Aleksandër Sergejeviç Pushkin: DEMONËT
Re vrapojnë e re vërtiten,
hëna zhdukur nëpër terr,
flokë dëbore përpëliten,
qielli pus e nata sterrë.
Udhëtoj stepës së zhveshur,
dëgjoj zilet din – din – don,
kraharorit zemra ngjeshur,
frikë veç ndjen dhe turfullon!
“Grahu kuajve, karrocier!…”
“Zotëri, e kam vështirë,
bora sytë sa s’ po mi nxjerr,
rruga shket, është errësirë.
Nuk dalloj dot asnjë gjurmë,
as një shenjë, asnjë nishan,
një demon plot bujë e zhurmë,
nëpër stepë po na heq bran!
Pa shikoje si zgërdhihet,
na përqesh e na pështyn,
sipër kuajve po lidhet,
drejt greminës po na shtyn!
Shfaqet si tymnaje mbi brigjet,
bubullin edhe gjëmon,
shkrep si një shkëndijë që digjet,
tretet n’ hapësirë dhe shkon”.
Re vrapojnë e re vërtiten,
hëna, humbur nëpër terr,
fjolla bore përpëliten,
qielli pus e nata sterrë.
Ne fuqitë na u shteruan,
zilet heshtën, s’ tringëllojnë…
“Çfarë panë, kuajt që ndaluan?”
“Kush e di? Trung a ujkonjë?”
Ulërin e shfryn murrlani,
ngjethur kuajt, hingëllijnë
dhe ai, demon shejtani,
rend, i duken sytë që ndrijnë.
Tërheq kuajt, bëjnë përpara,
dëgjoj zilet dingi – dang.
oh, i shoh si shkojnë mbi ara,
zbardhëllon stepa, unë shtang!
Të panumërt të shëmtuar
mblidhen tok, bëhen tabor,
demonë dhe shejtanë bashkuar,
porsi gjethet në nëntor.
Na tërheqin, por në ç’ anë,
ku na shpien, pse këndojnë,
mos varrosin një shtrigan,
mos një magjistricë martojnë?
Re vrapojnë e re vërtiten,
hëna, humbur nëpër terr,
fjolla bore përpëliten,
qielli pus e nata sterrë.
Demonët me ulërima,
ngjiten qiellit përpjetë,
me grahma, me hungërima,
ma ngjethin zemrën e shkretë.
Shqipëroi: Arqile Garo, shtator 2020.