Albspirit

Media/News/Publishing

Akademik Rexhep Ismajli: I MADHI I TRADITËS ALBANOLOGJIKE GJERMANE

Sapo mora kumtin e papritur: ka ndërruar jetë Wilfried Fiedler! Ende nuk i di rrethanat, supozoj se do të ketë ndodhur në Berlin, ku ishte kthyer të jetonte qysh prej këtij viti albanologu i racës, një nga të mëdhenjtë e historisë së kësaj shkence. Jo më larg se në qershor të këtij viti, derisa po bënim përurimin e veprës së tij të madhe Vergleichende Grammatik der Balkansprachen (Gramatikë e krahasuar e gjuhëve të Ballkanit) në mjediset e institutit ballkanistik të Akademisë Austriake të Shkencave të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ende i gjallë dhe me mendje shumë të kthjellët po më fliste për va­zh­dimin e punës së madhe për këtë gramatikë, e që ishte vëllimi II për sistemin emëror. Në planet e tij dhe në parashikimet tona në Akademi vepra do të kryhej në dy vitet në vijim dhe do të botohej sërish tek ASHAK-u, ku kishte qenë shumë i kënaqur me botimet e mëparme. Ne sapo bëheshim gati ta ftonim si të veçantë në Konferencën ndërkombëtare për studimet albanistike në Itali, që do të mbahet në tetor, dhe të përfitonim nga ai rast për të parë realizimet e deritashme të kësaj pune. E kam njohur qysh nga vitit 1972 dhe gjatë tërë kësaj kohe kemi pasur kënaqësinë të bashkëpunonim. Më kujtohen diskutimet e gjata në Prishtinë lidhur me gramatikën e gjuhës shqipe, që vazhdonin çdo verë vite me radhë, diskutimet për aspektet më të ndry­shme të albanologjisë në gjithë këto gati 5 dekada.

Me rezultatet e punës së tij shumë të frytshme, me intensitetin dhe qëndrueshmërinë e preokupi­meve albanistike, me për­­­­qendrimet në studimin e strukturës së shqipes së sotme, me ndihmesat për njo­h­­­jen e kul­turës dhe të letërsisë shqiptare në botën gjer­mane, me fjalorët shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip, me Gramatikën e madhe dhe risim­ta­re në shumë aspekte, me mësimdhënien e frytshme të shqipes për gjer­manët, profesor dr. Wil­fried Fiedler hyn në radhën e të mëdhenjve të alba­nologjisë gjer­manisht­folëse, siç janë J. G. von Hahn, G. Meyer, N. Jokl, M. Lambertz, etj.

I lindur më 1933 në Oberfrohna të rrethit Chemnitz (Kemnic), pas mbarimit të studimeve për slla­vistikë në Universitetin e Berlinit, Wilfried Fiedler nisi të punonte si asistent shkencor në Aka­deminë e Shken­­cave të Berlinit. Mësoi shqip pasi ishte ftuar të bashkë­punonte për studimin e kën­gëve çame, për të mos u ndarë më asnjëherë nga albanologjia. Nga 1959 më­simdhënës i gjuhës shqipe në Uni­versitetin Humboldt të Berlinit ndërsa nga 1968 në Institutin Qendror për Gjuhësi të Akademisë së Shkencave të Repu­blikës Demokratike Gjermane, ku bashkë me Oda Buch­cholz udhëhiqnin grupin për studimet ballka­nistike. Pas rënies së Murit të Berlinit nisi mësimdhënien bashkë me Mar­tin Camajn në Universitetin e Mynihut, ku qëndroi si profesor titullar deri sa u pensionua më 1998. Pas pensionimit ai u ftua si profesor të mban­te më­sime të shqipes në Institutin e Studimeve të Europës Juglindore në Universitetin Friedrich Schiller të Jenës. Më 1991 pro­fe­sor dr. Wilfried Fiedler u zgjodh anëtar i jashtëm i Akade­misë së Shken­ca­ve dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 2006 anëtar i jashtëm i Akade­misë së Shkencave të Shqi­përisë. Në botën shqiptare W. Fiedler ësh­të i pra­ni­shëm qysh nga viti 1955 në Shqipëri, pastaj kryesisht si pjesëma­rrës në ve­p­rimtari shkencore herë pas here në Tiranë, ndërsa me rre­gull në Prishtinë qysh nga vi­tet ’70, pjesë­ma­rrës shumë ak­tiv i Seminarit Ndër­kom­­bëtar të Gjuhës, Le­tër­sisë dhe Kulturës Shqiptare dhe i të gjitha vep­rim­tarive albanologjike aty. AShAK është botuesi i tri veprave ma­dho­re të W. Fiedler-it gjer­ma­nisht (Das albanische Ver­balsys­tem in der Sprache des Gjon Bu­zuku (1555), 2004, ff. 812 dhe Die Pluralbildung im Al­banischen, 2007, ff. 510 dhe Grammatik der Balkansprachen, 2018, ff. 826 ff).

Përveç studimeve të veçanta të botuara nëpër organet shkencore, puna që e bëri shumë të njohur stu­diuesin Fiedler është vepra e përbashkët me Oda Buchholz-in Al­banische Grammatik, Berlin, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqi­pes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në struk­turën mor­­fologjike dhe në fushën sintaksore. Pjesën për morfologjinë në këtë gra­matikë, pra edhe atë për foljet, e karakterizon tendenca për të qenë shte­ruese sa u përket formave. Në anën tjetër, bie në sy qëndrimi risimtar në ra­port me gramatologjinë për shqipen në shumë aspekte të shqyrtimit të çështjeve morfologjike, sidomos në sistemin e foljeve. Në fushën e sintak­sës kjo Gramatikë është gjithsesi e para për shumë aspekte të vështrimit. Kjo gramatikë sot konsiderohet ndër veprat bazë të gramatologjisë shqip­ta­re në përgjithësi.

Libri i W. Fiedler-it Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku (1555) – Sistemi foljor i shqipes në gjuhën e Gjon Buzukut (1555) ësh­të mo­nografi gjithëpërfshirëse. Si në asnjë të ngjashëm në tërë albanologjinë, në të janë shqyrtuar në më­nyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar “Meshari “(1555). Monografia e Wilfried Fiedler për foljet në veprën e Buzukut (1555) pas­qyron shkallën më të lartë të njohjeve për këto çështje në fushën e alba­nologjisë. Me këtë vepër begatohet ndjeshëm buzukologjia dhe studimi i sistemit foljor të shqipes në tërësi.

Më 2006 patëm nderin të bashkëpunonim me profesor Fiedler-in rreth botimit të veprës më frymë­gjatë të jetës së tij – Die Pluralbildung im Albanischen, që paraqet versionin e ripunuar të disertacionit të tij të dokto­ratës, e që në fakt është përshkrimi dhe studimi më i plotë i shumësit në gju­­hën shqipe dhe ndër më të rëndësishmit për studimet gramatikore në tërësi. Ky studim i gjerë, sistematik e i gjithanshëm, për botimin në ASHAK, u shoqërua me mbi 70 harta dialektologjike për tërë ha­pë­sirën shqipfolëse në Ballkan.

Studimet e profesor Fiedler-it për as­pektet tipologjike të shqi­pes duan vlerësuar sidomos, sepse ato lidhen drejt­për­sëdrejti me fushën tjetër të rëndësishme për hulumtimet e tij, e që është ball­kanistika.

Përmes diskutimeve të prajshme ai krijon premisën se shqipja është gjuha ‘vendimtare’ ballkanike, sepse në shqipen tiparet shenjuese karakteristike shfaqen më së qarti. Brenda tipareve të atilla karakte­ristike për Ballkanin tiparet shënjuese në shqipen duhet të jenë më të shpeshtë dhe/ ose do të shfaqin shkallë më të lartë morfologjizimi sesa përkatëset në gjuhët fqinje. Vëllimi I që kemi në dorë i veprës “Gramatikë e kra­hasuar e gjuhëve të Ballkanit” zhvillon tezën e Fiedlerit sipas vështrimeve në sistemin foljor. Një vëllim II do të merret me shfaqjet në sistemin emëror, për të vijuar më tej në konceptimin e tërësishëm, që përfshin dhe çështjet e fonetikës e të fonologjisë e të fjalëformimit, të cilat këtu janë lënë anash. Me shqyrtimet e gjithanshme në bazë të materialeve nga të gjitha gjuhët e Ballkanit, nga dialektet më të ndryshme, me begatinë e madhe, kjo vepër do të jetë për shumë kohë ndër më të rëndësishmet për ballkanistikën.

Profesor Fiedler ka në dorëshkrim dhe një Hyrje në studimet alba­no­­logjike, që mund të gjendet në internet dhe që pret ndonjë botim klasik. Me studimet e tij frymë­gjatë, me gjerësinë e jashtëza­konshme të njoh­­­­jeve gjuhësore – nga gjuhët gjermanike tek sllavet e baltiket, tek ro­ma­net e greqishtja e hungarishtja, me thellimin në hulumtimin e fenome­neve, me këmbënguljen e pa­shem­bullt në respektimin e realieve gjuhësore dhe të detajit në për­gjithësi, ai ia ka dalë të na japë një sërë studimesh të dorës së parë, qëndruesh­mëria e të cilave nuk zbehet. Do vënë në pah qysh tash se në tërë këtë gamë të gjerë interesash e njohjesh, stu­dimet për gjuhën shqipe zënë gjithsesi kryet e vendit në interesimet e thelluara të profesor Fiedler-it. Du­ke e parë gju­hën shqipe në një kuadër më të gjerë, në një anë hapësinor ball­kanik, në anën tjetër ti­pologjik, ai na ka sjellë dhe vijon të na i begatojë di­jet dhe horizontet me njohje optimalisht të verifi­kuara deri në detajet më të vogla dhe gjerë­sisht të vendosura në një tablo më të gjerë të studi­meve për gjuhët moderne të Europës. Profesor Fiedler, vetë studiues i thelluar, shqu­het dhe me tiparin fisnik të bashkë­punuesit të zellshëm me të tjerët në këtë punë: hulumtimet e tij për botën shqiptare kanë nisur me një bashkë­pu­nim të veçantë me studiuesit e folk­lorit muzikor Doris dhe Erich Stock­mann në fushën e muzikës po­pullore çame, për të vijuar me O. Buch­cholz në studimet në fushën e gramatikës së shqipes, në për­kthimet e le­tërsisë shqipe në gjuhën gjer­mane, në Wörterbuch Albanisch-Deutsch, G. Uhlisch; Albanische Grammatik, me dr. A. Klosin në Wör­ter­buch Deutsch-Albanisch, me profesor  N. Boretzkyn, dhe sido­mos në fushën e mësim­dhënies së shqipes i njohur ndër shumicën e alba­no­logëve të sotëm gjermanë.

Profesor Fiedler njihet po ashtu si përk­thyes i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane sidomos me Gje­neralin e ush­trisë së vdekur dhe me Novelat e I. Kadaresë, me Palimpsestin e M. Ca­majt, Tregimet shqiptare dhe Antologjinë e poezisë shqipe të Kosovës, ash­tu si me përkthime gjermanisht nga gjuhë të tjera sllave, baltike e hunga­reze.

Vdekja e dijetarit të madh të albanologjisë-ballkanologjisë profesor dr. Wilfried Fiedler është një humbje e madhe për studimet në këto fusha, për ndërmjetësimet dhe bashkëpunimin midis kulturave të popujve tanë, për albanologjinë në përgjithësi dhe për shkencën gjermane. Për ne është një humbje e pa­kom­pensueshme e një miku të madh të gjuhës, të kulturës dhe të popullit shqiptar. Akademia e Shken­cave dhe e Arteve e Kosovës humbi një nga autorët e saj më të çmuar.

U prehtë në paqe! Dritë pastë shpirti i tij!

Please follow and like us: