Albspirit

Media/News/Publishing

Eliot Engel, një mik i madh, i cili meriton respektin dhe mirënjohjen tonë

Nga Harry Bajraktari

Kongresisti Engel duke ngritur flamurin amerikan në Prishtinë, Kosovë, korrik 1996.

Shqipëria ndodhet sot në një krizë politike, kurse Kosova është e përçarë lidhur me mënyrën sesi do të arrihet një marrëveshje e mundshme historike me Serbinë. Tjetërkund në Ballkan, shqiptarët përballen me sfida të llojeve të ndryshme. E megjithëkëto, kurrë më parë në historinë tonë moderne, shqiptarët nuk kanë qenë në pozitë më të mirë.
Vetëm 30 vjet më parë, Shqipëria ishte e izoluar nga bota, duke vuajtur nën një diktaturë mizore komuniste. Jashtë kufijve të saj shtetërorë, popullata shqiptare vuante nën diktaturën shtypëse të udhëheqësit nacionalist e komunist të Serbisë e Jugosllavisë, Sllobodan Milloseviq. Diaspora jonë ishte e etur të ndihmonte, po pak shpresë kishte se mund të ndryshonte gjërat nga distanca.
Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, gëzon një marrëveshje të posaçme me Shtetet e Bashkuara, dhe po kërkon të bëhet anëtare e BE-së. Gjendja ekonomike në raport me atë kohë është e pakrahasueshme. Vërtet, ka plot probleme me demokracinë dhe zbatimin e ligjit, por tani shoqëria shqiptare i ka mjetet për të sjellë ndryshime dhe reforma.
Kosova, dikur toka më e vuajtur e Europës, tani është e lirë dhe e pavarur.
Shqiptarët, në mbarë Ballkanin, kanë fituar shumë të drejta që u ishin mohuar historikisht, kanë partitë e tyre politike, e mund të mbështeten në shumë miq e partnerë në gjithë botën. Vërtet, mbeten të ndarë nga kufij politikë, po në shumë mënyra janë më të fuqishëm në disa shtete sesa në një të vetëm. Dhe këto janë kufij të hapur të cilët kalohen lehtë nga shqiptarët nëse duan të vizitojnë, jetojnë e punojnë në trojet e bashkatdhetarëve të tyre.
Ndryshimet historike të këtyre përmasave nuk erdhën lehtë. Ndërmjet faktorëve kryesorë, shkëlqen roli i madh që luajti komuniteti shqiptaro-amerikan si dhe miqtë dhe përkrahësit që bëmë e gjetëm në Washington DC. Dhe mes tyre, vetëm një udhëheqës amerikan ka qenë pranë nesh nga fillimi në fund të këtij udhëtimi të gjatë: kongresisti Eliot Engel.
Kemi pasur shumë miq të mëdhenj, nga të dy partitë politike, të cilët na ndihmuan bashkë me të dhe me të cilët kemi ndarë momente të rëndësishme historike. Do të doja të përmendja këtu senatorët e Amerikës: Dole, D’Amato, Biden apo anëtarët e Dhomës së Kongresit, Lantos, Molinari, King e lista është shumë e gjatë. Mirëpo, vetëm kongresisti Engel ishte gjithmonë me ne, në çdo hap të rugës sonë, një ndikim thelbësor, në sukseset e kohës sonë.
Hapësira e shkrimi nuk mjafton që të rreshtosh të gjitha gjërat që ka bërë kongresisti Engel për ne, por do të përmend të paktën disa prej tyre për ata që nuk kanë mundur t’i mësojnë, për ata që janë të rinj nga mosha dhe ata që vuajnë nga kujtesa e shkurtër.
Kongresisti Engel është themeluesi dhe drejtuesi i përhershëm i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, mjeti më i fuqishëm politik që kemi pasur që nga Noli dhe Konica.
Që në vitet e para si konbgresist ai u bë një mbështetës i hapur i pavarësisë së Kosovës, shpesh duke qenë zëri i vetëm që e shqiptonte atë si e vetmja zgjidhje e pranueshme e konfliktit. Ishte ndër të parët që priti Ibrahim Rugovën në Washington DC, në 1991 dhe lidhi me të një miqësi që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit të Kosovës. Me kolegët e tij, ai luajti një rol të drejtpërdrejtë në sigurimin e fondit të parë federal kushtuar posaçërisht Kosovës. Shuma prej 5 milionë dollarësh kishte në fakt një vlerë të paçmueshme. Ajo shpalli zyrtarisht angazhimin amerikan për Kosovën
Në 1994, ai drejtoi dëgjesën e parë kushtuar në mënyrë të posaçme Kosovës, në Komitetin e Dhomës për Çështjet e Jashtëme dhe së bashku me kongresistin Ben Gilman ushtruan presion mbi Administratën Clinton që të mbështeste më fuqimisht Kosovën kundër shtypjes nga Millosheviqi.
Ai udhëtoi në Kosovë, në prill 1993, dhe u kthye përsëri aty në korrik 1996, për të inauguruar hapjen e Zyrës Amerikane të Informacionit, të njohur nga populli si “Zyra Amerikane”. Ai ishte identifikuar me këtë projekt që nga fillimi dhe u deshën vite që të bëhej realitet.
Ai ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës, në atë korrik 1996, duke ngritur bashkë me të peshë edhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në një prej periudhave më të rënda për ta. Ishte koha kur shqiptarët ndiheshin të lënë në mëshirën e Millosheviqit pas Marrëveshjes përjashtuese të Dejtonit. E kam dëgjuar kongresistin Engel t’i referohej shpesh herë asaj si “Ambasada e parë e SHBA-së”, në Kosovë.
Me kolegët e tij të kaukusit, ai e detyroi Administratën Clinton që të kushtëzonte murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit me zgjidhjen e situatës në Kosovë. Ai punoi shumë që të pengonte emërtimin zyrtar të UÇK-së si terroriste nga Administrata duke i shkaktuar një goditje të rëndë përpjekjeve të propagandës dhe lobimit serb.
Sugjerimet nga kongresisti Engel ishin kyçe në procesin kur Administrata Clinton shqyrtonte alternativat me të cilat mund të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështeti fuqimisht ndërhyrjen ushtarake në 1999. Ai udhëhoqi kolegët e tij në debate dhe rezoluta madhore në Kongresin Amerikan lidhur me luftën.
Pas çlirimit të Kosovës, u bashkua me ne në vizitën e parë të organizuar si grup në Kosovën e lirë për të shkatërruar keq nga lufta. U përqafuam me lot në sy, kur kaluam për herë të parë kufirin dhe shkelëm në tokën e lirë, vetëm pak javë pasi trupat serbo-jugosllave ishin larguar të mposhtur nga NATO.
Që atëhere, kongresisti Engel ka shkuar pothuajse çdo vit në Ballkan dhe ka vijuar punën e tij në dekadën që vijoi për të bindur Administratën Bush që të njihte pavarësinë e Kosovës. Dhe që prej pavarësisë ka lobuar nga një vend në tjetrin që të njohin republikën e re dhe organizatat e mëdha që ta pranojnë Kosovën si anëtare, përfshi këtu edhe Bankën Botërore, FMN-në, FIFA-n etj. Ai është ende duke lobuar për ne pranë Interpolit dhe UNESCO-s.
Pas pavarësimit të Kosovës, ai punoi ngushtë me një tjegtër agjensi qeveritare amerikane, Programin për Sfidën e Milleniumit, për t’i siguruar vendit të drejtën për të konkurruar për një paketë shume të madhe ndihmëse. Në vitet e fundit, Kosovës i janë akorduar 50 milionë dollarë për të përmirësuar furnizimin me energji dhe transparencën qeveritare. Dhe nëse gjithshka shkon mirë, shifra mund të shtohet me disa dhjetëra milionë të tjerë.
Muajin e kaluar, në 4 Korrik, kongresisti Engel udhëtoi përsëri në Ballkan. Ai iu bashkua Ambasadorit të SHBA-së në prerjen e shiritit për inaugurimin e ambasadës së re amerikane në Kosovë, për të cilën qeveria e SHBA-së investoi 280 milionë dollarë. Nuk ka dëshmi më të fuqishme të përkushtimit amerikan për Kosovës dhe synimit për prani afatgjatë në rajon sesa kjo seli moderne. Në fakt, ambasada është shenjuar si “ndërtesë e gjelbër”, një shembull frymëzues për të ndihmuar Prishtinën që të ecë në një drejtim më të ndjeshëm ndaj mjedisit.
Nga inaugurimi i korrikut 1996 në inaugurimin e korrikut 2019, kemi të njëjtin njeri, të njëjtin udhëheqës dhe mik, të njëjtën devotshmëri dhe përkushtim ndaj kauzës sonë. Nuk ka të dytë si kongresisti Engel.
Puna e tij nuk kufizohet te Kosova. Si themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, ai u përqendrua menjëherë me problemet e demokracisë në lindje të Shqipërisë. Ndihmoi në jetësimin e Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka punuar ngushtë me çdo qeveri shqiptare në 27 vitet e fundit.
Ai loboi shumë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe u ftua personalisht nga Presidenti W Bush në ceremoninë e nënshkrimit në Washington DC.
Ai ka udhëtuar shpesh në Shqipëri, si vëzhgues zgjedhjesh, si pjesë misionesh faktmbledhëse, si dhe për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit politikë të vendit përgjatë viteve.
Kongresisti Engel loboi që Presidenti Sali Berisha të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, në 1995, si dhe për të siguruar ndihma për Shqipërinë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997.Në mes të konfliktit të atij viti të rëndë, ndërsa Shqipëria rrezikohej të rrokullisej në luftë civile, ai udhëtoi për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negocitat e drejtuara nga ish-kancelari Franz Vranitzky, duke ndihmuar që të arrihej kompromisi politik që shpëtoi Shqipërinë. Më etj u angazhua që të garantoheshin paprekshmëria e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë.
Kongresisti Engel ka punuar në vite me shqiptarë të Malit të Zi dhe ka vizituar vendbanime shqiptare atje, sidomos Ulqinin dhe Tuzin. Ai ka punuar me udhëheqësit e shqiptarëve të këtij vendi. Ai ka qenë shumë herë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka zhvilluar marrëdhënie të rëndësishme bashkëpunimi me një numër udhëheqësish shqiptarë dhe ka ndihmuar që të sigurojë një përfshire më të madhe të shqiptarëve në qeverisje, nëpërmjet jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në ditën e tij të parë, si kryetari i ri i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, ai u takua me një grup shqiptaro-amerikanësh nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të diskutuar me ta pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike.
Në korrik, rrugës për në Prishtinë, ndaloi në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me udhëheqës lokalë të komunitetit shqiptar në Serbi. Ai kërkoi nga ky komunitet prej kohësh i injoruar dhe harruar që t’ia shpjegonin shqetësimet dhe shpresat që kishin për të ardhmen e tyre politike.
Askush, ndonjëherë më parë, në historinë e gjatë të kombit shqiptar, nuk ka qenë kaq shumë i përfshirë, për një kohë kaq të gjatë dhe këtë nivel suksesi.
Pavarësisht nga të gjitha këto më sipër, ka disa pika të rëndësishme që duhen sqaruar.
Kjo ndihmë nga kongresisti Engel, nuk është diçka që e kemi blerë me para, si thonë disa propagandist serbë po edhe disa shqiptarë të keqkuptuar.
Fondet që kemi mbledhur për të përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shumave që ka mbledhur rregulisht ai vetë, gjatë viteve në zonën e tij zgjedhore dhe në mbarë vendin.
Edhe përqindjet apo numrat e votave tona nuk kanë qenë ndonjëherë vendimtare për zgjedhjen e tij në Kongres.
Ai na ka mbështetur përpara se të mësonte për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri. Ajo që bënë shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore ka qenë diçka e madhe dhe ai i ka lavdëruar, po nuk ka qenë çfarë ka frymëzuar ndihmën e tij.
Kongresisti Engel nuk na ka asnjë borxh dhe nuk ka nevojë për të na kthyer ndonjë nder. Ai ka mbështetur dhe ndihmuar çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës sepse e ka parë si një kauzë të drejtë. Me kalimin e viteve, prej angazhimit ai është miqësuar me shumë shqiptarë në komunitetin tonë dhe është lidhur emocionalisht me Kosovën dhe shqiptarët. Tani kur e pyesin nëse është me origjinë shqiptare, i bie shkurt dhe thotë: “Po”.
Po të mos gabojmë, kongresisti Engel nuk është në dispozicionin tonë. Duhet të tregojmë respekt për mungesën e kohës dhe angazhimet e shumta të tij. Agjenda e tij si kryetari i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme, është pothuajse e mbushur plot. Detyra e re e katapultoi përpara shumë çështjesh madhore që kërkojnë vëmendje të menjëherhme dhe që përfshjnë veç të tjerash marrëdhënien e tij të ndërlikuar me Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë si dhe angazhimet e reja dhe të vjetra në Lindjen e Mesme, pa llogaritur plot tema globale.
Fakti që mes të gjitha këtyre, ai gjeti kohë për t’i bërë vend një seance dëgjimore kushtuar krimeve të luftës në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të tij për temat që ne jemi të përkushtuar.
Megjithatë, ai nuk mund të angazhohet në çdo çështje që na intereson. As edhe duhet që të presim që t’i bëjë ai ato që janë punët tona.
Është për të ardhur keq që vërej disa sulme pa bazë nga disa anëtarë të komunitetit ndaj tij lidhur me mungesën e përgjigjes për një nismë kushtuar Çamërisë.
Këto punë nuk bëhen kështu. Kjo nuk është mënyra sesi trajtohet një mik që ka bërë kaq shumë për ne. Kjo nuk është mënyra për të trajtuar askënd në Kongresin Amerikan apo në Washington. Detyra jonë është që të punojmë shumë që t’i edukojmë me të vërtetat historike dhe t’i ndihmojmë të kuptojnë aspiratat tona kombëtare e politike.
Kjo kërkon kohë dhe durim. Ne na duhet të konkurojmë për kohë dhe vëmendje. Disa çështje të kohës fitojnë përparësi në krahasim me debatet për ngjarje nga historia. Disa tema janë më të ndërlikuara se të tjerat.
Çamëria mund të jetë një kujtesë shumë e dhimbshme për ne por pak dihet për të përtej botës shqiptare. Shqiptarët vetë janë të përçarë dhe konfuzë për synimet dhe për kërkesat tona në kauzën çame. Akoma më eq, vetë Shqipëria nuk po bën asgjë për këtë çështje. Si diasporë ne mund të ndihmojmë, por nuk e zëvendësojmë dot shtetin shqiptar në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë. Akoma më pak mund të bëjë këtu një kongresist amerikan. Përpara se të trokasim në derën e tij kemi shumë punë për të bërë për këtë çështje.
Ne kemi arritur kaq shumë në këto 30 vjet, po disa synime do të kërkojnë afatet e tyre kohore. Duhet të tregohemi të zgjuar dhe seriozë. Përbltja e panevojshme e një miku të dashur dhe një mbështetësi të madh ngjan si pakujdesi dhe si mosmirënjohje. Dhe mund të dëmtojë pikërisht kauzën për të cilën po punojmë. Dhe kongresisti Engel – Kryetari Engel i Komitetit të Punëve të Jashtme — është aleati ynë më i fortë në Washington, DC dhe tani që drejton Komitetin, është në një pozitë të fuqishme për të na ndihmuar. Ju lutem bashkohuni me mua për t’i thënë faleminderit shumë për përpjekjet e tij në vite në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shqiptarëve të Ballkanit.

 

Harry Bajraktari është një udhëheqës dhe biznesmen i komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe themeluesi i gazetës “Illyria”.

Please follow and like us: