Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Rrugëtim në vargjet satirike të Shpëtim A. Emirit

Image result for cerciz loloci"

Çerçiz Loloçi

 

Shpëtim Emiri nuk është një emër i panjohur në letrat shqipe. Për një periudhë fare të shkurtër, rreth tetë vjet ka publikuat 6 libra, përfshirë edhe përbledhjen satirike ‘Sot ke qejf të vdesësh’, me parathënie nga poeti i njohur Sadik Bejko, me redaktor studiuesin dhe profesorin e letërsisë Ymer Çiraku, botimet Barleti 2019. Inxhinier në profesion, por me një pasion të madh për letërsië  autori shkruan dy monografi për babain e vet Alizot Emirin, që ishte një enciklopedi më vete në qytetin e Gjirokastrës, një monografi tjetër të titulluar ‘Përmendorja e munguar’ si dhe dy librat e tjerë ‘Kujtime me buzë në gaz’ dhe ‘Moj Gjirokastra pa vulë’.

Përmbledhja e fundit ngërthen një shumësi temash nga më të mprehta të tranzicionit shqiptar, ndarë në 15 cikle dhe mbyllet me një fjalim të udhëheqësit të fundit komunist Ramiz Alia me dyer të mbyllura në 1989.

Kuptohet se autori është një shpirt i shqetësuar për atë çka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në Shqipëri dhe është munduar të qëndrojë i barazlarguar nga forcat kryesore politike që kanë qeverisur këtë vend duke mos kursyer kritikat edhe për protagonistët kryesorë në pozitë dhe opozitë.

Shpëtim Emiri në fletën hyrëse të librit shpreh mirënjohjen për mjeshtrin e humorit e satirës Pëllumb Kulla, për diplomatin dhe profesorin Ksenofon Krisafin dhe natyrisht për redaktorin Çiraku. Poeti Sadik Bejko nënvizon në parathënien e vet se “libri sjell një vështrim satirik mbi sjelljen tonë të përditshme politike e shoqërore në këtë periudhë që e quajmë tranzicion. Madje, do të shtonim, na sjell vargje të satirës poliitke. Është pak i mvrejtur vështrimi i autorit, pse most ë themi se herë-herë është pikë e helm me të ndodhurat tona… Libri merr në majën e mprehtë të satirës një shtrirje të gjatë kohore, nuk i kursen aktorët politikë nga ngjyrat dhe herë-herë ka prerjen e një kronike. Shumë ngjarje të shëmtuara dhe me pasoja të rënda për komunitetin, ngjarje që varrosen bashkë me gazetat e përditshme autori i rimerr në pendën e tij. Duke i trajtuar artistikisht të tilla ngjarje ai i ngre ato nga pluhuri i harresës, duke i dhënë librit të tij patentën e një dëshmie artistike për kohët që vijnë. Kjo, kur arrihet artistikisht, është një vlerë e librave…edhe ‘Komedinë hyjnore’ të Dantes e kanë quajtur gazetë fiorentine”.

Përmbledhja e fundit me vargje satirike e Shpëtim Emirit lexohet shpejt, por ndërkaq të vë në mendime për gamën e gjerë të trajtuar dhe sidomos për apelin që bën pothuaj në çdo krijim për rizgjim, për më shumë dinjitet dhe që shqiptarët më në fund të shohin disa mote të bardha.

Ai ka gjetur këndin e humorit për të goditur gjithçka e çdo gjë të keqe që përjetoi shoqëria shqiptare në këto 29 vjet, duke mos kursyer askënd majtas e djathtas që u pasuruan babëzisht, që tallen me turmat kokëulura dhe që e shndërrojnë një vend të bekuar nga zoti si një territor-skëterrë që nuk mban dot bijtë e vet.

E mbajtëm fjalën shoku Ramiz!

Flini i qetë, Ju, nën qiparis

çdo gjë u zbatua siç thatë ju

ndaj s’ka të sosur kaosi këtu.

E shamë komunizmin, s’lamë rrënjë e degë

krijuam aq parti sa s’do t’u besohet

prijëtarët e tyre gjithë skuqin si shegë

ka filluar komunizmi prapë të kërkohet

 

Të burgosurit, e patë vetë, i begenisëm

iu premtuam për kohën e burgut shpërblime,

ëndrrat e tyre ua degdisëm

filiza e dëgë ua njomin me premtime…

Kjo poezi në vlerën e prologut flet fare qartë për zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri dhe është një materializim i epilogut në fund të librit satirik, fjalimit top sekret të Ramiz Alisë me dyer të mbyllura në 1989.

Cikli i parë i përmbledhjes ‘A mund t’i prihej demokracisë me këtë politikë’ përmban 18 poezi ku autori satirizon premtimet boshe të partive politike në fillim të viteve nëntëdhjetë, epideminë shkatërruese të asaj që ishte ndërtuar nga sakrificat e shqiptararëve në një shtet-burg me disa rrathë ku një pjesë ishte kryefajtore e tjetra vuajtëse, maninë e mazhorancave qeverisëse për të hedhur vazhdimisht themele që nuk qëndrojnë askund, tjetërsimi i gazrave me erë, pseudorilindasit që nuk duan t’ia dinë për asgjë, qeverisjet e mbrapshta, turmat e militantëve, braktisja e çështjes kombëtare, shkaravitja e turpshme në tortën e festës, çadrat-pistoletë, grevat e panumërta të urisë etj.

Cikli i dytë fokusohet te deputetët, që është një kontigjent më vete në këto vite tranzicioni, të pasuruar brenda ditës dhe që pa asnjë dyshim ka gjetur shprehjen më poshtëruese në Kuvendin e fundit që ka një amalgamë të drejtuesve diktatorialë, ish hetuesa, ish punonjës sigurimi, tutorë prostitutash, analfabetë funksionalë, matrapazë të partive të vogla e të mëdha, etj.

Cikli i tretë ‘Pozitë-opozitë”, pavarësisht se me humor, zbërthen se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë dy palët kundërshtare, ata që qeverisin dhe ata që bëjnë opozitën, të dy palët të pasuruar nga pushteti, të pareformuara, të konceptuara si çeta luftëtarësh ku kryetari nuk largohet nga zgjedhjet por veç nga vdekja.

Problematikë tjetër kanë edhe ciklet vijuese që titullohen ‘Votimet’, ‘Hajdutëria’, ‘Përmbytje’, ‘Plehrat’, ‘Koncesionet’, ‘Oligarkët’, ‘Propaganda’, ‘Populli’ dhe ‘Qytetaria’.

Do t’i mbyllja këto shënime me poezinë që është edhe kurora e kësaj përmbledhjeje:

Që nga koha e mbretërisë

prej vitit njëze e tetë

lindjet, pjesë e epërsisë

kjo është mëse e vërtetë

 

Për dreq doli statistika

sot-vdekje më shumë se lindje

kot fajësohet politika

s’I takon asaj kjo dhimbje!

 

Në doni mendimin tim

Kjo ka vetëm një shpjegim

 

-Varrezat qenë katrahurë

kapicë varresh rrëmujë

nëpër rrugë, nëpër kanale

gjer skarpate vertikale.

 

Pleqëria, kur mendonte

në ç’kanal do përfundonte

vendimin e rishikonte

do vdes nesër, nuk vdes sonte.

 

Kurse sot nxitojnë të vdesin

nuk kanë se çfarë të presin

me t’u sistemuar varrezat

nuk fshihen kur vijnë ‘ftesat’!

 

Rroftë, rroftë, pra Bashkia

rroftë kryetar Erion Velia,

na iku frika të vdesim

shirat varrin nuk na e qesin.

 

No photo description available.

 

Please follow and like us: