Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam Fatos Baxhaku, flasin miqtë dhe të njohurit

In memoriam Fatos Baxhaku, flasin miqtë dhe të njohurit: Ana Shkreli, Ardian Ndreca, Monika Stafa, Ilir Kadia, Rezear Xhaxhiu, Ema Andrea, Juli Xhokaxhi, Ela Ruci, Pandi Gjata, Ferdinand Dervishi, Elert Yzeiri, Ismet Drishti, Sonila Meço, Eva  Idrizllari, Urim Bajrami, Nora Malaj, Arben Vata, Nisma Thurje, Erjona Rusi, Adi Krasta, Odise Kote, Nardi Olli, Mentor Kikia, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Eno Milkani, Andi Tela, Enkel Demi dhe Aldon Lipe.

 

Image result for ana shkreli

Ana Shkreli: Për njerëz me dashurinë e vërtetë për Shqipërinë

Prezantimi im i parë me ty ka qenë nëpërmjet librit “Roje”, raportim i disa tipareve antropologjike dhe folklorike në jugun e Shqipërisë, i cili më ra në dorë në adoleshencë. Për sa më shumë njerëz me zërin tënd do kishim patur nevojë. Për njerëz me dashurinë e vërtetë për Shqipërinë, atë dashuri që manifestohet me dëshirën për ta shkruar, për ta zbuluar, për ta raportuar, pa fanfarat idiote të nacionalizmave prej “tregtar flamujsh” që po na marrin frymën përditë. Rruga e mbarë e dheu i lehtë.

Fotografia e Ardian Ndreca

Ardian Ndreca: Fatos Baxhaku, nji zotni i përkorë dhe i tërhequn

Paska ndërrue jetë Fatos Baxhaku, nji zotni i përkorë dhe i tërhequn në nji vend ku tutkunë partinash e megallomanë rrjetesh sociale i bien potershëm daulles nadje deri mbramje me suksesin e siguruem të zhurmës marramendëse që shkaktojnë.

Fatosi ishte i veçantë, e gdhendte fjalën e gadi i pavetëdijshëm përçonte mendimin e tij të thellë. Më sillen ndër mend faqe të paharrueshme të tijat për

Shkodrën, për besëtytnitë e sotme, për historinë tonë, për fate grashë austriake në Shqipni… para nji viti ia kujtova se në BKSH mungonte vepra e tij me bashkëautor Karl Kaser, buzëqeshi i distancuem dhe me nonchalance!

Iku pa u ndie, i rrallë dhe plot vlera, nji prej të paktëve njerëz që kam çmue atje.

Fotografia e Monika Stafa

Monika Stafa: Tos, çfare dhimbje!

Tos… më zbulove #ti! “Zbulimi i ri i stacionit”, më quajte…Tos, çfare dhimbje! Helmgusht në kohë jo ‘të përshtatshme’ për ty. Të përulem shoku ynë. Shok i pashok deri në fund me antivlerën. Ç’gusht i tmerrshëm!

Image result for ilir kadia

Ilir Kadia: Tos Baxhaku, i urti si plak 100 vjeç

Tos Baxhaku!

Nuk po dua t’i jetoj këto ditë! Ditë të tmerrshme! Miqtë me vlerat më të mira njerëzore po më fshihen në qiell! Pardje Gjergji, ende pa e futur në dhe, sot Tos Baxhaku! Dy javë më parë e mësova sëmundjen e rëndë të tij! Jetoja me frikë çdo sekondë të kësaj kohe me shpresë të shtyhej sa më shumë! Të bëhej të paktën dekadë! Tos Baxhaku gazetari që si askush në Shqipëri e ngjeu penën në pikën e lotit të dhimbjes për njeriun e varfër, për njeriun e ndershëm, për njeriun e zot! Fatos Baxhaku që të mbushte me diell pranvere kur e takoje në ditët e tua të zymta! Tos Baxhaku, i urti si plak 100 vjeç me fjalën melhem! Tos Baxhaku, ma gjeni o miq gazetarë mes jush një më mirë!

Oh, kjo kohë! Sa të vogël po na e bën Shqipërinë kur përcjellim miqtë tanë më të mirë!

Related image

Rezear Xhaxhiu: Lamtumirë Baxhak, i miri dhe i shtrenjti im!

 

Lamtumirë Baxhak, i miri dhe i shtrenjti im. Një shok dhe mik si ty do më mungojë gjatë tek bar “Freinds” atje ku dëgjoja rrëfimet e tua për Shqipërinë tjetër….ishte fat që të njoha, punova e mësova nga ty, që ndava me ty mijëra ditë pune. Shko mes ëngjëjve të tu, Fatos në paqen që e doje aq shumë. Pasi ti ishe vetë paqja…

Image result for ema andrea

Ema Andrea: Eja për një votka me shumë libra e fisnikëri

Tosiiiiiiiiiiiiii!
Eja për një votka me shumë libra e fisnikëri, me ma ba ditën plot!
Unë të pres, e s’kam ndër mend me fol në të shkuarën për ty!
Me hapa të ngadaldë do vish!

Image result for juli xhokaxhi

Juli Xhokaxhi: Iku gazetari dhe njeriu më i mirë që kam patur fatin të njoh!

 

Nuk e besoj dot…nuk e pranoj dot…iku gazetari dhe njeriu më i mirë që kam patur fatin të njoh dhe punoj. Lamtumire Tosi.

Image result for ela ruci

Ela Ruci: Profesori largohet në heshtje

Sa trishtim kam sot… Profesori largohet në heshtje…Faleminderit që më mësove ta dua fakultetin kur s’kish kohë askush për fakultet e gazetarinë, kur s’kish kohë askush për lajme…Kujtimi yt dhe dedikimi yt jetojnë në kujtesën e secilit prej nesh…

Fotografia e Pandi Gjata

Pandi Gjata: Një lajm i trishtë për një koleg dhe profesor!

 

Është një nga ato ditë mbytëse gushti. Një lajm i trishtë për një koleg dhe profesor. Në vitet ’90-të, në adoleshencën time shkrimet e tij i prisja nga gazeta me gërshërë dhe i koleksionoja. I kam ende në dosje madje disa prej tyre. I lexoja dhe rilexoja me një frymë. Dija se në cilin cep të Shqipërisë kishte shkuar dhe shkruante reportazhet më të mira në medien e kohës. Nuk e njihja, por e kisha model. Por shpejt pata fatin që në ditët e para si student gazetarie, në vitin 1996 ta kisha profesor. Ishte fat për gjithë brezin tonë, por edhe shumë breza të tjerë studentësh, që patëm Fatos Baxhakun udhërrëfyes drejt këtij profesioni. Më pas edhe koleg. Ishte nga ata që nuk binte në sy me të bërtiturën apo me dukjen, por me thjeshtësinë dhe qetësinë. Ishte një nga penat më të mira dhe modelet e gazetarisë shqiptare të këtyre dekadave. Lamtumirë Profe. Unë kështu të kam thirrur gjithmonë. Asnjëherë në emër, pasi të njoha si profesor dhe i tillë mbete, edhe pse ti asnjë ditë nuk na trajtove si studentë, por si kolegë. Madje je i pari që na hape dyert e redaksisë së “Gazeta Shqiptare” që në ditët tona të para si studentë në fakultetin e Gazetarisë. Brezi im dhe besoj shumë breza të tjerë, të jemi falënderues dhe mirënjohës. E kam të vështirë shumë që do ta bëj lajm sot Profe.

Image result for ferdinand dervishi

Ferdinand Dervishi: Ishe më i miri i njerëzve të mirë!
 

Ishe më i miri i njerëzve të mirë. E dije se për të tille njerëz terreni ishte vrasës. Dhe e shprehja: “Të ecesh drejt do të thotë të mbetesh pa bukë”. Gjithsesi zgjodhe të ecje drejt. I privilegjuar që pata fatin të punojmë bashkë. Të ndrittë shpirti Fatos Baxhaku!

Fotografia e Elert Yzeiri

Elert YzeiriTos Baxhaku ka ikur…!

Tos Baxhaku u shua sot! Nga kjo botë iku një njeri i mirë. Sot iku përgjithnjë një njeri i lirë, miku i të gjithëvë…
Nuk e di kë të telefonoj në 9 janar kur të jetë ditëlindja jote, nuk e di çfarë të them kur të ulem në kafenë tënde të preferuar, nuk e di me çfarë si do ti lexoj shkrimet e tua apo të dëgjoj rrëfimet e mençura të reportazheve që ti stilove si askush tjetër.
Të them që isha miku yt, jo vetëm që do të më duheshin shpatulla të forta për ta mbushur, do të më duhej edhe të rreshtohesha në fundin e një radhe të gjatë njerëzish, ashtu siç jam i sigurt që do të më shikonin vërenjtur Mond Laçi, Tor Pustina apo Bajram Peci.
Asnjëherë nuk më thirre ne emër, por me atë dellin tend prej elbsanlliu më thoje Dajë! Aq e shpeshtë u bë kjo gjë, sa shumë njerëz edhe sot e kësaj dite e dinë që unë jam nipi yt. Sa mirë do të ishte, sa krenar do të isha, por sa trishtim e sa dhimbje kur mendoj se nuk do ta dëgjoj me atë zërin e butë që të dilte përtuar nën mustaqe.
Të thuash fjalë të bukura për ty Dajë sot nuk do të mjaftonin të gjitha gjuhët e botës. Sot nuk mund të thuash as gjëra të mençura sepse ato i ke harxhuar vetë, teksa na ke mësuar të gjithëve historitë e gazetarisë, historitë e jetës. Nëse s’të vjen keq ne edhe sot do të heshtim, ashtu siç bënim duke dëgjuar rrëfimet e tua të magjishme. Do të heshtim!
Ti gjithnjë ikje larg, ikje vetëm, ashtu pa bërë zë, duke u çapitur, me shtëllugën e tymit të duhanit pas vetes, e erën e akoolit që nuk bezdiste askënd. Ikje drejt lirisë që askush nuk e kuptoi se sa e shtrenjtë ishte për ty. Ikje për shumë kohë, e ktheheshe duke buzqeshur, i mbushur me jetë dhe lajme të mira nga shumë e miq e shokë anembanë vendit.
Edhe sot ke ikur larg, vetëm, si në atë shtegtimin e zakonshëm, duke kërkuar një Tunel të ri, të pazbuluar, të pafund, por duke lënë pas krahëve një dritë të bardhë, atë të lirisë, të lirisë që vetëm ti ja dije vlerën.

Sot më duhet që emrin tënd ta shkruaj me lot dhe s’mund të të them Lamtumirë, vëllai im, mësuesi im, Daja im!

Image result for ismet drishti

Ismet Drishti: Dhimbja për ty po ma vret ditën sot!

Fatos Baxhaku, miq si ti e kolegë si ti kam shumë pak që ti humb.
Dhimbja për ty po ma vret ditën sot.
Do na mungosh shumë mik i rrallë!

Image result for sonila meco

Sonila Meço: Legjendat s’duan vëmendje, as kërkojnë me çdo kusht respekt!

Legjendat s’duan vëmendje, as kërkojnë me çdo kusht respekt.
Legjendat gjejnë shtegun e tyre të pashkelur e bëhen udha e sigurt për kë vjen pas.
Gazetaria e mirë, e vërtetë dhe mjeshtërore e ka nga sot legjendën e vet.
Iku një njeri i rrallë, u përjetësua një institucion unik.
Pushofsh i qetë Tos!
Ne na le dhimbjen, por edhe trashëgiminë e një gazetarie të pakonkurueshme, që do mbajë gjithnjë emrin tënd: Gazetaria e legjendës Baxhaku!

Image result for eva idrizllari
Eva Idrizllari: Ikona e gazetarisë shqiptare!

Dhimbje, pikëllim, për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të gazetarisë shqiptare.
Gazetar i mprehtë, i mençur, i lirë, i thjeshtë dhe me një shpirt të madh njerëzor.
I paharruar Fatos Baxhaku!

Fotografia e Urim Bajrami

Urim Bajrami: Prehu në paqe, Tosi!

 

Tosi, na le pa fjalë: Ç’të të them?! E lamë për një kafe. Për një votkë. Lamë takim për ca idera… Na le: Do i flasim…!

Do na mungosh, mik i shtrenjtë! Aq sa nuk e imagjinon: Prehu në paqe, Tosi!

Atje lart, kujto më të bukurat që kemi kaluar bashkë.

Me të gjithë punëtorët e medias, siç e kishe qejf t’i quaje ti plot dashuri…

Image result for nora malaj
Nora MalajDhimbje për ty Fatos që ike kaq shpejte nga kjo botë!

Dita e sotme erdhi me lajmin e kobshëm!
Fatos Baxhaku iku drejt botës tjetër, për të na lënë pas, ne miqve të tij të shumtë e të çdo grupmoshe një dhimbje të madhe, humbjen e tij, që do ta ndjemë në kohë!
Teksa rrekesha të mos e besoja lajmin, si një vegim, m’u shfaqe ti miku im i mirë, me atë buzëqeshjen tende brilante, teksa erdhe një ditë në zyrë te unë e së bashku vendosëm të bënim projektin që ti më prezantove për të rinjtë shqiptarë, që të mësonim reportazhin dhe nëpërmjet nje konkursi të shpallnim më të mirët.
Kisha kohë pa të parë dhe sa hyre në derë, më the: Ej, Norë, do më pyesësh çfarë e mire të solli te unë? Dhe papritur fillove të flisje, si rrallë herë, pa më lënë të te pyesja.
Me mënyrën tënde të veçantë dhe unë u entuziazmova dhe së bashku realizuam një nga aktivitetet më të bukura të asaj kohe.
Përtej entuziasmit ti më the: “Nora, nuk ka rëndësi çfarë pozicioni ke, po ka rëndësi me sa dashuri i bën gjerat në jetë. Jemi kalimtarë në këtë jetë, mikja ime dhe e rëndësishme është të lëmë pas gjëra që vlejnë”. Ndaj të falenderoj që së bashku punuam për kete projekt të bukur dhe që këtyre të rinjve ua bëmë ëndrrën realitet.
Nuk mendoja që do vinte kaq shpejt ky moment, ku ti miku im, u nise me vrik për botën e ëngjëjve, duke na lënë ne mëkatarëve të vazhdojmë jetën ne botën humane!
Nuk mendoja se sot do të derdhja lot (pa ndjer se po bëj mëkat) se njerëz si ty, me një botë aq të madhe dhe me një dimension aq human, e meritojnë të lotosh dhe përherë t’i kujtosh dhe të vlerësosh krijimin dhe kontributin e tyre në shoqëri.
Jam me fat që i përkas moshës dhe brezit tënd Fatos ndaj dhe dhimbjen nga lajmi i kobshëm që përjetova sot jo vetëm unë, po dhe i gjithë brezi im e kemi shumë të madhe!
E kam shumë të vështirë të të them lamtumirë, pasi ti miku im do të jesh përherë i kujtuar dhe asnjëherë i harruar!
U prehsh në paqe o i miri Fatos, dheu qoftë i lehtë dhe Zoti të të pranoftë dhe udhëtimin drejt Parajsës ta lehtësoftë! 

Image result for arben vata

Arben Shaqir VataPse nuk arritëm të ishim si Tosi?!

Për çdokënd që vdes, thuhen zakonisht fjalë nga më të mirat.
Fatos Baxhaku i meritonte të gjitha ato që thuhen sot për të, qysh se ishte gjallë.
Nuk ka vlerë të themi sesa vite apo muaj kemi punuar me Tosin, pasi shpesh kolegët e punës nuk i caktojmë ne, por pronarët e medias. As ne nuk zgjodhëm të punojmë me të e as ai me ne. 
Pyetja që shtrohet është; mirë që profesionalizmin nuk e morëm dot prej tij, por pse nuk arritëm edhe ne të jemi të ndershëm, të sinqertë dhe të mos e shesim e blejmë këtë profesion të shenjtë?

Për këtë shkruani e jo për vlerat e Tosit, i cili vazhdon të thotë sërish shumë me heshtjen e tij!

Lamtumirë koleg!

 

Image result for nisma thurje

 

Nisma #Thurje: Lamtumirë Fatos dhe faleminderit për atë që na dhe! 

Fatos Baxhaku ishte ndër të paktët gazetarë shqiptarë i cili karrierën e tij e shpenzoi duke shkruar e folur për të dobëtit, të varfërit, të ndershmit, punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë të këtij vendi.
Fatosin nuk e gjeje kurrë në Rogner a Sheraton ku tregtohet shpesh fjala e lirë dhe informacioni, por te kafja plot me libra, gjithnjë nëse nuk ishte duke vizituar ndonjë fshat të thellë, për të cilin nuk ishte folur kurrë e ai e ndiente mision ti jepte zë banorëve aty.
Nuk u përul e as e tregtoi shpirtin si shumë kolegë të tij, e për këtë do kujtohet gjithnjë me respekt.
Lamtumirë Fatos dhe faleminderit për atë që na dhe!
U prehsh në paqe!

Image result for erjona rusi

Erjona RusiNa hidhërove profesor!

Sa e vështirë qenka të shkruash 2 rreshta për dikë që e ke respektuar e admiruar aq shumë. Po mbase më mirë kështu, se ty s’të pëlqente protagonizmi i tepruar. Ti nuk e di, e mua s’më falet që s’ta thashë kurrë, që ti profesor je nga të paktët njerëz që më bëri ta dua gazetarinë, nga ata të rrallët që të bënte ta besoje vërtetë se ky profesion mund te bëhet me shpirt, me ndershmëri, duke punuar fort, pa shumë zhurmë e bujë, me përulësi e dinjitet, fiks si ai “Heroi që nuk deshëm ta identifikojmë” për të cilin shkruaje disa vite më parë. Lum ne që patëm fat të mësojmë prej teje!

Të ndritë shpirti profesor dhe po munde, na ndriço nga pak edhe ne që nga atje lart se mendoj se kemi nevojë për pak mirësi e dinjitet në këtë luftë të pashpirt klikimesh ku është gazetaria sot.

Image result for odise kote

Odise Kote: Iku papritur dhe Fatos Baxhaku!

… ngjan si “rreng” i Tos Baxhakut, sikur ka shkuar të shkruaje reportazhet e qiellit…

Iku papritur dhe Fatos Baxhaku!

Iku papritur, pa bujë, pa zhurmë, me shikimin e plotë e të thellë, për diku…

E ka një plan Tosi…

Ne që e njohim e ndjejmë se diku është fshehur. Në kërkim të një aventure të re, të një realiteti të ri, që ne të gjithëve na ka shpëtuar…

Me siguri Fatos Baxhaku është ngjitur të shkruajë reportazhet e qiellit.

Mos e humbni durimin: shpejt do rikthehet e ne do lexojmë gjithë ëndje e xhelozi të vërtetat e zbuluara prej tij…!

Image result for nardi olli

 Nardi Olli: Baxhaku, ikonë e gazetarit profesionist

Sot, një tjetër humbje e parakoshme, më mbushi plot trishtim. Fatos Baxhaku, një mik i rrallë dhe koleg i çmuar është ndarë nga jeta. Gazetaria shqiptare ka humbur një ndër njerëzit më të spikatur, edhe pse ai zgjidhte gjithmonë të mos shfaqej publikisht më shumë se ç’ duhej. Tosi do të mbetet një ikonë e gazetarit profesionist e mbi të gjitha të gazetarit me integritet maksimal, që kurrë nuk bëri kompromis me profesionin. Ai do të jetë gjithmonë në rradhët e gazetarëve që i dhanë kuptimin dhe misionin e duhur këtij profesioni në Shqipërinë postkomuniste. Ai ishte një mik i çmuar dhe një koleg që nuk kursente kurrë së dhëni përvojën e tij të çmuar ndaj kujtdo që e kërkonte edhe pse nga pozitat e një drejtuesi mediatik. Shpirtgjerësia dhe mirësia e tij, bashkë me sensin brilant të humorit ishin tiparet që e veçonin nga shumë të tjerë në këtë epokë që njerëzorja vuan kuptimin e saj. Lamtumirë mik i shtenjtë! U prehsh në paqe! Të qoftë dheu i lehtë!

Image result for mentor kikia

Mentor Kikia: S’mund ta tregoj pikëllimin që ndjej!

Shume kolege do te donin te te thonin “faleminderit” Tos, per doren qe u ke dhene sa here kane patur nevoje. Une duhet te te them shume here, sepse ke qene mesuesi dhe njeriu qe me ke mbeshtetur ne fillimet e mija.
Se gjalli nuk i pranoje, pasi modestia jote “mendjemadhe” nuk te lejonte. Ishe jo thjeshte nje gazetar i mire por nje njeri i madh. Ne te tilla raste thuhet se humbem nje gazetar te mire, por gazetaria s’ka “nevoje” shume sot per gazetare te mire.
Tragjedia eshte se ne humbem nje njeri kaq te mire e me bote kaq te madhe, sa vetem ata qe e kishin prane e dine. Kjo po qe eshte humbje, sepse per te tille njerez shoqeria jone eshte e uritur sot.
Lamtumire vella. S’mund ta tregoj pikellimin qe ndjej, s’do ta them, do e ruaj si kujtim per ty.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Lamtumirë i shtrenjti ynë Fatos Baxhaku!

 

Gazetari Fatos Baxhaku një nga reporterët, redaktorët, kryeredaktorët e rrallë, i shumëvlerësuar si pionier i shtypit të pavarur që nga fillimvitet ’90-të, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar dhe reportazhisti me ndjeshmëri të pashoqe profesionale dhe njerëzore, ka ndërruar jetë sot, më 16 gusht 2019, në moshën 55-vjeçare. Prej disa kohësh kolegu ynë i dashur përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rêndë duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike te modestisë dhe larg zhurmës. Fatosi zgjodhi ta mbante për vete këtë ikje të parakohshme duke i lënë në provën e vështirë të ikjes së parakohshme, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij.
Miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë Fatos Baxhaku lindi në Tiranë në vitin 1964. Të gjitha ciklet arsimuese i kreu në kryeqytet, deri ne vitin 1986, kur përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë në UT.
Pas kësaj periudhe ai ndoqi një karrierë tê gjatë, së pari në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe më pas duke mos u shkeputur asnjë moment kontribuoi në gazetsrinë e shkruar dhe atë audiovizive.

Jeta e tij në redaksitë e mediave pasoi kêtë udhëtim:

Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.
Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në Tv “Klan”.
Në1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës javore “XXL”.
Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe reporter telereportazhi në Tv “Vizion Plus”.
Në 2006-2007 ishte kryeredaktor dhe gazetar i reportazhit në gazetën ditore “Shqip”.

Prej vitit 2015 kalon gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor shumë cikleve me telereportazhe të cilat u bënë të shumëndjekura dhe popullore ai: “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e vjetër” (Digitalb).
Ai është autor dhe realizues i shumë dokumentareve televizive me tema dhe pêr personalitete nga kultura dhe historia kombëtare.

Ka lektoruar në degët e gazetarisë të Universiteteve të Tiranës, Elbasanit dhe në qindra trainime e leksione të hapura për gazetarët e rinj ne qytetet kryesore të hapësirës shqiptare. Ai ka botuar një cikël të rrallë librash me reportazhe, portrete, ese dhe artikuj kritikë e analitikë.
Kolegu ynë i shquar Fatos Baxhaku ka qenë shpesh në nisma dhe reagime qytetare si aktivist i mençur dhe qytetar me klas.

Baxhaku ka qenë i përfshirë në lëvizje dhe preokupime gjurmëlënëse të shoqërisë shqiptare të këtyre 30 viteve, duke u bërë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë si dhe i disa grupimeve në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë dhe pasurive identifikuese kombëtare shqiptare.
Si gazetar dhe mjeshtër i dokumentarit dhe reportazhit ai u përfshi në bashkëpunime të shumta me organizata të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare si dhe me aktorë të huaj që mbeten aktorë potencialë në mbështetjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Për këto kontribute dhe vlera që mishëroi në jetën dhe karrierën e vet si gazetar, Fatos Baxhaku meritoi shumë çmime dhe çertifikime kombëtare dhe ndërkombëtare, mes të cilëve edhe çmimin më të rëndësishëm “Karriera” që jepet nga organizata që e bashkëthemeloi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Ndarja nga jeta parakohe e kolegut tonë të shtrenjtë Fatos Baxhaku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme.
Komuniteti i gazetarëve profesionistë të vendit humbi një model profesionisti që përherë diti të bëjë mirë atë që duhej.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë humbi themeluesin dhe kolegun e shtrenjtë e të paharrueshëm, familja birin e urtë e të palodhur.
U prehsh në paqe vëllai dhe kolegu ynë i shtrenjtë Baxhaku!

Eno Milkani: Mësimi i jetës nga Tosi, për ne çunat e qyteti

Kur fillova të punoj, mësova prej Tos Baxhakut respektin që duhet të kesh për njerëzit, për të gjithë njerëzit, të çfarëdolloj kategorie. Dhe shumë informacione në lidhje me profesionin e gazetarisë dhe historinë. Madje, një histori që ai më ka treguar mua dhe që ia thashë një mikut nga Austria, tani po xhirohet si film i shkurtër në Luksemburg. Historia e një Shqipërie gjatë e Luftës së Parë e Botërore, e treguar nga Tosi, po bëhet film. Regjisori do të vijë të xhirojë në Shqipëri, por Tosi nuk e priti. E kishim shtyrë festivalin e Filmit Ballkanik për në shtator prej zgjedhjeve dhe bënim po të njëjtat plane, çfarë do shfaqim e kë do ftojmë. Diskutimet që bëhen zakonisht. Më e rëndësishme nga të gjitha është se me Tosin, kur xhironim dokumentarët, mësova vlerën e respektin që duhet të kesh për çdo njeri, pavarësisht kategorisë që ka. Ky ishte mësimi i jetës nga Tosi, për ne çunat e qytetit, që nuk kemi njohur me botën dhe nuk kishim kontakt me botën. Ishte një mik i pazëvendësueshëm për të gjitha gjërat që bënte dhe miqësinë që ofronte. Nuk harronte asnjëherë të bënte një dhuratë të vogël.

Andi Tela: Cepave të Shqipërisë për të bërë gazetarinë e terrenit

Jam pa fjalë! Dhe ndihem shumë keq që ndodhem jashtë e nuk do mundem dot t’i jap lamtumirën e fundit. Kam nisur të punoj me Tosin që në vitin e largët 1996. Ai vetë nuk i pëlqente aspak nekrologjitë. E nuk e di si do i gjykonte njerëzit që do flisnin fill pas ndarjes së tij nga jeta. Që nga koha e njohjes sonë në vilën e Rrugës së Dibrës, te ‘Gazeta Shqiptare’, ka rrjedhur shumë ujë, por unë nuk mbaj mend një rast të vetëm të abuzimit të tij me këtë zanat, siç i pëlqente Tosit ta quante këtë punën tonë. Shumë prej gazetarëve e drejtuesve të mediave sot kanë qenë studentë, apo e kanë mësuar ‘abc’-në e këtij profesioni prej Tosit dhe ngjiten shkallët e karrierës e katet e zyrave, ndërsa ai vazhdoi të bridhte cepave të Shqipërisë për të bërë atë që donte më shumë, gazetarinë e terrenit, me modestinë e tij të jashtëzakonshme.

 

Enkel Demi: Gjyshi i madh iku, se gjyshërit shkojnë, por dhembin shumë

Gjyshi i madh. Kështu i thosha unë dhe jo vetëm Tos Baxhakut. Ishte i urtë si një gjysh, rrëfente shtruar si një gjysh, ishte bujar si një gjysh, ishte i mirë si bukë e ngrohtë, porsi një gjysh. Tosi ishte shoku im, gjyshi im. Më tregoi historinë e Çadrës së Kuqe të priftit austriak, historinë e Tironës, Elbasanit dhe Shkodrës, si pihet vodka me limon. Më besoi kur i thashë që nis lufta në Maqedoni tre muaj para, më uli vrullin, kur merrnim kot në televizion. Por, më tregoi si punohet pa bërtitur, pa u çjerrë dhe sa shumë duhet me e dasht njeriun, sidomos, kur atë e kanë lënë pas dore, kur atë e kanë harruar. Se Tos Baxhaku ishte gazetari më i mirë, jo nga ne, por nga të gjithë. Nuk kishte nevojë të na e tregonte këtë me foto, rrjete sociale apo sponsorë pijesh energjike. Ishte më i miri dhe kaq, se dinte ta tregonte njeriun më mirë se ne të gjithë. Gjyshi i madh iku, se gjyshërit shkojnë, por dhembin shumë dhe mua më ka bërë copë sot si kurrë ndonjëherë”.

Aldon Lipe: Tosi i ka shërbyer mbi gjithçka moralit dhe profesionit

 Po të ishte tani me ne, do na shihte me atë vështrimin ironik dhe do tallej pafund me këto që po përpiqemi të themi për të. Mes lotësh mund të shqiptoj vetëm fjalët dhimbje dhe bosh. Mund të mos e takoje për një kohë të gjatë, por në momentin e parë që ndesheshe me të… të dukej sikur ishit parë dje.  Tosi ka qenë një lumë i madh, që ka ndjekur për aq sa jetoi rrjedhën e vet, i pandikuar aspak nga ç’ndodhte vërdallë. Tosi i ka shërbyer mbi gjithçka moralit dhe profesionit, duke i parë jo vetëm si të pandarë, por edhe duke qenë një yll orientimi për brezat që kanë ardhur e do të vijnë. Ai yll do jetë gjithnjë aty lart dhe mund ta ndjekë kushdo.

 

 

Please follow and like us: