Albspirit

Media/News/Publishing

Donila Pipa: KAPITALIZMI SHQIPTAR DHE TË DREJTAT E PUNËMARRËSVE

PhD Donila PIPA

 

 

 

Demokracia dhe puna janë të pandara njëra nga tjetra, se gjithë jeta, zhvillimi dhe përparimi shoqëror kanë në themel punën e njeriut

                                                                                     Kudrejt CELA

Jetojmë në një botë globale dhe demokratike, ku edhe Shqipëria si pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës ka ratifikuar shume konventa si pjesë e ONP dhe për të pasur kështu  një drejtësi sociale në marrëdhëniet e punës midis subjekteve të saj.

Shqipëria është në një proces integrimi për t’u hapur negociatat dhe per të vazhduar rrugën drejt Bashkimit Europian dhe duke pasur detyrim ligjor përshtatjen e legjislacionit europian acquis comunitar me atë shqiptar edhe në fushën e punësimit, sipas traktatit të BE, rregulloreve apo direktivave edhe në fushën e marrëdhënieve të punës.

Shqipëria ka një bazë ligjore edhe në aspektin e të drejtave sociale që nga Kushtetuta, kodi i punës, ligje dhe VKM të ndryshme, deri tek kontrata apo rregullore të brendshme që rregullojnë dhe mbrojnë në një farë mënyre të drejtat e punëmarrësve.

Pavarësisht se shteti nuk është subjekt i marrëdhënieve të punës, sidomos në sektorin privat, ka detyrimin ligjor nëpërmjet organeve kompetente, që nga Inspektorati i Punës, Tatimet, sigurimet shoqërore etj, të jetë aktor i rëndësishëm që punëdhënësi të respektojë bazën ligjore, kontratën, kushtet dhe sigurinë në punë apo edhe subjektin më  të dobët që është punëmarrësi në  marrëdhëniet e punës.

Jetojmë në një kapitalizëm shqiptar, duke shembur komunizmin dhe sjellë demokracinë demos dhe kratos, fuqinë e popullit dhe këta punëmarrës si një popull apo turmë, çdo ditë diskriminohen, shkelen me këmbë, nuk informohen apo respektohen dhe si çdo gjë në Shqipëri, arrihet deri atje sa rrebelimi bëhet turmë… greva urie, apo humbje njerëzisht në aksidente në pune, etj.

Të  gjithë rrebelohemi në ëdo ditë, që hyjmë në marrëdhënie kontraktuale, që në momentin që kërkojmë punë, marrim pjesë në konkurse dhe shumë  herë vendoset afati i dorëzimit të dokumentave, po edhe afati apo edhe interpretimi ligjor dhe transparent pse x person e fitoi atë vend pune dhe une pse jo, nuk bëhet transparent, mbase me një popull vital siç jemi ne shqiptarët… qenka e vështirë të gjesh në mënyrë të ndershme një vend pune!

Të themi që  kemi fatin të punësohemi në një vend pune dhe më e bukura, kontratën as e marrim dhe as dimë shumë herë se çfarë shkruhet atje, ta lexojmë, të negociojmë para se ta firmosim… pale edhe besojmë në ato të drejta të shkruara atje pasi e dimë që nëse nuk na do pronari, me nje shkak të arsyeshëm apo jo, jemi hedhur në rrugë, pasi dominon i forti shumë herë dhe ligji i xhunglës në këtë kapitalizmin e egër që kemi krijuar në Shqipëri!

Shumë herë nuk paguhemi njësoj, sidomos gratë për të njëjtën punë paguhen më pak se burrat kur që me TRAKTATIN E ROMës, neni 119 TKEE, kjo gjë është e përcaktur, që të mos ketë diskriminim në pagë, pasi paga është elementi më i rëndësishëm i marrëdhënieve të punës dhe i çdo punëmarrësi… mendoni kur që nga ky element filllon diskriminimi sa me qejf mund të vejë në punë dhe të punojë një punëmarrës!

Të mos flasim për orët shtesë, që shumë herë  punëmarrësit as nuk e dinë që duhet të paguhen më shumë kur punojnë ditët e festave zyrtare, ditën e shtunë  apo edhe jashtë orëve normale të punës; ata as nuk kanë një kod pune, as një jurist që t’i informojë për të drejtat që kanë, në ndërmarrjen/institucionin ku punojnë, pale t’i kërkojnë të drejtat e tyre, se kush rrebelohet dhe i kërkon këto të drejta e dinë që të bëjë bagazhet dhe të ikë… më mirë dhe kështu punëmarrësi shqiptar në kapitalizmin shqiptar hesht! Kështu shumë herë secili nga ne është ndjerë një jetim në vendin e tij ku paguan taksa dhe tatime!

Ah sindikatat, flenë gjumë apo askush nuk  i beson, nuk di ç’të them… pasi nuk e di sa kontrata kolektive lidhin subjektet dhe sa punëmarrës besojnë në to!

Çdo ditë heshtim, kur duhet që punëdhënësi, punëmarrësi, shoqërira civile, sindikatat, apo edhe shteti në një botë globale, të jenë aktorë të rëndësishëm për të bashkëpunuar, për të ulur në tryeza bashkëpunimi dhe jo të diskriminohen… përjashtohen, viktimizohen ku të gjithë duhet të jenë të barabartë në të drejta dhe jo ndonjëherë kur bëhesh vegël e partive apo interesave vetjake!

Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, por kapitalizmin shqiptar e shikojmë shumë herë si pjesë e partive, ku partitë vijnë e ikin, ngjiten dhe zbresin në karrige pushtetarë marrin pushtetin dhe harrojnë që votat ju a dhamë ne, harrojnë që demokracia duhet të ketë të drejta dhe jo vetëm detyrime, ku nuk fiton më i forti, ai që ka mikun, klanin, partinë, interesin dhe punëmarrësit të ndihen skllevër në një botë globale të punës, ku çdo ditë luftojnë me veten e tyre, me ankthin, që a do të jenë nesër në punë, a do të ketë shkurtime vendi pune, me se do paguajnë kredinë, me se do të rritin fëmijët sidomos në këtë periudhë pandemie!

Një shtet nuk mund të zhvillohet kur  shtetasit e vet nuk janë të kënaqur, ku punëmarrësit nuk kanë asnje motivim për të punuar, pasi ata diskriminohen që në momentin e përzgjedhjes… pagës, kushteve,  informimit, konsultimit për të drejtat e tyre deri tek procedura dhe zgjidhja e  kontratës.

SOT, JU  QË LEXONI KËTË ARTIKULL, KËTË SHKRIM NUK DUHET TË HESHTNI, POR TË GJENI FORCËN TË  KËRKONI TË DREJTAT TUAJA, PASI JETOJMË NË NJË BOTË GLOBALE, KAPITALIZËM, KU ÇDO INDIVID NUK KA VETËM DETYRIME POR EDHE TË DREJTA!

SOT SECILI NGA NE DUHET TË NDËRGJEGJËSOHET QË DINJITETI NJERËZOR ËSHTË VLERË DHE KJO FILLON NGA RESPEKTIMI I TIJ SI NJERI, SI QËNIE NJERËZORE dhe me pas si një PUNËMARRËS!

Do ta mbyll kët shkrim me një thënie të Henry Kissinger: “Tani, jetojmë një periudhë epokale. Sfida historike për udhëheqësit është të menaxhojnë krizën ndërsa ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund t’i vinte flakën botës”.

 

 

Please follow and like us: