Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Tufa: Nasho Jorgaqi, agjenti që spiunoi motrën e Kadaresë

Pasi ka publikuar dokumentet që vërtetojnë se Nasho Jorgaqi ka qenë bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit qysh në kohën kur ishte student, Agron Tufa publikon një tjetër faksimile, të një kërkese për shpërblim karshi Jorgaqit, me rastin e dasmës së tij, në një shumë prej 3 mijë lekësh.

Sipas firmëtarit të kërkesës, ky shpërblim ishte për punën e palodhur të “Dragoit” dhe për aksionet e tij të suksesshme.  Tufa rrëfen aktivitetin e Jorgaqit nga bashkëpunëtor në agjent dhe gjithë sektorët ku ai ishte angazhuar.

Tufa e ka shoqëruar këtë faksimile dhe me të tjera fakte, që lidhen me raste dhe emra konkretë spiunimesh nga ana e Nasho Jorgaqit, mes së cilëve edhe Kadrie Kadare, motra e shkrimtarit Ismail Kadare, apo përkthyesi Rober Shvarc.

Postimi i Agron Tufës

NASHO JORGAQI NGA SPIUNI-INFORMATOR “DRAGOI”, NË AGJENT REKRUTUES E NDËRLIDHËS, REZIDEND KYÇ I REGJIMIT.
SIGURIMI I HEQ SHPENZIMET E DASMËS ME NJË PAJË PREJ 30 MIJË LEKËSH

Nasho Jorgaqi u rekrutua më 10.1.1955 nga kapiten Hajredin Hoxha. për 5 vjet ai shërbeu si polici intelektual i inteligjencies së kryeqytetit, si pjesë e punës së seksionit të tretë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë. Spiunimet e para të “Dragoit” ishin kundër Kadrie Kadare, Robert Shvarc, etj, në Institutin Pedagogjik 2 vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë. Qëllimi ishte kontrolli i studentëve dhe rretheve letrare që shfaqnin pikëpamje “dekadente, reaksionare e pesimiste”.

Nga punëtori operativ Caci Papajani (ish pastiçier mesatar) Nashua u drejtua në ndërmarrjen e botimeve, ku punonte si korrektor letrar, por kalonte edhe nga Instituti i Shkencave. Pastiçeri vërente si ai i kuptonte shpejt gjërat pasi kishte “shkollë të madhe”. Në qyrkun e Nashos kaloi edhe Skënder Luarasi. Nuk e dimë a do dalë kjo gjë në konferencën që do të organizojë Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) për disa figura të majta, ndër të cilët shihet edhe emri i të përmendurit.

Operativi Leonidha Petrani ishte shumë i kënaqur nga Nashua. Për këtë arsye, me rastin e martesës, në tetor 1960, Nashos i dhanë 3000 lekë shpërblim. Kjo shumë ishte një pajë e vogël me të cilën e daroviti Sigurimi martesën e Nasho Jorgaqit.

Në vitin 1960 kaloi për llogari të Degës së 12-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, e cila mbulonte legatat e huaja në Tiranë. Së bashku me agjenten “Artistja” (quhej Margarita), Nashua punoi në drejtimin francez. Me Margaritën si grua e divorcuar tragjikisht (ish bashkëshorti në burg, më pas do të pushkatohet), ai formonte një dyshe të bukur agjenturore. Leonard Tomoso (të cilit i vunë nofkën “Gjyzlykja” sepse ishte me syza), donte të mësonte shqip, ndërsa Sigurimi e vlerësonte si “zbulues imperialist”.

Operativi Petrani vërente me kënaqësi se “Dragoi” i tij ishte besnik i lidhur ngushtë me partinë e pushtetin, si ishte inteligjent, i sjellshëm dhe serioz. Për këto arsye, më 13.10.1961 nga informator ai u ngrit në agjent. U drejtua te objektet “Shigjeta” dhe “Ligjërata”. Mirëpo, në vitin 1966, Nashua u dalldis pas një historie me në qendër ish marinarin Spiro Kote, i cili u bë strumbullari i filmit propagandistik “Dueli i heshtur”. Filloi të merret me shkrimin e kësaj ngjarje, duke i dhënë një drejtim ashtu siç e donte partia. Por duke humbur kohën sa në një repart e në një tjetër. Duke mos pasur objekt, në vitin 1967, pas 13 vjetësh kontribut, Nashua u largua nga rrjeti sekret. Por nevoja për Nashon ishte e madhe. Rikthehet në armën e dashur të Sigurimit në vitin 1973, duke u aktivizuar në drejtimin e të ardhurve. Sidomos shkrimtarët nga Kosova ishin gjahu i parë e më i urrejtshëm i Nashos.

Në vitin 1978 u kthye rekrutues e ndërlidhës, pra praktikisht një lloj rezidenti shumë i rëndësishëm për regjimin. Njëri ndër ta ishin edhe “Tribuna” dhe “Historiani” që Nashua e mbante në lidhje. Në disa çështje nuk kishte pasur sukses. Aktiviteti i “Dragoit” mbyllet në vitin 1991.
Nga sa thamë përmbledhtas, bie poshtë ideja që enveristët e tipit Spartak Braho e shumë të tjerë të ngjashëm e kanë hedhur vazhdimisht, që partia dhe sigurimi i zgjidhnin bashkëpunëtorët vetëm në klasën e të persekutuarve. Mos lejoni t’ua indiktojnë një ide të tillë: vetë rasti i Nasho Jorgaqit (“Dragoi”) e rrëzon këtë shpifje. Të mos flasim se sa “dragonj” të partishëm kanë qenë spiuna të sigurimit.

Para ca ditësh, në një intervistë të fryrë tek gazeta “Nata”, Nashua qahej, se gjatë shkrimit të romanit “Mërgata e qyqeve”, ishte, sipas tij, krejtësisht i paditur nga puna e agjenturave. Çfarë hipokrizie! Dhe kush? Një agjent i regjur si “Dragoi”.

Please follow and like us: