Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga MIRELA PAPUÇIU

Image result for mirela papuciu

DASHURI E PAMUNDUR, KJO SHTËPI

Çdo vit, vjen nga Leeds shoqja ime e klasës së violinës.
Më parë vinte nga Zakinthosi i hijshëm.
Sytë e saj janë më të thellë se ujrat e tij
e megjithatë, e kaltra e tyre nuk qe mjaft
për t’ ia prishur mendjen Jonit ku kalon pushimet
ta nxjerrë prej barku peshkun e artë,
t’ ia mbushë duart si ati birit
mbi kokë një çati.

Nga Chicago vjen shoqja ime e pianos.

Më rrallë. Çdo ditë pret biletën për një kafe
mbështetur parvazit të rinisë sonë.
E mira. Është e bukur.
Po ky vend nuk qe dot aq burrë
sa t’ ia lidhte këmbët pas trupit të vet.
Do kishte një bir më shumë!

Nga klasa e violonçelit, shoku im mori
vetëm mallin për shtëpinë.
Me të lidhi gurët që derdhi në themelet e fëmijëve.
Çdo mëngjes, në shtetin fqinj,
kamioni i tij i kuq mbushet me
ngjarjet tona mbetur pezull
si zërat e huaj që buçasin nga radioja.

Mikja ime e klasës së flautit nuk emigroi larg.
Kthehet gjithmonë nga Tirana,
por rrallë në sallën e koncerteve.
Tani, atje mbahen kryesisht përkujtimore
për artin.

Unë nuk u largova kurrë nga lagjja
ku prindërit mbollën tri pemë ulliri
me shpresën se do të bëhej ullishte
e vaji nuk do të mungonte kurrë.

Po kjo, tashmë, është shndërruar në një tokë palmash.

VETMIA IME


Vishet me një lëvozhgë të hollë por rezistente,
si fustani i bardhë i nuses që veç ia shton drojen dhëndrrit.
Bisedat ku kujtohen miqtë e hershëm
( të cilët, duhet ta themi, kanë rënë shumë,
kohët e fundit) i lë me gisht në gojë.
Në bare të zhurmshëm fshihet në porcelanin
me pak mililitër kafeinë.
Nuk arrita kurrë ta rrufis deri në fund,
por ia ngula sytë sa herë mbeta mbërthyer
në trafikun e dendur të shpirtrave fals.
Gëzohem sa herë e gjej tek i njëjti vend
ku nuk trokiti dot askush.
Më sheh çdoherë pa i ulur sytë.
Ky mal pelegrinazhi ku pastrohem nga
kinserirat e botës,
për t’ iu afruar krejt e shëndetshme
kafshimit të radhës.

HUMBJET


Sytë e tu vrima të zeza
Materia ime gri shpërbëhet në to.
Humbjet e herëpashershme
mbyten nga vërshimet në vena.
Por, për fitore nuk pati vend kurrë,
në vetëdijen përplot me të mbytur.

 PROCRASTINATION


Pluhurat mbi mobilje më stresojnë
si zhveshja para tij.
Qendroj njësoj e shtangur
Si përpara një mali që as i ngjitemi
e as i biem dot rrotull.

Sa më shumë kohë kalon
aq më të fortë zërat në kokë.
Nga përplasjet i ndjej më pak krahët.
Kush mund të m’ i mbledhë buzëqeshjet
rrëzuar përtokë?

Megjithatë, fikusi në ballkon
vazhdon të shtohet me gjethe të reja.
Nga qoshja ime e të njëjtave përsiatje
sodis si pas çdo vjetërimi, ditët
e gjejnë guximin të zgjohen prapë…

Impianti hi-fi nuk pëshpërit më muzikë
Ndonjëherë më shkon mendja ta vërvis
Sakaq kujtohem për zvarritjet e mia
Është mall i blerë shtrenjtë, përsëris
Ja ku xhirohet, ku xhirohem… i njëjti disk. 

NJË FLLUSKË

E gjitha është një flluskë
Ndërsa ne jemi ajri qe e mban fllusken pezull
Na duket se fluturojmë ndërsa veç
shtyjmë për të zënë pjesën më të madhe të boshit
që të mundemi
Në shtyrje e sipër shkelim gjëra të pavlefshme
si një milingone me shpinë të rënduar nga barra e jetës,
një ëndërr që e la te zotin pa sy
apo një njeri që i hoqi gardhet për t’ u bashkuar
me gënjeshtrën tonë! I uruari!
E gjitha është një flluskë por përsëri,
përsëri e kemi aq përzemër!
Shtie merak njeriu me gjënë e tij.
Qoftë kjo e rëndë sa një iluzion.
Na duhet, na duhet,
sa për të marrë vendimin
njëlloj të vështirë, çdo ditë
për t’ u gdhirë.

BIJË

Më kujtohet gjyshi
kur therrte shelegët, për Pashkë.
Nëna e hante të gjallë shpretkën
dalë prej rropullive të ngrohta.
Çuditesha si një njeri me sy të butë,
zë të mëndafshtë
nuk u linte gjë mangut
gjahtarëve gjakftohtë
të mureve të Lascaux-së.

Më bëhej se ma kish nxjerrë
prej barku atë regëtime jete,
e se, gjaku im duhet të kalonte
përmes buzëve të saj
ashtu si mësimet
për të mirën e të keqen.

Ka gjeste që spërkasin
nënvetëdijen e brezave
e na strukin në borxhin e rëndë
të gjakut të falur.
“Kur ecet rrugës, koka mbahet drejt.”
“Vajzat e mira bëhen bashkëshorte.”

Ishte një kohë kur gratë përkisnin.
Në shpretka qingjash gjen
plot histori të parrëfyera syresh.
Andaj, plasave të kohës
vazhdojnë të mbijnë lulëkuqe

 JEMI TANËT

Si vitrazhet e një kishe gotike
që nuk e sjellin Zotin më pranë,
duart që trokasin gotat,
në tryezat me ushqim të zgjedhur,
nuk e davarisin pezullin midis.

Jemi të gjithë të një gjaku,
por bashkë jetuam vetëm në ëndrrat
e të parëve dhe në foto.
Bëmë punë të mira,
por këtë na e dinë vetëm të tjerët.
Njeri-tjetrin e njohim vetëm nga fëmijëria
dhe gjurmët e gërvishtjeve në gjunjë.

Tani, kur vritemi, lyejmë thinjat
Fëmijëve u mësojmë atë që nuk e dimë as vetë:
të duhen. Çfarë ka mes gërmash e harrojmë gjithnjë.
Jemi tanët. Një ditë mund edhe të njihemi.

Please follow and like us: