Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Nako: Bamirësi dhe shfaqje bamirësie

Image result for bamiresia

Bamirësia, shqetësimi për tjetrin, solidariteti, dinjiteti janë disa nga cilësitë njerëzore të cilat kanë rregullat e tyre të brendshme dhe ndryshojnë nga njëra-tjetra. Pavarësisht se të gjitha kanë mirësinë njerëzore si komponent përbërës.
Shqetësimi dhe solidariteti si virtute njerëzore kanë të përbashkët faktin se i drejtohen gjithkujt të afërt apo të njohur, apo të së njëjtës përkatësi. Të dyja karakterizohen nga reciprociteti sepse veprimet kalojnë në të dy drejtimet. Kurse bamirësia e cila po ashtu ka në qendër të saj mirësinë njerëzore, i drejtohet gjithkujt, pa dallim dhe pa e njohur. Akti kryhet, por ai që e kryen, nuk pret të njëjtën gjë. Pra nuk ka reciprocitet. Përveç këtyre, në rastin e bamirësisë krijone raporte edhe me dinjitetin. Ai që ofron aktin, është i ndërgjegjshëm për mundësinë e prekjes së dinjitetit të përfituesit. Sepse ky i fundi nuk e garanton dot reciprocitetin. Për këtë arsye akti mbetet anonim dhe konfidencial. Të gjitha këto virtute njerëzore të përditshme janë shprehje të moralit shoqëror. Pra kanë një karakter njerëzor.
A futet në të njëtjën kategori edhe bamirësia e shfaqur në ekranet e televizionit? Ajo që aktualisht kryhet në formën e një shfaqjeje televizive në vendin tonë, nuk është bamirësi. Më shumë se akt bamirësie, ajo duket si një shfaqje telerealiteti. Kurrësesi bamirësi. Qënie të pafata, të dëshpëruara, të paafta për një arsye ose tjetër, paraqiten pa mëshirë para ekraneve duke qarë për fatin e tyre të zi. Dhe duke lypur ndihmë. Po ashtu, më pas të lumtur, përsëri para kamerava, por me dinjitet të shkelur. E ashtuquajtura bamirësi i ka kthyer ata në instrumenta që përdoren në shërbim projektesh afatgjatë të financuara diku. Bamirësia është virtut njerëzor dhe buron nga brenda qënies njerëzore, si e tillë ajo kryhet dhe kaq. Për çfarë arsye vihet tellalli që të gjithë ta marrin vesh sesi dikush po bën akte bamirësie? Sa individë mund të kryejnë akte të tilla çdo ditë dhe askush nuk e di? Bamirësia si virtut njerëzor është çështje ndërmjet atij që ofron dhe atij që përfiton. Jo e ekranit televiziv.

Please follow and like us: