Ndriçim Kulla: Roli i SHBA në Ballkanin Perëndimor
Ndriçim Kulla
Kur flasim për rolin e SHBA në Ballkanin Perëndimor, duhet nisur me një saktësim. Do të ishte një padrejtësit e madhe ndaj SHBA, nëse nuk do të kihet parasysh se roli në radhë të parë paqësues, stabilizues, si dhe aspektet e tjera të angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, është vetëm një fazë e ushtrimit me sukses të këtij roli në pjesën tjetër të Ballkanit, që kryesisht për meritën e SHBA e ka kaluar më parë këtë process konstruktiv. Roli i SHBA ka qenë i domosdoshëm sa i përket kufizimit të problemit ballkanik në pjesën përëndimore të gadishullit problematik për Europën. Historia e kufizimit në hapësirë dhe në kohë të problemit ballkanik në pjesën perëndimore të gadishullit, ndonëse është një histori dështimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, është një histori suksesi për SHBA dhe më pak për Europën.
Nëse pjesa më e madhe Ballkanit sot është pjesë e Bashkimin Europian, dhe me këtë ka shpëtuar nga damka “Ballkan”, kjo i detyrohet në rolit amerikan për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Bullgaria, një vend ballkanik që sot është anëtar i BE-së, mund të ishte përzier lehtësisht në konflikte historike në kufijtë e tij, dhe të kishte mbetur jashtë portave të BE-së, nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja e vendosur amerikane që e përmbajti atë. Bullgaria do të kishte hyrë në konfliktin për FYROM-in sot Maqedonia e Veriut, me të cilën Bullgaria ende ka marrëdhënie të paqarta. Një provë për këtë është se edhe në ditët tona Sofja zyrtare i kërkon Shkupit zyrtar të heqë dotë nga përdorimi i figurave historike bullgare që për Maqedoninë e Veriut përbëjnë figura historike të saj. Jo të pakta janë edhe konfliktet historike që ka trashëguar Rumania dhe ku mund të ishte përzier gjithashtu, me pasojën që vendi do të kishte mbetur jashtë BE-së, nëse nuk do të kishte qenë për ndikimin amerikan që e tërhoqi në hapësirën euro-atlantike të stabilitetit. Bullgaria dhe Rumania, së bashku përbëjnë si territor dhe si popullsi një entitet më të madh se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrë së bashku.
Por edhe Greqia, vendi që i shpëtoi më parë damkës ballkanike, meqënëse u anëtarësua në BE që në fillim të viteve tetëdhjetë, do të kishte vuajtur kthime pas në të shkuarën konfliktuale, nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja amerikane që mëse njëherë ndaloi shkallëzimin deri në luftë të përplasjeve të Greqisë me Turqinë në Egje dhe Qipro, në periudhën e pas Luftës së Ftohtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Qipron që sot është vend anëtar i BE-së. Pa rolin e Amerikës, do të kishim pra Ballkanin e tërë problematik, të padiferencuar për mirë nga Ballkani Perëndimor.
Kur flasim për “Ballkanin Perëndimor”, kemi të bëjmë me një përcaktim në hapësirë, por edhe në kohë. Në hapësirë sepse kemi të bëjmë me një term gjeografik, në kohë sepse ky term është shfaqur në një kohë të caktuar, me konotacionin gjeopolitik që ka sot.
Në pikëpamjen gjeografike, Ballkani Perëndimor sot përbëhet nga gjashtë vendet e Ballkanit që kanë mbetur jashtë Bashkimit Europian dhe që janë Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Të gjitha këto janë vende që gjeografikisht i përkasin pjesës perëndimore të Gadishullit.
Sa i përket kohës së lindjes së termit “Ballkan Perëndimor”, duhet thënë se ai nisi të përdoret pas ftohjes së entusiazimit të Perëndimit nga ideja e “Europës Juglindore”, që për një periudhë pas Luftës së Kosovës nisi të përdoret zyrtarisht në nivel ndërkombëtar, si një emërtim alternative për Ballkanin, dhe që nuk përmbante ngarkesat negative historike. Në 1999 u nënshkrua Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore e kështu që SHBA dhe Bashkimi Europian nisën të flasin për Europën Juglindore, jo më për Ballkanin. Emri i ri “Europë Juglindore” kishte të bënte me idenë se rajoni duhet të shihej si një i tërë në procesin e integrimit dhe si e tillë të hynte në Bashkimin Europian. Kjo ide u braktis shpejt për shkak se diferencat mes vendeve të rajonit, veçanërisht përsa i përkiste procesit të integrimit në Bashkimin Europian, ishin të tilla që nuk mund të ecej gjatë me utopinë e integrimit të përbashkët.
Termi “Ballkan”, madje me një veçim për pjesën perëndimore të gadishullit tonë, si “Ballkan Perëndimor” ridoli pasi vendet e kësaj pjese të gadishullit dështuan në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. E përbashkëta e vendeve të Ballkanit Perëndimor është se janë vende që ende nuk janë bërë anëtarë të Bashkimit Europian për shkak të problematikës së veçantë që kanë dhe që përbën pengesë në procesin e integrimit europian të tyre. Pas anëtarësimit në BE të dy vendeve të mëdha të pjesës lindore të gadishullit, Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007, për të cilat, nisur nga problematika e tyre, BE pranoi se kishte marrë një vendim të nxituar, faktikisht u prenë shpresat për integrimin e plotë deri në anëtarësim të vendeve të pjesës perëndimore të gadishullit, me përjashtim të Kroacisë. Kështu, dashur pa dashur nisi të përdoret termi “Ballkan Perëndimor” për këtë zone të mbetur, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Ai që veçohet nga pjesa tjetër e Ballkanit duke u quajtur “Ballkani Perëndimor” përbën si të thuash thelbin e Ballkanit dhe të problematikës së tij. Ballkani Perëndimor është një term që ka kuptimin e një zone problematike, me potencial për rinisjen e konflikteve etnike, me demokraci të pazhvilluar, me institucione të dobëta, me shtet ligjor të dobët, me korrupsion të zhvilluar, me krim të organizuar të zhvilluar, me shoqëri civile të dobët. Të gjitha këto të këqija dhe të tjera që mund t’ i shtohen kësaj liste pengojnë procesin e integrimit të plotë në BE të vendeve të kësaj zone.
Ballkani Perëndimor është në fakt ajo pjesë e Ballkanit në sajë të së cilës ky gadishull është bërë famëkeq me emërtimin “fuçi baruti”. Atentati ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez në 1914, që bëri të fillonte Lufta e Parë Botërore ndodhi në një qytet të Ballkanit Perëndimor, në Sarajevë. Lufta e Parë Ballkanike, e cila inicoi atë spirale të konflikteve në shekullin XX, që u kulmua me Luftën e Parë Botërore, nisi në Ballkanin Perëndimor, me sulmin e Malit të Zi ndaj Shkodrës.
Pas Luftës së Parë Botërore, fuqitë e mëdha të mbledhura në Konferencën e Paqes në Versajë për të rregulluar botën e pas luftës, ngecën pikërisht në Ballkanin Perëndimor, në atë që u quajt si “Çështja e Adriatikut”, që implikonte Fiumen (Rieka) në bregdetin dalmat, si dhe Vlorën dhe Shkodrën në Shqipëri. Dhe për këtë kishte precedent. Para Luftës së Parë Botërore, mbledhja e fundit e madhe e fuqive të mëdha europiane për çështjen e konflikteve në Ballkan, Kongresi i Berlinit në 1878, u stërzgjat duke pjellë një konferencë që pasoi kongresin, dhe vazhdoi deri në 1881, pikërisht për të zgjidhur sadopak problematikën në Ballkanin Perëndimor. Kriza e madhe lindore që kishte marrë përsipër të zgjidhte Kongresi i Berlinit, kishte nisur pikërisht në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë-Herzegovinë.
Është kjo pjesë e Ballkanit ku u zhvilluan luftrat ndëretnike pas rënies së komunizmit.Spastrimet e mëdha etnike që shoqëruan këto luftra, ishin gjithashtu tragjedi të Ballkanit Perëndimor. Është kjo pjesë e Ballkanit ku ngeci procesi i integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Prandaj Ballkani Perëndimor është për Perëndimin, kuintesenca e Ballkanit.
Nuk mund të jetë rastësi pra që kjo pjesë e gadishullit mbetet si misioni i fundit, i pakryer i Perëndimit në Ballkan, kur është fjala për shndërrimin tërësor të vendeve të rajonit në atë mënyrë që të integrohen me sukses në strukturat euroatlantike, me finalizim anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.
Në një artikull të botuar në 12 mars të këtij viti në revistën amerikane “The National Interest”, me autorë Frank Wisner, Amb. Cameron Munter dhe Marco Prelac e shtrojnë drejt dhe qartë problemin kur thonë:
“Vizioni i Europës, si ‘tërësi, e lirë, dhe në paqe’ ka një kënd të papërfunduar, të cilin ne tani e quajmë Ballkani Perëndimor, më parë i njohur si Jugosllavia, para se vendi të shpërbëhej nga lufta, spastrimi etnik dhe genocidi.”(“It’s Time for a new approach to the Balkans”, National Interests, March 12, 2019)
Për arsye të tjera nga vendet e ish-Jugosllavisë, në këtë kënd të papërfunduar të Europës së bashkuar, bën pjesë edhe Shqipëria.
Kur shihet gjendja e sotme në Ballkanin Perëndimor, duhet të kihet parasysh se ky rajon do të ishte në gjendje shumë më të keqe se ç’ është sot pa angazhimin e mëparshëm amerikan në këtë pjesë të Ballkanit. Angazhimi ushtarak amerikan për ndalimin e konflikteve etnike në Ballkan pas vitit 1990, ka qenë i gjithi i orientuar në Ballkanin Perëndimor, ku zhvilloheshin këto konflikte. Bosnjë-Herzegovina, Kosova, Maqedonia janë në Ballkanin Perëndimor. Fushata ajrore e NATO-s ndaj Serbisë ndodhi në Ballkanin Perëndimor. Kjo është pjesa e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, para se të flitej zyrtarisht për Ballkan Perëndimor.
Por nuk do të ishte e mundur që të kuptohej angazhimi amerikan në këtë pjesë të Ballkanit, ashtu si edhe në çdo pjesë të botës, nëse nuk do të kiheshin parasysh të vërtetat historike të ndërhyrjes amerikane në Europë, që nuk është kurrë e tepërt të përmenden, sigurisht shkurt në kuadrin e kumtesave të tilla.
Angazhimi i SHBA në Ballkanin Perëndimor nis me angazhimin e tyre në Europë dhe në Ballkanin si tërësi, me daljen e këtij vendi të madh nga vetëizolimi paqësor, politiko-ushtarak gjatë Luftës së Parë Botërore. Etërit themelues të SHBA kishin lënë porosi që ky vend të mos ngatërrohej në luftrat e fuqive të vjetra europiane, sepse ato ishin luftra për rindarjen e botës dhe për sundim territoresh, jo luftra për rindërtimin e botës sipas parimeve të reja.
SHBA hyri në Luftën e Parë Botërore, me një axhendë të vetën, të pandikuar nga ajo e fuqive të tjera aleate dhe kundërshtare. Agjenda e SHBA ishte axhenda e lirisë dhe demokracisë globale.
Presidenti që e shpalli atë me 14 pikat e tij të famshme, z. Wilson, ishte i vetëdijshëm se nuk bëhej fjalë për një axhendë që do të merrte zgjidhje pas përfundimit të kësaj lufte, por në fakt ishte fjala për një axhendë me të cilën SHBA do të duhej të merrej në kohërat që do të vinin, ndoshta në disa shekuj.
14 pikat ishin shkruar në atë mënyrë që atje ta gjenin veten të gjithë popujt dhe rajonet e botës, përsa i përket problematikës së tyre dhe kështu ndodhte edhe me Ballkanin, apo nëse duam ta veçojmë me syrin e sotën, Ballkanin Perëndimor. Këtë e them në kuptimin që për herë të parë një fuqi e madhe, jo vetëm që nuk kërkonte si shpërblim aneksime territoriale pas një lufte, por kundërshtonte që një shpërblim të tillë ta merrnin edhe aleatët e saj. Presidenti Ëilson, pak kohë pas shpalljes së 14 pikave shpalli se nuk do te njihte traktatet e fshehta, madje edhe ato të aleatëve të tij, traktate në të cilin ishin shkruar shpërblime në territore për pjesëmarrësit.
Kjo do të ishte nisja e një politike të re në Ballkan, duke përfshirë edhe atë perëndimor, që kishte vuajtur shumë nga këto mekanizma të fuqive të mëdha. Me këtë u hodhën bazat për politikën e SHBA në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI në Ballkan.
Nga të 14 pikat e Ëilsonit, në kohën kur ato u shpallën, u realizua veçanërisht në kuptim afatgjatë ajo e krijimit të organizatës së kombeve, që do të shërbente për ta si agora e vjetër, sheshi ku ata diskutojnë dhe zgjidhin paqësisht problemet e tyre. Nga filizi i Lidhjes së Kombeve dolën OKB, OSBE, Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, organizatat rajonale të shteteve në kontinentin amerikan, atë afrikan, atë aziatik, dolën dolën institucionet financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, doli aleanca ushtarake e botës demokratike, NATO.
Angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor ka qenë dhe është në aspektin politik, ushtarak, ekonomik, humanitar etj. Investimi më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan në tërësi, ka qenë ai për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni. Pa ndërhyrjen ushtarake amerikane, nuk do të kishte ndërprerje të konflikteve etnike në këtë rajon dhe rajoni do të vazhdonte të ishte i destabilizuar. Por investimi amerikan shkon përtej kësaj. Me anëtarësimin në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që e dëshiruan këtë gjë, Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe me praninë e KFOR në Kosovë dhe të forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në Bosnjë-Herzegovinë, u sigurua stabiliteti afatgjatë në rajon, edhe pas përfundimit të luftrave etnike. Këtu duhet shënuar se Kosova e do anëtarësimin në NATO, ashtu si dhe pjesa boshnjake dhe kroate e Bosnjë-Herzegovinës. Refuzimi i Serbisë për të hyrë në NATO mbetet një faktor jostabiliteti në rajon.
SHBA, që nga fillimi i angazhimit të tyre transformues në Ballkan pas Luftës së Ftohtë, e deri te angazhimi i sotëm në Ballkanin Perëndimor, janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje për ndarje detyrash me Bashkimin Europian sa i përket Ballkanit Perëndimor. Kështu, SHBA mbajnë peshën kryesore angazhimit të Perëndimit për sigurinë në rajon, duke u përfshirë këtu që nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta ushtarake deri te angazhimi amerikan për ndërtimin e institucioneve që në një mënyrë ose në një tjetër kanë lidhje me sigurinë e një vendi. Në këtë kuadër, SHBA angazhohen për sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, zhvillimin e shoqërisë civile me theks dialogun ndëretnik dhe ndërfetar. Për të gjitha këto financime.
Ndërsa Bashkimit Europian i takon të mbajë peshën më të madhe për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ndonëse këtu duhet thënë se SHBA mban edhe kosto të tjera veç asaj të sigurisë, duke përfshirë edhe koston e zhvillimit ekonomik të rajonit, për shkak të peshës që SHBA ka në institucione financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, të pranishme në rajon.
Është tregues i etikës ndërkombëtare amerikane, që e bën të barazvlefshëm interesin amerikan me konceptin e një bamirësie globale, në interes të lirisë, stabilitetit dhe demokracisë, që SHBA nuk e përkthen në shifra të përgjithshme financiare këtë kontribut amerikan për rajonin për të cilin po flasim, apo edhe për pjesë të tjera të botës. Sigurisht, kemi raportet e USAID me shifra financiare të ndihmës amerikane, por aty tregohet veç një pjesë e kësaj ndihme. Ne nuk kemi një shifër të përgjithshme zyrtare të kontributit financiar amerikan, që të përfshijë atë ushtarak, atë në kuadër të institucioneve financiare globale si FMN dhe Banka Botërore etj. Në këtë kuptim, roli amerikan në Ballkanin Perëndimor, mbetet ende për t’ u studiuar sa i përket kontributit të këtij vendi të madh për këtë zonë dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, si pjesë e saj.
Në angazhimin e tyre në Ballkan, në tërësi dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti SHBA janë vetëpërmbajtur në ndërhyrjen e tyre, dhe ndonjëherë janë vonuar, për arsye se kanë pasur kujdes mos cënojnë ndjenjën e Europës se mund t’ i zgjidhë vetë problemet në “oborrin” e saj, siç është Ballkani. SHBA janë përpjekur që roli i tyre të mos duket si roli i tutorit gjeopolitik të Europës në Ballkan. Mentaliteti se problemet ballkanike mund të zgjidhen nga Europa, pa pasur nevojë për ndërhyrjen amerikane ka qenë dhe është e fortë në nivelet e larta të politikës europiane dhe ka si moto shprehjen e famshmet të ish-ministrit të punëve të jashtme të Luksemburgut, Jacques Poos, i cili në vitin 1991, duke shkuar me mision si i dërguar i Bashkimit Europian në Jugosllavi për ndalimin e luftës që sapo kishte nisur atje, tha: “Erdhi ora e Europës!”
Që me daljen e Ballkanit nga “frigoriferi” i Luftës së Ftohtë në pjesën perëndimore të tij, në Jugosllavi, ku ishte kuintesenca e Ballkanit, konfliktet historike të ringjallura kishin precipituar në luftë, kjo ishte një gjë që nuk donin ta besonin në Bruksel dhe në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Ora e Europës kishte ardhur, por jo për aksion për ndalimin e konflikteve etnike, por për të dënuar me fjalë të këqijat e Ballkanit, luftrat etnike dhe spastrimet etnike që i shoqëronin ato. Zyrtarët europianë të llojit Poos qenë të bindur se mjaftonte që ata të bënin rolin e mësuesit të mirë që përdor me efikasitet forcën e fjalës për t’ i bërë të nxënësit e tij problematikë, dhe ballkanasit do të bindeshin që të hiqnin dorë nga lufta dhe spastrimi etnik, aq më tepër të joshur nga “karrota” e ndihmës ekonomike europiane dhe perspektiva e anëtarësimit të vendeve të tyre në BE.
Europianët si Poos shkonin me mendjen se do t’ i tregonin kowboy-t amerikan se nuk kishte nevojë për të që të vihej rregull në këtë lagje të Europës, dhe kowboy-t nuk i mbetej veçse të rrinte e të shikonte duke marrë edhe një mësim se si zgjidhej një konflikt me metoda paqësore europiane. Nuk kishte për të ardhur ora e kowboy-t amerikan për të hyrë në këtë lagje problematike me pistoletat e tij dhe për t’ i shkrehur andej-këtej ato.
Tanimë dihet se si përfundoi ky angazhim ekskluzivisht europian në Ballkan, i nxitur nga vetëbesimi i tepruar, që kishte ardhur nga mentaliteti “Poos”. Ndërhyrja ekskluzive europiane në luftën në ish-Jugosllavi ishte një disfatë e plotë. Por pavarësisht këtij mësimi historic, mentaliteti “Poos” mbetet akoma shumë i fortë në rrethet e larta të Bashkimit Europian. Një provë për këtë na e jep Komisionieri i Bashkimit Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili në prill të këtij viti ishte për një vizitë në Ëashington për të diskutuar me zyrtarët amerikanë tre tema: Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Z. Hahn i deklaroi medias amerikane se:
“Ballkani Perëndimor gjendet në një tjetër situatë tani. Në luftrat e viteve 90 dhe në periudhën pas tyre, në vendin e shoferit në rajon ishte Uashingtoni, jo Brukseli. Sot e kundërta është e vërtetë. SHBA e mbështet shumë Bashkimin Europian në rajon dhe çështjet që kanë të bëjnë me rajonin. Unë mendoj se ata janë shumë të lumtur që në ditët e sotme ne kemi drejtimin në rajon.”(“Washington has backed away from the Balkans. An E.U. Commisioners says it’s not a problem”, Washington Post, April 14, 2019)
I pyetur nëse tërheqja e SHBA nga lidershipi i angazhimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor mund të sjellë destabilitet, Komisioneri Hahn, mandati i të cilit merr fund para fundit të këtij viti, tha:
“Është një lloj kthimi i heshtur në normalitet. Këtu duhet patur parasysh se 75% e tregtisë nga rajoni e për në rajon vjen nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ajo që është- le të themi rutina e përditshme, që ne po kujdesemi për situatën, në një farë mënyre është një reagim ndaj situatës në terren.” (“Washington has backed away from the Balkans. An E.U. Commisioners says it’s not a problem”, Washington Post, April 14, 2019)
Komisioneri Hahn shtoi se SHBA vështirë se kanë ndonjë interes ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ai më tej tha se”
“SHBA ka udhëhequr më parë në rajon për shkak të ndërhyrjes së NATO-s. Por situate ka ndryshuar. Në i shikojmë gjërat në një pikëpamje afatgjatë, ka progress në rajon. Për shembull, në ditët e sotme, nëse ka në terren, fjala vjen mes Serbisë dhe Kosovës, disa përplasje, në të shkuarën të tilla do të kishin sjellë fare lehtë përdorimin e dhunës. Sot liderët i telefonojnë njëri-tjetrit.”
Kur dëgjon fjalët e mësipërme të Komisionerit shumë të nderuar Hahn, i cili nuk është aspak një antiamerikan, por një europeist entuziast, studiuesi nuk mund të mos bëjë pyetjen: A mos erdhi koha që realiteti t’ u japë të drejtë njerëzve me mentalitetin “Poos” në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve të Bashkimit Europian?
Por në realitet udhëheqja europiane në Ballkanin Perëndimor mbetet akoma një utopi dhe faktet tregojnë se çdo proces ku SHBA nuk ushtrojnë një rol vendimtar ka ngecur ose ka prirjen që të ngecë herët a vonë. Për këtë arsye SHBA emëruan kohët e fundit një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, për të zhbllokuar proceset e ngecura dhe për të garantuar moskthimin pas të atyre tanimë të finalizuara.
Marrëveshja e Prespës mes FYROM dhe Greqisë për çështjen e emrit, që bëri të mundur zgjidhjen e një krize të gjatë ballkanike, pati udhëheqjen amerikane gjatë procesit dhe mbetet në fuqi në sajë të garancisë amerikane që e ndalon qeverinë e re konservatore greke të z. Micotakis, që të mbajë premtimin zgjedhor për ta anuluar marrëveshjen me të marrë pushtetin. Aq më tepër që edhe në Maqedoninë e Veriut janë akoma të fuqishme forcat që do të donin kthimin pas të procesit dhe anuliminin e marrëveshjes gjë për të cilën ka edhe një mbështetje të fuqishme ruse.
Është e vërtetë se në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë bërë përparime, ndonëse situate nuk është edhe aq rozë sa e thotë z. Hahn. Dhe nëse palët nuk shkojnë më në konflikte si në të shkuarën kjo ndodh sepse e dinë që veprimet e tyre të pakontrolluara do të kenë si reagim ndërhyrjen energjike amerikane, jo se u tremben kritikave në një masë të madhe filozofike politike, që do t’ u vijnë nga Brukseli. Procesi i normalizmit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur me bujë të madhe në Bruksel, tanimë ka ngecur dhe ka nevojë për një të dërguar të posaçëm amerikan për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, i emëruar së fundmi, që ky process të mund të ecë përpara.
Në Mal të Zi është akoma i fuqishëm ai krah që kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO dhe që ka mbështetjen e Rusisë. Pa mbështetjen amerikane ndaj forcave properëndimore në Podgoricë, këto të fundit vështirë se mund të mbahen në pushtet, aq më tepër kur realiteti ka treguar se kundërshtarët e tyre nuk ndalen para asgjëje për të përmbysur gjendjen ekzistuese, duke përfshirë edhe dhunën. Vështirë se këto forca të errëta në Mal të Zi, do të ndalen nga kritikat e ardhura nga Brukseli nëse nuk do të ekzistojë perspektiva e ndërhyrjes amerikane kundër tyre.
Në Bosnjë dhe Herzegovinë, përpjekjet për shpërbërjen e federatës, nga ana e Republikës Serbe, shpesh të mbështetura edhe nga Beogradi, deri tani janë ndalur jo nga kritikat e Brukselit, por nga paralajmërimet amerikane, që kanë si perspektivë ndërhyrjen e NATO-s për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Dayton-it.
Realiteti i Ballkanit Perëndimor tregon se roli i posaçëm amerikan, sido që të quhet ai, është i nevojshëm edhe për një periudhë të gjatë në rajonin tonë. Gjëja më e panevojshme dhe e rrezikshme për Ballkanin Perëndimor janë eksperimentet me lidership europian, sipas mentalitetit “Poos”, që mund të kenë si kosto përmbysjen e arritjeve të deritanishme, dhe rikthimin në pikën zero.
Por, fjalët e cituara më lart të Komisionerit Hahn përbëjnë një provë shtesë për të arritur në dy përfundime të rëndësishme që dalin kur studiohet angazhimi i SHBA në Ballkanin Perëndimor:
1)Ballkani Perëndimor dhe i gjithë Ballkani në tërësi do të kishte mbetur në një rreth vicioz të problematikës të së shkuarës së tij konfliktuale, nëse nuk do të kishte qenë angazhimi i fortë dhe i vendosur i SHBA. Si qytetar që jeton në Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë, dhe si studiues në radhë të dytë, dua të sqaroj se ajo që thashë më lart nuk është servilizëm ndaj SHBA, është më tepër konstatim që nuk mund të mos e bëjë çdo studiues që merret me tematikën që po trajtojmë.
2)Pengesat që ka gjetur angazhimi amerikan në rajon, jo vetëm nga ana e ekstremistëve rajonalë antiamerikanë, por edhe për përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian, dhe të kryeqyteteve të vendeve të rëndësishme të BE, me mentalitetin “Poos”, të cilët vështirë se mund të akuzohen si antiamerikanë, dhe që nisen nga vetëbesimi i tepruar për detyrat që mund të marrë përsipër Europa në Ballkan.
Qëllimet e SHBA në vendet e Ballkanit Perëndimor pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kanë qenë dhe janë:
Kapërcimi i konflikteve historike ndëretnike dhe ndërfetare, ndërtimi dhe bërja funksionale e demokracisë dhe institucioneve të saj, ndërtimi dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, shoqërisë civile, ekonomisë së tregut të lirë, medias së lirë, duke siguruar stabilitetin në këto vende, në mënyrë që ato jo vetëm të mos përbëjnë më problem për Perëndimin, por të angazhohen në misione për t’ i eksportuar këto vlera në pjesë të tjera të botës ku ende ekzistojnë problematika të tilla. Pra, e thënë shkurt që vendet e Ballkanit Perëndimor të shndërrohen nga problem në faktor stabiliteti që kontribuojnë në stabilitetin global.
Historia e angazhimit të SHBA në vendet e Ballkanit Perëndimor është një histori tanimë e gjatë dhe që flet vetë. Nëse i marrin me radhë këto vende, duke nisur nga Shqipëria, do të vërejmë se SHBA ka bërë investime të mëdha për shndërrimin e këtyre vendeve, me qëllim përgatitjen e tyre për të kapërcyer sfidat e procesit të integrimit euro-atlantik. Sa për të përmendur në vija të përgjithshme, në kufijtë e një kumtese të tillë, SHBA, që nga viti 1991, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve ka qenë e angazhuar intensivisht në Shqipëri duke marrë përsipër një rol të posacëm për reformat e nevojshme që duhet të kryejë vendi me qëllim përmbushjen e kritereve për integrim euro-atlantik.
Përgatitja e vendit tonë për anëtarësim në NATO është në tërësinë e vet një histori suksesi me partneritet ekskluziv amerikan. Ushtria e Shqipërisë, e transformuar me asistencën amerikane, përbën sot strukturën më euro-atlantike në vend.
SHBA pati një rol të posaçëm në vitet 1990-1992 sa iu përket ndryshimeve politike në vend, përmbysjes së sistemit diktatorial komunist. SHBA pati një rol të posaçëm për mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë dhe rikthimin e normalitetit në vend, në periudhën e trazirave të vitit 1997. Edhe sot e kësaj dite vendi ynë ka nevojë për angazhimin amerikan që përplasja politike mes palëve, qeverisë dhe opozitës, të mos dalë nga binarët e normalitetit duke e futur vendin në spiralen e konflikteve që i njohim mirë.
Midis SHBA dhe Shqipërisë janë arritur 27 marrëveshje dhe traktate, ndër të cilat shkëlqen anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe shumë prej të cilave kanë bërë të mundur realizimin e nismës së dytë madhore amerikane në vendin tonë, reformës në drejtësi, që përbën edhe arritjen më të madhe në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Reforma në drejtësi përmban në vetvete instrumentin e domosdoshëm për suksesin e projekteve të tjera amerikane në Shqipëri që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj.
Sa i përket Kosovës, një arritje e madhe e angazhimit amerikan për Kosovën mbetet ndërhyrja ushtarake e NATO-s për çlirimin e Kosovës, si dhe vendosja e trupave ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë në 1999. Por SHBA kanë qenë dhe janë të angazhuara edhe për normalizmin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, që përbën një proces të domosdoshëm për kurorëzimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB si dhe për anëtarësimin në NATO dhe më tej në Bashkimin Europian.
Përveç shpenzimeve ushtarake, SHBA kanë dhë për Kosovën një ndihmë prej 2 miliard dollarësh që pas marrjes së vendit nën administrim ndërkombëtar në qershor 1999. Një tregues i angazhimit të veçantë amerikan për Kosovën është se për herë të parë ndodhi në Kosovë që SHBA të dërgonin personel amerikan në një organizëm europian siç është EULEX i krijuar në 2008.
Por veç çështjeve të sigurisë, SHBA janë angazhuar fuqishëm ndaj Kosovës edhe për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri dhe anëtarësimin e tij në organizatat ndërkombëtare, ndërtimin e institucioneve në Kosovë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.
Serbia është një vend me të cilin SHBA ka marrëdhënie të ndërlikuara, për shkak të mbështetjes amerikane për Kosovën, si dhe për shkak të ndikimit rus në Beograd. Ndonëse Serbia mund të mos pranojë që të hyjë kurrë në NATO, përsëri SHBA ia kanë dalë që ta bëjnë këtë vend që të hyjë në procese normalizimi të marrëdhënieve me fqinjët, dhe në radhë të parë me Kosovën, që e bëjnë Serbinë detyrimisht të integruar në strukturën rajonale të sigurisë, të udhëhequr nga NATO.
Maqedonia e Veriut është një vend që ka mbijetuar falë angazhimit të madh amerikan ndaj këtij vendi. Le të kujtojmë këtu dërgimin në FYROM, siç quhej vendi atëherë, në fillim të viteve nëntëdhjetë, të një kontigjenti ushtarak amerikan, si garanci për mbrojtjen e shtetit të ri nga forcat rajonale që rrezikonin stabilitetin e tij. Arritje madhore me angazhim amerikan në vendin fqinj janë Marrëveshja e Ohrit, me të cilën u sigurua kuadri rregullator për marrëdhëniet ndëretnike maqedono-shqiptare, si dhe Marrëveshja e Prespës, që zhbllokoi ngecjen e proceseve të integrimit euroatlantik të këtij vendi. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO përbën një arritje të madhe të angazhimit amerikan në mbështetje të këtij vendi. Dhe kur përmenden arritje të tilla nuk duhet harruar as Marrëveshja e Przhinos që e futi në rrugë normale politikën e brendshme në vendin fqinj. Mbështetja amerikane ndaj vendit fqinj për përballimin e influencës ruse gjithashtu ka rëndësi të madhe.
SHBA janë shprehur vazhdimisht për mbështetje të aspiratës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo është një këshillë që Amerika i jep BE-së. Mund të duket si paradoks, që SHBA bën deklarata të tilla, për një proces për të cilin nuk ka pasoja të drejtpërdrejta dhe në radhë të parë pasoja ekonomike, por nuk është aspak kështu. SHBA e di shumë mirë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ketë një kosto të lartë ekonomike për këtë të fundit. Por në Ëashington, gjithashtu e dijnë më mirë se në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve të rëndësishme të BE-së, se lënia jashtë portës së BE-së e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një situatë që sjell rreziqe për rinisjen e konflikteve të vjetra, rimenaxhimi i të cilave do të ketë pastaj një kosto disa herë më të madhe se ajo për menaxhimin e këtyre vendeve brenda BE-së. Meqënëse në Bruksel janë mësuar të mendojnë se nëse në Ballkanin Perëndimor ka kthim të tillë prapa në të shkuarën konfliktuale, atëherë do të ndërhyjë përsëri Amerika, kjo e fundit ka gjithë të drejtën për të dhënë këshilla të tilla.
Prandaj, kritika që i bëhet SHBA në Bruksel, se Ëashingtoni flet pa marrë përsipër përgjegjësi për koston ekonomike, kur thotë se mbështet aspiratën e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Europian, apo edhe deklaratat zyrtare amerikane për mbështetje të vendeve të rajonit në fazat e tyre të integrimit europian, siç është rasti me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është aspak e bazuar. Ëashingtoni zyrtar jo vetëm që është i vetëdijshëm për koston kur flet kështu, por madje ka si shqetësim atë që kjo kosto në një situatë të caktuar do të përballohet më së shumti prej Amerikës se prej Europës. Kjo për arsye se nëse rindizen konfliktet e vjetra, NATO do të jetë e detyruar që të ndërhyjë përsëri ushtarakisht në rajon dhe këtu rolin më të madh dihet se do ta ketë Amerika. Në janar 2019, në një raport të Komunitetit të Zbulimit të SHBA mbi vlerësimin e kërcënimeve globale thuhej se:
“Ballkani Perëndimor, pothuajse me siguri, do të mbetet i rrezikuar nga një nivel i ulët dhune dhe madje konflikti të hapur ushtarak gjatë vitit 2019.”(Worldwide Threat Assessment: U.S. Intelligence Community, 2019)
Fakti që këto paralajmërime nuk u vërtetuan nuk do të thotë se ato nuk duhen marrë parasysh në të ardhmen.
Roli i SHBA në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm sa i përket përballimit të influencës së Rusisë dhe të Kinës. Në mungesë të faktorit amerikan, BE nuk do të ketë fuqi të përballojë presionin e faktorit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për ndikimet ekstremiste që vijnë në rajon nga Lindja e Mesme. Gjithashtu, agjencitë ligjzbatuese amerikane janë të domosdoshme në rajon për luftën kundër krimit të organizuar, sidomos për luftën kundër trafikut të narkotikëve.
Duhet të kalojë ende një kohë e gjatë deri ditën kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të anëtarësuar në BE dhe emërtimi “Ballkan Perëndimor” të mos ekzistojë më si term gjeopolitik me kuptim të keq. Deri sa të vijë ajo ditë ka akoma shumë sfida për vendet e rajonit tonë. Fakti që shumica e sfidave që kanë mbetur janë të tilla që mund të realizohen me mbështetjen e BE-së, nuk e ul aspak rëndësinë e rolit dhe të angazhimit amerikan në rajon. Kjo për arsye se për realizimin me sukses të pjesës së mbetur të agjendës së integrimit europian është e nevojshme që të mbeten të konsoliduara arritjet që ka sjellë angazhimi amerikan. Arritja më madhore amerikane në rajon është stabiliteti i rajonit. Pa faktorin amerikan, nuk do të jetë e mundur që të ruhet edhe për një kohë të gjatë kjo arritje jetike për rajonin tonë.
Edhe kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtarësuar të gjithë në BE, nuk ka vend për të menduar se roli amerikan në këtë hapësirë nuk është më i domosdoshëm, apo aq më pak që do të marrë fund. Roli amerikan në këtë hapësirë, si dhe në pjesën tjetër tjetër të Ballkanit, do të mbetet i domosdoshëm për arsye se stabilitetin dhe sigurinë në Europë dhe në vetë BE, i garanton NATO dhe SHBA ka rolin e lidershipit në NATO.
Kur flitet për rolin amerikan në rajon, Shqipëria ka një dallim pozitiv në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, të gjitha palët e politikës janë të një mendjeje sa i përket domosdoshmërisë së rolit të posaçëm amerikan në vend dhe në rajon. Në Shqipëri nuk ka asnjë forcë, sadopak të rëndësishme politike, që të kërkojë ndalimin e ushtrimit të këtij roli nga ana e SHBA në vend dhe në rajon.
Në fund, e gjej të nevojshme të konstatoj se SHBA e ushtrojnë rolin e tyre në rajonin me kujdesin maksimal për të respektuar ligjet kushtetuese të vendeve përkatëse, dhe këtu flas para së gjithash për Shqipërinë, duke ndërhyrë atëherë kur është kërkuar ndihmë dhe asistencë, jo duke e imponuar këtë gjë. Ajo që mund të shihet si ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të vendit, është në fakt një përgjigje e kërkesave zyrtare të të gjitha qeverive të pas vitit 1990 në Shqipëri për ndihmë dhe asistencë amerikane për ndërtimin dhe funksionimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Kësaj kërkese SHBA i janë përgjigjur me angazhimin e tyre, duke u treguar të ashpër me politikanët hileqarë, jo me popullin shqiptar që në fund të fundit ka qenë viktimë e këtyre politikanëve. Prandaj dhe angazhimi amerikan ka qenë dhe mbetet i mirëpritur me sinqeritet nga populli shqiptar, edhe atëherë kur politikanët nxjerrin pengesa të çdo lloji, por që në të vërtetë kanë si arsye rrezikun që ndjejnë politikanët tanë se institucionet që po ndërtohen me mbështetjen amerikane do t’ u heqin atyre mundësinë që këtej e tutje të keqpërdorin pushtetin e tyre.
Ballkani Perëndimor përveçse një hapësirë është edhe një fazë në kohë, është një nga fazat e kalimit të vendeve të këtij rajoni nga Ballkani për në Bashkimin Europian. Në vitin 2015, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç u sugjeroi vendeve të Ballkanit Perëndimor që termi “Ballkan Perëndimor” të hiqej nga qarkullimi dhe në vend të tij të përdorej termi “Europë Juglindore”.
Ky propozim interesant vinte jo rastësisht nga lideri i një vendi që me hyrjen në BE, tanimë kishte dalë nga “Ballkani Perëndimor”, si term i përdorur me kontacion të keq gjeopolitik. Por kalimi nga “Ballkani Perëndimor” në “Europë Juglindore” nuk është thjesht çështje ndryshimi termash. Nëse do të kishte qenë kështu, atëherë do të kishte pasur sukses projekti optimist perëndimor i integrimit en block të “Europës Juglindore” i vitit 1999. Por ky projekt dështoi sepse realiteti i rajonit ishte i mbushur me një problematikë të pazgjidhshme për një kohë të shkurtër. Pikërisht sepse u bë e qartë që një pjesë e Ballkanit nuk do të ishte gati edhe për një kohë të gjatë që të integrohej në BE, dhe ky problem nuk mund të mbulohej me termin “Europë Juglindore”, doli në qarkullim termi “Ballkan Perëndimor”, për këtë pjesë të rajonit.
Ndarja e vendeve të rajonit me këtë emërtim nuk do të jetë një gjë e lehtë dhe do të kërkojë kohë. Se sa do të zgjatë kjo periudhë kohe këtë do ta përcaktojnë vetë vendet e rajonit, të cilët në këtë periudhë duhet të fitojnë secili sfidën e përgatitjes për anëtarësim në BE. Me partneritetin me SHBA, si garanci e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, vendet e rajonit do ta kenë më të lehtë për ta fituar këtë sfidë.