Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Petro Marko, Justina Shkupi dhe Nënë Tereza

Image result for nene tereza per here te pare ne tirane

 

E para, sot është dita e Nënë Terezës. Një shenjtore. Një figurë tashmë internacionale.Vetë fjala ‘katolike’ dmth universale.

E dyta shkupiane, me emër do të thosha, është Justina Shkupi. Kjo kush është? Kush është Justina Shkupi?

Nënë Terezën nuk e lejonte regjimi i Enver Hoxhës të vinte në atdhe. Për të marrë lejen e ardhjes kishin ndrëhyrë te autoritetet shqiptare një varg personalitetesh si princesha Diana e Anglisë apo Sharl De Goli, presidenti i Francës.
Pati ndërhyrje të shpeshta edhe nga OKB-ja që më së fundi, atë e lejuan të vinte.
Kur erdhi Nënë Tereza tek ne, në gusht të vitit 1989, ajo ishte e hyjnizuar përtej figurës së helmët të asaj që këtu e priti, Nexhmijes së Hoxhajve. Ajo Tereza e Kalkutës, si fetarisht e përvuajtur, dinte të hante bukë dhe me gjarpërin. Dinte helmin ta shndërronte në ëmbëlsi. Një jetë të tërë ishte përgatitur që helmin komunist ta gëlltiste. Dhe këtij helmi nuk iu tremb. Ajo kishte peng këtu në Tiranë dashurinë e disa njerëzve që koha e kuqe i kishte varrosur. Ajo donte t’i ringjallte. Ishte Tereza e shenjtë që zbriste dritën e Hyjit në tokën e harruar.
Çudia qëndron përtej propagandës, që ngjan se po shqiptoj.
Në Tiranë Nënë Tereza, vec të tjerëve, kërkoi të dinte se ku e kishte varrin, shoqja e saj e banges në shkollën fillore. Ku e kishte varrin mikja e fëmijërisë, Justina Shkupi.
Kush e njihte Justina Shkupin?
Ku e ka varrin, këmbëngulte Nënë Tereza?
U desh të vinte Bardhosh Gaçja nga Vlora që të gjente se ku e kishte varrin Justina Shkupi, mikja e fëminisë e Nënë Terezës.
Të dyja gocat nga Shkupi ishin ndarë e më pas ishin bërë internacionaliste. Secila në mënyrën e vet.
Petro Marko e ka personazh te romani “Hasta la Vista” infermieren shqiptare Justina Shkupi, luftëtare në brigadat internacionaliste të Luftës së Spanjes. Pas Spanjës ajo shërbeu si infermiere në Tiranë. Pa njeri, jetoi pa shtëpi, jetoi ferrin e barakave pranë Spitalit Civil si infermiere beqare deri në vitet ’80 të shekullit që shkoi.
Petro Marko, ish interbrigadisti i Spanjës, si vëllai i saj i Spanjës, me lekët nga honorari i romanit “Nata e Ustikës”, i bëri një pllakë betoni, i vuri dhe emrin mbi varr, asaj Justina Shkupit, që vdiq pa njeri. Dëshmitar të kësaj la Bardhosh Gaçen.
Shkupiania tjetër internacionaliste, Nënë Tereza, me lule ne duar, në gushtin e vitit 1989 kërkonte varrin e Justina Shkupit, që kish vdekur e bjerë. Në humbësi. Ajo që kishte shërbyer si infermiere në Shkup, infermiere në Spanjë, infermiere në Tiranë? Me kohë asaj i kishte humbur dhe emri mbi betonin e varrit që nuk e vizitonte askush në Shtish-Tufinë. Ku ta gjenin atë gruan pa shenjë dikund?
Po, por…larg atdheut të saj dikush kujtohej për të. Nuk e kishin harruar. Për nder të saj në Madrid të Spanjës një rrugë kishte marrë emrin Justina Shkupi.
Bardhosh Gaçja e çoi Terezën e Kalkutës te varri i Justinës në varrezat e Shtish-Tufines.
Tereza i vuri lulet mbi varr Justinës.
Dy shkupiane, dy internacionaliste tjetërsoj. Njëra murgesha ndërkombëtare, sot shenjtorja Nënë Tereza, tjetra, infermierja komuniste interbrigadiste, Justina Shkupi.
Të dyja shqiptare.

Please follow and like us: