24 mars 1999/Haris Vongli: 21 vjet më parë, NATO nisi sulmet ajrore mbi Beograd
Në prill të vitit 1999, kryeministri britanik i asaj kohe, Tony Blair, shpalosi doktrinën e tij mbi “Komunitetin Ndërkombëtar”. Një doktrinë elegante ndërkombtarizimi që hidhte dritë mbi arsyet e ndërhyrjeve të fuqive të mëdha në marrëdhëniet e kombeve të tjera. Atë prill ai gjendej në Çikago, e ndërsa mbante fjalimin e tij të bujshëm, Europa po përballej me sfida të vështira. “Krime të tmerrshme, që ne mendonim se nuk do t’i shihnim më të ndodhnin, janë rishfaqur, spastrime etnike, përdhunime të vazhdueshme, vrasje masive”, thuhej në fjalim. Të gjitha këto ngjarje aspak imagjinative, por reale e të dhimbshme, të prekshme e të pajustifikueshme, që Perëndimi i pa me sytë e tij të ndodhnin në Kosovë, sy vigjilentë, nuk mund të vënë në dyshim kurrsesi faktin se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Serbi ishte e nevojshme. “Unë dua t’i pozicionoj këto ngjarje në një prizëm më të gjerë, në atë ekonomik, politik dhe çështje të sigurisë, sepse unë nuk besoj se Kosova duhet të jetë e izoluar”, tha Blair në Chicago. Një luftë e bazuar aspak në ambicie territoriale, por në vlera. E keqja e spastrimeve etnike nuk mund të qendrojë superiore mbi vlera të tjera që kanë vërtetë rëndësi, apo nevojën dhe domosdoshmërinë e çdo kombi që të jetë i lirë e demokrat. Të jetë shtet i lirë, me njerëz të lirë dhe vlera e besime të lira.
Kosova lëngonte dhe nuk duhet të jesh shqiptar i Kosovës, i Shqipërisë, i Maqedonisë, i Malit të zi, a kudo qofshin shqiptarë të tjerë, për të kuptuar atë që po ndodhte në Kosovën e 1998-s, madje edhe shumë vitë më parë, sëbashku me pasojat e pasluftës. Më 5 mars 1998, forcat ushtarake serbe sulmuan Prekazin e luginës së Drenicës, aty ku kishte lindur Adem Jashari. Mbi 50 njerëz, familjarë të tij, u vranë. Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright iu drejtua Serbisë me fjalë mëse të qarta “Ne nuk do të rrimë duarkryq duke parë autoritetet serbe tek bëjnë çfarë të duan në Kosovë”, por luftimet atje u thelluan edhe më tej, duke shkaktuar dhunë e vrasje masive, në gra e fëmijë, pleq e plaka, burra e djem. Kosova lëngonte. Të drejtat e njeriut atje ishin një luks i kohës. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nëpërmjet tre rezolutave të tij, kërkoi ndërpreje të armiqësive dhe nisjen e negociatave për një Kosovë autonome, kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre, Kosovën, dhe në vijim dërgimin e vëzhguesve europianë e amerikanë.
OKB-ja e bëri fare të qartë se situata, gjithmonë e më e rënduar në Kosovë, përbënte kërcënim për paqen e sigurinë në rajon. Më tetor 1998 Këshilli i NATO-s miratoi planet e tij për ndërhyrje ajrore mbi Serbi, me qëllim evitimin e një katastrofe humanitare. Mbi 400.000 persona morrën arratinë ndërsa incidenti që ndodhi në Reçak, ku në një varr masiv, në kodrën e këtij fshati të vogël, u gjetën kufomat e 45 shqiptarëve, ekzekutim masiv i civilëve thelloi edhe më tepër kasapanën njerëzore që po vuante Kosova. Kjo masakër e shumë të tjera, u dënuan unanimisht nga OKB-ja, NATO-ja, OSBE-ja, BE-ja, Grupi i Kontaktit për Ballkanin, etj. Nuk kishte më asnjë dyshim për regjimin e tmerrshëm të Millosheviçit, masakrat e tij u krahasuan me Holokaustin. NATO, para hapit përfundimar, nisjes së bombardimeve në Serbi, e paralajmëroi atë disa herë që të tërhiqej e të pranonte marrëveshjen e Rambujesë në Francë. Serbia nuk pranoi asnjë marrëveshje, kështu 20 vjet më parë, më 24 mars 1999, nën presionet e Blair, NATO nisi sulmet ajrore mbi Beograd.
Paqja dhe siguria në botë kërkon vendime të mëdha dhe vendime të mëdha janë marrë. Padrejtësi me pasoja të rënda janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen. Kur kthejmë kokën pas kujtojmë dhimbjën në të cilën ka kaluar njerëzimi, e sot, fatkeqësisht, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Bota qarkullon padrejtësi e fatkeqësi rreth vetes dhe askush nuk e ka në dorë ta ndryshojë këtë veçse fuqitë vendimarrëse. Në fakt fuqitë përmëhen nga njerëz dhe njerëzit kanë në dorë e për detyrë të ndryshojnë fatet e tyre, fatet e njëri-tjetrit.