Eden Babani: Unë dhe lufta e klasave
Tri poezi, qepur me një fill
Liria
Xhaxhait tim, Sedat Babani,
rënë dëshmor në Krujë,
në shtator 1944.
Tri fije fati mund të kishe zgjedhur:
Kolltukë të kuq
me pllanga gjaku shokësh i llangosur;
armik, nga vetë shokët i damkosur,
a ndoshta veteran, në ndonjë kafe, i harruar,
kokulur, ëndërr-varrosur
Por, pastërtisht,
ashtu siç pastërtisht jetove,
ashtu siç pastërtisht lirinë ëndërrove,
në Krujën e Fatosit Skënderbe,
përmbi altar të Kombit,
qerpiku pa t’u dridhur, emrin shkrove.
* * *
Demokracia
Gjyshit tim, Mehmet Babani,
pushkatuar si “armik”
në Korçë, më 1948.
Ndoshta një shok i tët biri
të kyçi në birucë.
Ndoshta me armën e tët biri të qëlluan.
Po, mirë e di, zemra s’ta ka pranuar
të ishin shokët e tët biri
ata që të qëlluan.
Kupën e helmit s’e pive dot deri në fund.
Si ëndrra e tët biri,
dhe ty, në mes, një ëndërr t’u këput.
S’na le as varr…
S’na lanë as të të qanim,
as emrin tënd stërnipër të ta mbanin.
* * *
Diktatura
Për veten time,
lindur në Korçë,
më 1935.
Një jetë mes dy gjakrash…
Një gjak i derdhur për lirinë,
një tjetër për demokracinë.
Një dyfish-nip i ndjekur, i përhumbur,
në zyra kuadri gjithë i përbuzur,
sado që mund të mburrej me biografinë.
S’di kush ma pati fajin,
gjaku i parë, derdhur pastërtisht,
apo i dyti, vjedhur tinëzisht.
Apo, mos vallë, e pata fajin vetë,
që s’dita njërin lart ta ngre,
siç ngrihet lart në Krujë Lapidari,
dhe tjetrin ta groposja thellë në dhé,
që tok me gjyshin, mos t’i gjendej varri?…
Tiranë, janar-shkurt, 1991
Botuar për herë të parë në gazetën “Republika”, një ditë pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.