkulturore. Albanologu zviceran ndihmon pa kursim zhvillimin e mësimit shqip në Zvicër. Nën kujdesin e veçantë të tij shkolla shqipe me mësim plotësues po reformohet me sukses.
Teksti i ri didaktik është rrjedhojë e serisë Doracak dhe libër pune “Materiale për mësimin e gjuhës së prejardhjes”, që përfshin librin “Bazat dhe arsyet “ ka 5 pjesë me lidhje të veçanta Nxitje didaktike dhe tashmë të përdorura nga mësues shqiptarë.
Shkolla shqipe u pasurua edhe me një tekst të frytshëm didaktik, i hartuar mbi bazën e parimeve të gjuhësisë e të didaktikës aktuale zvicerane- evropiane.
Libri i sapo botuar didaktik u vjen në ndihmë mësuesve në punën e tyre të rëndësishme për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe nxit efektivitetin e punës në shkollat me mësim plotësues të gjuhës shqipe.
Zbatimi me sukses i kërkesave të mësimit plotësues në kushte specifike me klasë heterogjene, në situata dygjuhësie e tjera, kërkon përgatitje të lartë shkencore, aftësi pedagogjike dhe punë krijuese nga ana e mësuesit.
Detyra kryesore e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë është të rritë në nivelin e kërkesave të sotme zotërimin aktiv të gjuhës së sotme standarde nga ana e nxënësve, si dhe t’i pajisë ata me njohuritë bazë të domosdoshme teorike për gjuhën shqipe në përgjithësi. Por kjo nuk është aspak e lehtë!
Rëndësi të veçantë fiton puna me ata nxënës që ndodhen në mjedise familjare e shoqërore ku praktikohet gjuha e folur ( gegërishtja) që nuk përputhet me normën e gjuhës standarde.
Libri i pranishëm do të jetë një udhërrëfyes i dobishëm në këtë punë fisnike me përgjegjësi dhe vlerë kombëtare.
Ky udhëzues synon të sqarojë pikësynimet e përgjithshme dhe të veçanta në temën aktuale nga dialekti tek gjuha standarde.
Teksti didaktik është i ndërtuar në 6 fusha, përkatësisht: Paraprihet nga një parathënie për serinë ”Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”
Hyrje – Historiku, qëllimi dhe ndërtimi i këtij teksti didaktik.
1. Të zgjohet dhe të zhvillohet ndërgjegjësimi ndaj varietetet dialekt (e) – gjuhë standarde.
2. Situata përmes lojës dhe aktiviteteve krijuese me nxitje ndaj varieteteve dialekt (e) – gjuhë standarde.
3. Të mësuarit zbulues për temën dialekt (e) – gjuha standarde.
4. Reflektim gjuhësor mbi temën dialekt(e) – gjuhë standarde.
5: Pjesa praktike.
6. Propozime për planifikimin mësimor.
Secila nga fushat e mësipërme ka treguesit e saj që mundësojnë të dhëna si: Hyrja, fillimisht ofron informacion të shkurtër përmbajtjesor mbi temën dialekti (et) gjuha standarde dhe shanset, problemet e lidhura me të. Pastaj disa udhëzime që lidhin aspektet pedagogjike dhe didaktike, gjithashtu jepen një seri shembuj konkret mësimor. Hyrja përmbyllet me një vështrim tabelor rreth çështjeve kryesore dhe propozimeve mësimore të lidhura me këtë çështje.
Pjesa praktike përfshin 17 propozime konkrete didaktike, të cilat janë ndarë sipas aspektit tematik në katër grupe. Propozimet mësimore janë paraqitur sikurse në tekstet tjera didaktike fillimisht paraqitet qëllimi i propozimeve. Shpjegime për moshën e përshtatshme, kohën e nevojshme, formën sociale dhe materialin.
Me ndihmën e këtij dokumenti didaktik nxënësi do të përjetojë një përfshirje më të madhe në mësim. Çdo nxitje didaktike, strategji, metodë apo teknik, lehtëson më mirë zhvillimin e aftësisë gjuhësore. Nxënësi zgjeron njohurit në fusha të ndryshme që merren përmes gjuhës amtare shqipe.