Express: Masakra e vitit 1988 në Iran duhet të njihet si Krim Kundër Njerëzimit
Britanikja Express ka publikuar rrëfime tronditëse personale nga të afërm të të burgosurve politikë iranianë që kanë vdekur në masakrën e 1988-ës në Iran.
Express shkruan se mijëra të burgosur politikë, të lidhur me opozitën kryesore, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), janë ekzekutuar në vitin 1988 pas një ‘fatëa’ të nxjerrë nga lideri suprem i atëhershëm i regjimit Ruhollah Khomeini, që jepte urdhër për t’u kryer ky spastrim.
Express ka intervistuar Ehsan Qaraee, një inxhinier ndërtimi dhe aktivist i të drejtave njerëzore nga Irani që tani jeton në europë, i ati i të cilit është ekzekutuar gjatë masakrës së 1988-ës.
Tani z. Qaraee e ka ngritur zërin për të dënuar ato që Amnesty International dhe Human Rights Watch i kanë quajtur “krime kundër njerëzimit,” ka shkruar Express të premten më 16 gusht 2019.
Duke folur për eksperiencën e tij, z. Qaraee tha për Express.co.uk se i ati ishte vrarë nga regjimi dhe tregoi se të ëmën ia kishin torturuar brutalisht përpara syve të vajzës së saj një-vjeçare.
Ai tha: “Prindërit e mi ishin të dy mësues—im atë ishte historian ndërsa nëna ime ishte mësuese matematike.
“Pasi Khomeini mori pushtetin, nisën të arrestonin njerëz dhe në fillim, morën në shënjestër akademikët. I arrestuan të dy prindërit e mi veçmas në vitin 1981. Motra ime ishte vetëm një vjeç.
“Për një periudhë tre-mujore, e torturuan nënën përpara syve të motrës sime.”
Express vuri në dukje se shumë nga fajtorët gëzojnë ende role të larta në qeveri edhe sot, dhe z. Qaraee bëri thirrje që personat përgjegjës të “sillen përpara drejtësisë.”
Ai tha: “Për mua, do të doja të kishte një farë njohjeje sidomos nga Qeveria Britanike se ky krim ishte një krim kundër njerëzimit. Dhe do të doja që OKB të themelonte një komitet dhe ta hetonin këtë krim.
“Sepse të gjithë ata që i kanë kryer këto krime—të gjithë ata që kanë qenë në ‘komitetet e vdekjes’ në mbarë vendin—janë ende në pushtet.
“Po flasim për Ebrahim Raisi-n i cili kryeson sistemin e drejtësisë në Iran—apo Mostafa Pourmohammadi i cili është Ministër i Drejtësisë.”
Mijëra kundërshtarë të regjimit iranian—kryesisht mbështetës të grupit opozitar MEK ose PMOI—u morën në shënjestër nga mullahët gjatë vrasjeve të 1988-ës, të cilat u nënvizuan në një dokument të Amnesty International vitin e shkuar, shkruan Express.
Ky dokument fajësues, me titull ‘Iran: Sekrete të Ngjyera në Gjak’, ekspozon ato që i përshkruan si “krime në vazhdim kundër njerëzimit” për shkak të pamundësisë së viktimave që të ribashkohen me trupat e familjarëve të tyre të vdekur.
Duke folur për Express.co.uk, kërkimtarja kryesore e Amnesty International lidhur me Iranin, Raha Bahreini, tha: “Për tre dekada, familjet, të mbijetuarit dhe ish të burgosurit kanë kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë dhe e kanë dokumentuar këtë krim të tmerrshëm në mënyrë që të mund t’i kundërvihen narrativave të mohimit e shtrembërimit që përsëriten nga autoritetet iraniane.
“Jemi mbështetur tek kjo trashëgimi dokumentimi dhe jemi përpjekur t’i përdorim dëshmitë e reja që kanë dalë në dritë në mënyrë që ta çojmë përpara luftën e familjeve dhe të mbijetuarve për të vërtetën dhe drejtësinë.”
Hossein Fathi, 68 vjeç, dhe e shoqja Fatima Abdi, 53 vjeç, kanë qenë gjithashtu në shënjestër të masakrës së 1988-ës. H. Fathi, i cili ka humbur 14 anëtarë të familjes së tij, tha: “Kam parë torturë dhe më kanë torturuar me kamxhik. Më varën nga çatia dhe u përpoqën të më vrisnin.”
Ndërkohë, Ahmad Ebrahimi—i cili ka qenë i burgosur në burgun Gohardashst—tha në lidhje me eksperiencën e tij “tronditëse”: “Na mbanin në terr—nuk e dinim se çfarë po ndodhte apo se çfarë do të ndodhte. Dhe na morën me sy të lidhur të gjithëve, 150 prej nesh, na çuan në një dhomë marrjesh në pyetje ku na pyetën për pikëpamjet tona lidhur me regjimin. Po të mos thoshim se e mbështesnim regjimin, na vrisnin menjëherë.”
Mostafa Pourmohammadi, njëri nga “Gjyqtarët e Vdekjes” të Iranit, i akuzuar si bashkëfajtor në këtë masakër, është caktuar Ministër i Drejtësisë nën Presidentin aktual iranian, Hassan Rouhani.
Ky caktim i tij kontroversal u bë pak kohë pasi Amnesty International i kishte kërkuar më 4 dhjetor 2018 qeverisë së Iranit që të nxirrte në dritë se çfarë kishte ndodhur me të arrestuarit politikë në vend. Amnesty i ka kërkuar gjithashtu Kombeve të Bashkuara që të krijojë një grup hetimor për gjetjen e fakteve.