Bardhyl Berberi: Politikanë të pabesueshëm dhe duan të jenë të përjetshëm
Politika është çështje besueshmërie. Njerezit ua besojne disa partive apo individëve që janë në krye të tyre. Ka një numër të caktuar të njerëzve që qeverisin apo udhëheqin pushtetin, Dhe kur këta të fundit e humbin besimin duhet braktisur pushtetin, por jo edhe shtetin, pra këta vetëm se duhet të përshëndeten me pushtetin dhe politikën. Kështuqë askush nuk ka të drejtë që këta t’i dëbojë nga shteti edhe po u humb besueshmëria. Por nga pushteti secili individ mund ta kërkoj largimin e një politikani apo të një grupi të caktuar njerëzish të angazhuar në politikë sepse këta pastaj janë pengesë për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë dhe shtetit.
Prandaj në periudha të caktuara kohore është mirë për shëndetin e demokracisë dhe të politikës së një shteti që të bëhet ndryshimi i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në fundvitet e tetëdhjetës të shekullit të kaluar në Gjermani në pushtet ishte partia politike Unioni Krishter Demokrat apo e njohur me shkurtesën CDU. Ndërsa qeverinë në atë kohë e udhëhiqte Kancelari gjerman Helmut Kol.
Ky njeri, për një periudhë të caktuar, e udhëhoqi shumë mirë pushtetin dhe me zotësinë aftësitë dhe veprimet e tij e përparoi dukshëm kombin dhe shtetin gjerman gatise në të gjitha sferat. Për Helmut Kolin mund të thuhet se ky e bëri edhe historinë në Gjermani, këtë ky e bëri me aktin e bashkimit territorial dhe kombëtar të dy Gjermanive të ndara në dysh pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte një vepër madhështore kombëtare e bërë atëherë që ia rriti famën jo vetëmse Kancelarit të atëhershëm gjerman, por dhe Qeverisë së tij.
Por ajo që është shumë me rëndësi Kol nuk e mori guximin që vetëm për vete ta përvetësojë këtë vepër madhështore dhe meritat t’ia përshkruaj vetëmse vetes. Por Kol tha se kjo është vepër e çdo qytetari gjerman. Pra edhe ky mund të thoshte ‘O popull, ja unë e bëra bashkimin dhe tani unë do të duhet të udhëheq me ju deri në frymëmarrjen e fundit timen’. Por meqë ishte njeri i ngritur moralisht dhe i edukuar në frymën gjermane ky nuk e bëri këtë, por thjesht tha ‘bashkimin e bëmë të gjithë ne si gjermanë’. Dhe a e dini se pse Kol nuk e tha këtë se ky nuk ishte ballkanas që të mundohet t’i përvetësojë vetëm për vete të bërat dhe të pabërat, por ishte gjerman që konsideronte se e ka për borxh t’i ndihmojë popullit të vet që të bashkohet. Por Kol, menjëherë pas kësaj vepre madhështore, bëri një veprim të pahijshëm dhe të shëmtuar, pra bëri keqpërdorimin në mënyrë të kundërligjshme të disa fondeve shtetërore dhe atë për financimin e fushatës parazgjedhore të Partisë së tij CDU.
Dhe çfarë ndodhi pas kësaj? Ky menjëherë e humbi postin politik apo më sakt e humbi besueshmërinë te populli gjerman dhe u desh të tërhiqet nga politika. Për ata që nuk e dinë Kol bëri keqpërdorimin e gjithsej vetëmse pesqindmijë markave të atëhershme gjermane që për Gjermaninë në aspektin ekonomik nuk ishte ndonjë shumë e madhe apo nuk mund të ishte ndonjë humbje e madhe financiare. Por ajo që e humbi populli gjerman te Helmut Koli dhe Qeveria e tij ishte besimi dhe Kol pas kësaj u pajtua që t’i humb të gjitha postet politike dhe shtetërore dhe u tërhoq tërësisht nga jeta politike. Dhe prej këtij akti nuk ndodhi asgjë tragjike në Gjermani, nuk u shemb shteti e as nuk u rrënua shoqëria gjermane, por as nuk vdiq populli gjerman, përpos që u bë ndryshimi që ishte një akt i pritshëm dhe shumë i arsyeshëm e i domosdoshëm sepse në Gjermani nuk logjikohet dhe nuk veprohet me emocione por me arsye.
Madhështia e Helmut Kolit ishte se e pranoi gabimin apo fajin dhe dha dorëheqje të parevokueshme dhe pa ndonjë zhurmë të madhe iku nga politika. Askush në Gjermani nuk e vajtoi njeriun që e bëri hapin më të madh historik dhe i bashkoi kombin dhe shtetin, Kjo pra ishte vepra e dytë më e madhe pas të parës që e kishte bërë Bismarku, një shekull më parë, duke i bashkuar principatat e ndara të shtetit të atëhershëm Prusisë apo teritorit që më vonë u quajt Gjermani. Pra, Helmut Koli mund të quhet Bismarku i dytë që bëri shumë për kombin e tij dhe tha ‘Lamtumirë se shkova’. meqë ky e humbi më besimin apo legjitimitetin që ta udhëheq politikën e parties, por edhe politikën e shtetit të tij. Ndërsa populli gjerman e gjeti menjëher zëvendësimin për të.
Pse ndodhi kjo? Sepse popujt e mëdhej kanë krijuar kuadro të mjaftueshme të afta dhe të përgatitura për ta vazhduar zhvillimin dhe përparimin e shtetit. Por kjo nuk është karakteristikë e popujve të Ballkanit. Elitat politike këtu, kur e humbin besueshmërinë apo edhe përkrahjen, nuk tërhiqen asnjëher nga politika e as nga pushteti me pretendimet se po shkuan ata s’ka më kush e udhëheq popullin dhe se ky do të vdes po të mos jenë këta në politikë. Paramendoni se çfarë arsyetimi absurd japin politikanët më të dështuar ballkanikë për vetveten poqese këta duhet të tërhiqen nga politika dhe pushteti. Këtë e përdorin edhe politikanët shqiptarë këtu dhe gjetiu nëpër trojet shqiptare. Nuk e di a ju kujtohet se ne në sistemin e kaluar kishim vetëm një apo dy politikanë shqiptarë në institucione shteti dhe shumë pak njerëz të shkolluar në shoqëri dhe arritëm të mbetemi gjallë si komb e tani me më shumë parti e tre universitete paramendoni ne do të vdesim nëse dikush duhet të tërhiqet nga politika.
Njerëzit nuk vdesin kur u vdesin prindërit që janë shtyllat e shtëpisë dhe jetëve të fëmijëve të tyre e lëre më kur duhet të tërhiqen nga politika njerëz apo struktura që janë të domosdoshme të tërhiqen sepse e kanë humbur besimin apo me fjalorin politiko-juridik e kanë humbur legjitimitetin që në jetën e përditshme njihet si humbje e përkrahjes. Prandaj edhe njëherë dua t`u rikujtoj se politika është çështje besueshmërie, po u humb kjo humbet edhe arsyetimi dhe domosdoshmëria e të ndenjurit në politikë të një individi apo edhe të strukturave të caktuara politike. Populli ka një shprehje “politikanët janë si penelat e fëmijëve, po qëndruan shumë gjatë pa u ndërruar ju vjen era e keqe”. Politikanët tanë janë jo vetëm të pabesueshëm për bëmat e tyre, por kur lidhen pas karrikes e privatizojnë atë sikur të jenë të përjetëshëm mbi atë karrike.