Ece DİLLİOĞLU: Mos e harxhoni të sotmen, duke vuajtur të shkuarën!
Ece është një vajzë me origjinë nga Vlora, e ikur që fëmijë, 6 vjeçe, nga atdheu dhe sot, pas kaq vitesh, është një personalitet i kulturës dhe gjuhës shqipe në Turqi, pedagoge, përkthyese e letërsisë shqipe në turqisht, “Dr. e shkencave”, në pritje për të marrë gradën “profesor”, që është sfida e saj e radhës. Siç dihet, në Turqi ka një komunitet shumë të madhe shqiptarësh dhe, sipas Eces, “nuk ka gjë më të bukur dhe më të ndershme se sa t’iu mësosh atyre gjuhën e gjyshërve, duke marrë parasysh gjendjen reale të shqipfolësve në Turqi”. Përveç arsimit në gjuhën shqipe, Ece ka meritën se disa nga kryeveprat e letërsisë shqiptare i ka përkthyer në turqisht, dhe ka në plane të përkthejë edhe veprat më kryesore të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Mjaft e lidhur me atdheun, ajo kërkon më shumë prej tij dhe qeverive shqiptare që të bëjnë më shumë “që arsimi të jetë më i suksesshëm”. Gjithçka që e ka arritur Ece e ka arritur falë tre “çelësave magjikë”: gjuha amtare, besimi dhe mbështetja e familjes tek ajo, puna, pa pushim! Krenari dhe respekt për këtë shqiptare të denjë që mban gjallë e kultivon me aq pasion e dashuri gjuhën e kulturën shqipe në Turqi.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirë llogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Ece DİLLİOĞLU: Kur po përgatitesha për universitet kisha shumë mendime në lidhje me degën e në vazhdimësi me profesionin të cilën do e zgjedhja. Por kur mësova, rastësisht, që është hapur dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Turqi, me dëshirë dhe pa as një mëdyshje, zgjodha këtë degë. Pra, rruga në të cilën po ecja spontanisht përfundoi si një udhëtim i mirë llogaritur.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Ece DİLLİOĞLU: Momenti i parë, sigurisht që ishte fillimi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe marrja e diplomës. Momenti i dytë, i cili për mua është shumë i rëndësishëm, sepse ka lidhje me dëshirën time më të madhe që kam ëndërruar, është përkthimi në turqisht i disa librave të autorëve shqiptarë. Ndërsa momenti i tretë është hapja e gjuhës shqipe, si lëndë zgjedhore në shkollat 8 vjeçare në Turqi, ku në librat shkollorë të kësaj lënde kam kontribuar si redaktore dhe shkrimtare. Kjo për mua do të thotë se shqiptarët, të cilët jetojnë në Turqi, do të kenë mundësinë të zgjedhin si lëndë zgjedhore gjuhën shqipe. Dhe ndjehem e lumtur që ky bashkëpunim u firmos në protokoll midis Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit Trakya – në të cilën bëj pjesë edhe unë si akademike.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Ece DİLLİOĞLU: Po. I pari çelës, të cilën unë e vlerësoj si fat, ka qenë gjuha amtare, e cila në profesionin tim më ka ndihmuar shumë dhe vazhdon të më ndihmojë. Së dyti, çelës, pa dyshim, ka qenë besimi i familjes te mua dhe mbështetja e tyre. Dhe i treti, them se është puna, pa pushim!
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Ece DİLLİOĞLU: E vërtet! Sfidat gjithmonë janë të vështira, por të domosdoshme, sepse ato të lartësojnë dhe të forcojnë. Pa ato mbetesh po i njëjti! Sfida kryesore në jetën time, ndoshta, ka qenë viti i parë, kur kam filluar shkollën fillore në Turqi, për shkak të gjuhës që sapo kisha filluar të adaptohem. Unë isha e detyruar të studioja dyfishi më shumë nga shokët e shoqet e klasës.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Ece DİLLİOĞLU: Është e vërtet! Shumë herë mendoj se po të kisha vazhduar këtë profesion, ose atë mbase çdo gjë do të ishte shumë ndryshe. Pse jo! Por mund të them me gjithë zemër se unë prapë nuk do ta ndërroja profesionin tim që kam me asgjë tjetër. Në Turqi ka një komunitet shumë të madhe shqiptarësh dhe nuk ka gjë më të bukur dhe më të ndershme se sa t’iu mësosh atyre gjuhën e gjyshërve, duke marrë parasysh gjendjen reale të shqipfolësve në Turqi.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Ece DİLLİOĞLU: Janë disa si personale, ashtu edhe për mësimdhënien. Si personale, e cila është e lidhur edhe me karrierën time, të marr titullin “Profesor”. Tjetra është dëshira që ka të bejë me përkthimet e librave të shumë autorëve shqiptarë në gjuhën turke. Mendoj se letërsia jonë dhe shkrimtarët tanë të çmuar duhet të njihen nga gjithë bota. Ndërsa për mësimdhënie më duhet të punoj sa më shumë që të kem mundësinë për t’iu mësuar gjuhën shqipe sa më shumë studentëve.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Ece DİLLİOĞLU: Në kujtesën time të evokimeve të djeshme nuk kujtoj gjë sepse kam qenë vetëm 6 vjeçe kur jam larguar nga Shqipëria. Por të sotme ka shumë, në Shqipëri vete e vij shumë herë, për arsye pune. Unë temën e masterit e kam mbrojtur mbi letërsinë e Ismail Kadaresë dhe i kam lexuar veprat e tij nga fillimi deri në fund. Dhe mund të them se ai të bën ta përjetosh fjalën “atdhe”. Por, nëse do të duhet ta përshkruaj fjalën “atdhe” me një fjali të shkurtër, do të them se ajo për mua është aroma e nënës dhe ngrohtësia i babait.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Ece DİLLİOĞLU: Për këtë pyetje mund të përgjigjem vetëm “gjuha shqipe” që dija. Unë kam studiuar që nga klasa e parë e deri në gjimnaz vetëm turqisht. Ndërsa në universitet turqisht e shqip. Por gjuhën shqipe nuk e kam harruar kurrë, sepse familja ime fliste vetëm shqip dhe kjo më ka ndihmuar për sukseset e mia.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Ece DİLLİOĞLU: Për mua fjala “emigrant” do të thotë ikja nga atdheu në një shtet tjetër për një jetë më të mirë nga ana ekonomike dhe për qëllim punësimi. Në këtë aspekt më duhet të shpjegoj se emigrimi im është në Turqi. Populli turk ne shqiptarët na shikon si vetën e tyre, prandaj nuk kam pasur ndonjë përbuzje. Dhe unë sot jam e martuar me një turk që edhe ai është në profesionin tim. Pra, shkurtimisht unë nuk kam vuajtur si emigrante.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndër shqiptar?
Ece DİLLİOĞLU: Mendoj se vetëm me bashkëpunim të përkohshëm e të palodhshëm komunikimi.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Ece DİLLİOĞLU: Arsimi, në përgjithësi, duhet të ishte ndryshe në mëmëdhe. Dhe në veçanti duhen mësues me integritet të lartë e me përkushtim.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Ece DİLLİOĞLU: Siç e përsërita edhe më lart mendoj se qeveria shqiptare duhet të mundohet më shumë që arsimi të jetë më i suksesshëm. Besoj se e duhura është të punohet më shumë, sepse kjo do të jetë më mirë për të dy palët.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Ece DİLLİOĞLU: Po. Dëshiroj që të eci me hapa të mëdha, por të sigurta në rrugën akademike. Tjetra, të mbaroj përkthimin e librit të shkrimtarit Kim Mehmeti. Dhe nëse do të kem kohë dhe fuqi, t’i përkthej të gjitha librat e Ismail Kadaresë, sepse këtë dëshirë nuk mund ta tejkaloj.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Ece DİLLİOĞLU: Mesazhi im është të vazhdoni punën tuaj fisnike në pafundësi. Ndërsa për 1 milion ndjekës online dua të themë “Mos e harxhoni të sotmen, duke vuajtur të shkuarën.”