Mimoza Koka: Bertolt Brecht dhe indiferenca qytetare
Mimoza Koka
Një nga problemet që diskutohet më shumë aktualisht është emigrimi i të rinjve, të cilët kërkojnë të ndërtojnë aspiratat dhe jetën e tyre jashtë vendit. Tipari kryesor i këtij emigrimi është fakti se nga vendi po ikin të rinjtë e shkolluar dhe intelektualët. Duket që secili kërkon të ndërtojë jetën e tij, pa u preokupuar se ҫfarë ndodh me shoqërinë. Kuptohet, është e drejta e secilit ta ndërtojë jetën ku dëshiron, por është dhe detyrë e shoqërisë të ndërtojë mekanizmat e duhur në mënyrë që të mos dëmtohet kohezioni social i shoqërisë.
Në kushtet aktuale të zhvillimit të shoqërisë si dhe të teknologjisë e informacionit, ka pak gjasa që shoqëria të rrëshqasë në diktaturë. Por, në kushtet kur opozita është krejtësisht jashtë institucioneve, kur pjesa më intelektuale e shoqërisë e shikon zgjidhjen jashtë dhe e ndërton jetën e vet pavarësisht se ҫ’ndodh me shoqërinë, në kushtet e një korrupsioni galopant, ekziston mundësia që shoqëria të rrëshqasë në një autokraci.
Le të shohim shembullin e Turqisë. Në sundimin e Erdoganit ka humbur shumë nga vlerat dhe arritjet e realizuara që nga lëvizja e Ataturkut. Meqenëse më pëlqen t’u referohem mesazheve që na jep letërsia, do të sjell këtu disa shembuj, në të cilat shkrimtari Bertolt Brecht thekson se sa e dëmshme është për shoqërinë indiferenca e anëtarëve të saj.
Personalisht, më ka bërë gjithmonë përshtypje fakti që nazistët manipuluan një popull me kulturë si gjermanët, të cilët kishin nxjerrë filozofë, shkrimtarë, poetë dhe kompozitorë me aq emër. Pas Luftës së Dytë Botërore shumë shkrimtarë, kryesisht gjermanë, e trajtuan këtë çështje nga këndvështrime të ndryshme, por gjithmonë duke evidentuar një problem, faktin që shoqëria gjermane nuk reagoi në kohë dhe që bashkëpunoi me të keqen.
Shkrimtari Bertolt Brecht (1898 – 1956) ka shkruar një tregim, thelbi i të cilit është ky: I zoti i një shtëpie vuri re që disa njerëz erdhën dhe morën në një nga shtëpitë e lagjes së tij një njeri, i cili nuk u kthye më. Ai mbylli derën e tij dhe bëri sikur nuk pa e nuk dëgjoi gjë. Pas disa ditësh, ata erdhën dhe morën një tjetër. Më pas erdhën dhe morën një tjetër dhe një tjetër dhe një tjetër. Sa herë që merrej një njeri, personi në fjalë mbyllte derën e shtëpisë dhe bënte sikur nuk kishte parë dhe dëgjuar gjë. S’kaloi shumë kohë dhe ata erdhën e trokitën në shtëpi të tij për ta marrë. Sapo hapi portën, njeriu që s’kishte parë dhe dëgjuar gjë, bëri të thërriste fort për të kërkuar ndihmë nga njerëzit, por befas vuri re me tmerr se në lagjen e tij, nuk kishte më njeri. Të gjithë ishin marrë. Ai nuk kishte se ku të kërkonte ndihmë…
Në tërësinë e veprave të tij spikat drama “Arturo Ui”, që paraqet ngritjen e një mafiozi imagjinar të Çikagos në vitin 1930. Gjithashtu, ajo paraqet dhe përpjekjet e tij për të kontrolluar trustin e lulelakrës duke goditur pa mëshirë kundërshtarët e tij. Drama është një alegori e përkryer e ngjitjes në pushtet të Adolf Hitlerit dhe partisë naziste në Gjermani përpara Luftës së Dytë Botërore. Në fund të dramës autori bën paralajmërimin: “Kujdes, barku që e polli fashizmin nuk është shterpëzuar ende”.
Në vijim janë katër rreshta të këtij autori, shkruar në vitin 1941, që shprehin tërë dhimbjen për jetën e humbur, por dhe akuzën për shoqërinë që lejoi që kjo të ndodhte.
Epitaf nga lufta e Hitlerit
Baba, më le të shkoja ushtar!
Ti, nënë, të më fshehësh si harrove?
Vëlla, këshillën nuk ma dhe të mbarë!
Ti, motër, pse, oh, pse s’më zgjove?