Sadik Bejko: In memoriam Murat Isaku!
Ka vdekur 14 vjet më parë.
Unë sot ndez një qiri për veprën e tij, per poezinë, prozën, për mesuesin Murat Isaku me veprimtarinë e gjatë metodike arsimore të tij.
Ndez një qiri për kujtimin e çmuar, të pashlyer të tij.
Për kujtimin e Murat Isakut.
Ka qenë një kohë, kur në Tetovë poeti më i mirë ishte ai. Dhe, nga sa thashë më lartë, ne ato treva ai ishte imazhi i shkrimtarit shqiptar, imazhi i shkrimtarit, pra, jo vetëm më i miri i Tetovës.
Më tej nuk e di ç’thonë kritika, historia e letërsisë, antologjitë.
Nje njeri jeton në kohë dhe koha shpesh merr e jep nga/ me/ prej emrit të tij.
E kam njohur. Kam qenë në shtëpinë e tij, kam marrë pjesë në promovimin e veprës së zgjedhur të tij, bërë prej poeti Shaip Emërllahu në “Ditët e Naimit”. Jam ulur në karrige me nga një gotë në dorë me miqtë e moshës së tij. Me E. Gjergjekun, me Din Mehmetin, me Ali Podrimjen….
Burra të penës që nuk janë më. Miq të Murat Isakut.
Miqtë e mi.
Nuk dua të jem sentimental.
Po shkruaj vetem një in memoriam për Murat Isakun.
Më tej, nuk e di ç’do te thotë kritika, historia e letersise, antologjitë.
Murat Isaku lindi në Gajre të Tetovës më 1928, vdiq 77 vjeç në Tetovë në vitin 2005. Studioi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës, më tej zv. drejtor i kësajë shkolle… redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe.
Veprat:
Zani i malit (1960)
Buzëqeshjet e mesditës (1963)
Drithmat (1975)
Blana (1982)
Unaza e djerrinës (1971)
Gërsheti (1978)
Sheshtina (1982)
Dielli e din rrugën e vet (1965)
Flaka e vonar (1973)
Plagët (1975)
Etje (1982)
Damkat (1986)
Shtjella (1989)
Gjaku i sharraxhive
Ngushëllimi i Bukur
Fatprerët