Timo Luto: Lamtumirë, i nderuar koleg, Shyqyri Skënderi!
Pardje iu dha lamtumira e fundit gazetarit Shyqyri Skënderi. Ishte një ikje që hidhëroi jo vetëm të afërmit, por edhe miqtë e kolegët me të cilët ai përshkoi pjesën më të madhe të jetës në një nga fushat më të vështira por edhe më të bukur për të, sikurse është gazetaria, ku la gjurmët e tij.
Shyqyri Skënderi i përket atij brezi gazetarësh që punuan në kushte të vështira në dy sisteme, por me dinjitet e profesionalizëm të lartë, duke përcjellë tek publiku ngjarjet e mëdha të kohës.
Kam qenë koleg i tij gjatë gjithë kohës që punova në radio televizionin publik shqiptar.
Ditën e parë të punës time në këtë institucion të rëndësishëm, po prisja në holl që dikush të më merrte e të më shoqëronte për në zyrën ku do të filloja punë. Pas disa minutash pritje në mëngjesin e atij fillimi të muajit janar të vitit 1972, u shfaq përballë meje një punonjës i këtij institucioni që, pasi më përshëndeti, m’u prezantua:
– Unë jam Shyqyri Skënderi, -tha. Po ju shoqëroj në redaksinë ku do të punoni.
E falënderova dhe eca pas tij. Duke ngjitur shkallët me një mirësi të dukshme më tha se ishte bashkëpatrioti im nga Mallakastra.
Kaluan pak ditë dhe Shyqyriu më lëshoi edhe vendin në tavolinën ku punonte bashkë me magnetofonin që kishte në përdorim. Ai kishte dy vjet që punonte si radiokronist në Radio Tirana. Me dëshirën e tij kaloi në sektorin e jashtëm në rolin e analistit politik. Na ndante vetëm një mur. Por ai mur edhe na mbante fort të lidhur me njëri-tjetrin si shokë dhe kolegë. Për shumë vjet kemi qenë bashkë në të njëjtin institucion.
Kolegu i respektuar Shyqyri Skënderi ka mbetur në kujtesën time, por besoj edhe të shumë kolegëve me të cilët ai punoi, për më shumë se kaq. Ajo që e dallonte atë dhe që e njohim të gjithë ne ish-kolegët e tij,ka qenë korrektesa në punë si gazetar dhe drejtues.
I ndershëm dhe kurajoz, në çdo përballje në punë të çdo niveli. Veçanërisht në marrëdhëniet me vartësit, gjatë kohës që ishte në pozitën e drejtorit të Departamentit të Informacionit në Televizion, ishte i drejtë, model i profesionalizmit dhe dashamirës. Shyqua nuk e shihte gazetarinë si një profesion sa për të marrë rrogën mujore, por si një mision nga më të shenjtit. Dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës…
Në ato vite të sistemit monopartiak, kur fjala nuk ishte plotësisht e lirë dhe e vërteta e cunguar, Shyqyriu ishte ndër të paktët që kishte kurajon të reagonte kur këto të drejta qytetarë shkeleshin.
Ndryshimi i sistemit nuk e cenoi karakterin e tij, sikurse ndodhi memjafty të tjerë. Ai nuk mohoi gjithçka të së shkuarës, sikurse nuk mbështeti gjithçka që ndodhi në sistemin e ri. Ai i qëndroi besnik profesionit të tij në raport me qytetarët me të cilët komunikoi për më shumë se tri dekada.
Për këto virtyte njerëzore dhe për mirësinë e tij në marrëdhëniet shoqërore e veçanërisht me kolegët, do të kujtohet përherë me respekt.
Shyqyri Skënderi lindi më 5 shtator të vitit 1945 në Drizar të Mallakastrës, por shpejt, që kur ishte 5 vjeç, mbeti jetim. U rrit me vështirësi, por me vullnet e dashuri për dijen, ai u dallua në të gjitha nivelet e shkollimit që kreu. Në vitin 1970, pas përfundimit të Universitetit të Tiranës në degën e letërsisë, ai filloi punë në Televizionin Shqiptar.
Për mbi 30 vjet punë në këtë institucion dhe në shtypin e shkruar, ai realizoi kronika, reportazhe, drejtoi emisione televizive, duke mbetur një ndër emrat e njohur të gazetarisë sonë. Ai ishte dhe një qytetar i përkushtuar dhe aktivist shoqëror i dalluar. Kujtojmë se ai ka qenë kryetari i parë i shoqatës atdhetare-kulturore “Mallakastra”.
Shyqyri Skënderi i takon atij brezi gazetarësh që edhe pse punuan në kushte të vështira në dy sisteme të ndryshme, treguan dinjitet e profesionalizëm të lartë në përcjelljen tek publiku të ngjarjeve të mëdha të kohës.
Lamtumirë, i nderuar koleg, Shyqyri Skënderi!