Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja Michela Zanarella vjen në shqip nga Arjan Kallço

 

 

Lindi në Çitadela, Padova në vitin 1980. Aktualisht  jeton në Romë. Ka botuar këto përmbledhje poetike: Besoj në 2006, Zgjime në 2008, Jeta, pafundësi, parajsa në 2009, Sensualitet në 2011, Meditime femërore në 2012, Estetika e përtejshme në 2013, Tragjikisht e kuqe 2015, Fjalët pranë në 2017, Kërkesa e heshtjes 2018, Instikti gjetkë. Është autore e librave me tregime dhe tekste për teatër. Punon si redaktore e Periodikut Italian Magazine. Poezitë e saj janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, arabisht, spanjisht, rumanisht, sërbisht, greqisht, portugalisht, hindu, japonisht. Ka marrë Çmimin krijues të Naji Naaman’s. Është ambasadore për kulturën dhe përfaqëson Italinë në Liban dhe presidente nderi e Enciklopedisë poetike Wikipoezia.

 

Dialog me qiellin

 

Agu ende i ruan konturet e natës

Dialogu i dritës së një ylli

Kurrë s’u ndërpre

Na drejtoheshin neve reflektimet e reve

Donin të na thonin që t’ua vinim veshin

Shenjave të qiellit

Ndonjëherë në dritën e ditës

Fshihet një ëndërr e parealizuar.

Bota dremiste por yjet nuk i dredhonin

Dashurisë që përparonte lart

Përmes lëvizjeve të hënës në lulëzim.

 

 

Dhomat e dashura

 

Koha do të na shtrojë rrugë për kujtimet

Do t’i thotë trupit se stinët e verës shkuan gjetiu

Një ditë do t’u japim fund synimeve më të bukura

me një shikim

Sytë do të mbajnë pozicionin e ëndrrës

Në një çast do të përulemi që t’i bëjmë

vizitë jetës tashmë të shkuar

Të çarmatosur nga zëri i një heshtjeje që flet

me heshtje

Do të kërkojmë figura të dashura, formën e lashtë

të sendeve

Dritën e fuqishme që ka të njëjtën bujari

të qiellit që s’ka kufinj

E do ta mësojmë se yjet i kishim

në pëllëmbë të dorës

Pikërisht në mes të moshave (dhomat e dashura)

që i njohëm.

 

 

Vizitë e kujtimeve

 

Të bëjnë vizitë kujtimet dhe

Të jesh duke shqiptuar llohë bore,

Përgjigje të munguara si çarçafët e sistemuar

në sirtarë.

Tashmë e kisha falur kohën

Që të zbrizja me natën e ta çelja rrugën në heshtje

Tash era krijon kujtime të reja

Nëpër rrugë përsëri do të trokasë dimri

Do të kthehen janseminët dhe zëri yt

Një dritë krejt e re drejtuar nga shtëpia.

 

 

Netë të kaluara

 

Netë të kaluara duke zbrazur gjumin

Në një heshtje të pafund

Hëna aty jashtë ku e dinte se po dëgjoja

ca gjëra apo ajrin?

Kërkoja dritat e fikura të ditës

Në konturet e sigurta të qiellit

Nevoja për ta kapur dritën në çdo orë

Ishte një reagim ndaj përhumbjes

Më ndodhte të ndodhesha mes trupash

më të shndritshëm se të tjerët

Gati një mirazh ankorimi (ëndrra)

Figura ime në kërkim të yjeve.

 

 

Gjërat që do të vijnë

 

Të vrarë prej hijeve të papritura të jetës

Kapërcejmë heshtjen si të ishte dunë

Ku t’i shkarkonim ankthet.

Druhemi se mos bjerë dita dhe fryma

nuk është e sigurtë

Do të dëshironim të ishim të mbrojtur

prej dhimbjes

Larg prej ngjarjeve tepër njerëzore

Të ulur brenda një drite të qetë

Me hapin e yjeve në sy

Pa frikën e gjërave që do të bujtin.

 

 

T’i mbyll kanatat e kohës

 

T’i mbyll kanatat e kohës

T’ia kthej kurrizin jetës

Asnjë mirupafshim për verën – e fundit , e pagjumë.

Kurrë nuk duhet të jemi gati të themi lamtumirë

Të kërcesh në natën më të errët

Do të thotë ta heqesh qafe shpirtin

Ta lësh një pjesë të trupit në kalldrëm

Dhe ta shtysh reston të mos kthehet më.

Të rifutesh nga të çarat e kujtesës

Një ditë do të jenë yjet e përgjatë detit

Ta rregullojnë mungesën

I vetmi ngushëllim i mundshëm

njohja e së padukshmes.

 

Në një farë mënyre

Në një farë mënyre largësia e tokës,

ajrit, mendimit

Do të shndërrohet në botë të shkelur,

dritë e refuzuar nga e njëjta anë

Kohë që di t’i shërojë trarët e një kufiri.

Do kenë mjë strehë kaq pranë kërkesat tona

Do të jetë e mjaftueshme ta ruajë ecjen e diellit

Mes bimëve të çajit.

Mund të ndodhë që horizonti të kërkojë

T’i afrojë më shumë sythe hënës dhe

që një natë të largët t’i pranojë.

Prania është një ag i paralajmëruar

Mbi një trup me ujë që derdhet mes gjetheve

të argjendta.

 

Përktheu  Arjan Kallço.

 

 

Please follow and like us: