Albspirit

Media/News/Publishing

Andon Zako Çajupi, penë e fuqishme e shqiptarizmës dhe dëshmor i çështjes shqiptare

 

 

(Kushtuar Andon Zako Çajupit me rastin e 90 vjetorit të vdekjes të njerit prej dëshmorëve të gjuhës, poezisë, kulturës popullore, shkrimtarit, veprimtarit, atdhetarit, dramaturgut, publicistit, diplomatit, përkthyesit me emër mali, që solli në letërsinë shqiptare një mal me krijimtari origjinali, që skaliti karaktere të pavdekshëm, kritikues plot vlerë e sqimëtar, fshikullues i pa kompromis kundër të ligës e pabesisë, besnik i atdheut, dashnor i së vërtetës, dëshmorit të letrave shqipe. Çajupi është përfaqësues i madh dhe i denjë i letërsisë përparimtare shqiptare, sepse në fakt veprat e tij, shquhen nga patriotizmi luftarak, atdhetaria, fryma e njerëzore, spontaneiteti, realizmi në pasqyrimin e jetës, kontribues i çmuar në përparimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Çajupi i përket panteonit atdhetar shqiptar, majave të larta të atdhetarisë e qytetarisë, në të cilat kanë arritur jo shumë krijues e veprimtarë shqiptarë në të gjitha kohrat. Andon Zako Çajupi është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Andon Zako Çajupi (27.3.1866-11.7.1930) u lind në Sheper të Zagorisë, por jetoi dhe punoi në Egjipt. Ai ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat shqiptar, që i vuri emër epokës që jetoi. Shkollën e ultë e kreu në Nivan të Zagorisë, që për kohën quheshin studime “gjysmë të mesme”, ndërsa të mesmen në një shkollë franceze në Egjipt, ku jetonte babai i tij. Në vitin 1887, kur ishte 21 vjeç, Çajupi bëri një vizitë në Sheper që edhe ishte e fundit për të, më pas shkoi në Zvicër ku edhe kreu studimet dhe mori titullin doktor për drejtësi. Si avokat punoi në Kajro të Egjiptit, vend në të cilin jetoi përgjithmonë.

Andon Zako Çajupi që nga fundi i shek. XIX mori pjesë në të gjitha lëvizjet patriotike shqiptare, dhe më së shumti u bë mjaft i njohur me një artikull që kishte shkruar në kuadër të diskutimeve që bëheshin rreth alfabetit në atë kohë, ku Çajupi doli hapur kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Çajupi gjithashtu botoi një pamflet kundër armiqve të lëvizjes kombëtare shqiptare, kështu për shkak të patriotizmit dhe qëndrimit të prerë ndaj të huajve Çajupin e vendosën në krye të patriotëve që vepronin energjikisht në Egjipt.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre e nxorën Çajupin në krye të patriotëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në Egjipt. Në Kajro më 1919, u zgjodh edhe kryetar i shoqërisë “Vëllazëria“, kështu ishte edhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Në vitin 1920 pas ngjarjeve të mëdha të Kongresit të Lushnjës si dhe Luftës së Vlorës, themeloi “Shoqërinë e Miqve“, shoqëri e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë në Shqipëri duke aspiruar liri demokratike dhe shtet Republikan sipas trendit të kohës në shumë shtete të zhvilluara.

 

Shkrimtari, veprimtari, atdhetari, dramaturgu, publicisti, përkthyesi me emër mali – “dëshmor i letrave shqipe”

Andon Zako Çajupi pothuajse në të njëjtën kohë që u muar me veprimtarinë atdhetare, nisi edhe veprimtarinë publicistike letrare, prandaj ndoshta ndër të rrallët ka merituar titullin “dëshmor i letrave shqipe”. Më 1902 botoi librin “Baba Tomori”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratizmi i hapur dhe fryma popullore në brendi dhe në formë Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër!”. Vjersha “Baba Tomori”, është një prush i zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Vargëzimi i Çajupit është një patriotizëm i flaktë ku shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si Mëmëdheu, Ç’jemi?… Ku kemi lerë? etj., në të cilat duket brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte kërkonte të ndizte shpirtrat e fukur të shqiptarëve. Në një varg poezish Andon Zako Çajupi kumboi me forcë thirrjen për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj. Fakt është se në të gjitha poezitë e Çajupit e tregojnë dashurinë që ai kishte për Shqipërinë dhe urrejtjen ndaj armiqve dhe pushtuesve, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat Sulltani, Punërat e Perëndisë, Greku dhe shqiptari. Në një sërë vargëzimesh poetike foli për plagët shoqërore të fshatit shqiptar si tek “Fshati im”, “Kurbeti”, “Fyelli i bariut”, i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme, por edhe magjike. Pikëpamjet e Çajupit janë të lexueshme, mjaft përparimtare për kohën kur vijnë shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lire, si tek “Misiri”, “Varfëria” dhe “Liria”. Në dy vite, 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën “Baba Musa Lakuriq”, që mbeti dorëshkrim, vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë e kohës, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë. Në këtë vepër u shfaq me forcë të veçantë demokratizmi dhe ateizmi i autorit. Çajupi përveç si atdhetar i shquar dhe si shkrimtar, në historinë e letërsisë shqiptare zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër“ dhe “Pas vdekjes”, shkruar më 1910, botuar më 1937, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e kësaj letërsie shqiptare. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Komedia politike “Pas vdekjes” me anë të situatave komike me gjetje origjinale, përshkruante me sarkazëm dërrmues portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, i botuar më 1937, që janë ndër veprat më të lexuara të autorit që në të gjitha kohrat vlera si shkrimtar qëndron mjaft lartë. Përkthyesi që bëri të flaës shqip Zhan De La Fonteni tregon për pasionin e Çajupit shumëdimensional edhe në lëmin e përkthimet, si njohës me themel i gjuhëve të huaja. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në librin “Baba Tomori“, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura“ të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, i shtjelloi me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë. Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare, që në fakt veprat e tij, shquhen nga patriotizmi luftarak dhe atdhetaria, fryma e spikatur demokratike, spontaneiteti, realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë shqiptare.

 

Krijuesi që hyri në memorie të kombit me meritë

Çajupi jetoi 64 vite në jetën biologjike por edhe sot pas nëntë dekadash që është shuar ai është në mesin e personaliteteve që kanë hyrë natyrshëm në memorien e kombit, sepse krejt natyrshëm dhe pa dyshim ai zë një vend të rëndësishëm si veprimtar dhe atdhetar i devotshëm, poet, krijues, dramaturg, publicist e përkthyes për shqiptarët dhe kulturën kombëtare të të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Ai zë vend nderi në letërsinë shqipe të kohës, në radhë të parë për qasjen realiste të përshkrimit të gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve nën robërinë e pushtimit osman, por edhe të gjendjes së rëndë e të nderë edhe pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së cunguar të Shqipërisë, në nëntor të vitit 1912, në Vlorë.Çajupi ishte lindur dhe i rritur në një tokë e klimë të ashpër malore shqiptare, në Sheper të Zagorisë, gjatë tërë jetës do të mbetet një burrë i ashpër, qortues dhe fshikullues i pa kompromis kundër të ligës, bir besnik i atdheut, i cili me një anë i thurë himne “Baba Tomorit”, që simbolizon qëndresën historike shqiptare, por në anën tjetër nuk nguron ta paraqesë pa doraçka dhe krejt lakuriq jetën shqiptare, të tillë, në nivelin në të cilin e kishte katandisur dhe e kishte zhveshur robëria pesë shumëshekullore nën Perandorinë aziatike të Babë Aliut, robëri e cila për më keq kishte rezultuar edhe me përçarje, ndasi e mosmarrëveshje të rrezikshme midis shqiptarëve. Robëria i kishte sfilitur shqiptarët dhe në fakt rronin sikurse thotë Çajupi, si mos më keq, ata të cilët ishin nisur në rrugën pa kthim të asimilimit, po ashtu kishin pësuar duke ndërruar identitetin, duke harruar traditat, gjuhën, doket dhe varret e të parëve. Shumica syresh dukej se kishin mbetur në gjysmë të rrugës, edhe turq edhe kaurë, apo as turq as kaurë, kishin mbetur të huaj për osmanët dhe të humbur për vëllezërit. Ishte një komb i madh që e kishte katandisur si mos më keq një komb të vjetër, që dikur kishte rrojtur në liri me dinjitet e krenari, por kjo e thënë troç nga Çajupi, mali i letrave shqipe. Andon Zako Çajupi është lajmëtari i letrave shqipe në periudhën e konsolidimit të Rilindjes Kombëtare, në fazën e saj të fundit, kur vetëdija kombëtare, për domosdoshmërinë e çlirimit dhe krijimit të Shqipërisë kishte reflektuar te të gjithë shqiptarët liridashës, kudo në katër vilajetet shqiptare. Pavarësisht se ishte shkolluar në gjuhë të huaj, pavarësisht se kishte parë botë dhe kishte zënë hapin me nivelin e qytetërimit evropian, ai nuk iu nda Atdheut, për asnjë moment, për atdheun të cilit i shërbeu gjatë tërë jetës, jo për të përfituar nga Atdheu, sikur bënin bashkëkombës dhe bashkëkohës të tij, por për t’i dhënë gjithçka kërkonte dhe gjithçka mund t’i jepte, për t’i dhënë më shumë dritë, ndriçim, shpresë; ashtu sikur i kishin bërë dhe shkrirë tërë pasurinë e tyre: Abdyl Frashëri, Nikolla Naço, Hasan Prishtina etj. Andon Zako Çajupi edhe pse pësoi dy tragjedi të njëpasnjëshme familjare. Ka qenë në moshën 26 vjeçare, në vitin 1892, kur humbi bashkëshorten e jetës; ndërsa në moshën 53 vjeçare, në vitin 1919 humbi edhe djalin e vetëm, ai nuk u dha dhe nuk e humbi toruan por qëndroi i duruar, duke vazhduar që t’i japë shpresë Shqipërisë, kontribut madhor, me qëndrim të fortë, të patundur parimor dhe kombëtar. Çajupi i përket panteonit atdhetar shqiptar, majave të larta të atdhetarisë e qytetarisë, në të cilat kanë arritur jo shumë krijues e veprimtarë shqiptarë në të gjitha kohrat. Bota e tij e pasur meditative dhe inteligjenca e spikatur, gjithmonë me mendje esëll dhe kurdoherë i mbështetur fuqishëm në të drejtën e në të vërtetën, Çajupi të sjell ndër mendje sundimtarin e Prusisë perëndimore (1772), Frederikun e madh (1712-1786), i cili thoshte: “Fryma shpirtërore e njeriut është e dobët. Më tepër se tri të katërtat e njerëzimit janë krijuar për të qenë robër deri në skajshmëri. Ata kanë frikë vetëm nga ferri dhe djalli, edhe pse ikin nga njeriu i mençur. Shumica e racës njerëzore është e marrë dhe e mjerë”. Çajupi një njohës elegant i Frederikut, këtij “despoti të ndritur”, që edhe pse besonte se një sundimtar duhet të bëjë të pamundurën për të mirën e popullit të tij, ai duhej të kishte gjithashtu pushtet absolut. Nga ana tjetër pikëpamjet teologjike gjykojnë se, “Zoti e ka krijuar njeriun sipas shëmbëllesës së vet. E unë më kot po gjurmoj. Çdo qenie njerëzore në vetvete e mban të njësuar egërsinë dhe janë të rrallë ata që barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë. Unë besoj vetëm në fuqinë e arsyes, në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”. Kështu gjykonte ndër të tjera sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh, në një letër që ia ka dërguar filozofit të njohur francez, François-Marie Arouet –Volter. Çajupi i madh ka fshikulluar fuqishëm babëzinë, hipokrizinë, anadollakinë, skllavërinë, makutërinë, parazitizmin, mendjemadhësinë, paditurinë dhe gjithë veset e ligësisë, “…të Sulltanit-zemër derr,/të cilit nga frika i bëjnë nder, të doktor Adhamudhit, që sipas parimit të eliminimit, të dhëmbë këmba, preje, të shpëtojë tjetra, të dhemb, syri kërreje, të mos sëmuret tjetri…! Ai ishte një shkrimtar me personalitet të formuar që njihte shkencë, traditë, drejtësi, religjion, njohës i thellë i botës orientale dhe oksidentale. Çajupi merakosej për fatet e kombit shqiptar, për unitetin për bashkim, nuk pajtohej me anadollakët e gjysmakët e Adhamudhit, një xhahil që nuk di të “lidhë” barbarinë e tij as me fjalë, as me besë dhe as me zinxhirë. Kjo ishte dëshmi e madhe e kohës sepse Çajupi jetoi jetën kur Shqiptarët po zhvishnin petkat e robërisë, në kohën më kritike të përmbysjeve të mëdha politike, ekonomike e shoqërore. Ai e donte shqiptarin shkallmues të prangave të robërisë, me forcë morale e fizike, me energji fizike e shpirtërore, i donte bashkëkombasit “shqiptarë liridashës” me devizën-kushtrim lirie: “Mirrni pushkëtë në duar/edhe bëni besa-besë/ Shqipëria do shpëtuar/kokë turku të mos mbesë!”.

Çajupi nuk i vendos gjuhës fre në thirrjet për çlirim nga robëria shekullore si të ishte udhërrëfyes dhe militant i vërtetë kombëtar, shpirt zhurituri që lufton fyt për fyt, që nuk ka kohë për të vajtuar e për të kërkuar drejtësi nga qielli, por ndricon mendjet me besim tek ndërgjegjia kombëtare që ndodhej në udhëkryqin më të madh historik, që kapërceu edhe dilemën e Hamletit: “të jesh apo të mos jesh”!, por “të jesh me çdo kusht”, të shpejtosh, të zgjohesh, të luftosh, të çlirohesh, të shpëtosh Shqipërinë dhe shqiptarët nga buzëgremina, ku e kishin degdisur pushtimet e gjata. Çajupi i rrallë ndër bashkëkohësit, që nuk ka kursyer askënd, me vetëdije të zjarrtë realiste, i mbështetur fuqishëm nga arsyeja njerëzore gjykonte se, “në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, nuk përfillte anadollizmat, por shikonte perspektivën. “Klubi i Selanikut”, ishte një publikim që në mënyrë jo të drejtë u quajt “pamflet”,  kur vetë Çajupi në mënyrën krejtësisht realiste ka stigmatizuar forcat e errëta reaksionare, që se kuptonin realitetin faktik, politik e shoqëror. Ai mori frymë thellë në nëntorin e 1912-tës, por me merak të madh kur shtetet sllave me ndihmën e Rusisë iu vërsulën tokave shqiptare, të cilat i konsideronin provinca osmane dhe vranë, masakruan, zhdukën e dëbuan për në Turqi, mijëra shqiptarë. Andon Zako Çajupi çdo ditë të humbur nën robëri e shikonte si një rrezik që e shpalos natyrshëm tek “Klubi i Selanikut”, e të shumë klubeve të tjera të cilët i njihte dhe e njihnin, ku përplaseshin kundërshti të ideve dhe qëndrimeve parimore e esenciale.

Brendia ideore e Klubit të Selanikut, materializohet: “Shtiva sytë në të katër anët e Klubit mos po shoh ndonjë libër a ndonjë gazetë shqip. Asnjë për Zotin! Mandej që të dëgjoj në këtë klub: Ç’është Evropa përpara Turqisë?, Turqia duhet të rrojë e të lulëzojë, faqe dheut”. “Ata që lavdërojnë krishterimin janë të marrë…”. Ai është udhëhequr nga arsyeja dhe realiteti me besim të patundur: “Besa jo, shqiptarët myslimanë s’janë si ky faqezi i çmendur që lëpin me farë e me fis çanakët e xhonturqve dhe për këtë shkak i lutet Zotit të rrojë Turqia për jetë në Shqipëri. Zoti mos i dëgjoftë të tillë njerëz të poshtër… Rroftë Shqipëria e lirë! U shoftë Klubi i Selanikut se qenka i xhonturqve e jo i shqiptarëve! U shofshin të gjitha klubet e Shqipërisë që punojnë për xhonturqit dhe që kanë për qëllim përçarje e armiqësi në mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë”.

Qëndrimi politik Çajupian ishte i ashpër duke vënë në lojë klasën e servilëve, të shpirtrobëruarve, të mendjerobëruarve, të asaj pjesëz së shqiptarëve laramanë e kameleonë, që mjerisht Shqipëria dhe shqiptaria i ka pasur me bollëk, që jo në pak raste kanë dëmtuar çështjen shqiptare me apo pa dashje. Prandaj Andon Zako Çajupi ngrihet madhështor e vital për çështjen e kombit shqiptar duke e orientuar edhe në kohët më të errëta dhe në stogonet e historisë që të gjente rrugën e së vërtetës për të jetuar të lirë, pse jo duke orinetuar rrugën e nderit e ballafaqimit luftarak edhe për rastet kur për lirinë duhet të derdhat gjak dhe po me gjak dëshmorësh të mbrohet liria e kombit të tij të shumëvuajtur. Në këtë aspekt është i përligjur vlerësimi madhor për dhënien e titullit “dëshmor i letrave shqipe” me Vendim nr.28 dt.15.5.1970, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër.

 

 

Please follow and like us: