Dr. Xhoi Jakaj: TRURI, LIBRI, DIJA…
Po e risjell këtë shkrim për fundjavë dhe ju sugjeroj ta lexoni: Sigurisht ata që kanë kohë të merren me shkrime vere, se bota elektronike po na huton dhe merr mendtë e kokës shpeshhere, e ndaj neuronet e trurit nuk kanë kohë për përqendrime të mëdha!
TRURI, LIBRI, DIJA…
A ka ‘gjeni’ në botë që lindin të tillë dhe truri i tyre funksionon pa librin, studimet dhe ushtrimin e të lexuarit?!
Deri në 98% e veprimtarisë së trurit ndodh në mënyrë të pavetdijshme. Disa gjëra që duket sikur nuk i dimë, në të vërtetë ‘flenë’ në mendjen tonë, por që veprimtaria e trurit të jetë në funksion të njeriut ai duhet mësuar me ushtrime, ashtu sikurse dhe trupi ynë dhe ushtrimet e trurit janë librat e të lexuarit si dhe vullneti për t’i kthyer në kulturë individuale.
Gjjenitë lindin një në një mijë, kurse një mijë mendje të tjera njerëzore pasi lindin zhvillohen nëpërmjet të lexuarit….
Të harxhosh kohë duke iu përkushtuar leximit është një veprimtari për të cilin do falenderosh veten më vonë.
Asnjëherë mos u justifikoni me elementin kohë për të mos i dedikuar ca minuta, ose disa orë të lexuarit.
Dhe sikur të reduktosh një konsum të njërës kafe që pi gjatë përditshmërisë tënde ose atë kafe e shoqëron me një libër të vogël para syve të tu, e sigurove leximin pa shumë mundime dhe pa shpenzim të kohës tënde produktive për punë.
Përfitimet që grumbullohen janë të panumërta dhe ky shkrim shërben si një kujtesë në gjitha aspektet pozitive të cilat vlejnë dhe si një thirrje për të marrë sa më shpejt librin që ke lënë përgjysmë prej kohësh ose nuk e ke nisur ende?!
- DIJET ASNJËHERË NUK JANË TË TEPËRTA
Funksioni i parë i librave është ai informues. Secili duhet të zgjedhë mes larmisë së titujve, atë që i duket më i përshtatshëm dhe që i shërben në formimin e tij akademik apo atë që përmbush kuriozitetet e tij dhe i sjell në mendje të shkuarën, adoleshencën, rininë apo mbase dhe projekton të ardhmen.
Libri është një oqean dijesh, prej të cilit nuk ‘mbytesh’ por rifreskohesh; gjithashtu mëson të perfeksionosh stilin tënd të të folurit dhe të përditshmërisë, fiton një lloj sigurie që ta jep gjithnjë të lexuarit, kjo është dija e pafundme që të jep libri dhe njëherësh të sjell në vetvete edhe liri individuale.
2. NJË FJALOR I PASUR DHE NJË ARTIKULIM I RRJEDHSHËM TË BËJNË TË NDJEHESH KRENAR ME VETEN GJITHNJË DHE I DENJË PËR ÇDO LLOJ MJEDISI
Sa herë je gjendur në një situatë të vështirë, ku problemi më i madh është të artikuluarit? Jam e bindur që përgjigja e të gjithëve ne është ”Shumë herë”. Situatat e sikletshme, intervistat e punës, prezantimet përpara një grupi të madh njerëzish, e shumë raste të ngjashme bllokojnë funksionin normal të trurit dhe të folurit dhe kjo vjen prej stresit dhe ankthit që krijohet, por leximi ndryshon gjithçka. Asnjë situatë nuk e gjen të papërgatitur dikë që i ka dedikuar shumë kohë leximit…
Pasurimi i fjalorit të përditshëm, eleminimi i çdo huazimi, i cili aq sa e zgjeron edhe e vret gjuhën shqipe, por mbi të gjitha zhdërvjelltësia që të fal leximi, të bën që në çdo situatë të dalësh faqebardhë.
Aftësitë e mira shprehëse gjithmonë ndërtohen prej leximit dhe ndihmojnë njëkohësisht në aftësitë shkruese, të cilave për shkak të elektronikës së zhvilluar nuk i vihet më shumë rëndësi?
3. LEXIMI FRESKON TRURIN DHE QELIZAT E KUJTESËS
Konstatimi i mësipërm nuk është aspak i çuditshëm. Një nga veprimtaritë që ndihmon kujtesën tuaj është pikërisht leximi. Shkencëtarët, biologët dhe gjeneticienët kanë vërtetuar se informacioni i përfituar nëpërmjet leximit është shumë herë më i rrënjosur në kujtesën tuaj dhe më i përdorshëm prej jush, sesa informacioni i marrë nga mediat audiovizive. Nëse dëshironi që kujtesa juaj të jetë e pagabueshme dhe afatgjatë deri në fund të jetës, kushtoni leximit minimalisht një orë në ditë. Justifikimet kur bëhet fjalë për leximin janë të papranueshme sepse kohë për të lexuar 30- 60 minuta në ditë gjendet gjithnjë
4. LEXIMI UL NIVELIN E STRESIT DHE RRIT PËRQENDRIMIN MAKSIMAL TË TRURIT
Stresi duket se është fjala më e përdorur në përditshmërinë tonë. Në punë hasemi me të, në shkollë shtohet shpesh fjala ‘jam në stres’, madje edhe në pritje të veprimeve të përditshme në institucione bankare apo shtetërore ndjen stresin dhe padurimin.
Kundër të gjithë këtyre faktorëve të jashtëm, të cilët ndikojnë negativisht në shëndetin e tonë, vepron leximi dhe kontakti me librin.
Leximi ka aftësinë të zhvendosë mendjen tuaj në botën e tij, duke ju bërë të harroni të gjitha problemet e vogla të kaluara gjatë ditës. Koha në të cilën zhyteni në lexim na ndihmon të kalisim durimin dhe të forcojmë përqëndrimin. Këto dy të fundit janë probleme të hasura pafund në ditët tona, në një kohë kur përqëndrimi largohet vetëm nga një zile e telefonit, apo një zhurmë sado e vogël afër jush; ndaj leximi është mënyra më e mirë për të rritur përqëndrimin tuaj gjatë përditshmërisë…
5. LEXIMI TË ARGËTON DHE PËRMIRËSON HUMORIN
Leximi nuk duhet të konsiderohet si detyrim, mbi të gjitha ai është argëtim. Një libër i mirë mundë të largojë çdo pakënaqësi të ditës dhe mes miliona titujve me siguri do gjeni veten diku, shpesh duke lexuar një libër ne gjendemi duke buzëqeshur dhe doza e humorit tonë është shtuar për shkak të aktivitetit të trurit dhe adrenalinës së rritur nëpërmes kënaqësisë që të jep leximi…
Në përfundim të këtij shkrimi jo shumë të gjatë, do ishte lumturi për mua nëse disa prej jush janë frymëzuar dhe fillojnë të investojnë kohën e tyre cilësore për shëndetin e tyre mendor dhe emocional nëpërmjet të lexuarit.
Libri është:
A. Kulturë…
B. Emocion…
C. Dije…
D. Ripërtëritje e qelizave të kujtesës…
E. Dashuri e madhe nëse ju kthehet në veprim ditor dhe jetësor…
Dashuroni fort librin siç dashuroni jetën ose partneren apo partnerin tuaj!