Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Gjeopolitika e Covid-19 në Ballkan

Gjeopolitika e Koronavirusit në Ballkan

Shaban Murati

 

Pandemia e koronavirusit detyroi shumë strategjistë dhe teoricienë të marrëdhënieve ndërkombëtare t’i hyjnë profecive të mëdha për rendin e ri ndërkombëtar dhe për përmbysjen e raporteve të forcës dhe të supremacisë së aktorëve globalë, që do të shkaktojë koronavirusi. Në këtë kuadër del e nevojshme të analizohet efekti gjeopolitik i koronavirusit në Ballkan.

Parë në gjithçka ndodhi në këtë periudhe pandemie, me panik kombëtar e rajonal, me mbyllje kufijsh shtetërorë dhe me ndalim të njëanshëm  të eksportit të pajisjeve mjekësore dhe të produkteve ushqimore nga disa shtete të rajonit, mund të konstatohet dështimi i Ballkanit në planin gjeopolitik. Këtë mund ta shohësh në disa drejtime.

Së pari, kemi një dështim të plotë të solidaritetit ballkanik dhe të bashkëpunimit ballkanik midis shteteve të rajonit. Nuk mund të mos i japësh të drejtë gazetarit të BIRN-it, Sreçko Latal, i cili në 20 mars shkruante: “Një nga efektet anësore të masave të jashtëzakonëshme preventive ishte kolapsi pothuaj i plotë i ‘marrëdhënieve speciale’ midis politikanëve shqiptarë, boshnjakë, kroatë dhe serbë në gjithë rajonin”.

Asnjë shtet i rajonit, me përjashtim të Turqisë, nuk u ngrit të bënte një gjest qoftë dhe simbolik përtë ndihmuar njeri-tjetrin për epideminë. Asnjë shtet ballkanik nuk u kujtua të ndihmonte shtetet fqinj. Shqipëria ka Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi Reciprok me pesë shtete ballkanike, me Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë dhe Turqinë dhe përveç kësaj të fundit, askush nuk u kujtua se Traktati i Miqësisë, si forma më e lartë juridike e marrëdhënieve dhe e bashkëpunimit midis dy shteteve, impononte ndihmë në rast emergjencash kombëtare. Serbia, e cila është i vetmi shtet ballkanik, që ka nënshkruar Traktate Miqësie dhe bashkëpunimi me Rusinë dhe me Kinën, u ndihmua nga të dy shtetet nënshkruese.

Realiteti i dështimit të bujshëm të solidaritetit ballkanik tregon se sa efemere janë retorikat e udhëheqësve të shteteve ballkanike për krijimin e “integrimit ballkanik”, të “familjes ballkanike” apo të“pajtimit ballkanik”. Koronavirusi dëshmoi dështimin e mentalitetit idiot shtetëror të “komshiut”. Prova e re e zjarrit me emrin koronavirus tregoi se shtetet ballkanike janë realisht po aq të ndarë nga njeri-tjetri sa ç’kanë qenë edhe gjatë gjithë shekullit 20, edhe në fund të shekullit të kaluar, kur ndodhën agresionet e Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Mund të thuhet se epidemia e koronavirusit evidentoi më qartë vetëizolimin e brendshëm shpirtëror dhe shtetëror dhe egoizmin klasik të Ballkanit.

Është një situatë që duhet t’u mësojë shumë atyre, që drejtojnë apo do të drejtojnë shtetin shqiptar, se sa i pazëvëndësueshëm është dhe duhet të jetë në çdo rrethanë bashkëpunimi vëllazëror unik midis Shqipërisë dhe Kosovës, dhe se prioriteti infantil shtetëror i “bashkëpunimit fqinjësor” nuk mund të zëvëndësojë kurrë prioritetin strategjik shqiptar të bashkëpunimit me aleatët perëndimorë si SHBA, NATO, BE.

Së dyti, epidemia e koronavirusit dëshmoi një dështim të bujshëm të nismave dhe të organizatave rajonale. Në Ballkan janë mbi 30 apo 40 shoqata e organizata rajonale me karakter diplomatik e shtetëror, që janë bërë si OJQ-të e sotme apo Bashkimet Profesionale të kohës së vjetër. Midis tyre është si kryesore SEECP, organizata e “Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore”, që përfshin të gjithë shtetet e rajonit, plus Moldavinë e futur si çiban sovjetik.

SEECP reklamohet si organizata më autentike rajonale, e themeluar në Sofie 26 vjet më parë dhe bën çdo vit një a dy ministeriale të ministrave të jashtëm dhe një samit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve të rajonit. Gjatë mbi një çerek shekulli ekzistence SEECP nuk ka zgjidhur qoftë dhe një problem minimal midis dy shteteve ballkanike ose në shkallë rajoni. Në periudhën e pandemisë dështimi saj është kulmor, sepse dështon në një emergjencë mjekësore rajonale si kjo e koronavirusit. SEECP, organizatës kryesore rajonale, i është harruar vula dhe emri.

Është lehtë të merret me mend se sa falso është nisma e re e vdekur e Serbisë me emrin “minishengen”, që gjoja do të krijonte ”familjen ballkaniko-perëndimore” me kryetar familje Serbinë. Nuk mund të mos lindë pyetja se përse duhen hedhur në erë ato dhjetra miliarda euro për të mbajtur në këmbë dhjetra organizata rajonale, kur nuk iu ndodhen pranë shteteve të rajonit në emergjencat shëndetësore si kjo e koronavirusit.

Së treti, epidemia e koronavirusit qe një dështim edhe në drejtim të shpresës për një kohezion të ri të shteteve ballkanike nëorientimin e tyre strategjike dhe gjeopolitik të integrimit euroatlantik. Pavarësisht profecive të strategjistëve dhe gjeopoliticienëve për ndryshime dhe përmbysje të rendit të marrëdhënieve ndërkombëtare, në Ballkan ndodhi e kundërta. Në Ballkan u ravijëzuan edhe më fort vijat e qarta të ndarjes së zonave të influencës së aktorëve jashtëballkanikë.

Shtetet ballkanike dëshmuan se ata janë spektatorë të përplasjes gjeopolitike të aktorëve globalë në rajon në kohë pandemie, pa mundur të ndikojnë në ndryshimin e raporteve të forcës në skakierën ballkanike. Në këtë periudhë u konfirmua me forcë, pa lënë mëdyshje si më parë, se cilët shtete janë për orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, dhe cilët janë për integrimin me Rusinë dhe me vendet e tjera të Lindjes. Në gazetën ruse “The Moscow Times” në 7 prill shkruhet: ”Janë plot objektiva, që Kremlini pëlqen të shohë në axhendën e shfrytëzimit të mëtejshëm të pandemisë, veçanërisht në Ballkan dhe në rajonin e Detit të Zi”.

Pandemia nxorri më qartë se asnjëherë tjetër në dritë fizionominë reale të orientimit strategjik dhe gjeopolitik të Serbisë drejt Rusisë. Nuk qe shpërthim emocional i momentit fushata shtetërore e sulmeve e presidentit serb Vuçiç kundër BE dhe kundër Europës me pretekstin e çështjes së eksportit të pajisjeve mjekësore europiane. Vuçiç ndërmori një lëvizje strategjike të kalkuluar, duke u përpjekur që të përligjë shpejtimin e ritmeve të orientimit strategjik të Serbisë drejt Rusisë, me rastin e vendimit të BE në 15 mars për ndalimin e eksportit të pajisjeve mjekësore jashtë BE.

Vuçiç e kapi si pretekst për të përligjur lidhjen dhe aleancën e forcuar të Serbisë me Rusinë dhe refuzimin serb të lidhjeve gjeopolitike me BE dhe me Perëndimin. Jo rastësisht pas tij edhe udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik iu bashkëngjit fushatës antieuropiane të Beogradit, duke kërcënuar Europën se “ne nuk do të harrojmë” se çfarë bëri ajo. Dhe ironia është se vetë Serbia ishte shteti i parë i rajonit, që vendosi në kohën e koronavirusit ndalimin e eksportit të ilaçeve dhe të pajisjeve mjekësore si dhe të ushqimeve.

Edhe hiperbolizimi i presidentit të Serbisë për marrëdhëniet e reja midis Serbisë dhe Kinës me rastin e ndihmës mjekësore, nuk vjen nga ndonjë dashurie veçantë e tij për Kinën, pavarësisht inskenimit melodramatik të tij, që doli personalisht në aeroport për të pritur avionin me ndihma kineze, duke puthur flamurin kinez dhe duke deklaruar si pioner i librave komuniste jugosllave se i ka dërguar letër presidentit kinez, ku e ka e quajtur “vëlla”.

Është një spekullim i rëndomtë diplomatik i presidentit serb për të fshehur me melodramën e tij kineze orientimin real të aleancës me Rusinë. Serbia nuk shkon te Kina, Serbia shkon te Rusia. Në fakt Kina në situatën e pandemisë ka ndihmuar me ndihma mjekësore Italinë, Spanjën, Greqinë dhe shumë shtete të tjera dhe nuk ka bërë ndonjë përjashtim vetëm për Serbinë. Politika e jashtëme e Serbisë ka reklamuar qysh në kohën e presidentit Boris Tadiç se mbështetet në katër shtylla: BE, Rusia, Kina dhe SHBA, por realisht ajo mbështetet vetëm te shtylla ruse.

Pyetja, që shtrohet, është nëse Brukseli do të kthjellohet pas kësaj fushate të egër antieuropiane të presidentit serb, që fsheh largimin nga BE dhe varësi më fort nga Rusia. Do të ishte kontraproduktive nëse Brukseli do të vazhdonte kursin e indulgjencave të pameritura ndaj Beogradit dhe të bënte lëshime të mëdha me argumentin e dalë boje se lëshimet i bëhen Serbisë për të mos e lënë të shkojë te Rusia. Do të ishte fatkeqësi rajonale nëse lëshimet strategjike të BE ndaj Serbisë do të përfshinin heqjen dorë të BE nga kushti i anëtarësimit të Serbisë në BE vetëm pas njohjes së Kosovës prej saj.

Brukseli nuk duhet të harrojë se loja me dy karrike e ish-Jugosllavisë ka qenë lojë diplomatike e presidentit me origjinë kroate, Tito. Por Serbia e sotme nuk është Jugosllavia dhe presidenti serb Vuçiç është ish-ministri i informacionit i diktatorit kriminel serb Millosheviç, dhe Serbia zemrën dhe sytë i ka te Rusia.

Kriza e tanishme sanitare është katalizator i acarimit të rivaliteteve gjeopolitike për influencë midis fuqive të mëdha në Ballkan. Përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme,Joseph Borrell, deklaroi në 9 prill se “Rusia dhe Kina duan të forcojnë ndikimin e tyre në përmasa globale”. Po përfaqësuesi i BE për politikën e jashtme duhet ta dijë se lufta për influencë në Ballkan nuk filloi sot. Ajo u shpalos me forcë pas agresionit rus në Ukrainë dhe aneksimit rus të Krimesë, kur Moska përcaktoi Ballkanin si qendër e re epërplasjes gjeopolitike me BE dhe me Perëndimin.

BE nuk u adaptua me lëvizjen e re strategjike ruse në rajonin tonë dhe krijoi një vakum strategjik, duke shtyrë integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Burokracia diplomatike e BE krijoi me dashje ose pa dashje një vakum gjeopolitik, i cili sipas çdo manuali diplomatik dhe gjeopolitik nuk mund të rrijë bosh. Është e natyrshme se shtete si Rusia dhe të tjerë rivalë të BE do të kërkojnë të përfitojnë nga ky vakum. Dy zhvillimet e rëndësishme pozitive rajonale, që ndodhën në kohën e koronavirusit, hapja e bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimi i Shkupit në NATO, kaluan pa jehonën e madhe rajonale që meritonin.

Kjo nuk është vetëm për shkak të epidemisë, por edhe përfaktin se ishin hapa të vonuar dhe se vakumet strategjike nuk janë lojë spontaniteti.

Dështimi strategjik dhe gjeopolitik i Ballkanit në pandeminë e tanishme duhet të shërbejë si nxitje për analiza, reflektime dhe mësime të reja për politikën e jashtme dhe për diplomacinë e Shqipërisë. Qeveria dhe diplomacia e saj duhet të kenë parasysh se pandemia tregoi që bashkëpunimi ballkanik dhe nismat ballkanike duhet të përcaktohen si forma rutinë, por jo prioritare apo strategjike të Shqipërisë.

Për Shqipërinë prioriteti i palëkundur mbeten SHBA, NATO dhe BE. Pra me Perëndimin, me të cilin na bashkon historia dhe perspektiva. Gjeografia e fqinjit është mentalitet primitiv, që në kohrat moderne dhe sidomos në Ballkan, nuk merr vlerë prioritare gjeopolitike. Na bind historia e kombit tonë, na bind edhe koha e rrezikëshme e pandemisë së koronavirusit./gazeta dita/

Please follow and like us: