1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë
Në gusht 1989, Nënë Tereza arrinte më në fund të hynte në Shqipëri pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist.
Prof. Lutfi Alia, Siena
Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, më së fundi, në gusht të viti 1989 Agnes Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, e realizoi dëshirën e madhe, si u shpreh para largimit: “vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”. Nobelistja me famë botërore Nënë Tereza, është personaliteti i parë shqiptar, që i parapriu dhe i hapi rrugën integrimit të vlerave kulturore të shumë personaliteteve të tjera shqiptare, që do t’i riktheheshin publikut tonë disa vite më vonë si Martin Camaj, Isuf Luzaj, Xhim Belushi, Sten Dragoti etj.
Për opinionin shqiptar dhe të huaj, vizita e Nënë Terezës – misionare katolike dhe humanitare e shquar ishte befasuese, duke menduar se regjimi komunist, të dyja këto i kishte të ndaluara, por nga ana tjetër ardhja e Nënë Terezës ishte mirësia dhe sinjali i parë i ndryshimeve pozitive, që do të përfshinin jetën shqiptare, madje kjo vizitë i parapriu lirisë të besimeve fetare, që u shpallën një vit më pas dhe ndryshimeve të medha politike e sociale, që e çuan Shqipërinë në rrugën e demokracisë.
Opinioni zyrtar i kohës e konsideroi “vizitë private”, apo “vizitë jozyrtare”, por për mendimin tim, pavarësisht nga motivimi burokratik, ardhja e Nënë Terezës ishte rikthimi në vendin e vet, ardhje në “gjini” dhe pse për shumë vite kjo e drejtë i ishte mohuar me justifikime absurde politike dhe pa asnjë bazë morale e njerëzor.
Duke pranuar ardhjen e Nënë Terezës, regjimi konservator i kohës bëri një hapje të ndrojtur, për t’i treguar opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm se po ndryshonte. Vizita e Nënë Terezës u prezantua me lajme të kontrolluara, duke i ofruar popullit vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, vizitën në varrezat e dëshmoreve dhe për “të shpëtuar shpirtin e tyre mëkatar”, njoftuan shkurt vizitën në varret e nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës, ku e shoqëroi Marie Kraja dhe vizitën ne spitalin onkologjik, e shoqëruar nga Dr. Adelina Mazreku. Kuptohet se gjithçka ishte organizuar brenda kornizave të burokracisë komuniste, një vizitë protokollare, me pak publik të zgjedhur, por kjo hapësirë zyrtare ishte tepër e ngushtë për dimensionet gjigante të Nënë Terezës.
Ndryshe nga pala pritëse, Nënë Tereza mbante qëndrim të thjeshtë, pa asnjë lloj formalizmi, pa sjellje artificiale dhe e shpenguar nga zyrtarizmi, çka e rriste edhe më shumë madhështinë e shpirtit të saj fisnik. Në takimin me presidentin Ramiz Alia, gjatë gjithë kohës, Nënë Tereza i a mbajti duart shtrënguar, i foli hapur me dashuri nëne, duke e quajtur “biri im”, ndërsa presidenti u mundua të tregohej miqësor, por nuk harroi dhe ta gënjente, duke i thënë se në Shqipëri nuk kishte të varfër e as të braktisur dhe kësisoj i mohoi kërkesën, për të hapur në atdhe, shtëpinë e misionit të bamirësisë, ndërkohë, që ajo i kishte hapur në 96 vende të botës, madje dhe në vendet më të zhvilluara si SHBA, Anglia, Kanada, Itali, Franca etj. Propaganda e kohës e mbajti të fshehur këtë rrethanë, ndërsa në takimin e R. Alisë me intelektualet e kryeqytetit, Ismail Kadare, protestoi ashpër duke thënë: “i thatë gënjeshtra një plake të shkretë”.
Nënë Tereza pothuajse nuk njihej në Shqipëri, ndërsa figura e saj kishte pushtuar mbarë botën, jo vetëm si misionare katolike, por dhe si bamirëse e Mission of Charity, si personalitet i shquar i veprimtarive humanitare. Qendra e aktivitetit të saj është Kalkuta, ku ndodhet “Shtëpia e Nënës”, ku në krah të portës është vendosur një tabelë druri me shkrimin “Mother Theresa – IN/OUT”. Në këtë shtëpi, që dikur ishte një nga tempujt më të lashtë hindu, kishin shkuar ta takonin Mbretëresha e Anglisë, Presidenti e kryeministri i Indisë, dy presidentë të ShBA-së, (George Bush, Jimmy Karter), princesha Diana, Yaser Arafat e shumë e shumë personalitet të tjera botërore. Me veprën dhe shpirtin e saj humanitar, Ajo e kishte rrokur tërë botën, ishte bërë qytetarja më e nderuar. Nëse do ta përmbledhim në pak fjalë veprën e Nënë Terezës, do të përkufizohej përkushtim në besimin katolik, në dashurinë për njeriun dhe shpresë për të varfrit e të vuajturit e kësaj bote të pamëshirshme.
Dante Alighieri ka thënë: “… e para e intelektit të njeriut është dashuria, të gjitha të tjerat vijnë pas”. Pikërisht dashuria për njeriun dhe në veçanti për njeriun që vuan, ishte e mishëruar në mënyrë të përsosur te Nënë Tereza, duke iu përkushtuar me pasion sublim njeriut të varfër, të semurë, të vuajtur, të braktisur, jetimëve, të gjithë nevojtarëve pa dallime etnike dhe feje. Ajo u shërbeu me pasion të gjithë atyre, që jeta dhe shoqëria i kishte braktisur, u shërbeu me përkushtim, u kujdes me devotshmëri për t’i shëruar e u dha dashuri, gëzim e shpresa. Këtë misionare të dashurisë, bota e nderoi duke e quajtur Nëna e dashurisë.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, mediat shqiptare shpërndanin lajme të shkurtra, të thata, pa komente. Aktiviteti i parë publik ishte takimi në një nga sallat e Piramidës, ku merrnin pjesë të gjitha përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë, intelektualë dhe funksionarë shteti. Në këtë “vizitë”, Nënë Tereza shoqërohej nga gazetarja Janette Petriè, autorja e shumë dokumentarëve për jetën dhe veprën humanitare të Nënë Terezës, madje një nga këto dokumentarë u shfaq atë ditë, çka ndihmoi të njihej madhështia e figurës të shqiptares më të madhe të planetit. Si ndodhte në atë kohë, gazetaren amerikane Janette Petriè nuk e përfilli askush, madje e “harruan” e ajo, bashkë me dy motra të Nënë Terezës, me vështirësi gjetën vende në radhën e fundit të sallës.
Pas përfundimit të ceremonisë, Nënë Tereza u rrethua nga trupat diplomatike, madje shtyheshin e nuk i linin radhë njëri-tjetrit, për ta takuar e për ta përshëndetur. Shumica e pjesëmarrësve u larguan, ndërsa unë dhe Prof. Ylli Popa pritëm ta takonim e ta përshëndesnim.
Më së fundi u afruam dhe Prof Ahmet Kamberi (Ministri i Shëndetësisë, që e shoqëronte) na prezantoi. Prof Ylli i tha: “… ky gjoks i vogël, mban brenda një zemër të madhe, ku merr dashuri e ngrohtësi e gjithë bota”. Unë isha tepër i emocionuar e kur ma dha dorën ia mora e ia putha e më pas e përqafova e i thashë: “Jam i lumtur, se kam përqafuar Nënën e mbarë botes”.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Nënë Tereza i respektoi rregullat që kishte përcaktuar protokolli zyrtar, por shteti nuk e respektoi e nuk i plotesoi asnjë nga kërkesat e saj. Ajo nuk kërkoi favore, as privilegje, as dhurata, thjesht propozoi të hapte dhe në vendin vet, shtëpinë e Misionit Bamirës, shtu si i kishte hapur në 96 vende të botës. Në asnjë vend tjetër nuk e kishin refuzuar, askush nuk ia kishte mohuar kërkesën modeste për hapjen e shtëpive të bamirësisë, ishte hera e parë, që ballafaqohej me një qëndrim të tillë mospërfillës dhe fyes, por ajo nuk shprehu zemërim e pakënaqësi, madje as nuk u dekurajua, përkundrazi kjo ngjarje i dha forca e kurajë, për t’i zgjidhur vetë të gjitha punët, si veproi në udhëtimet e mëpasme.
Do të theksoj një fakt me rëndësi të veçantë, që shpreh madhështinë e figurës të Nënë Terezës, tolerancën e saj, shpirtin mëshirëmadh e pajtues, duke i falur shtetarët shqiptarë për padrejtësitë që i kishin bërë, duke i mohuar takimin me nënën dhe motrën, i fali e i ftoi që të shikonin përpara, drejt një të ardhme të re. Kësisoj pranoi ftesën të hante darkë me Nexhmie Hoxhën, e cila e gënjeu se në Shqipëri nuk ka të varfër, ndërsa kur Komiteti i çmimit Nobel e ftoi në darkën zyrtare, të organizuar për nder të saj, e refuzoi duke u thënë: “Nuk mund të pranoj një darkë të tillë, përderisa njerëzit vuajnë dhe vdesin nga uria…dua të jem e varfër si janë ata”.
Më 8 gusht Nënë Tereza u largua nga Shqipëria duke marrë me vete nderimin, respektin dhe dashurinë e popullit të saj dhe një qilim të vogël me motive shqiptare (dhuratë e punëtorëve të Artistikes – Migjeni), që e përdori përherë në dhomën e lutjeve, deri në ditët e fundit të jetës.
Në dhjetor të 1990 Nënë Tereza u rikthye në mëmëdhe. Të nesërmen e mbërritjes, në pasdite, një trokitje e butë në portën e zyrës (në katin e gjashtë të ndertesës pa ashensor), më nxiti të ngrihem e ta hap derën. Mbeta i befasuar. Para meje ndodhej Nënë Tereza me gjithë madhështinë e saj dhe me 80 vitet e një jete impenjative mbi supe. Me dy pëllëmbët e duarve të bashkuara para gjoksit, me një vështrim të butë e një buzëqeshje të ëmbël, me përshëndeti në shqip: “Mirëdita, a pranon miq?” E përqafova dhe duke i thënë Welcome (një gabimi i im padashje) e ftova bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes (kosovare) dhe pesë Motrat e tjera. Porosita të na sillnin kafe dhe ujë, por Nënë Tereza pranoi vetëm ujë.
Nuk mund ta imagjinoni sa gëzim ndieja për këtë vizitë të papritur, nderuese e të mirëpritur. Biseda u zhvillua në një atmosferë tepër miqësore, sikur njiheshim prej vitesh. Nënë Tereza ishte mjeshtrja e komunikimit. Me lehtësinë më të madhe bisedonte me një kryetar shteti, me një mbret, me intelektualin, me punëtorin, me fshatarin, por në veçanti me të sëmurët dhe ata që vuanin. Ajo është mishërim i figurës të dashuruar me njerëzimin. Tërë jetën iu përkushtua mbrojtjes të jetës dhe të dinjitetit njerëzor, që i konsideronte të shenjtë. Kjo është thelbësore në jetën e aktivitetin e Nënë Terezës, e cila gjeti në humanizmin e shenjtëruar të Krishtit një provë të padiskutueshme, dashurinë për njeriun e varfër apo të pasur, të aftë apo me kufizime shëndetësore, të çdo lloj etnie apo feje.
Më kishte sjellë disa nga poezitë e saj të famshme, që këndoheshin si lutje në kishat e gjithë botës. Në veçanti kujtoj poezinë “Jetoje jetën”.
Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është e bukur,adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfide, përballu me të.
Jeta është loje, luaje.
Jeta është detyrë, plotësoje.
Jeta është e shtrenjtë, vlerësoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mësohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të…”.
Me një vështrim të butë e magjepsës, filloi të më tregonte planet për hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Nënë Tereza shquhej për inciativë dhe aftësi organizuese, si e kishte treguar me misionet, që kishte ngritur në të gjithë botën. Gjithçka e zgjidhte vetë, me urtësi e me guxim. Kështu veproi dhe në Tiranë. Kësisoj, kur erdhi herën tjetër, mori një shtepi përdhese me oborr të vogël, në një kthinë të rrugës “Siri Kodra”. Aty u sistemuan motrat dhe misioni i parë i Nënë Terezës. Një nga dhomat ishte kapela ku kryheshin ritet fetare. Kudo mbretëronte thjeshtësia, pastërtia dhe rregulli deri në perfeksion. Në oborrin e ngushtë, një djalë tiranas, kishte ndërtuar një guvë të vogël, ku ishte vendosur shtatorja e Shën Mërisë, e rrethuar me vazo lulesh të freskëta. Në sheshin para misionit, për ditë kishte njerëz, popull i thjeshtë dhe intelektuale, plot njerëz, të krishterë, muhamedanë, bektashinj e ortodoks, por dhe të huaj. Të gjithë kërkonin të takonin Nënë Terezën, por njëkohësisht kërkonin dhe materiale fetare, që në ato vite mungonin. Këtë qendër bamirësie e vizitova shumë herë.
Gjatë bisedës, Nënë Tereza më tregoi se kishte sjellë disa pako me medikamente dhe kërkoj nga unë ta ndihmoja t’i shpërndante, aty ku ndihesh më shumë nevoja. Në këtë kohë, kishim mungesa serioze për ilaçe, por në çast mendova t’i dërgoja në disa spitale rurale, ku gjendja ishte kritike dhe kësisoj i sugjerova t’i dërgonim në spitalet e Krastës të Martaneshit, të Kurbneshit, të Tropojës e në Has të Kukësit. Ndërkohë i thashë se do të vija në dispozicion mjetet e transportit, por Nënë Tereza më tha se kishin makinat e tyre dhe ilaçet do t’i dërgonin në destinacion me motrat e misionit. Një tjetër surprizë, nga ato që bënte vetëm një si Nënë Tereza Bojaxhiu.
Në mars të vitit 1991, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Ky vit shënoi zhvillime të mëdha dhe ngjarje të rëndësishme për misionin e saj bamirës. Kësaj rradhe, Nënë Tereza nuk qëndroj vetëm në Tiranë, por vizitojë dhe qytetet e tjera, fillimisht Shkodrën e më pas Durrësin, Elbasanin, Korçën etj. Udhëtonte bashkë me motrat e misionit. Nuk takoj e nuk kërkoj ndihmë në asnjë nga pushtetarët, as ato lokale dhe as të qendrës, por kontaktoj direkt me popullin. Kur u kthye nga Durrësi, me shumë gëzim më tregoi se kish takuar një person, i cili ishte bërë udhërrëfyes gjatë gjithë kohës që kishin lëvizur nëpër qytet. Kështu ndodhi dhe kur shkoi në qytetet e tjera. Të gjithë ata njerëz të thjeshtë, që i janë ndodhur pranë dhe e kanë ndihmuar në misionin e saj, Nënë Tereza i kujtonte me shumë respekt e u dërgonte letra mirënjohjeje e falënderimi, si ato dërguar familjeve Naska, Shpati, Vorfi, Zajmi, Kraja etj.
Një ditë erdhi më takoi në zyrë, si gjithmonë bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes e motrat e tjera dhe me Atë Zef Pellumbin. Pas përshëndetjeve të zakonshme, Nënë Tereza më tregoi për shumë “actions-aksione”, si thoshte shpesh me shaka. Tregoi për hapjen e shtëpisë në Shkodër, për rihapjen e Kishës së Shën Ndout dhe të Katedrales “Zemra e Krishtit”. Motra Agnes më tregoi, se Nënë Tereza i kishte sistemuar me dorën e vet 17 fëmijët e parë, që i morën nga Spitali i Shkodrës. Ndërsa më tregonte mendoja me vete: sa mirë do të ishte, që kësisoj t’i dedikoheshin kujdesit për fëmijët dhe infermieret tona, që paguheshin e nuk e kryenin shërbimin si duhet.
Në këtë kohë, Ministria e Shëndetësisë kishte një problem, që nuk po zgjidhej. Kishim një azil pleqsh në ndërtesën e Kryegjyshatës në Tiranë e pas vendimit për rihapjen e institucioneve të kultit, ishim të detyruar ta dorëzonim, pasi ishte pronë e komunitetit bektashi, por nuk kishim vende për t’i sistemuar ata pleq të mjerë. Nënë Tereza e kishte vizituar azilin dhe ishte informuar se i kishim transferuar një pjesë të pleqve në Azilin e Kavajës dhe se na kishin mbetur disa gra të pasistemuara. Më kërkoi t’i merrte në Shtëpinë e Misionit të saj në Tiranë. E falënderova për këtë ndihmë të madhe në moment shumë të vështirë. Dy vjet më vonë kur shkova në shtëpinë e Nënë Terezës në rrugën e Elbasanit, m’i prezantoi ato katër gra, që zyrtarisht trajtoheshin për demencë senile, por që ishin tjetërsuar e gëzonin shëndet të mirë, madje ishin bërë bashkëpunëtoret më të shkathëta te motrave te misionit.
Dy ditë më pas, më ftoi për vizitë në qendrën e misionit në Tiranë. Shkova me shumë dëshirë edhe pse e dija se do të rrija gjatë e nuk do të mund të pija duhan, pasi e kishte ndaluar rreptësisht. E vlente ta bëja këtë sakrificë.
Bisedat mes nesh kanë qenë gjithmonë të hapura e shumë të sinqerta, madje dhe me shaka të lezetshme. Më tha se kishte vendosur të ngrinte një mensë për banorët e varfër që jetonin në Bregun e Lumit, pra për arixhinjtë dhe kërkoi nga unë ta shoqëroja për të ndarë ushqimet. Ishte një propozim i papritur, e që nuk ishte praktikuar ndonjëherë e nuk dita si t’i përgjigjem e fillova të bëja shaka: “Do të vij, por me një kusht, të mos i tregosh Dritës (gruas time) se kam vënë përparëse, se pastaj do të më detyrojë ta vë dhe në shtëpi e madje do të më detyrojë dhe të gatuaj”. Qeshën të gjithë, por Nënë Tereza jo, madje ma ktheu me seriozitet: “Nuk është gabim ta bësh dhe në shtëpi këtë punë, por ne do ta fillojmë te Bregu i Lumit. Kështu ka punuar me mua Regani, Gorbaçovi” dhe vazhdoi të më rendisë një radhë burrash shteti, që ishin angazhuar në veprimtari bamirësie me njerëzit e thjeshtë e të vuajtur, që nuk mungonin dhe në Shqiperi, madje ishin shumë.
U tha dhe u bë siç kërkoi Nënë Tereza. Më thënë të drejtën ndihesha në siklet, por e kapërceva gjithçka me shaka. Herë pas here e ngacmoja “pse asaj plakës ia mbushe tasin më shumë e atij tjetrit i dhe më pak?” dhe ajo me atë mirësinë e saj të veçantë, më detyronte të shkoja t’i çoja dhe një garuzhde më tepër.
Pasdite u kthyem në shtëpinë e misionit. Ishte mrekullisht e kënaqur dhe e qeshur. Ishim bashkë me Janette Petriè, motrën Agnes dhe Natasha Hiton, që ishte angazhuar si përkthyese zyrtare. Atë ditë bëmë disa biseda të rëndësishme. I thashë Nënë Terezës:
“Ti je shqiptare, je gjaku ynë dhe këtë e ke deklaruar botërisht, por nuk ke asnjë lloj dokumenti, që të identifikosh kombësinë tënde shqiptare, pse nuk i japim një zgjidhje këtij problemi?”
Nënë Tereza m’i kapi të dyja duart dhe me përzemërsi më tha:
“Çfarë më propozon ti, cilat janë ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, cila është rrugëzgjidhja?”
Kaq desha sa të më kërkonte përgjigje e menjëherë i thashë:
“U bënë tre vjet, që hyn në Shqipëri, banon në shtëpinë tënde, ke motrat, ke të afërm e miq plot, ke një popull që të admiron e të do me përkushtim, pse nuk regjistrohesh banore e Tiranës”?
“Atëherë çfarë duhet të bëjmë?”, më pyeti.
“Shkojmë në zyrën e gjendjes civile të Lagjes Nr. 1 dhe flasim”, iu përgjigja menjëherë.
U ngritëm e shkuam në zyrën e gjendjes civile. Një pritje si kudo për Nënë Terezën. U mblodhën të gjithë në atë zyrë të vogël e të gjithë e takuan. Pasi u qetësua situata pyetëm nëpunësen, se çfarë duhet të bënim, që Nënë Tereza të regjistrohej si rezidente në Tiranë. Ajo na i shpjegoi të gjitha procedurat e rregullat. Bëmë lutjen, plotësuam formularin, dorëzuam fotografitë. Pas disa ditësh e njoftuan e i dorëzuan Nënë Terezës letërnjoftimin shqiptar. U gëzua si një fëmijë, e shtrëngonte në gjoks dhe ua tregonte të gjithëve. Kjo ishte dhurata më e bukur, që i është bërë Nënë Terezës në përvjetorin e lindjes, që e festonte e tërë bota.
Janette Petriè, më tregoi se disa shtete kishin aprovuar dekorata me emrin e Nënë Terezës. Kjo më nxiti një ide, që ta bënim dhe në Shqipëri, çka do të ishte dekorata e tretë e dedikuar një figure të shquar të kombit (krahas urdhrit të Skënderbeut e të Naim Frashërit). Bisedova me Xhenin, që të merrte aprovimin e saj, për të krijuar një dekoratë për merita humanitare me emrin e Nënë Terezës, që do t’i akordohej të gjithë atyre, që kontribuonin për të ndihmuar popullin tonë. Më kërkoi ta takoja e pas një bisedë pak a shumë të gjatë, pranoi e ma konfirmoi personalisht, duke u shprehur: “uroj që kjo medalje t’i shërbejë popullit tim”.
Krijimi i dekoratave të reja ishte kompetencë e presidentit. Përgatita letrën argumentuese me propozimin për krijimin e “Urdhrit Nënë Tereza – për merita të shquara humanitare”, thirra piktorin e Shtëpisë së Edukimit Shëndetësor (një djalë i talentuar, por nuk ia kujtoj emrin), i cili më paraqiti disa variante dekorate, natyrisht me portretin e Nënë Terezës e pasi zgjodha më të mirin, së bashku me propozimin ia dërgova Presidentit Ramiz Alia. Pas disa javëve, më kërkuan në Presidencë, në drejtorinë e dekoratave, ku më priti një nëpunës shumë i edukuar e shumë i sjellshëm, më komunikoi se propozimi ishte aprovuar e njëkohësisht më tha se dekorata do të bëhej me ar, por pak më e vogël në përmasa se projekti që kisha prezantuar.
Me këtë humor të mirë u ngjita lart të takoja mikun tim Shaban Sinanin. E gjeta në zyrën e tij të vogël (pak më e gjerë se skrivania). Po shkruante me penë, që e ngjyente në një shishe të vogël boje. Shkruante në fletore me kuadrate. Po përfundonte pjesën e dytë të studimit rreth veprave të Ismail Kadaresë. Më ftoi të pinim kafè. Kur po bëheshim gati të dilnim erdhi presidenti Ramiz Alia e sapo më pa më tha: “hë more Lutfi, po na bën dy ministri shëndetësie?” U befasova nga kjo vërejtje ironike e ndërsa ai po largohej nuk ndenja pa u përgjigjur. “nuk do të ishte gabim”.
Rreth kësaj dekorate është shkruar me shumë fantazi, por asnjë nuk ka treguar të vërtetën. Në një artikull të mëvonshëm Naim Zoto shkruan se gjatë kohës që ishte president R. Alia, ai nuk ia akordoi askujt, pasi sipas tij, kotributi i tyre nuk ishte në lartësinë e titullit të krijuar. Ndofta kishte të drejtë. Më pas Presidenti Sali Berisha e modifikoi, duke krijuar dy dekorata, njërën të artë dhe tjetrën të argjendtë. Kjo dekoratë ishte e dëshiruar nga të gjithë të huajt, të krishterë e muhamedanë, nga shoqata të ndihmave humanitare dhe nga organizma shtetërorë, por shumë pak prej tyre patën fatin ta gëzojnë këtë nder.
Në maj të vitit 1991 isha me shërbim në Itali. Një ditë u ndala në Ambasadën tonë në Romë dhe aty gjeta Nënë Terezën me motrat misionare të Romës. Pasi u përshëndetëm, Nënë Tereza, me një sinqeritet mahnitës e me shumë dashamirësi më bëri një pyetje:
“A e di ti kush është Shenjti mbrojtës i shqiptarëve?”.
“Po e di, është Shën Gjergji”, u përgjigja unë menjëherë.
Nënë Tereza buzëqeshi me dashamirësi e më tha:
“Shenjtorja e ne shqipëtarëve është Zonja e Këshillit të Mirë, e quajtur dhe Zonja e Shkodrës, pajtuesja e mbarë shqiptarëve. Ikona e saj, që i përkiste Kishës së Shën Stefanit në Shkodër, nga 26 Prilli 1467 ndodhet në Santuarin e Genazzano-s të Romës dhe mua më kanë dhuruar një kopje, që do ta vendos në Kapelën e Misionit tonë në Tiranë. Të ftoj të vish ta shohësh”.
Shqipëria e asaj kohe kishte nevojë për një mbrojtëse të shenjtë dhe për këshilla të mira. Më 26 maj 1991, Nënë Tereza shkoi në Santuarin e Genazzano të Romës, ku e përfundoi lutjen para ikonës së Zonjës së Këshillit të mirë me fjalët: “Dhe tani kthehu përsëri në Shqipëri”. Kushdo që sheh këtë ikonë, admiron Shën Mërinë me një buzëqeshje të rrallë, që nuk e sheh në asnjë nga ikonat e Italisë. Këtë ikonë e vendosi në dhomën e lutjeve në shtëpinë e Misionit.
Më 23 korrik 1991, Nënë Tereza shkoi në Irak e pasi vizitoi Bagdadin e shkatërruar nga lufta, ngriti aty shtëpinë e bamirësisë për të ndihmuar popullin iraken. Gjatë takimit me komandantin e forcave aleate, i kërkoi atij, që një pjesë e prodhimeve ushqimore (ushqime të liofilizuara) e shumë materiale të tjera, të grumbulluara në bazat ushtarake, t’ia dërgonte popullit shqiptar, sepse kishte nevojë. Ai pranoi dhe kur Nënë Tereza u kthye në Shqipëri, arriti një avion “Herkules” me ndihmat, që i shkarkoi në aeroportin e Tiranës. Së bashku me Nënë Terezen, shkuam në aeroport, ku takoi pilotët dhe ushtarakët që sollën ndihmat: “Zoti ju bekoftë e faleminderit për kontributin tuaj në ndihmë të popullit tim” u tha Nënë Tereza. Këto ndihma nuk ishin për misionin, por për popullin shqiptar, por unë ende nuk e di ku përfunduan dhe si u administruan.
Një ditë, Nënë Tereza erdhi në zyrë e më kërkoi t’i organizoja një takim me kryeministrin Ylli Bufi. I telefonova shefit të kabinetit Shpëtim Arbana, të cilit i kërkova të bisedonte me kryeministrin, për ta pritur Nënë Terezën. Nuk kërkoi informacion për motivet e vizitës e pas një gjysmë ore më konfirmoi takimin brenda ditës. Shkuam menjëherë në kryeministri. Kur hymë në hollin e katit të dytë, u ndeshëm me një delegacion të madh tregtarësh nga SHBA, që kur e panë, e braktisën ministrin tonë që i shoqëronte dhe u ndalën të përshëndesnin Nënë Terezën. U ndamë me vështirësi prej tyre, vetëm duke këmbëngulur se po vonoheshim për takimin me kryeministrin.
Takimi me Ylli Bufin ishte i shkurtër. Nuk u dha asnjë lajm as në televizion as në shtyp, madje kryeministri nuk kërkoi as të bënte fotografi, si kërkonin të tjerët. Nënë Tereza i bëri një përshkrim të shkurtër aktivitetit të misionit e me shumë modesti e mirësjellje i kërkoi të ndërmjetësonte në pushtetin lokal të disa rretheve, që ende nuk i kishin liruar mjediset e caktuara për misionin e bamirësisë. Natyrisht, në këtë kohë ishte e vështirë të zgjidhje probleme të këtij karakteri, megjithatë Ylli Bufi i premtoi se do të interesohej, ndonëse në fakt nuk ndërhyri anjëherë.
Për këtë problem më pas fola me Gramoz Pashkon, ishte zv-kryeministër, i cili një ditë më telefonoi e kërkoi ta takonte personalisht Nënë Terezën, takim që u zhvillua në atmosferë shumë miqësore. Gramozi bëri disa telefonata dhe i zgjidhi problemet me Elbasanin, Durrësin e Korçën. Kështu, brenda dy viteve, me durim e me insistim, Nënë Tereza organizoi në Shqipëri 7 shtëpi bamirësie.
Nënë Tereza, që nga viti 1928 jetonte në Indi fillimisht si murgeshë e urdhrit “Motrat e Loretos” dhe më pas, la mantelin e zi dhe veshi sarin e bardhë, me një kordon blu anësor të indianëve të varfër, hoqi kepucët, veshi sandalet zbathur. Nënë Tereza themeloi Kongregacionin e famshëm Misionaret e Bamirësisë. India e kishte adaptuar dhe i kish dhënë shtetësinë. Krahas pasaportës indiane, Nënë Tereza mbante dhe pasaporta të shteteve të tjera si të Italisë, Vatikanit, Anglisë, ShBA-së, Irlandës, Kanadasë etj. Pasaportat ia kishin dorëzuar kryetarë shtetesh e kryeministra, madje dispononte dhe pasaportë diplomatike (Kanadeze), por i mungonte pasaporta shqiptare.
Nënë Tereza udhëtonte në rreth 100 shtete e në çdo aeroport të botës, pikë kufitare tokësore, apo port që kalonte, kurrë dhe askush nuk ia ka kontrolluar pasaportën, përkundrazi të gjithë policët e punonjësit e aeroprotit ngriheshin në këmbë, me respekt e nderim dhe e shoqëronin me shumë kënaqësi. Ajo nuk kishte nevojë për pasaportë udhëtimi, por si shqiptare dëshironte atë të shtetit amë, sepse donte ta përdorte si dokument të lidhjes së ngushtë me atdheun dhe të përkatësisë shqiptare, pasi bota e njihte si Nënë Tereza e Kalkutës. Dua të rikujtoj se ditën kur i dhanë Çmimin Nobel më 1979-tën, pyetjes për origjinën e saj, që i bëri një prift në sallë, iu përgjigj:
“Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, jam motër katolike e përmes thirrjes sime i përkas gjithë botës, por zemra ime i takon vetëm zotit”.
Kur fliste për vendlindjen, sidomos me të huajt, Nënë Tereza deklaronte qartë e bukur “jam nga Shkupi”, pra përdori përherë emrin shqip të qytetit të lindjes dhe asnjëherë nuk tha Skopje (varianti sllav), që përdorej zyrtarisht.
Për problemin e pasaportës ka disa shkrime, por asnjeri nuk ka treguar të vërtetën, madje ky aspekt delikat është shfrytëzuar me tendencë për t’i dhënë merita atyre që nuk u takonin. Është shkruar se pasaportën ia dha dikush nga funksionarët. Kjo nuk është e vërtetë. Funksionarët e shtetit nuk dinin ku banonte, madje kanë qenë krejt indiferentë e nuk i kanë dhënë asnjë ndihmë konkrete Nënë Terezës. Pasaporta nuk bëhet në zyra funksionarësh.
Të gjithë shqiptarët e dinë cila është procedura dhe si veprohet për pasaportën për udhëtime jashtë Shqipërisë. Nuk dua të ndalem në këtë aspekt, por vetëm të konfirmoj se për pasaportën e Nënë Terezës, ka kontribuar në mënyrë vendimtare N. Hito, që i dërgoi të gjitha të dhënat anagrafike në institucionet përkatëse, të cilët e përgatitën brenda afateve ligjore. Si unë dhe shumë të tjerë, që kanë pasur rastin të takohen me Nënë Terezën në atë kohë, janë dëshmitarë të gëzimit e të krenarisë që shprehte ajo, duke ia treguar të gjithëve pasaportën, sidomos të huajve, të cilëve u thoshte “kjo është pasaporta e vendit tim, shiheni sa e bukur është”.
Lidhur me çështjen pasaportë, ka edhe një aspekt tjetër, që është lënë qëllimisht në heshtje. Në fakt Nënë Tereza ka kërkuar një lloj tjetër pasaporte dhe për këtë qëllim i dërgoi letër Ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Republikës, të cilëve u shprehu dëshirën të pajisej me pasaportë diplomatike. Kjo dëshirë i është refuzuar. Kërkesa për pasaportë diplomatike bazohej thjesht në faktin se në udhëtimet që do të bënte në vendet e tjera, Nënë Tereza dëshironte të përdorte pasaportën diplomatike të shtetit Shqiptar e në këtë mënyrë t’i prezantonte mbarë botës përkatësinë e saj shqiptare. Përgjigjen burokratike të instancave përkatëse Nënë Tereza nuk e mirëpriti. Ju rikujtoj se në këtë kohë, disa “tregtarë” (subjekte pivate) shëtisnin nëpër botë me pasaporta diplomatike, ndërsa kjo e drejtë iu refuzua një personaliteti si Nënë Tereza, e cila ishte “ambasadorja shqiptare e bamirësisë në botë”. Asnjë qeveri shqiptare nuk ia njohu këtë meritë.
Në një nga takimet e zakonshme, Nënë Tereza më tha se do të ftonte një grup mjekësh amerikane dhe kërkoi të dinte cila ishte procedura, për hyrjen e medikamenteve. E mirëprita këtë propozim e i dhashë nomenklaturën tonë të barnave (përgatitur sipas rekomandimeve të OBSh-së). Me ndërhyrjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Nënë Terezës iu dha një nga vilat e ish-udhëheqjes komuniste (prapa kryeministrisë), për ta përdorur si poliambulator, ku mjekët amerikanë, të asistuar nga shumë mjekë të rinj shqiptarë, vizituan dhe u dhanë medikamente gratis me mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës e të rretheve. Në një nga këto ditë, Nënë Tereza erdhi më mori e duke më mbajtur përdore, më prezantoi të gjithë profesorët amerikanë, që punuan nga mëngjesi deri në darkë, për më shumë se një javë. U gëzova shumë dhe për faktin se profesorët amerikanë u asistuan nga mjekë të rinj shqiptarë (ish studentët e mi), që flisnin shumë mirë anglishten dhe që manifestuan formim profesional dinjitoz.
Gjatë vitit 1991 Shqipëria ishte e mbushur me ngjarje intensive dhe Nënë Tereza i përjetoi me përkushtim, duke u përpjekur të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të shumta të trashëguara, por dhe të atyre që i kishte shtuar tranzicioni e egër. Pranë fushës së aeroportit të Tiranës, e dini se Minsitria e Shendetësisë po ngrinte një spital modern? Ndërtesa ishte përfunduar, mjaftonte pak që të fillonin instalimet e pajjisjeve, por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Brenda disa ditëve u vodhën të gjitha (duralumine e hidrosanitare moderne, madje dhe tullat). Pasi e vizituam ndërtesën e spitalit te ardhshëm, Nënë Tereza kërkoi të kontribuonte për rikonstruktimin dhe për të gjetur pajisjet, madje dha idenë, që në personelin e infermierëve të përfshiheshin dhe motrat e misionit, që kishin diploma në infermieri. Kush mund të kundërshtonte këtë propozim ideal. Madje ky lajm u përhap dhe populli filloi ta quante (dhe sot e quan) spitali i Nënë Terezës. Këtij projekti Nënë Tereza i dha përparësi, ndaj organizoi takime të shumta, madje ftoi specialistë të huaj ta shihnin ndërtesën, por kur hyri në mes politika e në plan të parë doli Opus Dei me Universitetin Katolik të Romës, mori drejtim tjetër. Sot është korpusi qendror i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, i koordinuar nga Universiteti Tor Vergata i Romës.
Në gusht të vitit 1992, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Vazhdonte aktivitetet e saj me intensitet, takonte mijëra njerëz të thjeshtë dhe punonte pa pushim për fuqizimin e shtëpive të bamirësisë, që ishin plot me njerëz, të gjitha besimeve fetare, të shtresave të varfra dhe me persona të papërkrahur nga shteti dhe nga shoqëria.
Nënë Tereza ishte e dashuruar me njerëzit. Ishte vetë e para që përkujdesej për të sëmurët, ishte dora saj e butë, që përkëdhelte pleqtë e braktisur, që ushqente të pamundurit dhe lebrosët, u shërbente me një devocion të admirueshëm e mbi imagjinatën tonë, i shëronte të sëmurët me dashurinë, me atë shikim të ëmbël e të qeshur, me përkëdhelje e me përkujdesjen e veçantë, që i u a ka transmetuar, ose më saktë, ua ka ngulitur dhe mbi 4000 motrave të misionit të saj bamirës, që ishte shtrirë në 120 vende të botës.
Dua të theksoj një aspekt të veçantë dhe pse i njohur, madje i dokumentuar dhe me filmime. Nuk ka ekzistuar dhe ekziston në botë mjek, infermier apo person, që të përkëdheli, t’i lajë e ti veshi lebrosët, madje i vizitojnë me doreza e me maska dyfishe. Pjesa më e madhe e shoqërisë i përbuz këta të sëmurë dhe i izolon, por mos harroni se vetëm Nënë Tereza u ka shërbyer me dashuri, i ka përkëdhelur, i ka përqafuar, i ka ushqyer, i ka larë, i ka veshur, i ka ndihmuar të shtrihen në shtrat, u ka lehtësuar dhimbjen, i ka kuruar, u ka dhënë shpresa. Nënë Tereza nuk u sëmur kurrë nga bacili tepër ngjitës i lebrës, përkundrazi shëroi të sëmurë me përkujdesje hyjnore. Kjo është një mrekulli.
Në këtë kohë, rezidenca e Misionit të bamirësisë ishte transferuar ne rrugën e Elbasanit, në vilën e ish kryetarit të bashkisë. Kur them vila, dua të them ndërtesa dy katëshe dhe vila e mobiluar, pasi Nënë Tereza nuk pranonte luksin. Aty nuk kishte mobilie të rënda, nuk kishte qilima, tapete, kolltukë e pasqyra, por vetëm ambiente të thjeshta me tavolina e karrige dhe një pastërti e rregull shembullor, ku punonin pa pushim motrat e ardhura nga të gjitha vendet e botes, si dhe një motër shkodrane. Në dy dhoma te katit te dyte kishte sistemuar dhe gratë e moshuara te marra nga azili dhe tre fëmijë sakatë, që i kishte marrë nga spitali i Shkodrës.
Gjatë tre viteve në Shqipëri, aktiviteti si misionare e krishterë dhe kontributi humanitar i Nënë Terezës, tashmë ishin bërë pjesë e kulturës shqiptare. Jeta dhe vepra e saj ishte inkurajim dhe frymëzim për shumë shqiptarë.
Në muajin gusht 1992, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kongreseve, u organizua një konferencë për nder te Nënë Terezës, ku mori pjesë Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe Nunci Apostolik i Vatikanit I. Dias. Presidenti Berisha i uroi ditëlindjen Nënë Terezës, e përshëndeti dhe e përgëzoi për kontributin si misionare në ripërtëritjen e besimit e të kulturës së krishterë ne Shqipëri dhe për punën vetëmohuese të misionit bamirës, që i kishte hapur dyert për të gjithë nevojtarët, pavarësisht nga përkatësia fetare.
Kur mbaroi aktiviteti, të gjithë e takuan dhe përshëndetën Nënë Terezën, mes tyre dhe disa përfaqësues shoqatash humanitare të huaja (italiane, angleze, gjermane etj), të cilët pas prezantimit, i treguan se kishin ardhur me ndihma për popullin shqiptarë. Fjala e parë e përgjigjes e Nënë Terezës ishte mirënjohja: “falimnerit” (shprehur në dialekt) dhe më pas u tha: “nuk ia zgjidhim problemet popullit shqiptar duke i dhuruar një peshk, sa për të shuar urinë, ne duhet t’i japim mjetet e nevojshme e ta mësojmë të peshkojë vetë e përditë”. Ky ishte mesazhi i Nënë Terezës për gjithë ata, që donin të kontribuonin për atdheun e saj të dashur. Dëshiroj të rikujtoj, se gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Nënë Tereza përshëndeste në shqip: “mirëdita, mirëmbrëma, tunjatjeta (për tungjatjeta), falimneres (për faleminderit), a pret miq” etj.
Gjatë viteve 1991 – 92, në Shqipëri kishin hyrë me qindra misione fetare (ndërtonin kisha, xhami e teqe), shoqata jo fetare, shoqata humanitare (ndanin stoqet e magazinave të botës), organizata joqeveritare (premtonin shumë e nuk bënin pak), struktura qeveritare (bënin politikë) dhe shumë shoqata artistike e kulturore. Të gjithë ishin shprehur për të ndihmuar shqiptarët, por asnjë prej tyre nuk arriti të bëjë atë që kishte bërë Nënë Tereza Bojaxhiu, asnjë prej tyre nuk fitoi besimin e respektin e popullit dhe as famën e Nënë Terezës dhe të misionit të saj bamirës. Për të vlerësuar forcën vepruese e konkretizuese të Nënë Terezës, mençuria popullore shqiptare krijoi një shprehje të veçantë: “Këtë e bën vetëm Nënë Tereza”. Pra populli e identifikonte si forca që bënte të pamundurën, bënte mrekullinë.
Shembulli i jetës dhe i kontributit fetar e bamirës i Nënë Terezës, u be frymëzues e kësisoj në shumë vende të botës filluan të themelohen shoqata me emrin e saj. Në fakt, Nënë Tereza, ka kundërshtuar me insistim përdorimin e emrit te saj nga shoqata e organizata te ndryshme dhe vetëm kur ajo ishte e bindur për rolin humanitar të vërtetë ka pranuar. Në Tiranë, aktorja M. Ljarja kish mbledhur një grup të gjere aktivistesh, që angazhoheshin në veprimtari shoqërore, kulturore e humanitare dhe propozoj, që kjo shoqatë të merrte emrin e Nënë Terezës. M. Ljarja erdhi disa herë e kësisoj u detyrova ta takoja Nënë Terezën dhe t’i lutem ta pranonte këtë propozim. E dha miratimin dhe bekimin, kësisoj dhe në Shqipëri u themelua Shoqata Nënë Tereza.
Me 25 prill të vitit 1993, në ditën e festës të Zonjës të Këshillit të Mirë të shqiptarëve, Papa Gjon Pali i II, vizitoi Shqipërinë. Në të gjitha aktivitet e organizuara gjatë vizitës, Papa Gjon Pali i II e mbajti pranë Nënë Terezën, veprim që nuk e kishte kryer me asnjë figurë tjetër të kishës katolike, as me kryetare shtetesh dhe në asnjë vend tjetër të botës. Ky nderim dhe respekt i Papa Gjon Palit të II, për Nënë Terezën, u bë objekt i një diskutimi me dy miqtë e mi gazetar, Shaban Sinani dhe Naim Zoto, që punonin ne gazetën “Shqip”, një gazetë, e cila për sa kohë funksionoj, ishte më korrekte, më profesionale dhe më me kulture për kohën.
Nga biseda jonë rezultoi një fakt tjetër i çuditshëm. Në pesë vjet, që Nënë Tereza vinte në Shqipëri, asnjë gazetar i shtypit dhe as i televizionit, nuk e kishte intervistuar. Ndonëse duket e pabesueshme, në fakt ishte e vërtetë. Televizioni jepte lajme për disa aktivitete të Nënë Terezës, më pak shkruanin gazetat e mbi te gjitha nuk i kishin kërkuar e nuk ishte botuar asnjë intervistë. Atëherë Shabani më kërkoi t’i propozoja Nënë Terezës, një intervistë për gazetën “Shqip”. Shkova në selinë e misionit në rrugën e Elbasanit dhe takova Nënë Terezën dhe Janette Peteriè. U a tregova qëllimin e vizitës. Nënë Tereza po më vështronte me atë shikimin e butë e miqësor dhe pas një çasti, me tha: “Dakord, po ku i ke gazetarët?”.
Nuk e prisja këtë gatishmëri e përgjigjie të shpejtë, pasi e dija mirë, se kur flitej për aspekte të tilla, që kishin te benin me ekspozimin në shtyp të personalitetit e të veprrimtarise se saj, Nënë Tereza nuk pranonte, madje i ka refu-zuar me rreptësi ndaj ketyre kerkesave. Ashtu si unë dhe shumë persona të tjerë, që kanë jetuar e punuar me Nënë Terezën janë dëshmitar, si i ka refuzuar intervistat dhe me gazetarë të shquar të shtypit botëror.
“Ti sjell nesër, por më thuaj orën kur ke pak kohë të lirë”, i u përgjigjja menjëherë për të mos humbur këtë shans.
“Dakord, ju pres nesër në orën 11.00”, më tha Nënë Tereza.
Ika shpejt e i a komunikova këtë lajm të bukur Shabanit dhe Naimit. Të dy filluan të organizohen për takimin, por dolën disa probleme të vogla e të vështira. Nuk kishin regjistrues të zërit, nuk kishin aparat fotografik. U impenjuam tërë pasditen duke kërkuar. Gjetëm regjistruesin, por ishte pa bateri e do të duhej të përdorej kordoni i karikimit, që ishte i shkurtër. Më së fundi gjetëm pjesë për ta zgjatur. Të nesërmen në mëngjes takuam një djalë kosovar (Xh. Herri, punonte në një shoqatë bamirëse gjermane), i cili na vuri në dispozicion aparatin fotografik, madje na shoqëroi me veturën e tij, se ne nuk kishim makinë. Ai mori dhe dy arka me sapunë tualeti, që ua dhuroi motrave, që sigurisht më shumë vlerësonin këtë lloj dhurate, se sa t’i u çoje një duzinë me torta. Nënë Tereza na priti në dhomën e saj, një mjedis ku mbretëronte thjeshtësia dhe rregulli, një krevat, një tavolinë dhe karriget. Shabani e përgatiti regjistratorin e po bëhej gati t’i bënte pyetjet, kur Nënë Tereza e parapriu: “Unë mendoj të mos bëjmë intervistë, nuk kam asgjë të veçantë për të treguar për veten, unë jam si një pikë uji në oqean. Dëshiroj, që nëpërmjet jush t’i transmetoj një mesazh popullit shqiptar”.
Shabani e priti me entuziazëm këtë propozim e menjëherë ia afroi regjistratorin dhe e ftoi të fliste. Në dhomë pasoi një heshtje e shkurtër e më pas zëri i saj i ëmbël e me tonalitet kumbues, rrodhi lirshëm. Më dukej sikur thirrja e Nënë Terezës u përhap në eter ndër gjithë shqiptaret, që prisnin këshillat e saj te çmuara. Mesazhi ishte i shkurtër, por me argumente për aktualitetin, ishte mësim për të gjithë. Në diskutime publike, në takime dhe në forume ndër-kombëtare, Nënë Tereza kishte thënë disa herë: “kontributi im ka vlera sa një pikë uji në oqean”, çka dëshmonte jo për modestinë e veprës së saj, për humanizmin, përkushtimin e pasionin e veprimtarisë si misionare bamirëse, i tregonte botës se çfarë oqeani me halle duhet të përballojë njerëzimi, për të zgjidhur varfërinë e padrejtësitë shoqërore.
Mesazhi u botua i plotë, me 30 prill 1993, në gazetën “Shqip”, me titull të madh “E doni atdheun duke dashur njeri tjetrin: Mesazh i Nënë Terezës, drejtuar popullit shqiptar ”. Ky mesazh është ribotuar disa herë në gazeta të tjera, andaj nuk do të zgjatem, por dëshiroj të riparaqes vetëm disa pasazhe të shkurtra.
– “Dashuria fillon nga shtëpia, nga familja. Kur njerëzit rrojnë në paqe midis tyre, kur janë të lidhur e mirëkuptohen, kur ushqejnë dashuri për njeri tjetrin dhe Zoti ju do shumë e ju mbron nga të këqijat”.
– “Fryt i dashurisë është mendimi për te bere mire, fryt i bamirësisë dhe i humanizmit, është paqja, ja perse bota
duhet t’i falet dashurisë.”
– “Te falënderojmë Zotin, për fuqinë që u fal shqiptarëve për te dashur dhe ndihmuar njeri tjetrin. Shqipërinë do ta bëjë pajtimi i të gjithë shqiptarëve.
– “Unë lutem përherë për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”. etj, etj.
Pasi përfundoi regjistrimi i mesazhit, bëmë disa fotografi dhe filluam te bisedonim shtruar. Si kuptohet në këto situata rrethi i bisedës ishte i gjerë dhe argumentet të shumta. Nënë Tereza foli për gjendjen në Shqipëri, por dhe për Kosovën. “E dua shumë Shqipërinë, prandaj vij shpesh bashkë me motrat e mia, që percjellin dashuri dhe kujdes ne te varferit. Kam shume dhimbje ne zemer, kur shoh vuajtjejet e popullit kosovar.”
Ndërkohe që po bisedonim, hyri një nga motrat e i tha se kishte ardhur V. B (shefi i protokollit i nje institucioni), i cili kerkonte me insistim ta takonte Nënë Terezën. Ne menduam se tani do të mbyllej me kaq takimi, por ndodhi e papritura. Nënë Tereza i tha prerë: “I thuaj se jam në takim me miqt e mi. Nëse i kanë thënë të më takojë, duhej të më telefononte më pare, që dhe une të programoja kohën. Nëse nuk ka nxitim të presë, ose të vijë një ditë tjetër”.
Po të kish qenë dikush tjetër, do të na kishte përzënë menjëherë, por Nënë Tereza ishte nga ata burrnesha, që respektonte dinjitetin e njerëzve te thjeshte e nuk bënte diferencime e as nuk krijonte privilegje në raporte shoqërore dhe zyrtare. Biseda jonë vazhdoi dhe rreth një orë e kur dolëm Janette Petriè, që na shoqëroi tha “kështu është zakoni i juaj, ta shoqërojmë mikun deri te porta”. Pra ne ishim miqtë e Nënë Terezës.
Mesazhi i Nënë Terezës u prit shumë mirë nga populli, që e admironte, e dëgjonte dhe respektonte fjalën e saj të mençur, ndërsa politika mbajti qëndrim indiferent. Asnjë nga gazetat e tjera nuk reagoj, përkundrazi vazhdonin t’i mbushnin faqet me kronikat e politikës së egër. Ishte koha kur Shqipëria grindej me veten. Tranzicioni po hynte në fazën e egërsimit. Askush nuk dëgjonte zërin e arsyes, as mesazhin e Nënë Terezës. Situata dominohej nga përballje forcash, ne luftë të egër për pushtet e askush nuk shihte nga populli. Duke reflektuar për këtë mesazh, mendova se këshillat e Nënë Terezës, do te ndikonin të zbutej sadopak polemika dhe të vështronin më shumë për unitetin kombëtar e zhvillimin e ekonomik të vendit të rrënuar, por nuk ndodhi kësisoj. Rikujtova luftën në Liban në 1975, kur OKB dhe diplomacia ndërkombëtare nuk arriti të ndalonte luftimet, qe shkaktuan mijëra viktima ne popullatën civile, ndërsa ndërhyrja e fuqishme e Nënë Terezës, me mesazhin dërguar dy forcave ndërluftuese, u dëgjua e u respektua nga të dy palët ne armiqësi, që i ndërprenë luftimet dhe bënë armëpushim. Kjo nuk ndodhi ne Shqipëri.
Në nëntor të vitit 1993 unë ika në Itali. Largimi nga Shqipëria, ishte vendimi më i vështirë e më i dhimbshëm në jetën time, por i detyruar. Në këtë kohë, shume kolegë e “miq”, morën detyra e poste të rëndësishme, por kur kishin para kërkesën time për punë, refuzuan sepse nuk mund të dilnin kundër “partisë”, kundër “zërit të masës” dhe vendimit të agjentëve të sigurimit komunist, që kishin ndërruar flamurin. Kishte të drejtë Volteri: “Zot me ruaj nga miqtë, se ruhem vetë nga armiqtë”. Prita shumë dhe gjatë, por nuk gjeta zgjidhje, madje ata që i kisha ndihmuar e përkrahur më harruan e më braktisën shpejt. Në Itali arrita ta gjej veten, fitova konkursin zyrtar për të punuar ne Institutin e Anatomisë Patologjike të Universitetit të Sienës. Një ditë shtatori të viti 1994, pata një telefonate, që më solli gëzim të veçantë. Ishte Janette Petriè, fliste nga Roma, ku ndodhej bashkë me Nënë Terezën dhe me ftonin të shkoja t’i takoja, pasi te nesërmen do të niseshin për në SHBA. I premtova se do të shkoja, por harrova se atë ditë ishte greva e përgjithshme e trenave dhe e autobusëve. Unë nuk kisha makinë. Pas shumë përpjekjesh Genci (im bir) takoi shokun e tij Ruzhdi Çeliku, i cili më çoi në Romë me makinën e tij. Kisha një ndjenjë gëzimi të rrallë për këtë takim, sidomos më gëzonte fakti se Nënë Tereza nuk më kishte harruar, më kishte kërkuar në Tiranë e me gjeti dhe në Itali. Ky respekt i Nënë Terezës me ripërtëriu e më dha forca.
Kur mbërritëm në Rome, na doli një problem tjetër. Nuk mbylleshin dyert e makinës, kështu Ruzhdiu bëri dhe një sakrificë tjetër, u detyrua të më presë në makinë. Shkova në Vatikan, në adresën që me kishte dhënë Xheni dhe u takova me Nënë Terezën. Kësaj radhe, dukesh e lodhur e pak e hequr, por plot vitalitet e dinamizëm si gjithmonë. Më rrëfeu se nuk ndihej mirë me shëndet dhe se merrte mjekim. Po të mos me kishte treguar, sinqerisht ju them, nuk do ta besoja. Ndenjëm deri vonë duke biseduar. Më tregoi se kishte shkuar në shtëpinë time e kishte folur me Dritën e ajo i kishte treguar ku ndodhesha dhe i kishte dhënë numrin e telefonit në Siena. Në darkë vonë i kërkova leje të largohesha. U përqafuam me shumë dashuri e mall. Më përshëndeti e ma përsëriti disa herë “Zoti të bekoftë biri im”. U mallëngjeva shumë. Ishte takimi dhe përqafimi i fundit. Nuk do të takoheshim më, por disa herë folëm në telefon gjatë kohës që ndodhej në SHBA.
Në se bëjmë një retrospektivë të veprës të Nënë Terezës, gjithkush e kupton, se ajo ka bërë për njerëzimin, për njerëzit e thjeshtë e të vuajtur në 121 shtete te botës, më shumë se të gjithë shenjtorët e tjerë, ka bërë jo një mrekulli, por shumë mrekulli, nga ato që do ta kishin zili të gjithë shenjtorët. Vepra e Nënë Terezës është: besim me zemër, dashuri për njerëzit që vuajnë, shpresa dhe bamirësi hyjnore. Nënë Tereza mbetet përjetë misionare katolike, misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, “Nëna e dashurisë”, simbol i mëshirës dhe i solidarietetit për mbarë botën dhe personifikim i dashurisë për njeriun e vuajtur.
Dëshiroj t’i mbyll këto kujtime modeste me vlerësimet e disa personaliteteve për Nënë Terezën:
Papa Gjon Pali II: “Nëna Tereza, është shembulli i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit”;
Bill Clinton: “Vigane e shekullit tonë”;
Sali Berisha: “Bija më e shquar e kombit tonë”;
Ismail Kadare: “Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa të”;
Zhak Shirak: “Sot botës i mungon nëna”;
Tony Blair: “Shpirti i saj do të rrojë si inspirim për të gjithë ne”;
Dr. don Shan Zefi: “Shenjtore e ditëve tona”;
Dr. don Lush Gjergji: “Ajo ishte dashuria në vepër”;
Atë Zef Pëllumbi: “Nena e shekullit, që i bindi me dashuri njerëzit të besojnë Zotin”;
Imzot Mark Sopi: “Do të mbetet në kujtim të përhershëm, deri sa të ekzistojë njerëzimi”;
Imzot Rrok Mirdita: “Nëna Tereza ishte princesha e dashurisë”;
Sabri Koçi (kryetar i Komunitetit Islamik shqiptar): “Vdekja më e rëndë për kombin tonë”.
Bekim Fehmiu: “Pas Skënderbeut u largua edhe Nëna Tereza”.