Aleksandër Meksi: Propozime për përballimin e pandemisë dhe pasojave të saj
Aleksandër Meksi
Me njoftimet e para për pandeminë dhe rastet e koronavirusit në Europë filloi nga shqiptarët dhe preokupimi për përhapjen e saj ndër ne, sepse ishin të shumta kontaktet me vendet ku po shfaqej me probleme sëmundja; sidomos me hyrjen e shkurtit kur filluan kthimet masive të bashkatdhetarëve kryesisht nga Italia dhe Greqia. Shumë prej nesh përpiqeshin të informoheshin nëpërmjet mediave të huaja dhe websiteve të ndryshme për të mësuar dukurinë dhe si mund të mbrohemi e çfarë është e detyruar të bëj shteti, apo siç i themi ne, qeveria dhe liderët.
Vëreja se kudo në botën demokratike filloi të kishte transparencë për përmasat dhe veçoritë e epidemisë e njëherazi një mobilizim i të gjitha mundësive për ta përballuar d.m.th. për evidentuar të prekurit, kontaktet e tyre dhe siguruar për ta ndihmën mjekësore në spitale dhe shtëpitë e tyre, duke mobilizuar ekspertët dhe dëgjuar vetëm ata dhe jo administratorët e shëndetësisë, të cilët vendosin pasi kanë mendimin e ekspertëve, përvojën që ndërkohë përftohej, porositë e OBSH, ashtu dhe si po veprojnë vendet e përparuara ndaj Covid-19. Dhe kjo procedurë duhet detyrimisht të jetë transparente. Tek ne nuk janë zbatuar si duhet këto procedura dhe prandaj janë të shumtë ata që nuk i besojnë buletinet e qeverisë dhe ndërkohë po gjejnë terren fantazitë dhe teoritë konspirative kundër rrezikut nga epidemia, nevojës për masa mbrojtëse deri në mohimin e saj.
Ende opinioni publik nuk është informuar a janë kërkuar ndihma nga strukturat dhe institucionet ndërkombëtare financiare ku vendi ynë bën pjesë, vendet që e kanë mundësinë të ndihmojnë me mjete dhe pajisje për këtë luftë, ashtu dhe ndihma e kredi për të përballuar krizën që pason (përfshirë këtu dhe ato “të premtuara” për tërmetin e 26 nëntorit me bujë të madhe).
Duhet pranuar që pati shumë qëndrime e vlerësime për shkallën e rrezikshmërisë të pandemisë, mënyrat e përhapjes dhe masat që duhen marrë dhe protokollet e trajtimit mjekësor. E si përherë opsionet e zgjidhjet nga vendi në vend e ndërmjet shkollave dhe ekspertëve të politikave mjekësore dhe specialistëve të fushës ishin nga më të ndryshmet, duke variuar nga konsiderimi si një pandemi e rrezikshme që kërkon ndërmarrjen e masave urgjente e deri te teoria e “imunitetit të tufës”.
Ndër qeveritarët që u shprehën haptazi për “teorinë” e “imunitetit të tufës” (tufë ose kope bagëtish), që sa më shumë njerëz të sëmuren që të bëhen imunë ndaj koronavirusit (edhe ky shkon 3-6 muaj), aq më mirë do të jetë, ishte i pari Kkryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, që pa të keq, por me dhimbje tha:“se do të vdesin shumë njerëz të dashur”. Sipas kësaj zgjidhjeje nuk do të shpëtojnë të moshuarit për shkak të moshës dhe të gjendjes përgjithësisht jo të mirë shëndetësore (shumica mbi 80 vjeç dhe një numër po i madh mbi 70 vjeç…). Këtë mendonte në fillim dhe Presidenti i SHBA Donald Trump duke gjykuar se me një lock down do kishim bllokim të ekonomisë, ndërkohë që këshilltari i tij dr. Fauci, i cili u kishte shërbyer 6 presidentëve, këtij gjykimi të Presidentit për pandeminë: “…pse nuk e lejmë që ta përmbysë vendin..” ju përgjigj: “Zoti President do të vdesin shumë njerëz…”. Kjo pruri ndryshimin në qëndrimin e shtetit, por nëse masat do të ishin vënë në jetë më përpara shumë jetë do të ishin shpëtuar.
Ata që të dy, si dhe të tjerë, ndërruan menjëherë strategjinë ndaj pandemisë dhe bënë atë që Europa, edhe ajo me vonesë, po bënte – lockdown-in d.m.th. vetizolimin e karantinën, distancimin social, tamponë e testim masiv (si ato për infektimin ashtu dhe ato për imunitetin), maska e doreza të detyruara, spitale emergjence e të tjera ndihma për mbijetesë të njerëzve dhe sipërmarrjes.
Mësimet nga pësimet e të tjerëve dhe përvoja europiane tregojnë se mjaft veprime të detyrueshme sipas OBSH, për të kufizuar përhapjen e epidemisë nga Covid-19, ende nuk po bëhen në Shqipëri. Ndërsa kufizimet për lëvizjet po zbatohen mirë dhe me rezultat (mbase duhen lejuar në të shtatë ditët e javës; madje dhe për pensionistët dhe fëmijët në orar të kufizuar, sepse mbyllja totale mund t’i dëmtojë), për të patur më shumë të dhëna për zhvillimin e epidemisë në gjithë territorin, mbeten shumë veprime të domosdoshme e urgjente për t’u kryer sa më parë me cilëndo kosto si: sa më shumë teste (si ato me tamponë ashtu dhe ato për imunitetin, përfshirë kontaktet që detyrimisht duhet të evidentohen); pajisja me maska, doreza, e veshje mbrojtëse (rrezikshmëria e punës cakton tipin e tyre) sa më parë e të gjithë qytetarëve që lëvizin në vende publike…e sidomos e në radhë të parë e atyre që punojnë në shërbime biznesi për njerëzit, po ashtu policia dhe ushtria që janë në shërbim të zbatimit të Ligjeve dhe Urdhëresave për këtë rast; dhe sidomos pajisja me gjithçka që siguron mbrojtjen e plotë të punonjësve të mjekësisë të angazhuar me vetëmohim në shkallën më të lartë të rrezikut për jetën, të cilëve duhet t’ju shprehim mirënjohjen. Duhen plotësuar sa më parë spitalet me të gjitha aparaturat, mjetet dhe medikamentet që lipsen për këtë “luftë”, po aq dhe farmacitë, për sot e nesër.
Shikojmë se po rreken të na mbushin mendjen se numri i testeve që kryejnë strukturat e ngarkuara është “i mjaftueshëm”, një term aspak serioz dhe jo i besueshëm, përndryshe t’i themi dhe botës (atyre që aplikojnë lock down-in), e sidomos miqve tanë, që të mos lodhen kot e të harxhojnë fonde të konsiderueshme për dhjetëra miliona teste e që planifikojnë të prodhojnë për vazhdimin e tyre, duke pretenduar se është mjeti i domosdoshëm për të gjykuar situatën dhe identifikuar të prekurit nga coronavirus-i. Shembulli i Gjermanisë që ndjek e merr me përparësi teste nga të gjithë personat që kanë patur kontakte me të infektuarit besoj se mjafton.
Çdo hapje apo lehtësim i karantinës për kategori të caktuara veprimtarish duhet të bëhet me kujdes, sipas sugjerimeve të ekspertëve, përvojës të të tjerëve dhe gjithnjë shkallë – shkallë e duke vlerësuar rezultatet dhe rrezikun.
Me “hapje” duhet të kuptojmë jo vetëm lejen për të hapur dyqanin, zyrën apo filluar punën në një njësi prodhimi, por dhe sigurimin e rreptë të kushteve të plota të mbrojtjes nga infektimi prej bartësve eventual të virusit, pra përhapjen e tij, kontrollin shtetëror për respektimin e këtyre kushteve, në radhë të parë gjendjes shëndetësore, si nga ofruesit e shërbimit por edhe për përfituesit e tij dhe gjithë punonjësit e një njësie prodhuese. Dhe në çdo rast një njësi e hapur duhet të ketë mundësitë financiare për të zhvilluar aktivitetin ekonomik, që hapja të mos jetë fiktive për ta.
E njëjta vlen dhe për vendet dhe veprimtaritë ku nuk evitohet lehtësisht grumbullimi i njerëzve dhe siguria ndaj kontaktit ndërmjet tyre dhe rrezikut të infektimit si kinematë, teatrot, ndeshjet sportive, baret e restorantet dhe po aq dhe plazhet; duke përcaktuar kohën e hapjes, kur është e mundshme, dhe rregulla (protokolle) të detyrueshme për masat e sigurisë, ashtu dhe format e kontrollit. Po kështu dhe për shkollat. Mjaft me vetëgënjimin se shkollat do hapen në fund të majit, kur në to është grumbullimi më i madh i fëmijëve tanë. Shkollat, në dashtë Zoti, le të hapen në 1 shtator e një muaj le të përdoret për kontrollin dhe plotësimin e mangësive në dijet e vitit shkollor 2019-2020.
Duhet që drejtuesit e zbatuesit e politikave të kuptojnë se ata janë personat që vlerësohen për efektin e këtyre politikave mbi popullin e vendit të tyre, nëse ka më shumë humbje njerëzore apo dëme të ekonomisë se sa në vendet që morën më shpejtë masat e duhura. Shembujt janë të qarta për ShBA dhe Britaninë ku nuk u dëgjuan këshillat e institucioneve dhe ekspertëve, duke i krahasuar me vendet si Gjermania, Koreja e Jugut e Finlanda, ku nuk pati hezitime për politikat efikase për hetimin e infektimit dhe masat mbrojtëse të rekomanduara.
Rreptësia me të cilën zbatohen masat shtrënguese, kufizimet dhe karantina, krahas maturisë për hapje, janë veprimet që largojnë në kohë atë që quhet vala e dytë e pandemisë, me shpresë që ndërkohë të sigurohet vaksina kundër Covid 19. Ky është një rekomandim apo këshillë e zëvendës drejtorit të OBSH W. Ricciardi.
Nuk është vonë për marrjen e këtyre masave sepse siç thotë Ursula von Leyen siguria e plotë për mbrojtjen nga coronavirusi do jetë pas përdorimit në masë të vaksinave kundër Covid-19, ndryshe kjo flamë do jetë aktive deri në fund të vitit dhe duhet t’i ruhemi rikthimit, asaj që quhet vala e dytë e cila mund të ketë pasoja edhe më të mëdha.
Duhet të pranojmë se nga qytetarët vërehet një shpërfillje e kërkesës për “distancimin social”, ndërsa për përdorimin e vazhdueshëm e të detyrueshëm të maskave e dorezave, si mjete që i mbrojnë ata, qytetarët nuk kanë çfarë të bëjnë, përderisa për sigurimin e menjëhershëm të tyre qeveria nuk po vepron me përparësi. Dhe një vërejtje këtu për blerjen e medikamenteve, pajisjeve dhe mjeteve mbrojtëse. Ato shteti i siguron nëpërmjet firmave të licencuara, të cilat ja kalojnë shtetit me çmime që përcaktohen së bashku sipas një marzhi fitimi të arsyeshëm dhe të detyrueshëm, sepse këtyre firmave shteti ju ka kufizuar konkurrencën dhe këtë “favor” nuk duhet ta shpërdorojnë sidomos në fushën e shëndetit e në raste urgjence. Kjo sidomos kur shumicën e tyre shteti i jep falas. Duhet të mbahet qëndrim ndaj shkelësve të kësaj norme, si firmat ashtu dhe tregtuesit e produkteve.
Edhe më problematike është kërkesa për sa më shumë teste, e cila nuk po konsiderohet nga Qeveria dhe për mendimin tonë mbart pasoja të rrezikshme. Qeveria shqiptare deri më datë 19 prill ka kryer vetëm 5542 teste me tamponë, një shifër indiferente nëse e krahasojmë me ato të vendeve të tjera, dhe aspak sipas Udhëzimeve të OBSH. Këto ditë Italia kryen 50-60 mijë teste në ditë ndërsa gjithsej ka kryer 1.305.833 (raporti i popullsisë Al./It. është 21). Po kështu kuptohet qartë se nuk po ndiqen hetimet dhe për kontaktet që çdo i prekur ka patur me të tjerët: familjarë, bashkëpunues, miq dhe kontakte rastësore. Duket qartë pra se Qeveria është tifoze e teorisë së “imunitetit të tufës”, por që njëherazi, për fatin tonë të mirë, ka vendosur me të drejtë një kufizim tejet të rreptë të daljeve dhe lëvizjeve të njerëzve dhe mjeteve, pra karantinë reale, e cila sigurisht që po jep rezultate në mos përhapjen e virusit. Sigurisht mund të ketë më shumë ditë për lëvizje, ashtu dhe hapja jo vetëm e shkallëzuar, por mundet dhe e ndryshme për territore të caktuar, në vartësi të shkallës së prekjes nga virusi.
Por i mbetem mendimit që duhet sa më parë e sistematikisht të shtohen testet sepse këtë e kërkon dalja nga lock down-i si d.m.th. shtimin e virus testing, testet e gjakut dhe immunity passports; pra kërkesa të nevojshme, sepse sipas një studimi paraprak të Universitetit Stanford numri i të infektuarve është shumë herë më i madh se shifrat që jepen (në vendet ku kryhet testimi si duhet), pra vetëm atëherë do të kemi një njohje të plotë të shkallës të prekjes nga virusi, pa të cilën politikat e hapjes nuk do të jenë të sigurta. Për të përballuar nevojat për mjete mbrojtëse gjatë hapjes e shtyn Gjermaninë që të planifikojë të prodhojë çdo javë, duke filluar nga mesi i gushtit 40 milionë maska të zakonshme dhe 10 milionë maska FFP2, përfshirë këtu dhe nevojat për ndihma.
Rreptësia e strukturave të shtetit dhe bindja e qytetarëve të vetëdijshëm bën që shkeljet e karantinës të pakësohen nga dita në ditë, por ende duhet ndërgjegjësim i njerëzve për të dhe masat mbrojtëse individuale, si mjeti që shmang rrezikun e infektimit nga kontaktet.
Mendoj se duhet të thuhet qartë, dhe pa kundërthënie e ndryshime të shpeshta të masave, se çfarë duhet bërë në këtë betejë, pra një strategji afatgjatë, sipas rekomandimeve të strukturave ndërkombëtare dhe përvojës për mposhtjen e pandemisë që po rezulton e suksesshme në vendet e tjera. Pa polemika ndërmjet palëve, por dhe me transparencë për gjendjen, mundësitë reale tona materiale e financiare, ndihmat e dhëna me detaje dhe në asnjë rast propagandë e mburrje të personalizuar. Kjo duhet realizuar menjëherë. Është e nevojshme që të informohemi për gjendjen, nevojat dhe porositë (pse jo dhe për kërkesat për ndihma) për maska, doreza, veshjet e personelit mjekësor, dezinfektantë, pajisje dhe medikamente dhe për sa kohë do jemi të siguruar me to.
***
Gjithë duke patur në konsideratë rregullin që shëndeti së pari, d.m.th. siguria në punë pastaj ekonomia, edhe pse lidhen me njëra tjetrën, masat e marra deri më sot janë jo të mjaftueshme dhe me pasoja për njerëzit, që nuk ju mundësohet puna nga lockdown-i qeveritar, por edhe ndaj sipërmarrjes që rrezikon të falimentoj, në pamundësi pagesash të detyrimeve për sa kohë nuk punojnë. Kjo mangësi do riparuar sipas përvojës së vendeve evropiane dhe atyre ta rajonit tonë, sigurisht në përpjesëtim me popullsinë dhe raportin e PPP pro capita.
Për ata që nuk mund të punojnë duhet të jepet jo lëmoshë por ajo, që në Francë e Gjermani quhet, “pagesë papunësie e pjesëshme” (d.m.th. të shërbejë si asistencë papunësie apo si Kemp) d.m.th. që për vendin tonë duhet të variojnë nga 30 000 për pagën minimale deri 60 000 për të tjerat (shifër kjo e fundit e diskutueshme) llogaritur qysh nga muaji mars deri në rifillimin e rregullt e të lejuar të punës dhe pa mbajtur detyrimet për sigurimet sociale e shëndetësore, si dhe detyrimet fiskale, një pjesë e të cilave mund të shtyhet në kohë në përputhje me mundësitë; edhe kjo zgjidhet me bonuse e grante atyre që janë në pamundësi e bonuse atyre që dëmtohen.
Ndihma duhet të konsiderojë dhe të vetëpunësuarit ashtu dhe ata që përfshihen në ndihmën sociale dhe pensionet e ulta, madje dhe ata që nuk përfitojnë asnjërën nga këto dhe dihet që janë në vështirësi. Duhet të pranojmë se këto propozime si dhe të tjerat më poshtë kanë vend për diskutim, por veç nga ekspertët dhe bazuar mbi mundësitë, jo nga administrata apo për interesa politike dhe në asnjë rast nuk duhet të konsiderohet lëmoshë, por si një e drejtë.
Aspekt tjetër i ndërhyrjes në fushën e veprimtarisë ekonomike është fillimi i punës në shërbimet e nevojshme dhe sipas kërkesave të prodhimit, por me masa të plota sigurie (sidomos për ofruesit e shërbimit), për të kaluar, kur shkalla e infektimit ulet (ai reali, jo ai me shifrat që vendos qeveria), në shtimin e aktiviteteve prodhuese jo vetëm në shërbimet por dhe në prodhim me dy turne me orar të shkurtuar qoftë dhe të 7 ditët e javës ashtu dhe riaktivizimit të transportit të brendshëm e të jashtëm.
Rreptësi do të thotë që duhen pranuar në punë ata që rezultojnë jo të infektuar, pra nga kontrolli rigoroz mjekësor i përditshëm, si dhe pa asnjë lëshim të sigurohet pajisja çdo ditë me masat mbrojtëse individuale e dezinfektimin e vendeve të punës dhe këto nuk janë pak. Por në çdo rast duhen ndihmuar me likuiditet bizneset dhe sipërmarrjet që mbyllen ose kufizojnë në kohë veprimtarinë, riskedulim e shtyrje të afateve të detyrimeve (kontribute, tatime e taksa, këste të kredive, bonuse për qiratë, dëmshpërblim për veprimtari tërësisht të mbyllura si turizmi, bare e restorante etj.) një pjesë e të cilave ndihma falas (grante) e kredi fare të buta e afatgjatë shlyerje për to(deri në 15-20 vite), përndryshe ato nuk do mbijetojnë, çka do jetë katastrofike dhe për punësimin e me pasoja afatgjatë për vendin dhe njerëzit.
Me rëndësi, por që çuditërisht nuk ka konsideratë për to nga ana e Qeverisë, janë dhe shtimi dhe fillimi i menjëhershëm i investimeve publike në infrastrukturë nga buxheti i shtetit, për rrugët, shkollat, spitalet, ujësjellës e kanalizime, e sistemin e energjisë, ku përparësi të ketë edhe rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit (nuk arrij të kuptoj mosblerjen nga stoku i banesave atje ku disponohen). Këto masa ndikojnë në rritjen ekonomike. E unë do të shtoja edhe grante e investime për bujqësinë dhe agroalimentaret (fshati ka 40-50% të popullsisë) si dhe mundësi për tërheqjen e prodhimeve të stinës.
Për këto veprime vendet e tjera po huazojnë jo pak për shpenzimet e nevojshme e për të investuar, por fillimisht rreth 10% të GDP. Qeveria shqiptare deri tani ka rreth 1% të GDP…pra s’jemi gjëkundi me luftën ndaj tërmetit, epidemisë dhe investimet publike. Ato janë fonde që do përdoren për qytetarët shqiptarë, për të kapërcyer me sa më pak humbje jetësh e dhimbje e për të shmangur në vite pasojat katastrofike të mos mbështëtetjes së ekonomisë vendase.
Janë shteti d.m.th. shtetasit (individët dhe sipërmarrjet) me tatimet e taksat për punën e tyre që vjel shteti, që do t’i rimbursojnë me punën e sakrificat e tyre, në aq vite sa do jetë e mundur ato kredi, bono thesari e zgjidhje të tjera, veç ndihmave të shtetit dhe ato nga miqtë (që i përmendëm dhe më lart). Kështu po vepron bota dhe duke deklaruar publikisht që do bëjnë gjithçka që lipset për të shpëtuar njerëzit dhe vendin nga një katastrofë shëndetësore e ekonomike. Këto janë veprime që po zbatohen në vendet më të zhvilluara e më të pasura të botës, e në radhë të parë SHBA që ka caktuar vetëm për infrastrukturën e qyteteve dhe rrugët e vendit 2000 miliardë dollarë dhe Kina mbi 1000 miliardë dollarë. Këto investime, janë veç shpenzimeve qindramiliardëshe, pra tejet të mëdha që i trajtuam më lart; jo vetëm në këto dy vende por dhe në Gjermani Britani, Francë, Itali e gjetkë, për masat në fushën e shëndetësisë dhe ndihmës për sipërmarrjen, që njerëzit të mos vuajnë dhe sipërmarrja mos të falimentojë, pra të mos ndodhi një katastrofë ekonomike si ajo e viteve 30 të shek. të 20-të.
Është ende koha për një kthesë me ndryshime të gjithanshme nëse duam të dalim me sa me pak humbje në këtë betejë me emergjenca të frikshme e deri diku dhe të pa parashikueshme, pra me shumë të panjohura; me pasoja që duhet të kapërcehen në një kohë sa më të shkurtër dhe pa mallkuar e dënuar shkaktarët e kësaj fatkeqësie, kuptohet në radhë të parë virusin me kurorë./ResPublica/
Aleksandër Meksi: Mbi ndihmën… për njerëzit dhe sipërmarrjen