Ylli Xhaferri: KU JE, NAZ HOXHA!?
Ylli Xhaferri
Sprovë
Teksa kalova Liqenin e Xhemës dhe bëja drejt mullirit për në Valbonë, një kope dhish mbushi rrugën. Një dhi e bardhë, ndali në mes të asfaltit dhe plot hijeshi, pozonte drejt meje, sikur të nusëronte, ndërsa dhitë e tjera i mbanin ison. Sixhadet e alpeve ishin një dekor madhështor pas saj. Ku e kam parë këtë!?- vrisja mendjen, por bariu i grafi dhe kopeja e bukur u hodh në korijen në krah të rrugës.
Diku më poshtë, pa arritur në Fushën e Gjësë, një aradhë kuajsh all, të zinj e ciklaloshë, ishte hedhur në revan, shkonin drejt një kulle hijerëndë me frengji që drejtëpeshonte krenare mes horizonteve të egra, saqë pyetja e fillimit m’u ngrit përsëri thellësive të vetvetes. Ku i kam parë, që më bëhen kaq të njohura!?
Diku rrjedha shkumëbardhë dhe e kaltër e Valbonës gurgullonte gëzueshëm, si të shkriheshin në të zërat e Fatime Sokolit, Gëzim Nikës, Fatmira Breçanit, ku disa vashëza freskonin duart e fytyrat e bardha e plot shëndet, mbi të cilat në qiellin blu lëvarej si shami e bardhë ëndrrash një hënë si vetull e hollë dhe e rrallë. Përsëri thashë me vete, ku, ku i kam parë!?
Ngado hidhja sytë, më dilte diçka e parë, e njohur, mrekulluese, madhështore. Befas, thirra me sa kisha në kokë: Ku je, Naz Hoxha!?- duke i çuditur familjarët e mi. Tablot e tij ishin ndehur horizonteve, apo horizontet i kishte pikturuar ai!? Ku je, Naz Hoxha!? – përsërita për të kushedi satën herë.
Dil, mor burrë i dheut, mos u fshih! Miku im i shquar, Naz Hoxha, me të cilin na lidhte një miqësi e hershme prej dy miqëve të mi, të ndjerit Abdulla Tafa dhe Halit Shamatës, emruar në Tropojë në fund të viteve ‘70, më bëhej se ishte ngado. Ja, mbi Shkelzen, në dëborën e përjetshme, në ajrin me kundërmime parajsore, në gurrat ku kishte pirë ujë e ishte freskuar për në betejën e re me shkjaun, vetë Muj me çetën e tij të agëve…Ishe dashuria e Nazit për vendin që fjollëzonte e kaltëronte me lot muzike.
Kështu pra, Naz Hoxha, je kudo. Shpirti yt i bukur ndehet hapësirave që i more me vete larg, përtej oqeanit, në Amerikë, por ia ktheve vendlindjes me artin tënd të madh, pasi viset e saj madhështore i nise nëpër njohje të reja anembanë globit. Është dashuria jote, që nuk di përse, Bashkia e Tropojës, nuk hap një ekspozitë a sallon arti, ku t’i afishojë si hajmali pikturat e tua. Se, patjetër që më shumë do të frekuentohet Valbona, Tropoja, pse jo edhe Shqipëria.
Prandaj thirra përsëri e përsëri me të madhe: Ku je, Naz Hoxha!? M’u përgjigjën njëzëri, jehona e Valbonës, kreshtat përreth, pisha e ograja, ahe e gështenja…Naz Hoxha, jemi ne!
Përsiatje për krijimtarinë e mikut tim, piktorit të talentuar, Nazmi Hoxha
Nazmiu, nuk ka nënshkruar armëpushimin midis luftës dhe paqes shoqërore, por ka nënshkruar dashurinë njerëzore. Peizazhet e tij natyrore dhe trupi femëror është lufta dhe paqa humane, lufta dhe paqa midis burrit dhe gruas, të bukurës dhe të paarritshmes, dëshirës për ndjesinë dhe kontrollit të epshit. Piktura e tij, ështe nje pikturë para së cilës duhet të gjunjëzohesh me respekt dhe veneracion, pa dallim seski dhe moshe. Nudoja e Naz Hoxhës pozon pafajësisht, lakimi i trupit, lidhja e duarve, ekspozimi i gjoksit dhe pjesëve intime, të ftojnë në meditim, në dëshirim, në respekt; asgjë ne kete tablo nuk të shtie në ngasje për seks apo epsh. Ai trup femëror është një shenjtëri, një Ave Maria, një përdëllim. Ngjyrat, përmasat, raportet, harmonia, janë përzgjedhur mrekullisht. Kjo përbën një veçanti përfaqësuese. Jo vetëm si formë, por edhe si përmbajtje, në mesazhin elitar që i përcjell botës nepsqare. Ajo është një afashim i argjendë dhe se ç’krijon një qetësi të lëvizshme, dielleshtë, hënore, një gurgullimë Valbone që çan përmes brigjeve të kuqërreme nga vjeshtimi i gorricave, gështenjave dhe ahishteve. Pse jo, një fragment nga bulevardet magjike ku piktori shkel. Janë hapa, gjurmë të shndërritshme që njeriu krijues lë pas.
Vepra e Nazit është një harmonizim i fantastikes me realen, i imazheve të siluetave të muzgjeve të fëmijërisë me ngjyrat transparente që luajnë simfoninë e ylbereve nëpër bjeshkët magjike të heronjve mitologjikë.
Imazhe FANTASTIKE të kullës së vendlindjes. Djep epik dhe lirizëm i hollë
Këto ndjesi ngjyrimesh mund t’i artikulojë vetëm peneli yt, mik. E kafta e murrme, aty ku fillojnë thuprat e kaltëra dhe të zeza, dendësia zbutet, zbardhet, ndërsa midis dy skajeve një e bardh argjendore, fal prehjen e ëmbël edhe pse të shkurtër. Këto tablo, me një pikëllim të qelqtë, të pushtuara nga çrregullësia, enden midis pohimit sipëror dhe mohimit fundor. Loja midis simetrisë dhe asimetrisë, ngjyrës së kaltër dhe një të kuqerremeje si në vjollcë, shprehin nota kaltërsie. Një sprucim vjeshtimi duket, por dimensionet e fashove fosforeshente dhe shiritave prerës krijojnë një simbolike, unë ti, por edhe ai ose ajo. Pra një familjarizim motivesh, njerëzish, idesh, në një dekor grishës. Ndonjëherë mendoja me vete, mos vallë, është imazhi i mbetur në skutat e nënvetëdijes tende, i Valbonës, gjatë perëndimeve. Janë vorbullat e saj shpërthyese që rrezet i ngjyejnë herë në të kaltër e herë në vjollcë, sipas hapit të valëzimit të saj rendës. Do të hamendësoja plot fanepsje të tilla, por ajo që mbetet, nuk është fjala ime, por mrekullia e duarve të tua.
Ky qiell, ky trëndafil qiellor, iu faneps Dante Aligerit kur bëri arkitekturën e Parajsës në “Komedine Hyjnore”. Dodona, Orakulli i saj i mençur dhe Dante Aligeri, projektuesi i Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Një blu për t’u pasur zili edhe nga vetë Pikaso! Një blu që mendon thellë. Gurrë mendimi. Manushaqim apo vjollcim horizontesh nuk mund ta them, por që vetëm dora e një mjeshtri të penelit si jotja, mund ta bëjë, këtë e them me bindje të plotë. Mrekullim etern, hyjnorja bëhet thjesht. Shfaqet, qartësohet lindja, fillimi i ditës së re. Një zgjedhje dhe zgjidhje marramendase e objekteve qiellorë, qiellit vetë dhe përshkëndritjes së dritës, një shkumim i dëshiruar përmbi tokën që nuk ta rrok syri. Një tablo e lakmuar, ku mjeshtri luan vetveten, botën e pafundme të ndjesive, ngjyrave, dritës dhe kthjelltësisë.
Për Adamin dhe Evën ka një pafundësi portretesh dhe pikturash. Punimi yt më zgjon diçka të veçantë, origjinale. Ngjyrat e trupit të zhveshur dhe vesimi vjollcë që spërkat lehtë Evën harmonizohen thekshëm. Nuk ka sensualitet, por mendim, pjellori, ardhmëri.Trajtim delikat dhe gati-gati hyjnor të femrës, që që të gjitha janë nga pak Eva. Kozmosi yt nuk është një vend i ftohtë, steril apo pavetor dhe pa kuptim, në të çdo gjë evoluoi nga vetvetja. Nga Eva dhe Adami. Po të nis disa vargje për këtë pikturë: Dielli u mbyll me hënën në dashuri / një natë zgjat epshi qiellor / burri me gruan shtratin e ngrohtë / për djalin dhe nusen braktisin / e kështu përherë / Eva dhe Adamë të tjerë. Thellësia e mendimit në brishtësinë e trupit femëror, ku ngjyrat luajnë kukafshehtasi me hiret femërore.
Ah, ky pylli yt që të rrjedh nëpër damarë. Të mahnit, të duket vetja degëz e tij. Prilli në pishnajë, ku aty-këtu gështenjat dhe ahet kryqëzohen si në parajsë. Një mrekulli të tillë vetëm Ju, miku im, që e keni parë dhe shijuar nga afër, mund ta realizonit me kaq forcë dhe mahni. Vërtetë emocionuese kjo pamje, kryqëzimi dhe ngallmimi me gozhdë në kryq, d.m.th, kryqëzimi i Krishtit, është i vonë, shumë i vonë. Kjo tablo dëshmon së i pari kryqëzim human, domethëni i njeriut është mëkati i Evës me Adamin, kryqëzimi në trupin e njeri-tjetrit, kryqëzim pse jo edhe me spërkatje të gjakut të virgjërisë. Duhen mijëra faqe për ta zbërthyer këtë enigmë mrekullie!
Drejkëndor, njëtrajtësi njerëzish që shullëhen “në fort po shndrin ai Diell / e pak po xeh”. Njolla të blerta si oaze shkretije, përqark e kaltër e hapur paqësore për shpirtrat e vetmuar si zogj shtegtarë, që duan t’i shpëtojnë zvetnimit. Piktura juaj më kujton një rrëfenjë të bukur nga Shqipëria e Mesme. Është për të Bukurën e Dheu që fshihej thellë në pus, ku shijonte freskimë, kthjelltësinë, syrin e dritës, magjinë e të pamundshmes, të pakapshmes, etj. Cilido sy që e shquante Bukuradheun në fundin e pusit, verbohej, ngaqë binte në dashurinë fatale me të. Kështu dhe piktura jote, një pus i thellë mendimesh, mesazezh, gjendjesh, fsheh të bukurën dhe thellësinë, mjeshtërisht. Bukuradheu është pas atij grilëzimi etern që ju e thurni me mozaik shpirti.
Gjurmë të bardha verbuese-drithëruese gjer në palcë, e kuqe flakadan, nga katet e nëndheshme të shpirtit të mekur, të kaltra të akullta, bornajë shtanguese ylberore, zezonë orligë prapa vetes e kemi prore, nëse nga vetja nuk flijojmë diçka të shtrenjtë, të çmuar, që të shpëtojmë nga lebetia e mallkuar. Tabloja juaj paraqet një mendim të thelle, një filozofi moderne jetësore, me një realizim drithërues. Përtej verbërisë gjethon limfa e një livadhi, gjelbëron deti i së nesërmes së shpresës. Midis së verdhës pikëlon një jeshile që flet, të shplodh, të fut në mendim. Besoj se cilido nga ne kështu e sheh fatin tonë të përmbysur. Pas një vërdhelleme që kërkon të përthajë vadat e shpresës. Por jo, gjelbërimi tek ty, ngrihet.
Dy fasha poshtë e lart të ngushta dhe një rrip i gjerë midis kurmit, ngjyrë të kuqe që sa vjen e zbehet, kërkon një pështjellak kaltërosh për me u mbuluar. E kaltra jote vetëm këtu mund të gjindet e plotë dhe rrëzëllitëse. Kam një varg të një poezie që i shkon përshtat kësaj kryevepre: …E kaltra qan me lot muzike. Nazmi, një fshehje me elegancë dhe finesë e turpit. Lakuriqësia e tundon femrën, të bukur apo e shëmtuar qoftë. Ato hekura nuk kanë kryqëzuar vetëm Krishtin, por edhe të bukurën, dashurinë, ndjenjën e dashurisë që në anët tona ishte gjithmonë e anatemuar: “nga muri do të ngjitem, ta di se edhe të vritem”. Kjo i thotë të gjitha. Një bukuri e turpshme, me kanun e paprekshme se shijohet si pamje nga pas hekurave të frëngjisë. Thjesht një ëndërr. Zanë apo Njeri?
Në tablotë e tua hasen mirazhe kullash të bardha në lartësitë e bjeshkëve të Shkëlzenit që reflektojnë mbi ujërat kristal në Valbonë e Drin. Kulla që ndizen si shandanë të një jete të pastër, tronditëse, si realizim figurativ, por edhe si mesazhe, si filozofi. Nuk di mik se nga ç’qiej ka rënë ky mirazh tek ty, nga trëndafili qiellor apo nga imazhet e reve nëpër qiellin mbi bjeshkët e fëmijërisë. Veç di, që ke realizuar një ëndërrim misterioz ku jeta, gëzimi, dasma, gjama, hidhërimi dhe vdekja sikur marrin forma alla-Goja. Një kec duket se ka marrë arratinë qiejve të bukur deri në prishamendje që duken sikur blegërijnë, blegërijnë vërtetë. Gjuha e simboleve në këtë telajo është shumëdimensionale. Pak nga lirizmi i Tanushës, një fërgëllimë fisnikerie nga dhimbja e Ajkunës, diçka nga dielli që shndriti gjakun e Omerit që u kthye në vjellca. Peneli jot, miku im, sa vjen e bëhet pushtetplotë deri në frymëkëputje. Një mëngjez. Mendoj se e ke marrë me vete, ky mëngjez ka kalëruar me ty hapësirave përtej oqeanit, për t’u shfaqur potencialisht në këtë telajo. Kujtesa, thellësitë e saj jepen përmes atyre grilave boreale, argjendore, netëve të bardha të fëmijërisë nëpër dimrat me borë. Ndërsa sprucimi diellor, fluorishent, i ëndërrt, spërkatur me ngjyrën e mishit, që nuk formëson pjesë trupore, por imazh, siluete dhe prezencë lirizmi njerëzor, krijojnë shpresën, që doemos do të lindë. Shpresa jonë, pastë fatin e kësaj tabloje, që ti e shpërthen plot emocion dhe besim në këtë mëngjez të paharruar.
Një siluetë femërore sa eterne, misterioze, po aq dhe reale, prej mishi, gjaku dhe ndjenje. Një vegim i dëshiruar, një realizim magjik. Nuk di por se ç’ më kujton një varg brilant të Homerit tek Iliada: “…gisht trëndafilja Era nga shtrati prej bryme po ngrihej…”. Vetëm ky kushtim Homerik i shkon kësaj mrekullie të ngrirë në telajon tënde. Edhe pse është i njëjti trup, e njëjta bukuri, raporte përmasash dhe linjash magjike, janë aq të ndryshme nga njera-tjetra saqë të befasojne. Je mjeshtër i ngjyrës, dritës, formës, herë provokuese e herë pozante të trupit të dëshiruar, që ndonjëherë i hedh përsipër një tis pëlhure që e bën gati-gati hyjnore. Këto nudo, janë shprehëse të ndjenjës deri në detajet më të imta, edhe pse u mungon fytyra, që është pjesa më komunikuese e trupit njerëzor. Nudot e tua flasin me një gjuhë të ndershme.
Piktura jote, më mirë se sa çdo gjë tjetër zbërthen misterin e orakullit të Dodonës, ku fatet e perëndive të Olimpit dhe të njerëzve në tokë pasqyroheshin në lisat e lashtë, në rrathet e trungjeve, si dhe fëshëriminën e gjetheve. Ato rrathë dëshmojnë filozofinë antike, lashtësinë tonë. Ky Cirkuiti yt është plot diell, shprese, jete, lëvizje, besim në të ardhmen. Është një vezë e mbarsur me mirësinë, ngjyrat e diellta, shpresat e ngrohta, besimet solide. Veza e së ardhmes që pluskon në një atmosferë ngjyrash të ngrohta, dy skajet e së cilës një kaltërim magjik i përshkon si bula vese. Mendim i thellë, realizuar me mjeshtri.
Cilido piktor do të të kishte zili, për mendimin, filozofinë dhe krijimin monumental. Dodona ilire, lisi me rrathët e mençurisë, lashtësisë, përjetësisë, dhe kthjelltësisë. Ai ndriçim kaltërisht magjepsës, si syu i qiellit që pasqyrohet në Liqenin e Xhemës. Misterin e Dodonës e ke sjellë të thjeshtëzuar më shqip se sa vetë Dodona pellazgjike. Pellazgët flisnin ilirisht, ndërsa ilirët flasin shqip, mendojnë albanologët gjermanë. Dodona jote është plot ditë, me miseter të ndriçuar, me simbol të qartë. Ato tre silueta, në gjeratoren e siluetave njerëzore, janë ati, shpirti, biri.
Një tablo divine. Një sprucim i paktë drite ku jeta gjallon mes një kaltërsiimi magjik. Qoftë i bekuar ai imazh fëminor që mbeti gjatë tek ju derisa na e dhuruat me këtë krijim. Me pikturën tënde po na fton të bëhemi më të mençur, më kërkues dhe hulumtues, që të kuptojmë thelbin filozofik të gjërave. Ato meridianë krijojne x-in, misterin, enigmën që heroina jote merr përsipër ta ndriçojë, zgjidhë dhe vendos rendin e ri të botës, ku femra, djepi i jetës, të ketë në dorë edhe levën e Arkimedit për ta drejtpeshuar përkrah të mirës, paqes, brishtësisë dhe delikatesës.
Këtë thurje apo endje, nuk mundet ta realizojë askush, përveç atij që ka parë nënën duke tjerr dhe thurur leshin e bardhë si fijëzim ëndrrash në furkë, veç ai që nëpër pishnaja apo koriet e gështenjave ka para mëndafshin e merimangave që pikëlonte vesimin e artë të mëngjezit. Eh, kjo është bota, një rrjetë gjigande, një pëlhurë jo nga Penelopa, por nga fati. Ti atë e ke parë, ndjerë dhe realizuar mjeshtërisht. Nëpër atë hallakamë fatesh njerëzore, në atë vorbull njerëzish, herë bashkë dhe hera-herës të ndarë apo fare të vetmuar, ti ke krijuar vetë jetën, që thur fate njerëzish, popujsh dhe kombesh. Në thurjen tënde luajnë të gjitha ngjyrat, i gjithë regjistri i emocioneve njerëzore. Përsosmëri ngjyrash, raporte elegante përmasash, formë femërore që të detyron ta shohësh, respektosh dhe duash. Aty gjen pjellorinë, jo vetëm fizike, por edhe filozofike, gjirin që mëkon botën, të renë, ardhmërinë. Meridianët mbushur me jetë njerëzore në lëvizje. Ngjyrë gjaku, lindje të reja, i profetizon kjo tablo. Një arkitekturë e re drite, një formësim i mirëpritur i ditës, stinës së vjeshtës, verdhullimit të saj pjellor e plot bollëk. Një qiell që mbushet me vjeshtë.
Ky dimër dhe kjo hënë në pamje të parë sikur krijojne idenë e një paradoksi. Një gjysmëhënë që çelet nën gështenja. Mbizotëron e bardha e platintë, borë e mjegull, krahneze. Tablo të prera nga dora e një mjeshtri të madh, nëpër rimat e Eposit të Kreshnikëve, skenës mitike dhe dekorit të Mujit dhe Halilit. Një hënë e tillë gjendet vetëm në anët tona, mik. Në Valbonë, në Jutbinë, etj. Ajo nuk është Hëna por Plisi i bardhë i Omerit. Po, Nazmi, kjo hënë e rënë nga qielli, dëshmon një të vërtetë të madhe, mallkimin që i bëri Ajkuna, pse Hëna nuk i çoi fjalë për vdekjen e të birit. Por drita e Hënës tënde rrëzëllin, nuk shkimet, por ndriçon falë talentit Tuaj. Kjo hënë e ngrënë mbi gështejnajë. Një jeshile me keq vlug jete, rrallë mund të gjesh mbi kanavacë, miku im. Të gjitha sixhadet e rejave të veriut sikur të kanë ndjekur pas me të ngjyer penelin, ëndrrën, frymëzimin dhe mendimin.
Një kulminacion i artit pamor, sa estetik, po aq edhe filozofik. Ka një frymë eterne, mistike dhe hyjnore, që ia japin shkëlqimet boreale, magjia e të gjelbrës me manushaqen. Pastaj udhët e globit plot mëkatarë, të lindur nga kryemekati i siluetave të paidentifikuara. Mjafton simboli, ai flet, jo fytyrat e tyre, që nga piktura botërore i njohim si të zymta, pikëllimtare ngaqë pësuan dëbimin nga Kopështi i Edenit. Tjetër gjë është Eva dhe Adami jot, ato janë të lumtur, shprehin energji, gati-gati i gërhushen hapësirave qiellore, pse jo, duket një lloj proteste dhe rebelimi. Dritat, rrezet, karvanet e njerëzve dalin nga shtrati i tyre, ku kapërthehen gjysmëtrupat, rrezet, meridianët dhe paralelet. Ky është në sytë e botës moderne Adami me Evën.
E bukur kjo hëna jote, si në gjetjen e formës, vendin që zë në qiellin tënd, ngjyrave që luajnë me nuancimet bardhë, blu dhe manushaqe. Një hënë e ngrënë, këtë vetullim qiellor e ke dëgjuar herët në të paktat lirika dashurie dhe eposin e kreshnikëve. Kjo hënë sikur nusëron, derdhet si elegancë në atllas.
Dielli, miku im, shndrit për të gjithë. Ai ngjit kudo, çelet në çdo vend. Çdokush në këtë bote ka hisen e diellit të tij. Edhe kjo krijesë jotja, ka hisen e diellit të saj. Në eposin tonë ka një motiv, djali dhe vajza që lindin me diell. Me të ardhme. Bukur, një siluete vajzërore e dielluar, madje në gjymtyrën e bukurisë së dëshirueshme. Pra diellin e ndez e bukura, e dëshirueshmja, trupi i ëndërruar. Bukuria, thonte Teokriti, është fatkeqësia e gozhduar në kockën e elefantit. Bukuria tek ty, është diellimi në trupin pjellor të femrës. Ai diell që ti trupezon, i ka të gjitha ngjyrat.
VEPRA JOTE, MIK, KA NJË DIELL TË BRENDSHËM
Herë të dukshëm dhe hera-herës të ndjeshem, por gjithmonë rrëzëllitës.
Poetike dhe filozofike kjo tablo. Një vjeshtë rrëzëllitese që frymëmerr pas verbërisë. Prapa një syri që nuk sheh, ose nuk do të shohë, se nuk e ndjen të bukurën, ia vret sytë, dhe shpirtin e mysët, përmbysur. Pas të verdhës, fshihet helmi, helmi i mosshikimit, i ndryrjes në terr, në natë, në zemërim, në njëtrajtshmëri. Bukuria është e pasur, rrezaton, të fton. Të magjeps, pse jo të çart. E vrau bukuria, si me thënë, e vrau reja. Pas resë së verbërisë frymëmerr bjeshka, rudina, koriet, gështejnajat, mrizet. Vërtet, bukurinë e ndezin hyjnisht në vjeshtë, ku dimri, verbimi i shpejtë, do t’i shuaj ngjyrat, do t’i djegë.
Vizatimi yt i pastër dhe i saktë gati-gati me rreptësi, glorifikon dhe ekzalton figurën femërore, delikatesën dhe brishtësinë e saj. Mungesa e fytyrës është e përligjur artistikisht, ngaqë me plot hijeshi, mendim, ndjenjë dhe dëshirim, ti nxjerr në pah elegancën e kurmit, delikatesën e vetmisë së trupit vajzëror, fshehjen e trupit me disa fasha transparente që më shumë të ndjellin t’i eksplorosh ato forma simetrike. Shprehësinë ti nuk e jep me anë të fytyrës, por trupit, kurmit ndjellës, me një thjeshtësi depërtuese. Raportet e kurmit dhe ngjyrat janë në harmoni me të tërën. Shprehësia është universale, pak dëshirë, shumë përmbajtje dhe turpërim, delikatesë e përsosur, ekspozim i së bukurës, që asesi nuk duhet të rrijë e fshehur. Liria e së bukurës, ose himni i antiburgimit të saj.
Peizazh yt të ndjell vetiu në kohë, realitet, d.m.th, jashtë vetes, por edhe të hedh kryengulthi thellukave të brendshme, unit, ndërgjegjes. Ato pllanga në telajon tënde, se ç’më krijojne simetri me pusin e Namazgjasë në Elbasan, pus që lahet vetë. Netëve mbushet dhe derdh papastërtitë. Kështu dhe tabloja jote, me larushi ngjyrash, simbolesh, njollash, s’është tjetër por jeta, realiteti, ndërgjegja, uni ynë që hera-herës reflekton atë çka koha ngjit në të. Kjo kanavacë brenda saj ka ndryrë një dramë, një dramë që zhvillohet në xham, aq transparente nusëron plot hire.
Trupi femëror ka qenë dhe mbetet objekt studimi, pikturë, përshkrimi, dashurimi dhe poseidimi në të gjithë koherat dhe drejtimit letrare apo të pikturës, madje dhe skulpturës. Ajo është parë dhe konceptuar si rrezatim, ndjellje, respekt deri në veneracion, pse jo himnizim i së bukurës. Para saj jemi mekur dhe vazhdojmë të mekemi të gjithë, dje, sot dhe nesër. Lakuriqësia e gruas, që ti ke përshkëndritur në telajo, është thjesht dhe vetëm jeta. E gjallë, ndjellëse, frymëkëputëse, e dëshirueshme. Para saj nuk ka moshë, nuk ka ofiqe, nuk ka hierarki postesh, vlera pasurore. Ajo është dhe mbetet dëshirë, epsh, vazhdimësi, pjellori, vetpërtëritje. Trupi që ti ke dhënë mik, i thotë të gjitha këto. Ai nuk është befasi që çdo kush ta sulmojë si ushtari kurbatkën. Jo, piktura jote, miku im, të frenon, ta shohësh, ëndërrosh, poseidosh. Ta bësh tënden, jo me dhunë dhe epsh, por me zemër dhe ndjenje. Ekuilibre të tillë, ke mundur t’i drejtëpeshosh me elegancë. Nudot e tua nuk kanë asgjë sensuale. Ato janë të pastra, gati-gati kristalinë për nga ndjenjat, ato nuk të ngjallin për në mëkatin e mishit, ato të bëjnë të mendosh, meditosh, të ndjesh respektin, dashurinë dhe veneracionin për femrën, trupin e saj pjellor që lind dhe përkund jetën, vazhdimësinë, ardhmërinë. Këto trupa femrash janë himne të jetës, ekzaltime të bukurisë femërore, pa të cilën jeta do të ishte monotone, e mërzitshme, e nëmur më keq se sa mallkimi. Në vendin tim dhe vendin tënd, mik, në Shqipërinë e Kanunit, bukurisë femërore iu ka kënduar mjeshtërisht. SYRIT, LËKURËS, HUNDËS, VETULLËS, GJOKSIT, SHTATIT, BUKURIVE TË FSHEHTA…Kanuni s’kishte asnjë lidhje me nudizmin, por me moralin e rreptë shqiptar, nderin, kryekëngën morale shqiptare. Nudot e tua, janë të pranueshme…
Mençuri, guxim krijues. Simbolikë eterne. Duhet parë përtej, përtej trendafilit si lule. Është tjetër trëndafil, trendafili që mbars, lind dhe përkëdhel jetën. Tejet femërore ajo tablo për të patur një emër mashkullor: Trëndafili. Aty petalojnë ëndrra, dëshira, dashuri, epshe, dashuri të plleshme, të ndershme, që i lan me dritë ajo bardhësi hyjnore. Vazhdon cikli i Mrekullive. Stile ambicioze të pikturimit modern. Kompozim me elementin fillestar të sferës, globit, por që na ndjell në fantazinë e gjoksit femëror, gjirit, mëkuesit të jetës. Ngjyra e ngrohtë pikëzohert përreth një oazi që më shumë se sa me çdo gjë tjetër simbolizon pjellorinë femërore. Ai qumështim që zbardhëllon zgjon nga thellësitë e legjendës Rozafën. Ti miku im pohon me tablon tënde se çdo femër është nga pak Rozafë. Mëkon me jetë, mëkon me kënaqësinë e dashurisë. Mëkon përjetësinë, por dhe përjetëson dashurinë. Piktura jote mik nuk të ndjell në epsh. Të kthjellon në mendime të thella, të ëmbla, rrëzëllitëse. Na bën më të dashur me tokën, femrën dhe jetën. Një qiell magjik. Diellëzim, Bardhëzim. Kaltrim. Një imazh drite që zbret si ëndërr. Nuk di se ç’siluetë femërore ke pasur si fanepsje hyjnore atë çast fatlum, kur ngjize këtë toblo, por mendoj se femëroren Shqipëri, elegancën dhe delikatesën e trupit të saj që shtrihet provokuese dhe ndjellëse në harta. Po aq e dashur sa një siluetë divine femërore, për të gjithë ne, shqiptarët. Patriotizmi është si feminiteti mik, duam dheun, Demetrën, Gjean, Pjellorinë, Mëmëdheun, Femrën. Piktura jote shpërfaq forma dhe mendime përshëndritëse. Një tablo para së cilës dilemat të luajne kukafshehtas në vetëdije. Veti këto të një arti të madh. Një simbiozë mbresëlënëse. Gjëagjezë e mistershme që të mbush me dritë. Një trup inkandeshent, plotësisht prej mishi dhe gjaku, pas të cilit kapërthehet simbolika e ylbertë, ku siluetat njerëzore në larushi ngjyrash, pozicionesh dhe formash shprehin marrëdhënien Njeri-Bukuri. Jetë-Para, Mister-Lakuriqësi, Dashuri-Frikë, Transparencë-Fshehtësi.Kohë e lirë-Argëtim. Monumentale dhe Antologjike.
Kjo botë hojesh të cilat mbajnë edhe bletën, që japin ëmbëlsi, por që rrisin dhe grerëzën që djeg e skep vuajtje të vazhdueshme, përballohet me sukses nga heronjtë lirikë, të cilët vallëzojnë jetën vetë, ashtu siç u jepet. Herë e lumtur dhe hera-herës mes dhimbjesh të pashërueshme. Ngjyrat plot optimizëm reflektojnë filozofinë tonë, në jetë duhen parë të mirat, qofshin dhe ëndrrat, që ti aq bukur i jep në vallëzimin tënd lirik mbi globin tonë, të vogël sa një zgjua blete, pse jo një hoj i saj.
Politika jonë na e bën ferrin të gëzuar. Shih se si sulemi drejte Ferrit, si në tablonë e Kole Idromenos: “Dy rrugët”. Rruga në parajsë ishte bosh, kurse rruga për ferr me njerëz e djaj duke u rënë ahengjeve. Fushatë, mik, ahengje për në ferrin tonë të përditshëm. Ti vuan fisnikërisht për ne, por vallë, a e meritojmë? Kjo vorbull, gjeratore apo imazh spiraleje, nuk është gjë tjetër, por kjo botë, kjo jetë, kjo ditë. Ato silueta njerëzore që ti i katëzon si në lojën kala dibranshe, jemi ne, herë në dritë, herë në gjysmëdritë, herë gëzuar, herë në trishtim. Vërtitemi mundimshëm brendashkruar globit, por edhe përreth tij. Pse jo përvijojmë dy lloj fatesh, një palë fatesh që zbresin drejt ngjyrës që sa vjen e mbyllet, pra nga Purgatori për në Ferr, ndërsa një palë fate me peshë sizifiane të jetës ngjiten drejt ngjyrave që çelen, livadheve të Parajsës. Nuk e di, por piktura jote më bën poet, pse jo dhe më zgjon trillin filozofik
E bukur, si krahneza. Ai lëmsh ngjyrash është imazhi i bukurisë, lumturisë, mundimi sizifian i njeriut për ta arritur dhe sunduar. Ato figurina eterne, me një bardhësi virgjine, ato silueta njerëzore të panjolla, të pafaja, që mbushin telajon, jemi ne, në kërkim të së paarritshmes. Telajo jote ia arrin mik. Një Rrugë Qumështi përvijuar me art, Rruga e Lumturisë, rruga e mundimshme drejt njohjes së lumturisë.
Në tablon tënde janë të gjitha ndjesitë, për femrën dhe jetën. Jeta vetë është një femër e dëshiruar, por që të mundon, të nëpërkëmb, herë të shyp, herë të përkëdhel, dikë e mbyt në thellësinë e dallgëve të pamëshirshme, dike e nxjerrë në breg, madje pa lagur fare. Te kjo turbulltirë e dëshirueshme, është ajo, femra, sfinksi i jetës, konturet e saj ndjellëse. Ai trup i brishtë, me atë pozicionim të duarve flet shumë, sikur kërkon të mbahet, të mbrohet, të lumturohet. Ngjyrimi me njolla sikur konkretizon dhimbjen e madhe të femrës, por asaj shqiptare në veçanti, sipër kokës së të cilës qëndronte shpata e Demokleut, Kanuni. Është një trup femëror që nuk të fton ta shijosh, por të meditosh, mendosh, filozofosh dhe respektosh.
Tablo të piktorit Nazmi Hoxha