Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Dantja i përjetshëm!

Image result for artur spanjolli

 

Dante eterno, sempre attuale. Ovviamente. Dante është dhe do të jetë gjithmonë aktual. Kush prek tema aq të thella, si përmirësimi moral i shpirtit, aspirata drejt perfektes, nuk ka aktualitet më të thellë se kjo. Dante ka 700 vjet, por mund të ketë dhe 2000 vjet, ekzigjencat e njeriut janë të njëjtat. Aspirimin drejt perfektës. Këtë perfeksion e ka aspiruar njeriu që në kohërat përtej rregullave të Moisiut, duke filluar me teoritë e Krishnas, Budës dhe Zarathustrës persian. Duke ardhur pastaj me teoritë e Sokratit dhe Aristotelit, deri tek idetë e Jezusit, të Muhamedit dhe duke vazhduar pastaj me doktrinat filozofike kristiane të Kant dhe Hegel dhe kështu me rradhë. Të gjitha flasin për një përmirësim moral njerëzor, për një tjetërsim drejt përsosjes, të cilën Dante e ka treguar me udhëtimin e tij drejt perfektes, e cila është drita hyjnore e qiellit.

Dante e bën këtë prezantim në formën më magjistrale, në formën më të mrekullueshme, e cila është e shprehur në formë poetike ku nuk ka të krisura interpretimi. Ngjitja në formë spirale, që Dante i bën shpirtit njerëzor, ajo ngjitje me mund dhe njohje, të cilën ai e provon në formë figurative dhe vet, është ngjitja e çdo njeriut, drejt përsosjes morale. Zhveshja që ai bën shpirtit nga egoizmi, plogështia, veset, mendjemadhësia, inati, cmira, xhelozia, perversioni, babëzia për të pasur sa më shumë vlera materiale, etj, është një zhveshje simbolike e vet shpirtit të tij. Asnjë pra nuk lind i ditur, por nëpërmjet arsyes, njohjes, reflektimit, atëhere, qënia njerëzore ndërgjegjësohet dhe përmirësohet. Një përmirësim që ka shkallët ngjitëse të Ferrit, drejt Purgatorit, pastaj drejt dritës.

Drita e qiellit, tek Dante, nuk është vetëm drita hyjnore e të përjetshmes, e mësimeve të Jezusit dhe të paraardhësve të tij, hebrejtë e Testamentit të Vjetër, në rradhë të parë është ekuilibri njerëzor, është humaniteti laik, është shenjtëria laike të cilën njeriu duhet ta ketë si qëllim në jetë. Vetëm nëpërmjet një shenjtërie laike, një përsosje morale të njeriut, mund të arrihet dhe tek një shenjtëri fetare, e çfarë do lloj besimi qoftë: Hebre, kristian, myslyman, budist etj. Dante, duke na dhënë një model përsosjeje, në formë udhëtimi në të padukshmen, ai na jep një model tjetërsimi, dashurie pa fund për specien njerëzore.

Tani që jemi të mbyllur dhe të ngujuar, duke përfituar nga heshtja dhe nga qetësia e natyrës, është mirë të reflektohet edhe mbi natyrën e thellë njerëzore. Pra mbi esencën njerëzore dhe të shkohet, të reflektohet mbi thellësine e shpirtit. Dhe shpirti, si trupi, ka nevojë për kujdes, ushqim nëpërmjet artit, por dhe kujdes moral, në mënyrë që të eci, të ngjitet drejt lartësive danteske. Këto lartësi danteske janë lartësitë e vyrtytit, të cilat arrihen me lexime, me reflektime, me pjekuri jete dhe me vullnet, por sidomos me kërkime të paepura brenda vetes sonë.

Dante me poemën e tij, është vetëm një model ngjitjeje. Një mrekulli e treguar me rima dhe filli letrar është vetëm një paralel, i shumë paraleleve të Dantes. Nga të cilat, paraleli moral, lidhet drejtpërdrejt me esencën e cilitdo nga ne. Duke aspiruar shenjtërinë hyjnore, ai aspiron në rradhë të parë tek njerëzit, shenjtërinë laike, ecjen tonë korrekte, moralisht të pranueshme, mbi tokë. E cila në rradhë të parë na vlen neve.

Na vlen sidomos tani, kur natyra rebelohet me Covid 19, duke na thënë: Po më shkatërroni me vrapin tuaj drejt asgjësë. Na vlen për të qenë më pak egoistë dhe më të ndjeshëm drejt një bote më ekologjike dhe më të drejtë. Na vlen për esencën tonë hyjnore, ku kanë përparësi aksionet, pozitiviteti dhe jo ambicia egoiste dhe materializmi i shfrenuar. Është ky materializem i shfrenuar që po dëmton tokën tonë. Kush dashuron shpirtin, e humb besimin dhe nuk adhuron më materien, nuk ka më idhull kotësinë e vanitetit dhe aparencën bosh, ku egoizmi veç të bën të kërkosh vlera të rreme…

Please follow and like us: