Arqile Garo: SI DËSHTOVA NË PËRKTHIM…
Më thanë se përktheja mirë,
pa, rroka dhe unë një kordhë,
përmbi shkarpat ndën çair,
fillova të shisja… mend!
Kështu ndodh kur ke ca miq,
që të fryjnë, të mbushin plot,
të mburrin, të bëjnë eksiq,
të ngrenë lart e ndihesh Zot!
Por e thotë më mirë shkodrani:
– Mos të hyftë vedi në qejf! –
Se një ditë, në shesh mejdani,
të del boja, e bëhesh def.
Kështu më ndodhi dhe mua,
mu në kulmin e lavdisë,
u gremisa në përrua,
në mes sheshit, në mexhlis.
Më thirrën që të përktheja,
një bisedë, a një debat,
rrugës, për kafe tek veja,
mbrëmanet, pa u bërë natë.
Ishin që të dy shqiptarë,
bashkëlagjas e komshinj,
djem të këndshëm, qytetarë,
dhe të afërm, kushërinj.
Porse kishin nja tre orë,
që po bënin shamata.
Dhe thanë: – Hajde o presor,
Na e ç’ qit këtë hata!
U ula dhe unë mes tyre,
nuk mu duk gjë e vështirë.
Ndjeja një biçim detyre…
Veç, nuk llogarita mirë.
Fliste njeri, shqip – përktheja!
Tjetri, shqip – në shqip ja thosha!
Ta dija ç’ bela do gjeja…
– Vija unë more kodosha?!
Pa u lodha, u djersita,
më doli shpirti nga vendi,
fola butë dhe ulërita.
Por hiç, nuk ecte kuvendi.
Dështova me ah e uh!
Dy shqiptarë më bënë përshesh.
Flisnim që të tre një gjuhë,
veç kurrgjë s’ po merrnim vesh.
U ktheva nga kafexhiu.
Ky, demek bëri humor:
– Po ç’ të them unë derëziu?
Na rrofsh b… arkun, profesor!
Janninë, tetor 2020.